Nga Sokrat Shyti
Pjesa e gjashtëmbëdhjetë
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
Pritja deri atë ditë, m’u duk sikur zgjati një vit, sepse për herë të parë, qerthullohesha nga tronditje të tilla. Buzëqeshja e çiltër dhe shtrëngimi i përzemërt i dorës, mjaftuan për të krijuan brenda meje ngrohtësinë pranverore. Më shkëlqyen sytë, kur më tha: – “E lexova me një frymë, më tërhoqi si magnet!
Roman interesant, më pëlqeu! Je gjithnjë i mirëpritur në Lidhjen e Shkrimtarëve! Por hëpërhë, nuk jap asnjë mendim për botim, pasi duhet ta lexojnë edhe shokët përgjegjës. Më pas do të kalojë nëpër filtrat e redaksisë, procedura që ndiqen për të gjithë krijuesit. Prandaj duhet durim. Sipas mendimit tim, duhen zgjidhur dy çështje të rëndësishme urgjente. E para: duke qenë i shkëputur nga mundësia për t’u marrë me letërsi, të ka shkuar mjaft kohë dëm. Ndaj, duke filluar nga sot, do bisedoj me shokët që merren me kuadrot në organet e shtypit, me shpresë mos gjendet një vend i lirë punë, ose sajohet një i tillë. Së dyti: do shkojmë bashkë sa më shpejt në Ministrinë e Arsimit, për të biseduar me zëvendësin e parë të Ministrit, që të jepet e drejta e studimit për Gjuhë-Letërsi, si kandidat i jashtëm”.
Duke e dëgjuar, më dukej sikur shihja një ëndërr të bukur syhapur! Sepse këto premtime befasuese, i dëgjoja për herë të parë nga goja e një personaliteti të rëndësishëm në fushën e letrave dhe nuk besoja se do të përmbusheshin.
Ai shkoi tek banaku për t’i biseduar në telefon me dikë dhe me t’u kthyer, më dha kumtin befasues:
– “Na pret zëvendësministri i parë i Arsimit”!
– “Tani, këtë çast”?!… – pyeta unë mjaft i habitur.
(Sigurisht më vinte mirë të besoja që ndërhyrjen e tij të vrullshme në organet partiake dhe shtetërore, u nxitën para se gjithash nga romani im, “Madam Doktoresha” Ky mendim më dha shpresë se i erdhi fundi shpërfilljes dhe përçmimit ndaj meje, falë përkujdesjeve dhe shpirtmadhësisë të këtij shkrimtari trup imët, i vetmi që përjetonte gjendjen time shpirtërore dhe po bënte çmos, të më jepej mundësia e mohuar për të shpalosur aftësitë e mia krijuese letrare!). Biseda e tij me zëvendësministrin, u shtjellua e ashpër.
Për herë të parë m’u dha rasti të shihja e dëgjoja, si ndeshen mes njeri-tjetrit dy funksionarë të lartë. S’ma merrte mendja që shkrimtari trup imët, mjaft i shtruar dhe i qetë, përdorte ton të rreptë kundërshtues, para titullarit kryesor të Ministrisë, duke i thënë këtij: “Duhet të shikoni përtej perdes së burokracisë! Për rastin në fjalë, s’po shqyrtohet diçka e rëndomtë, por një dukuri krejt e veçantë, që kërkon vëmendje e kujdes të posaçëm, nga ana juaj. Dhe për të mos ju vënë në siklet të madh para Ministrit, po ju lëshoj këtë deklaratë personale…” – shtoi në fund.
Dhe u ul në tryezë të shkruante. – “Po e lexoj, – tha kur e përfundoi: – Prej disa muajsh kam ndjekur me vëmendje krijimtarinë letrare të Sokrat Thanas Shytit nga Lushnja, student në Universitetin Shtetëror të Tiranës dhe kam arritur në përfundimin se; puna e tij në këtë drejtim, është serioze. Dhe tani, me gjithë moshën e re dhe stazhin e tij të pakët, ai ka të dhënat e një prozatori që premton shumë, jo vetëm nga ana e prirjes natyrale, por edhe nga ajo e përgatitjes teorike. Përveç të tjerave, është studiues dhe njëkohësisht punëtor i pasionuar i letërsisë, megjithëse deri tani, ka qenë i detyruar të ndjekë tjetër degë…”,
Shefqet Musaraj, (Shkrimtar).
