Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë dhe ai i Ministrisë së Punëve të Jashtme, për veprimtarinë e hebrenjve në Shqipëri në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, në vitet 1939-1944. Si u morën ata në mbrojtje dhe u pajisën me dokumentet përkatëse nga qeveritarët e lartë të asaj kohe si: Mehdi bej Frashëri, Ibrahim bej Biçaku, Qazim Mulleti, Javer Hurshiti, Engjel Çoba, Mihal Zallari, Mehmet Gani, etj., dhe konfliktet e tyre të herë pas hershme, me autoritetet e larta gjermane, që ishin asokohe në Shqipëri, si gjenerali gjerman Hauzding, në qytetin e Shkodrës, i cili i lironte hebrenjtë në këmbim të marrjes së ryshfeteve që shkonin në disa mijra franga ari?!
Tashmë është i njohur fakti se gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botëror, në vitet 1939-1945, asnjë nga rreth 1800 shtetasit e ndryshëm me origjinë hebre, që ndodheshin asokohe në Shqipëri, nuk iu dorëzua autoriteteve pushtuese gjermane. Fatkeqësisht, si ndodhi në disa shtete të tjera të Europës Lindore të pushtuara nga nazistët, si në Bashkimin Sovjetik e Poloni, ku rreth 4 milionë hebrenj, përfunduan furrave të krematoriumeve. Hebrenjtë, që ishin në Shqipëri, nuk u morën në mbrojtje vetëm nga familjet e thjeshta shqiptare, që i strehuan ata në shtëpitë e tyre. Ata u morën në mbrojtje edhe nga të gjitha qeveritë shqiptare të asaj kohe, si në periudhën e pushtimit italian, ashtu dhe në kohën e okupimit gjerman nga shtatori i 1943-it, deri në nëntorin e vitit 1944, kur ata u tërhoqën nga Shqipëria. Kjo e kishte zanafillën që nga periudha e Monarkisë, kur me nisiativën e vetë Mbretit Zog, me qindra shtetas me origjinë hebraike, jo vetëm që u pranuan në Shqipëri, por ata u pritën mirë duke u pajisur me dokumentet përkatëse. Ju krijuan kushte jetese, aq sa ata e ndjenin veten si në atdheun e tyre. Dhe kjo vazhdoi edhe gjatë periudhës së pushtimit të vendit, ku shumë politikanë, zyrtarë e funksionarë të lartë të asaj periudhe, si: Mehdi bej Frashëri, Ibrahim bej Biçaku, Fiqëri Dine, Mihal Zallari, Engjëll Çoba, Javer bej Hurshiti, Kol Tromara, Qazim Mulleti, Mehmet Gani e të tjerë ministra, anëtarë të regjencës, deputetë, prefektë, kryetarë bashkishë, apo funksionarë të tjerë të lartë, të administratës së shtetit shqiptar të asaj kohe, jo vetëm që i morën në mbrojtje hebrenjtë, duke i pajisur ata me dokumente false si shtetas shqiptarë, por ata shpesh herë hynë në konflikte të thella edhe me autoritetet gjermane, që kërkonin me çdo kusht arrestimin dhe eliminimin e tyre fizik. Veç të tjerash, për veprimtarinë e hebrenjve në Shqipëri, gjatë viteve të Luftës (1939-1944) dhe mbrojtjen që iu bë atyre nga qeveritarët e lartë të asaj kohe, flasin më së miri edhe mjaft dokumente arkivore, të cilat janë bërë publike vetëm pas viteve ‘90-të. Kështu nga disa studiues historianë, gazetarë, etj., si Apostol Kotani, Dr. Prof. Shaban Sinani, Dr. Monika Stafa janë bërë studime të veçanta lidhur me hebrenjtë në Shqipëri. Përveç sa më sipër, për historinë e hebrenjve në Shqipëri janë marrë edhe mjaft individë të veçantë e personazhe të tjera