NIKOLLË LOKA
Av. ALFDRED DUKA
NIKOLIN KURTI
Pjesa e katërt
PSE NUK QËNDRON AKUZA POLITIKE PËR KOLABORACIONIZËM?
-Vazhdues i traditës së klerikëve katolikë atdhetarë –
Afrimi me italianët është motivuar edhe nga nevojat e shumta ekonomike të Kishës Katolike Shqiptare!
Në periudhën e shërbimit në Tiranë, Dom Shtjefni vendosi të ndërtonte një godinë të re kishtare, të denjë për kryeqytetin. Në mes të personave që e ndihmoi klerikun Kurti ishte Ambasadori i Italisë, Françesko Jakomoni, i cili pas pushtimit u bë Mëkëmbës i Përgjithshëm i Viktor Emanuelit (Guvernator i Shqipërisë). Ai pati ndërmjetësuar te Banka Kombëtare për 300 napolona ari. Por kisha nuk u ndërtua pasi, munguan ndihmat nga donatorët. Ishte Delegati Apostolik Imz. Nigris që, në vitin 1938, e kishte sugjeruar ndërtimin e Katedrales. Njëkohësisht me grumbullimin e fondeve, Dekani Kurti, i dërgoi kërkesë shtetit për lejen e ndërtimit që ishte miratuar.
Zyra Famullitare Katolike Tiranë, 17.IX.1942
Prot. Nr. 420/42
P.T. Kryeministrisë
Zyra Qendrore e Edilicjes dhe e Urbanistikës së Shqipnisë, me letrën të vetën të 15-X-1940-XVIII, Prot. Nr. 126, na pat dërgue nji “stralcio” të planimetrisë së shëtitores Perandorake në Tiranë, e miratume edhe për sistemin e Kishës Katedrale Katolike dhe e aprovume peri komisionit qendror t’Edilicjes dhe Urbanistikës së Shqipnisë më 14 korrik 1940.
“Stralcio-n po ju a bashkanjisim me letër t’onë me luteje qi mbasi ajo Kreministris të ken krye punë, prap të na e kthejnë.
Kjo Zyra Famullitare Katolike e Tiranës. ka nderin njëkohësisht me ju lutë asaj Kryeministri qi, ta napin urdhrat e duhna Zyrës kopetete për caktimin definitive (tue vue kuja rreth e për çark) të truellit të Katedrales në fjalë.
Çështja e caktimit të këti truedhit ka nji formë ngutësije, mbasi auktoritetet kishtare Katolike mendojnë, së shpejti me vu themelet.
I sigurt se kjo luftë e kësaj Zyre Famullitare Katolike do të merret parasysh dhe do të përshtatet prei ati dikasteri të naltë. I nënshkruemi parafalenderon dhe mbetet gjithmonë me nderime ndaj atë P.T. Kryeministri.
Famullitari Katolik
Don Shtjefën Kurti
Dekani i Dekanatit të Tiranës, e kishte për detyrë të ndërhynte pranë autoriteteve shtetërore për plotësimin e nevojave shpirtërore të besimtarëve, brenda kushteve dhe rrethanave. Ai i drejtohet Drejtorisë së Institutit Femëror, për t’ua pranuar murgeshave veshjen fetare, si dhe për t’u dhënë të drejtën për të shkuar në kishë për meshën e të djelës:
“I nënshkruemi, famullitar i qytetit, ka nderin me ju lutë qi të keni mirësinë me i lëshue varzat katolike t’atij Istituti me ardhë në kishë për të pa meshën në ditë të dielle e festa të tjera, në të cilat ato nuk ndjekin shkollën, mbasi për to asht detyrë e rëndë fetare pamja e meshës ndër ato ditë të super tregueme. Tue pritë një përgjigje të favorshme e afirmative, kam nderin të paraqes nderimet e mija ma të sinqerta”.
Veprimtaria bamirëse
Misioni shoqëror i Kishës thekson mbështetjen për të sëmurët, të varfëritë dhe të pikëlluarit, përmes veprave trupore dhe shpirtërore të mëshirës. Bamirësia është një instrument i madh i ungjillëzimit, si për ata që japin edhe për ata që përfitojnë nga shërbimet e Kishës. Por Kisha pret që secili t’i plotësojë nevojat e veta dhe të familjes dhe ndihmon vetëm në situate emergjente. Sapo u vendos në Kryeqytet, Dom Shtjefni i kërkoi qeverisë të ngrinte një Komitet Bamirësie, që të mund të ndihmonte familjet e varfra dhe njerëzit pa përkrahje.
