Nga Nazmi Berisha (Dyzi)
Pjesa e tretë
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Nazmi Berishës, me origjinë nga fshati Llap i Komunës së Podujevës në Kosovë, i cili i joshura nga propaganda e regjimit komunist dhe nga programet që jepte Radio-Tirana për “begatinë socialiste” si dhe për t’i shpëtuar metodave rankoviçiane të regjimit titist, në vitin 1960, ai vendosi që të arratisej dhe erdhi në Shqipëri, duke kaluar me not lumin Buna në të ftohtin e madh të atij dimri të egër. Dëshmitë e rralla të Nazmi Berishës, se si u prit ai në atdheun amë, ku ushtarët dhe oficerët e kufirit e rrethit të Shkodrës, pasi e lidhën me tel, e dërguan në Degën e Brendshme, ku për 24 orë, nuk i dhanë as bukë për të ngrënë, e më pas e nisën për në qytezën e Shijakut ku ishte “Qendra e Filtrimit” të emigrantëve kosovarë. Aventura e djaloshit 20 vjeçar, nga Kosova që Sigurimi i Shtetit e akuzonte se: ishte agjent i UDB-së, që e kishte dërguar me mision sekret, Çedo Topalloviç, kryetari i UDB-së për Kosovën, për t’u takuar me Kundër-admiralin e Flotës Luftarake, Teme Sejko dhe torturat ç’njerëzore që i’u bënë atij, në Degët e Punëve të Brendshme të Lushnjes, Krujës, Tiranës etj., ku atë e mbanin të izoluar dhe i kërkonin që të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, duke i nxjerrë si dëshmitarë, bashkëpatriotë të tij nga Kosova, dhe refuzimi i tij, që bëri që ai të kalonte plot 20 vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.
INTERMEXO SPIUNAZHI
– Në Krujë –
Një makinë policie. Tre policë në oborr. Sali Shatri-oficer i Sigurimit, nga Peja dhe Remzi Berberi, po ashtu oficer Sigurimi, ky nga Dibra e Madhe. Saliu hiqej tamam njeriu im. Dhe aq larg sa ishte, veç me buzëqeshje. Nuk kam për t’i harruar kurrë ato fytyra. Shoferi bëhej gati. Pastaj rruga, fusha, kodra që zhvisheshin, plepat anës rrugës, njerëzit që punonin, të dobët, të paveshur, dhe me një gëzim të fshehur diku thellë.
Ku po shkonim ashtu? Në Krujë! Oh, Kruja! Do ta shihja më në fund Krujën e Skënderbeut. Është ky ballkon i Adriatikut, madje i gjithë bregdetit verior dhe i fushave. Vendi i bukur, magjik, kryeneç. Por unë s’kisha kohë që të merresha me bukurinë e mrekullueshme të vendit. Ishin ringjallur të gjitha brengat, dyshimet dhe dëshpërimet e mia. Tanimë qenë shtuar edhe sa e sa të tjera. E shaja veten time, fajin tim dhe megjithatë nuk i gjeja dot një pikë të errët dot vetes sime. Fatin si ta kërkosh ashtu e gjen. Edhe unë rashë nga shiu në breshër, duke qenë kryekëput i sëmurë prej romantizmit kombëtar.
“Shtëpia e Pritjes” në Krujë, ishte më e mirë se ajo e Shijakut. Kishte tualet, ishte dykatëshe. Ishte ndërtuar në një vend të shenjtë për bektashinjtë – Sarisalltëk quhej. Sollën për të ngrënë e për të pirë me anën e shoferit. Ndërkaq, mendoja e ç’nuk mendoja. Isha i gatshëm për një psikanalizë të re. E dija se të nesërmen, do të ishte raundi i ri i pyetjeve. Dhe ashtu ndodhi: Sali Shatri dhe Remzi Berberi, të dy. Ku kisha lindur? Ati? Mëma? Gjyshërit dhe gjyshet? Vëllezërit e motrat? Shokët e tyre? Të njohurit e tyre? Shokët e miqtë e mi në Prishtinë? Mixha? Shokët dhe miqtë e tij? Dajat? Dhe, natyrisht bisedat me ta? Ç’flitet për Partinë e Punës? Ç’flitet për Shqipërinë? Për Enver Hoxhën? Për imperializmin? Për Revizionizmin? Po për Titon? Emrat e UDB-ashëve? Profesorët më në zë në Kosovë?
