Dashnor Kaloçi
Memorie.al/ publikon dokumentet historike me faksimilet përkatëse dhe dëshmi që hedhin dritë mbi të vërtetën e “Betejës së Mushqetasë” të zhvilluar në 14 nëntor të vitit 1944 ku aviacioni aleat anglo-amerikan bombardoi një autokolonë gjermane që vinte nga Greqia duke i shkaktuar qindra të vrarë dhe shumë të plagosur. Si u pasqyrua ajo ngjarje dhe “Beteja për çlirimin e Tiranës” në Buletinet e Luftës të forcave partizane që nxirrte Partia Komuniste ato ditë dhe si u retushuan dhe u fshinë vite më pas, ato ngjarje dhe në ribotimin e atyre buletineve në librin “Bashkimi” të botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, roli dhe kontributi i anglo-amerikanëve u fshi …..
Plot 75 vjet më parë, më 14 nëntor të vitit 1944, një kolonë e madhe gjermane e karrocuar, që tërhiqej nga Greqia dhe lëvizte në aksion rrugor Elbasan-Tiranë, u godit me një zjarr të dendur nga aviacioni aleat anglo-amerikan dhe po thuaj u shkatërrua plotësisht, duke lënë shumë ushtarë e oficerë të vrarë, si dhe mjaft material ushtarak, plaçkë e armatime të ndryshme që ajo dispononte. Kjo ngjarje, e cila me të drejtë është konsideruar si një nga humbjet më të mëdha të forcave naziste të Hitlerit në Shqipëri, gjatë atyre ditëve u pasqyrua gjerësisht edhe në buletinet e luftës të forcave partizane të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Enver Hoxhës që nxirrte Partia Komuniste, ku vihej në dukje edhe roli vendimtar i aviacionit aleat, që bëri të mundur asgjësimin e forcave gjermane në betejën e Mushqetasë. Ndryshe nga sa ndodhi në të vërtetë në Mushqeta dhe sa u shkrua asokohe në buletinet e luftës së partizanëve, ashtu siç u veprua me të gjithë historiografinë e regjimit komunist të Enver Hoxhës, edhe kjo ngjarje u glorifikua, shtrembërua e u manipulua në të gjitha aspektet e saj. Madje u arrit deri aty, sa në ribotimin e buletineve të luftës në librin “Bashkimi” dhe buletinet e tij (qershor-nëntor 1944) të botuar nga Akademia e Shkencave në Tiranë në vitin 1988, roli i aviacionit anglo-amerikan jo vetëm në Mushqeta, por edhe në beteja të tjera ku ato morën pjesë aktive, u fshi krejtësisht, apo u përmend shkarazi vetëm me një fjali. Por kjo gjë, pra, injorimi dhe mohimi që i është bërë kontributit të forcave aleate anglo-amerikane në luftën për çlirimin e Shqipërisë gjatë viteve 1940-1944, është më flagrant në betejën e Mushqetasë dhe atë për çlirimin e Tiranës, ku ata patën rol vendimtar. Në këtë shkrim ne po japim të plota dhe pa asnjë ndryshim disa nga buletinet e luftës (të ribotuar në vitin 1988), që u kushtohen betejave të Mushqetasë dhe asaj për “Çlirimin e Tiranës”, ku nuk përmendet fare roli i aleatëve anglo-amerikanë. Po kështu, lidhur me këto ngjarje, krahas këtyre burimeve të forcave partizane, po japim edhe një nga dëshmitë e ish-kryeministrit shqiptar, Ibrahim Biçaku, njeriut që shpëtoi Tiranën nga masakra që donin të bënin gjermanët në shenjë hakmarrjeje për humbjet që pësuan në Mushqeta, të rrëfyer prej tij në burgun e Burrelit ku vuante dënimin si “armik i popullit”.
