Nga Eugjen Merlika
Pjesa e dytë
-MASHTRIMI I MADH –
(Demokracia e trukuar dhe komunizmi rozë)
“Shqipërinë do t’a gëzojmë ne dhe fëmijët tanë”
Ramiz Alia
Memorie.al / “Sistemi ynë ka kapitulluar përballë atij kapitalist, ndaj jemi të detyruar të ndryshojmë strategji”! Me këtë pohim të sinqertë që binte ndesh me dogmën gjysëm shekullore të “epërsisë së socializmit”, si rend shoqëror, politik dhe ekonomik, Kryetari i Shtetit dhe i Partisë së Komunistëve shqiptarë, Ramiz Alia, në tetor 1989, fillonte fjalën e tij para Byrosë Politike. Ai ishte i vetëdijshëm se ajo fjalë, do të ishte një gur-sinori mes dy kohëve historike, asaj të socializmit dhe, një tjetre që do t’a pasonte, me gjithë të panjohurat e saj e që do të ishte, në synimin e tij dhe të kastës së kuqe që ai kryesonte, një kapitalizëm rozë.
Frika nga hakmarrja e kësaj shtrese të popullsisë, e hasur jo vetëm në kastën e lartë të komunistëve, por edhe në mjediset katolike e socialiste të Evropës, e bashkuar me prirjen për të mos vënë në pah krimin komunist, në gjithë gjerësinë e thellësinë e tij, bënë që përparësia, që duhet të kishte ajo në sistemin demokratik, të mbetej vetëm një shpresë e vakët dhe e pasendërtuar!
Ajo frikë e hamendësuar nga shumë anë në rrjedhën e këtyre viteve nuk u përligj, mbasi hakmarrjet që priteshin nga njerëzit, të cilëve nomenklatura komuniste ju kishte gjymtuar jetën, nuk u vërtetuan. Kjo ndodhi për shpirtmadhësi, për frikë ndaj ligjit, falë një prirjeje për të mos ndërlikuar më shumë jetën, apo për motive të tjera, të cilat gjithkush mund t’i perceptojë si mbas botëkuptimit të tij. Por besoj se askush nuk mund të mohojë faktin se, qëndrimi i asaj shtrese të popullsisë qe, një leksion stili e morali në shkallën më të lartë, që tregoi epërsinë e saj të pakundërshtueshme shpirtërore ndaj xhelatëve të tyre, gjë që çuditërisht askush nuk ka dëshirë t’a verë në dukje.
Ata mjedise të së majtës evropiane, të bashkuar me ish-komunistët, në të cilët kanë hyrë me të drejta të plota edhe pasardhësit e PPSH-së, thellë në vete gjejnë me vend dhunën kundër “fashistëve”, paçka se ajo dhunë rëndoi mbi tre breza njerëzish të pafajshëm. Kështu ata bënë çmos që të shmangeshin proceset për dhjetëra mijëra dënime të ndryshme, në kundërshtim të plotë me Kartën e të Drejtave të Njeriut dhe ndihmuan drejt për së drejti që, klasa politike komuniste, me ndonjë makijazh të vogël emërtimi, të ruante funksionin e saj drejtues edhe në sistemin e ri.
Ky qëndrim ishte në përputhje me konceptet e parimet që kishin shoqëruar historinë e tyre të mbas luftës. Si mbas Viktor Zaslavskit, një studiues i njohur, profesor i sociologjisë në Universitetin Luiss të Romës, drejtuesit e të majtave evropiane, sidomos komuniste, “karshi popullsive të tiranizuara të Bllokut sovjetik, tregonin një indiferentizëm absolut, sikur të bëhej fjalë për mish për top që duhej të bëhej theror në fushën e betejës së historisë, që të kishin mbështetjen e shtypësve të tyre, për të zënë pushtetin në Perëndim. Ishte një qëndrim cinik, mbi të cilin shumë pak, në të majtën, kanë bërë një provim të vërtetë ndërgjegjeje”.
