Dashnor Kaloçi
Pjesa e shtatë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), të cilat mbajnë siglën “Tepër sekret” dhe që i përkasin vitit vitit 1982, ku ndodhen disa raport informacione të anëtarit të Byrosë Politike, Spiro Koleka, sekretari i Komitetit Qëndror të PPSH-së, Vangjel Çerrava, sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Korçës, Enver Halili etj., dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së, lidhur me mbledhjet e komiteteve të Partisë së Pogradecit dhe Korçës, Degëve të Punëve të Brendëshme të këtyre rretheve etj., ku ata kishin marrë pjesë si të deleguar të Komitetit Qëndror. Çfarë u diskutua në ato mbledhje ku u analizua letra e Enver Hoxhës lidhur me “Tablonë sinoptike”, për “armiqtë e tradhëtarët, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, etj., si dhe raport-informacione nga instruktorë të Komitetit Qëndror të PPSH-së, lidhur me letrat denoncuese që kishin ardhur në sektorin që ata mbulonin, për “krerët kryesorë të grupit armiqësor” me në krye Kadri Hazbiun!
Vetëm pak javë pas ngjarjes së 18 dhjetorit të largët vitit 1981, kur kryeministri Mehmet Shehu u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit nga plumb-a pistolete në rrethana tepër misterioze për të cilat dhe sot pas 40 vjetësh vazhdohet të diskutohet ende, me porosi të Komitetit Qëndror të PPSH-së, në të gjitha organizatat bazë të Partisë në mbarë vëndin, u mbajtën dhe u zhvilluan mbledhje të shumta, ku diskutohej: “nën frymën e fjalës së shokut Enver Hoxha, për armikun Mehmet Shehu”, të cilat do t’i shërbenin më pas Enverit për të shkruar: “Tablonë Sinoptike për poliagjentin Mehmet Shehu”?!
Në të gjitha këto mbledhje, veç të tjerash, ashtu siç bëhet e ditur edhe nga një mori dokumentash me siglën “Tepër sekret”, që gjenden në Arkivin Qëndror të Shtetit, Arkivin e Ministrisë së Brendëshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, pjesmarrës e diskutantë të shumtë që kanë marrë fjalën aty, kanë hedhur lloj-lloj akuzash, me të vërteta dhe të pavërteta, denoncime, spiunime, shpifje, trillime, thashetheme, intriga, sajesa e gjithfarë u kanë ardhur për shtat, të gjitha këto në drejtim dhe kundër ish-kryeministrit të vdekur, Mehmet Shehu, familjes së tij dhe atyre që u konsideruan bashkëpunëtorë të tyre, duke përmendur me dhjetra emra, si; ushtarakë, qeveritarë, funksionarë të lartë partiakë, etj., etj.
Po kështu, këto mbledhje u itensifikuan së tepërmi, sidomos pas tetorit të vitit 1982, kur u arrestua dhe Ministri i Mbrojtjes Kadri Hazbiu, (i cili për gati tre dekada me rradhë kishte mbajtur postin delikat të Ministrit të Brendshëm), Ministri i Punëve të Brendëshme, Feçor Shehu, Ministri i Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, zv/ Ministri i Punëve të Brendëshme për Sigurimin e Shtetit, Mihallaq Ziçishti, etj., ku dhe ndaj tyre u përsërit e njëjta tablo, si me ish-kryeministrin Mehmet Shehu.
Dhe pas zhvillimit të këtyre mbledhjeve, komitetet e partisë të rretheve përkatëse, kanë hartuar një sërë raportesh me përmbledhje nga “problemet më kryesore”, të cilat më pas i’a kanë dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së. Për të gjitha këto mbledhje, Memorie.al disponon një numër të madh dokumentesh të nxjerra nga një dosje voluminoze me siglën “Tepër sekret”, ku ish-anëtarë të Byrosë Politike, sekretarë të Komitetit Qëndror të asaj kohe, si Spiro Koleka, Enver Halili, Vangjel Çerrava etj., etj., informojnë Komitetin Qëndror për mbledhjet ku kanë marrë pjesë, duke dhënë me detaje dhe hollësira gjithçka është thënë dhe diskutuar aty.
