Nga Nestor Topençarov
Pjesa e parë
– “Ky libër, në mënyrë modeste, besoj se do të kontribuojë për të njohur edhe më shumë metodat çnjerëzore të Sigurimit të Shtetit, mënyrën se si krijonin akuzat” –
DRAMA E JETËS
(HISTORIA E NJË FAMILJEJE)
Këtë libër ia dedikoj: Të gjithë bashkëvuajtësve. Familjeve të tyre. Dhe në veçanti, personave që nuk patën mundësi të tregonin odisenë e jetës, gjatë diktaturës komuniste.
P A R A TH Ë N I E
Memorie.al / Kam lindur në qytetin e Korçës, në 22 tetor të vitit 1953. Nga Shqipëria, jam larguar në muajin tetor të vitit 1990, pasi na u dha e drejta familjarisht, për t’u riatdhesuar në Jugosllavi (sot Maqedonia e Veriut). Në qershor të vitit 1992, emigrova në Itali, ku jetoj edhe sot. Megjithëse jam larguar prej 32 vitesh, lidhjet nuk i shkëputa, pasi Shqipëria ishte vendi i lindjes, ku kalova 37 vite, dhe se një pjesë e gjakut tim, është shqiptar. Vite më vonë, lidhjet me Shqipërinë u përforcuan, pasi edhe gruan e mora nga Durrësi. Vinim çdo vit me pushime, por koha e shkurtër e qëndrimit, bëri që shumë kontakte të ndërpriten. Megjithatë, shokët dhe miqtë e vërtetë kishin mbetur përgjithmonë në zemrën time.
Tre vitet e fundit nuk pata mundësi të vizitoja Shqipërinë. Por gjatë vitit 2022, erdha disa herë. Impenjimi im nga njëra anë dhe rastësia nga ana tjetër, bënë të mundur që të rikrijoj lidhjet me shokë dhe miq, me të cilët kisha dekada pa u parë. Duke ditur të kaluarën time, disa prej tyre më këshilluan të hidhja në letër, atë çka më kishte ndodhur në jetë. Në fillim kjo ide m’u duk utopi, pasi edhe pse kisha qenë nxënës i mirë, në hartime nuk kisha patur prirje. Më pas reflektova. Do të shkruaja thjesht historinë time, ngjarje të vërteta, ku nuk duhej shumë frymëzim. Ndoshta një shkrimtar, këto ngjarje do të dinte t’i paraqiste, ashtu siç di një artist i vërtetë i penës. Ndërsa unë do t’i shkruaj, pa shumë përshkrime: shkurt, thjesht, nudo, ashtu siç kanë ndodhur.
Një diçka tjetër që më shtyu edhe më shumë të shkruaj këtë libër, ishte një intervistë në Tv Klan, të cilën e pashë në tetor të këtij viti, e drejtuar nga gazetari i mirënjohur Blendi Fevziu. Nuk kërkova hakmarrje. Por nuk pata as drejtësi. Me anën e këtij libri, do t’i bëj të njohur opinionit publik shqiptar, rolin e individëve që kontribuuan në vuajtjet e mia e të familjes sime. Dhe sot, po vendos gishtin mbi këto “qenie”, jo për detyrën që ata kanë patur, por për mënyrën se si e kanë kryer atë. Shkrimin tim, do ta filloj me gjyshin, nga ana e mamasë, për të vazhduar me babanë tim, ku do të prek momentet më kyçe të jetës së tyre. Kjo do të ndihmojë lexuesin për të njohur prejardhjen time.