Nuk mund t’i mbaj mend të gjitha. Gjithçka në formë bisede të thjeshtë, gati familjare. Herë e shihja punën që bënin oficerët bashkëpatriotë, si një gjë shumë profesionale, herë më dukej si një gjë shumë qesharake, por nuk kisha kohë të meditoja për punën e të tjerëve. Në kthetrat e tyre, ishte fati im, jeta ime e ndërthurur në rrjetat politike të kohës, të cilat unë i dija si nëpër tym.
Procedimi im i hollë, vazhdoi plot një muaj. Kujtova se do të mbaronte shpejt, mirëpo jo, kishte pasur plot punë të holla. Ishte si të përgatisje një filigram. Lodhja magjike e oficerëve të mi, ishte më tepër një stisje. E harrova Lushnjën dhe pyetjet e atjeshme të Sali Shatrit. Tanimë, ai më rrihte shpatullat, më buzëqeshte, më merrte me të mirë. Nuk shikoja kthetra por gishta. Nga natyra, unë besoj lehtë dhe kjo më shpie në dyert e miopisë apo të naivitetit, nuk e di mirë. Por një nga të dyja është me siguri.
Dikur, në krye të muajit m’u dhanë disa letra për t’u firmosur. Ishte, siç m’u tha, thjesht një formalitet, për ç’ka kishim biseduar ato ditë. Formalitet? Ndoshta dhe nuk duhej të dyshoja. Unë e di ç’kisha thënë. Me qenë bërë klishe në kokë, qoftë pyetjet ashtu dhe përgjigjet. Sinqeriteti im pat qenë gjithnjë motoja ime. Atëherë, pse të mos nënshkruaja. Pastaj të dy oficerët qenë nga anët e mija. Nga ana tjetër, ditën e fundit më rrahën krahët duke më falenderuar për sinqeritetin tim. Kështu, jo vetëm firmosa por edhe i falenderova për kujdesin e treguar ndaj meje.
Ndërkaq, mund t’i gëzohesha vetes për këtë akt. Mund të ëndërroja se bash këtu, në Krujë e në Tiranë, mund të bëhej regjistrimi im në shkollë! Por…!
Të nesërmen, ende pa u zgjuar mirë, më vinë dy oficerë të tjerë të Sigurimit, të cilët po i shihja për herë të parë.
- Ende nuk je ngritur o agjent i Jugosllavisë! – ,më thanë.
Shuplaka e nxehtë dhe e stërmadhe, ra mbi fytyrën time. O Zot. Ç’po thuhet ashtu!
- Unë agjent?
- Po, po, ti. Dhe mos u shtir sikur nuk di gjë. Ty të ka dërguar Çedo Topalloviçi, kryetari i UDB-së për Kosovën. Ne e dimë mirë këtë.
Balli m’u mbush me bula të mëdha djerse. Mendimet m’u larguan krejt. Ç’po ndodhte ashtu? A qenë në vete këta njerëz? Ata, sigurisht ishin në vete. Serioziteti i tyre mund të admirohej.
- Ju jeni provokatorë! – u thashë – Ju jeni njerëz të këqij. Unë jam patriot i ndershëm.
- As je ti more djalosh, që ke nënshkruar deklaratën e djeshme me Remzi Berberin? E pra, atje ti ke pranuar hapur qe je spiun.
- Ju gënjeni në mënyrën më të ulët u thashë, nervoz dhe i prekur tej mase. Ndryshe më sillni këtu Sali Shatrin dhe Remzi Berberin. Atëherë do ta shohim fytyrën tuaj.
Pas pak minutash, si dolën ata, erdhën dy të tjerë të cilët nuk i kisha parë ndonjëherë. Edhe këta, po i njëjti avaz. I vunë thembrat tek majat. Këmbëngulja ime mesa duket, e bëri të vetën. Më sollën Ajet Haxhiun nga Mitrovica, bashkë me Sali Shatrin. U’a thashë të gjitha që më vlonin përbrenda. Nuk lashë pas dore që t’u thosha se kisha besim tek Sigurimi Shtetit shqiptar, ndaj dhe e firmosa pa e parë atë që ishte shkruar, sepse Remzi Berberi, më tha që aty ishte shkruar ç’ka kishim biseduar. Por që të dy rrinim ftohtë dhe hiqeshim sikur dëgjonim me vëmendje.
