Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente të panjohura arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) dhe Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilat bëhen publike për herë të parë, ku ndodhet një korrespodencë e titullarëve kryesorë të Ministrisë së Jashtme, me ambasadën italiane në Tiranë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme në Romë, lidhur me ngjarjen e datës 6 janar 1989, kur anija “Dukati” gjatë lundrimit në Detin Adriatik, u rrëmbye nga kapiteni i saj, Enver Meta, i cili kishte fshehur tetë shokë të tij në ambientet e anijes dhe bashkë me ta, mbajti peng shtatë pjesëtarët e ekuipazhit, deri sa dolën në portin e Brindisit. E gjithë kronologjia e asaj ngjarje të rëndë që pati jehonë të madhe në shtypin italian, e cila jo vetëm që shkaktoi një përplasje të fortë diplomatike në mes Tiranës zyrtare dhe Romës, por shkaktoi një furtunë të madhe në radhët e Ministrisë së Brendshme në Tiranë, ku u shkarkuan apo i’u dhanë masa të rënda ndëshkimore 15 zyrtarëve të lartë të zinxhirit drejtues, nga nënoficeri i Pikës së Kalimit Kufitar në Portin e Durrësit, e deri tek Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, si dhe vetë ministrit Hekuran Isai, që i’u dha vërejtje e rëndë në mbledhjen e Byrosë që vazhdoi për disa ditë me radhë nën drejtimin e Ramiz Alisë, ku pati përplasje të forta midis anëtarëve të saj, me akuza të ndërsjellta për abuzime dhe shpërdorime, e deri në problemet familjare që ata kishin.
Informacioni i Ministrisë së Jashtme për ambasadën italiane: “Na dorëzoni terroristët e anijes ‘Dukati’, janë kontrabandistë droge, etj”
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE
MINISTRIA E PUNËVE TE JASHTME
Nr. 40 Tiranë, më 7.I.1989
AMBASADËS SË REPUBLIKËS ITALIANE
T I R A N Ë
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Popullore të Shqipërisë i paraqet komplimentet e saj Ambasadës së Republikës Italiane dhe ka nderin t’i bëjë të ditur për t’ia transmetuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, sa vijon:
Më datën 6 janar 1989, rreth orës 22.00, gjatë kohës së peshkimit në Detin Adriatik, u rrëmbye me forcë, anija e peshkimit, “Dukati” me një ekuipazh prej 9 vetash, pronë e Ndërmarrjes së Peshkimit të qytetit të Durrësit. Terroristët përdorën presionin dhe dhunën ndaj 7 anëtarëve të ekuipazhit, të cilët i mbyllën me çelësa nëpër kabina. Grupi terrorist përbëhej nga: Enver Meta, Bardhyl Vogli, si dhe nga Artan Serjani, Ilir Dervishi, Skënder Vogli, Mustafa Meta, Agron Dervishi, Qemal Nikshiqi dhe Azem Shelmi. Disa nga këta persona ishin në ndjekje nga organet policore për lidhje të tyre kontrabandiste të drogës, ndërsa të tjerët ishin të implikuar me vepra të tjera penale.
Terroristët devijuan kursin e anijes “Dukati” dhe e çuan atë në afërsi të Portit të Brindisit të Italisë, me qëllim që t’u shpëtonin dënimeve ligjore për veprimtarinë e tyre kriminale.
Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, i lutet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Italiane, që, në frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, të ndërhyjë pranë autoriteteve përkatëse, që të ndihmojnë kthimin në Shqipëri të anijes së peshkimit “Dukati”, së bashku me shtatë anëtarët e ekuipazhit të saj, si dhe t’u dorëzojnë menjëherë, në përputhje me normat e njohura të së drejtës ndërkombëtare, autoriteteve përkatëse shqiptare, të nëntë terroristët.
Në pritje të një përgjigje të shpejtë, Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, i përsërit Ambasadës së Republikës Italiane, shprehjet e konsideratës së saj më të lartë.
Tiranë, më 7 janar 1989
Zv/ministri Sokrat Plaka: “Zoti ambasador, terroristët devijuan kursin e anijes, për t’u shpëtuar dënimeve ligjore…”
I N F O R M A C I O N
Më datë 7 janar 1989, shoku Sokrat Plaka, thirri në takim urgjentisht ambasadorin Italian, Xhorxhio De Andreis, të cilit i dorëzoi një notë lidhur me anijen tonë të peshkimit “Dukati”. Duke e informuar sipas përmbajtjes së notës, shoku Sokrat i tha ambasadorit Italian, se më 6 janar 1989, rreth orës 20.00, gjatë kohës së peshkimit në detin Adriatik, u rrëmbye me forcë nga një bandë e organizuar terroristësh, anija e peshkimit “Dukati” me një ekuipazh prej 9 vetash. Terroristët përdorën presionin dhe dhunën ndaj 7 anëtarëve të ekuipazhit të cilët u mbyllën nëpër kabina. Në grupin e terroristëve bënte pjesë edhe kapiteni i anijes me një anëtar tjetër të ekuipazhit. Ju tha se disa nga këta persona ishin në ndjekje nga organet tona policore për lidhje të tyre me kontrabandistët të drogës, ndërsa të tjerët ishin të implikuar në vepra penale të tjera. Terroristët e devijuan kursin e anijes “Dukati” dhe e çuan atë në afërsi të portit të Brindisit, me qëllim që t’u shpëtonin dënimeve ligjore për veprimtarinë e tyre kriminale. Ju tha gjithashtu se nga pala italiane është kërkuar që të dërgohet një kapiten për të sjellë anijen në Shqipëri. Mandej shoku Sokrat i vuri në dukje ambasadorit se deti Adriatik është i qetë dhe paqësor dhe ne jemi të shqetësuar që në të ndodhin gjera të tilla. Ai i theksoi ambasadorit që anija shqiptare është detyruar të futet në Brindisi, por rëndësi ka që nuk ka patur viktima. Pyeti në të njëjtën kohë, nëse marinarët e anijes së peshkimit janë qytetarë shqiptarë, që banonin në Shqipëri.
Mendoj, tha ambasadori italian, se në Itali do të hapet ndonjë proçedurë juridike për trajtimin e këtij problemi.
Ky problem, theksoi shoku Sokrat, është një rast i mirë për të treguar luftën tonë të përbashkët kundër terrorizmit.
Në fund, ambasadori, De Andreis, tha se mbajta shënime dhe ju siguroj se do të veprojmë shpejt. Pyeti nëse nga ana jonë do të dërgohet një kapiten për të marrë anijen. Ju tha se po përgatitet një kapiten për ta dërguar në Brindisi.
K.Robo
Informacioni i ambasadorit Qazim Tepshi: “U kërkuam palës italiane të na ekstradojnë grupin terrorist”
MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME
T I R A N Ë
I N F O R M A C I O N
MBI NDJEKJEN E PROBLEMIT TË ANIJES “DUKATI”
Më 7 janar 1989, ditën e shtunë, me një herë pas marrjes, u arrit te MPJ për nisjen në Brindisi dhe ndjekjen e problemit të lindur në peshkarexhën “Dukati”, u nisën për në vendin e ngjarjes shokët Genci Gjoka dhe Mehmet Musallari, të cilët mbërritën në Brindisi në pasditen e datës 7 janar.
Menjëherë u morën kontaktet e nevojshme me personelin e barkës “Dukati”, policinë e kufirit në portin e Brindisit dhe kapitenerinë e portit, nga të cilët u morën të dhënat e para lidhur me ngjarjen. Përshtypja e parë nga kontaktet me autoritetet e policisë dhe kapitanerisë së portit, ishin të mira. Personat që u kontaktuan, si kryeinspektori i policisë, kapiteni i kapitanerisë së portit dhe funksionarë të tjerë të policisë, qenë shumë korrekt, u treguan të afruar dhe të predispozuar të flisnin për problemin, se si e njihnin dhe e mendonin. U treguan të gatshëm që të pranonin marrjen në pyetje të shtatë personave të ekuipazhit të barkës “Dukati” në prezencën tone, duke qenë dakord edhe me qenien tonë në rolin tone, në këtë rast konkret, sipas ligjeve italiane, nuk plotësohen kushtet për dhënien e azilit politik të nëntë personave. Sipas tyre, dhënia e azilit politik është e kushtëzuar me një seri kushtesh, midis të cilave personat që e kërkojnë, nuk duhet të kenë kryer akte të tilla, që të jenë të dënueshme nga ligjet italiane. Në fakt, të gjitha aktet që janë kryer nga ky grup, që me marrjen e barkës, përdorimin abuziv të saj, rrëmbimi i personelit dhe çuarja e tij kundër dëshirës në një vend tjetër, violence e përdorur, presionet e kërcënimet që janë bërë, etj. Përbëjnë një bazë të mjaftueshme që të mos u jepet azil politik. Nga ana tjetër me këto akte që ata kanë kryer, është plotësisht e ligjshme që nga ana jonë të kërkohet ekstradimi dhe që pala italiane të kthej pa asnjë kusht, të gjithë shqiptarët e këtij grupi terrorist.
Ditën e diel i kërkuam një takim kuestorit për të parë pre dispozicionin e tij për zgjidhjen e problemit dhe për të parë mundësinë e marrjes së një kontakti me grupin e arratisur. Kuestori na priti mjaft korrekt dhe u tregua i gatshëm të plotësojë çdo kërkesë tonën, por duke theksuar se, nuk del nga kompetencat e tij. Lidhur me problemin e grupit prej nëntë vetash që kishte kërkuar azilin politik, tha se nuk ishte në kompetencën e tij të vendoste. Tha se komandanti i barkës, Enver Meta, ishte arrestuar me urdhër të zëvendësprokurorit të Brindisit, Domeniko Catenasi dhe çdo gjë në drejtim të tij bëhet vetëm me urdhër të vetë zv/prokurorit, ndërsa për të tjerët akoma nuk është sqaruar situate e tyre dhe nuk mund të merret asnjë takim pa urdhër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Ditën e hënë morëm një kontakt me prefektin e qytetit të Brindisit dhe me zv/prokurorin Domeniko Catenessi. Prefekti u tregua korrekt, por tha se nuk mund të bënte asgjë, pasi problem kishte kaluar në kompetenca të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Të njëjtën gjë na tha edhe Kuestori të cilin e takuam përsëri në zyrat e prefekturës së zv/prokurorit, D. Catenassi, tha se akoma nuk e kishte pyetur ish-kapitenin e barkës dhe se deri në atë moment nuk mund të bisedonin gjë lidhur me problemin. Në takim me zv/prokurorin ishte prezent edhe avokatja Roza Cardone, e cila u thirr nga ana jonë për të dhënë ndonjë mendim mbi mënyrën e procedimit të problemit. Nga biseda me D. Catenassin, nuk u saktësua gjë. Ai tregohej mjaft i ngurtë në dhënien e shpjegimeve edhe pse tha që nuk e kishte pyetur të arrestuarin Enver Meta, “sepse ishte i zënë me punë”, në fakt doli qartë se arsyeja e vërtetë, ishte se nuk kishte gjetur përkthyes. Së fundi kishin arritur të gjenin përkthyes, si duket një shqiptar të moshuar që banon në Brindisi, emri i të cilit nuk na u bë i ditur, por që mendojmë se mund të ketë qenë shqiptari, Ndoc Shiroka.
Nga ky moment nuk arritëm të thellojmë çdo gjë në këtë drejtim. Autoritetet e portit na thanë se nuk ishte asnjë pengesë për nisjen e barkës dhe të personelit në Shqipëri, posa të ishte qartësuar problemi i kohës dhe sigurimi i kushteve të mira atmosferike. Me ardhjen e barkës “Himara”, çdo gjë u zgjidh me rregull, pasi arriti edhe kapiteni për barkën “Dukati”. Kështu ditën e hënë në mesditë, u arrit të nisshin të dy barkat.
Për të qartësuar më thellë situatën juridike të problemit, u bisedua gjatë me avokaten Roza Cardone dhe avokat Antonio Valordenk, miq të vendit tonë që kanë zyrat e tyre në Bari dhe Adefija, e rezulton se ngjarja përbën akt penal për të cilën janë përgjegjës të nëntë personat që kanë kërkuar strehim politik në Itali. Sipas legjislacionit italian dhe sipas së drejtës ndërkombëtaret, komandanti i anijes “Dukati” E. Meta, marinari bashkëpunëtor i tij, Bardhyl Vogli dhe të 7 personat e tjerë që kishin hipur në mënyrë të fshehtë në anije, duhet të akuzohen dhe të arrestohen në mënyrë të durueshme menjëherë për:
- Rrëmbim të barkës “Dukati” dhe devijim të rrugës për qëllime të tjera të ndryshme nga qëllimi i lundrimit:
- Rrëmbim i personave, ekuipazhit të anijes “Dukati”:
- Dëmtim i anijes gjatë rrëmbimit (këputja e elektro-linjës, spirancës, thyerja e xhamave) dhe gjatë përplasjes së saj në rërë:
- Përvetësimi i pronës së shtetit shqiptar, anijes, me qëllime abuzive:
- Përdorimi i dhunës, kërcënimi, ofendimi dhe kërcënimi i jetës ekuipazhit të barkës:
- Kryerja e akteve të mësipërme në grup më shumë se 4 persona:
Këtyre akteve penale, mund t’u shtohen edhe akte të tjera për të cilat dyshohen ose ndiqen nga policia si trafiku i drogës, kontrabandë, bashkëpunim me kriminalitet etj.
Mos arrestimi i 8 personave përbën në fakt një shkelje të ligjshmërisë italiane. Urdhri i arrestit duhet të ishte dhënë për të 9 personat, qoftë edhe nga kryerja vetëm e rrëmbimit dhe devijimit të barkës, i cili është edhe akti më i rëndë. Ky akt konsiderohet i ngjashëm me rrëmbimin e avionëve.
Duke u nisur nga sa sipër është e domosdoshme që nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme, në emër të qeverisë shqiptare, mbi bazën e të dhënave të hetuesisë së Durrësit dhe të kërkesës së Prokurorisë së Durrësit, të kërkojë ekstradimin e menjëhershëm të 9 personave në bazë të motiveve që janë dhënë më sipër dhe të të tjera që mund të disponohen.
I NGARKUARI ME PUNË a.i.
(QAZIM TEPSHI)
P R O Ç E S – V E R B A L
DESHMI
Në qytetin e Durrësit, me 10.1.1989
Në, hetuesit, Bashkim Asllani dhe Agim Ferizaj, të hetuesisë së rrethit, në prani të prokurorit të rrethit Spiro Peçi, morëm në pyetje dëshmitarin, Vasil Lefter Koçillari, i dt. 28.02.1952, lindur dhe banues në qytetin e Durrësit, lagja nr.11 Rr. “Dëshmorët”, pallati 266, me arsim 8 klasë, punëtor në anijen “Dukati”, me detyrën e motoristit, i padënuar ndonjëherë.
Dëshmitar Vasil Koçillari u paralajmërua mbi përgjegjësinë penale që ka në bazë të nenit 202 të K. Penal për dëshmi të rreme.
DËSHMITARI
(Vasil Koçillari)
Pyetje: Na shpjegoni dëshmitar Vasil Koçillari, se çfarë dini ju për veprimtarinë e kryer nga ish kapiteni i anijes “Dukati”, dhe banda e tij natën e datës 6 janar duke gdhirë data 7 janar 1989?
Përgjigje: Unë jam punëtor në Ndërmarrjen e Peshkimit Durrës që nga viti 1976. Nga maji i vitit 1987, kam punuar në anijen “Dukati”. Kapiten në anijen “Dukati”, kohët e fundit është emëruar Enver Meta dhe bashkë me të ka ardhur peshkatar Bardhyl Vogli. Të dy këta, më parë kanë qenë tek anija “Dalip Lala”. Që në fillim, ne pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit të anijes konstatuam se kapiteni i anijes Enver Meta, kishte shumë shoqëri me Bardhyl Voglin, ata gjithnjë rrinin dhe bisedonin bashkërisht.
Ekuipazhi i anijes “Dukati” përbëhesh nga nëntë persona. Konkretisht ishin: Kapiteni i anijes Enver Meta, brigadier Riza Vokshi, motorist i parë isha unë, i dyti Agron Guza dhe peshkatarët Bardhyl Vogli, Sokol Biçaku, Adrian Lako, Fisnik Koçi, Andrea Filjari, Bujar Dalani dhe Bujar Shullani. Por me dt. 6 janar 1989, dy të fundit Bujar Dalani dhe Bujar Shullani, nuk janë paraqitur në punë.
Me dt. 6 janar 1989, në orën 15.00 si zakonisht unë shkova në punë, për të takuar shokët e ekuipazhit që të dilnim për peshkim. Takova me shokët e ekuipazhit. Pasi kapiteni, mori dokumentacionin e nevojshëm, shkuan në anije. Rreth orës 17.00 u nisëm për peshkim në Detin Adriatik. Ne zakonisht gjuajmë për sardele, dhe në këtë rast u nisëm për peshkim po për sardele. Pasi u larguam rreth 20 milje, larg nga porti i Durrësit, muarëm masa për të grumbulluar peshkun me anë të dritave dhe më vonë të hidhnim rrjetat për të peshkuar.
Hëngrëm edhe darkën si zakonisht, pastaj kapiteni i anijes na porositi të flinim. Unë si zakonisht shkova të flija në dhomën time. Pasi u futa në dhomën time, e u shtriva të flija, dëgjova zhurmën e motorit të madh. Kjo më shqetësoi sepse anija nuk duhet të lundronte. Kërkova të dilja nga dhoma por konstatova se dera ishte e mbyllur me kyç nga jashtë. Thirra me zë të lartë, asnjëri nga shokët nuk po më përgjigjej. Atëherë u shqetësova më shumë. Vazhdova të thërrisja me zë të lartë, duke i rënë edhe derës që të ma hapnin. Në këtë kohë dëgjova zërin e Bardhyl Voglit që më tha: “Mos luaj nga dhoma Vasil dhe mos bëj asnjë lloj tentative, se do të të vrasim”. Në këtë rast, Bardhyli me anë të një leve hekuri, qëlloi në xhamin e obllosorit për të më goditur mua. Leva më zuri në kokë poshtë syrit të djathtë, duke më shkaktuar plagë. Atëherë e kuptova se anija jonë ishte grabitur nga Bardhyl Vogli dhe banditë të tjerë dhe se do të arratiseshin jashtë shtetit. I them Bardhylit se paska qenë i poshtër, ju po rrëmbeni dhe grabisni anijen e shtetit shqiptar, ju jeni maskarenj, dhe fjalë të tjera. Ai më tha: “Rri urtë se do të hash plumbin kokës”. Në këtë situatë u mundova të hap derën me forcë, por konstatova se tek dera kishte roje dhe prisnin që sapo të dilja unë të më godisnin dhe të më vrisnin. I tronditur dhe i frikësuar se do të më vrisnin banditët që kishin grabitur anijen shqiptare, kam qëndruar vetëm në dhomën time, derisa anija arriti në Brindisi. Afërsisht në orën 05.30 anija e grabitur arriti në Brindisi të Italisë. Nga dritarja e vogël përcaktova se ishim në portin e një shteti të huaj, por nuk dija se i kujt ishte ky port, por mendova se duhet të ishte i shtetit Italian. Anija kishte rënë në tokë dhe nuk lëvizte me gjithë përpjekjet që bënin banditët që kishin grabitur. Këtë e kuptova nga zhurma e motorit dhe përplasja e anijes në tokë. Kohë më vonë, sesa nuk e përcaktoj, sepse isha i hutuar dhe i frikësuar, sepse mendoja se banda që rrëmbeu anijen do të më vriste edhe mua, ka ardhur tek dera e dhomës së Fisnik Doçit. Ky sapo mësoi se edhe mua më kishin mbyllur me kyç brenda, mori një levë dhe e shpërtheu kyçin me forcë. Pasi më hapi derën, ai më tregoi se edhe atë e kishin mbyllur banditët në një dhomë tjetër, dhe pasi ata ishin larguar e kishte shqyer derën me forcë. Pas dola, pashë një varkë në të cilën kishin hipur banditët dhe po shkonin në mol. Unë dhe Besniku shkuam tek dhoma e fjetjes së anijes, pasi pamë se edhe këtë dhomë e kishin mbyllur me kyç nga jashtë, unë dhe Besniku e hapëm me leva duke shqyer derën. Në këtë dhomë, banditët kishin mbyllur shokët tanë: Riza Vokshi, Sokol Biçaku, Andrea Filjari, dhe Ardian Lakon. Në përfundim konstatuam se edhe frigoriferi i anijes ishte mbyllur me kyç, e hapëm me forcë, dhe gjetëm aty shokun tjetër Agron Buza. Ne me të shpejtë tentuam të nxirrnim anijen nga vendi e të kapnim bandën që e kishin grabitur, por nuk arritëm sepse ajo kishte zënë vend dhe nuk lëvizte. Riza Vokshi, menjëherë u lidh me radio me portin e Durrësit dhe njoftoi Ndërmarrjen e Peshkimit, se anijen “Dukati” e kishte grabitur kapiteni i saj, Enver Meta, së bashku me Bardhyl Voglin e disa banditë të tjerë dhe ne jemi në Brindisi të Italisë. Banditët u larguan me varkë ndërsa ne 7 peshkatarët jemi në anije. Nga Ndërmarrja e Peshkimit muarrën porosinë që të mos lëviznin nga anija dhe të kërkonin ndihmë nga kapitanerie e portit të Brindisit që të ktheheshim. Nga banditët që grabitën anijen, unë njihja vetëm kapiten Enver Metën, Bardhyl Voglin, dhe Qemal Nikshiqin, të tjerët nuk i kam njohur, por pashë nga larg që në varkë ishin afërsisht 10 persona.
Më vonë tek ne kanë ardhur autoritetet italiane dhe na pyetën për ngjarjen, ne u treguam se anijen e kanë grabitur kapiteni e sajë Enver Meta, së bashku me një grup banditësh duke qenë edhe Bardhyl Vogli. Banditët na kanë mbyllur brenda, kanë përdorur ndaj nesh dhunë, e na kanë qëlluar me leva dhe mjete të tjera, na kanë kërcënuar për vrasje. U thamë se anija e grabitur është e shtetit shqiptar, e Ndërmarrjes së Peshkimit të qytetit të Durrësit. U kërkuam që grupi i banditëve të dënohej për veprimtarinë e kryer, për grabitjen e anijes dhe dhunën e përdorur ndaj nesh.
Shokët e anijes, më treguan edhe për veprimet që kishin kryer banditët me në krye Enver Metën. Edhe ata i kishin kërcënuar me thikë, se do t’i vrisnin, Fisnik Doçin e kishin lidhur nga këmbët dhe duart, pastaj e kishin mbyllur brenda, ndërsa Agron Guzën e kishin kërcënuar 4-5 veta njëherësh me thika dhe më pas e kishin mbyllur në dhomën e frigoriferit.
Grabitësit e anijes e kishin bërë planin prej kohësh, ata që në fillim kur u nisëm nga Durrësi i kishin fshehur shokët e tyre në frigoriferin e anijes dhe pasi udhëtuam 20 apo 21 milje, vepruan me forcë ndaj nesh dhe grabitën anijen.
Unë kërkoj nga organet kompetente që kapiteni i anijes “Dukati” banditi Enver Meta së bashku me bandën e tij, që grabiti anijen të dënohet si për grabitjen e anijes, edhe për dhunën që kanë përdorur ndaj nesh, duke na kërcënuar për vrasje dhe për goditjen ndaj meje.
Proçes – verbalin e lexova vetë dhe pasi pashë se fjalët e mija janë shkruar drejtë i nënshkruaj me firmën time.
DESHMITARI HETUESIT
VASIL KOCILLARI BASHKIM ASLLANI
ASISTOI
PROKURORI I RRETHIT
SPIRO PECI
Letra e zv/ministrit Sokrat Plaka për ambasadën shqiptare në Romë: Kërkoni urgjentisht ekstradimin e terroristëve të anijes “Dukati”
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE
MINISTRIA E PUNËVE TË JASHTME
Tiranë, më 14.I.1989
BYROJA JURIDIKE
Nr.161
Lënda: Dërgohen disa materiale hetimore
AMBASADËS SË RPS TË SHQIPERISË
(Sh. Dashnor Dervishi)
ROMË
- Bashkëlidhur ju dërgojmë një notë të Hetuesisë së Përgjithshme të vendit tonë drejtuar Ministrisë së Drejtësisë së Italisë, në të cilën kërkohet ekstradimi i pjesëtarëve të grupit terrorist që u arratis në Itali me anijen e peshkimit “Dukati” më 6 janar 1989.
Ju dërgojmë gjithashtu edhe tre kopje origjinale të materialeve hetimore në ngarkim të tyre, të përgatitura nga Hetuesia e Rrethit të Durrësit, ku përmban dy dokumentet e gjetura nga ana juaj.
- Notat e materialet e lart përmendura duhen t’i dorëzohen nga ju ndonjë funksionari të lartë të Ministrisë së Drejtësisë së Italisë, me një notë nga ana e ambasadës. Me këtë rast, t’i flitet shkurt për ngjarjen dhe t’i kërkohet që kjo ndodhi të shihet me vëmendje në frymën e marrëdhënieve miqësore midis të dy vendeve. T’i thuhet se është në interes të këtyre marrëdhënieve që në bazë të normave dhe praktikave ndërkombëtare të njohura dhe nga legjislacioni italian, të veprohet sa më parë për ekstradimin e tyre në Shqipëri.
- Para se të dorëzohen materialet të fotokopjohen nga ana juaj për të mbajtur praktikën aty, për të kryer në rast nevoje ndonjë veprim ose formalitet tjetër që mund të kërkohet nga autoritetet italiane.
- Bisedoni me avokatin nëse është e domosdoshme që ky material të dorëzohet edhe i përkthyer në italisht. Në rast se po, na njoftoni menjëherë.
- Një kopje e këtij materiali do t’i dorëzohet nga ana jonë ambasadës këtu.
- Kjo çështje të vlerësohet e të ndiqet me shumë kujdes nga ana juaj, duke na vënë vazhdimisht në dijeni për çdo gjë.
Zëvendësministri
Sokrat Plaka
Kërkesa e Hetuesisë së Përgjithshme për Ministrinë e Drejtësisë së Italisë: Terroristët me thika, leva etj., goditën për të vrarë një pjesëtar të ekuipazhit
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE
HETUESIA E PËRGJITHSHME
Hetuesia e Përgjithshme e Republikës Popullore të Shqipërisë i paraqet komplimentet e veta Ministrisë së Drejtësisë së Republikës Italiane dhe ka nderin t’i bëj të ditur sa vijon:
Më datën 7 janar 1989, Hetuesia e Rrethit të Durrësit ka filluar çështjen penale ndaj një grupi të organizuar terroristësh, të cilët me datën 6 janar 1989, rreth orës 22.00 kanë rrëmbyer me dhunë me dhunë anijen “Dukati” që i përket Ndërmarrjes së Peshkimit në Durrës, me një ekuipazh prej 9 vetash, gjatë peshkimit në ujërat detare shqiptare në Detin Adriatik.
