Nga Dom Zef Simoni
Pjesa e parë
Memorie.al publikon një studim të panjohur të Dom Zef Simonit, me titull “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944 në 1990-ën”, ku kleriku katolik me origjinë nga qyteti i Shkodrës që vuajti për vite me radhë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më 25 prill 1993 u shugurua Ipeshkv nga kreu i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali i II-të , pasi ka përshkruar një histori të shkurtër të Klerit Katolik në Shqipëri, është ndalur gjatë në persekutimin që pësoi Kisha Katolike në regjimin komunist, nga viti 1944 deri në vitin 1990. Studimi i plotë i Dom Zef Simonit, duke filluar nga tentativat e qeverisë komuniste të Tiranës menjëherë pas mbarimit të Luftës për ta shkëputur Kishën Katolike nga Vatikani, fillimisht duke i ndaluar kthimin në Shqipëri Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris, pas vizitës që ai kishte bërë te Papa në Vatikan në vitin 1945 dhe më pas me presionet e kërcënimet ndaj Monsinjor Frano Gjinit, Gaspër Thaçit e Vinçens Prenushti, të cilët e kundërshtuan prerë “ofertën” e Enver Hoxhës dhe si rezultat u pushkatuan prej tij, si dhe fatin tragjik të shumë klerikëve të tjerë që arrestuan, u torturuan dhe u dënuan me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.
Studimi i Dom Zef Simonit
Me 16 gusht të vjetit 1944, me rastin e festës së Shën Rrokut që kremtohet posaçërisht në Shirokë, një fshat buzë liqenit të Shkodrës, në proçesionin e kësaj dite, Dom Ndre Zadeja, meshtari i detyrës, gojëtari në za dhe shkrimtari i zgjedhun, i flaktë në zemër, e nder vepra për “Fe e Atdhe”, binom që kishte karakterizuar Klerin Katolik historikisht, e sidomos në kohët e luftërave të Gjergj Kastriotit-Skanderbeut, këto fjalë i tha popullit e rinisë: “Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me ju, o të rij. Një re e zezë me një ideologji të kuqe po vjen mbi kokat tueja. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s’keni për të pasë çka me i bë, veç me bajtë e me i sprovue të këqijat, se përveç të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin”. Këto fjalë i tha tre muaj e pak, para se të hynte komunizmi në Shqipni, e gati shtatë muaj para se të pushkatohej meshtari i zjarrtë, i vlershëm Dom Ndre Zadeja, i pari meshtar i pushkatuem në Shkodër, mbas murit të varrezave katolike, me datën 25 mars 1945, ditë e dielle, ngjarje kjo që tronditi Shkodrën, rrethet, malësitë dhe mbarë Shqipninë.
Komunistët e morën vesh vonë, se mesha e mesnatës për Krishtlindje, me 24 të dhjetorit 1944 në Kishën Katedrale, nuk do të thuhej, se mos ngjante ndonjë turbullim. Por regjimi i ri nuk e duronte këtë veprim. Prandaj disa nacionalë-çlirimtarë të krishterë edhe ndonjë komunist i krishterë, ndonëse vonë, rreth orës dy të pasdrekes, i’u drejtuan Krye ipeshkvit të Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçit, me lutje të thuhej Mesha e Mesnatës. Mbasi Imzoti u tha se: ‘tashti asht tepër vonë me lajmue popullin’, këta i premtuan se merrshin përsipër ta lajmojshin. Shkojshin derë në derë tue thanë: “Sonte thuhet mesha e mos kini frikë, pse besimi asht i lirë”. Për ma tepër, po të thonte kush se besimi nuk do të ishte i lirë, kjo do të quhej prej regjimit të ri një shpifje, një parullë e fortë e reaksionit, e do të kishte ndëshkime. Shej i sigurt se nuk do të kishte dredhi u bë të ramet e kumbonëve në mbarë qytetin e një popull i madh mori pjesë qetësisht e me shumë gëzim në Meshen e Mesnatës.
Por regjimi i ri nuk mundi të durojë gjatë, nuk mundi të qëndronte pa gënjeshtrat e veta e pa gënjeshtarë në gjithçka.