- Ti djalosh, – ndërhynë ata, – duhet t’i tregosh gjërat siç janë.
Kush të ka dërguar për të bërë spiunazh kundër Shqipërisë, kush të përcolli në kufi, ç’detyrë të kanë lanë, me kë takohesh këtu, boll me profka?
- U ngurova. Nuk u besova syve dhe veshëve. S’dija a isha në ëndërr apo ishte makth.
- Ulu djalosh dhe shkruaji të gjitha mirë dhe bukur. Nuk mund të presim më gjatë.
Ç’ti përgjigjesha?! Talljes mizore nuk ke ç’i thua. Vetja të duket sa një kokrrizë dhe s’të hyn në sy kurrgjë. Gjithçka që të rrethon, është e mbështjellë nga një mjegull e padepërtueshme. Ku vajti krenaria, betimi, dhe besnikëria ime? Më qarkonte një heshtje ulëritëse që merrte tone marrëzie. Prisja dikë? Po kë? Njeriun e ndershëm?
E pashë mirë thikën e bukës. Po pse mos të prisja veten, por edhe thika ishte e topitur dhe nuk donte të kryente aktin e dënueshëm. Doja t’i shkruaja Mehmet Shehut, për të cilin kisha dëgjuar legjenda në Kosovë. Kërkova takim me të. Le t’i dëgjonte dhe ai, monstruozitetet që kryheshin në kurriz të kosovarëve. Mbasi kjo, e ndihmonte udhëheqjen e lartë. E kujt i duheshin këta gjarpërinj? Gjithkujt, veç Shqipërisë jo.
Të nesërmen Mehmet Shehu, më dërgoi një gjeneral. Pra isha dikush për aq kohë sa kryeministri lëvizi nga karrigia. Edhe çuditesha, edhe vrisja mendjen. Ky gjeneral ende pa folur një fjalë, më tregoi “Zërin e Popullit”, ku shkruhej për revizionistët jugosllavë që ishin dyfytyrësh, ashtu si agjenti i tyre (unë pra) i cili dje e pranoi akuzën, ndërsa sot e mohon atë. E pashë krejt ftohtë situatën në të cilën ndodhesha. Ardhja ime në Shqipëri, sipas kësaj gazete, kishte lidhje me grupin e Teme Sejkos. Protesta ime energjike para gjeneralit, nuk më ndihmoi. Nuk dëgjonte kurrkush nga ai vesh. Fjalët e mia ishin si t’i bije fyellit në një vrimë.
Vërtet në këtë kohë të turbullt kisha ardhur ‘si cjapi te kasapi’! Diku në kasafortat e Sigurimit shqiptar, plotësohej një skemë e caktuar që mbushej me vakum, dhe duke qenë gogla të dikujt, me ne luanin si t’u tekej. Dhe ajo që më ka çuditur më shumë, ishte skema me grupin e Teme Sejkos. Unë kisha ardhur në Shqipëri për të bashkëpunuar me këtë grup, dhe unë nuk dija asgjë? Çudi edhe me mua, pale me të tjerët. Ndoshta patën ardhur për lojë fitimi dhe ca grekë, dhe ne padyshim do të viheshim në lidhje me Flotën e 6-të Amerikane në Mesdhe. Nganjëherë fantazia e shfrenuar bën mrekullira.
Isha i ri, dhe e urreja me mish e me shpirt Jugosllavinë. Po kështu e doja Shqipërinë, ëndrrën dhe dashurinë time të parë. Edhe pse ndodhi kaq keq me mua, dashuria nuk humbi. Ajo kishte hyrë aq thellë në zemrën time të plagosur.
Në burgun e vjetër të Tiranës, hera e parë
Iku gjenerali, dhe fjalët e mia ishin hedhur në erë. Atëherë u ula dhe qava me zë. Ç’fat të zi që paskam pasur. Pse e mora këtë rrugë që ma theu zemrën time të njomë. E di, gjithkush do thotë që njeriu ndjek dashurinë. Mallkuar qoftë ai që më ka marrë në qafë. Po ai këlysh ujku e di që mallkimi nuk e zë dhe mbjell ligësi çdo ditë. Ndoshta dhe sot e kësaj dite. Mallkuar qofshin të gjithë ata që e shihnin tragjedinë time të gatuar në magjen e tyre, dhe qëndronin të pashpirt para rinisë sime. Mallkuar qofshin ata që s’kanë ndjenjë njerëzore!