Ky grup përbëhej nga: Enver Meta, Bardhyl Vogli, Skënder Vogli, Ilir Dervishi, Agron Dervishi, Mustafa Meta, Artan Serjani, Qamil Nikshiqi dhe Arsen Shahini.
Pjesëtarët e tij ishin të armatosur me thika, leva hekuri etj. Ata kanë ushtruar dhunë fizike dhe kanë fyer shtatë anëtarët e ekuipazhit që u vunë në mbrojtje të pronës dhe kundërshtuan veprimet e tyre. Në bashkëpunim, kanë goditur për të vrarë njërin nga pjesëtarët e ekuipazhit, u kanë hequr lirinë në mënyrë të paligjshme shtatë pjesëtarëve të ekuipazhit, duke lidhur një person dhe duke i mbyllur të gjithë me çelësa nëpër kabinat e anijes, kanë dëmtuar anijen dhe pajisjet e saj.
Pas rrëmbimit me dhunë të anijes “Dukati”, kanë devijuar me dashje nga destinacioni i caktuar për lundrim dhe e kanë çuar atë në portin e Brindisit në Itali.
Hetuesia e Rrethit në Durrës në mbështetje të fakteve të mësipërme dhe në bazë të nenit 43 të Kodit Penal të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë si dhe të neneve 63,34,49,50,57 dhe 75 të Kodit të Procedurës Penale, ka filluar çështjen penale duke vendosur marrjen si të pandehur dhe arrestimin, të miratuar nga Prokurori i Rrethit në Durrës, të ish-kapitenit të anijes “Dukati”, Enver Meta, ish-anëtarit të ekuipazhit të kësaj anije, Bardhyl Vogli, si dhe ndaj Skënder Voglit, Ilir Dervishit, Agron Dervishit, Mustafa Metës, Artan Serjanit, Qemal Nikshiqit dhe Arsen Shahinit, që të gjithë shtetas shqiptarë.
Nga hetimet e kryera dhe aktet që paraqiten bashkëlidhur, ka rezultuar plotësisht e provuar se grupi i organizuar i këtyre terroristëve në bashkëpunim midis tyre, kanë kryer veprat penale të mëposhtme:
- Krimin e grabitjes (rrëmbimi i anijes dhe përdorimi abuziv i saj) të parashikuar nga nenet 65 e 12 të Kodit Penal të Republikës Popullore të Shqipërisë:
- Dëmtimi me dashje i anijes së parashikuar nga nenet 67 paragrafi i parë dhe neni 13 i Kodit penal të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
- Vrasje të një personi të mbetur në tentativë, të parashikuar nga neni 84 shkronja “a”, neni 11 paragrafi i dytë dhe neni 13 i Kodit Penal të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
- Heqje të paligjshme të lirisë (sekuestrim personash), në dëm të shtatë personave, duke vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e tyre, si dhe duke shkaktuar dhe vuajtjet fizike të parashikuara nga nenet 94 e 13 të Kodit Penal të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
- Shpërdorim të detyrës duke devijuar me dashje nga destinacioni të anijes, së parashikuara nga nenet 106 e 13 të Kodit Penal të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
- Fyerje për shkak të detyrës të parashikuara nga nenet 120 e 13 të Kodit Penal të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
- Kalim të paligjshëm të kufijve të shtetit të parashikuar nga nenet 127 e 13 të Kodit Penal të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
- Kanosje serioze për vrasje të shtatë personave të parashikuar nga nenet 184 e 13 të Kodit Penal të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
- Grupi i terroristëve i ka kryer këto vepra penale në mjediset e anijes “Dukati” që është pronë e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, gjatë kohës që ajo ndodhej në Detin Adriatik, në ujërat e brendshme dhe në ujërat territorial të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Këto vepra penale kanë vazhduar të kryhen edhe në det të hapur.
- Duke u mbështetur në legjislacionin e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, në parimet dhe normat e së drejtës ndërkombëtare mbi luftën kundër terrorizmit dhe piraterisë, të pranuara botërisht, si nga Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, ashtu dhe nga Republika Italiane, si dhe duke pasur në konsideratë nenet 10 dhe 26 të Kushtetutës së Republikës Italiane, nenin 13 të Kodit Penal të Republikës Italiane, nenet 661 deri 671 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës Italiane, Hetuesia e Përgjithshme në bazë të vendimeve të arrestimeve kërkon ekstradimin e terroristëve të lartpërmendur dhe lutet që ata t’u dorëzohen autoriteteve shqiptare.
Një kërkesë e tillë është paraqitur edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, ambasadës së Republikës Italiane në Tiranë me notën e datës 7.I.1989.
Hetuesia e Përgjithshme e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, në pritje të një përgjigje sa më të shpejtë, i shpreh Ministrisë së Drejtësisë së Republikës Italiane, sigurimet e konsideratës së saj të lartë.
Tiranë, më 13 janar 1989
Jehona e madhe në shtypin italian e arratisjes së anijes “Dukati”
Shtypi italian
Gazeta e Barit “Tribuna BUSININESS”, e datës 13 janar 1989 boton një shkrim me titull: “Atje në Durrës, në shtëpinë time, 17 persona në dy dhoma” dhe me mbi titull: “Tregimi dramatik i Enver Metës, kapitenit shqiptar i arratisur në Pulja” dhe me nëntitull: “Komandanti i peshkarexhës, “Dukati” jep një version të ri të fakteve të ndodhura në bord dhe e di që nuk do t’i shoh më gruan dhe vajzën”, përgatitur nga Pino Minunni. Në të thuhet: “Enver Meta, 30 vjeç kapiten i peshkarexhës shqiptare, “Dukati” e mbetur në tokë në mëngjesin e 7 janarit në zonën karshi Urës së Stabilimentit Petro-Kimik të Brindisit, u ka dhënë një version të vetin fakteve të doktor Domeniko Catenaccit, zv/prokuror i Republikës pranë Gjykatës së Brindisit, që në bazë të ligjeve italiane e ka akuzuar për “sekuestrim personash”.
Një version i fakteve parqet, siç është e kuptueshme dhe e parashikueshme, aspekte dhe momente, veç detajeve, të njëjta dhe të ndryshme në të njëjtën kohë, lidhur me atë që treguan të shtatë anëtarët e ekuipazhit që nuk e kanë “tradhtuar” qeverinë e Tiranës dhe që përbën cipën e parë zyrtare të burimeve shqiptare, që u përdorën nga organet e shtypit.
Jemi të detyruar të nënvizojmë, që për ne, nuk ka rëndësi cili nga të dy versionet do të jetë ay i vërteti, duke qenë njeri apo tjetri i pa influencueshëm për kuptimin dhe për mbylljen e kësaj ndodhie. Ja përse dhe vetëm si detyrë të kronikës, risjellim “tregimin” (ose kolazhin e disa përshkrimeve të disa lajmeve, të cilat kemi arritur t’i kemi në zotërim) e kapitenit Enver Meta, 30 vjeç (por tregon…50?) një tregim nga i cili del një personazh që i ngjan një burri të plakur para kohe e thellësisht i ligështuar, por që dëshiron të rifillojë të jetojë në një mënyrë të ndryshme. Një personazh për disa rreshta mallëngjyes, i thjeshtë, ndoshta edhe i lodhur, por të cilit do t’i rrinte pak i madh kostumi i “terroristit”. Për komoditet shkrimi i imagjinuar që tregimi i tij të jetë provokuar nga ndonjë pyetje e jona (që në mënyrë të dukshme nuk kemi mundur ta bëjmë).
“Prej gjashtë vjetësh jam nëpunës i shtetit shqiptar, ka pohuar Enver Meta, si komandant i peshkarexhës “Dukati” me një tonazh 220 tonësh e një motor 600 kuaj fuqi dhe me një ekuipazh prej tetë vetash”.
–A kini patur ndonjë masë ligjore?
“Në qoftë se do të kisha ndonjë problem me Drejtësinë, nuk do të isha nëpunës i shtetit”.
-Cili është fitimi juaj?
“Rreth 130.000 lira në 15 ditë, pra rreth 260.000 lira në muaj, gjithmonë kur kushtet meteorologjike lejojnë për të kryer një peshkim”.
-Cili është raporti i kostos së jetesës?
“Pra, nga këto 260.000 lira në muaj, rreth 100.000 nevojiten t’ja kthejmë shtetit, e cila është qiraja për banesën time. Një banesë e përbërë nga dy dhoma e një gazhinë”.
–Sa jetoni atje?
“17 vetë, babai im, nëna ime, dy vëllezërit me gratë, 8 vëllezër beqarë dhe natyrisht edhe unë me gruan dhe vajzën 4 vjeçe”.
-Një grua dhe një vajzë?
“Një grua dhe një vajzë që e di që nuk do t’i shoh më, sido që të përfundojë kjo ngjarje, që kam organizuar me vëllanë tim dhe shtatë miqtë e tjerë, (punonjës e nëpunës të Portit të Durrësit) rreth tre muaj më parë”.
-Përse nuk do t’i shikosh më gruan dhe vajzën tënde?
“Në qoftë se qëndroj në Itali, nuk do të jetë e mundur që t’i takoj. Në qoftë se do të jem i detyruar të rikthehem…”
-Çfarë do t’ju priste?
“Në fillim, burgu e pastaj…”
Dhe vijmë në çmendurinë e arratisjes në Itali, gjithmonë sipas versionit të Enver Metës.
“Siç thashë më parë e kishim organizuar tre muaj më parë. Nevojite të prisnim momentin e përshtatshëm dhe të shfrytëzonim faktet e papritura. Gjithashtu nevojitej të bindeshim për një veprim të këtij lloji që rrezikonte jetën. Por, perspektiva ose më mirë mirazhi i të jetuarit në një vend si Italia, na ka forcuar idenë tonë dhe guximin tonë”.
-Si dhe kur filloj kalimi drejt Italisë?
“Të shtunën më 7 janar në orën 16 e 30 ishte në program një dalje e rregullt nga porti i Durrësit për peshkim. E dija që ekuipazhi nuk do të arrinte në bord përpara orarit të vendosur më parë. Kështu rreth orës 13.00 imbarkova të shtatë miqtë, midis të cilëve, vëllanë tim, Mustafanë, dy vjet më të vogël se unë. Katër nga ata i strehova në një dollap frigorifer të papërdorshëm, dy nën timon dhe njërin në kabinën time. Kur u ngjitën në bord pjesëtarët e ekuipazhit, nuk vunë re asgjë. Shkuam në det të hapur dhe hodhëm rrjetat. Rreth orës 21 peshkatarët si zakonisht, shkuan të ri pushojnë. Së bashku me një mik, që ashtu si dhe unë, kishte zgjedhur tentimin e arratisjes, (dhe që të martën në mëngjes është arrestuar nga Hetuesia e Brindisit për “bashkëpunim në sekuestrimin e personave”), mbylla me çelës portën e hambarit ku ekuipazhi pushonte. Në këtë kohë, orientova lundrimin drejt bregut më të afërt Italian, ose më mirë Portit të Brindisit, ku arrita rreth orës 6.00 të ditës së nesërme, të shtunën, duke mbetur në një pikë në të cilën, nuk kishte thellësi. Lëshova në det një barkë të vogël, në të cilën zumë vend unë dhe tetë të arratisurit e tjerë.
-Pjesëtarët e ekuipazhit, flinin akoma?
“U zgjuan kur vunë re se peshkarexha ishte ndërprerë lundrimin. Vunë re se ishin mbyllur në çelës, shpërthyen portën, arritën të dalin dhe të shohin varkën e vogël që largohej me një nxitim…shpresë”.
Shtypi Italian
Gazeta e Barit “La Gazette del Mezzogiorno”, e datës 21 janar 1989, boton artikullin me titull:“U liruan të dy shqiptarët, kusht i nevojës”, dhe nëntitull: “Dolëm nga burgu dhe u transferuan në kampin e refugjatëve ku ndodhen edhe shtatë bashkatdhetarët e tyre të tjerë”, shkruar nga Piero Argentiero.
Në të, ndër të tjera, thuhet:
“Të dy shqiptarët e arrestuar më akuzuan se kishim sekuestruar ekuipazhin e peshkarexhës, për të ardhur në Brindisi, e që kërkuan strehim politik, u deklaruan të pafajshëm, sepse kishin vepruar në kushtet e nevojës. Vendimi u’a tha seksionit i parë i Gjykatës pas një mbledhje të shkurtër në dhomën e këshillit. Kryetari i Gjyqit, ishte Dario Pafundi, gjyqtare, Gaetano Buonfrate dhe Vincenzo Farina. Më parë prokurori, Domenico Gotenacci, kishte kërkuar dënimin e komandantit të peshkarexhës, Enver Meta, 31 vjeç, nga Durrësi, me 23 vjet burg dhe për Bardhyl Voglin, 23 vjeç nga Durrësi, me një vit e gjysëm.
Në fakt, siç u tha më lart, që të dy u quajtën të pafajshëm dhe u nxorën nga burgu dhe u transferuan në kampin e emigrantëve, ku ndodhen prej disa ditësh shtatë emigrantët shqiptarë, të cilët mbërritën në Brindisi me këtë peshkarexhë në mëngjesin e datës 7 janar. Në fjalën e tij, prokurori tha se: “Një krim është kryer edhe pse e kuptojnë arsyen që i shtyn të dy të pandehurit të veprojnë në këtë mënyrë”.
Mbrojtësit , avokatët Epifani, Melpignano dhe Crescenzo, kërkuan dhënien e pafajësisë. Enver Meta dhe Bardhyl Vogli sekuestruan shtatë anëtarët të ekuipazhit të peshkarexhës “Dukati” për të realizuar imbarkimin e shtatë të tjerëve. Me të mbërritur në Brindisi, të nëntë kërkuan strehim politik, ndërsa marinarët që ishin sekuestruar denoncuan për ngjarjen dhe kërkuan të ktheheshin menjëherë në Shqipëri.
Raporti i Qirjako Mihalit, sekretarit të parë të Komitetit të Partisë të Durrësit, për Komitetin Qendror të PPSH-së, mbi arratisjen e “Dukati”-t
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
SEKRET
KOMITETI I PARTISË I RRETHIT Ekzemplar
DURRËS
Nr.37 Prot. Durrës, më 12.01.1989
R E L A C I O N
MBI NGJARJEN E JASHTËZAKONSHME TË MOTOPESHKATORES “DUKATI“
TË NDËRMARRJES SË PESHKIMIT DURRËS
Më datë 6.1.1989, rreth orës 16.40, motopeshkatorja “Dukati” e Ndërmarrjes së Peshkimit Durrës, me ekuipazhin e vet prej 9 vetash u nis për gjueti.
Mbasi u përgatit motopeshkatorja u pajis me dokumentet e nevojshëm, si mbas rregullave: u krye kontrolli paraprak nga dispeçeria e flotës së peshkimit dhe para nisjes u krye edhe kontrolli i shërbimit të kufirit. Nga të dhënat e mëvonshme rezulton se: Mbas largimit nga porti i Durrësit, në orën 17.00 të datës 6.01.1989 ka dhënë këtë radiogram: “Dolëm nga porti për stavridh”(kuadratin) 24. Më pas, deri në orën 07. 40 të datës 7.1.1989, motopeshkatorja “Dukati” nuk është lidhur me radio me dispeçerin e ndërmarrjes. Sipas rregullave ajo duhej të lidhej në çdo 2 orë.
Në orën 07 e 40 të datës 7.1.1989 ka dalë në radio brigadieri i peshkimit i anijes dhe ka informuar se: “Në orën 22.00 të datës 6.1.1989 hodhëm elektro linjën për të bërë gjueti. Numri një i kopirolit me disa maskarenj të tjerë, mori anijen dhe ka lundruar në kursin 240 gradë dhe e ka nxjerrë anijen në tokë në Brindisi”.
Pas këtij njoftimi vajtëm në ndërmarrjen e peshkimit, pamë veprimet për nisjen e anijes, morëm takim me dispeçerët, peshkatarët dhe drejtuesit e ndërmarrjes për t’u njohur paraprakisht me tërë punën e bërë për nisjen e anijes. Gjithashtu saktësuam se në motopeshkatoren “Dukati”, veç ekuipazhit, ishin dhe 7 persona të tjerë, nga të cilët një peshkatar në këtë ndërmarrje i ekuipazhit të një motopeshkatoreje tjetër.
Më datë 10.1.1989, në orën 01.30, me mbërritjen e motopeshkatores “Dukati” në portin e Durrësit, morëm edhe një herë takim me 7 peshkatarët, pjesëtar të ekuipazhit, të cilët pas përballimit të shumë presioneve u kthyen në atdhe. Gjatë bisedës, ata shpjeguan se: më datë 6.1.1989 në orën 16.30, ekuipazhi i motopeshkatores është grumbulluar për t’u nisur për gjueti. Pasi kanë hipur në motopeshkatore, është njoftuar nënoficeri i shërbimit të pikës së kontrollit të kalimit të kufirit, Vrenoz Doganaj, për të bërë kontrollin sipas rregullave. Ish kapiteni i motopeshkatores, armiku Enver Meta, e kishte kthyer atë me bash nga ura me qëllim që të vështirësonte hyrjen në të për të bërë kontroll. Nënoficeri i shërbimit të kufirit, nuk ka hipur për kontroll siç përcaktohet në rregullore, por ka nënshkruar dokumentet për nisje nga ura. Pas orës 22.00 të datës 6.1.1989, të 9 armiqtë, që ishin të armatosur me thika e mjete të tjera, kanë izoluar me shpejtësi të 5 peshkatarët që kanë qenë në pushim, kanë përdorur forcën ndaj Agron Guzës, të cilin e mbyllën në hambarin e arkave dhe ndaj Fisnik Doçit që e kanë lidhur në dhomën e kapitenit. Në këtë kohë, armiku Enver Meta ka fikur motorin ndihmues, ka ndezur motorin e madh dhe, duke ndryshuar kursin ka ecur përpara. Në orën 05.30 të datës 7.1.1989 kanë mbërritur në Brindisi të Italisë, duke nxjerrë anijen në tokë. Gjatë kësaj kohe, 7 peshkatarët kanë mbetur të izoluar, kanë tentuar të çlirohen, por nuk kanë mundur, pasi janë mbajtur nën kërcënimin e vazhdueshëm të forcës të këtyre armiqve.
Në momentin që armiqtë bëheshin gati të braktisnin anijen, kanë përdorur ndaj peshkatarëve dhe ndaj vendit tonë shprehje të mprehta armiqësore dhe kërcënime si: “Mos lëvizni qenë, mos bëni asnjë lloj manovrimi se do t’ua numërojmë në lule të ballit”, “dilni çuna shihni nëpërmjet obllave Brindisin e Italisë, shihni Evropë me sy”.
“Këtu në Brindisi do të shohim televizor pa antenë, jo si në Shqipëri që hipnim sipër apartamenteve dhe lëviznim antenat majtas e djathtas”. Pasi ata janë larguar, peshkatari Fisnik Doçi, që ishte i lidhur në kabinën e kapitenit, çlirohet dhe me levë hap dyert e dhomave ku ishin mbyllur shokët e tij. Të shtatë tentuan të nxjerrin anijen nga cekëtina për t’u kthyer në atdhe pa i’u nënshtruar kontrollit të autoriteteve italiane. Kësaj nuk ia arritën pasi ndërkohë zbardhi dita dhe erdhi kapitaneria e portit që i nxori nga cekëtina. Armiku Enver Meta që zotëronte mirë gjuhën italiane, i shoqëruar nga milicia erdhi në anije, ku mesa kanë kuptuar peshkatarët tanë gjuhën, dha shpjegime mbi ngjarjen dhe tregoi vendet ku ai kishte fshehur armiqtë dhe kishte mbyllur ekuipazhin e anijes. Siç shpjeguan edhe peshkatarët tanë, armiqtë i kishte future në hambarin e arkave.
Nga analiza që i bëri Byroja e Partisë të rrethit kësaj ngjarjeje në datën 12.01.1989, del se: Armiku Enver Meta, në mënyrë të fshehtë, duke përfituar edhe nga mungesa e përsëritur e kontrollit të kufirit, ka fshehur në anije shtatë persona të jashtëm, me të cilët që më parë ka përgatitur planin e arratisjes. Ai bashkë me të tjerët përfituan nga liberalizmi në kontroll, e kishin vërejtur në kohë këtë liberalizëm. Siç shpjegojnë peshkatarët, nënoficeri në vend që të kontrollonte cep më cep anijen, e ka lënë të ikë atë. Nuk është bërë kontroll fizik në anije në vazhdimësi, por vetëm kontroll i ekuipazhit dhe i dokumentacionit. Ndërsa në të kundërt, kur vijnë anijet nga jashtë, bëhen kontrolle shumë të imta në to e të ekuipazhit të tyre. Këto mangësi i kanë vënë re dhe i pranuan në byronë e Partisë të rrethit, drejtori dhe sekretari i byrosë së Partisë të Ndërmarrjes së Peshkimit, por nuk i kanë ngritur me forcë në ballafaqimet që kanë bërë me organet e kufirit dhe as kanë informuar Komitetin e Partisë të rrethit.
Analiza për ngjarjen, të cilat u ndoqën nga ana jonë, u zhvilluan në byronë e në organizatën-bazë të Partisë dhe në këshillin teknik të ndërmarrjes së peshkimit, në organizatën-bazë të Pikës së Kontroll-Kalimit të Kufirit në Portin e Durrësit, në Degën e Punëve të Brendshme dhe në shtabin e Flotës Luftarake Detare.
Gjithashtu analiza janë bërë edhe në ato ndërmarrje ku kanë punuar personat e tjerë, të arratisur, që nuk janë efektiv në peshkim. Këto analiza u karakterizuan nga ndjenja e lartë e përgjegjësisë, me frymë kritike ndaj shkeljes së rregullave e rregulloreve, të disiplinës së punës, ndaj shfaqjeve të liberalizmit, indiferentizmit e ambientimit në kryerjen e detyrave të ngarkuara dhe u përcaktuan masa për të ndrequr gjendjen.
Organizata – bazë e Partisë e sektorit të detit në Ndërmarrjen Peshkimit, duke analizuar thellë këtë ngjarje të shëmtuar, nxori se në kryerjen e detyrës janë vërtetuar mjaft të meta e dobësi, duke filluar nga roja e deri te drejtuesit kryesor të ndërmarrjes. Me theks u diskutuan shfaqjet e indiferentizmit gjatë hyrjes e daljes së njerëzve në ndërmarrje dhe në mjetet e peshkimit, thyerjet e disiplinës në ndërlidhjen ndërmjet mjeteve në gjueti dhe dispeçerisë, në lëshimet dhe qëndrimet liberale gjatë kontrollit të mjeteve sidomos para nisjes për gjueti, nga kryetari i degës së flotës së peshkimit dhe drejtuesit e ndërmarrjes etj.
Për këto të meta e dobësi organizata-bazë e Partisë u ndal konkretisht dhe ndëshkoi me vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit, drejtorin e ndërmarrjes Vath Çollaku, përcaktoi detyra konkrete për të ndrequr gjendjen, për të forcuar kontrollin e për të rritur kërkesën e llogarisë për zbatimin me rreptësi të rregullave.
Organizmi i ndërmarrjes miratoi propozimet e këshillit teknik dhe për mungesë përgjegjësie në kryerjen e detyrave kryeinxhinierin e ndërmarrjes, kryetarin e degës së flotës, dy dispeçera dhe përgjegjësen e administratës, shkarkoi nga detyra dhe u kërkua proçes hetimor për dispeçerin që kishte shërbimin gjatë kohës së ngjarjes etj.
Analiza të tilla u bënë edhe në organin e degës së punëve të brendshme. Organizata-bazë e Partisë e pikës së kontroll- kalimit të kufirit në Portin detar, për dobësi të theksuara në punë, përjashtoi nga Partia nënoficerin që ka kryer kontrollin e motopeshkatores para daljes në det dhe propozoi të ndiqet penalisht. Procesi hetimor ndaj tij ka filluar.
Komiteti i Partisë i rrethit, duke marrë shkas edhe nga ngjarjet e mëparshme që kanë ndodhur në flotën tregtare, në portin detar e N.N. Porti, e ka intensifikuar punën me organizatat – bazë të Partisë e levat e tyre në të gjitha ndërmarrjet që përfshihen në akuariumin e Portit, për të krijuar një koncept më të plotë ndër komunistët e punonjësit e tjerë për kufirin. Për këtë qëllim, herë pas here kemi organizuar takime e biseda me punonjësit, komunistët e kuadrot për forcimin e vigjilencës si në buzën e ujit dhe në thellësi. Në zbatim të detyrave që ka shtruar Sekretariati i Komitetit Qendror të PPSH-së, janë bërë aktive Partie si në shkallë rrethi, ashtu dhe në ndërmarrje ku ka patur më shumë shqetësime, si në Portin Detar, Kryevidh, në Sukth, etj.
Me preokupim i kemi ndjekur këto problem edhe në shtabin e zonës së buzës së ujit për të zgjidhur disa problem e shqetësime që i kishin aktualisht. Për këtë qëllim është hartuar edhe një program masash e është kërkuar zbatimi i tij.
Në bazë të një studimi të kryer nga Dega e Punëve të Brendshme, janë evidentuar punëtorët problematikë të ndërmarrjeve të buzës së ujit dhe dora dorës janë larguar prej andej gjatë 6-mujorit të dytë të vitit 1988, 13 prej tyre, janë porositur ndërmarrjet që gradualisht të largojnë të tjerët dhe të bëhet kujdes i vazhdueshëm për njohjen e punëtorëve të rinj.
Kujdes të veçantë i kemi kushtuar fuqizimit të organizatës së Partisë të Ndërmarrjes së Peshkimit nëpërmjet rritjes së vazhdueshme të efektivit të saj. Nga viti 1986 e deri më sot, gradualisht efektivi i saj është rritur nga 37 në 55. Shtesa prej 18 komunistësh ka ardhur nga 10 pranime të reja dhe 9 komunistë të dërguar nga ndërmarrje të tjera. Njëkohësisht aty janë dërguar për të kryer stazhin e kandidatit të Partisë vetëm për vitin 1988, 8 kandidatë. Megjithatë, ne po rishikojmë edhe njëherë përmirësimin e shpërndarjes së komunistëve, sidomos në motopeshkatoret me tonazh të madh dhe ato të molusqeve.