Më pas do të flas edhe për vete. Në këtë libër do të tregoj gjithashtu, edhe disa ngjarje, njëra më dramatike se tjetra, që ju kanë ndodhur njerëzve, të cilët kam patur nderin t’i njoh. Më vjen mirë që janë botuar mjaft libra, mbi vuajtjet dhe persekutimet e “armiqve të popullit” dhe familjeve të tyre nëpër kampe internimi dhe burgje, gjatë diktaturës komuniste. Kam mundur të lexoj disa nga këto vepra. Besoj që ky libër, në mënyrë modeste, do të kontribuojë për të njohur edhe më shumë metodat çnjerëzore të Sigurimit të Shtetit, mënyrën si krijonin akuzat dhe si shkatërronin persona dhe familje për të mbajtur popullin nën terror.
Autori
Dhjetor, 2022
KAPITULLI I PARË
Për më shumë se katër shekuj, Ballkani ishte nën sundimin e Perandorisë Otomane. Shtete të ndryshme si Greqia, Rumania, Bullgaria, Serbia dhe Mali i Zi gjatë Shek. të XIX, kishin fituar autonominë. Për të arritur më pas në vitin 1878, më parë me Traktatin e Shën Stefanit, e pas disa muajsh me Kongresin e Berlinit, në njohjen nga Fuqitë e Mëdha të pavarësisë të këtyre shteteve. Të vetmit popuj të Ballkanit që nuk kishin fituar ende pavarësinë nga Perandoria Osmane ishin Shqipëria dhe Maqedonia. Kjo ishte arsyeja pse patriotët e këtyre dy popujve bashkëpunonin për pavarësinë e shteteve të tyre.
Një nga figurat e rëndësishme të Komitetit Maqedonas, ishte gjyshi im (babai i mamasë) Ivan (Jovan) Zllataref, i cili kishte lindur në qytetin e Ohrit, në vitin 1884. Rreth viteve 1910, ai kishte bashkëpunuar si me Themistokli Gërmenjin, ashtu edhe me çetën e Çerçiz Topullit dhe Mihal Gramenos. Në tetor të vitit 1912, filloi lufta Ballkanike. Kjo luftë solli ndryshime të reja në kufijtë e Perandorisë Turke. Shqipëria, në 28 nëntor të atij viti, shpalli pavarësinë dhe krijoi shtetin e saj, kurse Maqedonia u nda në tre pjese, mes Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë.
Në këtë periudhë gjyshi ishte martuar me vajzën e një familjeje të vjetër korçare (Shqau). Për të vazhduar aktivitetin e tij politik, ai u vendos në qytetin e Korçës, ku vazhdonte të bënte lidhjen e lëvizjes maqedonase, me patriotët shqiptarë. Për aktivitetin e tij patriotik, ishte dënuar me vdekje si nga serbët ashtu dhe nga grekët. I dërguar nga Komiteti Maqedonas, gjyshi me familjen kishte jetuar për disa vite në Trieste, si përfaqësues i këtij komiteti. Në vitin 1928, pas mbarimit të kësaj detyre, kthehet në Korçë. Prej aty internohet nga qeveria Mbretërore, me kërkesë të serbëve, në fillim në Bari dhe pastaj familjarisht, në qytetin e Vlorës.
Edhe në Bari, gjyshi vazhdoi të ketë kontakt me figura të njohura të zonës së Korçës, si Nuçi Palla, Gavril Pepo, etj. Kujtoj se kur isha në vitet e para të gjimnazit, më ftoi një ditë në shtëpinë e tij, agronomi Maqo Pepo, djali i Gavrilit, (emrin e të cilit mbante rruga e shtëpisë ku jetoja). Ai më tregoi korrespodencën e të atit, me gjyshin tim, gjatë kohës së internimit, ku tema kryesore ishte patriotizmi.
Bashkëpunimi me Themistokli Gërmenjin, nuk kishte mbetur vetëm në fushën politike, por ishte krijuar edhe një miqësi familjare. Pas vrasjes se Themistokliut, lidhja miqësore me gruan e tij, Evdhoksinë, kishte vazhduar deri sa ndërroi jetë. Festën e 10 Dhjetorit, ditën e shpalljes së Republikës Autonome të Korçës, qyteti e festonte me madhështi. Unë dhe motra e ime, për mjaft përvjetorë, mbanim kurorën e familjes, kurse mamaja qeraste personalitetet dhe persona të tjerë, që bënin vizitën në shtëpinë e Themistokliut, pas ceremonisë.
