Nga Petraq Xhaçka
Pjesa e tridhjetë e pestë
Memorie.al/ Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkt me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e qazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.
Një natë trokiti dera dhe erdhi liria
Nga dritarja e dhomës sonë të fjetjes, e sidomos nga ajo e dhomës tjetër, jepej një pamje më e plotë e oborrit të repartit 326 të Forcave Speciale, i cili ndodhej ngjitur me pjesën jugore të Burgut të Tiranës. Në një ditë të nxehtë të korrikut 1990, në vumë re se në oborrin e repartit, me sinjale alarmi të vazhdueshme, po mblidheshin me shpejtësi ushtarë të veshur me uniformat e veçanta të mbrojtjes vetjake, me mburoja plastike, me kaska në kokë, me shkopinj dhe me tërë armatimin e tyre. Kjo ishte një ngjarje e rrallë, që të dy me Enrikon, po e shikonim për herë të parë në këto përmasa.
Qëndruam gjatë në dritare e po shikonim me vëmendje, nëse ushtarët do të shkonin në ndonjë operacion apo ajo ishte thjesht një stërvitje. Pas ndonjë ore, vumë re se ata hipën me ngut përmbi makina dhe u larguan në drejtim të paditur. Pa e kuptuar se çfarë kish ndodhur konkretisht, ne u gëzuam shumë, sepse menduam që diku do të ketë ndodhur ndonjë ngjarje e veçantë, që tregonte se populli me të vërtetë kish filluar të ngrinte krye kundër diktaturës.
Në mbrëmje, nga televizori mësuam se me qindra të rinj e të reja, të moshuar e deri fëmijë, ishin futur brenda në ambasadën gjermane e në disa ambasada të tjera. Kjo ngjarje tregonte se sistemi komunist në Shqipëri, po tronditej seriozisht. Ai nuk kishte më forcën e mëparshme. Vala e fortë goditëse e ngjarjeve dhe e ndryshimeve të filluara në Lindje, mbërriti më në fund edhe në Shqipëri, dhe këto e kishin vënë në mendime të thella udhëheqjen shqiptare, për të gjetur rrugët e zgjidhjes. Së pari, ajo filloi të ndërrojë taktikën, duke e paraqitur veten sikur ishte e angazhuar, të rriste frymën demokratike.
Në fillim u organizua një mbledhje me intelektualët, ku një pjesë e tyre, foli për norma demokratike, për lirinë e shtypit e plot nevoja të tjera. Disa individë, u inkurajuan të shkruanin mbi këtë tematika delikate edhe në shtyp. Por nuk kaloi shumë kohë dhe përsëri u shfaqën shenjat e ngecjes, disa prapakthehu në rrugën e pashkelur dhe diktatura nisi të tregojë prapë dhëmbët.
Me gjithë kufizimet e lajmeve reale në televizion, ne përsëri kuptuam se zinxhiri i ngjarjeve që po shpinin drejt ndryshimeve historike, nuk pushonte. Incidentet ishin në fillim të vogla, por që vinin gjithnjë në rritje, për nga tronditjet që shkaktonin dhe nga vetë përmbajtja e kërkesave politike që i shtynin. Nga fundi i vitit 1990, këto shpërthime popullore, po merrnin përmasa të mëdha. Unë me Enrikon, tani nuk ia ndanim sytë oborrit të repartit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, për të kuptuar ku ish ngjitur termometri i trazirave politike. Sa më shumë brengoseshin drejtuesit e këtij reparti dhe drejtuesit e shtetit, aq më shumë gëzonin zemrat tona, të rëna më përpara në një pesimizëm të theksuar.
Ngjarjet e ca muajve më parë në Rumani, kundër diktaturës së Çausheskut, kishin qenë tepër të fuqishme dhe kishin çuar në ekzekutimin e tij. Ky ishte një tërmet i fuqishëm, që po shembte një sistem dekadent të provuar nga disa vende të Lindjes, por që as kish të krahasuar me ashpërsinë dhe prapambetjen, e atij të vendit tonë. Kur këto manifestime morën përhapje më të madhe, si lëvizjet e studentëve, lëshimi i pluralizmit, apo greva e përgjithshme, u bë e qartë se diktaturës komuniste që mbyti Shqipërinë në gjak dhe lot, po i vinte fundi. Themelet e saj, u tronditën rëndë. Portreti i saj prej kuçedre, u shndërrua në një pamje prej qingji. Fundi i Çausheskut, i pat kallur tmerrin udhëheqjes Shqiptare. Ajo filloi të veprojë me forma të tjera, për të shpëtuar nga ky ciklon i fuqishëm. U kuptua se me forcë, pushteti nuk mbahej dot më, por duhej vepruar ndryshe.