Krahas problemeve për forcimin e jetës së brendshme të Partisë në këtë ndërmarrje, është hartuar e po zbatohet një kompleks masash tekniko – organizative, që parashikon përmirësimin e rrethimit të ndërmarrjes, përcaktimi më i saktë i përgjegjësive, përmirësimi i rregullores së brendshme të ndërmarrjes etj.
Përveç përgjegjësisë së organizatës së Partisë dhe drejtorisë së ndërmarrjes së peshkimit, byroja e Komitetit të Partisë të rrethit, arriti në konkluzionin se përgjegjësi ka edhe organizata – bazë e Partisë e sektorit të sigurimit të Degës së Punëve të Brendshme, e cila me një punë më të thelluar duhet t’i paraprinte zbulimit të kësaj veprimtarie armiqësore të organizuar dhe, të njihte e të paralajmëronte shfaqet e liberalizmit për zbatimin e rregullave për kontrollin e mjeteve të peshkimit.
Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të rrethit ka përgjegjësi pasi nuk ka ushtruar sa duhet kontroll për forcimin e disiplinës, për zbatimin e rregullave e të regjimit në ndërmarrjet ekonomike, veçanërisht në ato të buzë ujit.
Në punën e Komitetit të Partisë të rrethit ka patur mangësi në luftën më të organizuar kundër propagandës së huaj, në kuptimin e zhvillimin më gjerë të shfaqjeve të luftës së klasave, në ndërmarrjen e veprimeve konkrete në luftën kundër indiferentizmit, si dhe në vlerësimin më me përgjegjësi nga organizatat – bazë të Partisë të këtyre problemeve, duke luftuar njëanshmërinë, për t’u marrë vetëm me problemet ekonomike. Byroja e Komitetit të Partisë të rrethit, tërhoqi vëmendjen edhe në faktin që organizatat – bazë të Partisë dhe ato të masave, drejtoritë e ndërmarrjeve, jo sa duhet ndjekin jetën e punonjësve të tyre jashtë kohe normale të punës. Në këtë kuadër duke nxjerrë mësime nga kjo ngjarje e rëndë, ne do të çojmë deri në fund disa masa që janë përcaktuar që më parë, si përfundimin e murit rrethues në tërë akuariumin e Portit Detar, mbas të cilit do të krijohen mundësitë që, të gjitha ndërmarrjet e buzës së ujit, të kalojnë në ruajtje të policisë. Gjithashtu masa po merren për vendosjen e rregullave të forta, për hyrjen në këto ndërmarrje, si të punonjësve të tyre, ashtu dhe të të tjerëve që shkojnë atje për nevoja pune, veç punës që duhet bërë që pjesa lindore e Portit Detar si dhe të gjitha ndërmarrjet që ndodhen në këtë akuatorium, duhet të ruhen me forca të policisë, siç ruhet edhe pjesa veriore e tij.
Gjithashtu është e domosdoshme që të konsiderohet kufi komplet akuatoriumi i portit, pasi deri tani si e tillë është konsideruar vetëm zona e Portit detar.
Po ashtu, po punojmë për të krijuar një koncept më të drejtë për të konsideruar kufi jo vetëm anijet e huaja por edhe anijet tona, duke përfshirë edhe ato të peshkimit. Realizimi i kësaj konsiderohet me plotësimin e kërkesave për rritjen e efektivit të postës së kufirit.
Byroja e Komitetit të Partisë së rrethit pas kësaj analize thelloi përgjegjësitë dhe masat, duke shkarkuar nga detyra sekretarin e byrosë së Partisë të Ndërmarrjes së Peshkimit dhe drejtorin e saj, me vërejtje të rëndë me shënim në kartën e regjistrimit, të sekretariatit të Komitetit të Partisë dhe vërejtje të rëndë me paralajmërim për shkarkim nga detyra, të drejtorit të Portit Detar “Enver Hoxha”.
Miratoi masat e marra deri tani në organin e degës së punëve të brendshme dhe të thellohet qëndrimi për sektorët e tjerë të Degës së Punëve të Brendshme në Komitetin e Partisë. Ngarkoi Komitetin Ekzekutiv të K.P. të rrethit, që të qëndrojë ndaj atyre që kanë thyer rregullat, që nuk kontrollojnë zbatimin e vendimeve, sidomos për vendosjen e rregullave në hyrjen e daljen në ndërmarrjet ekonomike.
SEKRETARI I PARË I KOMITETIT TË PARTISË TE RRETHIT
QIRJAKO MIHALI
Raporti i Simon Stefanit, sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së që mbulonte organet e “Diktaturës së proletariatit”, për ngjarjen me anijen “Dukati”
Tepër sekret
R E L A C I O N
MBI DISA PROBLEME QË DALIN NGA ARRATISJA E 9 PERSONAVE
ME ANIJEN E PESHKIMIT “DUKATI” NË RRETHIN E DURRËSIT
Në datën 6 janar 1989, grupi armiqësor i përbërë prej 9 vetash, i kryesuar nga ish-kapiteni i anijes “Dukati” Enver Meta, duke rrëmbyer anijen dhe ekuipazhin e saj me 7 peshkatarë, mundën të realizojnë aktin e arratisjes në Itali. Nga personat e këtij grupi, 3 janë peshkatarë, 2 punonjës në Portin “Enver Hoxha”, 2 punonjës në N. Qumështit, një në N.N. Porti dhe një në NTUS. Që të gjithë janë nga rrethi i Durrësit. Mosha e tyre është 20 deri 30 vjeç.
Arratisjen kjo bandë e realizoi duke shfrytëzuar uljen e vigjilencës së komunistëve e punonjësve, të organizatës së Partisë në Ndërmarrjen e Peshkimit, të kufirit dhe vetë Degës së Punëve të Brendshme: për paaftësinë e kuadrove e punonjësve të organeve të brendshme, shkeljen e rregullave e të kontrollit për futjen e njerëzve në territorin dhe anijet e peshkimit, si dhe rregullat e lundrimit.
Nga analizat që i bëhet kësaj ngjarjeje del se nuk janë nxjerrë mësimet e duhura nga ngjarjet e mëparshme, prandaj edhe në këtë rast janë vërtetuar një sërë mangësish e shkeljesh të akteve normative dhe rregullave të vendosura, ndër më kryesorët e të cilave janë:
- Ka liberalizëm të theksuar në drejtim të zbatimit të normave e rregullave të vendosura.
Shumë konkluzione që dalin nga analiza e kësaj ngjarjeje, kanë ngjashmëri me ato që kanë nga disa të tjera të tilla të rënda, siç janë moszbatimi i rregullave që kemi. Kështu edhe në këtë rast, udhëzimi i muajit gusht 1984 “Për ruajtjen e mbrojtjen e kufirit detar e ajror”, i firmosur nga ministrat e Mbrojtjes, të Punëve të Brendshme, të Transporteve e të Industrisë së Lehtë e Ushqimore, ku përcaktohet që “Anijet e RPSSH, tregtare e të peshkimit, kur lundrojnë brenda dhe jashtë ujërave territoriale, për çdo dy orë t’u japin ndërmarrjeve përkatëse nëpërmjet stacionit të ndërlidhjes në breg, vendndodhjen e tyre dhe këto të fundit, t’ia japin BUD-it”, nuk është zbatuar prej vitesh, nuk është ndjekur dhe nuk janë vënë para përgjegjësisë si organet përkatëse dhe individë të veçantë.
Kështu, nga 15 anije që ishin në gjueti më 6.1.1989, 11 prej tyre nuk e bënë këtë njoftim siç kërkohet. Theksojmë se këto shkelje flagrante të rregullave i shfrytëzoi dhe në rastin konkret ish-kapiteni i anijes, i cili ka njoftuar vetëm orën e nisjes 17.40, ndërkohë që duhej të njoftonte në çdo dy orë, rreth 7-8 herë gjatë gjithë natës. Po të ishte zbatuar rregullisht kjo kërkesë, mund të ishte prevenuar akti i kësaj bande.
Shkelje të rregullave të regjimit të kufirit janë gjetur e kritikuar edhe herë të tjera.
- Lejohen, në kundërshtim me të gjitha rregullat, që në rajonin e portit dhe të peshkimit e deri në anije, të qarkullojnë e të futen persona pa lejë. Dhe në ndërmarrjet e tjera të sistemit të portit, nuk janë vendosur rregulla të forta për hyrjen e daljen e njerëzve. Ndonëse prej vitesh janë dhënë fonde për bërjen e murit rrethues të pjesës lindore të portit, janë caktuar dhe detyra për të përfunduar në muajin mars 1988, akoma ky rrethim s’ka përfunduar.
- Ka munguar kontrolli i imët në anijet e peshkimit para se ato të nisen me shërbim. Interesimi nga kuadrot e ndërmarrjes dhe kapitenët e anijeve, është vetëm për gjendjen teknike të anijeve e të mjeteve të peshkimit. Edhe kontrolli i kufirit bëhet vetëm me 1 nënoficer, e në shumicën e rasteve, prej tyre nuk janë bërë kontrolle fizike të imëta. Këto janë shfrytëzuar nga elementët armiq, duke u fshehur në anijet tona dhe të huaja.
- Nga organi i sigurimit nuk njihet si duhet situata operative, për rrjedhojë bëhet punë globale. Këta armiq, megjithëse punonin në ndërmarrje të ndryshme, arritën të organizohen e të realizojnë arratisjen. Por e rëndësishme është që Kundër-Zbulimi ynë, nuk ka rënë në kontakt me asnjërin. Fakti që në radhët e atyre që u arratisën ka pasur dhe një ish….(kjo ka ndodhur edhe herë të tjera), të bën të mendosh me çfarë agjenturë mbulohen objektet, sa e sigurt dhe e kualifikuar është kjo etj. Shtojmë se ky…., për dy vjetët e fundit, nuk ka dhënë për persona të tjerë me tendencë arratisjeje, e asnjë të dhënë për personat të tjerë me tendencë arratisjeje dhe asnjë sinjalizim për përgatitjen e kësaj bande terroristësh. Nuk përjashtohet dhe mundësia që ai të jetë një ndër organizatorët e saj. Edhe një…. tjetër, ditën që u krye arratisja, nuk doli fare në punë dhe kur u pyet, një here tha se kam pasur babanë sëmurë dhe herën e dytë se gjoja ka qenë sëmurë vetë.
Dobësitë që ka në këtë drejtim vërtetohen dhe me faktin se nga viti 1984 e këtej kanë tentuar të arratisen 16 persona nëpërmjet anijeve dhe kanë realizuar arratisjen 11 persona të tjerë. Nga këta persona, ka ndër ta që ndiqeshin nga Sigurimi i Shtetit për tendencë arratisjeje dhe i kanë shpëtuar kontrollit të këtyre organeve.
Nga rrjeti agjenturor ka shumë pak të dhëna për tendencat e arratisjes nëpërmjet mjeteve të lundrimit. Punëtorët operativ dhe agjentura e portit, më shumë janë të prirur nga njohja e zbulimi i veprimtarive armiqësore më të lehta e të rëndomta, si agjitacion e propaganda, kontrabanda, vjedhje, çështje teknike etj., jo sa duhet ka informacione për shkeljet e rregullave të sigurimit të portit e të lundrimit dhe pak punohet për të zbuluar e parandaluar tendencën e arratisjes dhe zbulimin e veprimtarisë së agjenturave të huaja. Rendja pas sasisë në kurriz të cilësisë, puna për bujë dhe euforia, shfaqjet e rehatisë dhe ambientimi me gjendjen, liberalizmi dhe mungesa e kërkesës së llogarisë janë të pranishme në veprimtarinë e sigurimit.
Ngjarjet e mëparshme dhe kjo e fundit flasin se në rrethin e Durrësit zbulimet e huaja kanë vepruar e veprojnë intensivisht dhe hollë. Ndonëse mbi 50% e problemeve në ndjekje janë për spiunazh, prej vitesh nga ana e organit të Sigurimit nuk është rënë në fijet aktuale të zbulimeve të huaja, me gjithë porositë e kërkesat e vazhdueshme që ka bërë udhëheqja e Partisë.
Dobësitë e mësipërme vërtetojnë, ndër të tjera, se në zgjedhjen, drejtimin e kontrollin e agjenturës nuk punohet si duhet.
III. Nga ana e Degës së Punëve të Brendshme ka pasur kuptim të ngushtë për kryerjen e shërbimit në ruajtjen e portit. Ndonëse ligjet, vendimet e Qeverisë dhe aktet normative të ministrit të Punëve të Brendshme e përcaktojnë qartë që Porti i Durrësit është zonë e ndaluar kufitare, në kundërshtim me to, nga ana e shokëve të Degës së Brendshme të rrethit dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, është njohur si e tillë vetëm një pjesë e portit, pjesa ku përfshihet Ndërmarrja e Portit “Enver Hoxha”, kurse ndërmarrjet e tjera rreth akuariumit të Portit të Durrësit, nuk janë përfshirë në zonën e ndaluar. Ndonëse prej vitesh është bërë studim për shtimin e forcave dhe organizimin e shërbimit kufitar në të gjithë territorin e portit, ende nuk ka marrë rrugën e zgjidhjes.
Konceptimi liberal për portin si kufi ka çuar në atë që lejet për punonjësit e portit të jepen nga vetë ndërmarrja e jo nga Dega e Punëve të Brendshme. Po ashtu, kjo ka ndikuar që të mos ngulmohet sa duhet për marrjen e masave për ndriçimin e portit, rrethimin e tij, për sigurimin e mjeteve lundruese dhe atyre të ndërlidhjes, si dhe të bazës së nevojshme materiale për kryerjen e shërbimit të kufirit, aq sa kontrollorët e kufirit nuk kishin dhe fenerë ndriçues për të kontrolluar ambientet e anijeve në brendësi. Ndërsa ndërlidhja ndërmjet vendeve të shërbimit të ushtarëve me repartin, mungonte. Këto koncepte dhe praktika nuk duhet të lejohen dhe porti i Durrësit të vlerësohet dhe të trajtohet njësoj si brezi kufitar.
- Puna e Partisë në rreth dhe në Degën e Brendshme nuk u është përgjigjur sa e si duhet veçorive që ka rrethi i Durrësit, shqetësimeve e problemeve që kanë lindur në port në drejtim të vigjilencës për parandalimin e veprimtarisë armiqësore. Organizata e Partisë në Ndërmarrjen e Peshkimit, por dhe në ndërmarrjet e tjera të portit, ato të reparteve të kufirit e të Degës së Punëve të Brendshme dhe vetë Komiteti i Partisë i Rrethit Durrësit, nuk janë mirë në roje të zbatimit të orientimeve të Partisë për regjimin e kufirit dhe të ligjeve e rregullave përkatëse.
Ka shfaqje të pritmërisë dhe të globalizmit në punën e Partisë për trajtimin dhe marrjen e masave për zgjidhjen e problemeve. Ndonëse në port, rast pas rasti, ka pasur tentime dhe arratisje, komprometim me të huajt etj., organizatat – bazë të Partisë nuk janë mbledhur me iniciativë dhe s’janë ndaluar me forcë. Kështu, për arratisjen e një personi në dhjetor të vitit 1988, nëpërmjet anijes “6 shkurti”, organizatat-bazë nuk ishin preokupuar dhe nuk e kishin analizuar këtë ngjarje. Nga 16 organizata-bazë të ndërmarrjes së portit, vetëm dy ishin ndaluar. Ky qëndrim justifikohet prej tyre me atë që “nuk patëm porosi”. Qëndrime të tilla janë mbajtur dhe për raste të tjera.
Ndonëse nga Komiteti i Partisë i Rrethit është shkuar në këto ndërmarrje, ngjarjet negative i ka trajtuar më tepër në planin moralizues, të rritjes në përgjithësi të vigjilencës, pa u ndalur thellë në shkaqet e tyre dhe në marrjen e masave konkrete politiko-edukative dhe organizative. Edhe ndonjë detyrë e vënë nuk është ndjekur. Kështu Komiteti i Partisë i Rrethit ka pasur objektivin që brenda muajit qershor 1988 të përfundonin disa detyra për sigurimin, forcimin e rregullit dhe të regjimit në territorin e portit, por zbatimi i tyre ende nuk ka përfunduar.
Nga puna e pamjaftueshme me njerëzit është krijuar një koncept jo i drejtë te komunistët e punonjësit e peshkimit se “rreziku më i madh vjen gjatë kohës së peshkimit nga anijet e huaja” dhe është nënvleftësuar rrezikshmëria e elementit armik të brendshëm. Binte në sy që organizata-bazë, po dhe byroja e Partisë e Ndërmarrjes së Peshkimit dhe ajo e Portit, prireshin më tepër në trajtimin e problemeve ekonomike. Komunistët nuk ngrinin probleme e shqetësime të aspektit të vigjilencës dhe ruajtjes së pastërtisë së figurës moral – politike të punonjësve. Kështu, organizata – bazë dhe byroja e Partisë në Peshkim, nuk kishte trajtuar probleme të vigjilencës, me përjashtim të rastit kur ishte diskutuar për një anëtar partie, i cili, me shokët e tjerë peshkatarë, kishin hyrë në marrëdhënie me italianët në det, duke dhënë e marrë peshk e plaçka. Ndonëse ekzistonin një sërë shkeljesh dhe në anijen, në lundrim, në peshkim, në njoftimet gjatë lundrimit etj., asnjë komunist nuk kishte ngritur problem për to. Edhe ekuipazhi i anijes që u arratis, me sa del deri tani, nuk ka pasur reagim të veçantë.
Po kështu, organizatat-bazë të Partisë në Degën e Punëve të Brendshme (me përjashtim të asaj në Pikën e Kontrollit të Kufirit), nuk ishin ndaluar për arratisjen e muajt dhjetor të vitit të kaluar apo dhe për raste të tjera. Për rrjedhojë, edhe masat për forcimin e punës mungonin. Kjo justifikohej me atë që “nuk patëm porosi” dhe ishin mjaftuar me trajtimin që i kishte bërë këtij problemi ana shtetërore. Edhe për ngjarje negative të ndodhura në kufi në shkallë vendi, organizatat – bazë të Partisë jo sa duhej kishin reflektuar për kushtet e tyre.
Mangësitë e mësipërme flasin për atë që në veprimtarinë e organeve e të organizatave – bazë ka ende shfaqje të ambientimit me gjendjen, të liberalizmit, e të familjaritetit të sëmurë; ka mungesë të kontrollit dhe kërkesë llogarisë.
- Ngjarja e ndodhur evidencoi edhe nevojën e disa përmirësimeve në një sërë aktesh normative.
Udhëzimi i katër ministrave nuk është zbërthyer e detajuar nga këto organe, gjë që ka çuar në interpretime të ndryshme dhe në shmangie të përgjegjësisë nga njëri – tjetri.
Për përdorimin e radarëve të forcave të kufirit dhe për bashkëveprimin e tyre me BUD-in (Bazën Ushtarake Detare), nuk janë nxjerrë akte normative të përbashkëta.
Vendimi i Qeverisë ngarkon organet e Post Telegrafës që ndërlidhja e mjeteve lundruese me ndërmarrjet përkatëse të behet vetëm nëpërmjet radiondërlidhjes së Post Telegrafës. Nga të gjitha ndërmarrjet, si dhe nga BUD-i e Dega e Punëve të Brendshme, ngrihet që efektivitet më të madh do të ketë ndërlidhja direkt e anijeve me ndërmarrjet përkatëse. Kështu është vepruar në të kaluarën.
Kërkohet të përsoset ndërlidhja ndërmjet ndërmarrjeve të peshkimit, të Flotës Tregtare me BUD-in, duke vënë në përdorim teleshkruesit, të cilët, ndonëse disponohen nga BUD-i, nuk janë në përdorim. Aktualisht ndërlidhja ndërmjet BUD-it me këto ndërmarrje, bëhet me telefon, e cila ka çuar në atë që të ketë pasaktësi në marrjen e regjistrimin e njoftimeve për vendodhjen e anijeve dhe të mos dalë përgjegjësia konkrete e palëve.
Ka nevojë që shërbimi në pikën sinjalizuese – vrojtuese të BUD-it, të bëhet nga një grup i specializuar prej 3 – 4 vetash, dhe jo nga të gjithë oficerët e shtabit.
Ka vend që të përsosen dhe të forcohen rregullat e shërbimit në Pikat e Kalimit të Kufirit në përgjithësi e në ato të porteve në veçanti. Po ashtu, ka nevojë të saktësohen e të normohen më mirë rregullat për bashkëveprimin e organeve të Punëve të Brendshme, me ndërmarrjet që kanë aktivitete në portet, me Flotën Luftarake Detare dhe Bazën Ushtarake Detare.
VI.Për ngjarjen e ndodhur kanë përgjegjësi një sërë kuadrosh:
- Shoku Qirjako Mihali, si sekretar i parë i Komitetit të Partisë të Rrethit, ka përgjegjësi të madhe për të gjitha ato dobësi që vërehen në organizatat e Partisë të këtyre ndërmarrjeve, ashtu dhe në organizatat e Partisë të Kufirit e të Degës së Punëve të Brendshme. Ai vetë ka manifestuar mungesë vigjilence dhe kontrolli si ndaj organizatës-bazë dhe organeve të Punëve të Brendshme, jo vetëm për këtë rast, por dhe për ngjarje të tjera në Portin e Durrësit. Për këto propozojmë të ndëshkohet me masën “vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit”.
- Shoku Agron Tafa, si kryetar i Degës të Punëve të Brendshme në Durrës, me sa del, nuk ka nxjerrë mësime nga analiza që i bëri Sekretariati i Komitetit Qendrorë të Partisë, punës së tij kur ishte në Tiranë dhe nga ngjarjet e mëvonshme në Durrës e gjetkë. Ka bërë punë të pa thelluar në zotërimin e situatës operative. Janë vënë re përsëri shfaqje të liberalizmit e të mungesës së kontrollit ndaj vartësve, dobësi në bashkëveprimin dhe marrjen e masave të plota me levat e Partisë, në ruajtjen e mbrojtjen e Kufirit, mangësi në zbulimin dhe parandalimin e veprimtarisë armiqësore të fijeve aktuale të agjenturave të huaja. Nuk ka marrë masa të plota për zbulimin e parandalimin e tentimeve dhe arratisjeve nëpërmjet mjeteve të lundrimit. Për të gjitha këto, propozojmë që të shkarkohet nga detyra që ka.
- Shokët Ferit Zeneli e Enver Pata (komandant e komisar të Komandës së Forcave të Kufirit) nuk i kanë vlerësuar me seriozitetin e duhur këshillat, paralajmërimet dhe masat që u ka dhënë Partia për dobësitë e vërtetuara në forcat e kufirit. Ata kanë pasur shfaqje e qëndrime liberale në ushtrimin e ndihmës e të kontrollit ndaj organeve e reparteve në bazë. Kontrolli e kërkesa e llogarisë ndaj kuadrove të Komandës së Kufirit në qendër ka qenë i dobët. Kanë manifestuar kuptime të ngushta e shfaqje të formalizimit, të shabllonizmit e cektësi në organizimin e kryerjen e shërbimit të kufirit dhe të Portit Detar. Ka shfaqje të globalizmit, të rutinës e të njëanshmërisë në ndjekjen e detyrave. Për këtë propozojmë që të ndëshkohen me “vërejtje të rëndë me shënim në kartën e regjistrimit” dhe të paralajmërohen që të forcojnë gjithë punën e regjimit në kufi.
- Për këtë ngjarje, përgjegjësi të rëndë mbajnë dhe shokët më me përgjegjësi në Ministrinë e Punëve të Brendshme, veçanërisht ata të drejtorisë së I-rë të Sigurimit të Shtetit dhe ata të Komandës e Shtabit të Forcave të Kufirit, të cilët të paralajmërohen dhe të analizojnë me ndjenjë të lartë përgjegjësie këto ngjarje e të marrin masa për të forcuar punën dhe kontrollin në të gjithë aparatin dhe organet e repartet vartëse, duke vendosur një disiplinë të fortë ushtarake në të gjithë punën e tyre.
SEKRETARI I KOMITETIT QENDROR TË PPSH
SIMON STEFANI
Tiranë, më 13.1.1989
Raporti sekret i ministrit të Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, lidhur me dënimet dhe masat e rënda që u dhanë për ngjarjen e anijes “Dukati”
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE
S E K R E T
MINISTRIA E PUNËVE TE BRENDSHME
Ekzemplar Nr. 3
NR.281 PROT
Tirane, më 13.1.1989
I N F O R M A C I O N
PËR ARRATISJEN E 9 PERSONAVE NGA RRETHI I DURRËSIT
Më datën 6 janar 1989 realizuan arratisjen me motobarkën “Dukati” 9 persona ndër të cilët Enver Halit Meta, lindur e banues në Durrës, vjeç 30, i martuar me 2 fëmijë, kapiten i motobarkës “Dukati” dhe Bardhyl Jakup Vogli, lindur e banues në Durrës, vjeç 22, i pamartuar, me arsim 8-vjeçar, punëtor në peshkim.
Shtatë personat e tjerë me qëndrim moralo-politik të mirë, me përjashtim të njërit,….., që ka qenë 3 herë i dënuar për vjedhje të pasurisë qytetare dhe nëna e tij……, pasi është divorcuar me të atin e…. është arratisur në vitin 1966 aktualisht ndodhet në SHBA.
Si u realizua arratisja?
Në kohën kur nuk ishin peshkatarët në motobarkë, Enver Meta e Bardhyl Vogli, organizojnë futjen dhe fshehjen e 7 elementëve armiq në të.
Në orën 17.40 është bërë nisja e motobarkës në rajonin e peshkimit, duke mbajtur ndërlidhje me dispeçerin deri në ora 20.00.
Pasi mbritën në kuadratin 24, peshkatarët kanë hedhur spirancën dhe kanë shtrirë elektro-linjën, Enver Meta, organizon shërbim, duke lënë roje Bardhyl Voglin, kurse të tjerët i fut të pushojnë. Në këtë kohë nxjerr elementët armiq nga vendi që i kishte fshehur, organizon izolimin e peshkatarëve, ndez motorin e motobarkës dhe niset në rrugën e tradhtisë.
Pse këta armiq arritën të arratisen?
- Këta elementë armiq realizuan arratisjen, pa u zbuluar e ndëshkuar, për arsye se organet e Sigurimit të Shtetit nuk ranë në gjurmët e tyre që në fazën e kompaktësimit dhe të organizimit si grup prej 9 vetash. Kuadrot kryesorë të Sigurimit të Degës së Brendshme Durrës, e në veçanti ata që kanë patur e mbajtur në lidhje si……, kanë përgjegjësi të rëndë si për paaftësinë e forcës zbuluese ashtu dhe për shkeljen e normave që kanë të bëjnë me vërtetimin e rrjetit sekret informativ.