Filloi shpejt persekutimi, një persekutim i posaçëm në botë e në historinë e kombit tonë, një masakër fanatike dhe e vazhdueshme pesëdhjetëvjeçare, për të rrënue gjithçka me vlerë që ishte arrijë sidomos mbas pavarësisë. Lufta kundër Kishës e besimit katolik në këtë kohë mund të ndahet në tri faza:
E para, fillon nga vjeti 1945 deri në 1950. Asht ajo e zhdukjes së klerit, me burgime e pushkatime, mbas torturave fort çnjerëzore, të zhdukjes së vlerave shpirtërore e kulturore katolike në mbarë Shqipninë, nën udhëheqjen e Partisë Komuniste, drejtue prej Enver Hoxhës, mbështetë në politiken sllave direkt në Shqipni, drejtue prej Titos.
E dyta fazë, nisë nga vjeti 1951 deri në 1960, e asht ajo që na po e quajmë një lloj pakësimi të ashpërsimit të luftës kundër fesë, mbas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë.
E treta, mbas prishjes me Bashkimin Sovjetik në vjetin 1961, por duke mbajt vijën staliniste, ajo e periudhës kineze, kur do të ngjajnë presione kineze, mbyllja e kishave dhe e të gjitha institucioneve fetare në Shqipni, me revolucionin kultural, deri në 1990.
Shqipnia, kishtarisht kishte pesë dioqeza dhe Abacinë Nullius të Mirditës.
Ishte arkidioqeza e Shkodrës, qendër metropolitane që drejtohej nga argjipeshkvi i saj, Imzot Gaspër Thaçi, Argjipeshkvia e Durrësit me argjipeshkvin Imzot Vinçenc Prennushin, që ishte edhe Administrator i Shqipnisë së Jugut, Imzot Gjergj Volaj, ipeshkëv i dioqezës së Sapës, Ipeshkvia e Lezhës me Imzot Luigj Bumçin, Ipeshkvia e Pultit me Imzot Bernardin Shllakun, Abacia Nullius e Mirditës, me qendër në Orosh me Ipeshkvin Imzot Frano Gjinin dhe Delegatin Apostolik, me qendër në Shkoder, Imzot Leone Nigris.
Gjendeshin në Shqipni disa urdhra rregulltarësh e rregulltaresh. Urdhri i Shën Françeskut me provinçialin në Shkodër, urdhën i hershëm qysh në shekullin XIII, që, si mbas traditës, me ardhjen e Shën Françeskut në Lezhë. Një urdhen që mbante misionin edhe në zonat ma të vështira të Dukagjinit. Lavroi gjuhën shqipe e hapi një farë shkolle të mesme në Pëdhanën e Zejmenit, në shekullin e shtatëmbëdhjetë, edhe dy shkolla, ajo e Troshanit dhe e Blinishtit. Në qytetin e Shkodrës fretër këmbëzbathur, me sandale, hapshin të parën shkollë fillore publike në Shqipni, për të vorfënit, me 1861.
Ma vonë të vorfnit e Asisit hapën edhe liceun “Illyricum” i një niveli të naltë, me nxënës nga mbarë Shqipnia e për të krishterë e myslimanë. Një urdhën që dha figura të shqueme të dijës në të gjitha fushat si gjuhëtarë, shkrimtarë, profesorë të shquem të kulturës klasike greko-romake, historianë si: Mons. Vinçenc Prennushi, Atë Anton Harapi, Atë Gjergj Fishta, Atë Justin Rrota, Atë Marin Sirdani, Atë Pashko Bardhi, Atë Bernardin Pali, Atë Donat Kurti, Atë Gjon Shllaku, me të nipin e vet françeskan, Atë Aleks Baqlin, Atë Frano Kiri, Atë Benedikt Dema, Atë Viktor Volaj, Atë Daniel Gjeçaj e të tjerë, të gjithë të pregatitun në Universitetet e Europës, duke shti kulturën pozitive të Europës e duke i dhanë një zhvillim të madh kulturës shqiptare.
Shoqnia “Jezus”, me fillesën e vet në Shkodër, në vjetin 1841, bënte një mision të përmendun për të rrënjosë fenë me devocione e lutje që do të mbesin të paharrueshme edhe gjatë persekutimit në zemrat e buzët e popullit. Një mision, që zbuste zakonet e ashpra e pajtonte gjaqet e shumta që arrijshin në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë, deri në numrin 4000 pajtime.