Ajo vrapoi të fuste brenda kësaj lëvizje njerëzit e saj, në mënyrë që ta orientonte në atë drejtim, siç ishte më e lehtë dhe e përshtatshme për ta. Populli i etur për demokraci, i lodhur nga terrori, nga gjendja e rëndë ekonomike, nga mbyllja e paparë e vendit, nga mungesa e çdo të drejte minimale njerëzore, nga persekutimet e paperceptueshme të njerëzve të pafajshëm e të familjeve të tyre, u ngrit në këmbë, me një urrejtje të paparë. Ushtarët dhe policët që regjimi dërgonte për të përmbajtur valën goditëse, bashkoheshin me turmat e manifestuesve dhe nuk pranonin të qëllonin kundër tyre. Kudo po ngriheshin shtabe, të cilët morën në dorë drejtimin e revoltave.
Ngjarjet u zhvilluan shumë shpejt dhe fatkeqësisht forcat e vërteta të persekutuara, ishin të lodhura, të tulatura e nuk mundën të luanin atë rol drejtues të rëndësishëm, që u takonte. Ndërsa Sigurimi i Shtetit popullarizonte me të madhe figurat e tij, që pat futur në lëvizje, si kolonë të pestë, me petka demokratësh. Ish anëtarë të Komitetit Qendror të Partisë, ish – ministra të diktaturës, ish-bij oficerësh të lartë të Sigurimit të Shtetit, dolën e po teorizonin mbi rrugët ekonomikë që duhej të kalonte Shqipëria, ku demokratët duhej të shkatërronin gjithçka, e të fillonin nga zeroja.
Kjo e çoi demokracinë në një gjendje të rëndë, duke e lënë vendin menjëherë pa fabrika, pa punë, gjë që rriti pakënaqësinë në popull. Kjo ishte një dredhi, një plan i menduar mirë, sepse udhëheqja e Partisë Komuniste, kish eksperiencë për prapaskena, për kurthe dhe fatkeqësisht ia arriti qëllimit. Mendoj se këtu nuk është puna të vlerësohen njerëzit, me ish qenien apo jo në parti, siç është bërë praktikë në politikën shqiptare, sepse dihet shumë mire, që ishin shumë komunistë të ndershëm, që kishin hyrë në parti për disa ideale të pastra dhe ata ishin shumë më të ndershëm, e më të përshtatshëm se mjaft të tjerë, që nuk kishin qenë në parti fare. Kriteri bazë duhej të ishte qëndrimi i këtyre njerëzve, në periudhën para shpërthimeve demokratike, roli i tyre në jetën e vendit, ndershmëria e tyre, duke i veçuar nga njerëzit që kishin kryer krime, që ishin elemente aktive dhe mbrojtës të atij regjimi.
Në rrjedhën e këtyre ngjarjeve, turmat rrëzuan monumentin e diktatorit Enver Hoxha, në mes të sheshit “Skënderbej”, në qendër të Tiranës. Kjo ishte kambanë e fitores mbi komunizmin, mbi mungesën e lirisë e të demokracisë. Greva e studentëve, e këtyre filizave të rinj, ngiti më lart peshë revoltën popullore. Populli filloi të kontrollonte gjendjen kudo. Në Kavajë, populli liridashës, u bë zot i qytetit. Kavajasit kontrollonin rrugën nacionale që kalonte mes qytetit, ndalonin çdo makinë e pyesnin pasagjerët në të: “Me cilin jeni”?! Të gjithë, dhe ata që ishin, dhe ata, që jo vetëm nuk ishin, por i tmerronte demokracia, përgjigjeshin njëlloj: “Jemi me demokratiken”. Ishte hera e parë që edhe komunistët fanatikë, edhe sigurimsat kriminelë, i zuri frika e dhënies llogari për krimet e bëra dhe mohonin me pamje, atë që kishin në zemër.
