Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e pestë
Memorie.al / “Vëllai im, Petriti, donte vajzën e Themeluesit të Partisë, por në një kohë kur Themeluesi i Partisë, nuk ishte mirë më shëndet, udhëheqësi i tanishëm i Partisë, nxiti gruan e Themeluesit të Partisë, që kjo fejesë të mos bëhej dhe kjo i tha babait tim se; kjo fejesë nuk mund të bëhej se, do flasë populli. Babai im e thirri Petritin dhe i tha: Harroje këtë muhabet! Këtë gjë udhëheqësi i Partisë e bëri, se po të bëhej kjo fejesë, do të forcohej miqësia dhe pas vdekjes, karrigen e Themeluesit të Partisë, do ta merrte babai im. Gruaja e Themeluesit të Partisë, për problemet e fëmijëve, nuk e pyeste themeluesin e Partisë. Kur u shkarkua babai im dhe me të vazhdonte hetuesia e lirë, në shtëpinë tonë ishim mbledhur të gjithë, ne e pyetëm se si ishte puna? Babai, na mblodhi dhe na tha: ‘Unë kam punuar me ndershmëri, por kështu e shikon të arsyeshme Partia. E vërteta do dali një ditë në shesh, por mua atëherë do më ketë mbirë bari në sy! Mua veçanërisht më tha se; ty Goni, ta kam frikën se je i nxituar. Nga padrejtësitë që i bënin babait tim, mua më hipi gjaku në kokë dhe desha të merrja në bagazh, automatikun dhe të mos lejoja ta merrnin babain, por babai më tha: Jo kështu Agron, se unë nuk vë pushkë kundër Themeluesit të Partisë”.
Kështu thuhet në mes të tjerash në një dokument tepër sekret të Sigurimit të Shtetit që mban datën 3 mars të vitit 1987, ku është e zbardhur e gjithë biseda e djalit të dytë të Kadri Hazbiut, Agronit, me një shokun e tij të punës në Kurbnesh të rrethit të Mirditës, ku ndodheshin të dy të internuar dhe e gjitha ajo bisedë mes tyre, i është dërguar më pas Ramiz Alisë.
Siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë, i cili është pjesë e një dosje voluminoze që është nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, (tashmë pjesë e Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiut dhe familjes së tij, përveç bisedave të bëra të Agron Hazbiut me shokun e tij (A.M.), i cili i’a ka deklaruar të gjitha dhe me detaje të hollësishme Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Mirditës, pjesë dosjes voluminoze, janë edhe shumë raporte e informacione sekrete me denoncime dhe përgjime ndaj familjes Hazbiu, të cilat fillojnë që në tetorin e vitit 1982, dhe mbarojnë në fillimin e vitit 1991.
Lufta e bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Enverit në udhëheqjen e lartë të partisë dhe shtetit të asaj kohe, veç të tjerash, bëhet e ditur edhe nga ky dokument arkivor që po publikojmë sot në pjesën e parë të këtij dosieri (që do zgjasë në dhjetë numra), ku Agron Hazbiu, apo siç është njohur ndryshe si Agron Dautaj, (ish-futbollisti i ekipit “Dinamo”, i’a ka pohuar shokët të tij të ngushtë, A.M., lidhur me fejesën e prishur ndërmjet, vëllait të tij, Petrit Hazbiu (i diplomuar si arkitekt) dhe të bijës së Enverit (po arkitekte), që në fillimin e viteve ’70-të, gjë e cila erdhi pas ndërhyrjes së Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës.
Dhe vetëm 15 muaj më vonë, Agron Hazbiu, u gjet i vdekur në minierën e bakrit në Kurbnesh, ku sipas versionit zyrtar, ai kishte bërë vetëvrasje, duke lidhur dinamit në trup. Por ishte vërtetë ajo një vetëvrasje, apo Sigurimi i Shtetit, kishte zbatuar porosinë e Ramiz Alisë, (të shkruar me dorën e tij: “…Të veprohet”), duke pasur frikë nga i biri i Kadri Hazbiut, i cili përveçse dikur në vitin 1982, kishte dashur të kapte automatikun, në mbrojtje të babait të tij, por edhe në internim, në një moment zemërimi, ishte shprehur edhe për hedhje dinamiti ndaj dikujt…!