Në Kërrabë
Më 14 nëntor një kolonë prej 3000 vetash (Grupi i luftimit “Steyrer”, Stajer) që përbëhej nga reparte të Korpusit XXII dhe të Divizionit 133, që tërhiqeshin nga Greqia) shoqëruar prej një sasie të madhe automjetesh, karro dhe kuaj lëvizte nga Elbasani në Tiranë, në drejtim të kryeqytetit. Forca të Brigadës së IV S. të Brigadës së VIII S. dhe të Brigadës së VII S. u bënë një pritë të shëndoshë në afërsi të Mushqetasë. Sulmi filloi i ashpër. Në orën 17.00 forcat tona, në të njëjtën kohë, shtrënguan hallkën e hekurt të rrethimit. Kur u gdhi 15 nëntori, të gjitha forcat armike u rrethuan plotësisht. Gjermanët duke parë vdekjen e sigurt, pasi vunë në përdorim të gjitha armët dhe tanket, u hodhën në sulm për të thyer hallkën. Por më kot. Partizanët thyen të gjitha tentativat e armikut dhe pasi nuk pranuan të dorëzohen, u përqendrua mbi ta i gjithë zjarri. Luftimi ka qenë shumë i ashpër dhe në afërsi. Pas një ditë luftimesh të ashpra të gjitha forcat kundërshtare shpartallohen dhe asgjësohen. Në fushë të betejës mbetën përmbi 1000 të vrarë, midis të cilëve shumë oficerë. Mbi 200 të tjerë po ndiqen prej forcave tona në pyjet e Mushqetasë e Bërzhitës. U zu një sasi e madhe robërish, ndër të cilët 3 oficerë, material i panumërt, 400 kuaj e mushka, 30 makina, 1 autoblindë në gjendje të mirë, karro të pacenuara të mbushura me material, pushkë e një sasi e madhe municionesh, që akoma nuk është numëruar. Hollësirat më vonë. Po në këtë kohë, forcat e Brigadës së IV S. e të Brigadës së VIII S. asgjësuan midis urës së Farkës dhe urës së Erzenit një fuqi gjermane që e ndihmuar nga 4 tanke që kish mundur të delte nga hallka e rrethimit Mushqeta. Një pjesë e tyre prej 100 vetash që mundën të arrinin në Tiranë, pësoi po të njëjtin fat nga forcat e Brigadës së I S. të cilat i shfarosën plotësisht.
(“Buletini i Luftës Nacionalçlirimtare i Tiranës”, Viti I, nr.41, 18 nëntor 1944)
Beteja e Mushqetasë
Po të krahasojmë shpartallimin që pësuan hitlerianët në betejën e fundit, e cila i dha çlirimin kryeqytetit, me atë që pësuan në Mushqeta, ky i fundit ia kalon. Nuk kanë pësuar asgjësim të tillë hitlerianët në vendin tonë. Ushtria jonë heroike i ka rrëzuar gjithmonë planet e armikut, qysh prej ofensivës së tij në stil të gjerë e deri në planin e fundit të tyre që synonte ta bënte vendin tonë si bazë tërheqjeje. Veprimet për dështimin e planeve hitleriane e tradhtare të çdo natyre, janë faqe të lavdishme të historisë sonë që e prunë gjendjen në këtë ditë fatlume për popullin. Por beteja e Mushqetasë, duke u marrë vetëm në kuadrin e situatës së sotme dhe të humbjeve armike, qoftë për manovrimin e forcave tona, qoftë për humbjet e armikut në gjendjen e tij, të dëshpëruar e qoftë për çlirimin e plotë të atdheut tonë, është një nga më të mëdhatë e më deçizive, në mos më e madhja e betejave të fundit që dha si përfundim shpëtimin e Tiranës. Duke lexuar vetëm komunikatën ose duke shkruar për grushtin që hëngri armiku në këtë betejë nuk mund të forcojmë një ide të qartë mbi ç‘është bërë në Mushqeta. Kush shikon fortinat e Bashkisë