Dashnor Kaloçi
Memorie.al/ publikon historinë e panjohur të marrëveshjes ekonomike që kryeministri italian, Benito Musolini, lidhi me qeverinë e Monarkisë së Zogut në fillimin e viteve ’30-të. Si i përcolli shtypi i Monarkisë të gjitha diskutimet që u bënë në parlament dhe relacionin e ministrit të Ekonomisë Kombëtare, Dhimitër Berati, para deputetëve të Parlamentit në prillin e vitit 1936, për atë marrëveshje të shumëpërfolur që regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe historiografia zyrtare e para viteve ’90-të e konsideronte si: ‘skllavëruese te Shqipërisë’.
Lidhur me këtë, në këtë shkrim po botojmë një pjesë nga relacioni që mbajti ministri i Ekonomisë Kombëtare të qeverisë shqiptare, Dhimitër Berati, para deputetëve të Parlamentit, në fillimin e prillit të vitit 1936, ku ai i bëri një analizë të hollësishme me shifra dhe fakte, ndaj të gjitha pikave që ishin parashtruar në atë marrëveshje, të shumëpërfolur dhe mënyrën se si ishte zbatuar ajo në praktikë deri në atë kohë.
Relacioni i Ministrit të Ekonomisë Kombëtare, Dhimitër Berati në Parlament
Marrëveshjet që paraqiti Qeveria përpara Parlamentit për aprovim, sikundër konstatohet nga përmbajtja e tyne, kanë qenë të gjitha thjesht të një natyre ekonomike. Po të kqyrim, mandej, përgjithësisht do të vërejmë se kanë një karakter tregtar të theksuem, kjo domethanë se mbështetet mbi parimin e marrjes parasysh t’interesave reciproke t’anëve kontraktuese. Por, a don me thanë kjo se dobija tue e kqyrun punën tregtish, asht baras për një nën palë si dhe për palën tjetër? Po ta thoshim këtë, do ta pakësonim vleftën e marrëveshjeve në vetvedi dhe të përfitimit që duhet medoemos të rezultojë për ne nga zbatimi i tyne. Dobija e marrëveshjeve të ndryshme, edhe po të merren veç e veç, asht tepër e dukshme për ekonominë e vendit t’onë. Nga kjo pikëpamje nuk ka nevojë për sqarime t’holla. Me gjithë këtë, s’duem të themi se nuk do të kemi asnjë të metë. Nuk duhet të harrojmë se asnjë marrëveshje këso dore kur ka një karakter bilateral, asht përfundimi i një kompromisi midis dy palëve që kontraktojnë. Dispozitat e tyne që mund të duken tash me një formë dhe kuptim të natyrshëm. Si me than që del, jan sot mjaft larg nga forma origjinale ose iniciale. Me gjithë këtë, ato janë dhe mbeten mjaft të favorshme. Në këtë pikë duhet të kuptojmë një gjë me rëndësi. Marrëveshjet e paraqitura janë përfundimi i bisedimeve që kanë vazhduar midis dy Qeverinave në një kohë mjaft të gjatë.
Ministri Berati: Duçja më tha se do i kalojmë mosmarrëveshjet
Përfundimi i mirë i tyre nuk del vetëm nga trajtimi dhe shqyrtimi i hollë i të gjitha çështjeve që u biseduen, por ma fort nga fryma me qëllim të mirë dhe pajtues nga kuptimi mirëdashës dhe i kujdesshëm që mbretëroi gjatë këtyre bisedimeve nga pala italiane. Kur qeshë tër viti në Bari, në panagjirin (panairin, Shënimi ynë), e atij qyteti, pata nderin ta pjek (takoj), Duçen. Ay më tha se: “Disa re të lehta kanë mbledhë ndër marrdhanjet t’ona; kto do t’i shpërndajmë për shpejti”. Kryetari i Qeverisë italjane vuri shpejt në zbatim premtimin e dëshiruem gjithashtu nga ana e jonë. Mbi këto direktiva themelore mbështeten marradhanjet e sotme. Satisfaksjoni i ynë ma i madh sot duhet të jetë shpërndamja e e reve në fjalë; sqarimi i atmosferës që dëshirohej nga të dy anët. Por qëllimet e mira kanë nevohjë të domosdoshme edhe për interpretues të mirë. Qeverija italjane e gjet këtë në personin e Shk. T. Zoti Mario Indelli, me të cilin kam patur nderin t’i bisedoj qysh ditën e ardhjes së tij në Tiranë dhe t’i konkludoj këto marrëveshje n’emën të Qeverisë s’onë . Po i shfaq së këtejmi publikisht zotnis së tij falenderimet e mija ma të nxehta për kuptimin e gjanë dhe mirëdashjen që ka tregue pa rreshtun gjatë bisedimeve.
Kuptimi i përgjithshëm i akordeve
Le të bajmë tani një përmbledhje të marrëveshjeve për të nxjerrë një kuptim dhe një shpjegim të përgjithshëm. 9 marrëveshtje i janë paraqitur Parlamentit për aprovim por janë edhe 3 të tjera që nuk kanë nevojë për aprovim të posaçëm. Asht “Akordi i përgjithshëm tregtar”, që mund të vihet në veprim në themel të ligjës me datë 21.II.1934 e cila ligjë e autorizon qeverinë të lidhë marrëveshje tregtare të përkohëshme. Mandej asht një marrëveshje në mes Ministrisë s’Ekonomisë dhe t’Shoqnis italjane E.I.A.A., e cila si aciendë (axhendë), e një Enti parastatal me organizim të gjanë n’Itali-Opera Combatenti-, e merr përsipër të ndihmojë zhvillimin e eksportimeve shqiptare në Itali. Po i kujtojmë këtu edhe këto, pasi nuk kanë ma pak randësi se të tjerat. Asht vendi të kujtojmë se pjesës tregtare i asht dhanë randësija kryesore ndër bisedimet që u zhvilluen. E treta asht një hua për S.V.E.A. të gjitha marrëveshje mund të grumbullohen në dy grupe. Në grupin e parë hyjnë gjashtë marrëveshje me natyre financjare. Në grupin e dytë hyjnë gjashtë marrëveshje me natyrë ma fort ekonomike dhe tregtare. Në krye të grupit të parë kemi marrëveshjen për shlyerjen e akordit të 1931, për huanë dhjetëvjetore nga dhjet milion frank ari. Tani, duke zgjidhun defitinivisht çështjen e kësaj huaje, zbatimi i së cilës sikundër dihet, asht pezullue qysh në prillin e vjetit 1933, u lidhën disa marrëveshje të reja, me kondita të reja, por gjithmonë me një frymë që del nga dëshira e përbashkët e bashkëpunimit të sinqertë. Marrëveshjet, pra që mund të themi si e zinin vëndin asaj të vjetit 1931, janë këto gjashtë:
- Marrëveshja për likuidimin e huasë së 1931.
- Rregullimi i gjendjes financiare të shtetit, ose ma qartë, likuidimi i borxheve që ka shteti kundrejt privatëve.
- Një hua dhjet milion frank ari për qëllime bujqësore.
- Një hua tre milion frank ari për krijimin e monopolit të duhanit, drejtazi prej shtetit.
- Një marrëveshje me të cilën Qeveria italiane e merr përsipër të na gjejë një hua të mjaftueshme për organizimin dhe pajisjen e skelës (Portit), së Durrësit.
- Një kuptim i përkohshëm për huan e S.V.E.A.
- Mbi këto mund të shtohet edhe një kuptim i 7-të me të cilën zgjidhet mos-kuptimi midis Shtetit Shqiptar dhe disa firmave italiane për dëmshpërblimet që pretendojnë. Në grupin e dytë kemi gjashtë marrëveshjet të tjera, të cilat sikundër thamë, kanë një karakter ekonomik dhe tregtar. Tri janë lidhur me qeverinë italiane dhe tri me ente italiane, për të cilat, duke marrë parasysh randsin e tyne, interesohet natyrisht edhe qeveria italiane. Marrëveshjet janë këto:
- Marrëveshje për disa ndryshime tarifore në Traktatin për tregti e lundrim që kemi me Italinë.
- Marrëveshjet tregtare e përkohshme për eksportin e mallrave shqiptare n’Itali në themel të kontingjentit.
- Konventa shëndetësore veterinare; e para që lidh shteti ynë kësodore.
- Marrëveshje me Shoqnin E.I.A.A. për lehtësimin e eksportimit të mallrave shqiptare n’Itali.
- Marrëveshje me Shoqnin E.I.A.A. për zbatimin e Reformës Agrare në çifligun Rrushkull që ajo ka me qira.
- Marrëveshje me Administratën e udhëve të hekurta (Hekurudhave, shënimi ynë), të Shtetit italian mbi koncesionet vajgurore të Shqipnis.
Shpjegimi i marrëveshjeve
Tani do t’i marrim të gjitha këto marrëveshtje, një e nga një, dhe do t’a shpjegojmë, sa të jet e mundun ma qartë, përmbajtjen e tyne dhe, shkurtimisht, historin e se cilës.
Likuidimi i huas 1931
Po fillojmë me marrëveshtjen e parë të grupit financjar, d.m.th. ajo që ka për objekt shlyerjen e akordit me datë 26 Qershor 1931, e lidhun me një shkëmbim notash në Tiranë, dhe me të cilën i premtohej Qeverisë Shqiptare një hua 100 milion frank ari, e pagueshme në dhjetë vjet nga 10 miljona, me disa kondita që rregullonin versimin (lëvrimin) e pareve. Tue u mbështetun mbi këtë hua, Qeverija shqiptare pat fillue zbatimin e një programi të gjanë ndërtimesh dhe riorganizimesh shtetnore që duhej të ringjallnin ekonominë e tij. Pagimet nga fondet e kësaj huaje, vazhduen rregullisht në Prill të vjetit 1933 dhe mandej u pezulluan për arsye të ndryshme, të cilat nuk ka ndonjë dobi t’i rreshtojmë e t’i studjojmë tash këtu. Prej datës kur hyni në fuqi ajo marrëveshtje dhe gjer në krye të Prillit 1933, ishin paguem prej kësaj huaje 9.200.000 frank ari. Natyrisht marrëveshtja ka mbetun gjithmonë në fuqi, vetëm zbatimi i saj u pezullua. Prej kësaj situate rrodhën mjaft çashtje, për të cilat që të dy palët kanë dashun të gjejnë një mënyrë rregullimi. Sot mund të thuhet se u gjet kjo mënyrë e përshtatëshme, simbas gjendjes dhe mundësisë, tue i dhanë gjithë çashtjes një formë te re dhe tue sqarue situatën me kompleksin e marrëveshjeve dhe huajave të reja. Kështu pra marrëveshtja e huas së 28 Qershorit 1931 merr funt me akordin e ri. Shqipnija heq dorë nga çdo pretendim në lidhje me këtë hua. Qeverija italjane merr përsipër t’i lajë brenda dy muajve nga hymja në fuqi e marrëveshtjes, të gjitha mandatet që kanë qenë aprovue nga Delegati italian i komisjonit të huas, por që pagimi i tyne u pezullua qysh në prill 1933. Shuma e këtyne mandateve kap. 2.104.390 franga ari. Asht e vërtetë se një pjesë e madhe e kësaj shume asht e pagueme me kohë prej Qeveris italjane, prap se prap, mbeten për të pague ato të mbrapambetunat për të cilat disa herë asht ba fjalë në Parlament dhe në shtyp. Mandej do të formohet një komision i përbashkët për të shqyrtue dhe, eventualisht, për t’i pague mandatet që kanë qenë lëshue nga administratat e shtetit për llogari të huas, por nuk kanë qenë pranua nga Delegati italian i komisionit të huas. Sikundër dihet shumë punime kanë qenë fillue më shpresë të huasë më datë 26 Qershor 1931. Disa prej këtyne punimeve mbetën përgjysëm; disa të tjera u kryen me fondet e huas S.V.E.A. edhe me fondet ordinare të Shtetit. Natyrisht Qeverija nuk mund t’i linte të shkatërrohen këto ndërtime duke pritur zgjidhjen e çështjes së huas. Kjo vonesë do të kishte shkaktue humbjen e kapitalit t’investuem në pjesën e punimit të kryem, prandaj Qeverija e mënjanoi këtë rrezik, Ka edhe punime të tjera të projektuese dhe të pafillueme. Për këto nuk do të bahet fjalë, por tri ndërtime prej atyne që janë fillue dhe s’janë mbarue, do të kryhen tash, po nga fondet e kësaj huaje; asht depoja e përgjithshme e Durrsit, shkolla industrore në Korçë dhe Shtalla e hamshorëve në Xhafzotaj. Këto ndërtime kapin gati 200.000 franga. Në lidhje me këto marrëveshtje u rezolvue edhe çashtja e kundërshtimit që kishte shteti me dy firma italjane: “Ragazzi” e “Venanzetti”. Këto fimra kërkojnë prej shtetit gati 1.500.000 franga për dame që pretendonin se kanë pësue në sipërrmarrjet e rugëva Krue-Burrel, Shkodër-Puk dhe Tiranë-Elbasan. Këtë kërkesë e mbështesin tuj thanë se dami asht provokue për shkaqe që s’kanë qenë në dorë të tyne t’imënjanojnë. Deri diku edhe zyrat t’ona e kishin pranue të drejtën e akordimit të një shume dam-shpërblimi, por jo aq sa kërkonin ata, Qeverija italjane e pranoi t’a marrë përsipër zgjidhjen e këtij moskuptimi, duke e rregullue me shumën që pretenduem na se ishte marrë provizorisht nga fondet e huas së S.V.E.A. për të përballue punimet e filluese me fondet e huas 1931. Kjo shumë kap 557.616 fr. Dhe do të shërbejë për të likuidue definitivisht pretendimet e firmave në fjalë. Fundi, Qeverija italjane heq dorë nga çdo pretendim për kthimin e kisteve të pagueme perj asaj në llogari të huas 1931, dm.th. 9.200.000 fr. Si dhe të shumave që do të paguhen tash, në themel të këtij akordi.
Deficiti
Tash të vijmë te marrëveshtja “Mbi sistemin e gjendjes financjare të shtetit Shqiptar”. Kjo d.m.th. me fjalë të tjera, likuidimi i deficitit të shtetit; ekzaktërisht të themi i pjesës më të madhe të deficitit të shtetit. Natyrisht edhe kjo marrëveshje asht e lidhur ngushtësisht me të parën. Në fund t’ushtrimit financjar 1934-1935, gjëndja financjare paraqitej në këtë mënyrë:
6.000.000 fr. Mandate të lëshueme e të pagueme.
500.000 Depozita të vume nëpër arkat e financës, për t’u kthye privatëve.
2.800.000 fondet e Bankës agrare të marruna hua prej shtetit.
2.000.000 të mbrapambetuna pasive pa fond, d.m.th. shpenzime që janë bamë në rasa të jashtëzakonëshme dhe të ngutshme, dhe të cilat shuma nuk kanë qenë të parashikueme në buxhetet e të dalunave.
D.m.th. se gjithsejt na mblidhen 11.500.000 frank. Asht e vërtetë se 2.000.000 fr. që përmëndëm në fund, asht një çashtje që ka nevojë për sqarime, se mundet të mos jetë tamam kaq; duhen rishqyrtye llogarinat përkatëse me hollësi për të gjetun me saktësi sa kap ky borxh i shtetit. Veç këtyne kemi pra një detë flotante të saktë që kap 9.500.000 fr. Duke marrë parasysh nevojën që të shëndoshët njëherë e mirë gjëndja financjare e shtetit, duke marrë parasysh se ky deficit i madh për shtetin t’onë qëndron si një pallë i rrezikshme mbi kreditin e shtetit dhe pengon mirëvajtjen e veprimeve finansjare, Qeverija aleate, në lidhje me marrëveshtjet e tjera, e pranoi të na avansojë shumën e nevojshme për likuidimin e këtij borxhi të shtetit kundrejt shtetasve. Tre miljon të këtij deficiti, sikundër e dijni, u derdhnë qysh në Fruer (Shkurt) të 1935-s. Gjashtë miljon të tjera do të versohen (lëvrohen), në tri këste: 4.200.000 gjatë vjetit financjar 1936-1937, 9.000.000 pas një vjeti dhe 1.000.000 në vjetin 1938-1939. Prej kësaj shume të përgjithshme, 2.800.000 janë të Bankës agrare, e cila në këtë mnëyrë, shpreson se do t’a mund ta fillojë veprimin sa më parë, ashtu sikundër e kemi thanë edhe në rasa të mëparëshme. Asht parashikuem në marrëveshtje të likuidohen, njëhera me të tjerat, edhe ato borxhe që u takojnë firmave italjane për furnizime të bame administratave shqiptare, por këto nuk kapin një shumë të madhe; ektzaktësisht 384.522.
Huaja bujqësore që Shqipëria i mori Italisë
Kryeparë kemi një hua bujqësore për dhjetë miliona frank ari, e cila do të paguhet në pesë këste vjetore për nga dy miljon dhe duhet të fillojë ky pagim brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjes. Sikundër del nga dispozitat e akordit, kjo hua ka një qëllim të caktuam; do të shërbej vetëm për zhvillim bujqësuer dhe blegtoruer të vendit. Një pjesë e huas do të derdhet me materialin për të cilin do të kemi nevojë. Këtë material do t’zgjedhim dhe do ta porosisim vetë, simbas nevojës. Pagimi i tij do të llogaritet në kistet e huas, jo ma pak se gjysëm miljoni në vjet. Por kjo s’don me thanë se gjithë këtë shumë duhet ta marrim edhe në mos na u dashtë, menjëherë. Asht parashikuem pra, se do të blihet simbas nevojës dhe çka nuk blihet në një vjet do të mund të blihet në vjetin vazhdues. Vetëm se të holla të mos derdhen më tepër se një miljon e gjysëm në vjet; kjo, përveç vjetit të parë, d.m.th. këtij vjeti, kur do të blejmë mall edhe ma pak se 500.000 fr. dhe teprica do të derdhet në të holla. Duke marrë parasysh se kjo hua do të përdoret në një periudhë mjaft të gjatë dhe duke gjykuem se efeket e përmirësimit të saj të mos duken menjëherë, por si të kalojnë disa vjet, do të mund të ndjehen frytet e investimeve që do të bahen. Kjo periudhë u pranue të të caktohet në një afat dhjetë vjetësh, tue fillue nga përdorimi i këstit të parë. Prandaj kthimi i huasë do të fillojë pesë vjet mbas versimit të kistit të fundit të saj. Kamata do të jetë një përqind dhe kistet vjetore t’amortizimit do të jenë nga 275.900 fr. Huaja do të paguhet në 50 vjet, gjithsej 13.800.000 fr. Domethanë se në 50 vjet do t’i paguhet hua-dhënësit, veç kapitalit, një dobi totale prej 275.899 fr. Për çdo vjet. Marrëveshtja parasheh edhe një komision në Ministri t’Ekonomis për të caktuam mallnat që do të porositen n’Itali, ku do të marrë pjesë Këshilltari teknik u bujqësis, sikundër bahet edhe sot.
Ministri Berati: Kështu kanë vepruar të gjitha shtetet
Në marrëveshjen ekonomike që qeveria e Mbretit Zog lidhi në fillimin e viteve ’30-të me qeverinë italiane të kryesuar prej Benito Musolinit, (Duçe), në një nga pikat e saj bëhej fjalë edhe për monopolin e duhanit që duhej të sanksiononte qeveria shqiptare. Lidhur me këtë, ne relacionin e tij të mbajtur para deputetëve të parlamentit shqiptar, ministri i Ekonomisë Kombëtare, Dhimitër Berati, midis të tjerash u shpreh: “Të shpjegojmë tash marrëveshjen për huan që do të shërbejë për ngritjen e monopolit të duhanit. Sikundër dihet, ka dy vjet pothuaj që merret Qeverija me këtë çështjen e krijimit të një monopoli të duhanit. Qysh në fillim mendimi i Qeverisë ka qenë të krijohet një monopol i Shtetit për t’a rregullue si prodhimin ashtu dhe tregtin e duhanit. Mirë po, ky sistem monopoli kërkonte fonde dhe Shtetit i mungonin këto. Atëhere u përpoq për një sitem të dytë që dukej se mund të realizohet ma shpejt, d.m.th. krijimi i një monopoli me sipërmarrje private. Një projekt u hartue dhe u shpall mbi këtë proponim, shumë bisedime u banë rreth tij me të huaj dhe vëndas, por një përfundim i cili t’i përgjigjej plotësisht interesave të Shtetit nuk u arrit dot. Në bisedimet e bame me përfaqësuesin e Italis, rreth çështjeve të tjera, u shposhit edhe mundësija e një huaje me kondita të mira për krijimin e monopolit shtetnuer të duhanit dhe arrijtën në një kuptim. Marrëveshtja në fjalë parashikon një hua tre miljonsh frank ari, e pagueme në dy kiste vjetore dhe pa kamatë. Huaja do të kthehet në 15 kiste vjetore, për nga 200.000 frank dhe pagimi i këtyne kisteve do të fillojë tre vjet mbasi të derdhet huaja krejtësisht. Për krijimin e monopolit të duhanit do të na duhen, natyrisht, njerëz teknik, me kompetencë. Këto, Qeverija shqiptare do t’ia kërkojë Qeverisë italjane dhe kjo e pranon të na e japë këtë ndihmë teknike të domosdoshme. Huaja e duhanit do të garantohet me t’ardhurat e monopolit. Këto t’ardhuna, kur të kemi një monopol t’organizuem siç duhet, asht e arsyeshme të shtohen në një masë ma të madhe nga sa asht sot. S’po hyj në hollësinat e çështjes, të cilat do të bisedohen në kohën e duhun, por dua vetëm të shtoj se kjo asht forma e monopolit që kanë pranuem pothuaj të gjitha shtetet. Kjo kuptohet vetiu kur mendojmë se monopoli i duhanit asht burimi kryesuer i t’ardhunave ndër shumë shtete; b.f. (bie fjala), në Jugosllavi gadi të gjitha huanat e jashtme janë garantuar vetëm në t’ardhunat e monopolit të duhanit”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016