Lidhur me këtë dhe të tjera, do njihemi nga një numër dokumentesh arkivore të nxjerrë nga dosja voluminoze në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiut dhe familjes së tij, të cilat do publikohen nga Memorie.al.
DOKUMENTI ME RELACIONIN SEKRET PËR PLANIN E MASAVE AGJENTURALO-OPERATIVE TË MARRA NGA DEGËT E BRENDSHME TË PUKËS DHE MIRDITËS, PËR NDJEKJEN DHE SURVEJIMIN E PJESËTARËVE TË FAMILJES SË KADRI HAZBIUT
SEKRET
EKZEMPLAR Nr.1
PUKË MË 7.5.1983
R E L A C I O N
MBI ZBATIMIN E DETYRAVE TË NGRITURA NË PLANIN E PËRBASHKËT TË MASAVE AGJENTURALO-OPERATIVE TË DATËS 9.2.1983, PËR KONTROLLIN E LIDHJEVE TË ARMIKUT KADRI HAZBIU
Nga analiza që iu bë realizimit të detyrave të ngritura në këtë plan të përbashkët, nga të dyja Degët e Punëve të Brendshme, Mirditë dhe Pukë, rezulton si më poshtë:
I.Për Degën e Punëve të Brendshme Mirditë:
- Në pikën e parë është ngritur detyrë që të bëhet sigurimi i tyre fizik i lidhjeve të armikut Kadri Hazbiu, që ndodhen me masë internimi në qytetin e Kurbneshit. Kjo detyrë është realizuar dhe ato janë paraqitur dy herë në ditë në Komandën e Repartit 44, po ashtu janë siguruar si me agjenturën e, vijën e masave, si në vend banimi, ashtu dhe në qendrën e punës.
- Janë vënë nën kontroll postar dhe nga kontrolli i bërë korrespodencës së tyre, nuk ka dalë gjë me interes.
- Nuk ka pasur ndonjë rast që, djemtë e armikut Kadri Hazbiu, të jenë larguar nga vendi i internimit.
- Bisedat e tyre janë përgjuar me T.O. dhe nuk del që të ketë ndonjë gjë me interes operativ, as për vete dhe as, për lidhjet e tyre në rrethin e Pukës.
- Është drejtuar bashkëpunëtori “Shkëlzeni: në drejtim të Petrit Hazbiut dhe nga bisedat e bërë me të, nuk del gjë për lidhjet që Petriti ka në Pukë dhe nuk i ka dhënë asnjë porosi për këto lidhje.
- Nga kontrolli që i është bërë korrespodencës, nuk del që Mimoza të ketë korrespodencë me Agron Aranitasin me letra, me përjashtim të dy rasteve, që me telegram, i ka kërkuar që fëmijët t’i sjellë Agroni, në qytetin e Rrëshenit.
Për Degën e Punëve të Brendshme, Pukë.
- B.p. “Trëndafili” që përpunon Myfit Hazbiun, i është dhënë detyrë për lidhjet e tij në Kurbnesh dhe ndonjë gjë me interes operativ, me përjashtim të faktit që, ka dijeni për ata që janë të internuar në rrethin e Mirditës, nuk ka dalë.
- Gjithashtu B.p. “Furtuna”, “Radisti”, “Shkëndija” që janë drejtuar në drejtim të Halit Daut Minxolli, u është dhënë detyrë që në biseda me të, të shikojë reagimet e tij për lidhjet e tij në rrethin e Pukës, por del se edhe ky, ka dijeni se janë të internuar në rrethin e Mirditës.
- Agron Aranitasi, me përjashtim të ditës që ka bërë ndarjen me ish-gruan e tij, Mimozën, në Gjykatë, ka shkuar dhe njëherë tjetër në muajin mars, në qytetin e Rrëshenit, për të çuar fëmijët, sipas thirrjes që i ka bërë gjykata, për reagimet e mëvonshme, nuk ka dalë gjë me interes.
