Nga Shpëtim Kodra
Pjesa e parë
Memorie.al / Umberto Eco, autori i romanit të mrekullueshëm “Emri i trëndafilit”, duke cituar librin me poezi “Rapsodia e jetës së trëndafilave” të Visar Zhitit, shprehet: ”Poezia u shkakton frikë regjimeve diktatoriale, edhe nëse flet, si në rastin e Visar Zhitit, për trëndafilat”. I vlerësuar nga kritika botërore, si një ndër poetët më të mirë të globit, Zhiti ka merituar mjaft çmime ndërkombëtare dhe është pranuar anëtar nderi i Akademisë Ndërkombëtare “Mihal Eminescu”. Zhiti: ”U akuzova se paskam shkruar vargje hermetike, / por më hermetikisht më mbyllën… / 10 vjet heqje lirie! / Edhe atë që s’e ke, ta marrin. / Ata na donin skllevër. / Me vargje krijonim lirinë”. / Arti –antipod i tiranisë. Në një ditë feste, më 8 nëntor 1979 e arrestuan. Vëllimi poetik, i pabotuar, por i kaluar në ekspertizën diktatoriale, e dërgoi në burg.
Liberalizmi i porositur nga diktatori, liria e provokuar, e kontrolluar, e survejuar, e shndërroi Festivalin XI-të Kombëtar të Këngës, në një teatër të ri tragjedish reale, në një inkuizicion komunist, të nisur që me çlirimin e Shqipërisë dhe robërimin e shqiptarëve, si dhe me përçarjen e tyre përmes luftës së përbindshme të klasave. Në dimrin e vitit 1972, besohej aq shumë nga njerëzit në një pranverë të vërtetë.Por mbeti një ëndërr e bukur, e vrarë.
Teksti i këngës fituese, hartuar nga poeti Sadik Bejko, shprehte dyshimin profetik: “Pranë meje dikush tha: Erdh pranvera,/ por unë nuk e besova…!/ Copëra të shpresave larg/ fluturuan, në qiejt e kaltër”. U hodh në erë një festival modern, me gjithë krijuesit e tij të talentuar, se nuk pati trëndafila e këngë për diktatorin dhe “pranverën socialiste”. Më 1969, Visar Zhiti kish botuar poezinë e parë “Sikur ti na erdhe, pranverë”.
Më 1963-in, pushkatohej e lihej pa varr Trifon Xhagjika, autori i poemës “Atdheu është lakuriq”. Më 1965-ën vdiste, pas torturave, tragjediani i parë e i vetëm, Et’hem Haxhiademi. Më 1968, drama “Njollat e murrme”, meritoi flamurin e festivalit të teatrove, përshëndetur edhe nga kryeministri Mehmet Shehu, por dënuar më pas nga diktatori Enver Hoxha.
U dënuan realizuesit. Më 1973-in, u burgos dhe autori, dramaturgu Minush Jero. Ndërkaq në Prishtinë më 1971, shpallej manifesti “Vox clamantis in deserto”, nga Ali Podrimja, Eqerem Basha, apo Aanton Pashku, i cili solli surrealizmin, absurdin. Hidhej poshtë kështu metoda e realizmit socialist, fenomen që kish nisur atje, më 1953.
Në maj 1972, erdhi në Tiranë e nuk pranoi të interpretonte në ndonjë film shqiptar të realizmit socialist, aktori i famshëm shqiptar Bekim Fehmiu. Më 1973, arrestohej, në praninë e studentëve, “Shaljapini” shqiptar, “Artisti i Merituar”, Llukë Kaçaj. Më 1974, vdiste në rrethana misterioze, dramaturgu Shpëtim Gina, për të cilin gazetarët Dashnor Kaloçi e Monika Stafa, sollën dokumentarin “Demonët e Ginës – misteret e një ikjeje të koduar”.
Më 1977, u pushkatuan dy poetë, për poezitë e pabotuara, por të kaluara në ekspertizën vdekjeprurëse, Vilson Blloshmi e Genc Leka. Kjo ishte atmosfera, kur burgosej edhe Visar Zhiti, i cili te libri “Panteoni i nëndheshëm, ose Letërsia e dënuar” shprehet; “Letërsia shqipe është një letërsi martire”. Shifrat dhe llojet e dënimeve që ai jep, janë tmerruese. Në Shqipëri u burgosën e u dënuan 200 personalitete të kulturës, artit e letërsisë. U pushkatuan, vdiqën në tortura, ose mbetën pa varre 50 vetë.