Një shoqni që sjell e zhvillon një kulturë të mirë evropiane e kulturë kombëtare në Seminarin Papnuer dhe në liceun e Kolegjes Saveriane, duke pasë njerëz të shquem, si: Atë Jak Jungun, Atë Genovizzi-n, Atë Anton Xanonin, Dom Ndré Mjedën, Atë Mark Harapin, Atë Gjon Karmën, Atë Jak Gardin-in, Atë Daniel Dajanin, Atë Giovanni Fausti-n, Atë F. Cordignano-n, Atë Zef Valentini-n, Atë Pjetër Meshkallën, Atë Ndoc Saraçin, Atë Zef Saraçin, etj.
Salezianët e salezianet, të përhapun në disa qendra në Shqipni, të cilët si mbas drejtuesit e pedagogut të madh Dom Gjon Bosko, merreshin kryesisht me rini, duke shtie nder ata shpirtin e uratës e të punës. Orionitët, edhe këta në gjasim të Salezianëve.
Kuvendi i motrave Stigmatine, Servite, Vinçenciane, të cilat punojshin aq shumë për edukimin e vajzave në shoqni fetare, në shkolla femërore e Vinçencianët nder spitale. Ishte dhe një numër i madh meshtarësh që shërbejshin në famullitë, o gjendeshin në qytete për të mbajt shkollat, licetë.
Ndër dhunat e para të qeverisë komuniste ndaj Kishës, qe mospranimi i Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris, në vjetin 1945, kur po kthente mbas vizitës te Papa, prej Rome në Shqipni. Duke zbrit në Durrës, i qe ndalue të hymit. Në vendin e tij emnohej si Zëvendës – delegat Apostolik, Ipeshkvi i Abacisë Nullius, Imzot Frano Gjini. Imzot Gaspër Thaçi, së bashku me Imzot Vinçenc Prennushin u thirrën prej Enver Hoxhës që u kërkonte bashkëpunim, me konditë që këta të shkëputeshin nga Selia Shejtë. Të dy refuzuan me guxim këto propozime.
Mbas vdekjes së Imzot Gaspër Thaçit, Enver Hoxha provoi përsëri një tentativë tjetër, duke e thirr Imzot Frano Gjinin. Refuzimi i Imzot Gjinit ishte i premë: “Unë nuk do ta ndajë kurrë grigjën teme nga Selia Shejtë”. Asnjë nga Kleri Katolik nuk pranoi skizmë gjatë historisë së persekutimit.
I pari meshtar i pushkatuar në Shqipni ka qenë Dom Lazer Shantoja në vjetin 1945. I’u banë tortura të tmerrshme në trupin e tij, duke e copëtue këmbësh e duarsh. Kur e pa e ama e vet në atë gjendje, i u lut qeverisë duke i thanë se: “E paguaj unë plumbin që ta pushkatoni tem bir. Nuk mund të shifet prej askujt në atë gjendje”!
Shpejt u arrestuan meshtarë françeskanë, si: Atë Gegë Luma, famullitar në Berishë, e me radhë Atë Dioniz Makaj, në Nikaj e Mertur, Atë Alfons Çuni, Atë Gaspër Suma e Atë Sebastian Dedaj në Theth e Gomsiqe, meshtari misionar gjerman Dom Zef Maksen, e sa e sa të tjerë.
U burgosën Atë Gjergj Vata, i cili nuk ishte konsakrue ende meshtar, e Atë Jak Gardin-i i Shoqnisë “Jezus”, italian me origjinë, por me vepra, shqiptar i fortë.
Në liceun e Françeskanëve edhe atë të Jezuitëve, në vjetin shkolluer 1945, imponohej nga regjimi formimi i një celule të rinisë. Vinte një propagandist që fliste. Prezent ishte edhe një profesor, si mbas radhe. Në radhën që kishte pasë Atë Jak Gardin-i, i kishte paraqitë mbledhjes së të rinjve disa objeksione. Ditën e Shën Luigj Gonzagës, me 21 qershor, Atë Gardini mbajti predkun në kishë duke naltue figurën e shenjtit.