dhe të Xhamisë së Vjetër, makinat e djegura rrugëve, kufomat dhe materialin e lënë nga armiku në Tiranë, mendon se s‘ka se si të ketë disfatë ndryshe; por kur të shkosh gjatë rrugës Tiranë-Elbasan, s‘të duken gjë humbjet që pësoi brenda në qytet armiku. Duke filluar prej Pallatit të Ri deri në Bërzhitë, pandeh se kjo është disfata më e madhe që flitet kaq shumë sidomos kur shikon, përveç makinave të shkatërruara dhe kuintalët me dinamit që armiku i ka lënë mbi urë të Erzenit dhe të Farkës, se s‘iu dha koha që t‘i hidhte në erë. Shikon këtu me radhë makina të shkatërruar, karro, kuaj, kufoma. Thua me vete se kjo do të jetë disfata më e madhe e armikut. Si të kesh kaluar këtë zonë të del përpara një pirg kuajsh dhe karrosh, makina të rëna në hendek, automjete në gjendje të mirë, karro plot me plaçka që i kanë rrëmbyer hitlerianët në Greqi e Shqipëri, e armatime që s‘ti kanë parë sytë. Mund të numërosh materialet e trupat gjer në Bërzhitë, por këtej e tutje të humbet numri qoftë edhe duke ecur ngadalë. Hidh sytë më të djathtë dhe më të majtë, rrëke gjaku me të vërtetë. Kërma, armatime e mjete shumë të rënda të vërvitura me furi larg xhadesë si nga ndonjë fuqi fizike e jashtëzakonshme, që nuk ta kap mëndja se qysh ka ngjarë. Pandeh se mund të vazhdojë kjo kasaphanë vetëm deri sa të arrish në të hyrë të rrugës, sado e madhe që të ketë qenë lufta. Sa arrin në të kthyer të rrugës, pirgjet bëhen më të shpeshta. Automjetet e karrot duket sikur kanë dashur të shtyjnë njëra tjetrën. Material i rrëzuar, përhapur dendur e pa rregull sikur të kishte rënë ndonjë tërmet i fortë nga ata që rrafshojnë. Më tutje, rrugës në brinjën e kodrave të vogla buzë lumit, katër topa të kalibrit të madh fushor janë lënë në vend me tyta që duket se goditin njëri tjetrin, megjithëse u përdorën kundër Ushtrisë sonë në të gjitha drejtimet. Pak më tutje mbushet numri i kuzhinave lëvizëse për një divizion. Makinat bartëse me gjithë rimorkio, karro të gjata, makina me mitraloza kundërajrorë ngrehur në drejtim të qiellit, topa të vegjël, mitraloza të lehtë dhe të rëndë, vetura, pushkë dhe sende medicinave e një përshesh gjërash të çdo ngjyre dhe lloji. Midis tyre dallohet një jastëk foshnje, që sigurisht është rrëmbyer prej armikut në ndonjë familje të Elbasanit. Prapë kufoma e kuaj të vrarë dhe rrëke gjaku më të mëdha. Lart brinjës e kopshteve, anës lumit, shihen kuaj që i kanë shpëtuar kësaj kasaphane. Thuhet se ka edhe mjaft armiq të fshehur që po i dorëzojnë katundet përreth. Ecën më tej, një kapiten i vrarë brenda në makinë, automjeti i zhuritur krejt, motoçikleta të lëshuara rrugës dhe e njëjta skenë si më parë. Ecën akoma nëpër rrugë të kufizuara nga materiali, automjetet bartëse në rrugica, në xhade dhe ngec në një bërryl të pjerrët poshtë në të djathtë ku derdhet edhe një përrua i vogël. Materiali e trupat janë stivosur rëndë e në mënyrë të çrregullt. Kuajt e shtrirë dhe kufomat të lënë përshtypjen se këtu ka vepruar thika e jo plumbi. Përroi duket si kanal kasaphane, brenda në të një armik i vrarë ka rënë në ujë. Kapërcen më