Fakti që…. vinte nga radhët e të dënuarve, që edhe pasi ishte liruar vazhdonte veprimtarinë armiqësore në grup për arratisje, bënte të domosdoshme rritjen e vigjilencës e zbatimin me disiplinë të lartë të normave të punës me rrjetin sekret informativ.
Gjithashtu…. kishte nënën të arratisur, ai ishte interesuar për të, kishte filluar edhe korrespondencën. Për këto kishte informuar në organet e Sigurimit në Durrës, por nga këto organe nuk ishin bërë verifikimet e nevojshme për të parë saktësinë, vërtetësinë e tyre. Ai kishte informuar edhe për…., me sa duket për të vënë në gjumë organet e Sigurimit të Shtetit. Edhe kjo e dhënë nuk ishte verifikuar e saktësuar.
Për këtë ngjarje të rëndë si dhe për shkeljen e normave të veprimtarisë operative, ka përgjegjësi të veçantë shoku Agron Tafa, si drejtues i organit; përgjegjësi ka dhe Drejtoria e I-rë e Sigurimit të Shtetit, shoku Zylyftar Ramizi, që megjithëse kanë shkuar disa herë në Durrës, nuk janë ndaluar për një punë konkrete efektive në çështjet e mëdhaja që preokupojnë Sigurimin e Shtetit në këtë rreth delikat.
- Arratisja u bë për shkeljen e të gjitha normave dhe rregullave në kontrollin e shërbimit kufitar, megjithëse disa ditë përpara, ishte tërhequr vëmendje dhe thënë një sërë porosish me rastin e futjes të një punëtori tjetër në anijen tregtare e që arriti deri në Ravena të Italisë.
- Nuk u zbatuan rregullat për kontrollin fizik të motobarkës. Kontrolli i Kufirit që sipas rregullave duhej të futej në të gjitha mjediset ku mund të fshihen shkelës kufiri, për neglizhencë nuk e bëri, por u mjaftua vetëm me rreshtimin e ekuipazhit nga larg, bile ai nuk hipi fare në barkë. Për këtë u arrestua.
-Rojet e shërbimit kufitar në vend-qëndrimin e mjeteve të peshkimit, nuk zbuluan elementët armiq që u futën pa leje në motobarkë, megjithëse nuk e kishin motobarkën më larg se 30 m.
Shkaqet e këtyre shkeljeve të rënda e kanë bazën tek liberalizmi në zbatimin e normave e rregullave të vendosura për ruajtjen e kufirit në sektor ujor. Ato vërtetojnë mungesën e disiplinës në kontroll ndaj mjeteve tona të lundrimit, me mendimin e gabuar se ekuipazhi është i zgjedhur dhe elementi armik që mund të fshihet s’ka ku shkon, sepse mjeti pas peshkimit do të kthehet prap në qendër.
Siç doli nga efektivi i kufirit dhe peshkatarët, shkelje të tilla janë bërë edhe herë të tjera. Këto shkelje të rregullave të regjimit kufitar ishin studiuar, njohur dhe u shfrytëzuan nga armiku Enver Meta.
Për shkelje të rregullave të shërbimit, komprometime e in-disiplinime të disa ushtarëve në shërbim, kemi konstatime e kemi pasur informacione, për të cilat gjatë 3-4 vjetëve të fundit, jemi ndalur, duke shkarkuar dy herë komandën e pikës së kontrollit në portin e Durrësit, kemi hequr e zëvendësuar ushtarë të kompromentuar me të huaj me dhurata, kontrabandë orësh, deri shitje floriri. Për këtë qëllim edhe i kemi dubluar rojet pranë anijeve të huaja. Por ngjarja e rëndë që ndodhi tregon se edhe këto masa nuk kanë qenë efektive.
Ngjarja ngarkon me përgjegjësi të rëndë edhe komandën e Batalionit të Kufirit të Durrësit, për mungesë kontrolli e mos vendosjen e disiplinës ushtarake, të fortë e rigoroze, për ambientim me një situatë të sëmurë.
Veç përgjegjësisë së drejtpërdrejtë që kanë kuadrot e bazës, për këto të meta e dobësi përgjegjësi të rëndë ka dhe Komanda e Forcave të Kufirit, shoku Ferit Zeneli, Enver Pataj e Ismail Skeja të cilët megjithëse edhe këta kanë shkuar shpesh herë në Durrës, nuk kanë vendosur rregull, disiplinë që kërkojnë masat e shërbimit në kufi.
Ngjarja u analizua në sektorin e sigurimit dhe të kufirit, u caktuan detyra konkrete për përmirësimin e gjendjes. Detyra konkrete ju shtruan sektorit të Sigurimit për të verifikuar e zbuluar dorën e zbulimeve të huaja.
Çështja u analizua dhe në Kolegjiumin e Ministrisë ku me një frymë kritike e autokritike nxora dhe unë si ministër i Punëve të Brendshme, përgjegjësinë time për këtë ngjarje.
Kolegjiumi i Ministrisë sipas shkallës së përgjegjësisë direkt mori dhe masa. U nxorën në lirim (me afate të ndryshme):
- Zëvendës Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme Durrës, që drejton sektorin e Sigurimit dhe ka në vartësi portin, shoku Shemsi Spaho.
- Shefi i sektorit të Sigurimit për qytetin e Durrësit, shoku Arif Mezini.
- Punëtori Operativ që ka patur……., shoku Hamdi Medani.
- Komandanti i Batalionit të Kufirit Durrës, shoku Sabri Keçi
- Komandanti i Pikës Kontroll Kalimit në Portin e Durrësit shoku Adrian Lala.
- Oficer i drejtimit pranë Komandës Kufirit në Ministri, shoku Kapllan Vani.
- Komandanti i Postës Policisë Portit të Durrësit, shoku Bajram Idrizi.
- U shkarkuan nga funksionet ekzistuese 2 kuadro që lidheshin me ngjarjen: shefi i shtabit Batalionit të Kufirit Durrës, Sadik Ahmeti dhe shefi i seksionit të Sigurimit të Portit, Pëllumb Dedja.
- Ju dhanë në linjë shtetërore “Vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra” shokëve: Agron Tafa, Zylyftar Ramizi, Ferit Zeneli dhe Ismail Skeja si zëvendës komandant i Forcave të Kufirit që ka në vartësi direkt pikat e kontroll kalimit të kufirit.
Disa çështje të tjera që edhe mund të lidhen me problemin e mësipërm.
- Është e vërtetë që tendenca e arratisjes ka qenë dhe është e mprehtë. Organet tona për këtë tendencë kryejnë një volum të madh pune; në ndjekjen e tyre harxhojnë mjaft kohë, forca, mjete dhe para. Për këtë tendence nga viti 1984 e deri tani janë ndjekur afro 2 mijë vetë, janë arrestuar 398 persona, janë këshilluar e demaskuar 1100 persona të tjerë nga organet e Partisë, të pushtetit dhe Degët e Punëve të Brendshme. Me gjithë këto masa nga viti 1984 deri në 6 mujorin e parë të vitit 1988, mundën të realizojnë arratisjen jashtë shtetit 354 persona. Veç këtyre u kapën me tentativë për t’u arratisur në zonat kufitare, 495 vetë.
- Që nga çlirimi e deri në vitin e fundit janë arratisur në moshë madhore nga Shqipëria 11.800 vetë. Para vitit 1955, arratisjet kanë pasur karakter klasor, ata kanë qenë kryesisht armiq të pushtetit popullor e të deklasuar, kurse pas këtyre viteve e deri tani kryesisht nuk janë persona të armiqësuar politikisht apo ideologjikisht me pushtetin popullor, por në pjesën dërmonjëse janë njerëz të degjeneruar dhe të moshave të reja, të ndikuar nga propaganda borgjezo – revizioniste për një jetë të shthurur e liberale, kanë qenë të rinj me vese dhe akte rrugaçërie; shumica e tyre nuk i janë shtruar punës e kanë patur prirje të dembelizmit, nuk janë afruar e nuk kanë qenë të organizuar me organizatat e rinisë.
- Ngjarja e fundit na evidenton se portet tona që ndodhen brenda qyteteve nuk trajtohen si vija kufitare nga ku elementi armik sidomos ai i brendshëm mund të realizojë e kryejë veprimtari armiqësor, deri në arratisje. Konkretisht në portin e Durrësit kryejnë aktivitetin e tyre 6 ndërmarrje ekonomike, aty qarkullojnë në hyrjet e daljet rreth 10.000 punonjës. Sot të drejtën e fletë hyrjeve në port për punonjësit që punojnë në tokë e kanë vetë drejtoritë e ndërmarrjeve, kurse për ata që punojnë e hipin në mjetet lundruese e kanë Degët e Punëve të Brendshme. Përveç liberalizmit që ka në zbatimin e rregullave të hyrje-daljeve, ndikon negativisht edhe rrethimi jo si duhet i territoreve të porteve, ndriçimi i dobët i këtij rrethimi, ekzistenca e disa portave për hyrje- daljet etj.
Një gjendje e tillë është përafërsisht edhe në portet e tjerë. Mendojmë që krahas masave për përmirësimin e rrethimeve dhe të ndriçimit të porteve nga ndërmarrjet ekonomike e organet e pushtetit, të merren masa të forta për hyrje – daljet në porte si nga organet tona të punëve të brendshme, ashtu dhe drejtoritë e ndërmarrjeve. Rojet e post-blloqeve të porteve të jenë në vartësi e ky shërbim të kryhet nga forcat e kufirit sepse sot ato për hipjet e zbritjet në anije janë të forcave të kufirit; kurse në post-blloqet për hyrje daljet, disa janë të policisë, disa të vetë ndërmarrjeve.
- Analiza e ngjarjes në anijen “Dukati” nxjerr në pah edhe domosdoshmërinë e forcimit të bashkërendimit midis ndërmarrjeve të mjeteve të lundrimit, kufirit dhe ushtrisë. Këtu ka vend për të saktësuar ndonjë të metë në urdhrat e udhëzimet, por kërkohet sidomos bashkërendim për të zbatuar me rigorozitet normat dhe rregulloret ekzistuese, për koordinimin e punëve që mbulojnë radarët e kufirit e radarët e ushtrisë në ruajtje të sipërfaqes së ujit, për të zbatuar me rreptësi urdhrin që kur anijet dalin në det, çdo dy orë të lidhen me radio me qendrën. Në këtë drejtim ka shkelje flagrante. Vetëm në natën e 6 janarit 1989, nuk e zbatuan këtë urdhër 13 anije të peshkimit. Gjithashtu ndërmarrjet e peshkimit nuk japin sipas rregullave qysh më përpara komandës kufirit dhe ushtrisë edhe planin e lëvizjes së anijeve me formularët e caktuar për këtë çështje.
MINISTRI I PUNËVE TE BRENDSHME
HEKURAN ISAI
Mbledhja e Byrosë Politike për ngjarjen e anijes “Dukati”
ÇËSHTJA E KATËRT: “TË NDRYSHME” (NGJARJA E DURRËSIT)
SHOKU RAMIZ ALIA: Për ngjarjen e shëmtuar që ndodhi në Durrës na janë paraqitur materialet nga Ministria e Punëve të Brendshme, nga Komiteti i Partisë së rrethit të Durrësit dhe nga aparati i Komitetit të Partisë, shoku Simon Stefani. Shokët i kanë lexuar materialet. Tani ç’pyetje apo vërejtje keni për këto material? Vetëm flisni sa më shkurt.
SHOKU RITA MARKO: Kam disa pyetje për shokun Qirjako. Në raportin që ka paraqitur Komiteti i Partisë i Rrethit të Durrësit, nuk është bërë ndonjë analizë serioze dhe e thellë për këtë problem.
Këto fenomene negative që kanë ndodhur tregojnë që në Durrës ka element armiq që veprojnë e organizohen dhe partia në rreth nuk është në krye të situatës. Ç’përgjegjsi keni për këtë ngjarje ju shoku Qirjako? Pyetje tjetër: mbi ç’kritere merren në punë marinarët, qoftë në peshkim dhe në flotën tregtare?
Këtë pyetje e kam për shokun Hekuran. Si është e mundur që bashkëpunëtori juaj futet në port, për dy vjet nuk jep të dhëna dhe mbahet si i tillë në organet tuaja? Ky nuk është rasti i parë, ka pasur edhe raste të tjera. Po kështu dy vëllezërit, Jakup Vogli dhe Bardhyl Vogli punonin në port, njëri vinçier dhe tjetri në motobarkë, kur dihet që nënën e tyre e kishin të arratisur. Pse është lejuar kjo?
SHOKU RAMIZ ALIA: Në vijim të kësaj do të shtoja: mos ekziston mendimi te shokët e Ministrisë që bashkëpunëtori i Sigurimit është njeriu më besnik, të cilit mund t’i zihet besë pa kushte?
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Unë kam një pyetje tjetër për Zylyftarin, po në vijim të kësaj. Kur një bashkëpunëtor për dy vjet rresht nuk jep asnjë të dhënë, mbahet në bazë të Platformës? Ose si e matni ju efektivitetin e veprimtarisë së bashkëpunëtorëve?
SHOKU RITA MARKO: Këtë pyetje e kam për shokun Hekuran dhe Kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme të Durrësit. Ka të dhëna Dega e Punëve të Brendshme që në port futen njerëz dhe marrin kontakt me të huaj, bile dhe punonjës të portit? Në qoftë se keni të dhëna, pse nuk keni marrë masa? Ti personalisht shoku Agron, ke nxjerrë mësime për arratisjen në Han të Hotit të armikut Minella Andonit, që erdhi në Drejtorinë e Tiranës, morri çfarë deshi dhe iku duke na shkaktuar shumë shqetësime?
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Unë kam një pyetje për shokun Ferit. Dogana nuk e bëri kontrollin, se siç duket e ka pasur vijë, po Pika e Kontrollit të Kufirit ka bërë kontrolle të në kohën që janë nisur varkat? Po ti, Ferit, ke shkuar në Portin e Durrësit e të bëni kontrolle të befasishme për të parë se si i kryejnë detyrat piklat e kontrollit të kufirit?
SHOKU MANYSH MYFTIU: Kam edhe unë pyetje, shoku Ramiz. Nga raportet që lexova nuk e morra vesh si është e garantuar ruajtja e kufirit. Ka një sistem të organizuar për kontrollin e kufirit. Në bazë të rregullores kush duhej ta kontrollonte këtë pjesë të kufirit? Këtu u tha që janë bërë lëshime në zbatimin e rregulloreve. Kush i ka bërë këto lëshime? Këto fenomene flasin për një shkelje të përgjithshme e të rëndë të rregulloreve për ruajtjen e kufirit.
Së dyti, në Durrës kanë ndodhur disa gjëra të rënda. E njohin organet e Partisë dhe të Sigurimit, situatën reale politike dhe veprimtarinë e elementëve armiq? Fenomenet negative që kanë ndodhur në Durrës tregojnë që situata atje nuk është e mirë.
Juve, shoku Agron është e dyta herë që i’u ndodhin arratisje të organizuara, herën e parë u arratis nga Tirana me makinë banda e Minella Andonit, këtë radhë u arratisën nga Durrësi 9 veta me varkë peshkimi. Ç punë Sigurimi bëni ju atje?
Po kështu, kemi të dhëna që peshkatarët tanë, kanë marrëdhënie me peshkatarë italianë kur peshkojnë. Këta bisedojnë me njëri-tjetrin në mes të detit. Kontrollohen nga ana e Sigurimit, varkat gjatë peshkimit? Këto kisha unë.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Në materialin e MPB-së, thuhet që në Ndërmarrjen e Peshkimit ka punëtor me vese të këqija. Pse nuk kanë marrë masa Dega e Brendshme dhe Komiteti i Partisë i rrethit të Durrësit, për t’i hequr këta nga porti? Këta njerëz njihen vetëm në letër apo nuk hiqen që andej se ka ndonjë sentimentalizëm?
Një pyetje kam për shokun Qirjako. Si është ndërtuar puna e partisë në Durrës dhe ç’ndryshim ka nga e kaluara pas gjërave të papëlqyera që kanë ndodhur në portin e Durrësit?
Si ka punuar komiteti i Partisë së rrethit dhe vetë shoku Qirjako, për intensifikimin e punës të organizatave-bazë të Partisë? Këto ishin pyetjet e mia.
SHOKU RAMIZ ALIA: Tjetër, kush ka pyetje?
SHOKU HAJREDIN ÇELIKU: Kam dhe unë, shoku Ramiz. Në qoftë se nuk dhanë sinjal anijet e peshkimit, nga 15 që ishin, ndërmarrja duhet të bënte alarm. Apo duhet me çdo kusht të japin sinjal anijet?
Si qe e mundur të organizoheshin 9 veta për të kryer këtë veprim armiqësor dhe të mos marrë vesh gjë as organet e Sigurimit dhe as Partia në rreth?
SHOKU RAMIZ ALIA: Sigurimi, akoma nuk e di si ka ndodhur.
SHOKU HAJREDIN ÇELIKU: Përse nuk është vënë, në zbatim studimi që është bërë për forcimin e kufirit në port?
SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Kam edhe unë nja dy pyetje, shoku Ramiz. Ka dalë një urdhër i firmosur nga katër ministrat për disiplinimin e Portit të Durrësit. Në material thuhet që nuk janë dhënë mësime për zbatimin e këtij urdhri të firmosur nga këta ministrat. Pse është lejuar kjo dhe si është organizuar kontrolli i zbatimit të këtij urdhri? Thuhet që në port nuk është bërë rrethimi dhe ndriçimi. Ne kërkojmë të bëhet rrethimi e ndriçimi i ndërmarrjeve të thjeshta dhe jo më i portit. Pse është lejuar kjo gjendje?
SHOKU MANUSH MYFTIU: Ne nuk dimë si u futën në anije këta 9 vetë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Unë e di që janë futur ditën. Kam më pyetje? Nuk ka. Shokët u përgjigjen pyetjeve, po shkurt dhe me saktësi. Gjëra të përgjithshme nuk duam. Fjalën e ka shoku Hekuran.
SHOKU HEKURAN ISAI: Shoku Rita, bëri pyetjen përse e kanë mbajtur organet e punëve të brendshme këtë bashkëpunëtor në port, kur ka dy vjet që nuk ka dhënë asnjë të dhënë. Ky bashkëpunëtor është tërhequr në vitin 1984, në bashkëpunim sekret, dhe është zgjedhur nga elementët rrugaçë, vagabond, e me tendencë arratisjeje. Pra ky ishte i zgjedhur nga llumi, po të shprehemi kështu, për të zbuluar llumin. Ka punuar….. në port dhe është futur nga ne për të zbuluar këto kontigjente. Duke qenë se ky dha të dhëna për…., por që nuk u vërtetuan, kjo i vuri në gjumë organet e Sigurimit të Shtetit. Këtu është përgjegjësia jonë. Kjo është ulje vigjilence dhe mungesë përgjegjësie.
SHOKU RITA MARKO: Ka ndodhur disa herë që….., janë arratisur.
SHOKU HEKUARN ISAI: Vërejtja është e drejtë. Shoku Ramiz thotë, mos ekziston mendimi te organet e Sigurimit që…. janë njerëzit më të besuar? Ky mendim nuk ekziston, këtë e them në mënyrë absolute.
SHOKU RAMZI ALIA: Po mendimin që punonjësit e Sigurimit janë njerëzit më të besuar, më të ndershëm, e më të drejtë, ekziston?
SHOKU HEKURAN ISAI: Unë për vete nuk e kam këtë mendim, shoku Ramiz.
SHOKU RAMIZ ALIA: Unë flas për organet e Sigurimit të Shtetit. Atëhere pse lejohet, shoku Fierit, që punonjësi i Sigurimit të shkojë në kufi? Pastaj ndodh që arratiset, siç u arratis Minella Andoni. Nuk flet kjo për një besim, tepër të madh të punonjësit e Sigurimit?!
SHOKU HEKURAN ISAI: Në përgjithësi ky mendim nuk ekziston shoku Ramiz. Në qoftë se përpunojmë spiunë, këta nuk mund të jenë njerëz të ndershëm, sepse do të përpunohen me njerëzit e afërt që ka besim. Në qoftë se duam të zbulojmë hajdutët,… e kemi më të “zgjedhurin” midis hajdutëve. Ka patur raste që i kemi dënuar… kur na kanë dhënë të dhëna jo të vërteta. Megjithatë ka pasur dhe…. që kanë dhënë të dhëna të vërteta, në bazë të të cilave elementët keqbërës janë futur në burg me fakte ligjore. Kjo ka bërë që te punëtori operativ, të krijohet mendimi që… është njeri i ndershëm. Këtë e kap…. dhe fillon dezinformimin, kështu që detyrohemi të përdorim mjete të tjera. Në të tilla raste, ne i kemi përjashtuar…. si gënjeshtarë ose i kemi arrestuar. Sigurisht unë nuk mund të pretendoj që midis mijëra… që kemi, e kemi realizuar qëllimin. Ne duhet të thellohemi më mirë në gjetjen e…. Këtu është përgjegjësia jonë.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Përse nuk e vutë në ndjekje këtë…., kur e dinit që…. e kishte të arratisur? Ky vetë kishte tentativë për arratisje?
SHOKU HEKURAN ISAI: N…. i ishte arratisur që në vitin 1960.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Ky…. nuk ka dhënë as të dhëna. Platforma si thotë për këta?
SHOKU HEKURAN ISAI: Këtu, shoku Adil, duhet të punojë mëndja jonë, se platforma nuk i përcakton kaq hollësisht këto gjëra. Ky person është tërhequr në…., duke e pasur…. të arratisur.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Ai edhe, duke qenë…. ka pasur tendencë arratisjeje.
SHOKU HEKURAN ISAI: Unë nuk e di këtë që ai, ka pasur tendencë për arratisje duke qenë…. Kemi raste që dhe… na tradhtojnë. Ne mundohemi ti seleksionojmë, po mesa duket, nuk jemi të zotë ta bëjmë këtë. Këtu është puna jonë e dobët. Të dhënat që qytetarët lidhen me të huajt në port, kemi pasur me dhjetëra. Disa nga këta Sigurimi i ka kapur. Sipas fajit, disa i kemi futur në burg, dhe disa i kemi këshilluar. Po kështu kemi hequr dhjetëra ushtarë që kishim dyshime se kishin marrëdhënie me të huajt. Dhe kontrabandistët. Para një jave një qytetar, i dha ushtarit katër monedha floriri që ta ndihmonte të lidhej me të huajt. Florinjtë u kapën, kurse qytetarin nuk e kapëm dot.
SHOKU RITA MARKO: Kjo ka ndodhur në 6 janar.
SHOKU RAMIZ ALIA: Monedhat e floririt në rrugë u gjetën?
SHOKU HEKURAN ISAI: Ushtarit, monedhat e floririt i’a dha, një qytetar, që ky ta lejonte të komunikonte me të huajt. Këtë qytetari i’a kishte thënë më përpara ushtarit. Ushtari njofton menjëherë komandën. Si masë komanda, dërgoi një ushtar tjetër në atë anije, kur po i jepte florinjtë ushtarit, qytetari pa dhe ushtarin tjetër. Ai hipi në biçikletë dhe iku me shpejtësi.
SHOKU FOTO ÇAMI: Po e njeh ushtari qytetarin, që i dha florinjtë?
SHOKU HEKURAN ISAI: Nuk e njeh shoku Foto.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Kur kishte të dhëna, shoku Hekuran, që qytetari do të vinte të takonte ushtarin, pse nuk punoi Sigurimi?
SHOKU HEKURAN ISAI: Një pjesë e mirë e këtyre elementëve ne i kemi kapur. Pardje u kap një ushtar që po ngjitej në anijen koreane.
SHOKU MANUSH MYFTIU: Gjersa qytetari i dha florinj ushtarit, do të thotë që ata janë takuar dhe herë të tjera.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Ai iku sa pa ushtarin tjetër.
SHOKU HEKURAN ISAI: Raste që qytetarët janë të lidhur me kontrabandistët e marinarët e huaj ka pasur.
SHOKU RAMZI ALIA: Çfarë kishe për të shtuar për këtë ti, Agron?
SHOKU AGRON TAFA: Çështja e florinjve qëndron kështu: Një qytetar shkoi te anija rumune e i thotë ushtarit, që kam disa gjëra që duhet t’i punoj me marinarët e huaj, do të më lejosh? Ushtari i tha, nuk është koha tani, po hajde në orën 9 të darkës. Në të njëjtën kohë ushtari, njofton komandën. Për këtë masa u morën, por qytetari nuk erdhi atë natë, erdhi të nesërmen. Ushtari të nesërmen ishte me shërbim në një anije tjetër. Kështu qytetari të nesërmen shkoi dhe i dha florinjtë ushtarit. Ushtari i thotë, ndal, por qytetari i hipën biçikletës dhe del nga porti.
SHOKU RAMIZ ALIA: Mori ndonjë masë komanda e Sigurimit në port para se të vinte qytetari ditën e nesërme?
SHOKU HEKURAN ISAI: Në këtë rast shumë të rëndë, duhej të shkonte vetë kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, shoku Agron, madje dhe shokë nga ministria.
SHOKU MANUSH MYFTIU: Qytetari e ka takuar dy herë ushtarin.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ushtari e njoftoi përpara komandën për qytetarin që do të takohej me të. Ajo dërgoi për përforcim edhe një ushtar tjetër. Kurse organet e Sigurimit fjetën gjumë. Kjo është punë diletante e jo punë Sigurimi! Për këtë rast kaq flagrant, t’i duhej të shkoje vetë Hekuran ose ndihmësi yt, por rrini në qendër!
SHOKU HEKURAN ISAI: U bë një pyetje, pse nuk janë hequr nga porti elementët negativë me vese të këqija? Këto dy vjet nga porti janë hequr 100 e ca element të këtillë, duke i sistemuar në punë të tjera. Po a ka të tjerë për të hequr? Midis 12.000 punëtorëve që punojnë në port, mund të ketë prapë element negativë. Këto ishin pyetje që më përkisnin mua.
SHOKU RAMIZ ALIA: Tani e ka fjalën shoku Qirjako Mihali.
SHOKU QIRJAKO MIHALI: Shoku Rita, bën pyetjen çfarë përgjegjësie ndjej unë për këtë që ndodhi në Durrës.
Unë, si sekretar i parë i rrethit, kam një përgjegjësi shumë të madhe për këtë ngjarje të rëndë që ndodhi në Durrës. Ne kemi bërë analizë në byronë e Partisë së rrethit për këto problem dhe kemi nxjerrë dhe përgjegjësinë tonë. Nga analiza që u bë doli që puna e organizatave-bazë të Partisë nuk është në nivelin e duhur, problemet nuk shtrohen me këtë sens që po i diskutojmë sot. Përgjegjësia jonë qëndron në atë në byronë e Partisë së rrethit, më shumë kemi rrahur e diskutuar problem ekonomike, sesa problemet e ruajtjes së figurës morale të njerëzve tanë. Organizatat bazë të Partisë në port, problemit të edukimit duhej t’i kushtonin një vëmendje të veçantë, duke pasur parasysh që punonjësit atje janë përditë në kontakt me të huajt dhe nën presionin e tyre mund të bëjnë veprime të kundër-ligjshme e anti-socialiste.