Në kishë ishin edhe disa “agjentë civilë”, që shënojshin fjalët e tij mbi Zotin e Shejtin. Në këtë ditë të 21 qershorit, ora 9 të mbrëmjes u arrestue. Ky ishte shkaku i arrestimit dhe i dënimit me dhjetë vjet burgim, që do t’i kalonte nëpër burgjet e kampet e punës të Maliqit të Korçës e të Bedenit të Kavajës, pasqyrue ne librin e tij “Dhjetë vjet burg në Shqipni”, i përkthyem në disa gjuhë të Europës dhe në gjuhën shqipe prej Mons. Simon Filipaj.
Me datën 21 të qershorit u arrestue për të parën herë dhe Atë Gjergj Vataj.
Me 31 të dhjetorit 1945, u zbulue organizata nacionaliste “Bashkimi Shqiptar” me të krishterë, myslimanë e rrajën e kishte në Seminarin Papnore në Shkodër. Prej një zelli atdhetar, disa seminaristë vepruan pa dijeninë e të pareve, me disa aksione shtypi, me trakte që shkaktuan edhe arrestimin e pushkatimin e Atë Giovanni Fausti-t, italian, nënprovinçial i Shoqnisë “Jezus” dhe të Atë Daniel Dajanit, shqiptar, Rektor i Kolegjës e i Seminarit.
Në një grup me këta bashkuan edhe intelektualin aq të shquem shqiptar, Atë Gjon Shllakun, nxënës i neotomistit të shekullit, Jean Jacques Maritain, të akuzuem padrejtësisht se kishte formue demokristianen. Me këtë grup u pushkatue dhe organizatori kryesor, seminaristi Mark Çuni. Gjithsej shtatë vetë, në një ditë të mbylltë me shi e me vaj, të datës 4 mars 1946.
Në dosjet e tyre të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në momentet para pushkatimit, u gjetën fjalët: “Rroftë Krishti Mbret” dhe “Falim armiqtë tanë”.
Lëvizja e Postribës, me 9 shtatuer 1946, arrestoi dhe një grup meshtarësh, pa marrë pjesë ata në ketë lëvizje. Arrestohen Imzot Frano Gjini, Imzot Gjergj Volaj, Imzot Nikollë Deda, Dom Tomë Laca. Të tre këta prelatë u pushkatuan.
Në vjetin 1946, zbuluan në malësi të Dukagjinit Atë Anton Harapin, anëtarin e Regjencës, që mbas torturave të rënda, u pushkatua së bashku me Lef Nosin e Maliq Bushatin.
Provinçialin e françeskanëve, Atë Mati Prennushin, dhe gardianin e fretërve në Shkodër, Atë Çiprian Nikën, të akuzuem me shpifje se kishin futë armët te lteri i kishës së Shënandout, në kishën françeskane të Gjuhadolit, të cilët, mbas një qëndrimi trimash në gjyq, u pushkatuan e vdiqën martirë.
U dënuan e vuajtën rëndë nder burgje Atë Pal Dodaj, Atë Donat Kurti, Atë Aleks Baqli, Dom Tomë Laca, Atë Mëhill Miraj, Dom Nikollë Shelqeti, Dom Mark Hasi, Fra Zef Pllumi. Kuvendi i françeskanëve të Gjuhadolit u shndërrue në një hetuesi të përgjakshme që na e përshkruan saktë Atë Zef Pllumi në librin e vet “Rrno për me tregue” dhe në një burg, ku marrin frymë afër 700 të burgosurish.
Edhe frateli i përvuejtë i françeskanëve, fra Ndue Vilaj, që pësoi vetëm tortura, kurse frateli i shquem nga Kosova, i Jezuitëve, Gjon Pantalija, vdiq mbrendë nder tortura. Atë Pal Dodës, i’u gjet nder mundime si një motër e mirë, Drita Kosturi, e si një vëlla i vërtetë nder çastet e vështira, në burgun e Durrësit, Imzot Vinçenc Prennushit, Arshi Pipa.
Shumë meshtarë e rregulltarë u arrestuan, u torturuan dhe u dënuan me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.