tutje, përsëri e përsëri vazhdon e njëjta skenë. Kuaj, kufoma, e automjete dhe karro të pa numëruara, material lufte dhe plaçka të grabitura. Xhadeja duket lara lara sikur në të të kenë rënë blozat e qytetit. Kalon më tej, topa të tjerë, armatime dhe municione. Në një karro flamuri me kryq të thyer, futur brenda si një plaçkë e vjedhur sa mezi dallohet. Të jep pasqyrën e gjendjes së sotme të Gjermanisë naziste, e cila kërkon të fsheh qëllimet kriminale të saj, tash që rrebeshi i lëshuar kundër popujve paqedashës e të pafajshëm iu kthye për kokë. Ndodhja e flamurit afër fundit të këtij vargu të gjatë mozaik të tregon, nga një anë, goditjen e fortë dhe të rrufeshme të Ushtrisë sonë, e cila i bëri armiqtë që të mos dinin nga t‘ia mbanin, deri sa të braktisnin flamurin nën të cilin raca superiore e Hitlerit do të vendoste rendin e ri në Evropë e pastaj në botë. Nga ana tjetër kjo vërteton se hitlerianët janë katilë të degjeneruar, pa kurrfarë principi e shenje. Dy kilometra më tej katundit Ibë, dy tanke të shkatërruara të lënë përshtypjen sikur kolona armike nuk shkonte drejt Tiranës, por drejt Elbasanit. Nuk plotësohet me kaq kjo skenë. Gjatë gjithë zonës që janë zhvilluar luftimet, më të djathtë dhe më të majtë të rrugës, në pyll dhe në gropa, shihen kufoma dhe materiale që nuk duken pa i kërkuar. Ashpërsia e betejës ka lënë shenjat e saj nëpër faqet e shtëpive që ndodhen anës rrugës, të cilave plumbat u kanë dhënë pamjet e tokës së butë pas një breshërie. Shumë makina janë bërë tërë vrima dhe toka anës xhadesë ngjeshur si me inat. Kur kalon andej nuk të besohet të kenë qenë vetëm 2000-3000 ushtarë armiq. Në bazë të materialit dhe të mjeteve transportuese, llogariten të paktën një divizion i motorizuar. Plaçka është aq e shumtë sa të lë përshtypjen jo të një ushtrie, por të hordhive të egra në kohën e barbarëve. Sikur të kishin mbërritur këto forca në Tiranë, kryeqyteti nuk do të ishte çliruar kaq shpejt e kaq mirë. Shpartallimi i tyre shpëtoi Tiranën nga rreziku i shkatërrimit dhe i masakrave në masë. Kur krahason mjetet e shumtë dhe të rënda të armikut, ushtrinë e tij të madhe që marshonte dhe natyrën e vendit, pozitat e forta të armikut, armatimet e pozicionet tona, çuditesh si qe e mundur të shpartallohen të gjithë këto forca vetëm nga tre batalionet e Brigadës së 4-t S, të tre kompanive të Brigadës së 17-të dhe disa reparte të Brigadës së 8-të. Pa tjetër aftësisë së Komandës sonë i shtohet heroizmi i pashoq i partizanëve, që kanë ditur të vënë pa kursyer gjokset e tyre kundër topave për të mbrojtur popullin. Ushtria jonë heroike, duke parë se ç’katastrofë do të ishte për popullin, kalimi i këtyre bishave që s‘lenë pas vetes veçse gjak e gërmadha, u hodhën me vetëmohim si kurdoherë dhe i shtrinë përdhe bishat e tërbuara para se të kryenin qëllimin e tyre të zakonshëm. Ushtria jonë, bijtë e popullit, që çliroi pjesën më të madhe të vendit, qe gati dhe në këtë rast të vepronte siç duhej në një luftë të pabarabartë që zgjati 36 orë, duke asgjësuar armikun. Beteja e Mushqetasë është e rrallë në çdo pikëpamje.