- Siç del edhe më lart, objekti Agron Aranitasi, ka shkuar vetëm në një rast në Mirditë dhe është fiksuar se takuar me Medin Çollakun, ish-kunati i tijë, dhe ka ndenjur disa orë me të e, është kthyer në Pukë. Nga kontrolli që i është bërë me agjenturë, si Mediut dhe Agronit, nuk ka dalë gjë që të kenë biseduar për ndonjë problem të veçantë.
- U është marrë dorëshkrimi tre objekteve, Agron Aranitasit, Myfit Hazbiut dhe Halit Minxollit dhe u është dërguar në Degën e Punëve të Brendshme, Mirditë.
- Nga kontrolli postar që u është bërë këtyre tre objekteve, nuk rezulton që ato të kenë korrespodencë me letra me lidhjet e tyre në Kurbnesh, me përjashtim të Agron Aranitasit, që i ka kthyer përgjigje, Mimoza Hazbiut, në muajin shkurt.
Detyrat që kanë patur bashkërisht, dy dyja Degët:
- Nga verifikimi që i është bërë lidhjeve të armikut Kadri Hazbiu, në rrethin e Pukës, me përjashtim të personave të mësipërm, nuk del që të ketë lidhje të tjera, po kjo gjë edhe në rrethin e Mirditës.
- Lidhjet e armikut Kadri Hazbiu, që janë me masë internimi në Kurbnesh, nuk kanë kërkuar leje për të ardhur në rrethin e Pukës.
- Janë marrë mostrat e vulave të postave që disponohen në Pukë dhe në Mirditë, e u është bërë ekzaminimi dhe është krahasuar me kartolinën që i është dërguar Elena Çollakut, por nuk rezulton të ketë dalë gjë.
Punëtorët Operativë
Agim Meta Mihal Monka
DOKUMENTI SEKRET ME PËRGJIMIN ME TEKNIKË OPERATIVE QË U ËSHTË BËRË FAMILJES SË KADRI HAZBIUT, NË APARTAMENTIN E TYRE NË KURBNESH
DEGA E P. TË BRENDSHME S E K R E T
RRËSHEN Ekzemplar i vetëm
Nr. 20 Grupi i II-të
Rrëshen, më 9.5.1983
NDALOHET RIPRODHIMI
I N F O R M A C I O N
Legjenda: Familja e armikut të popullit, Kadri Hazbiu
- Hedije Hazbiu, e shoqja.
- Petrit Hazbiu, djali i madh.
- Elena Hazbiu, vajza e madhe e tij.
- Mimoza Hazbiu, vajza e vogël e tij.
- Agron Hazbiu, djali i vogël i tij.
Ky informacion, nxirret nga veprimi i bërë me T.O. stacionare midis pjesëtarëve të familjes së armikut të Partisë dhe popullit, Kadri Hazbiut, i bërë ky në dhomën nr. 1. (kuzhinë) dhomë kjo e pajisur me mjetet e T.O. stacionare. Kombinacion i të cilit u mbajt në përgjim, nga ora 15.00 – 16.30, të datës 21.4.1983.
Nga bisedat e bëra, del se:
H – Hë, a erdhe Gone, a u lodhe?
E – Hajde këtu dhe ulu, se qenie lodhur, po tani erdhi autobuzi?
A – Erdha moj, po jam lodhur shumë dhe nuk di se si do shkoj sot turni i tretë në punë. Pastaj ishte shumë vapë rrugës.
E – Hajde dhe lau, se qenke bërë tërë djersë dhe do të biesh më mirë të të hedh pak ujë të nxehtë, që të futësh pak këmbët brenda, se të janë mufatur, duke ndenjur në këmbë tërë ditën.
A – Nuk di si të them, jam lodhur dhe pastaj u mërzita vetëm, erdha pak vërdallë, po nuk ka xhiro në Rrëshen, vajta për të ngrënë një akullore, se kanë dalë akulloret.
E – Pse, kishin filluar të shesin akullore?
M – Hëngre ti ndonjë, apo të vinte zor.