Shifrat respektive në Kosovë, ishin 43 dhe 15 vetë. Në një intervistë, Zhiti shprehet: “Kujtesa për krimet e komunizmit po shtypet, ose po jepet një perceptim i gabuar i saj. Për Kujtesën janë bërë hapa të dukshëm, por jo të ndjeshëm”. Prof. Lori Amy, sikur e konkretizon idenë e tij: “Shqipëria nën diktaturë, ka qenë një skenë krimi. Një ‘Bunk Art’, nuk mund të shërbejë si simbol i identitetit kombëtar, apo si shenjë krenarie! Është simbol turpi, pasi 700.000 bunkerë u ndërtuan, kur populli shqiptar nuk kish bukë të hante”.
Visar Zhiti aktualisht jeton në Çikago, por shpirtërisht nuk është larguar kurrë nga Shqipëria, të cilën e sheh me dashuri e dhembje. Me vete ka marrë historinë e tragjedinë tonë: “Doja t’i ikja një makthi, për t’iu dorëzuar një ëndrre. U duheshin vuajtjet tona, idealet, aleatët, ajo që përfaqësonim, por jo ne. Nuk na dhanë mbështetje për realizimin e një filmi për kryengritjet e të burgosurve në Spaç e Qafë Bari.
Në vendin tonë po përjetohet një demokraci e vështirë, e ashpër”. Në 60-vjetorin e tij të lindjes, në Durrës janë promovuar dy romanet e tij “Rrathët e Ferrit” dhe “Ferri i çarë”, për të cilët mbajta referatin kryesor. Në to dhe në romane të tjerë të tij, përmes autopsisë reale të sistemit diktatorial, janë pasqyruar fate tragjike e fakte tronditëse.
Në prag të 70-vjetorit të lindjes, Visari erdhi përsëri në Durrës, ku promovoi romanin më të fundit “Këpuca e aktorit”. Në ballinën e romanit është piktura e Atjonit, meteorit të ndritshëm e të talentuar, që u shua fare i ri. Romani paraqitet si një strukturë e hapur, me një mozaik të gjerë episodesh, që ka si bosht teatrin dhe simbolin e këpucës së aktorit. Sensi poetik, lirizmi i dhe humori tërheqës (i trashëguar), i bashkon ngjarjet dhe emocionet.
Një rrugëtim dramatik përmes realitetit dhe ëndrrës, me personazhe realë e të trilluar. Një portret i atdheut në tri kohëra. Një pasqyrë, ku shihen qartë të menduarit e të jetuarit, dashuria dhe urrejtja, vuajtjet dhe pasionet. Një rrëfim jete, real e retrospektiv, që bashkon tek e tashmja, të kaluarën dhe të ardhmen. Prozën e hijeshon figuracioni i pasur e në veçanti spikat stili oruellian, përmes paradoksit të oksimoronit dhe sarkazëm së groteskut.
Oksimoroni, që përdoret shpesh në të folurit e përditshëm, shpreh lidhjen paradoksale të koncepteve, veprimeve të papajtueshme, për të krijuar një kuptim të ri, që është shprehje e një kontradiksioni të brendshëm. Duket sikur nuk pajtohet me arsyen e shëndoshë, por që mund të rezultojë i vërtetë. Rrëfimi kontraversial-karakteristik edhe për stilin e absurdit. Jep efekt stilistik në roman.
Shembuj: Komedia tragjike “Nusja në thes”, e Hekuran Zhitit. Hektori: kufomë–gjallë-zvarrituri. Teatri është jeta dhe vdekja ime. Dështim i suksesshëm. Entuziazmi i egër i çlirimit. Që të keqkuptohemi sa më mirë, dua të provokoj, në fakt të qartësoj. Oksimoroni shpreh bukur paradokset absurde të jetës sonë sociale, ekonomike, politike, mediatike, juridike. Shqipëria aspiron të hyjë në Bashkimin Europian, nga ana tjetër hedh poshtë ndihmën e “Europa nostra”-s, për rikonstruksionin e teatrit, edhe me shpenzimet e saj.
Nihilizmi ekzistencial në një realitet të pasigurt, ku injorohen të drejtat, liritë e njeriut. Thuhet që komunizmi ishte sistem represiv, ndërsa demokracia totalitare është sistem depresiv. Zhiti: “Diktatura nuk ka ikur e, demokracia nuk ka ardhur”. Situata absurde, zhgënjyese e padrejtësisë, si dhe kontradikta mes ëndrrës dhe realitetit, krijon te shkrimtari i njohur tërheqjen pas realizmit magjik ekspresiv dhe rrëfimit surreal. Ëndrrat në gjumë, ëndërrimet në zgjim janë shfaqje të jetës.