Pas pas disa ditësh erdhi tek unë Sali Shatri, vetë i tretë dhe me makinë policie, më dërgoi tek Burgu i Tiranës. Përsëri proçedurat e marrëzisë, hetime, përgjigje, vajtje – ardhje. Prej meje kërkohej lidhja me grupin e Teme Sejkos. Hetimet e kryente Nazif Shehu, i afërt i Mehmet Shehut, së bashku me Nazmi Krajën nga Shkodra. Të dy ishin me gradën e kapitenit. Që në fillim më kërkuan që të nënshkruaja vendimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Aranit Çela, për krimet e pabëra kurrë. Këtë turp nuk e bëj më kurrë. Dhe meditoja për të gjithë ata që do shihnin marrëzinë time. Prindërit, shokët, dhe më pas e gjithë Kosova. E kush ishte ai që do ma falte këtë gjë. Tashmë me firmën time s’mund të plotësoja oreksin e të tjerëve. Boll kisha gabuar!
Isha 23 vjeç dhe mund ta quaja veten njeri pa përvojë. Askund nuk më priste hollë mëndja ime e hallakatur. Gjykimet e mia ende nuk kishin shkuar në kovaçhanë për t’u bërë të mprehta. Sidoqoftë më rrëzëllente një shpresë se e vërteta e marrëzisë sime do zbulohej. Dhe ky vezullim më mbante gjallë dhe kur të torturonin hetuesit e mi, me pagjumësinë e detyruar, në fyerjet e paskrupullta prej rrugaçësh. Ndoshta kjo shpresë më thërriste me zë të lartë, mos u dorëzo! Kundër monstruozitetit të paparë ku ishte çuar peshë vetëdija dhe pavetëdija ime.
Netë të tëra hetuesie, ditë monotone dhe të stërlodhshme. Fjalia ime, e vetme ishte: ‘Remzi Berberi më ka mashtruar në Krujë’! Këmbëngulja e tyre ishte e llahtarshme. Ata kërkonin medoemos deklaratën, pasi ajo ishte justifikimi i punës së tyre. A nuk duhej të të vinte keq për ta? Ata punonin si sahat, të bindur se ora e tyre do vinte. Unë sigurisht nuk isha i vetmi në qelitë e tyre. Klithmat e tyre dëgjojini edhe ju o njerëz, edhe pse kaq vonë. Ka pasur dhe burra më të mirë dhe më të mëdhenj se ty!… Ne nuk të burgosim pa fakte dhe prova!
Tortura më e madhe për mua nuk ishte ajo fizike, por mendimi fiks e i pa dyshimtë i tyre, se unë isha agjent. O Zot! Erdhi një ditë shefi i tyre, një Rexho Hyseni nga Konispoli.
- Pa shih! – klithi ai. – Po ne kemi përvojë me këdo si ti more. I dimë, i njohim mirë, truket e agjentëve të Titos! Të gjithë si ti, nuk e kanë pranuar veprën, po më vonë kanë ligjëruar si bilbilat!
- Eh, eh ashtu dhe Teme Sejko!
Kur një mendim, si pika e strehës, përsëritet gjithnjë, të krijon bindjen se kështu është e vërteta. Dhe kjo marrëzi po ngrihej tani në piedestalin e së vërtetës. Dhe ç’është më e keqja, dhe tek unë po lindnin dyshimet e para krejt paradoksale se, mos vallë jam agjent Jugosllav i Titos, dhe unë nuk e ditkam !?
Torturat! Ka pasur në botë edhe më të llahtarshme por gjithkush jep përvojën me ato që ka provuar mbi shpinën e tij. Më lidhnin me hekura në karrigen e ngulur në beton. Më gjuanin me grusht dhe me tehun e dorës në fyt. Dhe kur lodheshin vetë, thërrisnin të tjerë që të vazhdonin atë punë. Më linin pa gjumë, pa ujë, pa ushqim, dhe më dërgonin në banjo ku ishte krejt ftohtë e çimento. Më dërgonin në birucë ku vinte roja dhe më torturonte me një teknikë allaturka. Më pas më dërgonin prapë në çimento, ku më lidhnin me hekura gjermani. E ndërkaq mendimi im ishte rritur si bar në majë të shkëmbit.