A – Vajta atje te klubi para Degës, po vetëm kalamaj kishte dhe më erdhi shumë zor që të haja, se nuk kishte asnjë nga njerëzit e mëdhenj, e pastaj të dilja unë me akullore si i vogël!
E – E po e haje dhe ti një akullore se, nuk po të shikonin ty njerëzit, o i uruar?!
M – Hajde dhe ti se do fëlliqesh me ata?!
H – Po për ilaçet, çfarë bëre, vajte?
A – Vajta dhe nuk i mora të gjitha se nuk kishte, por vetëm këtë. Për të tjerat, do të bijën më vonë. Si më shikonin mua ato të farmacisë, hyrë njëra dhe dil tjetra!
E – Pse të shikonin, sa i bukur je?
H – E më e…
M – Pse e çan kokën, për këtë gjëra?!
A – Jo, unë nuk po them ndonjë gjë se…
E – Të ka marrë uria, hajde të hash ndonjë gjë.
A – Hëngra një pako biskota dhe një kakao, i bënin kakaot e mira atje në Turizëm.
M – Nuk pe për ndonjë gjë nëpër ato dyqanet, se mos kishte dalë gjë, as për zarzavate nuk vajte, le që to s’ishte as çantë?
H – Hë more, lëre djalin, se nuk do të merrte ushqime që andej dhe t’i sillte këtu.
A – Po jo mama, se unë nuk e lashë për ndonjë gjë, por unë nuk kisha as çantë.
E – Hajde dhe ha bukë.
A – Ma sill këtu.
M – Epo ha tani aty, se bëhet vendi pis.
A – Po unë nuk jam i vogël që të bej pis. Unë këtu do të bie të fle, se nuk e di si do ja kaloj turnin e tretë! Tani do fle dhe mos më zgjoni kur të vij Titi, se e takoj kur të zgjohem.
Shënim: Ky informacion të nxirret në një kopje dhe të vendoset në dosjen e objektit.
PUNËTORI OPERATIV I T.O.
HYSEN VATA
DOKUMENTI SEKRET I MIRATUAR NGA KRYETARI I DEGËS SË BRENDSHME TË RRËSHENIT, BAJRAM PELO, PËR ZGJATJEN E AFATIT TË NDJEKJES DHE SURVEJIMIT TË AGRON HAZBIUT
M I R A T O H E T SEKRET
KRYETARI I DEGËS SË P. TË BRENDSHME EKZEMPLAR Nr.1
BAJRAM PELO RRËSHEN, MË 4.5.1983
V E N D I M
PËR ZGJATJEN E AFATIT TË PËRPUNIMIT PARAPRAK TË AGRON KADRI HAZBIUT
Unë Punëtori Operativ i zonës së Kurbneshit, Mihal Monka, mbasi studiova dosjen formulare të përpunimit paraprak në ngarkim të objektit Agron Hazbiu, me dosjen Nr. 1424
Gjeta se:
Agron Hazbiu është i biri i Kadriut dhe i Hedijes, i datëlindjes 1959, lindur në Tiranë dhe banues në qytetin e Kurbneshit, me arsim të lartë beqar, i pamartuar, i paorganizuar, i padënuar, me punë në minierën e bakrit Kurbnesh, me shtetësi dhe kombësi shqiptare.
Objekti Agron Kadri Hazbiu, është marrë në përpunim paraprak më datën 9.2.1983, për agjitacion e propagandë kundër partisë dhe pushtetit popullor, e si lidhje e armikut të Partisë, Kadri Hazbiu, mbi bazën e të dhënave të B.p.“Dinamo”, datë 18.10.1982, të informacionit të qytetarit R. Mella, e të informacioneve të T.O.
Gjatë përpunimit të tij, është drejtuar B.p. “Jupiteri”, “Shënjuesi” të cilët kanë dhënë konstatime të ndryshme, kontakte me persona të tjerë dhe nga përgjimet e bisedave me T.O., del që Agroni qëndron indiferent. Kështu, me gjithë masat e marra deri tani, nuk kemi mundur të sqarojmë plotësisht veprimtarinë e tij armiqësore dhe mendojmë që të kryen edhe detyrat e parashikuara në Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Tiranë.