Tiranë, më 8.9.1962.
– “Pas kësaj deklarate, të firmosur prej meje edhe në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, shpresoj të jeni mjaft i bindur për seriozitetin e çështjes që diskutuam. Prandaj zgjidhja nuk duhet zvarritur. Nëse doni ta arkivoni deklaratën time, po ua nis zyrtarisht të protokolluar, me firmë dhe vulë…”?
Zëvendësministri i parë i Arsimit, premtoi se do ta fuste me procedurë të përshpejtuar kërkesën, pa përmendur asnjë mëdyshje mbi përmbushjen e saj, dhe duke i shtrënguar dorën shkrimtarit, i tha se kur të mbarojë kjo punë, do pinë një kafe në “Dajti”.
Përpjekjet e shkrimtarit vazhduan më tej. Falë ndërhyrjes së tij të vrullshme dhe energjike, më ofruan një vend pune si redaktor, në emisionin e Rinisë dhe Fëmijëve në Radiodifuzion, hëpërhë i komanduar, i paemëruar, pa pagë të përcaktuar, në bordero do figuroja si bashkëpunëtor, për sa i përket anës financiare, do vlerësohesha me normat qesharake të krijimtarisë letrare. Pavarësisht nga ky qëndrim, për mua ishte ngjarje e shënuar të punësohesha i komanduar si redaktor, në këtë institucion kaq të rëndësishëm, që kryente rolin e gojës së shtetit.
– “Të kuptohemi, – më tha bamirësi im, me një shprehje të pakënaqur: – Kjo zgjidhje e përkohshme, nuk e përmbush aspak misionin tonë. Pasi detyra e redaktorit në Radio, s’të lë kohë as të marrësh frymë. Ka një ngarkesë ndrydhëse krahasuar me redaktorin e organeve të shtypit, për faktin se, përveç shkrimit të emisionit, gjithë materiali duhet inçizuar në studio, dhe këto angari, i kryen redaktori: ai njofton aktorët, zgjedh muzikën shoqëruese, bisedon me teknikun! Shkurt: s’të mbetet fare kohë të merresh me krijimtari letrare. Këtu punojnë gazetarë të mirëfilltë, jo shkrimtarë. Megjithatë, ne jemi të detyruar t’i pranojmë këto kushte, meqë na u dha mundësia të futesh në organikë. Ndoshta më vonë hapet një vend në ndonjë gazetë a reviste letrare…”!
Unë e falënderova, duke i thënë se kthesat e vështira gjithnjë kanë kosto të lartë, sepse në jetë shumë rrallë ndodh që dëshira të ecë në të njëjtin shtrat me synimin. Dhe iu përvesha punës. Si fillestar, shefja e redaksisë nuk më ngarkoi me “angaritë e incizimeve”, por më dha tematikën e emisioneve dhe më porositi të shkruaja përralla e tregime edukative për fëmijë, jo më të gjatë se 10 faqe.
Pas këtyre fjalëve më vërshoi një frymëzim i vrullshëm për të shkruar: idetë dhe mendimet filluan të derdhen me rrëmbim mbi fletët e bardha, thuajse ishin fshehur diku, në prag shpërthimi dhe mezi prisnin të dilnin jashtë!…Pati raste të shkruaja disa tregime dhe përralla brenda ditës! Bumi i frymëzimit përthithi interesimin e kolektivit ndaj krijimtarisë time. Shokët dhe shoqet e redaksisë, filluan të lexojnë me kërshëri dorëshkrimet. Mora përgëzime dhe falënderime për prodhimtarinë e begatë.