Në Korçë, gjyshi kishte hapur një dyqan, ku punonte argjendar, një zanat i familjes, prej të cilit rridhte edhe mbiemri Zllataref (në maqedonisht “zllato”, do të thotë ar), dhe pas viteve ’30-të, u tërhoq nga politika. Në ato kohë në Ballkan kishin ndryshuar mjaft situatat dhe ishin krijuar ekuilibra të rinj politikë.
Në kohën e Luftës së Dytë Botërore, kur Italia kishte pushtuar Shqipërinë, gjyshin e arrestojnë me akuzën si pjesëmarrës në Lëvizjen Antifashiste. Në atë kohë kishte spiunë që punonin për italianët dhe që bënin lojë të dyfishtë. Për të krijuar besim tek pushtuesit, jepnin ndonjë emër e, meqenëse gjyshi im në të kaluarën, ishte marrë me politikë, ishte personi i duhur që mund të denonconin. Pasi e mbajtën disa javë e pasi bënë verifikimet e duhura, gjyshi u lirua për mungesë faktesh.
Kur në 24 tetor 1944, në qytet hynë partizanët, gjyshi arrestohet përsëri dhe akuzohet për fashist. Në atë periudhë u arrestuan mjaft personalitete të qytetit dhe persona që kishin ide kundër komunizmit. Të gjithë i futën në një burg, që quhej “Hani me dy porta”. Ajo periudhë ishte shumë e vështirë. Mund të ekzekutoheshe edhe pa gjyq.
Në muajt që pasuan, vinin për inspektime nga Tirana. Në një rast u paraqit një kuadër i rëndësishëm i Partisë, që njihte gjyshin, pasi kishin qenë së bashku në qeli në kohën e Italisë. Duke e ditur se kush ishte gjyshi im, u habit kur e pa aty. Kur e kishte pyetur, pse e kishin arrestuar, gjyshi ishte përgjigjur: – “Sepse më quajnë Zllataref”!
Në këtë periudhë, verifikimet e akuzave ndaj personave të arrestuar, ishin shumë të ngadalshme. Më në fund, edhe këtë herë për mungesë faktesh, pas disa muajsh, e lirojnë. Nga fundi i vitit 1947, mamaja me gjyshen shkuan në Bullgari, për të takuar dajën, i cili kishte mbaruar studimet në mjekësi dhe kishte filluar punë, në spitalin e Sofjes.
Daja Robert, kishte kryer Liceun e Korçës e, pas përfundimit, kishte shkuar të studionte për mjekësi në Itali. Kur në vitin 1943, Roma u bombardua nga aleatët, daja shkoi në Bullgari, për të mbaruar studimet, meqë aty banonte halla e tij. Pas disa javë qëndrimi në Sofje, mamaja me gjyshen do të ktheheshin në Korçë, ku më parë qëndruan për disa ditë në Manastir (Bitola), në shtëpinë e një fisi të afërt të gjyshit.
Në ato ditë, edhe babai im kishte shkuar në këtë qytet me shërbim. Jemi në vitet e para të pas luftës. Shenjat gjithandej ishin të dukshme. Kuadro kishte pak. Ata që ishin e kishin qendrën në Shkup dhe që aty dërgoheshin me shërbim ku paraqitej nevoja. Babai kishte studiuar topografi në Beograd, para lufte. Tani që kishte nevojë për rindërtim dhe infrastrukturë, profesioni i tij ishte shumë i kërkuar. Babai më tregonte se, kur kishte arritur në Manastir, kishte rënë dëborë e madhe. Në ato pak hotele të qytetit, nuk kishte vende. Atëherë hyri në një lokal për të pirë diçka të ngrohtë dhe për të vendosur se ku do ta kalonte natën. Në qytet kishte disa kushërinj. Në atë çast ndjeu që dikush e preku nga supi. Kur u kthye, pa njërin prej tyre, i cili, pasi e përqafoi e ftoi në shtëpinë e tij, pikërisht aty ku ishte edhe mamaja.
