Dashnor Kaloçi
Pjesa e tetëmbëdhjetë
Memorie.al publikon një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese. Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit. Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti. Kalvari dhe perkusioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!
Raport-informacion i oficerit të Sigurimit të Shtetit, kapiten Maliq Mersini, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Vëzhguesi”, lidhur me bisedat e të internuarve në Ishullin e Zvërnecit
Dhënë nga “Vëzhguesi”
Marrë nga Kap. Maliq Mersini
Vlorë më 24/VI/1960
R A P O R T
Më datën 26 Maj 1960, Xhavit Qesja, në lidhje me diskutimin e Konferencës në nivel të lartë në Paris, tha: “Çudi, në shtypin tonë nuk jepet asgjë mbi qëndrimin e Indisë, Indonezisë dhe vendeve të tjera asnjë anë, se mbi qëndrimin karshi diskutimit të Konferencës”.
Pëllumb Dishnica, shtoi: “Në fakt shtypi kufizohet me artikuj gazetash dhe deklarata personash jo shtetërorë, duke dhënë vetëm qëndrimin e vendeve tona socialiste”.
Më datën 30 Maj, Pëllumb Dishnica, duke lexuar një lajm nga Kuba, ku thuhej se Partia Komuniste e Kubës dënonte deklaratat e jugosllavëve mbi dështimin e Konferencës së Parisit, tha me ironi: “Hajde, hajde e tundi Kuba, nga parti të perëndimore vetëm Kubës po i ndihet, duhet të jetë e fortë”.
Më datën 2 Qershor 1960, Xhavit Qesja duke lexuar nëpër dhëmbë një lajm mbi ardhjen e disa traktorëve në portin e Durrësit nga Bashkimi Sovjetik, tha: “E ç’i bjen këto lajme, e para e punës qenka një parti e vogël, e dytë këto janë gjëra të zakonshme, në bazë të marrëveshjeve mbi shkëmbimet reciproke tregtare”.
Më datën 4 Qershor, Pëllumbi i tha Xhaviti në lidhje me propozimet e reja për çarmatimin: “Si nuk ka një koment në gazetë për këtë”?!
Xhafer Vokshi, ju përgjigj: “Mund të ketë qenë në ndonjë numër që se kemi marrë”. Më vonë Xhavit Qesja tha: “Është interesant se propozohet likuidimi i mjeteve të sulmit si bazat dhe raketat, pa likuiduar armët atomike”.
Më datën 5 Qershor, Xhaviti duke lexuar lajmin mbi vizitën e një delegacioni në Kinë, tha: “E para herë që Liri Belishova vete në një delegacion shtetnor”!
Më datën 7 Qershor, pasi u bë fjalë mbi diskreditimin e amerikanëve, Pëllumbi tha: “Si do të dalin nga kjo situatë, interesant është”! Më datën 10 Qershor, duke kujtuar ngjarjet e fundit në Kore, Pëllumbi tha: “Pse hesht shtypi jonë xhanëm, pse nuk jep lajme”?!
Me datën 13 Qershor, si Xhaviti ashtu dhe Pëllumbi, theksuan qëndrimin e mirë të partisë socialiste japoneze mbi ngjarjet e fundit.
Më datën 16 Qershor, Pëllumbi, më tregoi shkurtimisht një tregim me titull “Udhëheqësi i bardhë”, ku flitej se si një amerikan i bardhë, pasi u persekutue u bë me indianët kryetar i tyre dhe u kthye në qytetin e vendlindjes për hakmarrje dhe e shkatërroi krejt dhe nuk la asnjë të gjallë. Kur tregonte këtë histori hakmarrëse, fliste me një pasion hakmarrës të tërbuar.
Nga data 12 Qershor, Xhavit Qesja, duke më dhënë për të lexuar librin e korrespondencës së Antonio Gramshit (ish Sekretar i Partisë Komuniste Italianë) më tha: “Vjet u hap këtu një herë biseda për lutjet për falje, shihe në libër se si i cilëson këto lutje Gramshi, si vdekje politike”.
Ky libër në fakt është i Pëllumbit, i cili pasi e mbaruan të gjithë së lexuari, tha se do t’ja japë familjes kur të vijë; libri është nënvizuar në disa vende, si nga Pëllumbi dhe Xhaviti, në pjesë shumë karakteristike që i përshtaten gjendjes së internimit (ka vetëm nënvizimet me laps dhe jo shënime). Po shkruaj këtu poshtë disa nga nënvizimet që kanë bërë në librin e Gramshit, Pëllumbi me Xhavitin:
- Të bësh lutje për falje është një formë vet-vrasjeje dhe se ata që e këshillojnë, tregojnë verbëri politike dhe injorancë!