Ndërkaq, ecuria ime kaq e vrullshme dhe e pandalshme në krijimtari, shkaktoi shqetësim tek shefja e financës dhe shefi i kuadrit, të cilët u morën vesh me njëri-tjetrin, për t’i vënë frerin dhe shkuan në zyrën ovale të Drejtorit të Përgjithshëm, mjaft të alarmuar: i raportuan këtij dyshimin e vërejtur, duke e quajtur dukuri të pazakontë, sepse paga e gazetarit të ri në fund të muajit, e kaloi ndjeshëm pagën e titullarit të institucionit, edhe pse një tregim e një përrallë, vlerësohet vetëm me tridhjetë cent!…
– “Si të veprojmë”? – pyetën në fund me vështrim të trembur.
– “Kaq shumë paska shkruajtur”?! – u habit drejtori.
– “E paska trurin makineri shkrimi”!… – shtoi me të njëjtin ton. – Në këto kushte bëni urgjent letrat për emërim, t’ia nisim Komitetit Qendror! Dhe pa marrë parasysh sa vonohet përgjigja, gazetari i ri, do paguhet me pagë minimale fikse, duke i dhënë diçka shtesë, për krijimtarinë artistike. Por pas këtij raportimi të çuditshëm të dy shefave, që Drejtorit të Përgjithshëm iu duk tejet paradoksal dhe i pabesueshëm, thërriti në kabinet zëvendësin e tij për anën artistike dhe shefen e redaksisë, të dëgjonte prej tyre një mendim dhe vlerësim profesional.
Menjëherë pas kthimit nga takimi me titullarin e madh të institucionit, shefja u fut fytyrëqeshur në kthinën ku punoja dhe më tha të paraqitem në çast në kabinetin oval.
– “Sigurisht për mirë”, – shtoi për të më qetësuar, kur vërejti tek sytë e mi një ngacmim të trazuar. Shumë shpejt nëpër mjediset e Radios, filluan të përhapen pëshpëritje rreth meje:
“Edhe pse fare i ri në moshë, ka shkruar roman, i cili ndodhet në Lidhjen e Shkrimtarëve, pasi ditët që duhet detyrimisht të kalojë nëntë rrathët e Dantes, para se të shohë dritën e botimit”… Mua me shqetësoi seriozisht pjesa e fundit e pëshpëritjeve: “Nëntë rrathët e Dantes, para se të shohë dritën e botimit”! Sepse kjo shprehje më dukej si sinjal i ardhur enkas nga redaksitë e Lidhjes së Shkrimtarëve, për të më vënë mua tërthorazi në dijeni, se dorëshkrimi i romanit ka nisur shtegtimin, janë shfaqur përshtypjet e para pas leximit, kundërshtuese me njëra-tjetrën, por të gjitha kanë një pikë të përbashkët: as bëhet fjalë për botim, pa kaluar nëntë rrathët e Dantes!
Sipas meje, tharmi i kësaj barriere, formohej nga xhelozitë e poetëve dhe shkrimtarëve me emër të njohur, të cilët i bren dyshimi, se dalja e një autori në moshë kaq të re, me një vepër madhore si romani, nxit vetvetiu tek këta shpirtin kundërshtues dhe natyrshëm bëhet pengesë serioze, për dhënien e miratimit. Duke e pranuar këtë mendim si realitet të njëmendët, filloi të më acaronte e të më mbante me ankth…! Përgjithësisht, larminë dhe monotoninë e jetës së përditshme e formon përzierja e rastësisë me rutinën.
Por ka rastësi të çastit, që shfaqen si vegim dhe harrohen shumë shpejt, pa ndikim në rrjedhën e jetës tonë. E nganjëherë ajo përqaset me një muzg çudibërës, ose agim të praruar, sepse sjell tek ne ndryshime rrënjësore mendore e shpirtërore, që na tjetërsojnë.