Këtë praktikë e vazhdoi edhe gjatë viteve të pushtimit. Mjetet për veprat e bamirësisë do të nxirreshin prej familjeve të pasura dhe do të administroheshin prej Kryesisë së Komitetit, në marrëveshje të plotë me famullitarin e vendit. Për të administruar më mirë të ardhurat që grumbulloheshin për ndihmë ndaj të varfërve, Kisha Katolike në Tiranë, krijoi një komitet bamirës, i cili funksiononte në bazë të rregullave të përcaktuara. Komiteti Bamirës ishte i përhershëm dhe vepronte pranë Famullisë Katolike.
- Komiteti asht nën kryesi të neltë të Shkëlqesisë së tij Arqipeshvit të Durrësit dhe në përgjegjësi të Famullitarit të Tiranës.
- Qëllimi i tij asht me i ndihmue të vorfnit.
- Mjetet për këtë vepër bamirësijet kan për t’u kërkue prej popullit e kan për t’u vu në veprim prej Parisë së Komitetit në marrëveshje të plotë të Famullitarit të vedit.
- Komiteti përbahet prej atyne njerëzve bujarë e zemërdhimshëm, qi dishirojnë me marrë pjesë në të e ja detyrojnë vedit me pague një taksë mujore, caktue prej sejcillit si t’i mjaftojn zemra, e kështu ka për tu ngrehun arka e Komitetit.
- Prej antarve të Komitetit, nën drejtim të Famullitarit, ka m’u zgjedhurn Parija e cilla do t’jet e bame prej nji Kryetarit, prej dy Këshilltareve, prej nji Arkëtarit e prej nji Sekretarit.
- Detyra e Kyetarit do t’jet me i marrë vesht nevojat e të vorfenve, me pleqnue si me ardhë në ndihmë e me caktue formalitetet e këtij veprimi.
- Detyra e Këshilltarëve do t’jet me e ndihmue Kryetarin në zhvillimin e punës së vet.
- Detyra e Arkëtarit do të jetë më e majtë e me e rujtë arkën nën kontrollin të Kryetarit e të Këshilltarëve, e i majtë në rregull regjistrat e njihsimeve, me kenë gadi me u dhanë arsye Kryetarit e Këshilltarëve për, çdo veprim paresh në t’himun e në t’dalun.
- Detyra e Sekretarit asht me e majtë ditoren e Komitetit për historinë e tij.
- Dy herë në vit kanë për t’u mbledhë të gjith anëtarët e Komitetit e sejcilli ka me mujtë me çfaqë ndoj mendim a ndoj dëshir, qi n’u pasht për dobi e përmirësim të Komitetit e të vorfënve, ka për t’u marrë para sysh. Në mbledhjen e dytë ka m’u zgjedhë Partija e re.
- Në rast të nji këndvështrimi a të nji mosmarrëveshtje ç’faret do, në kjoftë e vogël duhet me i ndej gjikimit të Famullitarit; në kjoft e madhe duhet me i ndejë gjykimit të Kryeipeshkvit.
- Me pranue e me përjashtue anëtarë i përket zakonisht Famullitarit, mas propozimit të paris.
Tiranë, 28.1.1938
Frut i veprave të bamirësisë është dhe ngritja e Befotrofit të Tiranës, për të cilin Dom Shtjefni bashkëpunoi me bashkëshorten e Mëkëmbësit të Përgjithshëm, Maja Jakomoni. Për ata që e kanë parë si akt tradhëtie këtë veprim, duhet shtruar pyetja: Kush u tradhëtua me ngritjen e një Befotrofi që i mungonte vendit deri atëherë? Pse u dashka politizuar ngritja e tij, kur në të vërtetë është një vepër humane, pavarësisht se kush ishte nismëtar për ngritjen e tij.
Nëse me atë vepër, zonja Jakomoni synonte që të fitonte simpatinë e shqiptarëve, ky nuk ishte një problem i Kishës. Nisma të tilla gjithnjë kanë popullaritet dhe shoqërohen me propagandë dhe sigurisht rregjimi e kishte bërë atë, por nuk ishte faj i një kleriku as për propagandën dhe as për efektin që do të kishte ajo në popull. Nga ana tjetër, Befotrofi do të administrohej nga Kisha dhe jo nga autoritetet, pra vinte më shumë si vepër e kishës sesa e shtetit.