Kjo gjendje, me kërkesat e vazhdueshme e të shumta të popullit për të liruar të burgosurit politikë, e detyroi presidentin Alia, të tregohej “i moderuar” dhe të shpallte një falje të madhe. Në këto ditë, drejtori i burgut, si rrallë herë, na erdhi në dhomën tonë të punës dhe u ul në karrige. Mbasi hapi disa biseda të ndryshme, doli në temë: – “Presidenti bëri një amnisti të madhe, nga e cila kanë përfituar shumë të burgosur. Edhe shokët e tjerë të grupit tuaj, kanë përfituar shumë vite e tani atyre u ka mbetur për të bërë nga fare pak burg, një apo dy vjet, e pastaj do të shkojnë nëpër familjet e tyre. Për ju të dy, nuk është bërë asnjë ulje dënimi dhe unë nuk e di arsyen”.
Ai priste që ne të kërcenim përpjetë, por ne nuk folëm fare, nuk kërkuam asnjë shpjegim dhe nuk shprehëm as ndonjë keqardhje, megjithëse për ne, ishte e pakuptueshme përse bëhej ky veçim në grupin tonë, kur ndaj nesh, kishin qenë të njëjtat akuza! I ndodhur para një qëndrimi të tillë, nga ana jonë, ai u detyrua ta prishte vetë heshtjen: “Kam porosi t’ju them, që të bëni një lutje, për t’i kërkuar Presidiumit të Kuvendit Popullor, që t’ju falë dënimin dhe të ju lirojë nga burgu. Ju e kuptoni që kjo është një gjë shumë e mirë, se ju do të shkoni menjëherë pranë familjeve”.
Unë iu përgjigja aty për aty, se ne nuk kishim bërë asnjë krim, nuk kishim bërë asnjë faj dhe nuk kishim pse të bënim lutje, për të na falur! Kërkimi faljes, do të thotë tërthor, që ne pranojmë fajin, u bë ç’u bë, tani ju lutemi, na falni! Në asnjë mënyrë! Ne duam drejtësinë tonë. Si përfundim, unë nuk do të bëj asnjë lutje. Në këtë çast ndërhyri shoku i ngushtë i viteve më të rënda të jetës sime, i ndjeri Enriko:
– “Petraq, ti ke të drejtë për ato që thua, por unë mendoj që ne duhet ta bëjmë kërkesën dhe të dalim nga burgu njëherë. Pastaj kemi mundësi më të mëdha, për të kërkuar të drejtën tonë. Duke vajtur pranë familjeve, ne kemi mundësi ta ndjekim më mirë çështjen. Unë iu ktheva shokut të dhomës: – I dashur Enriko, ti po të duash, bëje lutjen dhe mua nuk më mbetet aspak hatri, për këtë. Unë, nuk do t’u bëj asnjë lutje kriminelëve, që na morën padrejtësisht jetën, që na torturuan dhe na trajtuan si kafshë. Unë nuk e bëj kurrë atë lutje. Unë kërkoj të drejtën time! Ti vepro, si ta gjykosh vetë! Në përgjigje të qëndrimit tim të prerë, Enrikoja u përgjigj:- “Petraq, po nuk e bëre ti lutjen, nuk e bëj as unë”!
Atëherë u ngrita nga tavolina dhe në sytë e drejtorit të burgut, e përqafova me shumë emocion Enrikon, për këtë qëndrim solidar, sepse ai, ndoshta më shumë nga unë, nuk e kishte të lehtë të thoshte, se do të vazhdonte të qëndronte në burg edhe për shumë vite të tjerë. Drejtori i burgut, u detyrua të largohet pa e realizuar detyrën që i kishin dhënë, atë që ne, të ndodhur nën kërcënimin e vazhdimit të burgut, të arrinte të na gjunjëzonte, para udhëheqjes së diktaturës, së cilës po i rrëshqiste toka nën këmbë.
Edhe pse qe shpallur amnistia, populli vazhdonte të kërkonte lirimin e të gjithë të burgosurve politikë, kërkesë politike kjo, me një kuptim shumë të madh. Kështu që pa kaluar shumë kohë, Presidenti i Republikës, u detyrua të shpallte “faljen” e krimeve të gjithë të burgosurve politike dhe lirimin e tyre të menjëhershëm. Kjo u transmetua me gazeta dhe me televizion. Ne po prisnim lirimin tonë, familjet tona prisnin që të vinte dita e caktuar dhe të na shtrëngonin në krahët e tyre. Por më kot. Ne pyetëm drejtorin e burgut, se përse nuk po na lironin. Data e caktuar, pat kaluar. Ai na u përgjigj, se në listat që i kishin ardhur, emrat tanë nuk ishin.
