Memorie.al/ publikon një dokument arkivor me siglën “Sekret” të nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, i cili i përket fondit të Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një plan-kombinacion i përpiluar nga zv/Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Fierit, Ndue Doçi në vitin 1970, për ndjekjen e survejimin e Sejfulla Malëshovës, ish-ministër i Arsim Kulturës dhe kreu i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve në vitet e para të pasluftës, që pasi ishte goditur nga Enver Hoxha, ishte i internuar në rrethin e Fierit ku punonte si magazinier duhani. Siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë, organet e Sigurimit të Shtetit me në krye Zv/Kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme të Fierit, Ndue Doçi dhe vartësit e tij (Bajram Neli, Et’hem Sinani, Bahri Ferra e F. Boboçi) në bashkëpunim me disa nga mjekët dhe infermierët e atij qyteti, si Kosta Shkurti, Veli Muska, (disa prej të cilëve bashkëpunëtorë të Sigurimit, si “Aparati”, etj), kanë hartuar një plan-kombinacion, me qëllim për ta shtruar në spital Sejfulla Malëshovën, ku pasi ta vinin në gjumë me anë të ilaçeve, do t’i merrnin dhe t’i kopjonin çelësat e shtëpisë së tij, për t’ja kontrolluar më pas, pasi dyshohej se ai shkruante prozë dhe poezi, me përmbajtje armiqësore dhe mbante shënime duke bërë vërejtje në materialet e shtypit e të Partisë! Për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti sekret i Sigurimit të Shtetit, që botohet për herë të parë, të cilin po publikojmë të plotë dhe me faksimilet përkatëse.
Dokumenti sekret i përpiluar nga Zv / Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Fierit, Ndue Doçi, me plan-kombinacionin për Sejfulla Malëshovën
A P R O V O H E T
ZV/KRYETARI I DEGËS SË P. TË BRENDSHME SEKRET
NDUE DOÇI Fier, më 20. II.1970
PLAN-KOMBINACION
PËR KONTROLLIN SEKRET TË BANESËS SË OBJEKTIT ANTI PARTI
SEJFULLA TASIM MALËSHOVA
Nga përpunimi agjentural që i bëhet objektit Sejfulla Malëshova, si objekt antiparti, na del: Se ai në banesën e tij shkruan proza dhe poezi, njëkohësisht objekti u bën vërejtje shtypit dhe materialeve të Partisë, duke lënë dorëshkrime, të cilat për organet tona paraqesin interes operativ.
Duke u ndodhur përpara kësaj situate, lind nevoja të bëjmë kontrollin sekret të banesës së tij. Për të realizuar këto veprime, do të punojmë me këto variante:
VARIANTI I PARË:
Objekti kohët e fundit është kuruar për një bronkopneumoni nga infermieri Kosta Shkurti.
a). Duke shfrytëzuar këtë moment, Kosta Shkurti do të merret në takim, nga P.Op. B. Ferra dhe shefi i seksionit, B. Neli, për ta udhëzuar që të shkojë tek objekti. S. Malëshova, të marri takim me të, ta pyesi për gjendjen shëndetësore dhe ta këshillojë për një kontroll tjetër mjekësor, qoftë në shtëpi më mjek, ose në dispanserinë anti T.B.C., ku do të bëjë vizitën e radio-skopisë.
b). Kosta Shkurti, që ka qenë edhe B.p. (aktualisht mban qëndrim të mirë), do të kërkojë nga objekti, se cili mjek don ta vizitojë.
c). Mbasi të kemi mësuar nga Kosta për mjekun që kërkon objekti, Kosta do të mësohet nga ana jonë që t’i thotë objektit se, mjekun që kërkoni ju, nuk e gjeta, prandaj të solla një mjek (i cili do të jetë B.p. i organeve tona), mendoj se nuk do ta kundërshtoni.
d). Mjeku B.p. do të porositet që objektit gjendjen shëndetësore, t’ja paraqes jo të mirë, dyshon për një shërim jo të plotë dhe t’i japi recetë për barnat e nevojshme, ose për kontroll në radio-skopi.