Në shkresën që i dërgon Arqipeshkëvit shkruhet:
Zyra famullitare
E Kishës Katolike
Tiranë Tiranë 22-VII-1941
Pra.Nr.342/41
E Nderta Madre Eprore
Mbas kërkesave të bama rishtas te Konteshes Danna Moja Jakamoni, ju solla edhe nji herë Arqipeshkvit për të marrë nji vendim përfundimuer në çështjen e Befotrofit për t’u ngrehë.
Aqiveshkvi ka vendue me çelë këtë vepër, prandaj ja u njoftojmë këtë vendim që në mbledhjen e Kapitullimit, të mirret para sysh sa lypet për këtë nevojë.
Me nderime
Famullitari
Don Kurti
Dom Shtjefni futi praktikën e veprimtarive kulturore me qëllim mbledhjen e të ardhurave për bamirësi dhe për këtë qëllim iu drejtua Ministrisë së Kulturës Popullore:
Kryesia e Kshillit të
Ministrave Nr.282/51
Ministrisë së Kulturës Popullore
Tiranë
Famullia e Kishës Katolike të Tiranës afrojnë spontanisht një bashkëpunim Komitetit për të Ndihmuar të Mjeruarit nga lufta dhe vuri në dispozicion grupin dramatik të sajën për dy shfaqje artistike. Drama e parë që asht për të luajtur titullohet:
“Paraxhini i vogël” dhe e dyta që mund të përgatitet brenda nji muaji asht: “Dashunija Atnore”. Të gjitha organizimet përkatëse si dhe shitja e biletave do të plotësohen vetë prej Famullis të Tiranës.
Ata nga Ministria e Kulturës Popullore kërkojnë vetëm të ndihmojë mbi sigurimin e nji salle kinemaje për shfaqjet e lart-përmendura. Të gjitha t’ardhunat do të derdhen në favorin e të mjeruarve nga lufta. Prandaj luetmi të keni mirësinë të hyni në marrëveshjet me një nga Drejtorat e kinemave që të vejë një sallon në dispozicion për këtë qëllim dhe të caktojë datën përkatëse”.
Famullitarja e Tiranës pret përfundimin direkt nga ajo P.T. Ministri. Më 6 prill vjen edhe përgjigja aprovuese e Ministrisë së Kulturës Popullore, firmosur nga njëri nga drejtorët e atëhershëm Nush Sheldia, që me shkresën Nr.665, lejon shfaqjen e dramës “Jevga e Volgës” në sallonin e Famullisë së Tiranës.
Kisha kishte mbledhur fonde për të ndihmuar të mjeruarit. Në një letër për Kryeministrin Rexhep Mitrovica, Dom Shtjefni e informon: Kështu më 21.IV.1944 i dërgon nji letër Kryeministrit Rexhep Mitrovica, ku e informon për këtë çështje:
Famullitari Tiranë më 21.IV.1944
Don Shtjefën Kurti
Prot.Nr.132/44
Z. Rexhep Mitrovica, kryeministër
Tiranë
Zoti Kryeministër, kam nderin t’i njoftoj se sot kam çue në bankë, Kryetarin e Rinis të Veprimit Katholik të Rrethit të Shën Shtjefnit, Z. Luigj Dodën, me derdh shumën e Fra. Dymijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e dy (2.762) për dobi e në ndihmë të të mjeruarve nga lufta. Ajo shumë kje nxjerrë prej shfaqjes teatrale qi luajti Grupi teatral i Rrethit të Shën Shtjefit, në Kino “Kosova” ditën 15 prill 1944.
Njiherit ju bashkanjes edhe listën e shpenzimeve. Mjerisht, shuma ashte e vogël e duhet thanë se edhe shpenzimet qenë mjaftë modeste, por e theksoj se nuk patën as ma të voglën përkrahje prej kuej duhej.
Pranoni, Z. Kryeministër, nderimet e mia ma të shquetat.
Famullitari
Don Shtjefën Kurti
Ashtu siç kërkonte nga shteti që të kontribuonte për bamirësi, Dom Shtjefën Kurti kërkon angazhimin e Kishës për të ndihmuar skamnorët katolikë. Vetë ai në emër të Kishës merrte përsipër shpërndarjen e atyre ndihmave.
Zyra Famullitare
E Kishës Katolike
Tiranë
P.T. Ministrisë së Ekonomisë Tiranë
Prot. Nr. 119/44
Zyra Famullitare lutë Atë P. T. Dikaster me u kujtue e me denjue me dhanë, si gjithmonë, për rastin e Pashkëve, nji sasi ushqimesh për personalin e famullisë si edhe për të vobektit katolik të qytetit.