të njohura të jetës publike, si Tanush Mulleti, (i diplomuar për Matematikë), nipi i ish-prefektit të famshëm të Tiranës, Qazim Mulletit, i cili nisur edhe nga lidhjet që ka pasur familja Mulleti, që nga periudha e Monarkisë dhe ajo e pushtimit. Në mënyrë individuale me hebrenjtë në Shqipëri, ka hulumtuar në arkivat e shtetit shqiptar, duke nxjerrë një numër të konsiderueshëm dokumentesh arkivore të panjohura, ku disa prej tyre, ai i ka referuar edhe në simpoziume e konferenca shkencore, që janë organizuar në përvjetorë të ndryshëm, me rastin e ditës së Holokaustit. Po kështu, nisur edhe nga të njëjtat motive, një gjë të tillë ka bërë edhe Besim Ndregjoni, kreu aktual i Unionit të ish-të Përndjekurve dhe Burgosurve Politikë të Shqipërisë, pasi babai i tij, Imer Ndregjoni, ish-kapiten i Monarkisë së Zogut, me porosi të major Xhemal Herrit, ka ardhur nga Dibra në Tiranë dhe ka marrë në dorëzim disa hebrenj, të cilët kërkoheshin nga forcat gjermane dhe i ka strehuar, për disa muaj në Kullën e njohur të Ndregjonëve, në rrethin e Peshkopisë. Ashtu si edhe Tanush Mulleti, Besim Ndregjoni ka qenë i ftuar në mjaft simpoziume e konferenca, që janë mbajtur me rastin e përkujtimit të Ditës së Holokaustit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Francë, SHBA, etj.
N/prefekti i Kavajës i pajis hebrenjtë me dokumente
Cilët ishin disa nga hebrenjtë që u fshehën dhe u strehuan në Shqipëri, gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, nga kishin ardhur ata në vendin tonë, ku ishin shkolluar dhe me çfarë aktiviteti merreshin ata në qytetet kryesore të vendit, ku ishin vendosur? Për këtë bëhet fjalë në një dokument të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Prefekturës së Tiranës, i cili mban datën 15 maj 1944 dhe që është firmosur nga Drejtori i Policisë Qendër, Shaqir Preza dhe Prefekti i Klasit I-rë, i Tiranës, Qazim Mulleti (AQSH F.252 V. 1944 D. 225. fq.57).
Ky dokument, në të cilin jepen me hollësira të gjitha të dhënat dhe aktiviteti i disa hebrenjve, të cilët janë arrestuar nga komanda gjermane, në datën 16 prill të vitit 1944, i drejtohet Zyrës Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Tiranë. Lidhur me aktivitetin e atyre shtetasve me kombësi hebre dhe qëndrimet e tyre politike, në atë dokument midis të tjerash shkruhet:
“Në gjegjje të sipërmes, kemi nderin t’Ju lajmërojmë, se çifutët t’arrestuem më datën 16 prill të k.v. nga ana e Policisë Gjermane, në bashkëpunim me organet e kësaj Zyre, me datë 30 prill të k.v. nga ana e Policisë Gjermane, të shoqnuem, janë dërgue nga ana e Strugës e Bitoljes (Manastirit) në drejtim të padijtun. Nga hetimet e imta të zhvillueme nga kjo Komiseri, na rezulton si vijon:
