Nga Sokrat Shyti
Pjesa e gjashtëdhjetenjë
Memorie.al / Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio-difuzion (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç Radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
Këto forma krijimtarie patën sukses, shtuan së tepërmi interesimin. Shumë shpejt filloi të flitej kudo për programet argëtuese, që transmetonin qendrat e zërit në repartet e FUD-it. U shfaqën vlerësime krahasuese: disa thoshin se janë më tërheqëse dhe interesante se emisionet e ushtarit të Radio-Televizionit, prandaj pati kërkesa të transmetohen në rang Republike. Por u kundërshtua nga Drejtoria e Përgjithshme e Radio-Televizionit. (Për mua s’kishte pikë mëdyshje, se kundërshtimi i formës së prerë, vinte nga emri im. Sepse po të ndodhte e kundërta, pranimi, nënkuptonte pendesë ndaj meje).
Megjithatë, pavarësisht nga kjo kundërshti, Drejtoria Politike e Ministrisë së Mbrojtjes, (që kish ndjekur të gjitha transmetimet e këtyre emisioneve edukative argëtuese), nuk e ndryshoi mendimin e saj, dha vlerësimin maksimal për autorin, mbështetur mbi faktin e pamohueshëm; se të gjitha njësitë ushtarake të FUD-it, morën rezultate të shkëlqyera në qitje kundër objektivave ujorë e ajrore, treguesi më kryesor i mobilizimit. Përveç vlerësimit gojor, u botuan shkrime në gazetën “Luftëtari” dhe revistën “Ushtria Popullore”, për ndikimin e madh të këtij programi, në rritjen e moralit tek ushtarët.
(Edhe pse në këto shkrime nuk u përmend emri im, nuk e quajta shpërfillje të qëllimtë nga dikush, pasi faktet flisnin ndryshe: shefat e mëdhenj të kulturës e propagandës, nuk hoqën dorë nga përkrahja e hapur. Sidomos më befasoi ceremonia madhështore e organizuar në Pallatin e Kulturës të Ushtarakëve, ku mori pjesë drejtori i Drejtorisë Politike, dhe mua më dhanë diplomë nderi…).
(Izolimi për tre vjet në kasollen e lopës, i shoqëruar me mbylljen e detyruar në karantinën e vetmisë, vetvetiu kishin krijuar zhguallin e trashë të ndarjes mendore me mjedisin e trazuar politik, ndaj s’mund ta merrja me mend, sado nuhatje të mprehtë të kisha, çfarë sajohej në trurin enigmatik të “Zeusit”, se brenda tij po ngriheshin grackat dhe kurthet tinëzare, për gjuetinë e shtrigave të ushtarakëve madhorë, në Piramidën Partiake e Shtetërore, dhe këto kundërshti ishin plasaritjet e krisjet e para të fërkimeve, që më vonë do shndërrohen në çarje të thella!…)
Marrja me këtë veprimtari të larmishme, sidomos inskenimet radiofonike, hoqën ndryshkun dhe skorien që kishin bllokuar vatrën e frymëzimit. Por ndërkaq zgjuan nga përgjumja smirën dhe zilinë e dashakeqësve të mi, në Lidhjen e Shkrimtarëve, të cilët me siguri janë trembur nga nxitja dhe përkrahja befasuese e shefave të mëdhenj ushtarakë, kur shpresonin të kundërtën, që morsi i ushtrisë të më shtrydhte deri dhe pikën e fundit të dëshirës për të shkruar. Komandant Aliu, më njoftonte herë pas here me radio, për entuziazmin e ushtarëve, dhe se komisari i regjimentit, po e pret me padurim kthimin tim në bazë.
Më vuri në dijeni gjithashtu se komisioni mjeko – ligjor i FUD-it, e nxori të paaftë ushtar Halimin, për të kryer shërbimin ushtarak nën armë. “Ndoshta për NBU-në mund të pranohet, si bari ose ndihmës traktorist. Por kurrsesi nuk lejohet, t’i japësh armë në dorë”!
– “Dhe si u vendos”? – e pyeta unë.