SHOKU RAMIZ ALIA: Kam të dhëna që fëmijët e tu Qirjako, hyjnë në port lirshëm, marrin varkat dhe dalin për gjah në det? Çdo njeri mund të hyjë në port, Qirjako?
SHOKU QIRJAKO MIHALI: Fëmijët e mi hyjnë me leje në port shoku Ramiz.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po shoferi yt me leje hyn?
SHOKU QIRJAKO MIHALI: Me leje hyn shoku Ramiz.
SHOKU RAMIZ ALIA: Pse duhet hyjnë fëmijët e tu dhe të tjerët nga porti për të dalë në det për peshk ose për shëtitje? Porti është zonë kufitare?
SHOKU QIRJAKO MIHALI: Nuk ka hyrë njeri nga porti shoku Ramiz.
SHOKU AGRON TAFA: Unë e them me përgjegjësi që nuk ka hyrë njeri në port pa leje.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po me leje kanë hyrë?
SHOKU AGRON TAFA: Me leje po.
SHOKU RAMIZ ALIA: Kush nga shokët e Komitetit Ekzekutiv dhe të Komitetit të Partisë të rrethit hyjnë nga porti për të gjuajtur në det dhe me ç’të drejtë?
SHOKU AGRON TAFA: Asnjë shoku Ramiz.
SHOKU QIRJAKO MIHALI: Kam hyrë unë shoku Ramiz.
SHOKU RAMIZ ALIA: Pse thua ti Agron, që nuk ka hyrë njeri?
SHOKU AGRON TAFA: Me përjashtim të shokut Qirjako, nuk hyrë njeri në port shoku Ramiz.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ndërsa unë nuk përjashtoj asnjë njeri për zbatimin e rregullave të kufirit. Por unë di, që jo vetëm shoku Qirjako, por dhe të tjerë hyjnë në port. Shoferi shkon dhe prapa Qirjakos për të çuar diçka që i duhet. Ka vende të caktuara për të dalë për peshkim në det, e jo të hyhet nga porti që është pikë kufitare. Nuk është mirë kështu Qirjako. Kushdo nga shokët e Byrosë dhe shokë të tjerë mund të dalin në det për peshkim, po pa thyer rregullat. Rregullat janë për të tërë njësoj, dhe duhet t’i zbatojmë të gjithë.
SHOKU QIRJAKO MIHALI: Këtu u bë një pyetje, me ç’kritere merren në punë punëtorët e marinarët. Ata që punojnë në zonën kufitare, siç është porti, duhet të kenë biografi të mirë, pra kriteri bazë është biografia. Po në ndonjë rast dhe na ka shpëtuar, sepse për punëtorët nuk ka aq dokumente, siç ka për kuadrot. Siç tha dhe shoku Hekuran, sivjet u bë një studim i përgjithshëm për ndërmarrjet ekonomike që janë në zonën kufitare dhe në këtë kuadër, disa punonjës që ishin me biografi të keqe, i hoqëm nga porti. Shoqja Lenka thotë: pse nuk janë hequr të tërë? Nga 20 punonjës, që parashikohej të hiqeshin nga ndërmarrja e peshkimit, me studimin që u bë, u hoqën 13, pra kanë mbetur dhe 7 veta, pra nuk mund t’i heqim të tërë në një kohë, jo për sentimentalizëm, por për të mos krijuar shqetësime e alarme në familje.
SHOKU RAMIZ ALIA: Në raport thuhet që pas ngjarjes që ndodhi, një djalë ishte futur në anijen “16 shkurti” e do të arratisej në Ravena të Italisë dhe asnjë nga organizatat – bazë të Partisë të anijeve, nuk ishte mbledhur për të nxjerrë konkluzione për këtë çështje. Pra organizatat e partisë presin udhëzime.
SHOKU QIRJAKO MIHALI: Në organizatën – bazë të Partisë të anijes “16 shkurti” është bërë një analizë e veçantë për atë që ndodhi. Në atë mbledhje mori pjesë si i deleguar dhe sekretari i Komitetit të Partisë të rrethit. Konkluzionet e mbledhjes së organizatës – bazë të Partisë të anijes “16 shkurti” u janë dhënë edhe organizatave të Partisë të anijeve të tjera, që dhe këto të bëjnë analiza për punën e tyre. Deri më sot për këtë problem kanë bërë analiza 12 organizata – bazë Partie, ndërsa anijet e tjera janë jashtë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po në raport thuhet që: nga 16 organizata- bazë të Partisë që ka ndërmarrja e portit, vetëm dy prej tyre kanë bërë analiza për këtë problem.
SHOKU QIRJAKO MIHALI: Anija “16 shkurti”, është e Flotës Tregtare. Kurse në organizatën – bazë të Partisë të Portit, nuk është bërë analizë për këtë problem.
SHOKU SIMON STEFANI: Po brenda në port ndodhi ngjarja.
SHOKU QIRJAKO MIHALI: Në port ndodhi, po anija ishte e Flotës Tregtare. Prandaj analiza, në radhë të parë, duhej bërë në organizatat e Partisë të Flotës Tregtare, se në anijen tregtare u fut personi që tentoi të arratisej.
SHOKU RAMIZ ALIA: Për ngjarjen që ndodhi në anijen “16 shkurti”, shoku Qirjako, u mjaftua me analizën që bëri organizata – bazë e Partisë dhe e latë punën me kaq. Kjo ishte një kambanë e fortë alarmi. Prandaj për këtë shoku Ferit Zeneli, duhej të kishit nxjerrë konkluzione për të tërë kufirin në port. Konkluzione duhej të kishte nxjerrë dhe Komiteti i Partisë i rrethit të Durrësit, Dega e Punëve të Brendshme, ashtu si dhe vetë Ministria e Punëve të Brendshme dhe jo të veproni si zjarrfikësit që shuajnë zjarrin aty ku bie dhe ikin. Por nuk e bëtë këtë gjë, ndaj ndodhi prap në anijen “Dukati”, akoma më rëndë.
SHOKU QIRJAKO MIHALI: Shoku Manush tha që peshkatarët tanë bisedojnë me peshkatarët italian në det dhe neve kjo nuk na bën përshtypje. Kjo nuk është e vërtetë. Ata peshkatarë që kanë bërë veprime të tilla ne i kemi hequr nga ndërmarrja e peshkimit dhe i kemi bërë problem në të tërë anijet e peshkimit. Jam marrë unë vetë me këtë punë.
SHOKU SIMON STEFANI: Nga kontaktet që kemi pasur me sekretarët e organizatës-bazë të Partisë me komunistë, e nga studimi i protokolleve të mbledhjeve, rezulton që ky problem nuk është trajtuar nga ana juaj në atë masë që duhet.
SHOKU QIRJAKO MIHALI: Ky problem, shoku Simon, është trajtuar. Po grupi i punës që ishte ngarkuar nga Komiteti Qendror i Partisë për të bërë studimin e dokumenteve e të protokolleve të mbledhjeve të organizatës të Partisë, nuk më ka takuar mua fare si sekretar i parë i rrethit dhe të më thoshte që kemi nxjerrë këto e këto problem. Kjo nuk më duket e drejtë.
SHOKU SIMON STEFANI: Grupi i punës ishte ngarkuar të m’i jepte mua të dhënat dhe jo ty.
SHOKU RAMIZ ALIA: Mos u shqetësoni shumë, Qirjako. Ja ku e kemi materialin. Në qoftë se ti nuk je dakord me ndonjë nga çështjet që ngrihen në të, ke të drejtë ta argumentosh.
SHOKU QIRJAKO MIHALI: Këtë po them dhe unë që, duke u takuar me mua, ndonjë gjë mund të sqarohej që atje dhe nuk do të bënim debate këtu. Në këtë kuptim e kam vërejtjen unë, shoku Ramiz. Shoqja Lenka pyet pse nuk janë hequr nga porti punëtorët me vese të këqija. Disa nga këta punëtor ne i kemi hequr dhe do të vazhdojmë të heqim dhe të tjerë, pra nuk mund t’i hiqnim të tërë në një kohë.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Më shpejt mund të hiqeshin këta element, shoku Qirjako, që të mos ndodhte kjo që ndodhi tani. Po nuk është aty problemi. Fakti që po ndodhin gjithë këto fenomene negative në port, flet për atë që në Durrës nuk bëhet një punë intensive ideo-politike për edukimin e njerëzve, për rritjen e vigjilencës revolucionare në punë e kudo, që nga sekretari i parë dhe pesë sekretarët e Komitetit të Partisë të rrethit, pa përmendur kuadro të tjerë. Në Durrës kanë ndodhur disa raste të tilla. Në ditët e para të janarit njëri u fsheh në anijen e huaj për t’u arratisur, pastaj na doli që “ishte i dehur, i sëmurë”.
Mbledhja e Byrosë Politike për ngjarjen e arratisjes së anijes “Dukati”
ÇËSHTJA E KATËRT: “TË NDRYSHME” (NGJARJA E DURRËSIT)
SHOKU QIRJAKO MIHALI: Ne kemi shkuar herë pas here në port, shoqja Lenka.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Pse nuk paska efektivitet puna që bëni ju, shoku Qirjako?!
SHOKU RITA MARKO: Pse nuk keni marrë masa për zbatimin e rregullave e të vendimeve që janë marrë për thurjen e portit?
SHOKU QIRJAKO MIHALI: Ne kemi qëndruar në këtë problem, shoku Rita, bile ndaj kuadrove që nuk kanë bërë detyrën është mbajtur dhe qëndrim. Drejtorin e NN-së të Portit për zvarritje të problemeve para dy muajsh e shkarkuan nga detyra dhe vumë një tjetër.
SHOKU PROKOP MURRA: Drejtoria e Peshkimit dhe sot i shkel me të dyja këmbët rregullat, shoku Qirjako. Ja me dt. 16 BUD-i ndali anijen “Shkodra” që kishte hyrë në Himarë pa njoftuar fare dhe do t’i ndalim, në qoftë se shkelin rregullat e kufirit.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Në një raport që më ka dërguar Jovan Bardhi, thuhet se peshku jepet pa e shkarkuar nga varkat. Për këtë ka përgjegjësi dhe vetë Jovani.
SHOKU QIRJAKO MIHALI: Që të shitet peshku para se të shkarkohet në port, këtë gjë unë nuk e di, por që u jepet peshk njerëzve kemi pasur raste. Policët kanë kapur njerëz me trasta me peshk jashtë Ndërmarrjes së Peshkimit. Këtë e kemi bërë problem.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Fenomene të tilla nuk ndodhin vetëm në anijet e peshkimit, por në tërë portin. Porti është bërë si han, ku njerëzit hyjnë e dalin si të duan. Pse nuk është rrethuar porti, Qirjako? Kanë munguar investimet?
SHOKU QIRJAKO MIHALI: Investimet për rrethimin e portit janë dhënë. Puna ka filluar dhe do të vazhdojë dhe në vitin 1989. Ne kemi përgjegjësinë tonë këtu, por të fillojë ndërtimi i një objekti, siç është zgjerimi i portit, pa u bërë rrethimi, kjo nuk më duket e drejtë. Ne ndërtojmë një ndërmarrje të thjeshtë dhe bëhet rrethimi, pastaj ndërtohet objekti.
SHOKU RAMIZ ALIA: Mos i shikoni fenomenet të shkëputura, Qirjako, mos e reduktoni problemin në ikjen e 9 vetave. Në esfelt shkofshin këta 9 veta dhe 90 si këta! Me vagabondët s’mbahet Shqipëria. Por kjo tregon një gjë tjetër që nuk zbatohen rregullat, ligjet dhe normat që kemi. Në bazë të rregullores të miratuar nga katër ministrat, anija e peshkimit çdo dy orë duhet të njoftojë ku ndodhet. Kurse unë them që anija duhet të njoftojë në çdo orë. Po radarët pse nuk dhanë sinjal që të dilnin anijet luftarake ta kapnin. Ç’bëhet kështu? Pse nuk zbatohen ligjet e rregullat?
SHOKU PROKOP MURRA: Ju kini shumë të drejtë shoku Ramiz.
SHOKU RAMIZ ALIA: Atëherë vini rregull në dikasterin tuaj, Prokop. Problemi duhet parë më thellë. Duhen gjetur shkaqet që çuan në këtë ngjarje. Asnjeri nuk e di si u futën këta 9 veta në varkë ditën për diell dhe u arratisën në Itali pa u diktuar fare. Këta njerëz kanë qenë në marrëdhënie pune, por asnjë organizatë – bazë partie nuk u shqetësua pse nuk ka shkuar në punë iksi apo ipsiloni, vetëm kur e dha televizioni Italian, bile ai deklaroi që kapiteni është kthyer për të marrë vagabondët, gjë që nuk na është thënë nga këta tanët. Kjo flet qartë se të gjithë kanë fjetur, që nga Sigurimi i Shtetit, Ushtria, forcat e kufirit, organizatat e Partisë, kufitarët dhe deri marinarët. Kjo flet për dobësi të mëdha të punës së Partisë në rrethin e Durrësit, të organeve të Sigurimit, të kufirit dhe të Ushtrisë. Për ruajtjen e kufirit ka rregulla, por ato thyhen dhe asnjë nga këto organizma nuk mban përgjegjësi.
Kryesorja është të zbatohen ligjet e rregullat që keni miratuar. Ministria e Punëve të Brendshme të zbatojë rregullat e veta, kufiri të vetat dhe ushtria të vetat, asnjë lëshim të mos bëhet. Ty të ka vënë Partia për Ushtrinë, Prokop, prandaj vendos rregull atje, mos pyet për kërr-kënd. Po të jap urdhër që të nxjerrësh katret dhe t’i kapësh anijet që shkelin rregullat, qofshin civile, qofshin ushtarake. Qirjako thotë nuk është rrethuar porti. Pse me tela me gjemba do t’i mbajmë njerëzit, shoku Qirjako. Nuk është kjo rruga për parandalimin e fenomeneve negative. Parimisht kjo është e gabuar. Kryesorja është edukimi ideologjik i punonjësve, zbatimi i ligjeve e rregullave, rritja e vigjilencës në punë e kudo.
Vazhdo Qirjako!
SHOKU QIRJAKO MIHALI: Shoku Manush pyet si u mbyllën 7 marinarët në anije. Ne nuk dimë gjë, veç shpjegimeve që na kanë dhënë peshkatarët.
SHOKU RAMIZ ALIA: Për këtë asnjë nuk di gjë të saktë. Në raport thuhet që në orën 17 e 40 anija ka dalë në det dhe ka marrë me radio, pas kësaj nuk është ndjerë, por megjithatë nuk u shqetësua as njeri për këtë, megjithëse të gjithë e dinë që, në bazë të rregullores, anija çdo dy orë duhej të lidhej me radio me drejtorinë e peshkimit.
SHOKU QIRJAKO MIHALI: Këtu është gabimi, shoku Ramiz.
SHOKU RAMIZ ALIA: Këtu nuk është punë gabimi. Kjo tregon që kur shkelen rregullat nuk bëhet asnjë alarm. Për rastin konkret këtë e shfrytëzoi armiku dhe organizoi arratisjen. Pra shkelja e rregullave është një nga problemet që na shqetëson më shumë.
Tani e ka fjalën shoku Ferit Zeneli.
SHOKU FERIT ZENELI: Kjo ngjarje, për sa e kemi analizuar dhe gjykuar, në radhë të parë e ka burimin te moszbatimi i normave, te liberalizimi i kuadrove që lidhet pastaj dhe me mungesën e kontrollit nga ana jonë në atë thellësi dhe gjerësi që kërkohet.
Po i përgjigjem shkurt pyetjes se si u futën ata në anije. Atë ditë që ndodhi ngjarja, ushtari ka kthyer tre civilë me dokumente të pa rregullta dhe dy të tjerë që nuk kishin dokumente, pikërisht pse ishin në kundërshtim me rregullat. Po me ndërhyrjen e kryeinxhinierit, siç thotë ushtari, nënoficeri i thotë atij që t’i lejonte këta njerëz të hynin në port. Ky fakt tregon që porosia që dhatë ju një vit më parë në mbledhjen e Sekretariatit të K.Q të Partisë, që u bë për arratisjen e armikut Minella Andoni, nuk është kuptuar nga kuadrot tanë vartës.
Përgjegjësinë për ngjarjen, në radhë të parë, e kam unë, komisari i forcave të kufirit dhe vartësit tanë. Kjo ngjarje e shëmtuar ndodhi pikërisht se vartësve tanë nuk u është bërë edukatë zbatimi i rregullave.
A kemi bërë kontrolle? u bë një pyetje. Komanda e forcave të kufirit ka bërë shumë kontrolle në pikat në kufitare, bile dhe në orën 2 të natës dhe për mangësitë që janë vërejtur, këta 3 – 4 vjetët e fundit kemi shkarkuar dy komandantë të kësaj pike të kontrollit të kalimit, kemi lëvizur me dhjetëra ushtarë. Ndaj nënoficerin që e shkeli në mënyrë flagrante rregullat janë marrë masa. Po kështu, për të shmangur ndërhyrjet dhe ndikimin nga jashtë ndaj efektivit, kemi bërë dublimin e rojeve kufitar. Por e keqja është pikërisht këtu se shkelen rregullat e normat e nuk zbatohen urdhërat. Këtu është përgjegjësia jonë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Pse nuk e keni punuar e detajuar rregulloren e firmosur nga katër ministrat në çdo repart, anije etj?
SHOKU FERIT ZENELI: Urdhrin e katër ministrave ne e kemi zbërthyer e detajuar me kuadrot e komando e postave të kufirit. Në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, bashkë me shokun Kiço, jemi mbledhur e kemi diskutuar disa herë këtë problem.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po pse nuk kontrollohet zbatimi i tij?
SHOKU FERIT ZENELI: Për rastin konkret e keni fjalën, shoku Ramiz?
SHOKU RAMIZ ALIA: Nuk e kam vetëm për rastin konkret, po në tërësi urdhri i firmosur nga katër ministrat nuk është zbatuar.
SHOKU MANUSH MYFTIU: Nuk u lidh me radio anija me Degën e Punëve të Brendshme?
SHOKU FERIT ZENELI: Dega e Punëve të Brendshme nuk lidhet me mjetet lundruese.
SHOKU PROKOP MURRA: Anija duhej të lidhej me radio me Drejtorinë e Peshkimit dhe ta njoftonte se ku ndodhej.
SHOKU FERIT ZENELI: Në bazë të rregullores të miratuar nga katër ministrat, në qoftë se anija nuk njofton çdo dy orë me radio, Drejtoria e Peshkimit duhet të njoftojë menjëherë BUD-in dhe jo Degën e Punëve të Brendshme.
SHOKU RAMIZ ALIA: Domethënë ti, si komandant i Kufirit, nuk mund të dish ç’ndodh në det, në qoftë se nuk të njofton Drejtoria e Peshkimit? Atëherë gabimi është që në rregulloren e firmosur nga katër ministrat. Anija duhet medoemos të njoftoje çdo dy orë pikën e kontrollit të kalimit dhe BUD-in, ndryshe nuk mund të kontrollohet ruajtja e kufirit.
SHOKU FERIT ZENELI: Më falni, shoku Ramiz, ta shpjegoj këtë. Me Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, kemi vendosur një rregullore që brenda tre miljesh në ujërat e brendshme, do të përgjigjet komanda e kufirit dhe të gjitha njoftimet i merr ajo.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po ti the që Ndërmarrja e Peshkimit nuk e njofton Degën e Punëve të Brendshme! Nga e merr vesh komanda e pikës së kontrollit të kufirit që anijet nuk kanë dalë jashtë ujërave territoriale? Kush e njofton atë?
SHOKU FERIT ZENELI: Ne kemi të dhëna për të gjitha mjetet e peshkimit që janë në zonat, ku kemi vendosur radarët. Jashtë kësaj rrezeje, ne nuk marrim vesh, veçse kur na njofton BUD-i.
SHOKU RAMIZ ALIA: BUD-i nuk ka si të njoftojë, se peshkimi nuk e njofton BUD-in.
SHOKU KIÇO MUSTAQI: Më falni ta sqaroj pak, shoku Ramiz. Në rregullore thuhet që ndërmarrja e peshkimit njofton pikën e kontrollit të kufirit. Kjo pastaj njofton BUD-in. BUD-i duhet të njoftojë Ministrinë, flotën e kështu me radhë. Kur e kishte ushtria kufirin, njoftonte atë dhe BUD-in. Pra këtu ka shkelje të rregullave edhe nga ana jonë. Ne kemi bërë analizë për këtë problem.
SHOKU FERIT ZENELI: Kështu është siç thotë shoku Kiço. Pra sa herë që dalin dhe kthehen mjetet e lundrimit njoftojnë pikën e kontrollit të kufirit dhe BUD-in.
SHOKU RAMIZ ALIA: Kë duhet të njoftojë anija çdo dy orë?
SHOKU FERIT ZENELI: Çdo dy orë anija duhet të njoftojë Ndërmarrjen e Peshkimit.
SHOKU RAMIZ ALIA: Kjo qenka një rregullore e çuditshme! Përse duhet ta njoftojë anija çdo dy orë Ndërmarrjen e Peshkimit, që t’i thotë se ka zënë peshk?!
SHOKU FERIT ZENELI: Duhet ta njoftojë që ajo të dijë se ku ndodhet anija.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po, ja, që anija nuk e njoftoi fare Ndërmarrjen e Peshkimit dhe pika e kontrollit të kufirit nuk e mori vesh, kur ajo doli nga ujërat territoriale.
SHOKU FERIT ZENELI: Ashtu ndodhi, shoku Ramiz.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ti je ngarkuar për të mbrojtur kufirin, Ferit, por ti nuk e ke organizuar punën në mënyrë të tillë që të informohesh çdo dy orë për anijet që janë në det. Rregullorja këtë e ka gabim.
SHOKU HEKURAN ISAI: Nuk është puna të kapemi pas rregulloreve, shoku Ramiz.
SHOKU RAMIZ ALIA: Pikërisht te rregulloret duhet kapur, prandaj mos i nënvleftëso këto gjëra, shoku Hekuran.
SHOKU HEKURAN ISAI: Nuk kemi mungesë rregulloresh, po ka pasur thyerje të tyre. Në bazë të rregullores, çdo dy orë anija duhet të njoftojë se ku ndodhet. Por ka pasur që nuk kanë njoftuar dhe nuk janë marrë masa për t’i kthyer anijet që thyejnë rregullin. Kjo nuk është bërë dhe u bë e zakonshme tani.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po ku e di ti se anijet e tjera nuk kanë njoftuar se ku ndodhen?
SHOKU HEKURAN ISAI: Regjistrimet tregojnë që nuk kanë njoftuar.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po kush i kontrollon ato regjistrime?
SHOKU HEKURAN ISAI: Nga një kontroll që u bë, për një ditë u gjetën 11 anije që nuk kishin njoftuar se ku ndodheshin gjatë peshkimit.
SHOKU RAMIZ ALIA: Rregullorja, po e përsëris, thotë që një anije në det të hapur njofton Ndërmarrjen e Peshkimit në çdo dy orë vend ndodhjen e saj, por në fakt anijet nuk e bëjnë këtë. Pikërisht këtu është gabimi i rregullores, shoku Hekuran. Anijet duhet të kontrollohen çdo orë nga pika e kontrollit të kufirit, që të jetë në dijeni kufiri, cila anije hyn në port dhe cila del dhe ku ndodhet secila. Nuk i kushton gjë radistit e Ndërmarrjes së Peshkimit që të njoftojë pikën e kontrollit të kalimit. Në qoftë se ai thotë që X anije nuk është, atëherë pika e kontrollit do të njoftojë BUD-in që X anije në këtë kuadrat mungon, prandaj kontrolloje me radar. Po kjo duhet të jetë në rregullore. Prandaj rregulloret e kufirit duhet të jenë shumë të rrepta.
SHOKU FERIT ZENELI: Po ne nuk i mbajmë dot nën kontroll anijet me radarët që kemi.
SHOKU RAMIZ ALIA: Anijet duhet t’i kontrollojë me radar BUD-i. E njoftoi pika e kontrollit në port BUD-in që kjo anije nuk është në kuadrat?
SHOKU FERIT ZENELI: Anija nuk njoftoi as pikën e kontrollit të kalimit dhe as BUD-in.
SHOKU RAMIZ ALIA: Pikërisht këtë po them unë që ky është një defekt i madh i rregullores. Thuaj këtë që nuk ka rregulla, po vetëm familjaritet dhe “shoqëri” dhe kjo është bërë e zakonshme tani. Çfarë kishe tjetër, Ferit?
SHOKU FERIT ZENELI: Pas ngjarjes që ndodhi vitin e kaluar dhe porosive që na dhatë ju…
SHOKU RAMIZ ALIA: Lere ngjarjen e vitit të kaluar. Na flit për ngjarjen e anijes “Dukati” dhe të anijes “16 Shkurti” që ndodhën tani.
SHOKU FERIT ZENELI: Ajo e anijes “16 Shkurti” ndodhi në dhjetor. Në atë kohë unë isha në Kukës dhe Dibër.
SHOKU RAMIZ ALIA: Nuk ka fare rëndësi se ku ndodheshit. Rëndësi ka ç’masa ka marrë Drejtoria e Kufirit për forcimin e kontrollit të kufirit?
SHOKU FERIT ZENELI: Shoku Hekuran dërgoi një shok nga ministria në analizën që bëri Dega e Punëve të Brendshme të Durrësit për ngjarjen që ndodhi në anije “16 Shkurti”. Por me ngjarjen që ndodhi në anijen “Dukati”, e gjykojmë që analiza nuk ka qenë e thelluar.
SHOKU RAMIZ ALIA: Konkretisht, çfarë masash u morën? Këtë duam të dimë ne.
SHOKU FERIT ZENELI: Ndaj kuadrove u mbajt qëndrim, shoku Ramiz.
SHOKU RAMIZ ALIA: Nuk flet kjo ngjarje që kontrolli në kufi është kaq i dobët, saqë njerëzit mund të hynë e të dalin si të duan e kur të duan në port!! Këtë konkluzion nuk e nxorët? Prandaj u thashë mos u bëni si zjarrfikëset që shuajnë një zjarr dhe ikin. Për ngjarjet që ndodhin duhet nxjerrë konkluzione të përgjithshme.
SHOKU FERIT ZENELI: Ne u munduam që t’i futemi sa më thellë problemit për këtë ngjarje. Për anijen “16 Shkurti” rregullin e shkeli nënoficeri. Ky ishte komunist dhe sekretar i organizatës –bazë të Partisë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po çfarë konstatuat?