Ja pra, pse flitet pak ose aspak në Evropë për krimet e komunizmit, ja pse, hasim në dukuri të tilla që ish-kuadro të Sigurimit të Shtetit, gëzojnë strehim politik e pensione në Itali, ndërsa një dorë pleqsh në moshë të thyer, vëllezërit Popa, megjithëse kishin rrezikuar jetën për të hyrë në Ambasadën italiane e, për të jetuar në Italinë e ëndërruar, të riatdhesohen pa asnjë mundësi jetese në Shqipërinë e drejtuar nga Fatos Nano e shokët e tij.
Në fjalën e z. Alia ravijëzohet qartë një strategji për të ardhmen e shoqërisë shqiptare, që nuk ndryshon aspak nga ajo e projektuar dhe zbatuar prej Partisë Komuniste, që nga lindja e saj deri në fundin e rremë. Është strategji e bazuar mbi terrorin e mashtrimin, mbi grabitjen e mos respektimin e asnjë të drejte njerëzore. “Të burgosurit dhe të persekutuarit janë të moshuar, nuk kanë fuqi dhe janë të pa rrezikshëm. Duhet të kemi kujdes nga fëmijët e tyre. Por këta, duke ju dhënë nga një pasaportë dhe duke ju bërë presion do t’i largojmë nga Shqipëria. Ata që do të pretendojnë, kundërshtojnë apo do të këmbëngulin, do të lëndohen e do të ndëshkohen. Pasuria e tyre na përket Neve, sepse Ne e bëmë”.
Ata që sot trumbetojnë me forcë se komunizmi tashmë i përket së shkuarës, në leximin e kësaj pjese, besoj se do të kenë rast të rishikojnë dhe një herë bindjet e tyre. Komunizmi i “reformuar” vazhdon t’a shohë Shqipërinë me të njëjtat syze, që e kishte parë paraardhësi i tij. “Lufta e klasave” do të vazhdojë siç vazhdon ndarja e shqiptarëve në “të mirë” e në “të këqij”. Ndryshojnë vetëm metodat, fasada e tyre. Ato bëhen më të holla, më dinake mbasi duhet të ruajnë formën “demokratike”, por në fakt janë më mizore, më të pamëshirshme në thelbin e tyre. Nuk është vështirë që nga fjalët e Alisë, të përfytyrohet një vend që braktiset nga bijtë e bijat e tij, në një dramë të fuqishme në të cilën regjisori pa emër e fytyrë, vë në skenë diçka që i shëmbëllen një lloj spastrimi klasor, një lloj ndarjeje, kriteri bazë i të cilit është, vetëm prejardhja, të lindurit me një mbiemër të caktuar që diku, në disa regjistra të fshehtë, është vënë në një rreth të kuq.
Dikur këta qytetarë të kategorisë së dytë, mbasi u ishte marrë pasuria, mbaheshin të mbyllur. Tani duhet të përzihen sepse nuk duhet të jenë të pranishëm në rindarjen e pasurisë, që “u takon” atyre, të tjerëve. Ata duhet të ikin, të enden nëpër botë në kërkim të një jete më të mirë, mbasi vendi i tyre, Shqipëria, duhet të vazhdojë të mbetet pronë e komunistëve të cilëve “u takon” t’a gëzojnë brez mbas brezi, duke grabitur, duke e përçarë, duke e poshtëruar në sytë e botës, duke e sunduar në të gjitha format. Kush do t’i kundërvihej kësaj “aksiome”, do të ballafaqohej me ndëshkimin që do të kthehet në origjinën e tij, në plumbat pa emër të njësiteve guerile, ose dinamitin në pragjet e shtëpive. Vrasjet pa emër të viteve nëntëdhjetë e, deri në ditët e sotme, ndoshta e kanë zanafillën në atë fjalë ogurzezë të të fundmit Kryetar të Shtetit zyrtar komunist…!
