Nga Adrian Luka
Memorie.al / Gjovalin Luka u lindë në Shkodër, me 15 janar 1921, në një familje me rrënjë të hershme qytetare pasanike dhe me tradita të thella patriotike, që i përkasin fillimeve të para të shekullit XIV-të e, në vazhdimësi deri në ditët e sotme të shekullit XXI. Të parët tanë, ndryshe nga e përgjithshmja e popullit tonë, e kryesisht atij shkodranë, ishin njerëz të dhënë me pasion në fushën e tregtisë, fitimit dhe të apasionuar pas atyre fushave të jetesës, që ishin vërtetë shumë të avancuara në jetën bashkëkohore. I quajturi “Zuan”, Gjon de Luka – më i hershëm që ne kemi si fakt të dokumentuar nga shkrimet e lëna pas prej vatikanasve dhe osmanlinjve – figuron në regjistrat e vitit 1430, që të jetë një tregtar me anije, i cili bënte tregti në Rodon…! Në 1485, kemi të përmendet si fakt historik, Anjeze de Luka nga Shkodra…! Fakti që shkruhet për të, tregon se ajo duhet të ketë qenë një person me rëndësi në Shkodër.
Në shkrimet e gjetura, thuhet se; “… Anjeze de Luka, ishte e veja me 7 fëmijë, e burrit fisnik nga Drishti, Prilep Suma…”! Anjeza çuditërisht, të merrte “Provizion Pension” nga Venediku…! Nga burimet historike, shkruhet; “… këtë pensionin, ajo e merr nga fillimet e viteve 1480, deri në vitin 1506…”! Nga sa shkrimet historike e përmendin Anjeze de Luka, ku cilësojnë se: “… me shkodranë të tjerë, në moshë të re, nga fisi Luka, ajo emigroi në Itali…”! (me sa duket, ajo i është ri-kthyer Shkodrës…).
Ky fakt, të bënë të mendosh shumë thellë në këtë avancimin e shoqërisë njerëzore italiane, rreth dhënieve të pensioneve dhe mos-shkëputjen e pensionit me largimin nga Italia. Ose, mundet që këtu të kemi në histori, dy Anjeze de Luka, secila me vlerat e veta të veçanta, por të ngatërruara në ngjarjet…! Ndër katolikët e Shkodrës, sidomos tek fisnikët e pasur, trashëgimi i emrit të prindit, ishte zakon i fuqishëm nga e kaluara e largët…!
Andaj, në fisin tonë Luka, emrat: Gjon, Zef, Kol, Angjelin, etj., do përsëriteshin e ripërsëriteshin me breznit e reja të ardhura më pas…! Kështu në shekullin e XIX-të në Shkodër, kemi të njohur me epitetin; ‘Lukejt e Mëdhenj’, familja e Gjon Luka. Pra një Gjon Luka i ri ky, jo ai i viteve 1400-1500, një njeri me idera shumë përparimtare. Pra, Gjon Luka i ri, të shfaqet në histori, si një fisnik pasanik Shkodre…!
Në familjen e tij, të gjithë pjesëtarët të ishin njerëz të kulturuar, duke zotëruar mirë tre gjuhë: gjuhën Shqipe, Turke dhe atë Italiane. Gjon LUKA kishte tre djem: Kolën, Zefin dhe Nushin. Kola dhe Zefi arritën të zotëronin shumë mirë, me shkrim dhe këndim, turqishten dhe gjermanishten. Kjo, pasi të dy punonin si Përfaqësues Komisionarë të Shoqërisë Austriake “Llojd Triestino”, kompani e cila të kryente marrëdhënieje tregtare në Stamboll dhe Izmir të Turqisë.