Çifuti Sallomon Saltiel, i të vdekunve Isak e Matilda, lindun më 1915 në Shkup, banues në Shkup, nënshtetas i ish-Jugosllavisë, ka ardhur në Shqipni, në 10 Fruer 1943 tinzisht, tue kalue kufinin bullgaro-shqiptar, në Ferizaj abuzivisht, mbasi nuk ishte i pajisun me pasaportë të rregullt ose të ndonjë tjetër dokument udhëtimi. Në Ferizaj, i mshefun ka qendrue dy muaj, por nga autoritetet e vendit asht diktue dhe kap e internue në Kavajë, ku ka qendrue deri në kapitullimin e Italisë. Nënprefekti i Kavajës, zoti Mehmet Gani (Qani) më datë 17.12.1943 me Nr. Extra, i ka lëshue një letër idenditeti në emën false, SALI ISA SALTIEL. Ky letër identiteti e përmban edhe fotografinë e Sallomonit si dhe vulën Zyrtare të N/Prefekturës në fjalë. Përveç kësaj, Bashkija e Tiranës-Zyrtare e Shëndetësisë, më datën 12.VI.1943, me Nr.2021 i ka lëshue një letër identiteti, po në emën fallso, Sali Isa Saltiel, ku midis të tjerash, thuhet: “Këtu në Tiranë, Sallomoni asht marrë me tregtina të vogla. Përveç kësaj asht marrë edhe me shitjen e monedhave italiane (Lireta), të cilat të holla, ja dërgonte një farë Dervish Jahi, tregtar nga Shkodra, me anën e një shoferi nga Shkodra që quhet Qamil Gali, me shërbim pranë shoqërisë automobilistike transportesh “Çurçija” në Shkodër. Bankënotat në monedha Italiane, Dervish Jahi i paska ble prej njerëzve të ardhun nga Mali i Zi dhe sipas marrëveshjes që paska me Sallomon Salitelin, këto të holla me shoferin e naltë përmendur ja dërgonte në Tiranë. Sallomoni këto monedha Italiane, ia shiste Italianëve, të cilët po ktheheshin në Itali. Në vijën politike nuk ka qenë e mundun të konstatohet ndonjë gja, megjithëse Sallomoni asht i dyshimtë”. Pas të dhënave për Sallomon Saltiellin, i cili është ndihmuar nga n/prefekti i Kavajës dhe Bashkija e Tiranës, duke u pajisur me dokumente false prej tyre, po në atë dokument jepen edhe të dhënat e disa hebrenjve të tjerë, si Samiko Salltiell, Jakov Gatenjo, Haim Matallon, Matilda Matallon dhe Ester Matallon, të cilët, siç bëhet e ditur aty, janë arrestuar nga policia gjermane dhe janë dërguan në drejtim të paditur prej tyre.
Drejtori i Policisë: durrsakja K. S., spiunoi hebrenjtë për të dashurin komunist
Po në ç’rrethana u arrestuan hebrenjtë për të cilët bën fjalë dokumenti i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Prefekturës së Tiranës, i cili mban datën 12 maj 1944 dhe kush i spiunoi ata tek gjermanët? Lidhur me këtë, po në atë dokument të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, midis të tjerash shkruhet:
“Arrestimi i të lartpërmendurve ka ndodhë në këtë mënyrë: Një vajzë e qyejtuna K.S, nga Durrësi, tash banuese në Tiranë, më datën 15 të Prillit, u paraqit në këtë Zyrë tue thanë se çifutët e nalt-përmendur, zhvillojnë veprimtari spiunazhi, se ata kanë shumë të holla në monedha të hueja, sterlina e dokumenta komprometuese. Kjo Zyrë, thanjet e kësaj vajze i muarr parasysh edhe disponoj, që me datën 16, d.m.th. me nesërmen, nga organet e kësaj Zyre të bahet një kontroll i imtë në banesën e tyre edhe ne rast pozitiv të veprohet n’arrestimin e tyne. Kur organet e kësaj Zyre, vajtën në banesën e çifutëve të përmendur, aty gjetën Policinë Gjermane të Komandës SS në veprim e sipër. Me ardhjen e Policisë Shqiptare, Policia Gjermane, jo vetëm që nuk kundërshtoj veprimin e Policisë Shqyptare, por përkundrazi i asht lutë që në bashkëpunim t’i vazhdojë veprimet. Organet e kësaj Zyre, me qenë se Policia Gjermane, veprimet ma parë i kishte fillue edhe