Nga Ilia S. Karanxha
Pjesa e parë
Memorie.al / Emri i Dora d’Istrias zuri një vend të nderuar qysh në periudhën e Rilindjes Kombëtare shqiptare dhe mbeti i pa prekur deri në ditët tona. Qysh kur ishte gjallë dhe pas vdekjes shkrimet lavdëruese, studimet apo monografitë që vokalizonin aspekte të veçanta apo komplekse të jetës e veprës së saj, nuk kanë munguar në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera e në veçanti: Rumani, Greqi, Itali, Francë e gjetkë. Fama e saj u përhap shumë shpejt në Evropë dhe fill pas saj edhe përtej oqeanit. Në SHBA-ës gjatë vizitës që bëri në verën e vitit 1880, ajo u prit me nderime të veçanta dhe gjatë takimit që pati tek shkrimtari i shquar amerikan Henry Longfelloë (1807-1882), ai ju zotua asaj se do të shkruante një poemë për Skënderbeun.
Një rast i shquar dhe jo i vetmi kur Dora d’Istria përdorte famën e prestigjin e vet para personalitetesh të shquara të shkencës, të kulturës, të artit apo të politikës për tu imponuar atyre pikëpamjet e veta në dobi të të popujve danubianë-ballkanikë, që luftonin për çështje kombëtare e për progres shoqëror. Lista e këtyre personaliteteve me të cilët ajo pati kontakte në kohë e për çështje të ndryshme është mjaft e gjatë.
Mund të përmendim vetëm disa për të krijuar një ide të pjesshme të vlerës dhe rëndësisë që i jepnin asaj persona të shquar si: Luis Benloeë (1818-1900), Johann Georg von Hahn(1811-1869), Angelo De Gubernatis(1840-1913), Bartolomeo Cechetti(1838-1889), Lorenzo Valerio(1810-1865), Niccolo Tommaseo(1802 – 1874), Adam Wolf(1822-1883), Edgar Quinet(1803-1875), Francesco Protonotari(1836-1888), Paolo Mantegazza (1831-1910), Giuseppe Garibaldi(1807-882), Giorgio Asproni(1808-1876), Federgo Scolpis(1798-1878), Felice Schiavone(1803-1881) e shumë të tjerë.
Raportet e Dora d’Istrias me rilindësin tonë të shquar Jeronim de Rada e nëpërmjet tij edhe me rilindësit e tjerë Zef Jubani, Thimi Mitko, Dhimitër Kamarda, publiku shqiptar është njohur nga epistolari i saj i publikuar në një formë të pjesshme nga J. Kastrati(A. Popullor 3/1963), A. Kondo(1977), J. Bulo(Nëntori 12/1987) dhe së fundi, me kompetencë shkencore në gjuhën origjinale e në një variant gati shterues, nga studiuesja Merita Sauku-Bruci (2004), e cila ka nxjerrë në dritë me komente përkatëse 112 letra të Dora d’Istrias.
Në lidhje me epistolarin e Dora d’Istrias me botimet e bërë në Shqipëri dhe diçka në Rumani mbetemi gjithmonë në hapat e para të kësaj ndërmarrje të rëndësishme editoriale. Botimet e letrave të saj në Rumani janë bërë në “Revue historique du Sud-est européen” që drejtohej nga N. Jorga (më 1925, 1928 e më 1932 )dhe tani së fundi nga Georgeta Penelea Filitti në revista Biblos (Iasi) (n* 9-10/ 2000).
Mbeten akoma për t’u gjurmuar e për të nxjerrë në dritë epistolarin apo dokumente që lidhen me jetën dhe veprimtarinë e Elena Gjikës në fondet e Bibliotekës Kombëtare të Firences (letër-shkëmbimi me A. De Gubernatis 156 letra, me F. Protonotari 18 letra, me N. Tommaseo 7 letra, e po këtu edhe disa fonde të tjera).
Në bibliotekën Labornica të Livornos (rreth 20 letra drejtuar personave të ndryshëm), Biblioteka Arkivi i Risorxhimentos- Firence (Fondi mbi bashkë llazërinë e artizanëve), Arkivi Historik i Komunës të Firences (Fondet e Institutit Kombëtar Shurdh-memecët), e po kështu fonde të tjera që sot ndodhen në Torino, Venecia, Pisa, Roma, Cagliari, Gjenova, Graz dhe Bukuresht. Fondet që ndodhen në bibliotekën e Kosencë-s mbi letërkëmbimin me Jeronim de Radën mund t’i konsiderojmë të shteruara nga botimet e sipërpërmendura.