Është interesante që të përmendet fakti se Kola dhe Zefi, që të dy, vdiqën në Turqi, respektivisht: Kola në Izmir dhe Zefi në Stamboll…! Djali i tretë, Nush Luka, ka punuar fillimisht në Korfuz të Greqisë…! Kola ishte i martuar me Katrinën, një bijë Gjokejsh, të cilën në traditën e familjes e quanin “Nana Loce”. Kola vdiq i ri dhe la një djalë, tre vjeç, Angjelin Luka. Angjelini u martua me bijë Ashikësh, pasanikë Shkodre, dhe la pas dy djem dhe tre vajza: Kolën e Ri, Gjovalinin, Katrinën, Matilden dhe Margaritën.
Pra, Gjovalin Luka, ishte djali i dytë i Angjelin Luka, një industrialist shkodranë ky, i cili do të ishte me idera shumë përparimtare, jo vetëm për zhvillimin e vendit, në përgjithësi, por edhe për ngritjen e dijes, kulturës së edukatës qytetare dhe asaj profesionale të çdo shkodrani, në veçanti. Angjelini, kishte mbaruar shkollën e Jezuitëve në Shkodër, me rezultate të shkëlqyera dhe meqenëse ai ishte shumë aktiv në tregtinë me botën e jashtme, ai zotëronte shumë mirë disa gjuhë të Evropës, ku po përmendim: shqip, italisht, frëngjisht, turqisht, gjermanisht dhe, deri diku, gjuhët sllave.
Kjo kulturë e tija, bëri që edhe i biri i tij, Gjovalin Luka, të ishte një fëmijë shumë i zgjuar në shkollë dhe në jetë, me aftësinë e kapjes dhe mësimit të gjuhëve të huaja…! Prindërit e tij, familjarisht shëtisnin Europën, ku jo vetëm për Gjovalinin, por të gjithë fëmijët e Angjelin dhe Elisa Ashiku (Luka), mësimi i gjuhës së huaj – veçanërisht italisht, frankish dhe sllavisht, ishte tashmë e lehtë. Me rritjen dhe pjekurinë e tij, Gjovalin Luka, u edukua me frymën dhe ideologjinë e shoqërisë social-demokrate të Shkodrës…! Gjithashtu, i influencuar shumë nga idetë e ndryshme të botës së huaj, pasi e kishte parë botën me vetë sytë e tij, ide që i qarkullonin edhe kësaj shoqërisë shqiptare, Gjovalini u vu nën ndikimet e disa parimeve socialiste, sidomos të atyre Austro-hungareze. Kështu, më vonë, ai e zgjeroi njohurinë e tij dhe përqafoi idetë socialiste e komuniste, Europiane-Prendimore.
Në vitin 1936, megjithëse të ishte vetëm 15 vjeç, Gjovalini kishte arritur të lexonte shumë literatura të vijës komuniste…!
Studimet e tija në Bologna të Italisë, e lidhën Gjovalinin në kanale jo edhe aq më ndryshe, nga sa ishte tradita shekullore familjare…! Lukejt e Mëdhenj, edhe pse të pasur, luftonin për drejtësi dhe barazi shoqërore…! Në vitin 1937, ishte Zef Malaj ai që themeloi Grupin Komunist të Shkodrës, duke patur një ndihmesë kolosale edhe nga Vasil Shanto, Qemal Stafa, Gjovalin Luka, Tuk Jakova, Niko Xoxe, etj., grup i cili të ishte, jo vetëm për një përmirësim të kushteve të jetesës së masave popullore, por edhe për të drejtat e përfaqësimit të të majtëve. në Parlamentin Shqiptar…! Aktiviteti i Grupit Komunist të Shkodrës, u zgjerua edhe me shkuarjen e shumë trakteve me frymë anti-qeveri Zogiste…!
Andaj në vitin 1938, Gjovalini u arrestua nga regjimi i Mbretit Zog, për aktivitetin e tij anti-Zogist…, me arsyen e vetme se: “Grupi Komunist i Shkodrës, një organizatë ku tashmë bënë pjesë edhe Gjovalin Luka, u ka rënë ‘kambanave’ të alarmit popullor, rreth një kolaboracionizmi të Mbretit Zog, me fashistët Italianë, duke e informuar popullin e thjeshtë, se ‘Shqipërisë po i kanoset rreziku i një pushtimi të fashizmit Italianë’…”!