- Ambienti ushtron presion për të mposhtur qëndresën.
- Duhet të jesh i zoti të flakësh lëkurën gjysëm prej gomari, gjysëm prej delje, që të zhvillon ambienti i burgimit mbi lëkurën natyrale.
- Do më mbajnë brenda shumë vjet, pikërisht sepse kundër meje nuk kanë prova.
- Frika e vdekjes i bën të burgosurit servil, i bën të nënshtrohen.
- Pasiguria dhe mospërcaktimi i asaj që mund të ngjasë nga ana e njerëzve që nuk janë rojet tona.
- Mue nuk më pëlqen që të tjerëve tu vijë keq për mua dhe të më ngushëllojnë, unë isha një luftëtar që nuk pata fat në luftën imediate dhe luftëtarët nuk duhet të vajtohen kur ata luftojnë, jo sepse ata janë të shtrënguar, por sepse kështu kanë dashur ata vetë.
- Megjithëse e ardhmja është akoma e errët, ne nuk duhet ta lëshojmë veten.
- Duhet të qëndrojmë, të jemi të fortë, të mundohemi, të bëhemi të fortë. Nga ana tjetër ato që ndodhën nuk ishin fare të paparashikuara.
Këto janë disa nga nënvizimet që kanë bërë në librin e Antonio Gramshit, Pëllumb Dishnica dhe Xhavit Qesja.
“VËZHGUESI”
Raport-informacion i oficerit të Sigurimit të Shtetit, kapiten Maliq Mersini, më të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Vëzhguesi”, lidhur me bisedat e të internuarave në Ishullin e Zvërnecit
Marrë nga P.O. Maliq Mersini
Dhënë nga B.p. “Vëzhguesi”
Vlorë më 17/VIII/1960
R A P O R T
Më poshtë po shënoj raste thëniesh ose bisedimesh të shkurtra dhe konstatime të mijat. Në të vërtetë nuk bëhet haptas asnjë bisedim, jo vetëm politik, por edhe gjëra të zakonshme nuk bisedohen gjatë jetës së përditshme. Pëllumb Dishnica, dhe Xhavit Qesja, qëndrojnë gjithë ditën të heshtur, vetëm po u fole të flasin duke u përgjigjur me: “Po, jo, nuk e di” etj., duke mbajtur kokën ulur dhe të ngrysur.
Më parë rrinin gjithë ditën bashkë në kuzhinë, tani që filluan mizat, Pëllumbi dhe Xhaviti gjithë ditën rrinë bashkë në dhomën e gjumit, por kur nuk dalin për të shëtitur njëri me tjetrin. Në prezencën e të tjerëve, as me njeri tjetrin nuk bisedojnë. Është krijuar një atmosferë mbytëse dhe irrituese nervash, gjë që ata e bëjnë qëllimisht.
Më datën 26 Qershor, kur erdhi nëna e Xhavitit, i solli këtij të fundit një letër nga djali 13 vjeçar dhe një fotografi ku kishte dalë i biri dhe e bija e Xhavitit. Por plaka nuk diti me rrjetë, pasi, ndonëse letra gjoja i drejtohesh nënës së Xhavitit, plaka tha se ma dha djali i Xhavitit, kur e takova në plazh.
E pse t’i jepet letër plakës ku i fliste për rezultatet në mësime, kur plaka e takoi vetë në plazh? Përsëri i përket fotografisë, tha se kish vajtur në Tiranë (d.m.th. tek ish e shoqja e Xhavitit) dhe atje e kish marrë fotografinë. Fotografia në fakt ishte e re, pasi Xhaviti tha: “Sa ndryshim paska bërë vajza për dy vjet”?!
Nja tre muaj më parë kur po kthehej plaka e Xhavitit pas vizitës në ishull, Xhaviti i dha një letër me një listë librash, të cilën ja tregoi dhe Kapitenit. Pikërisht ato libra i erdhën këtë herë. Edhe këtë radhë bëri një listë tjetër. Si atëherë po kështu radhë, tha se janë libra për të blerë, (i blini i tha nënës dhe dhe m’i dërgoni). Por në fakt, letrat i kanë qenë drejtuar ish-gruas së tij, Neriban Qeses dhe ja sepse:
Më datën 26, plaka e Xhavitit tha: “Isha në Tiranë, fëmijët i ke mirë, të kam prurë një qerre libra, ç’kanë heqë me t’i gjetë, e po ti nuk kishe pas pak, por një raft plot me libra”!
(Pra sipas listës së Xhavitit, ish-e shoqja ka kërkuar dhe gjetur librat që duheshin dhe në fakt ato u dërguan. Të gjitha librat kanë firmën e Xhavitit, se edhe datat e blerjes, duke filluar që nga viti 1941 deri në 1956).