Famullitari
Don Shtjefën Kurti
Dom Shtjefni i mori në mbrojtje njerëzit në nevojë, që fati i përplaste në Tiranë dhe e shihnin Kishën si mbështetësen e vetme të tyre, siç ishte rasti i dy jetimëve Sokol dhe Zef Ndoi nga Puka, të cilët kërkoi të sistemohen në Strehën Vorfnore. Po ashtu ndërhyri për ta dërguar në Strehën Vorfnore që administrohej nga Kisha një vogëlushe me emrin Tone.
Në një shkresë dërguar Kryqit të Kuq Shqiptar, Kurti shkruan: “Kemi për dore një vashëz nëntë vjeçe e quajtur Tone, bija e Nik Gjonit dhe Marisë së Rrok Harushës. Vajza asht prej Prizrenit e nuk e njeh babën e saj, se ai e ka lan gruan, kur ajo nuk kishte lindë (dy muaj para se të lindte), dhe nuk e din a i ka kundë gjallë. Vjaza pra asht rritë jetime. E ama don t’punoje për me fitue jetesën. Por në shërbim nuk e pranojnë me gjith fëmi. Tue kenë se fëmija, ka krye në Prizren tri klasë shkolle në gjuhen serbishte, i nënshkruemi ka nderën me i’u lutë Kryqit të Kuq Shqiptar ta pranojnë sa ma parë në Strehën Vorfnore”.
Famullitari Kurti ndeshej përditë me njerëz hallexhinj që nuk kishin portë tjetër ku të trokisnin, përveç Shtëpisë së Zotit dhe ai angazhohej që t’i ndihmonte. Këtë punë të përditshme që ai e bënte në heshtje, e shpreh në një shkresë që ua dërgo drejtuesve të Kongregacionit të Zojës së Papërlyer. Dom Shtjefni shkruan: “I nënshkruemi mundohet përditë me bë çka asht e mujtun, edhe me mënyra të jashtëzakonshme, për me i’u ardhë më ndihmë të vobegtëve të qytetit, si dhe të tjerëve qi puna i sjell nëpër këtë qytet”.
Organizator i veprimtarive arsimore dhe kulturore
Kisha Katolike në Tiranë kishte disa shkolla dhe kopshte, ku jepnin mësim murgesha ose klerikë, si dhe laikë të paguar nga vetë Kisha. Nga një dokument i 15 gushtit të vitit 1942, firmosur nga famullitari i komanduar, Don Luigj Gashi, mund të nxjerrim disa nga institucionet e edukimit që mbaheshin nga Kisha. Motrat Stigmatine një shkollë me 70 nxënës, ndërsa shoqëria fetare “Bijat e Zojës”, mbanin dy shkolla me nxënës konviktorë; Motrat Servite, mbanin dy shkolla foshnjore dhe punëdore, e para me 170 nxënës, e dyta me 39 nxënës.
Edhe klerikët jepnin mësim në këto shkolla. Nga ana tjetër Kisha e kishte për detyrë të përcaktonte, ndërmjet klerikëve, mësuesit e besimit për shkollat shtetërore paguheshin nga shteti për punën që bënin dhe ishin në përbërje të organikave të shkollave. Si mësues besimi kanë shërbyer të gjithë klerikët e famullisë së Tiranës, përfshirë dhe vetë Dom Shtjefën Kurtin.
Dom Shtjefni kishte përvojë dhe pasion për zhvillimin e veprimtarive kulturore, artistike dhe sportive. E kishte nis këtë punë që në Shkup, pastaj kudo ku kishte shërbyer: Prizren, Novosellë, Gurëz dhe pastaj në Tiranë. Nga informacioni që Don Shtjefni i’a dërgoi Kryeipeshkëvisë së Durrësit për vitin 1943, Rrethi i Shën Terezinës ka 55 anëtare, rrethi i Bijat e Zojës ka 60 antare, vajza në shkollë të punës së dorës 107 antare”. Dom Shtjefni i kishte bërë kërkesë Ministrisë së Kulturës Popullore, me shkresën Nr. 454/2 dt. 4-6-1942 dhe kishte mundur të nxjerrë lejen për themelimin e një kinemaje pranë kishës. “Kjo Ministri më dt. 11-III-1942, i ka akordue asaj Famullije një leje për të çelur një kinema n’oborrin e Kishës së këtij qyteti”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016