Koha nuk rrjedh në vijë të drejtë, por në përthyerjen e rrëfimit, që, edhe kur shfaqet si mirazh, edhe në zhvendosjen e realiteteve, në lidhjen e jetës me vdekjen, si në dialogun me Atjonin, apo me fantazmën e babait, surrealizmi i ka rrënjët thellë në realitetin konkret dhe në personazhet realë, të përshkruar aq bukur e me aq vërtetësi. Fantastikja e magjikja bashkëjetojnë aq natyrshëm me realen. Të tillë bashkim të përkryer fantazie, imagjinate dhe realizmi i kemi hasur më parë te Kuteli. Imagjinarja e nënkupton fantastiken, vetëdija lind nga nënvetëdija. “Surrealizmi kalon nëpër rrugë” –thotë Markesi. Një vend me shumë drama është, vendi ynë sot. Metafora e teatrit përshkon gjithë romanin.
Hapet romani me “Parakreun”: “Kish kaluar mesnata, por, pa zbardhëllyer ende, Teatrin e shembën. Nën rrënoja kish mbetur njëri nga aktorët. Në atë kohë bëheshin pushkatimet, se kush kishte thënë, apo ai vetë”? Lexojmë, “Në paraskenë”:..”Gjallë duhet të jem, s’jam i vrarë i gjithë, po ku jam?… Edhe i vdekur në rol je…! Gjithsesi shfaqja është…! Nisi me një tra, personazh më ra pas kokës…! Nuk e di a jam gjallë”?!… Te, “Nisi si një monodramë”, thuhet: “Aktori në mes asaj rrëmuje artistike, jam unë i gjithë, që do të flas për vete, si për një tjetër.
Nga dritarja duket një ditë gri. S’është e sotmja, por e dikurshme….po flas me vete…vetëm…për veten…! S’e kam fjalën për vdekjen; për atje s’duhet maskë…! Dua të mbroj jetën, s’kam armë e bomba; janë të vdekjes ato, por kam lojën, jam aktor”. Te pjesa tjetër e hyrjes; “Jam (anti) aktor”, thuhet: “Isha, jo se s’jam, por, kur shoh përreth aktorë të dobët, madje pa karakter të tyre, jo më dhe me karaktere të tjera për skenën dhe kur aktorët më të këqinj, janë politikanët në krye, them që s’jam aktor, por antiaktor”.
Për autorin teatri është gjithkohësia. “Aty ruhet e gjallë, si në një muze të botës, vetë jeta. Ti sheh madhështinë e njeriut si njeri, por edhe si djall. Teatri të jep pavdekësinë. Teatri është që jeta të mos bëhet teatër, por teatri të bëhet jetë. Aktor je gjithmonë një tjetër. Aktori është çdo njeri, por jo çdo njeri është aktor, dua të them i mirë, i shkëlqyer”. Ekzistencializmi kuptohet më së miri me aktorin dhe skenën e tij, ku ka vetëm të tashme dhe ai është për të tjerët si një tjetër, i tjetërsuar|personazh.
Ndërtimi i ndryshëm i frazës i përgjigjet stilit të absurdit, që ndërthuret, me stilin realist mbizotërues. Me penelata shumëngjyrëshe pikturohen situata historike e psikologjike; portretizohen figura të ndritshme tragjike. Sinqeriteti, humanizmi, dhembja, po dhe kultura e gjerë, karakterizojnë rrëfimin polifonik. Autori është vetvetja, por dhe tipizimi i atyre që, në diktaturë qëndruan e vepruan me dinjitet, me pasion qytetar e atdhetar; për moralin, të drejtën e të vërtetën. Të burgosurit politikë janë kolona e demokracisë dhe qëndresës.
Tema e trajtuar është aktuale për vendin, por edhe me rezonancë universale, për filozofinë e jetës dhe përqasjen me teatrin. Tipizohet fati, drama, dhimbja dhe përpjekjet e shtresës intelektuale. Vetë zbulimi i protagonistit përmes dilemave të vazhdueshme. Në qendër familja Tomori. Njohja dhe më pas dasma e lumtur me Erikën.
Gëzimi i lindjes së Irisit: “Buzëqeshja e parë e Irisit dhe Erikës, si dy flatra lumturie”. Më pas hija e Sigurimit. Lumturia përndiqet, ashtu si armiku i klasës. Hektori provokon divorcin fiktiv, i aplikuar shpesh atë kohë, për të mbrojtur familjen, e cila, pas dënimit të kryefamiljarit, goditej dhe ajo. Duke menduar rrezikun e internimit, Hektori (që mishëron si prototip Hekuranin aktor e krijues), largon familjen, por ndërkaq përjeton vetminë, braktisjen.
I shprehet Erikës, bashkëshortes: “Të paktën shpëtoni nga unë”! Ai provon brenga, dyshime e shqetësime: “Erika më duronte me dhimbje”. Skena e rëndë e ndarjes. I vetëm- më i lirë, por më i mjerë”. Provon dhe punën edukuese (korrektuese) në amfiteatrin e Durrësit, ku vijnë për të interpretuar edhe Irisi me Marinin, që e donin dhe e ushtronin teatrin. Këpuca e aktorit, si një personazh simbolik, përshkon situatën reale të historisë kombëtare e familjare dhe shoqëron përshkrimin e ngjarjeve.