Tani e tutje ky Shtet duhet të ndërrojë petk, duhet të heqë uniformën ushtarake alla Mao, duhet të veshë kostumin e kollaren, për të hyrë në sallonet e Brukselit e të Strasburgut. Në fjalorin e tij, nuk duhet të ketë më “luftë klasash”, “luftë kundër kapitalizmit”, “diktaturë e proletariatit”, e të tjera shprehje të këtij lloji. Atje do të hyhet duke himnizuar “lirinë”, “demokracinë”, “tregun e lirë”, “solidaritetin atlantik”, “të drejtat e njeriut”. Të gjitha këto duhet t’i shërbejnë si gjethe fiku një synimi të qartë, një besimi të palëkundur, një vendimi të pakundërshtueshëm të kupolës komuniste, të shkruar me germa të kuqe si gjaku, me të cilin do të mbrohet, po të jetë nevoja: Shqipërinë do t’a gëzojmë Ne dhe fëmijët tanë.
Kjo do të ishte, në projektin ramizian, Shqipëria demokratike. Nuk do të përbënte ndonjë çudi nëse, do të quhej vetëm një projekt, sado cinik e kriminal që është. Nuk mund të pritej diçka tjetër nga një kastë që ishte rritur me pushtetin në dorë, mospërfillëse ndaj interesave të popullit, që e mbante në kurriz. Asnjëherë deri atëhere udhëheqja komuniste shqiptare nuk kishte qenë kaq e sinqertë në paraqitjen e saj, kaq e zhveshur nga demagogjia, kaq e tejdukshme në qëllimet e saj. Asnjëherë nuk e kishte shpalosur kaq hapur thelbin e qenies së saj, që ishte vetëm ideja e pushtetit mbi një popull që ishte marrë nëpër këmbë e qorrollisur aq gjatë, n’emër të “interesave” të tij.
Tejdukja ramiziane në këtë fjalë para Byrosë Politike, na jep në tërë vërtetësinë e saj rrëqethëse portretin e saktë të komunizmit shqiptar. Në lakuriqësinë e tij ai zhvishet nga të gjitha fjalët e bukura e reduktohet në një grusht njerëzish, pa ideale, pa parime, pa moral, pa skrupuj, që ka vetëm një qëllim: ruajtja e pushtetit me çdo kusht, me çdo mjet, me çdo çmim. Kjo e vërtetë merr përmasa tragjike kur mendohet se, për gati gjysëm shekulli, ky grusht njerëzish ka mashtruar në mënyrë marramendëse miliona shqiptarë, duke u përrallisur mbi idealet, mbi interesat e popullit e të atdheut, mbi parimet, besnikërinë ndaj tyre e luftën për mbrojtjen e tyre, mbi moralin proletar, njeriun e ri e dokrrat e tjera të këtij lloji, duke u “përgjëruar”, për çështjen kombëtare e bashkatdhetarët jashtë kufijve.
“Kosova është në pragun e shpalljes së Kushtetutës. Le të bëjnë si të duan, sepse ne kemi platformën tonë”. Një indiferentizëm që arrin deri në cinizëm, jo sikur bëhet fjalë për gjysmën e ndarë e të dhunuar të Kombit, por për një popull të panjohur të Azisë apo Afrikës. Ky ishte qëndrimi i vërtetë i komunistëve shqiptarë, ndaj vëllezërve të gjakut. E kishin shpalosur atë gjatë Luftës, kur nuk patën guximin apo vullnetin të mbronin kufijtë e rifituar të Shqipërisë, kur s’patën kurajën as të kërkonin referendumin për Kosovën, që ju kishte premtuar vetë Titoja në Bujan. E kishin treguar që në agimin e pushtetit të tyre, duke miratuar në heshtje vrasjet masive të kosovarëve nga ushtarët e Titos, si në rastin e masakrës së Tivarit, apo më vonë shpërnguljet e tyre nga trojet e degdisjet në Anadollin e largët nga udbashët e Rankoviçit. Megjithatë, nëpërmjet propagandës demagogjike, kishin arritur të bindnin një pjesë të mirë të kosovarëve se, Qeveria e “Shtetit-amë” dhe “Baca Enver”, mendonin ditë e natë për ta.