Atë darkë, prindërve të mi iu dha mundësia të njiheshin. Pas simpatisë së parë, që u transformua në një ndjenjë më të fortë, i dhanë fjalën njëri-tjetrit, që pasi të bisedonin me familjet përkatëse, të vendosnin për të ardhmen. Pas një javë njohjeje, mamaja me gjyshen, kthehen në Korçë. Gjyshi, dha pëlqimin e tij, pasi njihte familjen e babait, që ishte edhe ajo nga Ohri. Veç kësaj, të dy djemtë i kishte jashtë dhe ky do të ishte një rast i mirë edhe për mamanë time, pasi gjyshi, si njeri qe merrte vesh nga politika, e kuptoi se ardhja e komunizmit në Shqipëri, do ta vështirësonte jetën.
Në vitin 1948, disa muaj pasi prindërit e mi ishin njohur, Jugosllavia u përjashtua nga kampi socialist dhe u mbyllën kufijtë. E vetmja mundësi komunikimi, ishte letërkëmbimi. Kështu kaloi edhe viti 1949. Në vitin që vijoi, mamaja filloi të përballet me presionin e gjyshes, që kjo lidhje të ndërpritej, meqenëse sipas saj, nuk kishte asnjë zgjidhje. Situata politike me Jugosllavinë ishte shumë e nderë dhe mamasë po i ikte mosha e martesës.
Në atë kohë disa familje korçare, kishin kërkuar mamanë për djemtë e tyre. E fundit, por jo nga radha, ishte se gjyshja, nuk donte ta largonte vajzën nga Korça. Pas shumë presioneve, më në fund mamaja i shkruan letrën e fundit babait. Ky kishte qenë fati i lidhjes së tyre dhe ajo, “nuk ishte zog të fluturonte”. Mbase e mira ishte që secili, të ndiqte fatin e tij.
Kur mori këtë letër babai u shqetësua shumë. Dashuria e tij për mamanë ishte shumë e madhe, megjithëse koha që ishin njohur kishte qenë shumë e shkurtër. Lidhja e mëtejme, për gati tre vite, kishte vazhduar me letra. Pasi e mendoi mirë, më në fund e gjeti zgjidhjen. Do të kalonte ilegalisht kufirin, për të hyrë në Shqipëri. Kjo gjë e qetësoi. Në fillim mendoi të kalonte nga toka, por më pas ndërroi planin. Do të ishte më mirë nga ana e liqenit, meqenëse kufiri tokësor në atë periudhë, ruhej shumë nga ana jugosllave. Kjo nuk do të thoshte që kalimi nga liqeni, ishte më i lehtë, fizikisht. Por për atë nuk ishte problem, pasi kishte lindur në Ohër, me shtëpinë në breg të liqenit dhe që i vogël, kishte mësuar të voziste. Për të, barka ishte një lodër.
Mendoi që e mira ishte të kishte me vete edhe një shok, pasi në këtë mënyrë, vozitja do të ishte më e lehtë dhe kalimi do të bëhej më i shpejtë. Babai kishte shumë shokë, por për këtë ndërmarrje duhet të gjente dike, që edhe ai të ishte i interesuar për të kaluar në Shqipëri. Më në fund gjeti njeriun e përshtatshëm. Edhe ai, si babai, në atë kohë jetonte në Shkup. Ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë.