(“Buletini i Luftës Nacionalçlirimtare” i Tiranës. Viti I, nr.45 22 nëntor 1944)
“Kryeministri Biçaku shpëtoi Tiranën nga hakmarrja për Mushqetan”
Ibrahim beu i telefonoi në Berlin, gjeneralit Fon Kajterit, pasi gjermanët do pushkatonin 100 civilë për çdo 1 ushtar gjerman të vrarë
Ndryshe nga sa është shkruar vazhdimisht për afro gjysmë shekulli me radhë nga historiografia e regjimit komunist të Enver Hoxhës, “Beteja e Mushqetas” ka edhe anën tjetër të medaljes. E cila bëhet e ditur si nga dëshmitarë okularë që kanë ndjekur nga afër atë ngjarje, ashtu edhe nga dokumentet arkivore apo kujtimet e ish-ushtarakëve gjermanë dhe anglo-amerikanë, që rastësia i çoi të përplaseshin mes tyre në një vend të huaj. Nga të gjitha këto burime, bëhet e ditur se goditja dhe humbjet e mëdha që patën trupat gjermane në Mushqeta nuk erdhën nga forcat partizane (që gjithsesi ishin pozicionuar në pritje të autokolonave gjermane që tërhiqeshin nga Greqia), por nga aviacioni aleat anglo-amerikan, i cili kreu disa inkursione ajrore bombardimi gjatë gjithë aksit rrugor Elbasan-Tiranë, ku lëvizte autokolona gjermane. Kjo gjë erdhi pas kërkesës urgjente në radio që i bëri Shtabi i Përgjithshëm i Enver Hoxhës Komandës së Aleatëve për Mesdheun në Bari të Italisë, e cila menjëherë autorizoi forcat e saj ajrore për goditjen ndaj gjermanëve në zonën e Mushqetas. Si rezultat i atij bombardimi, pati humbje të konsiderueshme jo vetëm në forcat gjermane (flitet për shumë të vrarë), por nga zjarri i avionëve aleatë mbetën të vrarë dhe shumë partizanë që i kishin zënë pritë autokolonës gjermane. Por me gjithë goditjen e avionëve anglo-amerikanë dhe pritës të forcave partizane, një pjesë e forcave gjermane (sipas buletineve të luftës së partizanëve, flitet për 100 forca) arritën të çajnë rrethimin dhe të futeshin në Tiranë. Këto forca në kryeqytet i priste kapiteni Leader, komandanti i garnizonit gjerman të Tiranës (kishte 320 forca nën komandë) për t‘u bashkuar dhe për të udhëtuar më pas në drejtim të Shkodrës. Me të hyrë në Tiranë, komanda gjermane dhe ajo e autokolonës që u godit në Mushqeta i komunikuan Kryeministrit Ibrahim Biçaku se në bazë të ligjeve të luftës që ata kishin, do të pushkatonin 100 civilë të pafajshëm për një ushtar të tyre të vrarë. Kryeministri Biçaku u lidh menjëherë në telefon me Berlinin, duke komunikuar me mikun e tij të ngushtë, gjeneralin Fon Kajter, shef i Shtatmadhorisë së ushtrisë naziste të Hitlerit. (Ibrahim Biçaku me Fon Kajterin njiheshin që në Luftën e Parë Botërore, kur Kajteri, që shërbente si nënkolonel në radhët e austro-hungarezëve në Shqipëri, i kërkoi Aqif Pash Elbasanit dhe i mori djalin e tij, Ibrahimin, për ta shkolluar në Vjenë). Shefi i shtabit të Hitlerit iu përgjigj pozitivisht lutjes së mikut të tij shqiptar, Biçakut, të cilin e kishte mbajtur për 8 vjet në shtëpinë e tij në Vjenë, duke urdhëruar prerë komandantin e garnizonit të Tiranës, kapitenin Leader: “Zbatoni urdhrin e Kryeministrit shqiptar”. Të gjitha këto, Ibrahim bej Biçaku i dëshmonte në burgun e Burrelit (ku vuajti 18 vjet) dhe pyetjes së disa prej bashkëvuajtësve të tij se përse ai u dorëzua vetë te partizanët dhe nuk iku nga Shqipëria bashkë me gjermanët që i ofruan avion personal, ai iu përgjigjej: “Braktisja e atdheut, sidomos në çaste kritike, asht ma i randi faj”. Forcat partizane arritën në hotelin “Rexhina”, Banka e