Në përfytyresën e tyre, Shqipëria komuniste kishte marrë formën e ylberit, drejt të cilit ktheheshin të gjitha shikimet. E vërteta qëndronte krejt ndryshe. Ata që u munduan t’a “kapërcejnë” ylberin, për të gjetur lirinë, larg dhunës serbe, e kuptuan shpejt duke provuar burgjet e internimet si “agjentë jugosllavë”, se cila ishte e vërteta. Të tjerët do t’a kuptonin vonë, shumë vonë, kur panë me sytë e tyre se si ishte katandisur Shqipëria nga “Baca” e ndjekësit e tij. Ka prej tyre që nuk e kanë kuptuar ende e vazhdojnë t’i thurin himne në internet. Është e drejta e tyre, por do të bënin mirë të lexonin frazën e vetme që, në drejtim të Kosovës e cila luftonte për mbijetesë mbas fjalimit ogurzi të Millosheviçit, shqiptonte kreu i komunistëve të “Dheut amë”. Do të bënin mirë t’i kërkonin falje atyre mijra shqiptarëve, që kërkuan lirinë në oborret e ambasadave të huaja, atë 2 korrik 1990, të cilët u damkosën prej tyre si: “renegatë e tradhtarë të atdheut”.
Kjo bandë zaptuesish të pushtetit, që nuk tërhiqet para asnjë krimi për t’a përjetësuar atë, ka projektuar me një saktësi që të shtang edhe vitet e ardhshme, kur ai nuk do të mund të ishte më bir i dhunës. Ndryshimet në botë bëjnë të detyrueshëm ndërrimin e stilit. Mashtrimi gjysëm shekullor, në kushte të reja, duhet të përsoset më tej. Tashmë ai nuk do t’u shërbehet vetëm shqiptarëve, të tejngopur me të, por edhe “botës së lirë”, në të cilën zyrtarisht Shqipëria do të kërkojë të hyjë si një “Vend demokratik”, që ka lënë pas krahëve përvojën e urryer të “shoqërisë moniste”.
Llogaritë bëhen në imtësi e duke marrë parasysh të gjitha rastet. Ka shenja padurimi në rininë shqiptare e mund të ketë orvatje apo prirje për të ndryshuar rrënjësisht gjërat. Kjo mund të bjerë ndesh me projektin e përjetësimit të pushtetit, që sendërtohet nëpërmjet kalimit të tij nga etërit tek bijtë. Pra Shqipëria perceptohet si një mbretëri mesjetare, në të cilën kasta drejtuese i jep vetes të drejtën e trashëgimit të pasurisë e të ofiqeve, siç bënte aristokracia në kohët e hershme. Për të siguruar këtë gjendje, që do të tingëllonte anakronike në kapërcyellin e mijëvjeçarëve, partia ka vënë në lëvizje të gjitha levat e saj, nga moria e kuadrove deri tek banditët që, me dhunë, do të ligjësojnë vullnetin e saj.
“…Prandaj gjithmonë të jemi të pregatitur për të dyja rrugët e mbajtjes së pushtetit: rrugën paqësore dhe rrugën e luftës së armatosur. Ne jemi të pregatitur për të dyja rrugët dhe për këtë kemi organet tona të dhunës dhe njerëz tepër të vendosur që i kemi pregatitur gjithë këto vite me mund dhe sakrifica. Mjerë ata që do të guxojnë të na dalin përpara e të na kundërvihen…”!
Kuadrot i futën shpejt në punë, duke i shpërndarë nëpër partitë, nëpër organet e shtypit, në institucionet, ndërsa banditët u ruajtën për ditë më të vështira, për sulmin e fundit, për t’i vënë zjarrin Shqipërisë, e besueshmërisë së saj më 1997. Në atë rast u shfaqën, në gjithë larminë e mizorisë së tyre, “njerëzit tepër të vendosur” , ithtarët e dhunës së verbër që arritën të djegin të gjallë djemtë shqiptarë të Shikut, që mbronin institucionet. Pati ndonjë që arriti deri në kanibalizëm, duke pirë gjakun e një djaloshi të torturuar e më pas të vrarë nga turma e azdisur. Si shpërblim, ajo “zonjë e nderuar” u bë deputete, ndërsa për djaloshin që ra heroikisht në krye të detyrës, ra heshtja së bashku me lotët e dhimbjen e familjarëve. Vetëm pak ditë më parë Presidenti Moisiu pati kurajën t’i dekorojë si shërbyes të Shtetit, të rënë në krye të detyrës.
Kjo do të ishte skema e fundit e strategjisë së pushtetit, një skemë që nuk mbante parasysh asnjë farë respekti as për traditat e moralin e shqiptarit dhe as për rregullat më të thjeshta të së drejtës. Por ustai i kësaj ngrehine me themel krimesh, din mirë se në panikun e shembjes së regjimit, ithtarët e tij nuk janë të qetë. Përpara është e panjohura e ballafaqimit me botën tjetër, atë të Perëndimit, që ka fituar “luftën e ftohtë”, gjysëm shekullore. Mbi atë botë deri ahere ishin derdhur lumenj boje të zezë, pa kursyer shprehjet më fyese. Por edhe ky ballafaqim është marrë në shqyrtim që herët e për habinë e të gjithëve, Kryetari Alia, nxjerr në shesh kartat e kredisë, që prej shumë vitesh mbaheshin të fshehta.
“Nëse lind nevoja do të kemi edhe mbështetjen e aleatëve të jashtëm ideologjikë në pushtet, të cilët nuk është nevoja t’ua përmend. Pavarësisht problemeve që na ndajnë me ta, kini parasysh se na bashkon kauza jonë e përbashkët, që është pushteti i komunistëve, pavarësisht nga nuancat dhe diskonkordancat e përkohshme. Përveç aleatëve ideologjikë, nëse do të jetë nevoja, do të keni edhe mbështetjen e aleatëve të tjerë në Perëndim, me të cilët kemi ruajtur fijet e lidhjeve të vjetra, për hir të interesave të mëdha. Shoku Enver dhe Unë, i kemi ruajtur këto lidhje të domosdoshme dhe jetike, që në fund të fundit, garantonin pushtetin tonë popullor, të cilin do ta ruajmë si sytë e ballit edhe tani edhe në të ardhmen dhe përgjithmonë…”!
Është kjo një nga pikat kulmore e më interesante të fjalës që shpjegon shumë “enigma”, jo vetëm të së shkuarës, por edhe të viteve të kalimit në të ashtuquajturën demokraci. Mendimi fluturon larg, në vitet e mjegullta të luftës civile, kur ndihmat i shkonin partizanëve, e jo forcave nacionaliste, kur Miladini detyronte Enver Hoxhën, të bënte copa-copa ‘Marrëveshjen e Mukjes’, që përkonte me strategjinë aleate të luftës, pa i lëvizur qerpiku, kur prijësit nacionalistë braktiseshin në Shqipëri e trajtoheshin si robër lufte në kampet e aleatëve në Itali apo Greqi, kur ata gjenin çfarëdo preteksti për të mos zbarkuar në Shqipëri, në ndihmë të forcave kundër komunistëve, të grumbulluara në Veri, kur Mbretit të Shqipërisë nuk i jepej mundësia e kthimit në Atdhe, mbasi kështu kishin vendosur komunistët, kur…!