dh). Mjek radio-llog, do të jetë Veli Muska, i dispanserisë anti T.B.C., i cili do të porositet nga sh. Ndue Doçi, që në rast se i shkon për vizitë Sejfullah Malëshova, ta nxjerri të sëmurë me bronkopneumoni.
e). Në qoftë se objekti nuk do të pranojë të shtrohet, mjeku B.p. do të përdori në drejtim të tij, me anë të infermier Kosta Shkurtit, medikament me afat të shpejtë që t’i sjelli shqetësime, si vjellje, temperaturë, etj. Në këtë kohë, menjëherë do të kërkohet ambulancë nga B.p.“Aparati” që do të rrijë në gatishmëri, për të shtruar objektin në pavijonin e tij.
VARIANTI I DYTË:
a). Në qoftë se varianti i parë nuk do të japi rezultat, atëhere infermieri Kosta Shkurti, duke i bërë një vizitë në sy, do t’i thotë objektit për një botkin, prandaj për t’u siguruar, po ju sjellë mjekun kompetent, që është B.p. “Aparati”, i cili kur të shkojë tek objekti për vizitë, do të kërkojë nga ky i fundit, të bëjë analiza urgjent në laborator.
b). Laburantja Qibre Cerga, A.P., do të porositet nga shoku Ndue Doçi, që rezultatet e analizave, të dalin pozitive.
c). B.p. “Aparati” me të marrë dijeni mbi përfundimin e analizave, menjëherë të marrë masa të shpejta për ta shtruar në pavijonin e tij infektiv.
Në këtë kombinacion, do të parashikohen këto masa:
- Bisedat e infermier Kosta Shkurtit, si dhe B.p. “Aparati”, në banesën e objektit, në të dy variantet, do të përgjohen me T.OP. nga F. Boboçi dhe B. Ferra.
- Me fillimin e kombinacionit, do të organizohet përgjimi i pandërprerë i objektit dhe i banesës së tij, për të gjithë periudhën që do të vazhdojë kombinacioni. Kryen, B. Neli dhe grupi i survejimit.
- Me qëllim që B.p.“Aparati” të jetë i lirë për të vepruar në këtë objekt, një ditë para se të fillojë kombinacioni, të largohet mjeku Vllash Gjeçi nga pavijoni infektiv, me shërbim prej dhjetë ditësh, në një nga lokalitetet e rrethit tonë. Për këtë çështje, shoku Ndue Doçi, do të bisedojë me N/Kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, që ka në patronazh shëndetësinë.
- Do të bisedohet me B.p.“Aparati”, që në pavijonin e tij, të sigurojë një dhomë të veçantë për shtrimin e objektit, për të kryer me lehtësi veprimet dhe rezultatet, që do të japi përdorimi i opiumit, për të marrë pa u kuptuar nga objekti, çelësat e banesës. Kryen B. Neli.
- Një ditë para se të fillojë kombinacioni, në shtëpinë e objektit do të dërgohet B.p.“Morena”, për t’i bërë një pastrim të përgjithshëm banesës, si dhe për të na përcaktuar me saktësi, vendin e çelësave të valixheve. Kryen, P.Op. B. Ferra.
- Të njoftohet Dega Tekniko Shkencore, një ditë para fillimit të kombinacionit, të dërgojë në këtë Degë, specialistin për riprodhimin e çelësave dhe fotografin, Velo Pleshti, me aparatin me film.
- Ky kombinacion, do të kryet nga grupi operativ, i përbërë prej Ndue Doçit, Bajram Neli, Et’hem Sinani, Bahri Ferra dhe personat që do të merren me veprime teknike dhe grupi i survejimit. Ky kombinacion, do të udhëhiqet nga Zv/Kryetari, shoku Ndue Doçi.
Kombinacioni do të fillojë të zbatohet prej datës …deri në datën…ora…! Memorie.al
Marrë nga Historia. al
PUNËTORI OPERATIV SHEFI I SKESIONIT TË QYTETIT
BAHRI FERRA BAJRAM NELI
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016