Punës, hotel “London” dhe vazhduan përpara deri në rrugën e Shkodrës, në afërsi të Burgut të Vjetër, ku kapën ndërtesën e Shkollës “Hasan Vogli”. Forca të tjera të Brigadës sulmuan me ashpërsi fortinën prapa Xhamisë së Vjetër dhe fortinën para Bashkisë, përmirësuan pozitat e tyre dhe iu afruan sahatit në rrugën “28 nëntori”. Armikut iu shkaktuan dëme të mëdha. Nga ana jonë dha jetën për çlirimin e atdheut në sheshin “Skënderbej”, komandanti i kompanisë, Estref Osoja. Fuqi të tjera të brigadës së I S kapën me sulm pallatin e ish-Legatës Italiane, ku u luftua me ashpërsinë më të madhe, kat më kat dhe odë më odë si dhe ish-pallatin e princeshave të Zogut. Luftimet u zhvilluan shumë të rrepta. Humbjet e armikut nuk dihen. Nga ana jonë tre të plagosur. Po në këtë kohë forcat e kësaj brigade sulmuan fortinën në krye të bulevardit dhe kapërcyen në rrugën e Brrakës, prej nga përparuan deri në rrugën “Pariani” dhe spastruan krejt lagjen. Sulmet vazhdojnë. Përpara partizanëve shembet çdo qëndresë e armikut. Me gjoksin e saj Ushtria Nacionalçlirimtare qëndron mburojë e çeliktë për popullin dhe për qytetin e Tiranës. Ditët e qëndresës së bishës hitleriane në kryeqytet janë të numëruara.
(“Buletini i Luftës Nacionalçlirimtare” i Tiranës. Viti I, nr. 315 nëntor 1944)
Kështu u luftua për çlirimin e Tiranës
Te Kodra e Kuqe tanku armik bën shkatërrime të mëdha dhe dëmton keq pasurinë e popullit tonë. Shaqir Bala nga Tirana dhe Nikolla Lena nga Pogradeci, me iniciativën e tyre dolën nga pozicionet dhe vendosën mitralozin në mes të rrugës. Që aty hapën zjarr kundër tankut nga 30 m. Gjermanët të tërbuar nga heroizmi i shokëve tanë që iu ekspozuan vdekjes me aq guxim, dalin nga tanku dhe sulmojnë që t‘i kapin ata të gjallë. Nazistët nuk e kishin llogaritur guximin dhe vullnetin partizan. Shumica e tyre ranë të vdekur ose të plagosur, nga plumbat e mitralozit partizan. Tankisti duke parë të vriteshin shokët e tij nazistë, lëshon me furi tankun përpara. Lufta vazhdoi e afërt, gjoksi partizan me tankun armik, deri sa shokët ranë nga predhat e topit armik. Në pozitat tona në Burgu i ri ishte plagosur një shok. Maksut Rexhepi nga Luma qëlloi me pushkë kundër-tank pozicionet e armikut dhe lehtësoi tërheqjen e shokut të plagosur. Ndërkohë arritën 8 tanke për të hapur rrugën e tërheqjes së gjermanëve të rrethuar në Burgun e Ri. Detyra e shokut në këtë rast ishte e rëndë. Skuadra po rrethohej plotësisht Maksuti me pushkën kundër-tank qëlloi armiqtë pa ndërprerje dhe lehtëson kalimin e shokëve. Heroizma e madhe i kushton jetën. Si kaluan të gjithë shokët, Maksuti, duke vazhduar zjarrin mbi tanket armiq, vritet prej tyre. Një nga skuadrat tona hyri thellë në vijat e armikut, duke mbërritur deri në hotel “Elbasani”. Kur u fut brenda kuptoi se në dhomën tjetër gjendeshin gjermanët nëpër pozicione. Për gjashtë orë rresht skuadra jonë heroike luftoi dhomë më dhomë, me pushkë e granata, duke hedhur mbi 50 granata. U vranë shumë armiq. Në ndihmë të skuadrës së rrethuar shkuan tri skuadra të tjera, të cilat rrethuan hotelin dhe filluan ta mitralojnë. Jorgji Thanasi nga Leskoviku, hidhet i pari me granata në dorë kundër nazistëve, shpërthen rrethimin, shpëton shokët dhe mbetet vetë i vrarë./Memorie.al
(“Buletini i Luftës Nacionalçlirimtare” i Tiranës, Viti I, nr.45, 22 nëntor 1944)
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016