SHOKU FERIT ZENELI: Ne konstatuam që nuk bëhet kontroll i imët në anije që dalin në det. Ndaj kuadrove që kishin shkelur rregullat u mbajt qëndrim.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po çfarë duhet bërë që të mbrohet kufiri?
SHOKU FERIT ZENELI: Ne kishim menduar që brenda 10 ditëshit të parë të janarit, të bëhej analizë në Degët e Punëve të Brendshme dhe repartet e tjera të kufirit për ngjarjen që ndodhi në anijen “16 Shkurti”. Po disa mangësi shokët i korrigjuan në vend.
SHOKU RAMIZ ALIA: Për ngjarjen e anijes “16 Shkurti” duhet të kishit nxjerrë konkluzione për tërë repartet e kufirit, Ferit!
SHOKU FERIT ZENELI: Kontrollin e imët në anijen “16 Shkurti” e neglizhoi nënoficeri.
SHOKU RAMIZ ALIA: Domethënë fajin e ka nënoficeri?!
SHOKU FERIT ZENELI: Ne kemi fajin tonë, shoku Ramiz.
SHOKU RAMIZ ALIA: Nuk është kështu, Ferit. Po të ishte çështja që fajin e ka një njeri, ja e hoqët atë, u zgjidh problemi?
SHOKU FERIT ZENELI: Jo, nuk zgjidhet.
SHOKU MANUSH MYFTIU: Nuk vihet alarmi kur shkelet kufiri?
SHOKU FERIT ZENELI: Vihet, shoku Manush.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Në tokë kemi klonin dhe një njeri të tentojë të kalojë jepet alarmi nga posta kufitare. Po në det çfarë mjetesh ka që të sinjalizojë që anijet po largohen nga ujërat territoriale?
SHOKU FERIT ZENELI: Për detin nuk kemi mjete. Alarm, në kuptimin që tha shoku Ramiz, nuk bëhet, pra dhe vërejtja qëndron plotësisht.
SHOKU MANUSH MYFTIU: Kur anija nuk njofton çdo dy orë se ku ndodhet, atëherë si e kontrollon pika e kontrollit të kalimit në port?
SHOKU FERIT ZENELI: Anija njofton çdo dy orë Ndërmarrjen e Peshkimit dhe jo pikën e kontrollit të kalimit në port. Tani do ta vëmë në rregullore që të njoftojmë pikën e kontrollit në port, ashtu siç tha shoku Ramiz.
Shoku Hajredin bëri një pyetje, përse nuk është zbatuar studimi që është bërë për forcimin e kufirit në port. Pas ngjarjes që ndodhi në Han të Hotit, t’ia themi hapur Byrosë Politike, ne e përqendruam vëmendjen në Portin e Durrësit. Masat e para që u morën ishin rrethimi i portit, ku puna vazhdon, dhe disa masa të tjera për forcimin e kufirit. Për rrethimin e portit na ndihmoi dhe shoku Qirjako me një vendim që mori Komiteti i Partisë i rrethit. Propozuam të bëheshin disa shtesa në organikë për kalatën lindore të portit që po ndërtohet, duke menduar se me këtë do ta siguronim më mirë portin.
SHOKU RAMIZ ALIA: Me rrogë apo pa rrogë janë nënoficerët e pikës së kontrollit?
SHOKU FERIT ZENELI: Me rrogë janë, shoku Ramiz.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po nga Durrësi janë?
SHOKU FERIT ZENELI: Vetëm një është nga Durrësi. Një është nga Tepelena.
SHOKU RAMIZ ALIA: Vetëm dy nënoficerë janë në pikën e kontrollit?
SHOKU FERIT ZENELI: Për kontrollin e mjeteve të brendshme të anijeve janë tre nënoficer.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po oficerët çfarë detyre kanë?
SHOKU FERIT ZENELI: Oficerët kanë detyrë të kontrollojnë anijet e huaja dhe anijet tona tregtare që shkojnë e vijnë nga jashtë.
Studimi për portin ka përfunduar në muajin dhjetor të vitit që shkoi, po ministritë e tjera patën debate për rrethimin e portit, dikush pranonte e dikush nuk pranonte të thurej porti. Debate pati dhe për vënien e rojeve. Si përfundim , ranë dakord të tërë, po studimin akoma nuk e kemi paraqitur në qeveri.Ne kemi një përgjegjësi shumë të madhe për këtë ngjarje shumë të rëndë. I shpreh Byrosë Politike që, pa u trembur nga presioni që na bëjnë armiqtë, qoftë të jashtëm dhe të brendshëm, nuk do të na mungojë as devocioni, as besnikëria e as ndërgjegjja për të kryer detyrën. Partia, Byroja Politike ka plotësisht të drejtë jo vetëm të më kërkojë llogari deri në një për këtë , po dhe të më shkarkojë nga detyra.
Mbledhja e Byrosë Politike për ngjarjen e arratisjes së anijes “Dukati”
ÇËSHTJA E KATËRT: “TË NDRYSHME” (NGJARJA E DURRËSIT)
SHOKU RAMIZ ALIA: Mirë. Tani e ka fjalën Agron Tafa.
SHOKU AGRON TAFA: Po u përgjigjem pyetjeve që më përkasin mua. Për sa i përket…., nuk ka patur të dhëna që ka pasur tendencë arratisjeje, pasi e kemi tërhequr në bashkëveprim.
SHOKU RAMIZ ALIA: Qartë! Mos hyrë në hollësira!
SHOKU AGRON TAFA: Për ngjarjen që ndodhi tani unë kam një përgjegjësi të rëndë, për këtë jam i ndërgjegjshëm. Më vjen rëndë që, pas një viti që bëri analizën Sekretariati i Komitetit Qendror për arratisjen në Han të Hotit, të vij të gjykohem përsëri në Byronë Politike, për të njëjtin problem shqetësues.
Megjithatë kam qenë dhe do të jem gjithmonë ekzigjent në gjykim dhe qëndrimet e Partisë. Me zemër të hapur i them Byrosë Politike që kam reflektuar dhe luftuar për të vënë në jetë vërejtjet, porositë dhe masat që mori Sekretariati i Komitetit Qendror të Partisë për arratisjen në Han të Hotit të bandës së Minella Andonit.
Kritikën e drejtë dhe porositë tuaja, shoku Ramiz, jam përpjekur t’i kuptoj drejt dhe të reflektoj për përmirësimin e punës. Qëndrimin e ngrohtë dhe dashamirës të Partisë ndaj meje jam munduar t’ia shpërblej me punë. Për këtë kam luftuar në dy drejtime:
- Së pari, si anëtar i Komitetit Qendror të Partisë, pas analizës që bëri Sekretariati i Komitetit Qendror të Partisë për ngjarjen në Han të Hotit, i bindur plotësisht në vlerësimet dhe gjykimet e drejta të Partisë, jam përpjekur që në punë të udhëheq me shembullin tim personal dhe të justifikoj besimin që më dha Partia. Në fillim u mundova të njihesha sa më shpejt me problemet e rrethit të Durrësit dhe t’i dilja për zot punës. Familjen e mora menjëherë me vete. Me shpirt e ndieja se ndaj Partisë kisha detyrime dhe isha borxhli. Me shembullin personal kam ndikuar te vartësit, për t’i mobilizuar ata në punë. Jam lidhur me organet e pushtetit e të Partisë në rreth dhe jam munduar të komunikojë drejt me ta për të evidencuar problemet e shqetësimet e punës, që të siguroj ndihmën dhe udhëheqjen e tyre. Në këtë këndvështrim mendoj se nuk kam mbajtur rezerva dhe, si komunist, kam bërë përpjekje për të përligjur besimin e Partisë dhe emrin si komunist.
- Së dyti, si kryetar i Degës së Punëve të Brendshme kam bërë përpjekje dhe do të vë të gjitha forcat për të realizuar porositë e Partisë dhe tuajat. Shoku Ramiz, për të vepruar më me shkathtësi e zgjuarsi për zbulimin e veprimtarisë armiqësore e keqbërëse. Konkluzionet e nxjerra pas arratisjes në Han të Hotit dhe porositë e veçanta që janë dhënë për portin, si kanal i mundshëm për veprimtarinë armiqësore, jam munduar t’i punoj me të gjithë kuadrot dhe hallkat dhe të organizoj punën për mbylljen e shtigjeve që mund të shfrytëzoheshin nga element armiq, siç u shfrytëzua në rastin konkret. Për problemet e portit kemi bërë një analizë të posaçme me shokun Qirjako, kemi bërë plane të veçanta, duke shtruar detyra konkrete për secilin kuadër.
Disa masa i kemi marrë për portin. Masa janë marrë për heqjen e njerëzve me biografi të keqe që nuk e meritojnë të punojnë në port, për forcimin e regjimit të fletë-hyrjeve, për sigurimin e anijeve të huaja me dy ushtarë nga një që kishte më parë. Kjo u bë për shkak të presioneve të mëdha që bënin të huajt për komprometimin e tyre dhe të kalesave që kemi patur kohët e fundit.
Duke marrë shkas dhe nga analiza që u bë në kolegjiumin e ministrisë me shokun Simon, morëm disa masa të përgjithshme për portin, me plane konkrete pune. Gjykuam me vend ndërtimin e punës operative në port, sidomos në brigadat që punonin në kontakt me të huajt. Por me gjithë masat që u morën duhet thënë që ngjarja që ndodhi nuk i përligj ato.
Përgjegjësia për këto dy ngjarje është në dy drejtime: së pari si organ, Sigurimi nuk siguruam informacion për të gjithë këtë veprimtari armiqësore që u zhvillua në port dhe, së dyti, për mungesë kontrolli ndaj……që doli tradhtar.
Nga të dhënat që po sigurojmë tani, del qartë që kjo veprimtari nuk është e rastit. Këta element kanë manifestuar shfaqje të huaja, u pëlqente jeta e shthurur, muzika e huaj, disa kamë lidhje interesi me persona në Itali ose me vizitorë që kanë qenë atje. Ata janë mbledhur për të organizuar këtë arratisje, por Sigurimi ynë nuk e ka nuhatur veprimtarinë e tyre. Ne po e ndjekim me kujdes këtë punë me sensin që të zbulojmë dorën e Zbulimit të huaj, sidomos atij Italian, veprimtaria e të cilit është jo vetëm e hershme, por edhe aktuale në rrethin e Durrësit.
Si gjithmonë dhe këtë radhë, ngjarja është rrjedhojë e drejt për drejtë e shfaqjeve të theksuara të liberalizmit. Ato kanë ekzistuar, i evidentoi dukshëm ngjarja. Armiqtë e kishin nuhatur që nuk bëhej kontroll, prandaj patën kurrajo dhe u futën në anije. Nënoficeri i pikës së kontrollit e dinte se kontrolli i komandës së portit ishte i dobët, prandaj nuk i kontrollonte anijet konform rregullores. Ndërmarrja dhe peshkatarët e shihnin që nuk i bëhej kontroll i plotë në anijet dhe pajtoheshin me gjendjen. Këto mungesa u evidentuan edhe në mbledhjen llogaridhënëse. Mungesa e kontrollit kultivoi mëndje madhësinë dhe ambientimin me gjendjen. Në Ndërmarrjen e Peshkimit ka zënë rrënjë koncepti që peshkatarët janë janë kufitarë dhe nuk shkojnë në shtetet të tjera, prandaj dhe kontrolli ishte i dobët.
Sinjal për këtë arratisje ishte dhe tentativa e arratisjes e personit që u fut në anijen “16 Shkurti”, që do të shkonte për në Ravena. Disa masa ne i morëm për forcimin e punës në komandën e repartit. Shërbimet e policisë, qoftë dhe duke dubluar rojet, në mënyrë të veçantë për anijet me ngarkesa, siç ishte anija “16 Shkurti”.
Megjithatë, ta themi hapur, jemi larg asaj që kërkon Partia, që zbatimi i rregulloreve dhe normave t’u hyjë në gjak njerëzve. Një ndikim të fortë në këtë problem, ka puna e Partisë, por dhe shembulli personal i kuadrove.
Presioni ndaj kuadrove dhe efektivit për lëshime dhe komprometim është i fortë. Nuk janë pa ndikim edhe fryma e justifikimit, hezitimi apo mos qëndrimi autokritik ndaj vetes dhe shokut.
Megjithatë unë e kuptoj që ngjarja është e rëndë dhe për këtë ndjej përgjegjësi para Partisë. Por kam besim të patundur në gjykimin e Partisë dhe nuk do të kursej asgjë për interesat e saj.
Këto kisha unë shoku Ramiz.
SHOKU RAMIZ ALIA: Tani e ka fjalën shoku Kiço Mustaqi.
SHOKU KIÇO MUSTAQI: Arratisja e anijes së peshkimit është një ngjarje e rëndë. Nga tre raportet që lexova, del që: po të zbatoheshin rregullat që kemi vendosur për kufirin, nuk do të ndodhte kjo.
Më duket që masat organizative, administrative, që u morëm pas ngjarjes në linjë partie e shtetërore, janë më të plota, por kjo çështje duhet shikuar më thellë. Dhe ne, si ministri, për këtë ngjarje të nxorëm përgjegjësinë tonë për Komandën e Flotës, dhe drejtorinë operative, si dhe morëm masat përkatëse, çmobilizuam dy oficerë, një e shkarkuam nga detyra, e të tjera. Nga kjo ngjarje nxorëm konkluzionin që Flota Luftarake duhet ta ndjekë situatën në det dhe të bashkëveprojë me Flotën Tregtare dhe me atë të Peshkimit.
Ushtria ka mjaft pika delikate, që për pakujdesi në zbatimin e rregullave apo nga një veprim armiqësor, mund të ndodhin ngjarje të rënda politike dhe ushtarake.
SHOKU RAMIZ ALIA: Kinema “Partizani” në Tiranë na u dogj me një cigare.
SHOKU KIÇO MUSTAQI: Zbatimin e rregullave, forcimin e disiplinës dhe kontrollit po e shohim më gjerë në çdo drejtim e hallkë të Ushtrisë.
Për të gjitha këto mangësi unë kam përgjegjësinë time para Byrosë Politike dhe Shtabit të Përgjithshëm. Këto problem do t’i shoh më thellë për të rritur kërkesën e llogarisë dhe të jem më i rreptë ndaj çdo shfaqje të liberalizmit në shkeljen e rregullave në Ushtri.
Në diskutimin e shokut Ferit, mendoj që ka njëanshmëri. Ju, si Komandant i Kufirit, shoku Ferit, urdhrin duhet ta kishit lexuar mirë. Urdhri thotë që Ndërmarrja e Peshkimit duhet të njoftojë çdo dy orë pikën e kontrollit të kalimit në port. Ky urdhër është që kur kufirin e kishte Ministria e Mbrojtjes Popullore. Në qoftë se është puna që duhet të dalë një katër. Flota Luftarake i ka nxjerrë dhe do t’i nxjerrë. Por problem nuk është këtu. Problemi është të zbatohen me rigorozitet rregull;at e normat në Ushtri, në organet e punëve të Brendshme dhe në sektorin civil. Prandaj, zbatimin e rregullave, shoku Ferit, duhet ta ndjekë nga afër.
Në raportin e Komitetit të Partisë shoku Qirjako duhej të thellohej më tepër në analizën e kësaj ngjarjeje, të nxirrte përgjegjësinë e aparatit të Komitetit të Partisë dhe të tijën personalisht për nivelin e ulët të punës së partisë në rreth.
Duhet reflektuar tani, vërejmë që urdhra me katër firma nuk duhen. Prandaj duhet t’i rishikojmë urdhrat që kemi nxjerrë. Urdhrat duhen të jenë të prerë.
Detin unë e kam ndarë në kuadrate për t’a kontrolluar, që të mos futet asnjë anije e huaj për një agresion të përgjithshëm e nuk e shikoj nga këndi tjetër. Problemi kryesor është që nuk janë zbatuar rregullat, duke nisur që nga unë. Unë nuk i kam kërkuar llogari zëvendësit tim për zbatimin e rregullave, që edhe ai t’i kërkonte vartësve të vet. Komandantit të Flotës Luftarake, Skënder Doçit dhe Ndue Jakut, nuk u kam kërkuar llogari me atë forcë që duhet të raportojnë në kohën e caktuar për zbatimin e detyrës luftarake. Kërkesa e llogarisë ka qenë e dobët dhe për çështje të tjera që kanë pasur divizionet, prandaj unë mbaj përgjegjësi bashkë me Shtabin e Përgjithshëm dhe për këto fenomene që kanë ndodhur. Këto kisha unë, shoku Ramiz.
SHOKU RAMIZ ALIA: Mirë. Tani e ka fjalën shoku Zylyftar Ramizi.
SHOKU ZYLYFTAR RAMIZI: Ngjarja e anijes “Dukati” është e rëndë. Kjo, si dhe ngjarja e Shkodrës, kanë si faktor të përbashkët shkeljen e normave dhe të rregullave nga organet e Sigurimit e të Kufirit, ku drejtoj unë, shoku Ferit Zeneli dhe Agron Tafa.
Kjo ngjarje bëhet edhe më e rëndë për faktin që një vit më parë u bë një analizë në Sekretariatin e Komitetit Qendror të Partisë për arratisjen në Han të Hotit. Shoku Ramiz në fjalën e tij të mbajtur në mbledhjen e Sekretariatit theksoi: “Organet e punëve të Brendshme duhet të kuptojnë këtë ngjarje si një kambanë alarmi dhe nëpërmjet analizë së saj, të evidentojmë më mirë dobësitë që vihen re në aspektin organizativ, në zbatimin e rregullave e në luftën kundër shfaqjeve të huaja dhe familjaritetit e të liberalizmit. Kjo kërkon gjithnjë vendosjen e një disiplinore rigoroze në zbatimin e rregullave”.
Faktet tregojnë që këto fenomene kanë ndodhur se ka pasur shkelje të rregullave dhe normave. Këtu është dhe përgjegjësia ime.
Për zbatimin e një urdhri ushtarak nuk është e nevojshme të bëhet një punë politike e të ketë përgatitje profesionale. Në postën e kufirit dhe në pikën e kontrollit të kalimit në port, futesh vetëm me lejen e organeve të kufirit të shoqëruar me pasaportë. Kryetari e zëvendës kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, nuk kanë nevojë për punë politike e përgatitje profesionale që të kërkojnë zbatimin e një nga normat bazë, atë të vërtetimit me të gjitha llojet e punës operative, të rrjetit sekret informative dhe, në veçanti, të punës së bashkëpunëtorit që ka dalë nga veprimtaria armiqësore dhe keqbërëse.
Për këtë kam faj direkt unë, shoku Ferit dhe shoku Agron.
Pa mohuar rezultatet që janë arritur gjatë kësaj periudhe në punën e Ministrisë dhe të organeve në bazë, siç e ka përcaktuar Partia dhe ju shoku Ramiz, në organet e punëve të brendshme ka pasur të meta dhe dobësi. Pra, vërejtjet që bëhen për organet e punëve të brendshme, qëndrojnë. Por, përveç dobësive, që ekzistojnë akoma në organet e punëve të brendshme, herë pas here ka edhe shfaqje të mendjemadhësisë, që, për mendimin tim, e kanë burimin te e kaluara. Shfaqjet e mëndje madhësisë shprehen edhe në veprimtarinë operative, në shkeljen e normave, në marrjen, ndjekjen e përpunimin. Me gjithë luftën që është bërë kundër shfaqjeve të tilla, përsëri konstatojmë përpunime të pabazuara, ndjekje tej afatit. Këto raste të rralla janë, por me pasoja të rënda, që e kanë bazën te e kaluara. Po kështu, me gjithë punën e madhe që është bërë në ministri kundër këtij koncepti, ka raste kur kryetari dhe zëvendës kryetari i Degës së Punëve të Brendshme e matin punën e Punëtorit Operativ me numrin e përpunimeve dhe jo me punën që bëhet për zbulimin dhe parandalimin e veprimtarisë armiqësore. Ky është një koncept i gabuar dhe me pasoja shumë të rënda.
Akoma ka kuadro kryesorë që nuk e ngarkojnë veten me punë, që nuk marrin pjesë direkt për të zgjidhur punë konkrete. Ata duan ta ruajnë veten e tyre dhe t’ia shkarkojnë punët te kuadrot e bazës.
SHOKU RAMIZ ALIA: A ka familjaritet në organet e punëve të brendshme, duke filluar që nga kuadrot e Ministrisë?
SHOKU ZYLYFTAR RAMIZI: Ministri dhe zëvendës ministrat kanë bërë kritika drejtpërdrejt dhe të hapët në mbledhjet e kolegjiumit e në mbledhjet e drejtorive të ministrisë. Këtë e them me përgjegjësi.
SHOKU RAMIZ ALIA: Nuk dyshoj që Hekurani nuk kritikon, që ai ka familjaritet me vartësit. Unë e kam fjalën për familjaritetin në përgjithësi që ekziston prej shumë vjetësh në organet e Sigurimit të Shtetit dhe që buron nga natyra e punës së mbyllur të këtyre organeve. Familjariteti në punonjësit e Sigurimit është tamam si mendjemadhësia intelektuale që është karakteristikë e njerëzve të punës mendore.
SHOKU ZYLYFTAR RAMIZI: Nuk mund ta absolutizoj që shkelen rregullat, por raste ka. Pikërisht ky rregull është shkelur në rastin konkret. Po të mos ishte shkelur, do të kishte dalë që….ishte në pozita armiqësore. Por…ka dhënë të dhëna deri në muajin e fundit.
SHOKU RAMIZ ALIA: Juve ju erdhi dhe i ati i Pal Mëlyshit këtu, Zylyftar.
Ambasadori ynë në Itali merr në tel Hekuranin dhe i thotë të vij apo të mos vij Gjoni. Ky Gjoni ishte i ati i Pal Mëlyshit. Por punonjësi i Sigurimit i ambasadës sonë në Itali, nuk e morri mundimin të thotë që ky është i ati i Pal Mëlyshit, që ka qenë një nga eksponentët e reaksionit dhe armik i tërbuar i pushtetit tonë popullor. Dhe drejtori i Drejtorisë së Tretë në Ministri nuk shqetësohet fare. Hekurani e morri për një Gjon tjetër dhe i tha të vijë. Tani për t’ju mbrojtur ju, po edhe se e ndjeu përgjegjësinë, Hekurani tha e bëra unë. Ambasadori nuk duhej të merrte në telefon ministrin dhe të pyeste të vijë apo të mos vijë filani në Shqipëri. Por as Hekurani nuk kishte të drejtë ta merrte ambasadorin në telefon e t’i thoshte jepi vizën filanit. Kështu është rregulli. Mirëpo, pikërisht se nuk zbatohen rregullat, ndodhin gjëra të tilla. Për këtë rast nuk u morr ndonjë masë ndaj punonjësit të Sigurimit në Romë dhe drejtorit të Drejtorisë së Tretë.
Ja, këto kam parasysh unë shoku Zylyftar, kur them se ka familjaritet në organet e punëve të brendshme. Për rastin që përmenda, rregulli u shkel si nga shoku Hekuran, ashtu dhe nga ministria. Prandaj t’i zbatojmë rregullat dhe normat që kemi vendosur. Ky është problemi themelor.
SHOKU HEKURAN ISAI: Për zbatimin e rregullave, ju keni plotësisht të drejtë shoku Ramiz. Nuk mund të pretendojmë që nuk ka familjaritet dhe liberalizëm në organet e punëve të brendshme dhe të Sigurimit. Familjariteti dhe liberalizmi shfaqen, në radhë të parë në shkeljen e rregullave dhe të rregulloreve të disiplinës, që nga hallka ushtar, dhe deri te kuadrot e komandës. Po të zbatohen rregullat dhe normat nga komanda e kuadrot eprorë dhe po të ketë një kontroll efektiv nga ana jonë, si ministri, nuk mund të abuzojë ushtari, nuk mund të tolerojë as komanda e kufirit, e as Sigurimit. Mirëpo efektiviteti i kontrollit lë për të dëshiruar, ndaj dhe ndodhin ngjarje të rënda, që na kushtojnë në çdo drejtim.
SHOKU RAMIZ ALIA: Mirë, Hekuran! Çmendim kanë shokët?
SHOKU RITA MARKO: Ngjarja në anijen “Dukati”, është shumë e rëndë dhe ngarkon me përgjegjësi Komitetin e Partisë në rrethin e Durrësit dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme. Dy arratisjet që ndodhën vjet në Shkodër, në Vermosh dhe në Hanin e Hotit, dhe ngjarjet që ndodhën këtë vit në Portin e Durrësit, në anijen “16 Shkurti” të Ravenës dhe në atë të “Dukatit”, janë të lidhura me çështjen e Popajve. Këto për mendimin tim, i hapin shumë probleme partisë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Kanë hapur një problem të jashtëm politik.
SHOKU RITA MARKO: Ngjarjet që kanë ndodhur në këto situata, janë një veprimtari e organizuar e armikut kundër vendit tonë. Por shokët e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ato të rrethit të Durrësit, nuk e kanë patur si duhet parasysh këtë gjë.
Tani u hap dhe një kanal tjetër, na arratisen edhe me anë të anijeve. Ka rrezik të arratisen edhe me anë të makinave të eksportit.
SHOKU RAMIZ ALIA: Dhe me anë të aeroplanëve.
SHOKU RITA MARKO: Nga të gjitha këto që kanë ndodhur, del se elementi armik në pikën kufitare, sidomos në disa qendra të tilla, ka aftësi, terren dhe mundësi të organizohet. Ai është organizuar jo vetëm në grupe të vogla, por edhe në grupe të mëdha. Por me sa duket, ne nuk e njohim situatën në këtë drejtim.