– “Ne s’kemi kompetenca ligjore ta heqim. Japim vetëm mendime. Le të merret rreth e qark kompanisë me mbushje uji dhe punë të tjera angari”.
– “Po këpucë i gjetën”?
– “Asnjë palë nuk i bënin. Prandaj i dhanë çizme llastiku, sa për të mos ndenjur zbathur…”!
Pas këtij bashkëbisedimi, m’u përfytyrua portreti i pafajshëm i Halimit, me ato qimet e rralla të mjekrës dhe shikimin e mjegullt, përmes të cilit shprehte ankesën ndaj nesh, me pyetjen: “Pse trajtohem si idiot, kur nuk jam i tillë? Pse duhet të bjerë mbi kurrizin tim, pazotësia e mjekëve”?! Dhe në fund vinte përgjigja: “Ndoshta jam i vonuar, por jo idiot”!
Shërbimi nëpër pikat e bregdetit, më krijonte mundësi të qëndroja disa minuta në Kolonjë, sa për të takuar nënën, kur më binte rruga andej. Në fillim nëna u befasua kur më pa të veshur me uniformë të re. Ndërkaq mbeti e zhgënjyer, që u largova kaq shpejt, duke shpresuar se do rrija disa ditë, si radhën e shkuar, kur shkova me leje pas daljes nga spitali. Po ashtu ju duk mjaft e çuditshme, që në ushtri kryeja detyrën e gazetarit, njësoj si atëherë në Radio!
– “Domethënë edhe këtu lodhesh, të bie bretku nga mëngjesi në darkë”! – tha ajo e dëshpëruar.
– “Duke e krahasuar me Radion, këtu kushtet i kam disa herë më të mira, – iu përgjigja unë për ta qetësuar. – “Po Likën e takon”? – pyeti ajo.
– “Sipas rastit, – ia ktheva unë. – Kur ndodh të kaloj nëpër Lushnje në kohën e mësimit, nuk ndaloj. Sepse as ajo nuk del dot nga klasa, dhe mua nuk më pret puna”.
(Në të vërtete veproja krejt ndryshe. Pas mbarimit të incizimeve kthehesha në vilën e Zogut, lija në kthinën time të gjitha pajisjet, shkoja me “Xhip”- deri tek Plepat, ku shoferi e parkonte në repart, dhe aty prisja makinë të rastit, për në Lushnje. Këtë rrugëtim e bëja shpesh, sa herë më jepej mundësia. Të nesërmen në mëngjes kthehesha me autobusin e vullnetarëve deri tek Plepat, ku më priste “Xhip”-i. Ky rrugëtim gati i përditshëm, vazhdoi për aq kohë, sa zgjati shërbimi. U mësuam kaq shumë t’i kalonim netët bashkë me të fejuarën, sa na dukej sikur ishim të martuar, dhe unë punoja në Durrës!
Kur rastiste të mos vija për shkak të largësisë, ose oficerët më ftonin të merrja pjesë në darkën e tyre, dhe flija në repart, Arqelini shqetësohej për këtë mungesë, sepse harronte që isha ushtar. Ndaj sa më shihte, më drejtonte pyetjen ankesë: “Pse nuk erdhe? Çfarë ndodhi”? Unë në fillim buzëqeshja. Pastaj i thosha: “Edhe civil të isha e të punoja në Durrës, nuk do vija kaq shpesh. Sepse rruga ka shpenzime dhe do kohë”!
Sigurisht ky interval kohor meriton të quhet periudha e artë, ndërthurja fatlume e rastit me aftësinë, si shpërblimi bujar i dashurisë tonë! Ky “muaj mjalti” krejt i veçantë, vazhdoi deri në përfundimin e shërbimit, si gazetar ushtarak. Kur mbërriti ky çast, e paralajmërova Arqelinin, se takimet këtej e tutje do rrallohen, jo vetëm për shkak të largësisë, ngaqë u zhvendosëm nga Vila e Zogut dhe do ta kem vend-qëndrimin në fshatrat e Sukthit, Hamallaj ose Perlat, por do kryej detyra të tjera, që më mbajnë lidhur pas repartit. “Prandaj nuk duhet të ankohemi, duke patur parasysh që ne faktikisht muajin e mjaltit, e patëm më të gjatë dhe vlagën e kënaqësisë më të bollshme se të martuarit…”, – i thashë duke e përqafuar.