Më vonë, Gjovalin Luka, do të përjashtohet nga të gjitha shkollat e Mbretërisë Italiane dhe ato Shqiptare…! Në fillimet e vitit 1939, ai arrestohet dhe burgoset, me shumë përparimtarë të tjerë me idera komuniste, në Mbreshtan të Beratit. Më vonë ai burgoset edhe në burgun e Tiranës. Në gjyqin e mbajtur në një qeli të Bashkisë së Tiranës, kundër kësaj klase inteligjente revolucionare përparimtare shkodrane, edhe Gjovalini (sikurse të gjithë të akuzuarit e tjerë), të mbajti një qëndrim korrekt, duke i qëndruar shumë besnik parimeve, që ai i kishte përqafuar si ide të vetat.
Në qelinë e burgut, njëri nga themeluesit e Grupit Komunist të Shkodrës, Qemal Stafa, shkruajti për Gjovalinin, edhe poemën e tij “Shokut të Prangave”, poemë pra, që i dedikohej direkt Gjovalin Lukës dhe askujt tjetër. Pra, jo ashtu siç do e gjejmë më vonë të falsifikuar, në këtë “Historinë e Shqipërisë”, që i dedikohet Vasil Shantos, i cili të dy duart e tija, i kishte jo vetëm “jo të njoma”, por edhe me kallo, prej kazmës dhe lopatës…! Pra, përgjatë okupacionit fashist Italian, Gjovalin LUKA u angazhua në shumë aktivitete antifashiste…!
Më 8 nëntor 1941, mbasi kishte dhënë një kontribut të madh teorik, edhe me materiale të shumta komuniste, të sjellura këto prej tij nga jashtë shtetit, Gjovalini thirret të marrë pjesë në themelimin e të quajturës Partia Komuniste Shqiptare, Parti e cila i grumbulloi të gjitha organizatat, grupet e ndryshme komuniste dhe ato vijat e tyre, në një të vetme. Por, mjerisht, atij dhe disa shokëve të tjerë të thirrur po si ai, ju tregua direkt nga vet Enver Hoxha, se do bënin roje të organizuar përgjatë natës dhe do sinjalizonin në raste dyshimesh, pasi Themelimi i Partisë, do zinte vend edhe me praninë e tyre, me datën 9 Nëntor 1944…!
Çuditërisht, me zbardhjen e ditës së 9 Nëntorit, të gjithë këtyre “rojeve besnikë” ju komunikua themelimi Partisë, i bërë që asaj nate të 8 Nëntorit…! “Rojet”, u lavdëruan për kryerjen me shumë sukses të detyrës…! Por, edhe pse i prerë pak në besë, (sigurisht, prerje në besë, e stilit të ca fiseve Arabe), Gjovalini vazhdoi t’i dojë idetë komuniste…! Kështu, ai vazhdon të e ri-organizoj dhe të e financoj (nga paratë e të atit, Angjelinit), teknikën ilegale. Traktet e asaj kohe, do të shtypeshin në këtë shtëpi, ku sot asaj Shkodre, është “Fototeka Marubi”…!
(Me sa duket drejtuesit e shtetit të sotëm totalitariano pseudo- demokratë dhe fetarë, po duan rish shtrembërimet e historisë dhe zhdukjen e aktivitetit komunistit asaj Shkodre…!) Gjovalin Luka ishte shumë aktiv në shkrimet e trakteve, sidomos për rëndësinë që kishte përkrahja e Luftës Antifashiste; mbi çështjen nacionale shqiptare; mbi çështjen e vendosjes së një pushteti demokratik; për rritjen e mirëqenien materiale të secilës familje dhe për zhvillimin e kulturave të edukatave përparimtare qytetare, etj., etj.