Krahas raporteve të saj me figura të shquara në një plan më të gjerë ajo ishte e njohur dhe e nderuar nga një sërë institucionesh me karakter kultural e akademik. Më 1873 B. Cechetti, kuptohet në konsultim edhe me vetë Dora d’Istrian, krahas veprave të saj të botuara deri në atë moment na transmeton edhe listën e këtyre institucioneve, të cilat njihnin dhe nderonin emrin e Dora d’Istrias. Në lidhje me këtë ai shkruan:
Princesha Dora d’Istria është pranuar nga shumë akademi të Italisë, Francës, Greqisë, Turqisë evropiane, të Azisë së Vogël, Austrisë. Është anëtare nderi e shoqatës Arkeologjike të Athinës (28 maj 1860), anëtare e Shoqatës gjeografike të Francës (19 janar 1866), anëtare korrespondente e Universitetit të Venecias, 8 mars 1868, anëtare nderi e shumë akademive italiane (1868-1873) mes të cilave akademia fizio-medistatika e Milanos, 18 qershor 1868, anëtare nderi e Minervës të Triestes, anëtare nderi e Sillogut të Athinës, maj 1867, anëtare nderi e Sillogut të Kostandinopolit, 8 gusht 1870, presidente nderi e (shoqatës) Elikona të Smirine (Azi) 17 mars 1871.
Po kështu ajo u pranua anëtare e merituar e Akademisë Mbretërore Rafaelo nga Urbino, 17 dhjetor 1871, anëtare letrare e Shoqatës për nxitjen e teatrit në Itali, Firence 21 janar 1872, nën-presidente nderi e Shoqatës të grave greke për institucionalizimin femëror, 11 shtator 1872, anëtare e Akademisë të Konsultës (Quiriti) në Romë shkurt 1873, anëtare nderi e Paransios të Athinës, 28 shkurt 1873, anëtare nderi e Akademisë Pitagorike të Napolit 24 maj 1873, korrespondente e huaj e Akademisë Kombëtare e Letërsisë dhe e Shkencave të Barcelonës (Spanja) dhe e Institutit arkeologjik të Buonos-Ayres (Amerikë) 30 maj 1873, presidente nderi dhe kujdestare e shoqatës Chark të Kostandinopolit, 20 prill 1873 etj.
Këtu pra mbyll listën Cechetti duke mos i rreshtuar dot të gjitha institucionet e, duke na lënë ne detyrën për vitet që do të vinin ta plotësonim këtë listë. Mund të shtojmë diçka se ishte edhe anëtare e Shoqatës për Studimet e Orientit (9.XI.1873), por deri këtu del qartë që ajo u bë shumë shpejt një nga tre gratë më të famshme të shekullit të XIX-të mes Giorgio Sand (Arnandine Lucia Aurora Dupin, 1804- 1876). Dhe konteshës d’Agoult (Marie Catherine Sophie 1805-1876 e njohur edhe me pseudonimin Daniel Stern) fakt të cilin na e referon në një shkrim përkujtimor një muaj pas vdekjes (16 dhjetor 1888) revista “Nuova Antologia” ku Dora d’Istria kishte botuar shumë nga studimet e saj.
Duke mbetur gjithmonë tek B. Cechetti ish-drejtor i arkivave veneciane ai veç meritës që pati si kujdestar dhe përkthyes në italisht i veprës “Shqiptarët në Rumani” u kujdes gjithashtu të ndiqte me vëmendje të posaçme gjithë jetën publicistike të Dora d’Istrias dhe njëkohësisht ishte i pari që filloj të përpilonte bibliografinë e saj. Kjo bibliografi doli për herë të parë më 1868 e në vitet që do të vinin ribotohej me shtesat e reja.
Më 1873, ai nxori edicionin e pestë të kësaj bibliografie dhe ky punim na bën të kuptojmë se sa e shumtë dhe e larmishme ka qenë veprimtarja krijuese e kësaj gruaje të shquar. Këto informacione kanë vlerën e veçantë se ato përpiloheshin në kohën kut vetë Dora d’Istria ishte gjallë dhe këshillat e informacionet e saj kuptohet nuk i kanë munguar B. Cechettit. Kanë anën e dobët se diçka ka mbetur pa përmendur e nuk u ndoqi botimi i tyre në vitet e mëtejshme.