Herë mbas here, në orët e para të agimit, mbas varrezave të Rrëmajit në Shkodër, dëgjoheshin krismat e pushkëve që shtrijshin përdhé meshtarë, rregulltarë e sa civilë katolikë e myslimanë. Llojet e torturave ishin nga ma të ndryshmet, si: korrenti elektrik, mbushja e gojës me kripë, kamxhiku e druni, futja me kokë poshtë në fuçi me ujë të akullt për disa ditë, me ecë këmbë zbathë mbi pllaka të kuquna metalike, me të shtie vezë të zieme nën sqetull, pakësimi i ushqimit për të shkaktue vdekjen, ilaçe për të shkatërrue sistemin nervuer e për të bë të flasësh çka nuk di as ai vetë, e lloje të tjera të shpikura nga njerëz të Sigurimit të pashpirt.
Vinë me radhë, Dom Anton Muzaj, i torturuem për vdekje, të cilin e liruan gjallë e për gazep, që mbas pak muajsh, vdiq në argjipeshkvi në moshën 29-vjeçare. Dom Dedë Maçaj, porsa meshtar i ri, u pushkatua para regjimentit ushtarak në Përmet.
Do të vdisshin, pa gjyqe, ndër tortura, Atë Bernardin Palaj, të cilit, i lidhën trupin me një tel të ndryshkun, vdiq nga sëmundja e tetanosit. Dom Lekë Sirdani e Dom Pjetër Çuni, arrestohen e do të vdesin ndër tortura me krena teposhtë në gropat e zeza. Dom Dedë Plani, Dom Luigj Bushati e Dom Luigj Prendushi, u pushkatuen. Atë Bernardin Llupi u pushkatua në Pejë. Dom Alfons Tracki e Dom Zef Maksen, i pari me origjinë polake dhe i dyti gjerman, u pushkatuan. Atë Serafin Kodës i duel shpirti me gabzherrin e nxjerrun nga fyti. Papa Pandit, prift i ritit oriental në Korçë, i prenë kokën, duke i’a vendosë mbi trupin e tij të vdekur e Papa Josifin, prift i ritit oriental në Elbasan, e mbytën në kampin e punës së mundimeve në kënetën e Maliqit.
Këta janë shembuj të naltë të jetës para vdekjes në jug, të cilët i përshkoi në shekullin e parë Apostulli Pal, e Apostulli Andrea. Krishterimi nuk ka hy në Shqipni nga pushtuesi. Roma e kishte pushtue Ilirinë, por ajo ka persekutue idhtas të krishtenët e krejt Perandorisë.
Dom Mark Gjanit, duke e torturue, i kërkuan ta mohonte Krishtin. Përkundrazi Dom Marku tha fjalët e fundit mes dhimbjeve: “Rroftë Krishti Mbret!” Vdiq i varur nder shpatulla,duke i’a hedhë trupin qenve e mbeturinat e tij i lëshuan në përrua. Tamam ashtu si vepruan turqit me eshtrat e Gjergj Kastriotit, e me prelatin e lavdishëm, Imzot Pjetër Bogdanin, apo si vepruan ma vonë komunistët, duke nxjerrë prej varrit eshtrat e Mons. Jak Serreqit, Mons. Lazër Mjedës, Mons. Gaspër Thaçit, Mons. Ernest Cozzi-t, Mons. Bernardin Shllakut, Atë Gjergj Fishtës e së bashku me atë, pa ditë gjë, të Dedë Gjo’ Lulit, eshtrat e të cilit françeskanët i kishin ruajt në varret e tyre për t’i bë një monument.
Motër Maria Tuci, person që i kushtohej Zotit, qe arrestue e provoi torturat e një lloji antinjerëzore, por qëndroi heroike për të ruajt, fe e nder. Mbasi u lirue nga hetuesia, vdiq shpejt në spitalin e Shkodrës. Tortura të jashtëzakonshme provuan Atë Anton Luli, patër i “Shoqnisë Jezus”, që pat torturën e “Lojës me top”, korrentin e rrymës elektrike e torturën e mijëve e tjera të paraqitura në librin e tij: “Atë Anton Luli S.J. Ne e dinim martir…” Atë Frano Kiri provoi në Sigurim tri ditë e tri net, i lidhur me trupin e një të vdekuri dhe e zgjidhën, “ndërsa kullojshin lëngjet e trupit të të vdekurit” fakt i shkruem nga Atë Konrad Gjolaj në librin e tij “Çinarët”. Kurse Atë Gjon Karmën, jezuit, e shtinë në një arkivol për së gjalli, të mbuluem me kapak, duke pas ndonjë birë të çilur, por pa e ditë i torturuari. Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016