Mbledhja e Byrosë Politike për ngjarjen e arratisjes së anijes “Dukati”
ÇËSHTJA E KATËRT: “TË NDRYSHME” (NGJARJA E DURRËSIT)
SHOKU RITA MARKO: Kjo ngjarje tregon se gjendja, në rrethin e Durrësit në përgjithësi nuk është e mirë, se ka problem shqetësuese në këtë fushë prandaj shokët e Komitetit të Partisë dhe në veçanti, shoku Qirjako duhen të nxjerrin mësime nga kjo që ndodhi. Kjo ngjarje tregon që jo vetëm janë shkelur rregullat por edhe organet e Sigurimit nuk e kanë parasysh që Porti i Durrësit ka qenë një objekt kryesor për agjenturat e huaja. Porti ka pasur gjithmonë një numër punëtorësh në sektorë të ndryshëm, madje dhe kur nuk ka pasur shumë mekanizma, ka pasur dhe më shumë punëtorë. Që nga akti heroik i Spiro Kotes në port, ka ekzistuar gjithnjë rreziku i veprimit të agjenturave të huaja. Rregullat ushtarake të regjimit kufitar u shkelën sepse organet e Sigurimit, të Policisë, dhe punëtorët operativë në port, nuk e kanë kryer detyrën. Edhe puna e Partisë dhe organeve të pushtetit në 6 ndërmarrjet e portit nuk ka qenë në nivelin e duhur. Pra kjo ngjarje ndodhi jo thjesht se u shkelën rregullat porse organet e Sigurimit dhe pika e kontrollit në port nuk kanë ushtruar kontroll të fortë ndaj organizmave ekonomikë. Në port është “Inter klubi”, doganat e tjera, kështu që të tëra këto probleme duhen parë në kompleks. Me siguri në port duhet të ketë dhe fenomene të tjera. Më bën përshtypje dhe rasti i qytetarit që i dha florinjtë ushtarit e nuk u kap dot, megjithëse komanda ishte njoftuar për këtë përpara. Kjo është një gjë shumë e rëndë që duhet lidhur me këtë çështje që po diskutojmë sot. Arratisja që ndodhi në Han të Hotit, vitin e kaluar nuk u bë mësim për Agron Tafën tani në Durrës. Nga kjo ngjarje nuk nxori mësim as Komiteti i Partisë i Rrethit të Durrësit. Në raportin që ka paraqitur MPB, sidomos Komiteti i Partisë së Rrethit të Durrësit, nuk i bëhet një analizë e thellë këtij problemi, nuk nxirren konkluzione, nuk mbahet një qëndrim serioz ndaj kuadrove, për përgjegjësinë që kanë për këtë ngjarje të rëndë, dhe nuk shtrohet detyra për organizatat bazë të Partisë për rolin kaq të rëndësishëm që kanë këta sektorë kaq delikatë. Përgjegjësi për këtë ka Partia në rreth, Ndërmarrja e Peshkimit, po përgjegjësinë më të madhe e ka shoku Qirjako dhe shokët e Partisë dhe byrosë së rrethit Durrës. Kam përshtypjen se këta shokë nuk janë të shqetësuar për këtë që ndodhi. Përgjegjësi ka gjithashtu ka Dega e Punëve të Brendshme me shokun Agron në krye. Sic propozohet në relacionin e Komitetit Qendror të Partisë, si dhe të shkarkohet nga detyra, sepse gabimet janë të rënda dhe të përsëritura, po dhe autokritikë nuk bëri. Ferit Zeneli, propozoi për vete që ta shkarkonim nga detyra kurse shoku Agron Tafa jo. Edhe për Ferit Zenelin të merren masa. Masa të merren edhe për shokët e Drejtorisë së Parë dhe për Zylyftarin. Shoku Hekuran duhet të nxjerri më shumë mësime për dobësitë që vihen re në këtë sektor, se këto gabime janë jo vetëm të përsëritura por kanë krijuar shqetësime për shtetin, dhe për tërë sistemin tonë të Sigurimit. Hekurani duhet që të ketë më shumë forcë organizative për t’i çuar punët deri në fund dhe, të jetë më kërkues ndaj vartësve të vetë dhe të luftojë dobësitë në punë. Me gjithë aftësitë që ka dhe punën që bën shoku Hekuran, nuk ka gjetur forca të luftojë familjaritetin dhe të shkallmojë punën e mbyllur. Disa problem të brendshme ai duhet t’i zbulojë vetë dhe duhet ti paraprijë me zgjidhje konkrete dhe të vërë në dijeni, jo kur ndodhin këto gjëra. Duhet të pranojmë që në organet e Kufirit, dhe të Policisë, ka dobësi të mëdha. Forca e policisë nuk ndihet sa duhet tek qytetarët, ka njëfarë pasigurie për ruajtjen e pronës, të rendit, dhe në disa raste janë bërë edhe gabime. Këto probleme janë rrahur nga shokët e policisë, por nuk i kanë çuar deri në fund. Prandaj si policia ashtu dhe kufiri duhet të forcohen shumë, natyrisht pa përjashtuar, organet e tjera të rëndësishme si është Sigurimi. Gabimet e shokut Hekuran si ministër janë të rënda. Unë do t’i them Byrosë Politike dhe për një veprim për një veprim jo të mirë të djalit të tij, le ta dinë shokët. Djali i Hekuranit që është në vitin e katërt të Universitetit, bashkë me disa rrugaçë, kanë shkuar në Fakultetin e Ekonomisë, dhe kanë thyer xhamat, llambat, dhe më e rënda kanë rrahur pedagogen. Ju duhet të shkoni në fakultet shoku Hekuran dhe të dënoni këtë veprim të djalit tuaj, se jeni prind. Mua për vete më erdhi shumë rëndë kur e mora vesh. Duhet t’i shikojmë edhe këto gjëra. Shokët duhet të kenë shumë kujdes dhe për jetën e tyre. Jam i mendimit që disa strofulla, e kam fjalën për ato të gjuetisë, duhen mbyllur dhe t’i jepen turizmit. Besoj që shokët e kuptojnë, e kam më shumë për jetën e tyre. Megjithatë disa punonjës të organeve të punëve të brendshme, e kanë të domosdoshme gjuetinë për natyrën e punës që kanë. Përsa u përket masave shoku Hekuran, t’i jepet një vërejtje. Kam dhe një vërejtje për shokët e aparatit të Komitetit Qendror të Partisë. Raporti që kanë paraqitur shokët e aparatit, ishte shumë i mirë, por gjithmonë pasi ndodhin ngjarjet, duhet të njoftojë aparati i Komitetit Qendror, Byronë Politike. Si e thamë organet e punëve të brendshme dhe veçanërisht Sigurimi, janë një sektor i mbyllur dhe të tërë nuk mund të futen në punën e tyre. Pavarësisht nga kjo aparati i Komitetit Qendror të Partisë duhet tu qëndrojë shumë afër këtyre organeve, t’i kontrollojë, t’i ndihmojë, por dhe të informojnë Byronë Politike kur ka problem shqetësuese. Kam përshtypjen që aparati i Komitetit Qendror nuk e ka ngritur si problem pranë Byrosë Politike, për punën e organeve të punëve të brendshme. Unë si anëtar i Byrosë Politike, megjithëse me këto organe lidhem, indirekt, nuk jam i kënaqur nga kjo anë. Prandaj mendoj që aparati i Komitetit Qendror nuk duhet të jetë gjykatës vetëm kur ndodhin gjërat. Neve na kanë ndodhur gjëra shumë të rënda në organet e Sigurimit, dhe i kemi përballuar. Armiqtë dhe agjenturat e huaja, përpiqen që të godasin sektorët më të ndjeshëm, siç është Sigurimi. Prandaj duhet të jemi të fortë e të shkathët për të mbuluar e parandaluar veprimtarinë armiqësore. Komitetet e Partisë në rrethe, duhet tu qëndrojnë më afër këtyre organeve, dhe të ndihmojnë efektivin e tyre për tu rritur sa më shumë si nivel politik. Kryetarët e Degëve të Brendshme në rrethe, janë anëtarët e byrosë së komiteteve të partisë së rretheve. Atëherë ku është përgjegjësia e tyre për këtë problem? Edhe shokët e Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës, për mendimin tim nuk u kërkohet sa duhet llogari organeve të punëve të brendshme. Puna nuk duhet të matet vetëm me mbledhje, po me rezultate. Shoku Zylyftar tha se puna matet vetëm me rezultate, po vetë ai po e mat me mbledhjet që ka bërë. Ja të dielën u dogj kinema “Partizani”. Prandaj, Komitetet e Partisë në rrethe, dhe aparati i Komitetit Qendror i Partisë duhet të jenë në krye të organeve të punëve të brendshme. Kjo do të jetë ndihmë për punën e tyre. Ky aparat duhet t’i ndihmojë, dhe t’i inkurajojë dhe komitetet e partisë së rretheve që tu futen më thellë punës së partisë në këto organe. Kjo do të jetë ndihmë për punën e tyre, dhe do t’i forcojë këto organe në luftën kundër armiqve. Kontrolli i Partisë duhet të forcohet dhe në ministri. Kaq kisha unë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Mirë, tjetër kush do të flasë?
SHOKU FOTO ÇAMI: Unë, shoku Ramiz. Rasti që po diskutojnë është tepër i rëndë dhe për shkak se nuk është hera e parë që ndodhin gjëra të tilla. Kjo ndodhi para disa ngjarjeve të tjera sidomos pas arratisjes në Han të Hotit, për të cilën vjet u bënë gjithë ato kritika nga Sekretariat i Komitetit Qendror të Partisë, dhe u morën masa. Ngjarja e fundit që ndodhi në Durrës tregoi, që shokët nuk kanë reflektuar thellë dhe masat e marra kanë qenë të njëanshme dhe të pjesshme. Dhe në këtë rast na u përsërit ajo dukuri që është kritikuar disa herë nga shoku Ramiz, që kur zbulohet një defekt në një sektor apo ndodh një ngjarje si kjo në një fushë, merren masa vetëm për të mënjanuar këtë defekt dhe jo për t’i parandaluar këto fenomene në tërë sektorët në shkallë vendi. Përsa i përket ngjarjes që po analizojmë, gjithçka është fare e qartë. Armiqtë, mundën të realizojnë veprën e tyre për dobësi të theksuara në fushën e vigjilencës, të disiplinës, të zbatimit të rregullave, në ushtrimin e kontrollit të masave të tjera që merren për të parandaluar aktet e tilla. Mungesë dhe dobësi serioze ka në këtë drejtim dhe në punën e organeve të policisë, kufirit, dhe Sigurimit, në punën e Partisë dhe të ndërmarrjeve ekonomike. Për të gjitha këto flitet gjerësisht në materialet që janë paraqitur, sidomos në atë të aparatit të Komitetit Qendror të Partisë së MPB-së. Kurse materiali që ka paraqitur Komiteti i Partisë së Durrësit, është i cekët, nuk i bën një analizë të thellë e të gjithë anshme problemit dhe situatës që çoi në këtë ngjarje të hidhur. Në material flitet më shumë për çka është bërë, se për atë që ndodhi. Shkaku kryesor dhe më i rëndësishëm i dobësive që po kritikojmë, nuk duhet kërkuar aq tek të metat organizative, mungesat teknike, tek moszbatimi i rregullave e mungesa e kontrollit në këtë drejtim. Këto janë shkaqet kryesore, por faktori kryesor që çoi në këtë ngjarje, është aspekti ideologjik, është nënvlerësimi i punës së armikut, fryma e liberalizmit dhe indiferentizmit, që kanë çuar në shkelje flagrante të disiplinës, thyerje të rregullave, të mungesës së kontrollit e të tjera. Këto u dhanë mundësi armiqve që të realizonin qëllimin e tyre. Mesa duket ka një keqkuptim të madh në luftën e klasave, sikur tani lufta e klasave është zbutur, sikur armiqtë janë bërë më dashamirë, më të urtë e më të qetë, se kjo që po kalojmë është një periudhë qetësie dhe pre-okupacioni i vetëm është ekonomia. Pikërisht shuarja e vigjilencës politike, e frymës revolucionare, përhapja e frymës së liberalizmit dhe indiferentizmit, kanë qenë e janë synimet kryesore të armiqve tanë, të brendshme e të jashtëm. Kjo frymë është veçanërisht e rrezikshme kur prek organet e diktaturës së proletariatit dhe organizatat e Partisë. Por kjo është shumë e rrezikshme në një qytet port, siç është Durrësi që ka një popullsi të madhe dhe heterogjene, hyrje e dalje nga brenda dhe nga jashtë. Këtu është përgjegjësia e madhe e Komitetit të Partisë së rrethit të Durrësit dhe e shokut Qirjako si sekretar i parë i këtij rrethi. Vetë Qirjakoja për mendimin tim nuk jep një shembull të mirë në këtë drejtim. Njerëzit flasin se ai më shumë preokupohet për gjuetinë sesa për punën. Dhe punët e tjera në Durrës nuk shkojnë mirë. Deficitet në prodhimin industrial dhe bujqësor janë të mëdha, problemet e furnizimit të popullit janë shqetësuese. Prandaj jam dakord me masën që propozohet në materialin e Komitetit Qendror të Partisë për shokun Qirjako. Përderisa shkaku kryesor i kësaj ngjarjeje është faktori ideologjik unë shoh dhe përgjegjësinë time në dobësitë që u kritikuan këtu. Për çështjet e edukimit ideopolitik ne kemi bërë seminare, kemi ushtruar kontrolle në rrethe, po mesa duket efektiviteti i punës sonë nuk ka qenë i atij niveli që kërkohet. Nga kjo analizë duhet të nxjerrim mësime e të reflektojmë më thellë edhe ne, të intensifikojmë punën ideopolitike të Partisë me levat e saj për edukimin e njerëzve.
SHOKU RAMIZ ALIA: Tani e ka fjalën shoku Pirro Kondi
SHOKU PIRRO KONDI: Ngjarja e Durrësit siç thanë dhe shokët, është shumë e rëndë edhe për faktin që ndodhi pas 2-3 ngjarjeve të tjera të këtij karakteri. Siç tha dhe shoku Rita, duke e parë problemin në prizmin e punës së Partisë, përgjegjësi të rëndë për këtë ngjarje, në radhë të parë ka Komiteti i Partisë së rrethit Durrës. Duke pasur parasysh shkaqet që çuan në këtë ngjarje edhe Komiteti i Partisë së rrethit të Tiranës, ka përgjegjësi përsa i përket frymës së liberalizmit që vihet re në zbatimin e vendimeve të rregulloreve. Kinema “Partizani” në Tiranë u dogj, pikërisht se mungoi kontrolli për zbatimin e rregullores. Ne mundohemi të bëjmë kontrolle për disiplinën në punë që ardhja dhe ikja në orar e punonjësve, shkelja e të cilave është me pasoja të rënda. Shkelja e rregullave lë shteg për veprimtari armiqësore, për vjedhje e dëmtime të pasurisë socialiste. Në këtë drejtim ka shumë mangësi në organizimin e punës, siç tha shoku Foto ka liberalizëm, duke filluar që nga ne. Këto fenomene nuk vlerësohen me syrin politik, ndaj dhe nuk merren masat e duhura për t’i evituar. Ne duhet të reflektojmë me masa konkrete. Çështjen e dytë e kam për organet e punëve të brendshme. Nga puna e Drejtorisë së Brendshme të Tiranës, por dhe nga puna e vetë ministrisë konstatoj, që bëhet një punë jo e thelluar me bashkëpunëtorët, dhe me agjenturën. Disa gjëra nga ministria dhe nga ana e Drejtorisë së Brendshme të Tiranës, nuk mund të flas për Degën e Brendshme të Durrësit, duhen parë në konceptin e detyrës. Kryesorja është sesi duhet hyrë në kontakt me bashkëpunëtorët për të parandaluar veprimtarinë armiqësore. Kështu detyra e organeve të punëve të brendshme, është për të hyrë në kontakt me bashkëpunëtorët për të parandaluar veprimtarinë armiqësore, që në fillim. Në qoftë se 9 veta organizohen për tu arratisur, 1 prej tyre, duhet të zbulohet nga organet e Sigurimit, prandaj ngritja profesionale duhet të jetë në nivelin që kërkohet. Një person mund të kryejë vetëm veprimtari armiqësore e të mos zbulohet, po kur kjo kryhet në mënyrë të organizuar, nuk ka përgatitje profesionale punonjësi i Sigurimit po të mos zbulohet. Kam konstatuar që në aspektin organizativ të Drejtorisë së Brendshme të Tiranës, ka mjaft të meta dhe një copëzim të madh hallkash. Unë ua kam vënë në dukje shokëve të kësja drejtorie, dhe ua kam sugjeruar që këtë problem ta shohin bashkë me ministrinë. Po dhe në ministri më duket se ka një copëzim të madh hallkash. Janë krijuar shumë degë, sektorë, e nën sektorë, ka shumë kontrollorë përsipër dhe pak punonjës që merren me punën organizative të Sigurimit. Pra ka më shumë shkresa dhe lihet puna kryesore. Prandaj kjo çështje duhet parë me shumë përgjegjësi nga shokët e Sigurimit. Ky problem në përgjithësi është shtruar për dikasteret, Por në mënyrë të veçantë në organet e punëve të brendshme ka një copëzim të madh hallkash që të fusin pastaj në veprime të tjera. Siç thanë dhe shokët, raporti që ka paraqitur aparati i Komitetit Qendror të Partisë, është i mirë. Edhe unë jam dakord me masat që propozohen.
SHOKU PALI MISKA: Po them dhe unë disa mendime shoku Ramiz. Ngjarje të tilla janë me pasoja të rënda për shtetin tonë. Këto kanë hapur probleme të mëdha të cilat jemi mundur që t’i kapërcejmë. Por kjo e fundit i shton më shumë pasojat se është e përsëritur. Këto situata të rënda kanë karakter të theksuar politik dhe përgjegjësinë kryesore e ka shoku Hekuran dhe shoku Qirjako. Ngjarja në Portin e Durrësit tregon se nuk janë nxjerrë mësime nga ngjarjet që kanë ndodhur më parë. Për këto fenomene duhet të ishte bërë një qilizmë i thellë në punën e organeve të MPB-së, dhe të punohej me direktivat e shokut Enver për këto organe. Fjalimi që ka mbajtur shoku Ramiz në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë, që bëri një analizë për arratisjen në Han të Hotit, të emocionon. Ai në këtë fjalim, ngre probleme të mëdha, dhe flet për ato çështje që ka folur dhe shoku Enver. Atje flitet për familjaritetin, për punën e mbyllur të organeve të MPB-së. Kam mendimin që si Komiteti i Partisë së MPB-së, ashtu si dhe vetë kjo ministri, së bashku me organet e saj, nuk kanë punuar si duhet me fjalimin e shokut Ramiz. Po të kishin nxjerrë mësime nga ky fjalim, nuk do të ndodhnin ngjarje të tilla. Armiqve, si italianëve, ashtu dhe jugosllavëve, ne iu kemi dhënë një armë në dorë, dhe kjo është minus për në. Prandaj ne na akuzojnë ata se e mbajmë të rrethuar me tela me gjemba dhe të tjera.
SHOKU RAMIZ ALIA: Nesër hapet mbledhja ballkanike.
SHOKU PALI MISKA: Për punën e dobët që bën njëri ose tjetri punonjës i organeve të punëve të brendshme, nuk duhet ta pësojë populli dhe shteti ynë. Këto janë çështjet kapitale e të rëndësishme për shtetin dhe shoqërinë tonë. Prandaj duhet t’i vlerësojmë thellë. Komitetet e Partive të rretheve e sidomos, atyre të Durrësit, të Korçës, e të Shkodrës, pa përjashtuar rrethet kufitare, duhet të kishin bërë një punë intensive ideopolitike kundër shfaqjeve të huaja, dhe për parandalimin e veprimtarisë keqbërëse dhe krimeve, sepse për shumë fenomene negative e pësojnë rrethet kufitare. Komitetet e Partisë së rretheve, duhet të bënin një punë frontale në zbërthimin e konkluzioneve dhe orientimeve për ngjarjen që ndodhi një vit më parë, në Han të Hotit. Në rrethin e Korçës ka mjaft tendenca për arratisje dhe për krime që shfaqjen në forma të ndryshme, por ne kemi mundur që t’i evidentojmë dhe t’i godasim në kohën e duhur. Vitin e kaluar janë kapur dhe futur në burg për tendencën e arratisjes dy grupe. Partia në rreth ka intensifikuar luftën kundër ndikimeve e shfaqjeve të huaja, duke organizuar takime dhe aktivitete të ndryshme. Por këto fenomene negative nuk janë të pakta dhe në rrethin e Durrësit apo dhe në ndonjë rreth tjetër. Prandaj shoku Qirjako dhe dikasteri që ai drejton duhet, të nxjerrin mësime nga kjo që ndodhi. E ngrita në Plenumin e 6 të Komitetit Qendror të PPSH-së, që shembulli ynë ka rëndësi të jashtëzakonshme për forcimin e punës së partisë në rrethe. Ne duhet t’i kushtohemi me mish e me shpirt zgjidhjes së problemeve që shqetësojnë partinë dhe popullin. Nuk duhet tu lëmë shkas njerëzve që të flasin për këtë apo për atë veprim, por të jemi korrektë në qëndrimet tona. Prandaj kritikat që u bënë për dobësitë në Komitetin e Partisë së Durrësit, të nxjerri mësime shoku Qirjako. Edhe unë si shokët kam mendimin që në raportin e paraqitur, Komiteti i Partisë së Durrësit, i kalonte lehtë gjërat, jepte një informacion që “ndodhi kjo e ajo”, pra nuk i bëhej një analizë e thellë punës së Partisë në rreth. Po krahas intensifikimit të punës së Partisë, duhet të intensifikohet edhe puna zbuluese e organeve të punëve të brendshme. Kjo varet shumë nga detyra që u vunë Komitetet e Partisë të rretheve organeve të punëve të brendshme, nga kontrolli që bëjmë për zbatimin e tyre, nga kërkesa e llogarisë, pra i kritikojnë apo i përkëdhelim kur këta nuk bëjnë detyrën. Gjithashtu në këtë kuadër apo duhet përmirësohet puna dhe në drejtim të informacionit që japin organet e punëve të brendshme. Informacionet duhet të jenë reale dhe jo fiktivë. Në rrethin e Korçës, vërtetë evidentohen fenomene negative dhe veprimet e elementëve keqbërës, por ndonjë kanal i punës agjenturore të grekut apo të jugosllavit, deri tani nuk po zbulohet. Me siguri kanale që punon dhe greku dhe të tjerët ka. Këto janë probleme të mëdha për shtetin tonë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Do të ishim naivë të mendonim që nuk ka kanale, bile është absurditet.
SHOKU PALI MISKA: Për ngjarjet që kanë ndodhur në kufi janë marrë masa të shumta, masa disiplinore, masa shtetërore e masa partie, disa shokë janë nxjerrë në lirim, disa janë dënuar me burg. Me masa janë ndëshkuar shumë punonjës të këtyre organeve. Kjo ngarkon me përgjegjësi morale qoftë komitetet e Partisë të rretheve përkatëse, qoftë Ministrinë e Punëve të Brendshme. Për arratisjet që ndodhin në kufi përgjegjësi direkte ka komandanti i batalionit, ai digjet, por edhe Komiteti i Partisë i rrethit ka përgjegjësi morale për këto fenomene. Prandaj të mos insistohet vetëm në masat ndëshkimore, se masat nuk zgjidhin gjithçka. Për arratisjen e këtyre 9 vetave do të shkarkohen nga detyra disa kuadro. Në fund të fundit armiku këtë synon që të merren sa më shumë masa ndaj njerëzve tanë, që të komprometohen sa më shumë kuadro. Nuk them të mos merren masa ose ato të jenë të buta, por kryesorja është puna parandaluese që duhet bërë për t’u prerë rrugën lindjes së këtyre fenomeneve, që njerëzit tanë të mos bëjnë gabime të rënda. Unë jam dakord me masat që propozohen në materialin e aparatit të Komitetit Qendror të Partisë. Ky do të jetë një mësim i madh edhe për Komitetet e Partisë të rretheve të tjera. Edhe shokët e Byrosë Politike që janë në rrethet, duhet t’i vlerësojnë mirë këto probleme dhe të marrin masa që të mos ndodhin më ngjarje të këtilla. Kryesorja është të forcojmë unitetin e popullit dhe të sigurojmë një jetë të qetë. Këto kisha unë, shoku Ramiz.
Mbledhja e Byrosë Politike për ngjarjen e arratisjes së anijes “Dukati”
ÇËSHTJA E KATËRT: “TË NDRYSHME” (NGJARJA E DURRËSIT)
SHOKU RAMIZ ALIA: 700 roje ka në ndërmarrjet industriale të Tiranës, shoku Adil, dhe prap vidhet. Ç’kontroll është ky? E kemi thënë që në qoftë se është nevoja, edhe rojet në ndërmarrjet ekonomike të vihen nën drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Në qoftë se është konstatuar që ndërlidhja nuk bëhet në rregull nëpërmjet PY-së, siç thuhet atje, pse nuk bëhet propozimi që të ndryshohet. Pra rojet të pajisen me radio dhe të lidhen direkt me policinë e të mos lihen gjërat derisa të ndodhin ngjarjet. Për këtë kanë një përgjegjësi shumë të madhe këta shokë. Këta duhet të marrin masa që ta forconin kontrollin në ndërmarrjet ekonomike.
SHOKU HEKURAN ISAI: Nga një raport që më dha Ministria e Industrisë Ushqimore për peshkimin, del që ajo ka parë vetëm realizimin e detyrave të planit dhe nuk ka ushtruar fare kontroll për zbatimin e këtyre rregullave.
SHOKU RAMIZ ALIA: Për zbatimin e rregullave në radhë të parë përgjigjen organet përkatëse të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Ushtrisë. Pra kufitari në pikën e kontrollit të kalimit në port, nuk duhet të lejojë njeri të hyjë në det jashtë rregullave, pavarësisht se kush është. Po kështu, komandanti i BUD-it nuk duhet të lejojë që anijet të kalojnë kuadratin në det, ndryshe të nxjerrë katret. Pra të zbatohen rregullat pa bërë asnjë lëshim.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Në port nuk ka rregull e disiplinë. Kjo vjen se porti nuk është i rrethuar, bile dimë që njerëzit sa vijnë varkat e peshkimit nga deti hidhen nga muret dhe e marrin peshkun pa e shkarkuar. Kështu dëmtohet ekonomia. Si përfundim, nga moszbatimi i rregullave ndodhin fenomene negative me pasoja të rënda për ekonominë dhe në aspektin politik. Për problemet e tjera kanë përgjegjësi Komiteti i Partisë i rrethit të Durrësit, organet e kufirit e Dega e Punëve të Brendshme me shokun Agron, Ministria e Punëve të Brendshme e shoku Hekuran.
Unë jam dakord me vërejtjen që bëri shoku Rita për teprimet që bëjnë shokët në gjueti. Dhe unë ndonjëherë e kam tepruar, por shkelje të rregullave për peshkimin nuk kam bërë, se nuk gjuaj peshk. Në këtë drejtim do të kem kujdes.
SHOKU HEKURAN ISAI: Pse kush i ka shkelur rregullat në peshkim?
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Teprime ka pasur, shoku Hekuran. E kemi thënë dhe për shokun Qirjako, që me motoskafin e ka shkelur rregullin.
SHOKU HEKURAN ISAI: Shoku Rita e kishte vërejtjen për mua. Ai tha e kanë bërë rregull shokët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të dalin për gjueti, po gjuajmë brenda rregullave.