Pas gjithë këtyre dhunimeve edhe sikur të më jepnin të haja, nuk mund të haja. A mund të flija edhe sikur të më shtronin në pupla? Pyetjet dhe jo grushtet më rrihnin si çekan në tëmth!
Torturat vazhduan një javë. Pastaj më dërguan në një birucë ku më lanë po aq, pa më pyetur askush për asgjë. Mendimi im, si bar i rritur mes shkëmbinjve, rritej urrejtshëm, kundër kujt? Kundër vetë-vetes!? Bastardët, as që i zija më me gojë. Ata, ishin fat zitë e kombit shqiptar. Ata ishin, pëgëra më e dhimbshme e kombit, dhe goglat në duart e dikujt tjetër. Shpirti i zi i tyre, ndoshta vuante më shumë nga shpirti im. Po ku e dija unë se ç’bluan mendja e xhelatit?
Pyetja më e re për mua ato ditë ishte nëse do të isha në gjendje unë që të përballoja molisjen, lodhjen fizike e shpirtërore, edhe sikur kjo të vazhdojë për vite të tëra?
Sigurisht mendja e tyre e hollë punonte veç për djallëzi. Dhe aq dhunshëm m’u tha hapur. A të njeh kush ty në Shqipëri, Nazmi Berisha? Pleh! Ja, po marrim dikë, e nxjerrim në gjyq dhe e dënojnë! Kështu a pi ujë firma jote, ditëzi?!… O zot! Deri këtu të shkonin? Po të ma tregonte kush nuk do ta besoja kurrë. Në Jugosllavi këto bëheshin, e dija. Pra, kisha harruar që si këtu edhe atje, të dyja palët kishin bërë shkollën e djallit.
Ku ishte vendi im i idealit tim rinor? Kështu më klithte në kokë pyetja e gjithnjëshme me egërsi të pashoqe. Ndërkaq si për ironi të fatit, më fanitej sadizmi, pashpirtësia, tortura, rrena, mashtrimi, insinuata…!
Mos vallë do të bënim më pak me mua UDB-ashët serbë? Ku qëndronte, ashtu ndryshimi midis këtij që unë e quaja atdhe, Shqipërinë Socialiste; dhe atij vendi tjetër që na robëronte – Jugosllavisë? Ku? Dhe asnjë ndryshim nuk gjeja. Të paktën paskësha kuptuar të vërtetën e marrëzisë sime! Por…, kur bija në vetëdijen e qartë dridhesha: jo në vendin tënd stuhia do të kalojë, kurse në robëri, ajo nuk kalon kurrë.
Shpresën time nuk e shuan dot as hetuesit, as torturat, as përpjekjet mizore për të më vrarë edhe vetëdijen. Kisha kuptuar se ajo që ndodhte me mua nuk ishte rastësi por një mekanizëm i tërë vertikal e horizontal që funksiononte në mënyrë perfekt. Kush ishte shpikësi i kësaj makine në Shqipëri? Ishte Ai, Enver Hoxha, shpikësi i gjëmës për Shqipërinë. Ishte ai që po e groposte atë ngadalë por në mënyrë të sigurt. Ishte ai kryemjeshtri. Po hapja sytë tek e vërteta e madhe. Ishte ai vetë marrëzia dhe unë po e shihja atë të ulur në poltronin e së vërtetës së paskajshme. Po më vinte keq për Teme Sejkon, Admiralin e Flotës Shqiptare! I ziu ai, kështu do ta ketë pësuar si unë, si mijëra të tjerë, të ulur nëpër torturat e pafundme derisa i’a bllokuan mendimin që ditën e “gjyqit” të ishte aq i fuqishëm, sa të mos e çelte dot gojën për të folur një fjalë!
Me një fjalë, duhej të bëja përpjekje mbinjerëzore e të jetoja, që dikur të dëshmoja për stuhinë vdekjeprurëse që përjetonte Shqipëria e Enver Hoxhës. Ishte një gjë e vështirë për mua, adhuruesin e madh, që të arrija në këtë përfundim. Pas kësaj analize, pason ajo e një tjetër e mbivendosur. Ato që ke arsyetuar dje nuk vlen për sot. Sot është ndryshe, është më besueshme. Megjithatë, unë e quaj fat kur çlirohesh prej iluzioneve. Me mua po ndodhte bash ky proçes! Nuk di ç’ditë a ç’datë ka qenë ajo që më fali gjykimin e ri dhe gjakftohtë.