Kur u ktheva tek kompania ime, pas komandant Aliut, erdhi të më takonte ushtar Halimi. Ky më shtrëngoi në krahët e tij, për të më falënderuar, që, edhe pse isha larg, u kujdesa për të, njësoj si vëllai i madh. Falë këtij kujdesi dhe dashamirësisë së komandantit të kompanisë, nuk i binte më në qafë asnjë oficer. Këmbët e veshura me çorape e çizme, nuk i plasariteshin. Dhe nuk futej në rresht për të bërë stërvitje. Gjithë kohën e kalonte në kuzhinë dhe çezmë: lante kazanët, mbushte ujë. Kuzhinieri tregohej bujar: i jepte për të ngrënë deri në ngopje të plotë, kështu që nuk vuante më nga uria.
Çuditërisht muajt e verës kaluan shumë shpejt, pa u ndier, jo vetëm për mua që isha vazhdimisht në lëvizje, por edhe për ushtarët e kompanisë time. Sepse kodrat rreth e qark me vreshta, shërbenin si burim kënaqësie, ku kultivoheshin të gjithë varietetet e rrushit: ‘Perla’, ‘Muskat’, ‘Shesh i Bardhë’ e ‘Shesh i Zi’, ‘Gjatush’, ‘Rrush tavoline; etj.
Pikat e vrojtimit qenë vendosur në vende piktoreske, me tenda, ku çdo ushtari ia kishte ënda të rrinte, sepse në të vërtetë i ashtuquajturi shërbim, u dukej çlodhje përrallore. Përgjithësisht e kalonin kohën duke ndenjur shtrirë poshtë hijeve. Sa herë u tekej, shqepeshin së ngrëni bukë me djathë e rrush, që e zgjidhnin sipas qejfit. Realisht ndjeheshin si pronarë të vreshtit masiv, pasi prej çastit kur u vendos gatishmëria numër një, rojet u larguan, dhe nuk pipëtinte më këmbë civili.
Komandant Aliu i porosiste shpesh ushtarët, të hanë sa të duan, por jo të shpërdorojnë. Për ta përmbajtur nepsin, mjafton të mendojnë sikur i kanë mbjellë vetë, dhe i kanë shërbyer çdo rrënje. “Mëkat i madh të vejë dëm djersa dhe mundi i punëtorëve të fermës”! – përsëriste ai. Sepse ndodhte rëndom që disa ushtarë këputnin sasi të mëdha verige rrushi, thuajse po e vilnin për ta çuar në treg, apo në fabrikën e verës, dhe bënin garë mes njëri tjetrit, kush hante më shumë, sa në fund mbeteshin të trullosur e të dehur nga alkooli, i kapiste një gjumë i thellë!
Pikërisht ky shqetësim përbënte ankthin më të frikshëm për komandantin, pasi po të vinte një inspektim i befasishëm në pikat e vrojtimit, pa asnjë mëdyshje i bënte procedim penal, e cilësonte sabotim të qëllimtë gjendjen e dehur të ushtarëve në krye të detyrës. Por fatmirësisht oficerët e shtabit të FUD-it e BUD-it, nuk e vinin fare në refene’ kompaninë e ardhur nga NBU-ja e Burrelit, ndoshta sepse ende nuk e dinin dhe s’e kuptonin ç’detyrë mund të përmbushë një grupim ushtarak, kur s’ka haber nga taktikat e luftimit, e shumta mund të kenë mësuar si zbërthehet e mbërthehet automatiku, dhe faktikisht janë të pa armatosur!
Duke e parë me sy kritik gjendjen reale, dilje në përfundim të trishtuar, se ardhja e këtij kontingjenti nga NBU-ja e Burrelit, ishte vetëm mbushja e boshllëkut të krijuar pas zhvendosjes të strukturave nën armë, si përforcim i kufirit të Jugut, ku vringëllinte kërcënimi i luftës. Prandaj komisari i regjimentit, nuk e vriste fare mendjen të inspektonte gatishmërinë e kompanisë, edhe pse vinte shpesh këtu të hante e të pinte, shtrohej për shtatë palë qejfe, si pashallarët turq, në kthinën e komandantit ose nën hijen e një tende, dhe ia fillonte muhabetit me plot qyfyre, sikur kish ardhur në një qendër pushimi mes bollëkut!