Afërsisht diçka e tillë ndodhi me mua, pas takimit dhe njohjes me shokun tim të kthinës, në skajin fundor të katit të katërt të ngrehinës së studiove e redaksive, në “Rrugën e Kavajës”: Pas përshëndetjes dhe shtrëngimit të duarve, kur u ula në vendin tim, përballë tij, ai më pyeti me zë të çiltër, pa pikë druajtje, thuajse njiheshim prej kohësh:
– “Mirë mua dhe shokut tim, Fadilit, në redaksinë e Kulturës, na ra shansi te punojmë në këtë profesion, pas përfundimit të studimeve në degën e gazetarisë, në Universitetin e Leningradit. Po ti që je kimist, ç’të shtyn të përzihesh me skotën tonë llafazane, kur natyra jote e shkrimtarit, kërkon qetësi të thellë dhe pavarësi të plotë mendimi”?…
– “Në njëfarë mënyre, ardhja ime këtu ishte rastësi…”, – ia ktheva unë.
– “Edhe pse e marr me mend afërsisht çfarë të ka detyruar të pranosh këtë zgjidhje (jo thjeshtë synimi për të ndenjur në Tiranë, se sa domosdoshmëria për të qenë më pranë fushës së letrave), unë prapë këtë zgjidhje e quaj shans të hidhur”!… – shtoi ai duke psherëtirë. – “Kur ne ishim të rinj…”!
– “Ju i ri jeni”, – e ndërpreva unë.
– “Burrë i ri, një dekadë më shumë se ty”, – theksoi ai.
– “Në moshën tënde, bota më dukej mrekullisht e bukur. I ke parë dhe shijuar netët polare, aurorat vezulluese?…Pikërisht aurorat më janë dukur dukuritë më fantastike e të magjishme gjatë 5 viteve të studimit në Leningrad: i doja dhe i adhuroja! Dëshiroja të gjendesha pranë tyre”!…
– “Këto ndjesi janë shenjat e dashurisë së hovshme marramendëse”, – plotësova unë.
– “Tamam. Ndoshta aurorat ndikuan drejtpërdrejt tek unë, në qenien time, që të më ngërthente me kaq pasion tharmi i dashurisë…”!
– “Domethënë e paske shijuar pjalmin e jetës studentore”?!…
– “E kam shijuar me përmasa tronditëse, sepse nuk ishte dritë xixëllonje, por flakadan aurore! – vuri në dukje ai me vështrim vezullues. – Nuk përqasej me dashuriçkat kalimtare, sa për të thithur nektarin femëror…”!
– “U martuat”?… – pyeta unë i shqetësuar.
– “E si mund të ndodhte ndryshe?! Ne ishim dy shpirtra binjakë, të lindur për njëri-tjetrin! Nga ngjizja e kësaj dashurie, doli në dritë vajza jonë, engjëlli ynë….”- tha ai.
– “Ou”?!… – psherëtiva unë, duke qortuar veten që bashkëbisedimi ynë u fut në qerthullin më delikat e ngacmues. – “Besoj e kupton në ç’gjendje jam, kur pjesën më të ndjeshme të shpirtit tim, ia kam lënë gruas dhe vajzës. Ka mbetur këtu para teje vetëm kufoma me një fije shpirt, sa për të marrë frymë”.
– “Askujt nga ne, që ishim studentë atje, nuk ia priste mendja se do vinte kjo ndarje e dhimbshme”!… – desha ta ngushëlloja unë.
– “Edhe pse ti nuk mbete peng i një dashurie të mirëfilltë, në njëfarë mënyre tragjizmin e ndarjes patjetër e ke përjetuar, si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i ngjarjes fatale”, – vuri në dukje ai. – “Por le të kthehemi atje ku e nisëm bashkëbisedimin: nuk gjete një zgjidhje tjetër më të mençur, se punësimin këtu, në këtë institucion që të merr frymën, e jo pastaj të shpresosh për pak kohë të lirë për vete, që t’i përkushtohesh letërsisë?!… Por në fund të fundit më mirë këtu, se sa të degdisnin në ndonjë uzinë, fabrikë a minierë, ku as sorra nuk e gjen dot kockën… Nejse. Le t’i vëmë kapak kësaj bisede. Kaq mjafton sa për njohje. Tani le t’i përvishemi punës, pasi shefja e rreptë na kërkon edhe asprën…”!