Formalisht Xhaviti nuk ka mbajtur korrespondencë as me familjen, as me të shoqen edhe para se të ndaheshin. Si në të gjitha marrëdhëniet e Xhavitit, edhe këtu kemi të bëjmë me një kamuflim.
Më datën 27 Qershor, e ëma e Xhaviti i tha Pëllumbit: “Ti Pëllumb ke shumë të fala nga Rahim Pojani. Ai e dinte se ti ishe këtu bashkë me Xhavitin, jemi bërë krushqi tani, pas i kemi dhënë një mbesën tonë, i nakatosëm, tha plaka, vajza soj tregtari, djali oxhak beu”.
Nëna e Xhavitit është shumë ironike dhe piperkë nga goja. Më datën 28 Qershor tregoi këtë barsoletë, pasi foli për imoralitetin në rini: “Një ditë Enver Hoxha paska takuar së bashku me Mehmet Shehun, një plakë nga Kashari, të cilin e kanë pyetur: “E more plak, ç’i ke parë kësaj bote”? dhe plaku qenka përgjigjur: “Do të flisja, por kam frikë Mehmet Shehun”. “Enveri i paska thënë: Mos ke frikë”, dhe plaku paska treguar kështu: “Ja çfarë i kam ndjerë unë kësaj jete: bollëk dhe rehatllëk në kohë të Zogut, para dhe fitime sa të duash në kohë të Italisë dhe lirinë e gocave në kohë të Partisë”.
Më datën 1 Korrik 1960; Xhafer Vokshi, duke folur për mesazhin e sekretarit të Partisë Komuniste të Indonezisë, Aidit, drejtuar Komitetit Qendror të Partisë tonë, i tha Xhavitit: ‘Po ky Ajditi, nuk paska bërë mesazh por raport, kemi bërë këtë, kemi bërë atë”. Xhaviti ju përgjigj: “Më mirë gjera konkrete, se sa fjalë të mëdha e bombastike”.
Më datën 4 Korrik, Pëllumbi i tha Xhavitit: “Nuk kam asnjë ide se çfarë bëhet në Irak, shtypi nuk jep asgjë mbi gjendjen e brendshme”! Xhaviti ju përgjigj: “Po pse çfarë ke për të jashtmet nga Iraku”?
Më datën 7 Korrik, e pyeta Xhavitin, sepse e kishte nënvizuar edhe me laps edhe me bojë një citat të Engelsit nga libri i tij “Karl Marks – Frederik Engels”, (Vepra të zgjedhura, vëllimi II-të), pasi e lexoi më tha: “Kot, gabimisht”. (Ky është një ndër citatet që u referohet jugosllavëve, për zhdukjen e shtetit dhe shoqatës së prodhuesve. Xhaviti, periudhën e parë e ka nënvizuar me laps dhe ka shkruar me dorën e tij anash: “shteti”, ndërsa në të dytën, ka nënvizuar me bojë).
Ja citati i Engelsit: “Me zhdukjen klasave, do të zhduket patjetër edhe shteti. Shoqëria që do të organizojë prodhimin në një mënyrë të re, në bazë të një shoqate prodhuesish të lirë dhe të barabartë, do ta flak makinën e shtetit atje ku do të ketë vendin e merituar: Në Muzeun e Antikave”.
Në fund të këtij libri, Xhaviti ka shkruar me dorën e vet, këtë citat nga Engelsi: “Historia në fund të fundit, do të verë në vend çdo gjë, por në atë kohë, unë do të kem shkuar në atë botë dhe nuk do të marrë vesh asgjë”!
Këtu poshte po shënoj listën e librave që i solli e ëma Xhavitit, më datën 26 qershor 1960:
- “Madame Bovary”, e Floberit (Frengjisht).
- “Historia e fesë”, e Morit, (Italisht).
- “40 vjet”, e Gorkit (Italisht).
- “Marks-Engelës”, (Rusisht).
- “Marksi”, vepra të zgjedhura (Italisht).
- “Ç’të bëjmë”, e Çenrishevskit, me shënimin e vitit 1956.
- “Vepra dhe jeta” e Bjelinskit, (rusisht).
- “Volumi 36 i veprave të Leninit” (rusisht).
Shënim: Katër nga këto libra kanë ardhur vetëm volumi i parë, pa volumet e tjera.
“Vëzhguesi”
Masat: Të shtypet në kopje dhe të vendosët në dosjen e Pëllumbit dhe Xhavitit. /Memorie.al
Punëtori Operativ
Koli Sollaku
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016