Gjovalin Luka të ishte gjithashtu edhe një ndër të parët komunistë të Shkodrës, si kontribuues dhe organizator i luftës me armë kundra okupatorit fashist italian. Thjeshtë përmendim këtu: Luftën e Reçit, (apo më saktë të Doçit, me 2 tetor 1942), luftë e cila, plotësonte kështu, jo vetëm një detyrë nderi nacionale ndaj interesave të kombit tonë, por edhe detyrimet e shtetit tonë në arenën internacionale. E gjitha, asaj kohe, të shikohej si një ndihmë e popullit shqiptarë për Evropën dhe botën, të cilat të ishin nën rrezikun e dhunimit të sistemit kapitalist dhe shtrirjen e mëtejshme të nazi-fashizmit në këtë kontinent dhe, ndoshta, më përtej…!
Nga i gjithë ky aktivitet, qeveria në drejtim e asaj kohe, e dënoj Gjovalinin edhe dy herë të tjera “me vdekje”, në mungesë, pasi tashmë ai të bënte jetën e malit, duke qenë plotësisht në ilegalitet…! Në ilegalitet, ai njihet me një tjetër anëtare të Grupit Komunist të Shkodrës, Marije Vasili, ku asaj jete ilegaliteti, ata u fejuan… dhe, më pas, u martuan. Në nëntor të vitit 1943, Gjovalini shkruajti shumë qartë dhe pastër, për të drejtën e vet vendosjes dhe ribashkimin nacional të pjesëve shqiptare të Kosovës, me Shqipërinë.
Pastaj, në dhjetor 1944, në dallim nga filo-fashistët e së ashtuquajturës “Lidhja II-të e Prizrenit”, të atyre komunistëve pan-jugosllav-titistë të emigracionit në SHBA-ës (që të kishin vazhdimisht përkrahjen e Departamentit të Jashtëm të U.S.A.), të cilët kërkonin një Federatë Ballkanike, Gjovalin Luka, shkruajti fare hapur dhe u shpreh pa ndrojtje; “… për një Konfederatë Ballkanike të ardhshme, por me të drejta të barabarta popujsh indipendentë”.
Mbas çlirimit të vendit nga nazi-fashizmi, me 29 nëntor 1944, Gjovalin dhe Marije Luka, do të caktohen me shumë detyra partiake e shtetërore të përgjegjësive të larta në Shkodër. Veçanërisht Gjovalini, filloi të dallohej për një saktësi e përpikëri në fushën e shtypit, si gazetar, dhe në fushën e letërsisë dhe asaj të kritikës letrare. Prandaj, ai po kishte shumë shkrime të lavdërueshme, në sferën e historisë e të përkthimeve filozofike dhe sidomos në ato nga aktualiteti i letërsisë së huaj, gjëra që e mundësuan atë, për të mbajtur pozita të larta në këtë sektor arti.
Në Shkodër, ishte Gjovalin Luka ai, që me iniciativën e tij personale, bashkë me ndihmesën e një inxhinieri italian, do të ngrinte për herën e parë Radio-Shkodrën… (sot, përpiqen të e fshijnë edhe këtë meritë të Gjovalinit, duke sajuar shkrime që përmbajnë gjithfarë emrash, por jo emrin e themeluesit, Gjovalin Luka). Gjithashtu, me ndërhyrjen e tij energjike, u liruan nga burgu i Shkodrës, disa dhjetëra të rinj intelektualë, që fundja nuk kishin gabuar edhe aq rëndë në thyerjen e ligjeve shtetërore…!
Në vitin 1945, Gjovalin Luka u transferua në Tiranë, (me banim në “Bllokun” e udhëheqësve) dhe pas pak, ai u zgjodh Kryetar i Shoqërisë së Miqësisë Shqipëri-BRSS (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike) dhe Kryeredaktor i Revistës ‘Miqësia’, një revistë kjo, që publikonte shkrime të agjitacionit e propagandës rreth marrëdhënieve tona me B.R.S.S-në…! Bashkë me të tjerë (Nako Spiro, Nexhmije Hoxha, Haxhi Lleshi, etj.) ai merrte pjesë në delegacionet e shtetit tonë, në vendet të tjera të Europës dhe të prezantonte sukseset kolosale të Shqipërisë, në të gjitha sferat e jetës, duke marrë rrugë zhvillimi dhe daljen nga prapambetja shekullore.