Kur ushtarët e morën vesh që komisari i regjimentit e thante shishen litroshe, u hodhën përpjetë nga gëzimi, duke e quajtur këtë si shansin magjik për të shkuar me leje njëzet e katër orë në shtëpi, me kusht që në kthim, të sjellin me vete një shishe raki dhe dy tre zogj të skuqur. Nuk duhej zgjuarsi e veçantë të vihej re që komandanti i kompanisë, ndodhej në gjendje mjaft të vështirë. Sepse duke qenë tip mjaft i druajtur, nuk guxonte as mua të më kërkonte një këshillë miqësore, si të dilte nga ky qerthull, sidomos kur komisari i regjimentit e bëri zakon dy tre herë në javë, të duket në vreshtat e Perlatit, dhe gjithnjë e donte shtruar sofrën. Si e vetmja zgjidhje, mbetej gjetja e një forme të përshtatshme bashkëbisedimi me kuzhinierin, që ky të shërbente si ndërlidhësi më i afruar me çdo ushtar.
Por nuhatja e këshilloi kuzhinierin të hapej në fillim me mua, para se të hidhte këtë hap të brishtë. Prandaj një ditë, pas largimit të komisarit të regjimentit, nuk vonoi të më thotë haptazi, se ne të dy mund dhe duhet ta ndihmojmë komandant Aliun, të dalë nga sikleti i madh. Dhe pa e zgjatur më parashtroi variantin e vetëm të shpëtimit, dërgimin me leje të çdo ushtari fshatar në shtëpi, një herë në muaj, propozim që sipas tij pranohet me shumë gëzim nga secili, pasi katundari ka qejf të kapardiset me uniformë dhe nuk e vrasin fare shpenzimet e kthimit, një shishe raki e dy tre zogj të skuqur.
– “Unë jam vetë fshatar dhe e njoh me rrënjë psikologjinë e katundit. Edhe prindërit ndjehen krenar kur djali i tyre vjen me leje. S’ka fare nevojë t’iu thotë ky për harxhet që i duhen, pasi këta vetë ia mbushin dëng çantën e shpinës…”- tha kuzhinieri.
– “Por duhet bërë kujdes të mos përmendet as emri i komandantit, as emri i komisarit e, as emri im, se pastaj e mori ferra uratën, do djalloset tërë puna”… – e këshillova unë.
– “As një emër nuk do përmendet! – më siguroi ai. – Di unë si e llafos. Në fillim po nisim ‘babën’”.
– “Cilin ‘babë’?!… – pyeta unë i habitur.
– “Harrova që ti ke qenë i larguar këto muaj, dhe nuk e di pseudonimin e një ushtari, i cili i vuri vetes këtë nofkë, sepse i pëlqen të mburret. Në fillim, kur futej në muhabet me shokët, pa tjetër do t’i binte gjoksit me grusht, duke thënë me kapardisje: ‘E di baba këtë mesele! E rregullon baba këtë hesap’! Menjëherë pas këtyre përgjigjeve, ushtarët filluan t’i drejtohen jo në emër, por: ‘E, babë, si e ndjen veten sot”?
– “Ti ke marrëdhënie të mira me këtë ushtar? Je i sigurt që ky nuk dyshon tek fjala jote”?… – i thashë para se të shfaqja mendimin tim.
– “Po të mos isha, nuk do ta përmendja fare”, – ma ktheu kuzhinieri.
– “Atëherë provoje! Por me takt dhe me shumë kujdes”! – e këshillova unë.
– “’Babën’ do ta përdorim si karrem për të joshur të tjerët më pas, – shtoi me buzëqeshje kuzhinieri. – Sepse ky dehet me një pikë mburrje. Jam mijë për qind i bindur, se pas kthimit do t’iu thotë shokëve më të afërt: ‘Doni leje të shkoni në shtëpi? Ja ku keni ‘Babën’, ua rregullon Baba”!