Gënjeshtarët e mësuar tërë jetën të mashtronin, edhe këtë radhë mashtruan popullin. Në këto rrethana, gruaja ime shkoi dhe u ankua pranë autoriteteve, por ata jo vetëm nuk i përgjigjeshin, por shumica, bile as nuk e prisnin. Atëhere Zhani, vendosi të shkonte në Forumin e Drejtave të Njeriut, i cili qe formuar shpejt e shpejt, në këto kohë të turbullta për drejtuesit shtetërore.
Zhaneta u takua me kryetarin e këtij forumi, profesor Arben Puton. Ky e kish pritur shumë mirë, me respekt dhe edukatë, dhe qe çuditur, se si ende kish të burgosur politikë, të pa liruar. – “Nga deklarata e Presidentit në televizor, ne e dimë se janë liruar të gjithë të burgosurit politikë”, – i tha profesor Putoja. – “E aq më tepër për zotin Xhaçka, një emër mjaft i njohur në rrethet shkencore”! Në fund, ai i premtoi gruas, ndihmën e forumit të tij. Në ato ditë, ne na ishin prerë takimet me familjet dhe nuk po mernim vesh, se çfarë po ndodhte.
Kur, papritur, në një ditë të muajit shkurt të vitit 1991, në mos gabohem, ishte dhe ditë e dielë, na erdhi në dhomën e punës drejtori i burgut, e na kërkoi që ta ndiqnim pas, se do të takoheshim me disa njerëz. Mbasi kaluam pas tij nëpër korridoret e burgut, drejtori na futi në një zyrë. Aty pamë të ulur disa vizitorë, nga të cilët unë njoha profesor Arben Puton. Nuk kisha patur ndonjëherë bisedë me të, sepse punonim në fusha të ndryshme shkencore, por ne ishim parë në mbledhjet që bëheshin pranë Akademisë së Shkencave.
Vizitorët na dhanë të njohur dhe aty mësuam se ata ishin një grup i Forumit të të Drejtave të Njeriut. Putoja, si kryetar, ish shoqëruar nga dy anëtarë të forumit, profesor doktor Ylli Popa dhe regjisori Kujtim Çashku. U gëzuam shumë nga ky takim i paparashikuar, jo vetëm sepse po takonim pjesëtarë të një forumi, që merrte rëndësi të madhe në sytë tanë, por edhe për faktin se kishin ardhur njerëz të njohur dhe të respektuar të shkencës dhe të artit. Në ato çaste, unë nuk e dija që gruaja ime kish vajtur dhe ish ankuar në forum.
Kishim mbi pesë vjet, që nuk kishim ndjerë në adresë tonë një sjellje të tillë njerëzore. Askush më pare, nuk na kish pyetur për shëndetin, për familjet tona. Pastaj, ata kërkuan të dëgjonin ankesën tonë. Natyrisht, ata dinin vetëm atë çka kishin lexuar nga shtypi, nga fjalimet e udhëheqësve të partisë e të shtetit në Kongresin e P.P.Sh-së, të vitit 1986, pra, që; “ne ishim një grup i rrezikshëm armiqësor, e sabotator në naftë, që deshim të përmbysnim pushtetin popullor”.
Ne ua bëmë të ditur me argumente të forta bindëse, gjithë të vërtetën e proçesit tonë hetimor, mjerimin e farsës gjyqësore dhe e dëshmuam totalisht, pafajësinë tonë. Ne u treguam atyre gjithë torturat e përdorura ndaj nesh, nga hetuesit, me emrat e tyre konkrete. U përshkruam se si ata na kërkonin me çdo kusht, që të pranonim tradhtinë dhe sabotimin ekonomik, gjëra që nuk i kishim kryer kurrë.