Ndonëse bashkëbisedimi ynë i parë zgjati fare pak, shumë shpejt shoku im i kthinës, u fut në botën time mendore dhe shpirtërore, aq sa të dyve, na dukej sikur njiheshim me njëri-tjetrin, prej kohësh. Ndaj dhe filluam të shqyrtonim e shkëmbenim mendime herë pas here çështje të ndërlikuara jetësore, (ai i zbërthente teorikisht, unë i ilustroja me shembuj nga letërsia), duke plotësuar të tërën me dy pjesët tona.
Rastistë të preknim tema të nxehta filozofike e politike, për të cilat duhej bërë kujdes, duke patur parasysh që Vangjelit i mungonte vetëpërmbajtja, ishte shpërthyes, shpaloste krejt lirshëm idetë, diskutonte me shumë pasion, duke harruar që në institucionin e Radios shtetërore, përgjimet të ndjekin në çdo hap. Prandaj një ditë m’u duk e arsyeshme, t’ia shprehja vërejtjen time, iu luta të tregohet më i matur, me shpjegimin se spiunët vazhdimisht i kemi rreth nesh, duke nisur nga punonjësit e këtushëm, madje dhe ata që na duken si të mefshtë.
– “Mjafton të marrim parasysh si e vrasin kohën, duke mos bërë asgjë konkrete dhe se si redaktorë nuk ia qasin fare…”- theksova unë në fund. Por shoku im i kthinës e mori mjaft lehtësisht vërejtjen time, madje qeshi kur më pa kaq të shqetësuar. Nuk e pranonte që pikërisht kjo lirshmëri e shfrenuar, sa vinte e bëhej gjithnjë me brejtëse, gjatë shqyrtimit të temave të mprehta filozofike, sidomos mbrëmjeve të së hënës dhe të martës, nga ora pesë, deri në tetë, kur ishim lodhur nga mbingarkesat e ditës dhe donim të pushonim pak. Duke mos e përmbajtur dot mllefin e brendshëm, i përshkruante padrejtësitë e kohës si maskarada që duhen çrrënjosur.
Unë e vështroja drejt në sy, i lutesha përmes shikimit t’i ndrydhte mendimet e rrezikshme, i bindur që disa mes nesh, e regjistronin me magnetofona xhepi, gjithë bashkëbisedimin. Por përpjekjet e mia shkonin kot, sepse vetëbesimi i tepruar ndaj ideve të guximshme, e yshtte të vazhdonte më tej. Ai i shprehte pa pikë ngurrimi, nuk i quante aspak mendime të ndaluara dhe s’donte ta pranonte që pikërisht këto, janë bacilet e asgjësimit fizik të personave me bindje kësisoj, të gjitha përpjekjet e mia për ta futur në brazdin e vetëpërmbajtjes, sidomos të mos zbërthehej hapur me tipat “leshko”, (kur rastiste të bisedonte me ta), ranë ne vesh të shurdhët…!
Dhe pikërisht kjo shpërfillje, pandehma e gabuar se leshkot nuk janë të aftë të nxjerrin qimen nga qulli e, jo të kryejnë vëzhgime kaq të mprehta të vigjilencës revolucionare, e çoi drejt gabimit fatal: iu zbërthye e ia besoi verbërisht një leshkoje sekretin e tij të brendshëm, që bluante në mendje prej kohësh, se donte të arratisej, bashkë me shokun e studimeve, i bindur se ky malësor, duke patur “prirje antikomuniste”, do t’i ndihmonte të kalonte fshehurazi kufirin në atë zonë, ku u lind dhe u rrit dhe e njeh terrenin si pëllëmbën e dorës!