Gjithë të djeshmet më dukeshin të shëmtuara, kurse e sotshmja ishte e bukur, madhështore, vizionare. Kisha një pasuri të strehuar në zemër e këtë s’mund të ma rrëmbente kurrkush!(Kam parë në burgjet e Enver Hoxhës edhe stalinistët e rrallë. Komunistë të vendosur patën mbetur. E donin Stalinin si perëndinë. Dhe ndërkohë, kalbeshin në burg. E ku i’u hynte në sy Shqipëria atyre para Stalinit!)
Tanimë nuk e përjashtoja fatkeqësinë time nga të tjerët. Përsiatja në vetmi e në izolim të plotë. Dhe përsiatja e vazhdueshme, ndonëse herë – herë shkatërruese, më bëri me gjykim, më forcoi, më aftësoi për aq e aq gjëra të përballoja edhe terrorin e ferrit. Dinjitetin, edhe kur të lidhur të shkelin me këmbë, e ke në mendimin tënd, në shpirtin tënd të paepur. Ndërkaq, ti jeton besueshëm dhe me personalitet të pacenuar, paçka se emri yt i mbjellë artificialisht mund të fluturojë dhunshëm në qiellin gri të atdheut tënd. Ç’bëja vallë?
Ngushëlloja veten? Mbrohesha instinktivisht prej një force gjigante dhe kjo kështu më mjaftonte, për të jetuar, e dikur për të dëshmuar. Shpirti im, padukshëm, kalitej përdhunshëm në kovaçhanën e Burgut të Tiranës. Kishin kaluar, ashtu 7 ditë të tjera dhe mua më duket sikur isha plakur aty. Torturat e reja ishin një gjë krejt e zakonshme. Unë nuk ndieja asgjë fizike. Nuk haja e nuk pija. Dhe hetuesia më thotë se përsëri bëja një veprimtari antishtetërore! Këto ishin dylbitë me të cilin ata shikonin botën. Megjithatë i kumtova hetuesit qetë, se: kur nuk më haet nuk ha, kur nuk më pihet nuk pi, kur nuk më flihet nuk fle! Ashtu si ju që më akuzoni për një vepër që nuk është e imja, apo jo?! Ashtu? Kjo qe pyetja, pastaj sërish rrahjet dhe torturat.
Kur hyra në birucë gjeta brenda një njeri. Shefqet Kadiu, nga Kavaja, siç mu prezantua. Tha se e patën burgosur para katër ditësh si anëtar i një organizate antishtetërore. Ndërkohë Shefqeti llomotiste për ç’ka nuk dinte si të vepronte, të pranonte veprën që ka bërë apo jo, se e kishin torturuar për vdekje, dhe asnjë gjë nuk kishte pranuar, etj. Pa mbaruar mirë fjalën, hyri roja, e kapi për fyti, e goditi me grusht, e lidhi me hekurat e gjermanit dhe e nxori jashtë. Më thernin në vesh britmat e Shefqetit. M’u dhimbs. Nuk dija se ky ishte kurth i Sigurimit, edhe pse më vetëtiu në mendje aq sa e pashë Shefqetin.
E sollën sërish në birucën time. S’po kishte as fuqi të fliste dhe hera-herës shihte i frikuar nga roja përtej derës. Dikur natën më tha, se po e ngarkojnë për gjëra që nuk i ka bërë, se nuk do të pranojë kurrë madje edhe sikur t’ia rrjepin lëkurën. Dhimbja ime për të shtohej. Edhe një fatzi tjetër si unë. Megjithatë (sikur ta dija) falë arsyetimeve që më vinin dallgë – dallgë pareshtur, se po më ngarkojnë vepra që as në ëndrra nuk i kam parë, se po më torturojnë çnjerëzisht… Kësaj radhe ajo që u ndërpre ishte fraza ime. Sërish në Hetuesi: rrahje, lënie pa gjumë, shantazhe të ndryshme, uria, etja, gjithçka në një kohë që ikte pa u ndjerë, në një ditë natë të pafund…! /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016