U treguam për alternativat që na shtronin në hetuesi, që ose të pranonim akuzën, ose do të na vrisnin ne dhe do të internonin e burgosnin familjet tona. Ua bëmë të qartë, se si ishin shkelur rregullat dhe ligjet në procesin hetimor, pa praninë e prokurorisë dhe se si kombinoheshin deponimet tona. Ne kërkuam prej tyre, që të na ribëhej gjyqi në prani të tyre, të gazetarëve, të familjeve tona dhe aty ne do të argumentonim gjithë fabrikimin e proceseve tona, hetimore e gjyqësore. Ne akuzuam direkt udhëheqjen e shtetit, si organizatore të këtij procesi diabolik komunist.
Na dëgjuan përmbi tre orë, me fytyrat të pikturuara nga një dhimbje e thellë. Nuk më harrohet kurrë çasti, kur në sytë e doktor Popës, shikova bulat e lotëve, ndërsa po dëgjonte prej meje, detajet tragjedisë sonë, të pesë specialistëve të lartë, që kishin disa dekada që punonim me devotshmëri, në atë sektor jetik për popullin tonë. Ne nënvizuam se; ishim të pafajshëm dhe kërkuam lirimin tonë, vetëm si të tillë. Nuk harruam të vinim në dukje edhe një herë gënjeshtrën e Presidentit të vendit, Ramiz Alia, që kish thënë se ata, i kishin liruar të gjithë të burgosurit politikë.
Në fund, pas atij takimi aq të përzemërt e të hapur, ata na premtuan, se do të kërkonin të drejtën në mekanizmat e pushtetit. Dhe ishte pikërisht presioni i këtij forumi, që i detyroi të parët e shtetit, të reagojnë. Pas ca ditësh, pamë të dilte në televizor ministri i Brendshëm, Hekuran Isaj dhe të pohonte se në burgjet e vendit, kish ende dhe njëqind e gjashtë të burgosur politikë, të cilët, sipas tyre, nuk ishin liruar, ngaqë kishin kryer krime të rënda ndaj shtetit, krime të cilat i dënojnë edhe legjislacionet e vendeve më të përparuara.
Akoma me paturpësi të pashembullt, këta kriminelë nuk arrinin të reflektonin ndaj kërkesave të kohës, nuk arrinin të pranonin fajet monstruoze, e të na lironin, bile edhe të na kërkonin falje publike, për ata skenarë të ndyrë që kishin krijuar artificialisht, ndaj njerëzve të pafajshëm. Ata kishin frikë se do të dilte e vërteta, e gjithë këtij falsiteti, poshtërsia dhe lojërat e pista klanore. Ishte për të qarë edhe për të qeshur, kur mendoje se nga fare të pafajshëm, ne na futën në grupin e atyre, që kishin kryer faje tepër të rënda! Por ata ishin njerëz që nuk e njihnin turpin, se me atë, ishte mbuluar e gjithë jeta e tyre.
Vazhdonim të qëndronim në pritje të rishikimit të proçesit tonë, kur drejtori i burgut, na erdhi përsëri në dhomë e përsëri na ftoi t’i bënim lutje Presidiumit. Por ne, tani më të vendosur se kurrë, ngaqë të vërtetën tonë, tashmë e pat marrë vesh tërë bota, i dhamë të njëjtën përgjigje negative. Ai nuk arrinte të kuptonte dot qëndrimin tonë të vendosur.
Rrethanat ishin vërtitur ashtu, që të gjendeshim në qendër të vëmendjes. Problemi i specialistëve të naftës, i kish mbetur Ramizit në dorë, si ajo patatja e vale, që nuk di ku ta lëshosh. Këtyre rrethanave të favorshme, u prishte punë mungesa e pashpjegueshme e kontakteve, që na kish lënë ne në errësirë të plotë. Me Enrikon, vendosëm që të mos hanim më gjellët e komandës, por të ushqeheshim kryesisht me gjëra të thata, që kishim nga shtëpia, ose të blera me kujdes në dyqanin e burgut. Tani kishim vërtet frikën e ndonjë helmimi.
Pas disa ditësh në gazetë, u shfaq një njoftim i Forumit të të Drejtave të Njeriut të Shqipërisë, ku vihej në dijeni publiku, mbi takimin që kishin marrë ata me ne në burgun e Tiranës. Ata nënvizonin kërkesën tonë të patundur, për rishikimin e procesit gjyqësor dhe lirimin tonë, si njerëz krejtësisht të pafajshëm. Për ne kishte folur dhe Radio Vatikani në një emision të veçantë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016