Një personazh që i ngjitet si hije protagonistit, është Anastasi (Çaçoja), një 1200 lekësh i ndyrë. Përfaqëson imoralitetin e një komunisti informator (bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit). Nga të persekutuarit, kishte më shumë spiunë, se nga ne”. Thënia e tij dëshmon, që spiunët e djeshëm, janë kthyer në shpifës të sotëm. Mbron Vorio Epirin. Mendoj që skenat seksuale me dy femrat e përdala, si dhe skenat me gruan e vajzën e Çeços, mund të reduktohen, sa për të dhënë mesazhin e një familjeje imorale.
Edhe simboli i këpucës, që s’di asgjë për rrugët ku ke dëshirë t’i çosh, është përdorur dendur, shumë shpesh. Gjithnjë ka vend për lakonizmin. Është i domosdoshëm edhe korrektori letrar, pasi ndeshen edhe pasaktësi drejtshkrimore, si p.sh., shkrimi i gabuar i fjalëve Evropë, Tomor etj. Gjithsesi këto vërejtje, nuk ndikojnë në vlerat e romanit.
Edhe kjo vepër dëshmon angazhimin e plotë e të përkushtuar në shërbim të kujtesës historike, të vërtetës e lirisë. E vërteta artistike është e vërteta më e lartë. Historia korrigjohet vazhdimisht, kurse veprat e shquara mbeten gjithnjë aktuale. Duke pasur në qendër të vëmendjes qëndrestarët, autori kërkon të krijohet një Muze i Qëndresës. Diktatura ka zhdukur, ka tjetërsuar e retushuar dëshmi e dokumente, por kujtesa e shkruar e ajo gojore i shërbejnë të vërtetës. Kujtesa përbën dëshmi, akuzë e material për historinë.
Arti, si kombinim i të vërtetës me të bukurën, shërben si diagnozë, por dhe si terapi. “Politika s’ka ligj, s’ka rregulla, s’ka as moral; asht kameleon” –shkruan Migjeni. Por ajo drejton gjithçka. Mark Tuein: “Politikanët dhe panolinat, duhen ndërruar shpesh, për të njëjtën arsye”. Edhe sot te ne parlamenti është shndërruar në një teatër të shëmtuar, me akuzat e ndërsjellta për spiunë, komunistë e të korruptuar, me shpifje e fyerje pa fund. Këto shpifje përcillen në median e shkruar. Hygoi: “Shpifësit gjakpirës përjetojnë një lumturi të zezë”. Drejtësia nuk i dënon.
Përçarja, pasojë e luftës së klasave, mbetet një realitet permanent. Politika na ndan për çështjen e teatrit. Politika na ndan edhe në përcaktimin e një date të vetme të çlirimit, por vijon farsën idiote e pa sens, për orën dhe ditën, kur u largua gjermani i fundit. Vetë Enver Hoxha, e ka përcaktuar e më pas e ka ndryshuar mendimin, siç ka bërë gjithë kohën, me rigjykimin e fakteve e të personaliteteve. Më 28 nëntor 1944, ora 10.00, si kryeministër, ai, bashkë me qeverinë provizore, parakaloi gjatë paradës ushtarake në Tiranë.
Dhe pasditen e 28 nëntorit, mori pjesë në ballon festive te hotel ”Dajti”. Buletini i Luftës Nacional-çlirimtare, nr.53 dt. 1.12.1944, në artikullin “Shkodra u çlirue”, e konsideron 28 Nandorin dy herë të shenjtë, që e plotëson çlirimi i Shkodrës. Në qendër të faqes së parë gjithashtu janë vënë fotot e Enver Hoxhës dhe Ismail Qemalit. Për Zhitin ka rëndësi më tepër fakti se ç’regjim solli ajo datë, kur çlirimtarët u shndërruan në pushtues, sollën diktaturën.
Visari është për evolucionin e, jo për revolucionin. Prandaj prishjen e Teatrit, që i përçau dhe aktorët, e përjeton thellësisht, madje shpreh keqardhjen edhe për resortin e bukur, të ndërtuar me punë e me shpenzime. Si në fillim, edhe në fund të romanit, në fokus mbetet teatri. Prishja e tij shihet si një akt i zymtë, i errët, madje i kryer natën e në kohë pandemie.
Teatri i vetëm Kombëtar, monument kulture e kujtese historike. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, e konsideroi si një krim institucional në mes të Tiranës, të kryer pas një kalvari shkeljesh ligjore e kushtetuese, për të cilat SPAK-u hesht, ndërsa Gjykata Kushtetuese shprehet në mënyrë gjysmake. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm