Nga Vasil Qesari
Memorie.al/ Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e zhgënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit? Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?! Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi. Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes! Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!
DREJT VDEKJES A LIRISË…?!
Himara e kish njohur herët egërsinë komuniste!
Grushti i parë mbi të, kish renë fill pas zgjedhjeve maskaradë të 2 dhjetorit 1945, ku shumë himarjotë patën votuar kundër listës së vetme me kandidatë të Frontit Demokratik. Në shenjë hakmarrje, mbi banorët e saj, Partia kish ushtruar një fushatë të egër terrori psikologjik të shoqëruar me denoncime, arrestime e burgosje. Nga frika populli qe tkurrur edhe më tepër brenda vetes, duke pritur ditë edhe më të këqija.
Shumë njerëz, dhunës e rrezikut të arrestimeve, i’u kundërvunë me të vetmen rrugë të mundshme shpëtimi: atë të arratisjes jashtë vendit. Në zgjedhjen e një alternative të tillë, probabiliteti i realizimit të qëllimit ishte mjaft i kufizuar, ndërkohë që, mundësia e vdekjes nga plumbat e kufitarëve apo e humbjes së përjetshme në honet e thella të Detit Jon, ishin pothuajse të pa evitueshme.
Arratisjet nga Himara e mbarë Bregdeti, u bënë më të shpeshta, sidomos mbas valës së egër të persekutimeve të viteve ’60 -’70-të e më tej. Gjatë asaj periudhe, veprimtaria e Sigurimit Shtetit dhe e bashkëpunëtorëve të tij, u bë edhe më intensive, ndërkohë që lufta e klasave u ashpërsua më tepër. Drejtuesit dhe militantët e Partisë, si edhe ata të Frontit Demokratik të cilët përgjithësisht ishin bashkëpunëtorë të zellshëm e servilë të Sigurimit, provokonin e denonconin pa pushim, individë të ndryshëm që kryenin veprimtari armiqësore.
Për t’i shpëtuar rrezikut të burgosjes e jetës së padurueshme, shumë njerëz vendosnin të rrezikonin, duke shkuar drejt lirisë a …vdekjes. Kështu, në një tentativë për t’u arratisur me not në ishujt grekë, dy vëllezër nga familja Konomi, u përpinë nga ujërat e Detit Jon. Pas tyre, të tjerë grupe të rinjsh, provuan të njëjtën gjë, por ose u zhdukën pa lenë gjurmë, ose u kapën e u kalbën burgjeve. Pas kësaj, përgjimet, pabesitë e denoncimet, u benë tiparet më banale të jetës së përditshme, në mbarë Bregdetin.
Qe kjo arsyeja, pse, shumë individë apo grupe të cilët bënin plane për t’u arratisur, arrestoheshin fill pas bisedave të para. Madje, kish ndodhur që, ata të denoncoheshin nga vetë pjesëtarë të familjes, kushërinj a farefis. Me mënyra nga më të ndryshmet, informatorët e Sigurimit Shtetit, kishin depërtuar brenda çdo familje. Nuk ishte paradoks e as çudi, të dëgjoje që babai denonconte të birin, dajua nipin e vëllai-vëllain…!
…Djaloshi A. Bala nga Himara, së bashku me një shok të ngushtë, kish arritur të ndërtonte fshehurazi, (në një guvë buzë detit) një varkë lundrimi për t’u arratisur në Korfuz. Por, pikërisht në çastet e fundit, atëherë kur ish duke e shtyrë atë drejt detit, qe kapur nga rojet e kufirit, të cilët ishin informuar pak orë përpara pikërisht nga shoku i tij më i besuar.
Por, aty nga mesi i shkurtit 1987, E. Stramarko, djali i H. Stramarkos nga Dhërmiu, i cili ndodhej prej vitesh në burg i dënuar për agjitacion e propagandë, kish mundur të arratisej nëpërmjet detit. Djaloshi, me siguri po shkonte drejt vdekjes, por kish qenë vërtet me fat. Ai, kish mundur të rezistonte gjer në ujërat ndërkombëtare, ku detarët e tragetit të linjës Brindisi-Igumenicë, i kishin shpëtuar jetën, duke i dhuruar njëkohësisht edhe lirinë.
Një vit më pas, i riu P. Mertiri nga Qeparoi, së bashku me shokun e tij nga Narta, V. Skarço, në vend të detit zgjodhën kufirin tokësor. Ata, udhëtuan pa probleme gjer matanë fshatit kufitar Peshkëpi, pranë Gjirokastrës. Por, ndërsa ndodheshin fare pranë klonit, një patrullë ushtarësh i diktoi dhe i goditi pa mëshirë, me breshëri automatiku.
Djaloshi nga Qeparoi, i bërë shoshë nga plumbat vdiq në vend, ndërsa shoku i tij u plagos rendë. Dy ditë mbas përpjekjes në kufi, organet lokale të Sigurimit, organizuan një spektakël makabër. Banorët e Gjirokastrës e Sarandës u lemerisën kur, mbi karrocerinë e një kamioni i cili shëtiste nëpër rrugë, panë trupin e masakruar të një të riu, lidhur kokë e këmbë me tela me gjemba.
Sadizmi i Sigurimit, tronditi mbarë opinionin publik. S’kish ndodhur kurrë që, kufomat të sakatoheshin e të tregoheshin hapur të masakruara në publik. (Përveçse nga nazistët e fashistet, gjatë Luftës së fundit Botërore). Por, veprimi barbar, nuk qe rastësi. Gjithçka qe organizuar me objektiv e paramendim të caktuar.
Mesazhi i autoriteteve qe fare i qartë: të mbillte terror psikologjik e një dozë të re frike, veçanërisht në zonat jugore të vendit, ku njerëzit po tregoheshin si tepër guximtarë. E, përveç kësaj, të përcillte edhe një herë kërcënimin e kobshëm se, ashtu do ta pësonin gjithë armiqtë e Shqipërisë. Kushdo që do të guxonte të shkelte kufijtë e shenjtë të atdheut socialist.
Megjithatë, në zonat e jugut, arratisjet vazhdonin të ishin gjithmonë e më të shpeshta. Pikërisht, që andej ish arratisur në Greqi edhe shkrimtari i ri Bilal Xhaferri, i cili, më pas, kish përfunduar në SHBA-ës. Por, për të, pothuajse nuk u muar vesh më asgjë.
…Për fat të keq, ky autor mjaft premtues për prozën shqipe, nuk bëri ndonjë tentativë të dukshme për të bërë të njohur në Perëndim, ferrin stalinist të vendit të vet, ashtu siç vepruan mjaft shkrimtarë e artistë sovjetikë, të cilët kishin mundur të dilnin jashtë kufijve të “perandorisë ruse”! Bilal Xhaferri, kjo shpresë e letërsisë moderne shqiptare, u fik aty larg, në SHBA-ës. Ai vdiq nga një sëmundje e pashërueshme e shkaktuar ndofta nga malli për vendlindjen e njerëzit e tij…!
Natyrisht, dëshira për t’i shpëtuar ferrit e për të gjetur lirinë përtej bunkerëve e telave me gjemba, qe ëndërr edhe për pjesën dërrmuese të minoritetit grek. Kështu, aty nga fillimi i vitit 1988, dy vajza të reja ia dolën mbanë të kalonin nga fshati i tyre në Greqinë fqinje. Po ashtu, të mikluar nga bota matanë ishin padyshim edhe shumë ushtarë që kryenin shërbimin në kufi. Më 9 prill 1984, dy prej tyre u arratisën ndërsa kryenin patrullimin në piramidë, duke marrë me vete edhe gjithë armatimin personal.
Por, historia e një ish-oficeri xhenier të quajtur M. Kola, pat qenë edhe më interesante. I akuzuar si sabotator në projektimin dhe ndërtimin e një ure, e cila qe rrëzuar sapo mbi të kish kaluar tanku i parë, ai qe dënuar me 25 vjet burg. Më pas, ai kish mundur të arratisej duke u fshehur në një kamion të ngarkuar me drithë e, mbasi kish mbërritur në rrethinat e Gjirokastrës, qe nisur në këmbë drejt kufirit.
Kish udhëtuar pesë ditë e pesë netë, duke u fshehur nëpër shkurre e përrenj. Duke ngrenë fruta të egra e duke pirë në vend të ujit, djersën e trupit të vet. Më 17 gusht 1984, kish mundur të kalonte kufirin e të mbërrinte në tokën greke. Në një intervistë dhenë revistës franceze ‘Le matin’, midis të tjerash, ai kish deklaruar se… në ushtrinë shqiptare ushqimi ishte i mjerueshëm. Fasule në mëngjes, supë me lakra në drekë dhe vetëm çaj e bukë në darkë…!
Në gusht 1984, dy motra e një vëlla, Izabela, Zamira e Klement Islami, vendosen të kalojnë me not kanalin e Korfuzit. Ata rridhnin nga një familje e deklasuar. Gjyshi i tyre, kish qenë myfti e kish vdekur në burg, ndërsa tezja qe arratisur. Më pas, i akuzuar për agjitacion e propagandë, qe dënuar dhe Klementi. Gjithë familja u internua në një fshat të Lushnjës. Mbas daljes së Klementit nga burgu, familja Islami, bëri kërkesë të kthehej përsëri në Tiranë. Por, urdhri nga lart, qe i prerë. Ata, do të jetonin përgjithmonë aty, në Ndërmarrjen Bujqësore të Çermës, në Lushnjë.
Duke përfituar nga leja e zakonshme vjetore, pa rënë në sy, tre të rinjtë u nisën për në Sarandë me planin e fshehtë për t’u arratisur ose… për të vdekur. Një natë, të pajisur me kamerdare, ata u nisën me not nga një gji shkëmbor matanë qytetit. Kishin parashikuar të bënin 14 kilometra rrugë në 4 orë, gjer në takimin e parashikuar me tragetin e linjës, por në fakt, distancën e përshkuan për 11 orë. Në intervistën dhenë revistën franceze VSD, ndër të tjera, ata rrëfyen:
…Në fillim, patëm shumë frikë, se mos na diktonin ushtarët e kufirit. Projektorët e rojeve bregdetare, venin e vinin, duke mbuluar plot dritë gjithë sipërfaqen e detit. Herë pas here, mbi ne binin rrezet e tyre verbuese. Atëherë, për të mos u diktuar, nxitonim të zhyteshim sa më shpejt nenë ujë. Pastaj vazhdonim përsëri të notonim. Gjithmonë pranë e duke i dhenë zemër njëri-tjetrit:
– Edhe pak…! Edhe pak…! Kurajo! Pjesa më e rrezikshme kaloi. Ja, fare pranë është Liria! Është Greqia…!
Por, lodhja e tmerrshme e një dëshirë e pashpjegueshme për gjumë, po na prisnin gjithmonë e më tepër fuqitë. Në orën 10 të mëngjesit, për fatin tonë të madh, pranë nesh kaloi një jaht dhe …Izabela e Zamira mundën të hipin në bord e të shpëtojnë. Me të marrë pakëz veten, ato nisën të kërkojnë Klementin, vëllain, i cili kish mbetur rreth 100 metra mbrapa. Kërkuan shumë, por ishte e kotë. Ai s’dukej gjëkundi. Të rraskapitur e të dërmuar fizikisht, atë e kishin lenë fuqitë. Deti e kish përpirë përgjithmonë, në thellësitë e honet e tij të zeza…!
PUSHIME TE SYRVEJUARA
…Të kaloje pushimet në Kampin e Punëtorëve të Dhërmiut ish një privilegj i rrallë. Natyra e mrekullueshme, ujërat e kaltra e të freskëta, peizazhet shplodhëse dhe aroma e kopshteve me agrume – të gjitha këto, pjesa dërmuese e shqiptarëve i kishin parë vetëm në reportazhet e televizionit.
Pushimet në Dhërmi ishin vërtet luks e fat jo i zakonshëm!
Që të arrije të gjëje një fletë-kampi për të pushuar aty, duhej të ishe dikush ose të kishe miq drejtuesit e Bashkimeve Profesionale. Ndërkohë edhe pse kampi qe destinuar për punëtorë, në ndërtesat e tij 30 vjeçare, gjatë verës mund të mbërrinin vetëm 70-80 punëtorë të pararojës. Pjesa tjetër, ishin zakonisht funksionarë partie, drejtorë ndërmarrjesh e njerëz me influencë në organe e institucione të ndryshme shtetërore.
Tej godinave të vjetra të kampit, mes hijeve të palmave, ullinjve e portokalleve, ndodhej një vilë e madhe e ndërtuar me gurë të gdhendur ku bënin vazhdimisht roje ushtarë të armatosur. Aty pushonte Spiro Koleka, anëtari i përjetshëm i Byrosë Politike. Pranë saj qe edhe vila e anëtareve të Komitetit Qendror të PPSh-së, ku, ndër të tjerë, për çdo sezon veror qe i abonuar edhe Sofokli Lazri, eksperti i politikës së jashtme të PPSH-së.
Shpesh, atë mund ta shihje duke ecur kryelartë nëpër rrugicat e gjelbra të qendrës pushuese, të shoqëruar plot servilizëm nga drejtori i përhershëm dhe i pa zëvendësueshëm i kampit, Theodhori T. Ky i fundit, çuditërisht, mbante veshje, kapele, xhaketë e çizme ushtarake, duke u dhenë kështu të gjithëve, më tepër përshtypjen e një operativi të Sigurimit, se sa të një drejtori!
Në Dhërmi, veçanërisht gjatë verës, puna e postave kufitare, operativëve të Sigurimit e bashkëpunëtorëve të tyre bëhej edhe më intensive. Si zakonisht, gjatë çdo sezoni të tillë, aty caktohej të kalonte pushimet edhe një operativ sigurimi. Atë, mund ta shihje shpesh nënë hije, buzë detit, gjithmonë me kostumin prej doku gri, pistoletën nenë xhaketë, por kurrë në plazh, me…rroba banje.
Detyra e tij, (si edhe e bashkëpunëtoreve të fshehtë, të cilët, zakonisht, punonin aty si, kopshtarë, magazinierë, kamerierë a roje nate), ish të hetonin lëvizjet e bisedat e pushuesve. Të vigjëlonin ditë e natë, veçanërisht, për zbulimin e planeve për ndonjë arratisje të mundshme…!
Ashtu si në plazhet e Sarandës, Himarës e Vlorës edhe në Dhërmi, mbas orës 9 të mbrëmjes, banjat në det qenë të ndaluara. Bashkë me rënien e muzgut, niste dhe patrullimi i ushtarëve të armatosur, të cilët nuk lejonin askënd të qëndronte buzë detit. Ndërsa, gjatë ditës, për notarët e pasionuar, distanca e lejuar në det të hapur ish e kufizuar, ndërkohë që, përdorimi i kamerdareve e dyshekëve prej gome qe rreptësisht i ndaluar.
Lidhur me këtë fakt të fundit, më kujtohet një ngjarje, sa origjinale aq edhe qesharake.
Gjatë verës së vitit 1986, pas shumë përpjekjesh, kisha mundur të gjeja një fletë kampi, për në Dhërmi. Rastësisht, qëlloi që në të njëjtën periudhë, të ndodhej aty për pushime, edhe Marash Hajati, aso kohe drejtor i përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar. I pasionuar pas rivierës, amator i flaktë i detit e kalitjes fizike, ai kishte sjellë nga udhëtimi i fundit në Austri, një varkë plastike. Qe një varkë e vogël, lara-lara, delikate e që mezi mund të mbante një njeri.
Ishte dita e parë e plazhit dhe, Marash Hajati, zbriti buzë detit plot kënaqësi. Nxori varkën, e fryu mirë e mirë e, pastaj, nenë vështrimin kureshtar e plot zili të plazhistëve përreth, u fut në ujët kristal. Por, kënaqësia e tij nuk zgjati shumë. Pa kaluar as dhjetë minuta, papritmas, aty pranë se nga mbiu një ushtar i djersitur me kallashnikov në dorë. Ai, vrapoi drejt bregut, duke thirrur:
– Ej, shoku qytetar? Ti me varkë…! Kthehu mbrapsht…! Pas pak, Marash Hajati, zbriti në tokë duke tërhequr varkën zvarrë mbi zhavorr. I nevrikosur dhe i fyer, ai i tha ushtarit si quhej e se ishte anëtar i K.Q. të PPSH-së. Por, ushtari, as që donte t’i a dinte. Ai shpjegoi se, kish marrë urdhër që të ndalonte çfarëdo lloj mjeti lundrues në det e se, atë duhej ta zbatonte, pavarësisht nga personi e pozita e tij.
Kështu, drejtori i RTSH-së, s’mundi ta përdorë varkën e sjellë nga Austria. Leja për daljen e saj në det u aprovua vetëm mbasi komandanti i postës kufitare të Dhërmiut, morri autorizimin nga Dega e Punëve të Brendshme të Vlorës, ku specifikohej se M.H, megjithatë, nuk mund të voziste më tepër se 50 metra larg bregut e se, do mbante përgjegjësi të rendë në rast humbje të saj.(Sepse, mund të ndodhte që t’i a vidhnin e me të, të arratiseshin drejt ishujve të Greqisë…!). Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016