Duke nisur sa më sipër:
Vendosa:
Që objekti në përpunim paraprak, t’i zgjas afatin e përpunimit edhe 1 muaj kohë, duke hartuar edhe shtojcë në planin e masave.
PUNËTORI OPERATIV PUNËTORI OPERATIV
Mihal Monka Mustafa Hysenukaj
D A K O R T
ZV/KRYETARI I DEGËS SË P. TË BRENDSHME
VESEL AVDULLAI
DOKUMENTI SEKRET ME SHTOJCËN E PLANIT TË MASAVE AGJENTURALO-OPERATIVE, I MIRATUAR NGA ZV/KRYETARI I DEGËS SË BRENDSHME TË RRËSHENIT, VESEL AVDULLAI, PËR SURVEJIMIN E AGRON HAZBIUT
M I R A T O H E T SEKRET
ZV/KRYETARI I DEGËS SË P. TË BRENDSHME EKZEMPLAR Nr.1
VESEL AVDULLAI RRËSHEN, MË 11.5.1983
SHTOJCË PLANI MASASH
AGJENTURALO–OPERATIVE NË DREJTIM TË PËRPUNIMIT PARAPRAK AGRON HAZBIUT
Nga Sektori i Sigurimit në Degën e Punëve të Brendshme, përpunohet në paraprak objekti i mësipërm për agjitacion e propagandë kundër Partisë dhe Pushtetit Popullor, e lidhje e armikut të Partisë, Kadri Hazbiu. Në të ardhmen, për të vërtetuar veprimtarinë e tij armiqësore, nga ana jonë do të merren këto masa, agjenturalo-operative:
- Kohët e fundit në drejtim, është vënë në shërbim sekret një lidhje shoqërore e objektit, me pseudonimin “Jupiteri”, do të drejtohet ky B.p. me detyra për të mësuar reagimin e objektit, për arrestimin e të atit.
Kryen: P.Op. M. Monka, deri më 25.5.1983
Kontrollon: Zv / Kryetari i Degës
- Nga ana jonë do të studiohen Sali S., Hasan N., Lezan S., që punojnë në një brigadë me të, me qëllim për t’i shfrytëzuar për interesat tona operative.
Kryen: P.Op. M. Monka, deri më 30.5.1983
Kontrollon: Zv / Kryetari i Degës
- Herë pas here nga ana jonë, do të mbahet në survejim, kjo sidomos në orët e vona të mbrëmjes, kur paraqiten në Rep. 44 për të fiksuar, nëse takojnë e bisedojnë me familjen e armikut të popullit, Koço Theodhosi, për të vërtetuar të dhënën e B.p. “Topi”, të datës 15.2.1983.
Kryen: P.Op. M. Monka, në vazhdim
Kontrollon: Zv / Kryetari i Degës
- Në bazë të të dhënës së B.p., të datës 21.4.1983, del se Agroni, duke u futur në miniere, ka takuar dhe biseduar me Martin Mërdhoçin e Luigj Gjinaj, nga ana jonë, do të studiohen dhe të mbahen afër për t’i shfrytëzuar për interesat tona operative, duke drejtuar B.p. “Shënjuesi”
Kryen: P.Op. M. Monka, në vazhdim
Kontrollon: Zv / Kryetari i Degës
- Do të merren masa të forta për kontrollin fizik të tij në qendrën e punës dhe të banimit, duke u paraqitur dy herë në ditë në Rep. 44, kjo me qëllim për të prevenuar në kohë, çdo akt arratisje të mundshme të tij, rrëmbim nga ndonjë Zbulim i huaj, e largim nga vendi i internimit.
Kryen: P.Op. M. Monka, në vazhdim
Kontrollon: Zv / Kryetari i Degës
Në përfundim të këtyre detyrave, do të analizohet realizmi i tyre dhe i materialeve në ngarkim të tij, duke konkluduar se çfarë do të bëhet për të ardhmen. /Memorie.al
PUNËTORI OPERATIV PUNËTORI OPERATIV
Mihal Monka Mustafa Hysenukaj
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016