Po kështu përveç këtyre raporteve, në dosjen në fjalë, gjenden edhe një sërë raportesh të hartuara nga funksionarë të rangjeve më të ulta që nga Komiteti Qëndror e më poshtë, apo dhe raporte kolegjiale të Degëve të Punëve të Brendëshme në rrethe, shtabeve, komandave dhe komiteteve të partisë së korpusve ushtarake, që ishin edhe njësitë më të mëdha që kishte ushtria shqiptare asokohe.
Nga kjo dosje voluminoze në numrat e kaluar kemi publikuar raport-informacionin e ish-anëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Spiro Koleka, dërguar Komitetit Qëndror, lidhur me aktivin e partisë të rrethit të Pogradecit, ku ai ka marrë pjesë si i deleguar, më 25 shtator të vitit 1982. Për të vazhduar në vijim, (në tre shkrime rradhazi) me raport-informacionin “Tepër sekret” të sekretarit të parë të Komitetit të Partisë të Korçës, Enver Halili, dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së (personalisht Enver Hoxhës), lidhur me punën dhe veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit në rrethin e Korçës, si dhe “implikimin” e Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçorr Shehut etj., me punonjës të Sigurimit e persona të tjerë në atë rreth dhe më gjerë. Nga kjo dosje voluminoze që Memorie.al e disponon të plotë, në numrin e sotëm po vazhdojmë me publikimin e disa dokumenteve që i përkasin Komitetit të Partisë së Korpusit të Fierit (Rep. 6561), të nënshkruara nga sekretari i partisë së kësaj njësie, Andon Dollaku, dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe Enver Hoxhës.
Raport-informacioni i sekretarit të Komitetit të Partisë së Korpusit Ushtarak të Fierit, Andon Dollaku, për Komitetin Qëndror të PPSH-së
PARTIA E PUNES SHQIPERISE Sekret
KOMITETI PARTISE Nr.957prot.
REP. 65.61 Fier, më 25 tetor 1982
I N F O R M A C I O N
MBI DISA PROBLEME QE DOLEN NGA MBLEDHJA E ORGANIZATAVE BAZE TE PARTISE TE SHTABEVE DHE KOMITETIT TE PARTISE SE KORPUSIT GJATE DISKUTIMIT TE MATERIALIT TE BYROSE POLITIKE TE K.Q. TE PARTISE “MBI MUNGESEN E THEKSUAR TE VIGJELENCES DHE GABIMET E RENDA TE KADRI HAZBIUT NE KOHEN QE ISHTE MPB” DHE KONKLUZIONET TE PLENIUMIT TE 5-të TE KOMITETIT QENDROR TE PPSH
KOMITETIT QENDROR TE PPSH
T i r a n ë
Të ndryshme
Kritikohet organizata bazë e Partisë së degës së Sigurimit të Ushtrisë për qëndrim opportunist ndaj Çerçiz Xhelos dhe veprimtarisë së tij. Çerçiz Xheloja duhet të arrestohet. Ka mbajtur afër Diftir Hysin.
Shërbimi i policisë nuk i përgjigjet ruajtjes së rregullit dhe rendit publik dhe pasurisë kombëtare. Kjo të shikohet, të jenë policë me rrogë, pa qenë ushtarë, ose po qenë ushtarë të jenë nga jashtë rrethit.
Në aparatin e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore kanë vajtur kuadro me shoqëri, të tillë janë Banush Bega dhe Jani Stepa.
Arjan Qirjakos dhe Gaqo Pojanit i janë dhënë padrejtësisht tituj shkencorë. Arjani në R55AB (Regjimenti 55 i Artilerisë Bregdetare), ka bërë dy lloj vlersimesh, ndryshe në regjiment dhe ndryshe te Kadri Hazbiu.
Të shikohet grupi i instruktorëve në Komitetin Qëndror për Ushtrinë, se nuk janë treguar vigjëlentë, ndaj të qarkullojnë. Më tepër të ushtrohet kontroll nga ata në Komitetin e Partisë të MMP, në aparatin e MMP dhe në Ministrinë e Punëve të Brendëshme.
Llambi Peçini dhe Meramet Hila, kur i hoqën triskën e Frontit Mihal Popit në Nartë të Vlorës, këta vajtën e ja dhanë prapë.
Diftir Hysi ka sabotuar dhe ka penguar riparimet e furnizimeve të autotraktorëve. Ka qenë servil dhe njeri i afërt i armiqëve Kadri Hazbiu dhe Veli Llaka. Ka urdhëruar për konservimin e agregatëve të STD, APG, megjithëse ky urdhër është kundërshtuar.