çifutët e nalt-përmendun nga Gjermanët, ishin ndalue edhe grumbullue në një qoshe t’oborrit, pranuen bashkëpunimin e propozuem edhe veprimet e mandejshme bashkërisht u zhvilluen. Në kontrollin e bamun, përveçse letrave në gjuhën Malazeze, me karakter tregtare, ndonjë gja tjetër nuk u gjet. Në përkufizimin personal të Sallomon Saltiel-it u gjet një shumë të hollash si vijon: gjithsej 10.300 franga shqiptare e 11.000 lireta italiane. Për këto të holla dha spjegime Sallomoni, se janë të Dervish Jahit, tregtar nga Shkodra… Të hollat në fjalë u sekuestruen nga Policia Gjermane, mbasi veprimi ishte fillue nga ata. Nga hetimet e ma-pastajshme, rezultojë se, vajza K.S. përveç lajmimit që kishte ba në këtë Zyrë, njëkohësisht kishte lajmue edhe komandën e Policisë Gjermane SS, Komandën e Regjimentit të Gjindarëmrisë “Kosova” dhe Komandën e Rrethit të Mbrendëshme të Gjindarmerisë, edhe kështu vajza në fjalë ka shkaktue një konfuzion. K.S. këtë gjë e ka ba me qëllim, që të shpresonte në shpëtimin e dashnorit të saj komunist J. K., i cili nga organet e kësaj Zyre, më datën 14 Prill të k.v. ishte arrestue si pjesëmarrës në vrasjen e nji Nënoficeri e nji Agjenti të Policisë. Edhe vajza në fjalë asht me ndjenja komuniste dhe imorale, por tash për tash, nuk asht konstatue nëse zhvillon ndonjë aktivitet komunist. Sa sipri Ju parashtruem për njoftim e në gjegje të sipërmes”.
Drejtori i Policisë së Qendrës
(Shaqir Preza.d.v.)
Pra, siç shihet edhe nga dokumenti i cituar më lart, shkas për arrestimin e gjashtë shtetasve me kombësi hebraike është bërë një vajzë e re komuniste, nga qyteti i Durrësit, e cila i ka spiunuar ata në Komandën Gjermane, duke shpresuar se ata do t’i lironin të dashurin e saj komunist, që ishte arrestuar për pjesëmarrje në një atentat kundër një agjenti të policisë.
Urdhri i Qazim Mulletit: Liroi hebrenjtë
Cili ishte fati i mëtejshëm i hebrenjve që u arrestuan nga gjermanët, pasi ata ishin spiunuar nga një vajzë e re komuniste me origjinë nga qyteti i Durrësit dhe banuese në Tiranë? Për këtë gjë në dokumentet arkivore që disponojmë nuk bëhet e ditur, por aty flitet për dy shtetas të tjerë me origjinë hebre, të cilët janë liruar nga burgu me vendimin e një komisioni të posaçëm të kryesuar prej Prefektit të Tiranës, Qazim Mulleti. Në atë dokument arkivor, që mban datën 9.6.1944, shkruhet:
Shteti Shqiptar, Prefektura e Tiranës
Zyrës së Burgut e për njoftim:
Komandës Qarkut Gjind. Komiseris Policisë Tiranë
Ju njoftohet se komisioni i posaçëm i mbledhun pardje me 7 të k.m. nën Kryesinë e Titullarit të kësaj Prefekture, vendosi qi të reshtuemit Sallomon Tashi e Mina Roshi nga Durrësi, të lirohen me garanci, mbasi nuk kishin fakte për t’i u referue Gjyqit dhe me qenë se bani konviksion se nuk janë persona të rrezikshëm që lenia e tyre e lirë të damtojnë qetësinë publike. Lutemi prandaj që mbasi të sigurojnë si garantë ndonjë person të ndershëm të njoftun, me sjellje të mira morale dhe politike, të shoqnohen në këtë Prefekturë, ku mbasi të redaktohet akti i garancisë, do të lehen të lirë.
Prefekti i Klasit të I-rë
Qazim Mulleti d.v.