Ndër të parët intelektualë të nderuar që i shprehu mirënjohjen Cechetitt për këtë punë të kujdesshme dhe të rëndësishme ishte vetë Jeronim de Rada, i cili më 1868 i dedikon atij një vjershë në dialektin arbëresh bile edhe në emër të shqiptarëve të Kalabrisë. Bibliografia e vitit 1869, ishte strukturuar sipas argumenteve që Dora d’Istria kishte trajtuar në publikimet e saj dhe Cechetti i ndan ato në 8 kapituj).
Në ribotimi e vitit 1873 ruhet i njëjti koncept i rigrupimit të shkrimeve sipas tematikës që trajtonin veçse kësaj radhe ajo është e ndarë në 10 pjesë dhe brenda tyre, në ndonjë rast, ka dhe nënndarje. Pjesa e parë i kushtohet historisë të letërsisë dhe brenda saj kemi: 1. Poezia popullore e gadishullit lindor. 2. Poezia popullore e fino-mongolve. 3. Epope. 4. Portrete letrare.
Kështu sipas këtyre nënndarjeve janë renditur studimet: Letërsia dhe kombi rumun sipas këngëve popullore, e me radhë për kombin serb, për kombin shqiptar, për kombin grek e për kombin bullgar. Të gjitha të publikuara në “Revue des deux mondes” nga viti 1857 deri më 1867. Në këtë seksion mund të futim edhe valle dhe këngë kombëtare të rumunëve të botuar në “Acta comparationis literarum universarum” (maj 1884).
Bie në sy interesimi i menjëhershëm dhe i veçantë për artikullin që trajtonte këngët popullore shqip. Ribotimi i menjëhershëm i tyre u bë nga Luigi Luciano Bonaparte (1813-1891) një nga nipërit e Napolonit I-rë të cilin Cechetti na e prezanton si një filolog dhe albanolog të shquar. Në fakt u mor më shumë me gjuhën baske. Fill pas tij ato u përkthyen menjëherë në greqisht (Therianos), në italisht (E. Artom) ndërsa në shqip nga Dhimitër Kamarda. Varianti në italisht u botua në Kozencë (Kalabri) i shoqëruar me portretin e autores të realizuar sipas një skice të Felice Schiavone-s. Pra brenda vitit 1867 ato u ribotuan 4 herë dhe sot i gjejmë edhe në një ribotim modern shqip nën kujdesin e Drago Siliqi (2002).
Vazhdohet të dalin në të njëjtën revistë parisien poezitë popullore të hungarezëve (gusht 1871) dhe ato të turqve të lindjes (shkurt 1873), e cila do të vazhdonte në disa artikuj. Këto të fundit do të ribotoheshin akoma në frëngjisht në rivista “Europea” (1876-‘77) edhe në italisht (La poesia degli ottomani…) në revista “Cornelia” (1877) ndërsa në anglisht (The poetry of the Turkish People) i gjejmë në revista “The Penn Monthly” (1878 shtator e më tej) Më 1877 do të kemi daljen e vëllimit përmbledhës në Paris me titullin “La Poésie des Ottomans” ndërsa në një variant modern kemi përkthimin e daljen e tyre edhe në turqisht “Osmanlilarda siir- Istambul” (1988).
Nën ndikimin e studiuesit Angelo De Gubernatis, mbas viteve 1870 Dora D’Istria do t’i kushtohej edhe kulturës indiane e asaj persiane. Kështu në kapitullin ‘Epope Cechetti’ ka përmbledhur pikërisht këto studime të cilat nisin me: Studimet indiane në Italinë e Sipërme- Mahâbhârata dhe mbreti Nala (Les etudes indiennes dans la Haute Italie- Le Mahâbhârata et le roi Nala). Ky studim u lexua fillimisht para shoqatës Arkeologjike të Athinës u botua më 1870 në revista “Gréce” e pastaj edhe si broshurë më vete në Athinë. Po këtë vit pati edhe botime të tjera në italisht.