Në Tiranë ka tre inspektorë ushtarakë për automjetet e ushtrisë dhe 10 prej tyre janë miqtë e Diftir Hysit.
Pipi Mitrojorgji kur i është thënë se po çon në universitet njerëz të deklasuar, ai ka thënë se “kanë kaluar 40 vjet”.
Arif Haskoja ka thënë: “Nënoficerat dhe minjtë po na prishin ushtrinë”.
Tahir Malo, ish-kryetar i Degës së Brendëshme të Lushnjes, më shumë rrinte në Dajlan e Godull ku kishte rosa e peshk, se sa në krye të detyrës.
Spiro Adhami ngrinte rolin e Mehmet Shehut shumë lart, si strateg ushtarak. Ai është shprehur: “Neve si Akademi mbledhim shkrimet e Mehmet Shehut në dy vëllime, por ai nuk i pranoi”. Në Akademi është futur fryma e Mehmet Shehut dhe nuk ka kritikë as në komandë, as në Parti, ka familiaritet dhe duhet të shikohen kuadrot që janë atje.
Enver Llaka vëllai i Veli Llakës, merrte shpesh leje nga akademia se gjoja kishte sëmurë fëmijët. Kur kthehesh thoshte: “Isha me Veliun atje e këtu, ishim me motoskaf për të gjuajtur etj”. Ka shoqëruar edhe gruan e Veliut për kurime në Austri.
Të shikohet qëndrimi i Ligor Çifligut e Riza Kuçit se edhe pas dënimit të këtij të fundit, Ligori kur vinte në Fier nga Durrësi bënte xhiro me të, ka qenë arrogant dhe prepotent.
Pëllumb Çakërri në Drejtorinë e Tankeve ka qenë mëndjemadh, fodull dhe mospërfillës dhe kur i kërkoheshin pjesë këmbimi për tanke, ai përsëriste vazhdimisht se ka vështirësi që do t’i kapërcejmë për dy vjet.
Shkëlzen Bajraktari, ish Shefi i Hetuesisë në Degën e Punëve të Brendëshme në Fier, ka mbrojtur shkeljet që janë bërë në ndërrmarrjen e Grumbullimit të Fierit, nuk janë dënuar fajtorët kryesorë, por ata që patën më pak faj. Ka mendime se Shkëlzeni ka nxitur rrahjet dhe grindjet që ndodhnin në qytetin e Fierit midis çamërve dhe çobanëve.
Në shkollën “Skënderbej”, gjatë viteve 1958-1959 është shpërndarë dy herë organizata bazë e Partisë se nuk kishte pranuar në Parti, agjitatorin e Petrit Dumes, Skënder Bajraktarin.
Thimi Andoni nuk është interesuar për furnizimin me material të ofiçinës dhe riparimin e mjeteve të ndërlidhjes.
U bënë vërejtje për Mato Kollozin, i cili të shikohet nga rrethana biografike.
Në një stërvitje në vitin 1980, Llambi Peçini u thirr për të bërë një bisedë me kuadrot, me ushtarët mbi kujtimet e tij për shokun Enver Hoxha, por ai e niste bisedën për shokun Enver dhe vazhdonte të tregonte episode nga jeta e Mehmet Shehut. Ai thërriste shumë njerëz të dyshimtë në zyrën e tij, dhe sidomos femra.
Antari i partisë, Vlash Shtrepi, shef i Shëndetësisë i Br56K, në vitin 1976 është përjashtuar nga Partia, sepse vjehrri i tij, Hil Doda, ka qenë major i Gestapos në Shkodër dhe është arratisur jashtë shtetit. Vlashi u rikthye në Parti nga Komisioni Qëndror i Kontrollit dhe Revizionimit të Partisë. Veç kësaj, Vlash Shtrepi ka pasur shoqëri me Llambi Peçinin që e shpjegon se një vajzë e adoptuar e tezes së Llambit, e ka marrë për grua vëllai i Vlashit.
Të dënohet qëndrimi i Shefit të Sigurimit të Flotës Luftarake Detare, Kiço Priftit, pasi vëllanë e gruas, e ka pasur të arratisur dhe babanë në burg, për vjedhjen e pasurisë.