Zv/Ministrat Ejëll Çoba dhe Kol Tromara: lironi hebrenjtë
Në dokumentet e tjera që gjenden në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, në Tiranë ku bëhet fjalë për aktivitetin dhe veprimtarinë e shtetasve të huaj me origjinë hebre, të cilët gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore (1939-1944) gjendeshin në Shqipëri, ndodhet edhe një korrespodencë e gjatë e bërë ndërmjet Prefektit të Shkodrës, Javer bej Hurshitit, dhe zv/ministrit të Brendshëm të qeverisë shqiptare të asaj kohe, Engjëll Çoba. Në ato dokumente flitet për arrestimin nga ana e gjermanëve, të katër shtetasve të huaj me origjinë hebre që ndodheshin në qytetin e Shkodrës, nga ana e gjermanëve dhe ndërhyrjen e autoriteteve shqiptare, për lirimin e tyre. Kështu, në datën 2 maj 1944 (ora 11.55) Prefekti i Shkodrës, Javer Hurshti, me anë të një telegrami njofton Ministrinë e Brendshme në Tiranë, duke i shkruar:
“Informohemi se Komanda H.S. Hausding, ka arrestue katër hebrenj prej Prishtine dhe me qëndrim në këtë qytet. Thuhet se këtynë u janë kërkue, njëmijë napolona ar për lirim”. Pas marrjes së këtij telegrami, zv/ministri i Punëve të Brendshme, Engjëll Çoba, i ka bërë një telegram Prefekturës së Shkodrës, ku kërkon të dijë se shumën e napolonave të arit e ka marrë Prefektura e Shkodrës, apo komanda gjermane. Dhe pasi njoftohet nga Prefekti Hurshiti, se ajo shumë është marrë nga komanda gjermane, zv/ministri Çoba, ka lajmëruar menjëherë Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, e cila kishte dhe autoritetin e duhur ligjor për të kontaktuar me Komandën e Përgjithshme Gjermane në Shqipëri.
Zv/ ministri Çoba: Autoritetet gjermane të mos ndërhyjnë në punët tona
Në njoftimin e zv/ministrit Çoba, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, pasi jepet fjalë për fjalë njoftimi i Prefektit Hurshiti, për arrestimin e katër hebrenjve dhe shuma që u është kërkuar për t’i liruar nga burgu, më tej shkruhet: “Prandaj lutemi të keni mirësinë me ndërmjetësue ku duhet që autoritetet ushtarake Gjermane, të mos ndërhyjnë në punët e brendshmesh t’onat, vetëm ndër raste që kanë të bëjnë drejt për së drejti, me ushtrinë Gjermane”.
Pas këtij njoftimi të zv/ministrit Çoba, duket se Ministria e Jashtme në Tiranë, ka reaguar menjëherë pranë Komandës së Përgjithshme të Gjermanëve, po në Tiranë, gjë e cila bëri që katër hebrenjtë e arrestuar të liheshin të lirë. Kjo u bë e ditur edhe nga telegrami i Prefektit Hurshiti, i cili, më 4 maj 1944, njofton Ministrinë e Brendshme, duke i thënë se Komanda Gjermane në Shkodër, i la të lirë katër hebrenjtë, mbasi ata paguan gjobën prej 60.000 franga shqiptare. Por edhe pas këtij njoftimi, Ministria e Brendshme, duket se nuk është e kënaqur me faktin që hebrenjtë janë liruar, pasi kanë paguar para dhe me anë të një telegrami tjetër, që mban datën 6 maj 1944, ajo ka reaguar përsëri pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në atë telegram shkruhet:
“Kemi nderin me Ju informue se Prefektura e Shkodrës, me telin shifër Nr. 191/2 res. d.5 vazhduesit na raporton se, Komanda Gjermane e atjeshme S.D. Hausding. Më datën 2 të k. m. ka arrestue 4 Hebrenj prej Prishtine, e me qëndrim në Shkodër. Më datën 4 të k. m. mbasi u ka marrë një shumë prej gjashtëdhjetëmijë (60000) fr.shq. i ka lanë të lirë. Prandaj sa së pari lutemi të kini mirësinë me ndërmjetsue ku duhet që Autoritetet ushtarake Gjermane të mos ndërhyjnë ndër punët e mbrendshme t’ona, vetëm ndër raste që kanë të bajnë drejtë për së drejti me ushtrin Gjermane”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016