Gjovalin Luka, arriti edhe në pozitën e anëtarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, (pasi ishte zgjedhur deputet i Shkodrës në Kuvendin Popullor, që në zgjedhjet e para të 2 dhjetorit 1946) dhe për meritat e Luftës, ai të ishte i dekoruar me një sërë medaljesh të akredituara nga organet më të larta të Shtetit tonë, siç ishin: “Medalja e Kujtimit”, “Medalja e Trimërisë”, “Urdhri i Flamurit” dhe “Ylli Partizan”. Në zyrën e Agjitacionit dhe Propagandës (e thirrur Agjit-Prop), Gjovalin Luka të punoi direkt me Nexhmije Hoxha (e shoqja e Enverit), me të cilën ai njihej shumë mirë që në Shkodër, teksa edhe ajo, kishte qenë një anëtare e Grupit Komunist të Shkodrës.
Gjatë punës së tij shumë të ndershme dhe të palodhur në Tiranë, për ecjen sa më mbarë të sistemit socialist, Gjovalin Luka tërhoqi drejtë kryeqytetit tonë, shumë intelektualë Shkodranë. Gjovalini ishte shumë energjik dhe të ndërhynte me dashamirësi, që shumë prej tyre, vërtetë talente arti, edukate dhe kulture të lartë, të shkonin jashtë-shtetit dhe vazhdonin ato studimet e larta…! Gjovalini vet, të ishte një njeri tepër revolucionar dhe shumë përparimtar, me idera zhvillimi të shpejtë të Shqipërisë dhe me pamje bashkëpunimesh të marrëdhënieve reciproke, edhe me vendet kapitaliste të Europës, jo vetëm me këto të Lindjes, duke i shprehur haptas idetë e tija, për një evolucion paqësor brenda vetë lëvizjes komuniste Europiane.
Andaj, veprimtaria dhe shkrimet e tija: për paqen; bashkekzistencën paqësore; konkurrencën e lirë të mendimeve në sistemet ekonomike të njohura; shkrimet për çarmatimin; për një Evropë pa armë bërthamore e termo-bërthamore; për një Evropë jo të ndarë në dy gjysma; për procesin e Detantës; për një Traktat Sigurimi Kolektiv Evropian, me pjesëmarrjen edhe të SHBA-së si vëzhguese; për ribashkimin paqësor dhe me vota të lira të Gjermanisë; veprimtarisë së tij kundra diktaturës dhe kultit Stalinist të individit etj, etj, të tërhoqën vëmendjen e madhe edhe të drejtuesve internacionalë, me urimet më të mira e të sinqerta për të, nga shumë personalitete Evropiane.
Në maj 1955, Gjovalin Luka ishte i vetmi person si i deleguar dhe si kryetarë i palës Shqiptare, në një takim midis Paktit të Varshavës dhe NATO-s, i mbajtur ky takim në Varshavë, Poloni. Nga ana e vet Enver Hoxhës, atij ju dhanë udhëzimet përkatëse, ku me çdo kusht Gjovalini (në rast të drejtë fjale), si përfaqësues i qeverisë sonë, duhej të e dënonte imperializmin Amerikanë, në një luftë të pa kompromis ndaj tyre…! Por, duke që nëse, e gjithë atmosfera e asaj mbledhje, do të ishte – nga i pari tek i mbrami – për paqen dhe bashkë-ekzistencën paqësore, kur e mori të drejtën e tij të fjalës, Gjovalini u solidarizua pa asnjë mëdyshje me të gjithë parafolësit, duke e theksuar se; “…edhe Shqipëria është për marrëdhëniet e mira me çdo shtet të rruzullit dhe veçanërisht me ato shtete që ja njohin asaj të drejtën e vet-vendosjes, në marrëdhëniet reciproke…”!