Kristaq Blushi kritikohet për politikë personale, miqësore dhe taraf në ngritjen dhe lëvizjen e kuadrove, për zvarritje dhe punë burokratike. Kudo nxiste “unin” dh bënte jehonë “veprave” të Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut për politikën e kuadrit, ishte mospërfillës me njerzit poshtë.
Ai ka marrë në Tiranë nga Korça nipin e tij oficer, ka shkelur vendimin e Byrosë Politike për nomeklaturën e kuadrit ku i donte qejfi, ka zvarritur vendimet e Komitetit të Partisë të Korpusit prej 6 muajsh për shkarkimin nga detyra të Dalip Pashës dhe Petrit Arapit. Ka vërejtje se për emërimin e kuadrit Veliçan Golemit, është nisur vetëm nga porosia e Kadri Hazbiut. Veliçani ka qenë me përbërje të keqe politike.
Shefi i Llokacionit në MMP është shprehur se në fshatin Gurrë, kam një mik, Ibish e thonë, që tani është në Kosovë, ai ka thënë gjithashtu në Kolegjum, se batalionet me çamër dhe evgjitër duhen prishur.
Jano Andoni ka qenë mik i ngushtë i Veli Llakës. Kur ishte shef i Degës Ushtarake në Vlorë, bëri çmos për të veshur oficer vëllanë e Veliut dhe e veshi, të japë llogari në organizatën bazë të Partisë ku është.
Hito Goxhi ka dëmtuar në organikat e kompletimit të ushtrisë. Oficerët e SHLU (Shkollave të Lira Ushtarake), janë të pareshtura në organikat e kohës së luftës, si dhe nënoficerët aktivë të SHLU. Në disa batalione artmitraliere organikat me efektivë janë të strukturuara dhe dëmtojnë gatishëmrinë luftarake. Organikat e degëve ushtarake i kanë fryrë vitet e fundit.
Për Zimet Azizin, petagog në Akademinë Ushtarake dolën kritika që kur ka qenë në Korpusin e Fierit, ka sjellë shqetësime për Partinë si në shkollën e Korpusit, ashtu si dhe shef Operativ.
Kritikohet si karrierist, është mbajtur vazhdimisht afër nga Veli Llakaj dhe ka qenë servil i tij. Për transferimin e tij në Tiranë, ka ndërhyrë Veli Llaka. Të shikohte edhe biografia e tij dhe e bashkëshortes.
Për Polikron Liton dolën kritika që ka pasur shfaqje të gjaknxehtësisë, nuk di të komunikojë mirë me njerzit dhe ka nënvleftësuar kolegët e tij gjatë kohës që ka qenë komandant i BR.72k Himarë.
U bë vërjetje që të rishikohen edhe njëherë dosjet e deponimeve të grupit armiqësor të ish-oficerëve të dënuar në vitin 1975 në Fier, Faik Allushi, Rexhep Bleta e Halim Mema, për arsye se hetimi nuk është bërë mirë nga hetuesia e rrethit të Fierit.
Për Rustem Peçin, dolën kritika se ka pasur shfaqje të imoralitetit në shkollën e Bashkuar. Në vitin 1975 ky problem i është bërë i njohur shokut Llambi Gegprifti nga dy oficerë të shkollës së Bashkuar dhe problemi është mbyllur.
Komunistët dhanë mendime që të analizohet edhe puna e Gjykatës së lartë në Tiranë që ka gjykuar grupin e puçistëve të Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos e kompani.
Ka vërejtje për shkollën e Bashkuar se nuk ka nxjerrë oficera të specializuar për radioteknik, AKA dhe ABD.
U bënë kritika për Naun Gjinikasin, që kur i është bërë propozimi, për vendosjen e komisarëve në bateritë kundërajrore me efektivë, është përgjegjur: na mbytët me këta komisarë, ata rrinë kot dhe ne nuk kemi kuadro të kundërajrorit.
Në shtëpinë e Oficerave Vlorë shoferi i furnizimit ka të dënuar për agjitacion e propagandë të vëllanë, duhet të shikohet qëndrimi i tij në punë.
Komunistët dhanë mendime që armiku Kadri Hazbiu, Veli Llaka dhe Maliq Sadushi të ndiqen penalisht dhe të dënohen si tradhëtarë të Atdheut, ndërsa Alfred Moisiu dhe Mendu Backa të përjashtohen nga Partia./Memorie.al
SEKRETARI KOMITETIT PARTISE REP.6561
ANDON DOLLAKU
Vijon nesër
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016