Mbas një flurudhe gjysëm shekullore, mendimi ndalet në vitet e para të ndryshimit, në kohët e shpresave të mëdha, në përfaqësuesit e ndryshëm të Evropës që predikonin paqen, faljen, që i vinin në një rrafsh ata që vinin nga përvojat e përndjekjeve dhe ata që i kishin vënë në jetë ato, që i jepnin strehim politik ish-kuadrove të Sigurimit që, “kërcënoheshin” nga “regjimi i Berishës”, që parapëlqenin të diplomuarit e regjimit kundrejt të “pashkollëve” të kundër regjimit për, t’ju dhënë mundësinë e mërgimit. Mbas blindimit që i bëhet së ardhmes nga lidhjet e vjetra e të reja me ish-miqtë e ish-armiqtë, Kryetari Alia, përfundon fjalën e tij me një shprehje besimi, që nuk le shteg për mëdyshje: “Fitorja dhe pushteti do të jenë përjetësisht Tonat”.
Sikur t’a kisha lexuar këtë material më 1990-‘91 do t’a kisha quajtur si shprehje e delirit të një diktatori që nuk don të besojë fundin e tij, si ëndrra që i sërviren bashkëpunëtorëve për të mbajtur gjallë moralin e trupës që po shpërbëhet nën peshën e gërmadhave, si prodhimin e një truri të nxehur nga ethet e pushtetit. Fjala e tij do të më shëmbëllente më shumë me optimizmin e Hitlerit që, megjithëse i rrethuar nga të gjitha anët prej ushtrive armike, shpresonte të fitonte luftën në çastin e fundit, me bombën atomike që shkencëtarët e tij po mundoheshin të prodhonin. Sot, mbas pesëmbëdhjetë vitesh, që në ecjen e tyre kanë plotësuar mozaikun që Ramiz Alia vizatonte më 1989, një trishtim më kaplon shpirtin e më paralizon mendimin.
“Vendi i mjerë, trembet kur sheh veten. E kishim nënë dhe na u bë varr, ku s’qesh veç buza e ndonjë të marri, ku psherëtimat, klithmat e rënkimet, që ngjethin erën s’kanë të numëruar…”! Kjo nuk ishte Skocia e Makbethit, por Shqipëria e Enverit dhe e Ramizit. Në të kaluam pjesën më të madhe të jetës pa liri, pa të drejta, pa zhvillim, në mjerim, në terror psikologjik e policor. Patëm një shkulm gëzimi kur pamë murin e Berlinit duke u prishur, e rrëzimin e qeverive komuniste në vendet e tjera. U entuziazmuam deri në ngazëllim atë 20 shkurt të 1991-it, kur pamë të rrëzohej e të tërhiqej zvarrë monumenti i diktatorit.
I besuam me gjithë zemër ndryshimit të jetës sonë e të jetës së vendit. Me naivitetin e një fëmije i besuam të gjithëve: partive që mbinin si kërpudha e drejtuesve të tyre që përgjëroheshin për demokracinë, premtimeve për një Shqipëri evropiane e çeqeve të bardha, Perëndimit se do të na priste krahë hapur e do të na bënte menjëherë të pasur, idesë se do të kishte një dënim për kriminelët e një shpërblim për viktimat e tyre. Por, mbi të gjitha, i besuam përfytyrimit të një shoqërie që dal ngadalë do të shkëputej nga historia, idetë dhe praktikat e shkuara, për të ecur përpara në rrugën e lirisë, të zhvillimit ekonomik, të mirëqenies e të qytetërimit, një shoqërie që do të përtërihej në vazhdimësi e do të dinte të vlerësonte mundësitë e saj potenciale në të mirë të saj. Sot kuptojmë se të gjitha iluzionet tona mbetën vetëm të tilla, se ne qemë robër të një mashtrimi të madh, se demokracia jonë duhej futur në thojza.
Uinston Çërçill thoshte se: “Burri më i madh i Shtetit, nuk mund të parashikojë më shumë se gjashtë muaj”. Mbas pesëmbëdhjetë vitesh, sot janë vërtetuar të gjitha “profecitë” e ish Kryetarit Ramiz Alia. Është shprehje e gjenialitetit politik të tij, e aftësive mediatike, apo është një fatalitet historik që vazhdon të përcaktojë jetën tonë, në trajtën e një sundimi të tej zgjatur të një kaste që përcjell në breza një etje të pashuar vetëm për pushtet? A mund të kishin marrë tjetër drejtim ngjarjet e dukuritë e këtij tranzicioni të tejzgjatur? Deri kur do të mbetemi robër të një skeme që na ka shkaktuar kaq dhimbje e që vazhdon të paragjykojë t’ardhmen tonë? Deri kur do të vazhdojmë të jetojmë në prehrin e atij mashtrimi të madh që na shoqëroi në këto vite? Deri kur, me naivitetin tonë, do të vazhdojmë t’a ushqejmë atë mashtrim, duke i besuar ende atyre që e sendërtuan atë si mbas ideve të kryemjeshtrit?
Ndoshta ka ardhur koha që secili, në ndërgjegjen e tij, t’i përgjigjet këtyre pyetjeve e përgjigjet të derdhen në detin e gjerë të vetëdijes së përgjithshme të Popullit e Kombit, që ka nevojë për një shkundje, për një ringjallje, për një rivlerësim të vetes…!
U mundova të shtjelloj në këtë shkrim një sërë përsiatjesh rreth këtyre viteve, tashmë të mjaftueshme si kohë, për të bërë ndryshimin e nevojshëm, që do t’a kishte çuar Shqipërinë më pranë Evropës si nivel jetese, si mendësi institucionale, si bashkësi njerëzish që, mbasi ka kryer provimin e ndërgjegjes për të shkuarën, e shikon t’ardhmen me besim e synime të qarta. Kur u rrëzua e u tërhoq zvarrë monumenti i diktatorit këto ishin ëndrrat e pjesës më të madhe të shqiptarëve. Sot, fatkeqësisht, këto mbeten përsëri ëndrra. Shqipëria mbetet e lidhur, në një masë të bollshme, me të shkuarën e saj e nuk është në gjendje t’a heqë nga supet. Mendësitë, njerëzit e simbolet e saj zotërojnë kudo, së bashku me mjerimin, paligjshmërinë, arrogancën e kastës së re, të shartuar mbi trungun e vjetër. Bilanci i këtyre viteve mbetet i varfër në nivel bashkësie, megjithëse nismat vetjake të shqiptarëve kanë rezultate të dukshme brenda e jashtë vendit. Edhe njëherë tjetër treguam se na tërheq më tepër “çështja e humbur”, sikur duam t’i japim të drejtë edhe sot historianit të madh të dyqind viteve më parë.
Përsiatjet e mija u përpoqën të shpjegojnë këtë kohë jo të shkurtër kalimi, me të gjitha peripecitë, dështimet, mos arritjet e problemet e saj, si mbas një projekti të hartuar me shumë dinakëri mbi pesëmbëdhjetë vite më parë dhe të vënë në jetë, me shumë përpikëri, në gjithë ata vite. Do të desha që ky arsyetim i imi, të ishte vetëm një hamendje, një ëndërr e keqe, që ecuria e ngjarjeve të mos vërtetonte bindjen, që besoj se nuk është vetëm e imja, sado fantazi politike të duket. Mendoj se ju takon atyre që, në një mënyrë apo në një tjetër, patën dhe kanë barrën e përgjegjësive për vendimet e marra në jetën e sferës drejtuese të Shtetit, të vërtetojnë të kundërtën. Përndryshe, më e pakta detyrë morale karshi të sotmes e së ardhmes është, të shpjegojnë pse u bënë prè dhe sendërtues të atij projekti, që po i kushton aq shtrenjtë këtij Vendi. Memorie.al
Mars 2004
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016