Andaj, pas kthimit nga Polonia dhe pak ditë më vonë, me 18 qershor 1955, pas një debati mjaft të ashpër me vet Enver Hoxhën dhe Rita Markon, në prezencën e stenografistit Haxhi Kroi, Gjovali u shprehu atyre fare haptas ato bindjet e veta dhe mendimin e elasticitetit që duhej të kishim si Parti, asaj situate të ndërlikuar të atij takimi superfuqish botërore. Por e gjitha nuk mbaroi me kaq për Gjovalin Lukën. Gjatë kësaj kohe, pra në vitin 1956, ai u dërgua me forcë në Spitalin Psikiatrik të Tiranës, ku po me forcë, atij ju aplikuan disa injeksione, të cilat nuk i bënë aspak mirë…!
Akuza të shumta rreth punës, pastërtisë dhe nderit të tij si komunist, filluan t’i bezdisnin veshët…! Me 31 dhjetor 1956, natën e vitit të ri dhe bash duke afruar ora 12.00 e natës, Gjovalinin e arrestuan, pa ndonjë paralajmërim…! Ai u dërgua, me masë internimi, në Roskovec të Fierit…! Aty, që të mbijetonte, ai ju shtrua punës…! Lajmet e shumta, në Radio-Moska dhe ‘Zëri i Amerikës’, do të përmendnin emra komunistësh shqiptarë të goditur dhe në shënjestër për goditje…! Dhe, pas çdo emër të përmendur nga këto stacione radiosh (të cilësuar nga qeveritarët e lartë, si; “armiq të popullit dhe pushtetit”), secilin e priste arrestimi, burgosja apo pushkatimi.
Kjo varej nga fati dhe gjendja shpirtërore e burrit më të madh të shtetit shqiptar, të quajturit nga fëmijët, “Xhaxhi” dhe nga malokët e rapsodive popullore, “shkëmb graniti”, me “jetë, sa malet tona kreshnike”…! Andaj, Radio-Moska, e mbrojti Gjovalin Lukën, në moralin e karakterin e tij, dhe pas pak kohësh e arrestojnë përsëri dhe tani atë e mbyllin në Spitalin Psikiatrikë të Vlorës, ku, atij shtrati të fjetjes, ai ndenji shumë muaj, ashtu i lidhur me pranga dhe zinxhirë të hekurt, në këmbë e duart e tija…!
Në këtë spital, atij ju injektuan me dhjetëra injeksione me përmbajtje sasirash qelbi infektues dhe me qindra injeksione kloropomazinash, të cilat e sollën atë në një njeri me trupin e ënjtur dhe me dobësi të pa përshkruar. Janë të regjistruara, gjithsej, 28 elektroshokë të aplikuara tek Gjovalin Luka, nga doktorët e spitaleve psikiatrike Tiranë dhe Vlorë, të cilët edhe e thonin, pa pikën e turpit, se “… e gjitha që po të bëjmë, është me urdhër nga lartë…”!
Pas këtyre torturave, kur Gjovalin Luka u konsiderua si “i mbaruar”, atë e dërguan në Ishullin e Zvernecit, ku aty ai ndenji për disa vite i izoluar…! Gjovalin dhe Marije Luka, u liruan nga internimi, në vitin 1977…! Dhe, pas këtij lirimi, familja Luka, u rivendos me banim në Shkodrën e dashur të tyre. Në vitin 1979, një komision i ardhur apostafat nga Tirana, i kërkuan Gjovalin Lukës, që ai t’u shkruante atyre biografinë e jetës së vetë, me justifikimin: “Vitin tjetër, do plotësoni dokumentet, për të drejtën e pensionit…”!