Mua më dukej e çuditshme mungesa e vetëkontrollit të vetëdijes e komisarit të regjimentit: si nuk i bënte pikë përshtypje këtij oficeri madhor dhe s’i binte fare ndërmend të pyeste, qoftë një herë të vetme komandantin e kompanisë, ose kuzhinierin, nga buron kjo begati ushqimore! Por ulej këmbëkryq nën hijen e tëndes, tejet i kënaqur me atë bollëk mezesh e pije, duke përtypur bukë misri të pjekur në çerep, zogj të tiganisur me gjalpë, turshi shumë lloj, djathë dele e dhie! Se ç’gjë e bënte kaq grykës? Mos ndoshta e yshte bindja e verbër, se detyra e tij përmbushet kur zëri i partisë shkon në bazë? Dhe prandaj krenohej që e zbatonte me përpikëri këtë direktivë?!…
– Unë jam ndryshe nga oficerit madhorë të zyrave, që kapardisen sikur çosh janë… – m’u drejtua mua komisari, thuajse i kish nuhatur pyetjet e mia. – Këta njohin vetëm shkresurinat. Kurse në të terrenit jemi praktikë, ulemi gju me ju me oficerin e bazës, i qajmë hallet bashkë, hamë e pimë në një kazan… Një shëndet për oficerët e bazës! Hajde gazetar, lage dhe ti gurmazin! Më trego: ata të FUD-it e BUD-it, me të cilët ti u takove, dinin ta shtronin rrogozin, si ne?… Ja ku ta them unë: janë ose pa përvojë, ose stomaku i tyre nuk e mban dot forcën e rakisë…
Por ju nuk jeni si ata, pasi e keni shembullin para vetes tuaj. Hajde, një dolli për shëndetin tuaj! Ne, (komandanti i kompanisë, unë dhe kuzhinieri) përtypeshim ngadalë e me kujdes për ta shoqëruar.
Hanim në heshtje pa i kthyer përgjigje, dhe dëgjonim llomotitjet e tij pa vënë asnjë pikë raki në buzë, duke i thënë se jemi në krye të detyrës, dhe gatishmëria numër një kërkon mendje të kthjellët.
– Për cilën gatishmëri e keni llafin, shoku gazetar? – m’u drejtua ai me ton tallës. – Nuk e ke dëgjuar at llafin që përsëritet shpesh: lufta është lodër kalamajsh e marrë seriozisht. Me tërë mend pandehni ju se jugorët do na sulmojnë?… Janë pallavra. Thjeshtë ashtu e do politika. E dini sa gjëra nuk thuhen, por bëhen?… Në kohën e sotme lufta bëhet me gërrice dhe sharje. E shumta hedhin shashka, si ajo e ambasadës sovjetike në vitin ’51. Këto zhurma kanë si synim të presin disa koka turku. Ja do shihni: pas gatishmërisë do ketë një mishmash, sa për të çoroditur mendjet tona. Ata në majën e Piramidës do mburren që ia bëmë tetë me dy Zervistëve!…
Unë me komandant Aliun shkëmbyem shikime të shqetësuar mes njëri tjetrit, të trembur mos kuzhinieri ia përcillte dikujt pohimet e rrezikshme të komisarit, dhe fjala i shkonte në vesh sigurimit të FUD-it dhe BUD-it, të cilët pa tjetër do na merrnin në pyetje si dëshmitarë.
Prandaj për të shmangur këtë pasojë të frikshme, të dy patëm të njëjtin mendim: që kuzhinieri, pasi të sjellë përgatitjet e drekës të largohet për të kryer një detyrë tjetër. (Në fakt, për marrjen e kësaj mase u kujtuam tepër vonë. Sepse ardhjet e dendura të komisarit të regjimentit, dhe vajtjet e shpeshta të ushtarëve në shtëpi për të sjellë raki e meze, në shkëmbim të liridaljes njëzet e katër orë, kishin mbërritur në veshin e sigurimit…) Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016