Familjen e kishte në Sofje. Kur Jugosllavia u përjashtua nga kampi socialist, edhe ai nuk mund të shkonte në Bullgari. Kështu që, kur të arrinte në Shqipëri, do ta kishte më të lehtë, të bashkohej me familjen. Pasi ranë dakord për natën që do të niseshin, babai i kërkoi shokut të tij, që të ishte i kujdesshëm dhe të mos binte në sy.
Ditën para se të kalonte kufirin, shkoi në Ohër, ku ndenji pranë njerëzve të afërt, vëllait dhe motrave. Prindërit i kishin vdekur. Babai kishte vite, ndërsa e ëma pak kohë më parë. Motrat jetonin me familjet e tyre, shumë afër me shtëpinë e prindërve. Në darkë ishin mbledhur të gjithë dhe ai shikonte në heshtje me radhë, fytyrat e dashura, me mendimin se mund të mos i shihte më.
Babai ishte njeri i bisedave dhe mbante gjallë tavolinën, njeri edhe i shakasë. Atë darkë nga goja e tij, nuk dilte asnjë fjalë. Familjarët e vunë re këtë heshtje dhe e pyetën se çfarë i kishte ndodhur, por ai i qetësoi: ishte vetëm pak i lodhur. Pas darke u përqafua me të gjithë dhe nga ora 22.30, doli nga shtëpia e u drejtua në vendin ku kishte lënë takimin me shokun e tij.
Ishte muaji qershor i vitit 1950. Në breg të liqenit zotëronte një qetësi e plotë. Rojet që patrullonin liqenin atë mbrëmje, kishin një darkë në një lokal afër bregut, ku diçka festonin. Qyteti i vjetër ngrihej mbi shkëmb. Mjaft shtëpi të njërës prej lagjeve të qytetit, ishin në breg të liqenit. Disa familje të kësaj zone, kishin varkat e tyre, pasi merreshin me peshkim. Aty morën një varkë dhe filluan të vozisin me ngadalë, për të mos bërë zhurmë, deri sa të largoheshin nga bregu. Drejtimi më i shkurtër për të hyrë në Shqipëri, ishte nga fshati Lin, meqenëse Pogradeci ishte shumë larg. Zakonisht kjo distancë, më tregonte babai, bëhej për disa orë. Pasi kishin vozitur për gati një orë, në liqen filluan të ngrihen dallgë. Vozitja filloi të bëhej e vështirë. Barka shkonte një metër përpara dhe dy mbrapa. Ishte rast i rrallë që në muajin qershor, liqeni të kishte dallgë kaq të mëdha.
Shoku u tremb dhe i propozoi që të ktheheshin. Babai ia preu shkurt se ajo, do të ishte një vetëvrasje, pasi mund t’i kapnin rojet jugosllave. Vazhduan vozitjen, që ishte bërë shumë e vështirë. Ishte rrezik të mbyteshin, pasi në barkë hynte mjaft ujë. Babai u jepte rremave dhe shoku i tij zbrazte ujin me një enë, që për fat të mirë ndodhej në atë varkë. Pas orë e orë vozitje, vuri re se rremat mund të këputeshin. Atëherë përdorën të gjitha mjetet që kishin për t’i lidhur, nga shamitë, kravatat e deri çorapet. Për fat të mirë, kur filluan t’i afrohen bregut shqiptar, dallgët humbën forcën e tyre. Në Lin, arritën në mëngjes herët. Liqeni i dallgëzuar, kishte bërë që të shpenzonin dyfishin e kohës, por ajo që ishte më e rëndësishme, kishin arritur shëndoshë në Shqipëri.
Kur dolën në breg u ndeshën me disa fëmijë, por nuk arritën të komunikonin me ta, meqë si babai edhe shoku i tij, Kiril, nuk dinin shqip. Pas pak vjen polici (i plotfuqishmi i zonës) i cili i ftoi në zyrën e tij dhe u ofroi nga një çaj të ngrohtë. Pas gjithë atyre orëve në liqen dhe me lagështinë që kishin në trup, kjo pije, bëri që të ndjeheshin mirë.