Sipas atyre që na erdhën në shtëpi, qeveria i pranonte disa gabime të bëra ndaj tij dhe andaj Enver Hoxha vetë, ka urdhëruar që; Gjovalinit do i njiheshin, në llogaritjet e pensionit, të gjitha atributet e tija ndaj kombit, që nga koha e Luftës në mal, si komisar batalioni; të jetës atyre posteve shtetërore në Shkodër dhe Tiranë; disa të drejta nga ato vitet e vuajtjeve të internimit dhe burgosjes, etj., etj,, etj…! Kështu Gjovalin Luka, me vetëdije plotë, u premtoi atyre se do jua jepte të saktë biografinë e tij. Andaj, ai shkruajti plotë 35 faqe (nga të dyja anët), auto-biografinë e kërkuar, duke jua ritheksuar me diplomaci, të gjitha ish të metat e sistemit aktual dhe të atyre komunistëve lapangjozë, të drejtuar nga Enver Hoxha.
Pa ju dridhur aspak dora dhe syri, ai jua dorëzoj shkrimin e vet atyre organeve kompetente të të drejtave të pensionit (ashtu, siç e udhëzuan)…! Mjerisht, me datën 15 janar 1980, ditën e datëlindjes së tij, Gjovalin Luka do të ndjente dhimbje të padurueshme të hernies. Doktorët që u thirrën (çuditërisht 4 prej tyre), i injektuan atij një lloj ilaçi, ilaç i cili pas 3 orëve, e solli babain tonë fare papritur, në atë gjendjen më alarmante, për lënien e amaneteve të tija tek ne…! Dhe, pasi i la ato, ai i mbylli sytë e tija përjetësisht…!
Ndër këto, sa thjeshtë po përmendi (veç të anës sime, që në komunikim me mua, ato ishin edhe fjalët e fundit të tija):
1)
2)…
3)
4)…
5)…
etj.
dhe
99) Pavarësisht se ç’na ka bërë familjarisht dhe shumë padrejtësisht neve dhe mijërave familjeve të tjera, Enver Hoxha mbetet vërtetë një udhëheqës i madh. Nuk është aspak e lehtë të drejtosh një popull shumë injorant prej shekujsh; një popull bashibozuk dhe mercenar; një popull që të vret çdo çast pas shpine, ditën dhe natën, pa të qarë aspak, por përkundrazi të mbahet shumë krenar dhe me mburrjen se tregoi trimëri…!
100). “Adrian! Amanet t’a lë ty Marijen, këtë heroin kaluar heroinës. Ti, kurrë të mos e ndash nënën nga vetja edhe sikur të shkosh në fundin e botës…”! (ai as e konceptonte dot asaj kohe të vitit 1980, hapjen e kufijëve apo arratisjen time. Pra, ai e parashikoi saktë, dëshirën time për jetën time familjare të ardhshme, në fundin e botës):
101). “Ju lutem, këtë shishe verë, që s’po arrijë t’a hapë kësaj datëlindjes sime, t’a hapni vetëm atëherë kur të vdesë Enver Hoxha dhe të gëzoni me shpirt, për vdekjen e tij, se vetëm atëherë ju do jeni të lirë…! T’m’i bani hallall trazirat që ju shkaktova, jetrave tuaja. Qëndroni të fortë…!
Dhe më se e vërtetë kjo: atë ditë të 11 prillit 1985, po lahesha në Shirokë, kur një shok më tregoi se herët në mëngjes, kishte vdekur Enver Hoxha…! Nga Shiroka në shtëpi e bëra me vrap dhe menjëherë me tim vëlla dhe 3 shokë të tjerë (Mehdi Fani, Gjovalin Celi dhe Gjeto Pepa), ne e pimë verën e amanetit të babait tim…! U zgjata…! Janë plotë ngjarje.
Ja pra, kjo ishte një përmbledhje fare fare e shkurtë, e Gjovalin LUKA, një përmbledhje e pa shumë episode të tjera të lëna (me qëllim, nga ana ime) jashtë kësaj përmbledhje të jetës së tij, kësaj jete të këtij njeriu me zemër të madhe bujare, i cili luftoi vërtetë me idealet e shenjta, për të mirën e popullit…! Memorie.al
Marrë nga shqiptarja.com