Javën e fundit, para incidentit, dukej mjaft i acaruar. Hynte dhe dilte i heshtur. Takohej shpesh me shokun e tij të studimeve, nëpër cepat e korridorit të gjatë. Pëshpëritnin për minuta të tëra dhe ndaheshin, me shprehje të pakënaqur ndaj njeri-tjetrit. Sa herë e shihja në atë gjendje të nderë, parandjenja më thoshte se shoku im, ndodhet në pragun e marrjes së një vendimi mjaft të frikshëm, se vetëbesimi i tepruar, po e tërhiqte drejt honit të humnerës, madje as shoku i studimeve universitare, nuk e kthente dot mbrapsht!
Acarimi i tij mori përmasa kaq arrogante, sa as me mua, shokun e kthinës, s’pranonte të shkëmbenim mendime! S’më mbetej gjë tjetër, veçse të lutesha në heshtje, t’i thërriste mendjes, që të mos i futej me kokë shtegut të verbër, ku e priste ndëshkimi fatal! Pikërisht në këto çaste, ai buzëqeshte e më vështronte me përmallim vëllazëror, pa kthyer përgjigje, njësoj sikur të më thoshte: “Mos u lodh më kot me mua. E kam vendosur, nuk ndryshoj mendim! Ti bëj kujdes për veten tënde, pasi nuk i dihet ku të çon rrota e fatit…”!
Të martën, në orën tetë të mbrëmjes, kur zbrita shkallët e katër kateve, vura re në dalje diçka të pazakontë: mungonte ndriçimi brenda në vend-roje, ku rrinin oficerët e shërbimit! – “Cilin pret”?…- më pyeti një zë, si jehonë e frikshme nga humbëtira e largët.
– “Fadilin, – ia ktheva unë duke vështruar andej nga erdhi zëri. – Sepse më tha lart ta bëjmë bashkë rrugën”.
– “Ik ti, ik! Se Fadilit i doli një shërbim urgjent”, – shtoi zëri.
Kur dola nga porta e hekurt, më kaloi para këmbëve një “Gaz”- 69: parandjenja më pëshpëriti, se brenda tij ndodhej Fadili. Ndoshta kishte zbritur para meje, dhe makina e vëllait, gjeneralit, ndodhej aty ta merrte për një çështje të ngutshme familjare. Megjithatë, mungesa e ndriçimit në hapësirën e vëzhgimit dhe zëri në terr, më lanë shije të hidhur. Sidomos më bëri përshtypje kërkesa e përsëritur e Fadilit, për të bërë bashkë një copë rruge: mos ka patur ndërmend të më thotë diçka për mungesën e Vangjelit?…
Të nesërmen në mëngjes, në studion e madhe të inçizimeve u bë mbledhje urgjente. Drejtori i Përgjithshëm dhe sekretari i organizatës bazë të Partisë, na njoftuan me ton të egër, kumtin më tronditës: “Dy punonjësit e Radio – Difuzionit tonë, Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani, mbrëmë janë arrestuar nga organet tona të Diktaturës së Proletariatit, dhe janë shpallur armiq të Partisë dhe popullit! Për hollësi të tjera, do ketë më vonë njoftime shtesë”!
Edhe pse rrija ulur në rreshtin e fundit, m’u duk sikur vështrimi i mjedisit, u ngërthye mbi portretin tim të zbehtë dhe nga sytë dashakeqës, u shpërndanë xixa kënaqësie që ndodhi kështu, duke shprehur haptazi mllefin dhe urrejtjen, ndaj dy ish-punonjësve tanë, tërthorazi dhe ndaj meje, si shoku i kthinës së Vangjelit, të bindur se mua shumë shpejt, do më vijë radha që të më degdisin diku!…(Një pjesë e këtyre përjetimeve drithëruese, janë përshkruar në vëllimin e parë të romanit “Pështjellimet e Fatit”, të cilin do t’ju vijë rasti ta lexoni kur të botohet). Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016