SHOKU RAMIZ ALIA: Shoku Rita e kishte vërejtjen në përgjithësi. Nuk shtrohet problem që shokët e Byrosë të mos dalin për të gjuajtur, ata që janë amator të dalin, por të zbatojnë rregullat. Veç kësaj, shoku Rita kishte parasysh edhe jetën e shokëve të Byrosë, se ka disa anëtar të Byrosë Politike si Hekurani, Qirjako dhe Fotua, që shkojnë deri në Bunë për të gjuajtur peshk. Buna është në buzë kufirit, pra atje ka rrezik të ndodhë ndonjë aksident, por mos harroni se aksidentet të tilla përbëjnë problem shumë të madh politik. Prandaj postat e kufirit nuk duhet të lejojnë njeri të dalin për peshk në Bunë, qoftë dhe shokët e Byrosë Politike. Këta kanë përgjegjësi para Partisë, po të ndodhë ndonjë rrezik. Për këtë bëhet vërejtja shoku Hekuran dhe jo për ndonjë gjë tjetër.
SHOKU RITA MARKO: Mund të ndodhë një skandal.
SHOKU HEKURAN ISAI: Vërejtja është e drejtë, duhet të kufizojmë gjuetinë.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Unë jam dakord me vërejtjen tjetër që bëri shoku Pali, që duhet t’i zbatojmë në radhë të parë ne dhe të japim shembullin tonë në këtë drejtim me familjet e fëmijët tanë. Teprimet t’i evitojmë, sepse populli shikon çdo qëndrim tonin.
Partia na ka vënë çdo gjë në dispozicion, bile shumë. Prandaj, siç thanë dhe shokët, në këtë drejtim duhet të jemi të kujdesshëm. Këtë do ta kem parasysh në radhë të parë për veten time, po e kam si vërejtje dhe për të tërë shokët. Për sa u përket masave që propozohen të merren, ky është i treti rast që kufiri shkelet nga grupe të organizuar, u shkel në Vermosh, në Han të Hotit dhe tani në Durrës. Kjo tregon që mbrojtjen e kufirit nuk e kemi të fortë siç duhet. Shoku Ferit m’u duk i sinqertë në autokritikën e tij, me gjithë atë duhet të shkarkohet nga detyra e komandantit të kufirit. Në radhë të parë, kjo bëhet për të mirën e punës, për të forcuar mbrojtjen e atdheut dhe asgjë nuk ka në aspektin personal.
Nuk më pëlqeu diskutimi i shokut Agron. Ai nuk u fut direkt në thelbin e problemit për të nxjerrë përgjegjësinë e tij, por bëri një informim për punën që ka bërë. Agronit nuk duhej t’i kalonte kaq lehtë ky rast, por siç duket metodën e punës, nuhatjen e përgatitjen profesionale, nuk i ka në lartësinë e duhur. Arratisja vjet nga Tirana e bandës së Minella Andonit që kaloi kufirin në Han të Hotit dhe kjo tani në Durrës, janë me pasoja shumë të rënda për shtetin. Agroni mban një përgjegjësi shumë të madhe për këto arratisje, prandaj dhe ky duhet të shkarkohet nga detyra e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme në Durrës. Kurse shokut Qirjako mendoj t’i jepet vërejtje e rëndë me paralajmërim. Shoku Qirjako të shtrohet më mirë në punë, të ngrejë nivelin e punës së Partisë në rreth, për të mobilizuar punonjësit për realizimin e detyrave, të ngrejë më lart vigjilencën në punë e kudo, se Durrësi ka probleme të mëdha e shumë të komplikuara.
Për shokun Zylyftar jam dakord me masën që propozohet. Edhe shoku Hekuran duhet të thellohet shumë në vërejtjen që bëtë ju shoku Ramiz për shfaqet e familjaritetit që ekzistojnë akoma në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Nuk them që Hekurani bën shumë lëshime në këtë drejtim, por sidoqoftë në ministri dhe në organet e saj poshtë në bazë, nuk është zhdukur akoma kjo frymë familjariteti. Prandaj Hekurani duhet të analizojë më thellë këtë çështje e të nxjerrë konkluzione. Dhe vërejtjet e shokëve do t’i vlejnë shumë. Për raste të tilla nuk duhet të vijnë në Byronë Politike.
SHOKU RAMIZ ALIA: Mirë. Kanë vërejtje tjetër shokët? (nuk kanë) Urdhëro shoku Hekuran.
SHOKU HEKURAN ISAI: Byroja Politike është shqetësuar me të drejtë për këtë ngjarje të rëndë. Analiza që u bë në Byronë Politike dhe vërejtjet që na bënë shokët nisur nga qëllimet e mira, për të forcuar punën e Partisë në organet e punëve të brendshme, janë një ndihmë e sinqertë për ne. Ne e kuptojmë thellë përgjegjësinë që kemi për këtë ngjarje. Ministria e Punëve të Brendshme, ndryshe nga dikasteret e tjera, për ngjarjet që ndodhin në kufi varen nga ushtari, prandaj është gabim i madh që të heqim mendjen nga ushtari. Pra defekti kryesor është te kontakti i kuadrit epror me ushtarët. Ushtari ka disa oficerë mbi kokë por, me sa duket, këta nuk punojnë me ushtarin. Dhe ndihma jonë, si ministri, nuk ka qenë efektive. Këtu është dhe përgjegjësia ime. Prandaj duhet të shkundemi mirë dhe të rritim efektivitetin e kontrollit në organet e punëve të brendshme poshtë në bazë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Pirrua tha që ka një copëzim të madh të hallkave në organet e punëve të brendshme, pra një bashkëpunëtor mund të ketë një piramidë të madhe oficerësh që e kontrollojnë. Kjo mund të jetë një nga defektet që ju ka larguar nga puna konkrete, Hekuran. Prandaj shikojeni dhe problemin e organizimit në organet e punëve të brendshme.
SHOKU HEKURAN ISAI: Ka vend për ta parë, shoku Ramiz. Dy hallka i kemi shkurtuar, por ka akoma hallka, që nga zëvendësministri, ministri deri tek bashkëpunëtori që duhen parë.
Ngjarja e Durrësit është shumë e rëndë dhe unë mbaj përgjegjësi, si ministër, për këtë. Kam rezerva për diskutimin e shokut Rita. Më duket që shoku Rita e mohon fare punën që bëhet në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Unë me këtë nuk jam dakord.
SHOKU RAMIZ ALIA: Unë nuk e kam krijuar këtë përshtypje. E keni krijuar këtë përshtypje, ju, shokë të Byrosë Politike? (Të gjithë përgjigjen që nuk e kanë krijuar këtë përshtypje).
SHOKU HEKURAN ISAI: Unë për vete këtë përshtypje kam.
SHOKU RAMIZ ALIA: E ke gabim.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Vërejtja e shokut Rita ishte konstruktive.
SHOKU HEKURAN ISAI: Shoku Rita tha që të më jepet vërejtje. Për këtë nuk kam kundërshtim fare.
SHOKU RITA MARKO: Me leje, shoku Ramiz!
SHOKU RAMIZ ALIA: Urdhëro, shoku Rita!
SHOKU RITA MARKO: Pse arrin në atë konkluzion ti, shoku Hekuran? Unë bëra kritikë për tërë punën e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ti nga njëra anë je dakord me vërejtjet që bëra unë, nga ana tjetër thua kam rezerva.
SHOKU HEKURAN ISAI: Unë kam mendimin tim, me të cilin ju nuk jeni dakord.
SHOKU RITA MARKO: Mirë. Dhe unë kam mendimin tim.
SHOKU HEKURAN ISAI: Për ngjarjen që ndodhi pranoj çdo lloj mase, deri shkarkim si ministër i Punëve të Brendshme, në rast se Byroja Politike e gjykon me vend një gjë të tillë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Nuk e tha njeri këtë shoku Hekuran.
SHOKU HEKURAN ISAI: E them unë, shoku Ramiz. Siç thanë shokët, unë mbaj përgjegjësi për metodën e punës, për taktin, që nuk i kam analizuar thellë problemet për t’u shkuar deri në fund punëve. Por dëshira, vullneti dhe qëndrimi nuk më kanë munguar. Unë nuk jam kursyer për punën as ditë e as natën.
Për sa i përket asaj që ka bërë djali im, për të cilin foli shoku Rita, ashtu është. Djalit i erdhi një shok nga ushtria dhe bashkë me një tjetër, për të cilin flitet që nuk është njeri i mirë, shkojnë te lokali i liqenit, pinë sa dehen. Pastaj shkojnë në Fakultetin Ekonomik e bëjnë rrëmujë, thyejnë xhamat, llambat e veprime të tjera. Unë kam ngarkuar njerëz për të paguar dëmet që janë bërë në fakultet. Aktin e djalit tim unë e kam dënuar si akt rrugaçërie në kuptimin e plotë të fjalës. Për të u mbajt qëndrim, që të përjashtohet nga shkolla. Po të ndodhin të tilla gjëra në lokale, policia i ndal personat e dehur dhe i liron të nesërmen, kur t’i dalë rakia, në qoftë se nuk kanë bërë krim. Por djali im nuk është pijanec dhe rrugaç. Kjo ndodhi tani.
SHOKU RAMIZ ALIA: Qartë. Kishe tjetër gjë?
SHOKU HEKURAN ISAI: Jo, nuk kam, shoku Ramiz.
SHOKU RAMIZ ALIA: Atëherë po them dhe unë disa mendime. Ngjarja e Durrësit, siç thanë edhe shokët, është ndoshta më e rënda që ka ndodhur në vendin tonë deri më sot. Këtë vlerë nuk ja jep sasia e njerëzve që u arratisën, por fakti se ata përbënin një grup me njerëz të ndryshëm, që arritën të organizohen dhe të realizojnë qëllimin e tyre armiqësor.
Përgjegjësi të madhe për këtë ngjarje kanë, në radhë të parë, drejtuesit e Komitetit të Partisë të Rrethit të Durrësit dhe ata të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Populli shqetësohet në rastet të tilla, që prekin sigurimin e tij. Prandaj, me të drejtë thanë se askush nuk e vë në dyshim besnikërinë politike, aktivitetin dhe devotshmërinë për punën të drejtuesve të Partisë dhe të organeve të punëve të brendshme, për të cilët po diskutojmë, askush nuk i mohon rezultatet pozitive që janë arritur, qoftë në organet e punëve të brendshme, qoftë në Komitetin e Partisë të Rrethit të Durrësit. Por të tërë besoj se janë dakord unanimisht me mendimin që kjo arratisje, evidenton gjithashtu shumë dobësi të punës së Komitetit të Partisë të Durrësit dhe të organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Duke analizuar këtë ndodhi, natyrisht me ato të dhëna që kemi sot, të bien ë sy mungesa e theksuar e kontrollit mbi rregullat shtetërore për mbrojtjen e kufirit. Ngjarja ka ndodhur në mes të ditës. Çdo njeri i thjeshtë ka të drejtë të pyes: si është e mundur që ditën për diell të futen 7 veta, jo pjesëtar të ekuipazhit, brenda në anije dhe të mos i shohë asnjeri në port?! Kemi apo nuk kemi organizma që sigurojnë kufirin? Kemi apo nuk kemi rregulla në këtë drejtim?
Përgjigja është e qartë: ne kemi shumë rregulla e rregullore, bëjmë edhe kontrolle, bile nuk na mungojnë njerëzit dhe organizmat që merren me këtë punë, por megjithatë ngjarje të hidhura na ndodhin, sepse ka një liberalizëm të palejueshëm, i cili ka bërë që të harrohet dhe të nënvleftësohet lufta e klasave, të nënvleftësohet ekzistenca e armiqve dhe veçanërisht të injorohet puna e agjenturave të huaja. Kjo është një mungesë e theksuar vigjilence që nuk u lejohet as Partisë, as organeve të punëve të brendshme, që janë organe të specializuara dhe ngarkuara apostafat me këtë punë.
Analiza e ngjarjeve të tilla nuk duhet parë ngushtë, domethënë u arratis ky apo ai armik, nuk kontrolloi nënoficeri ose nuk punoi radisti. Jo, çështjen duhet ta shikojmë më gjerë. Ngjarje si kjo hedhin dritë mbi dobësitë e mëdha që shfaqen në punën e Partisë dhe të organeve përkatëse shtetërore. Mbasi ke bërë analizën e hollësishme të kësaj ngjarje dhe konstaton një mori shkeljesh, të lind pyetja: mos vallë ka vetëkënaqësi në punë e organizmave tona? Nuk ka aspak dyshim që në veprimtarinë e Partisë ka shumë sukses; se tek ne është krijuar një unitet i çeliktë i Partisë dhe i popullit me Partinë; se në sajë të punës heroike të klasës punëtore, fshatarësisë kooperativiste dhe inteligjencës patriote, janë arritur rezultate të mëdha në të gjitha fushat. Krenarë janë njerëzit tanë që ndërtojnë socializmin në kushte tepër të vështira, të rrethuar nga armiq të shumtë e të egër dhe të mbështetur vetëm në forcat dhe mundësitë tona. Fakti që Shqipëria ecën përpara, reziston dhe përparon në këto kushte, është mjaft për të thënë që Partia dhe organizmat e saj qëndrojnë në ballë të punëve, që populli lufton me mish e me shpirt për atdheun dhe rezultatet janë të mëdha. Por sukseset nuk duhet të na çojnë në vetëkënaqësi apo në humbjen e vigjilencës dhe as të na bëjnë të harrojmë dobësitë në punën e Partisë në tërësi dhe në rastin konkret në punën e Partisë në rrethin e Durrësit dhe të organeve të punëve të brendshme në bazë dhe qendër.
Në rrethin e Durrësit ka vite që nuk po realizohen planet. Kjo do të thotë që organizatat e Partisë nuk e kryejnë si duhet punën e tyre dhe se mungon kontrolli në punë. Shoku Qirjako si sekretar i parë i rrethit, duhet të qëndrojë më mirë në krye të punëve, nuk është aspak mirë që ai kohë pa kohë shkon në gjah.
Në qoftë se do të kufizoheshim tek çështja që ndodhi, do të themi se kjo tregon që Komiteti i Partisë së Rrethit të Durrësit nuk ka kontroll mbi organet e punëve të brendshme, nuk ka kontroll mbi kufirin, mbi organizmat e tjera specifike që gjenden brenda rrethit, siç është porti, që është një nyje mjaft delikate. Natyrisht arsyet e mungesës së kontrollit duhet t’i gjejë shoku Qirjako dhe Komiteti i Partisë së Durrësit, por për mendimin tim, në port mund të ketë familjaritet i cili atje, krijohet me shumë forma. I hapet rrugë këtij familjariteti nga shokët drejtues të Komitetit të Partisë së rrethit, duke filluar që nga shoku Qirjako. Këta shkojnë për gjueti peshku nëpërmjet portit, duke u bërë kështu shokë, vëllezër, dhe miq, me ata që duhet t’i kontrollojnë. Mirëpo kur këta shohin Qirjakon që hyn në port jashtë rregullave, lëshojnë edhe për të dytin, për të tretin, dhe kështu me radhë. Rrethi i Durrësit është delikat dhe për disa arsye të tjera. Në port apo në Parkun e Transportit të Jashtëm luan hatëri për t’u futur në punë. Sado paradoksale që të duket çështja, ky konstatim është një realitet. Ai që futet shofer në parkun e eksportit fiton para, prandaj ai që kërkon të marrë një punë të tillë, nuk e ka të vështirë edhe të japë para. Asnjëherë nuk i kemi rënë kokës këtij fenomeni, po unë jam i bindur që ka dhe gjëra të tilla gjëra jo vetëm në Durrës, por edhe në Tiranë apo gjetkë. Këto janë ndodhi të rënda, që duhen luftuar me vendosmëri sepse janë të rrezikshme.
Dobësia në punë ka edhe Sigurimi i Shtetit. E thanë shokët, do ta përsëris dhe unë për zbulimin e agjenturave të huaja, të kanaleve, pa përmendur ndonjë gjë të veçantë që është zbuluar, çalon. Kanalet agjenturore ekzistojnë. Për këtë të mos habitet asnjeri. Kanali i Shkodrës që realizon arratisjet nëpërmjet Bunës dhe liqenit të Shkodrës, ose të drejtimeve të tjera ekziston. Kanali i Sarandës, gjithashtu ekziston. Është fakt që në atë drejtim na janë arratisur njerëz që nga Tirana. Kanali i Durrësit ekziston. Kemi 2-3 raste me radhë arratisjesh nga deti që na ndodhin. Si janë organizuar këto kanale, çlidhje kanë, kush i drejton, etj, janë probleme që duhet t’i sqarojnë organet e sigurimit të shtetit. Kjo është detyra e tyre, jo raportimi i disa gjërave fare pa vlerë.
Si është e mundur të arratisen nga Durrësi 7 veta dhe emrat e tyre i marrim vesh nga Radio Bari apo Brindisi?! Ne nuk e dinim cilët ishin këta, të paktën mua, kur më morën në telefon nuk ishin në gjendje të më thonin asnjë emër, bile në fillim më thanë që ikën 7 marinarë, pastaj thanë se ishin 9 peshkatarë, etj. Pra organet tona, nuk dinin as emrat, as numrin, këtë e morën vesh me saktësi, kur dëgjuam televizionin Italian.
Kontrolli i Sigurimit mbi veprimtarinë e armiqve është ky, që mblidhen, organizohen, marrin anijen dhe arratisen? Punë e organizuar nga ana e Partisë është kjo, që mungojnë njerëzit në punë dhe nuk dihen se ku janë?
Puna e Sigurimit të Shtetit nuk duhet përqendruar vetëm tek agjitacioni dhe propaganda që është bërë gati, si çështje thelbësore. Sigurisht, agjitacioni e propaganda është një veprimtari që paralajmëron për rreziqe të mëdha dhe duhet t’i dalim përpara, por nuk është kjo e tërë puna e Sigurimit të Shtetit, ashtu siç nuk është as marrja e tij me disa “peshq” të vegjël.
Sigurimi i Shtetit nuk duhet të bjerë në vogëlsira. Ai duhet të zbulojë kanalet agjenturore, veprimtarinë e organizuar të armiqve, lidhjet e brendshme të tyre dhe ato të jashtme. Por kjo kërkon një organizim të përsosur e më të shkathët. Vërejtja që bëri Pirrua se ka shumë hallka, shefa, zëvendës-shefa, përgjegjsa, etj., mundet të ketë vend për t’u parë lidhur me organizimin e punës agjenturore të Sigurimit. Ndoshta duhet prishur lidhja varg që ekziston që nga bashkëpunëtori e deri tek shefi superior i Sigurimit. Këto janë forma të mbetura që koha i ka lënë prapa. Në këtë kuptim unë them se format e punës të Sigurimit duhet të perfeksionohen, dhe jo të mbetemi skllav të formave të vjetra. Dhe armiqtë i kanë ndryshuar format e veprimtarisë së tyre kundër nesh. Më parë arratiseshin për shembull nga toka, ndërsa tani ikin dhe nga deti. Nga kjo vetvetiu del nevoja e organizimit më të mirë të punës në rajonin e kufirit bregdetar. Në qoftë se ekziston ndonjë ngatërresë midis ushtrisë dhe kufirit, se më përpara bregdetin si kufi e kishte ushtria, dhe tani e ka marrë kufiri, këto gjëra duhet t’i rregulloni në mesin tuaj.
Kufiri dobësitë i ka akoma më të mëdha. Rregullat në kufi duhet të jenë të hekurta dhe të kenë dhe kontroll të organizuar dhe të befasishëm në kufi. Edhe më parë e kam thënë, por e shoh të nevojshme ta theksoj, kufiri nuk mbrohet vetëm në vijën e kufirit, megjithëse dhe në vijën e kufirit nuk e kemi mirë, ai mbrohet që në thellësi.
Për mendimin tim, nuk është e drejtë ajo që më thoshte një ditë shoku Hekuran që, në qoftë se një njeri, të themi, nga Fieri, që ndiqet për tendencë arratisje, niset diku në një rreth tjetër, prapa tij shkon dhe bashkëpunëtori ose punëtori operativ. Ç’është kjo formë pune e tillë?! Çdo njeri që shfaq tendencë arratisje, duhet ta ndjekë prapa punëtori operativ? Kjo është formë tepër primitive. Ndërsa duhen marrë masa të tjera, duke përfshirë organizimin e informacionit, shpejtësinë e tij, sinjalizimet, deri edhe vendosjen e rregullave të kontrollit në pika të veçanta që janë më afër kufirit.
Shokët e kufirit dhe të Sigurimit duhet të studiojnë me kujdes të tëra rregullat ekzistuese, dhe mbi këtë bazë të propozojnë ndryshimet ekzistuese, dhe mbi këtë bazë të propozojmë ndryshimet e nevojshme, në mënyrë që mbrojtja e atdheut të bëhet me zgjuarsi.
Të forcohet puna e Partisë e cila është me të vërtetë vendimtare si kudo edhe në punën e organeve të Sigurimit e të Kufirit. Jam dakord me vërejtjen që bëri shoku Rita për aparatin e Komitetit Qendror, i cili i paraqet raportet pasi ndodhin ngjarjet. Raporte para se të ndodhin ngjarjet, për një të metë apo dobësi në punën e Policisë, Sigurimit, apo Kufirit, më pak kemi. Vërejtja duhet pranuar, ajo është konstruktive për punën tonë.
Propaganda e Partisë siç tha dhe shoku Foto, luan rol të veçantë, por ajo duhet forcuar. Komunistët në të tëra fushat, duhet të rrisin vigjilencën, çka do të thotë të zbatohen rregullat, normat, dhe ligjet për tu prerë rrugën të papriturave. Prandaj Partia dhe organet e saj duhet të punojmë më mirë në këtë drejtim.
Ministria e Punëve të Brendshme, por dhe Ministria e Mbrojtjes Popullore, duhet t’i japin rëndësi shumë të madhe kontrollit të rregulloreve. Çdo kontrollor, madje dhe ai që është ngarkuar të shohë mbajtjen e uniformës, duhet të shkojë me rregullore në dorë dhe të raportojë në bazë të rregullores.
Në ushtri dhe në kufi, duhet të jemi tepër rigorozë në zbatimin e rregulloreve. Kam përshtypjen që të tërë shokët që shkojnë për të kontrolluar kufirin, qofshin ata të ushtrisë, qofshin ata të MPB-së, i marrin me mend “i dimë të tëra rregulloret”. Nuk e dimë rregulloren. Është njësoj si me Statusin e Partisë. Të tërë e dimë që për t’u pranuar një anëtar partie duhen tre rekomandime, por Sektori i Statutit e ka për detyrë t’i shohë me sy një për një materialet. Po nuk e bëri këtë, nuk zbaton normat e Partisë.
Nga pozitat e mbrojtjes së interesave të Partisë, të shoqërisë mendoj se duhet forcuar lufta kundër familjaritetit dhe miqësisë së sëmurë me njëri tjetrin. Në organet e brendshme duhet të luftohen këto shfaqje, duke gjetur edhe forcën për këtë qëllim. Forca gjendet në qoftë se secili është dhe i kërkohet të jetë korrekt me zbatimin e rregulloreve dhe normave. Familjariteti krijohet atje ku lejohen shkelje në emër të shoqërisë, të besimit që ka punëtori i sigurimit, etj. Njerëzit më besnikë janë ata që zbatojnë ligjet e shtetit normat e partisë, rregullt e rregulloret e vendosura. Besnikëria është konkrete dhe jo abstrakte, e përgjithshme.
Unë jam dakord me masat që propozuan shokët. Agroni dhe Feriti të shkarkohen nga detyra që kanë. Këtu nuk shtrohet çështja e besimit politik, as e mungesës së devotshmërisë. Por e mungesës së aftësisë, e kontrollit, e të organizimit. Mesa duket këta shokë janë liberal për sa i përket kontrollit në punë. Faji i tyre është kaq i madh e i përsëritur, saqë populli dhe Partia nuk mund ta kuptojnë qëndrimin e tyre në postin që kanë. Jam dakord me propozimin që bëhet për t’i dhënë vërejtje me paralajmërim shokut Qirjako. Jam dakord dhe me propozimet që shoku Hekuran dhe shoku Zylyftar tu jepet vërejtje. Të kuptohemi drejt shokë, nuk janë vërejtjet që zgjidhin këtë situatë. Prandaj secili duhet t’i vërë gjoksin punës, që ta përmirësojë e ta çojë përpara punën e Partisë. Ngjarje të tilla kanë efekte të mëdha politike, të brendshme e të jashtme. Këto i dëshpërojnë njerëzit tanë, kurse armikut të jashtëm i japin argumente për të luftuar kundër nesh. Këto çështje kisha unë. Në qoftë se jeni dakord, e mbyllim, (shokët shprehen dakord).
Urdhëro shoku Ferit
SHOKU FERIT ZENELI: Jam plotësisht i bindur për përgjegjësinë që kam për këtë ngjarje dhe i them Byrosë Politike se kudo që do të jem do t’ia shpërblej deri dhe me gjakun tim. Të rrojë Partia, Të rroni ju shoku Ramiz.
SHOKU AGRON TAFA: Është një sadisfaksion i madh që Partia nuk e ka humbur besimin politik tek ne. Unë mora angazhim dhe për ngjarjen e Shkodrës në Sekretariat, kështu që e kam të vështirë të marr angazhim tjetër, po jam plotësisht ekzigjent për qëndrimet e Partisë. Nuk më tundet fare besimi te Partia.
SHOKU RAMIZ ALIA: Për asnjërin nga ju nuk e vëmë në dyshim besimin politik.
SHOKU AGRON TAFA: Kjo ka rëndësi shumë për mua.
SHOKU RAMIZ ALIA: Mirë atëherë e mbyllim. Shokët e ftuar të largohen.
Mirupafshim
PROJEKT-VENDIME KUADRI
SHOKU RAMIZ ALIA: Keni ndonjë vërejtje për projektvendimin B/3. Nuk ka. Me projektvendimin 3/1 dakord jeni? (Shokët shprehen dakord)
Për Agronin si do bëjmë?
SHOKU RITA MARKO: Derisa u mor masa që të shkarkohet nga detyra, nuk mund të qëndrojë më Kryetar i Degës së Punëve të Brendshme.
SHOKU KIÇO MUSTAQI: Në qoftë se ka ardhur masa propozimi më mirë të emërohet ai tjetri, se e ka marrë vesh.
SHOKU PROKOP MURRA: Edhe unë kështu them, shoku Ramiz, që në rast se është diskutuar shkarkimi të hiqet se të gjithë e dinë.
SHOKU BESNIK BEKTESHI: Për shkarkimin e Agronit nga detyra është diskutuar dhe në Komitetin e Partisë së Rrethit të Durrësit dhe në ministri.
SHOKU RAMIZ ALIA: Dakord atëherë. Për sot mbaruam. Mirupafshim dhe shëndet./Memorie.al
SHEFI I SEKTORIT TË PËRGJITHSHËM
Fatmir Zaloshnja
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016