Edhe me policin nuk mundën të bisedonin, pasi edhe ai nuk dinte jugosllavisht, deri sa erdhi një përkthyes nga fshati, me të cilin pasi këmbyen disa fjalë, i shpjeguan se cilët ishin. Më pas iu bënë të ditur se do të prisnin dhe pak, pasi kishin lajmëruar Degën e Brendshme të Pogradecit. Pas ardhjes së oficerit të Sigurimit, iu shpjegua arsyeja e arratisjes. Ai më pas, iu foli për situatën politike midis dy vendeve, që ishte shumë e vështirë.
Gjatë kësaj periudhe mjaft komunistë jugosllavë që nuk pranonin politikën e Titos, kalonin në Shqipëri. Ndërsa për rastin e tyre, për probleme familjare, kjo kishte qenë një ndërmarrje shumë e rrezikshme. Babai nuk harroi t’i kërkonte, që barka t’i kthehej pronarit, të cilën oficeri ia premtoi. Më pas i çuan në qytetin e Pogradecit. Aty pasi u bënë verifikimet e duhura, babanë dhe shokun e tij, i transferuan në fshatin Llakatund të Vlorës, ku mbanin gjithë emigrantët politikë të arratisur nga Jugosllavia.
Kur lajmëruan mamanë se i kishte ardhur i fejuari, asaj nuk i besohej, që babai të kishte ndërmarrë një rrezik kaq të madh. Por, në anën tjetër, kuptoi se dashuria e tij ishte kaq e madhe, sa nuk kishte asnjë pengesë që ta ndalte. Më pas mamaja, e shoqëruar nga gjyshi, shkoi në Vlorë, për ta takuar. Por duhet të kalonin disa vite, deri sa babai të merrte shtetësinë shqiptare, që i jepte të drejtën të martohej.
Në janar të vitit 1953, pas martesës, prindërit u vendosën në Tiranë, ku babai filloi punë në fillim në Ministrinë e Bujqësisë e më pas, në atë të Ndërtimit. Në atë kohë edhe në Shqipëri kishte pak kuadro dhe babait, si topograf, i takoi të jepte kontributin e tij, që nga Vermoshi, në veri të Shqipërisë e, deri në lumin Pavllo, në bonifikimin e fushës së Mursisë, në jug të vendit.
Megjithëse shkonte me shërbim shpesh jashtë Tiranës, prapë kishte mjaft kohë për të kaluar me mamanë. Për ta ishin vite të bukura, pasi lumturinë e tyre e shtoi edhe ardhja ime në jetë. Në fillim jetonin në hotel dhe më pas në shtëpinë e një familjeje dibrane, familjen e Ali Kërlukut, me të cilën kemi pasur gjithmonë raporte shumë të mira, edhe pas kthimit në Korçë.
Kur babai erdhi në Shqipëri, donte që pasi të martohej të kthehej bashkë me gruan në vendin e tij, por situata politike ndërmjet dy vendeve, nuk ia jepte këtë mundësi. Jemi në vitin 1955, kur Hrushovi shkon në Beograd. Në atë periudhë, edhe marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë u përmirësuan. Kjo bëri që babai, duke parë situatën e favorshme politike, bëri kërkesën për riatdhesim. Në këtë moment dokumentet iu pranuan, por për fat të keq, pas disa muajve i komunikojnë, se kërkesa e tij ishte refuzuar.
Kjo kishte qenë pasojë e ngjarjeve të Hungarisë të vitit 1956, që rikthyen përsëri situatën e vështirë mes dy vendeve fqinjë dhe bënë që të mbyllet përsëri kufiri, që këtë herë do të zgjaste deri në vitin 1990. Në përgjigje, sugjerohej se kjo kërkesë, mund të përsëritej pas disa vitesh. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016