Me të njëjtën interes u pritën edhe studimet e tjera të kësaj natyre ku Dora d’Istrias trajtonte këtë argumente. Kështu kemi: Epopea indiane- Râmâyana(1871); Vdekja e mbretit Dasarata(1871); Uttakaranda(1871); Epopea persiane- Shahu Nameh(1873). Pastaj studime të tjera që nuk i përmend Cecheti si p.sh., ‘Poezia e persianëve nën Kaxharët’ (1879). ‘Jeta e kleftëve në perandorinë persiane’ (1879) dhe ‘Epope ruse’ (Les épopées russes) kjo e fundit e botuar në ‘Revue Internacionale’ (1883-‘84).
Nën zërin portrete letrare Cechetti e fillon me studimin e Dora D’Istrias mbi ‘Shkrimtarët shqiptarë të Italisë jugore’ (1867) që doli fillimisht në Athinë e menjëherë u përkthye edhe në gjermanisht në ‘Internationale Revue’ të Vjenës (janar 1867). Në italisht u përkthye nga prof. N. Camarda dhe u botua si broshurë më vete në Palermo (1867).
Studimi mbi letërsinë rumune ku trajtohen Giorgio Cretiziano, Eliade Radulesco u botua fillimisht në ‘Rivista Orientale e Firences’ (1867) e më pas u përkthe në italisht nga Prof. Pietro Ardito dhe u botua në revista L’Umbria e le Marche (1868-‘69). Një shkrim për Radulesco u botua edhe në Illustration (14 nëntor 1868). Figura të tjera që trajtovi Dora D’Istria e që i përkasin këtij seksioni janë: një studim mbi Giuzepe Veludo (1869), një shkrim mbi Marko Polon (1869), ‘Rusët e mongolët’ dhe ‘Jean du Plan de Caprin’ (1872), një nekrologji mbi Eliade Radulesco (Neologos 1872).
Një studim mbi historianët në literaturën gjermane doli në Konstandinopoli në revista ‘Evridiki’ (15 janar 1872) ndërsa studimi mbi letërsinë franceze në shekullit XIX-të, u botua në ‘Revue Iinternationale’ duke filluar nga dhjetori i vitit 1884 e, vazhdoi në shumë numra, deri në 10 gusht të vitit 1885.
Pjesën e dytë të bibliografisë Cechetti ia ka kushtuar çështjeve fetare që trajtoi Dora d’Istria, ku na rendit veprën e mirënjohur që e bëri të famshme në Evropë: ‘Jeta në manastiret në Kishën e lindjes’, të botuar në Bruksel (1855) dhe më pas në Paris (1858). Më tej studimet ‘Rumania dhe kisha ortodokse’ (1857); ‘Rumenët dhe papati’ (1856). ‘Letër një filozofi athiniot’ (1860), ‘Mitollogjia zoollogjike’ (1873). Por edhe shkrime të tjera të pa përmendura nga Cechetti në lidhje me këtë argument si: ‘Kisha dhe Perandoria’ në shekullin e IV-ët për princin Alberto de Brolie (1856), ‘Kisha ortodokse’ (1874) ‘Teollogjia dhe mrekullitë e Zonjës dë Krüdner’ (1888).
Pjesa e tretë që rreshton shkrimet me karakter shoqëror Cechetti e ka ndarë në dy nënkapituj: 1. ‘Probleme femërore’ dhe 2. ‘Polemika kundra luftës’. Bibliografia këtu nis me veprën e njohur: ‘Femrat nga një femër’ (Pariz 1865) dhe vazhdohet me shumë shkrime e studime që kanë parë dritë në periodikë të ndryshëm të kohës. Citojmë kështu: ‘Çështja e grave në Austri’ (maj 1873) ‘Çështja e grave në Gjermani’, (qershor 1873); ‘Gratë e forta’ (Neë York 1871); ‘Një princeshë ruse për të drejtat e grave’, (New York 1871); ‘Letër Presidentes të shoqatës të Zonjave greke për arsimimin e grave’ (1872) ‘Letër Presidentes të Parnassos’ (1873).
‘Kushtet e grave ndër sllavët e jugut’ (1878) ‘Letra e princeshës Dora d’Istria, mbi kufizimet në punët e grave’ (1878); ‘Letër e Princeshës Dora d’Istria, mbi elektoratin në gratë’ (1878); ‘Letër zonjës Aurelia Ciminio Folliero’ (1873) etj. Këtu mund të futim edhe shkrimin ‘Shqiptarët e Krishterë’ i publikuar revistën (1874), ku trajtohen probleme që lidhen me zakonet e martesave në Shqipëri por edhe me situatën e gruas shqiptare./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













