Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon disa dokumenta arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror i PPSH-së dhe fondi personal i Enver Hoxhës), ku ndodhet ditari politik i Enver Hoxhës që ai ka mbajtur në periudhën tetor-dhjetor 1972, kur një delegacion i madh ushtarak i Ministrisë së Mbrojtjes me në krye ministrin Beqir Balluku (ku merrnin pjesë të gjithë drejtorët e drejtorive dhe shefat kryesorë të të gjitha llojeve të armëve), u nisën për në Republikën Popullore të Kinës, ku sipas porosive të dhëna nga vetë Enveri para nisjes, ata do t’i kërkonin udhëheqjes së lartë kineze, që të ndihmonte ushtrinë shqiptare, duke e pajisur atë me teknikën luftarake, pasi ushtria shqiptare kishte ende në përdorim, armatime të Luftës së Dytë Botërore, që ua kishe dhenë Bashkimi Sovjetik që në vitin 1955. Ditari i plotë i Enver Hoxhës lidhur me delegacionin ushtarak të kryesuar nga ministri Balluku, duke filluar nga bisedimet e tyre me kryeministrin Çu En Lai dhe udhëheqës të tjerë të lartë partiakë dhe shtetërorë të Republikës Popullore të Kinës, ku ai pasi shpreh rezervat dhe pakënaqësitë e tij për udhëheqësit më të lartë të Kinës, duke filluar nga Mao Ce Duni, Çu En Lai etj., duke i akuzuar ata deri për paaftësi në drejtimin e partisë dhe gjithë vendit, hedh hije dyshimi edhe për eliminimin fizik të ministrit të Mbrojtjes Popullore të Kinës, Lin Biao, duke i konsideruar të pavërteta akuzat e Çu En Lait, që i thoshte delegacionit shqiptar, se Lin Biao, i kishte sjellë dëme të mëdha Partisë Komuniste të Kinës dhe qeverisë kineze. Pakënaqësitë e Enver Hoxhës edhe me ministrin e Mbrojtjes, Beqir Balluku, i cili nuk do të kthehej menjëherë në Shqipëri, por e kishte shtyrë edhe dy javë të tjera datën e kthimit në Tiranë, pasi kishte vendosur që të qëndronte në Romë dhe Paris, me të gjithë delegacionin që e shoqëronte!
Ditari politik i Enver Hoxhës për vizitën e delegacionit të lartë ushtarak me në krye Beqir Ballukun, në Republikën Popullore të Kinës, në tetorin e vitit 1972, i cili u prit edhe nga kryeministri Çu En Lai
BISEDE ME SHOKËT E DELEGACIONIT USHTARAK QE DO TE SHKOJNË NE RP TE KINËS
Të tjerët kanë arsye të mendojnë kështu, pavarësisht se Çu En Lai s’mungon të thotë se Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë njësoj të dy. Për sa i përket politikës që ndjek Kina ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Çu En Lai gati nuk tha asgjë; mundet apostafat ai e la në heshtje këtë çështje, duke ditur pikëpamjet tona ose se nuk donte të zbuloheshin “marrëdhëniet përgatitore afruese”, të cilat mund të shpërthejnë pas “nënshkrimit të paqes në Vietnam”. Mendoj se të dyja këto arsye, e bënë Çu En Lain të mos flasë për këtë pikë. Këtë mendim ma përforcon edhe pikëpamja e Çu En Lait, lidhur me perspektivën e luftës në Vietnam. Ai tha se Bashkimi Sovjetik e ndihmon pak Vietnamin. Kjo është e vërtetë. Por të ndihmosh pak Vietnamin, do të thotë ta dobësosh mbrojtjen e tij. Çu En Lai ishte i mendimit se Bashkimi Sovjetik, dëshiron që lufta në Vietnam të vazhdojë. Këtu ka një kontradiktë, e cila qëndron në atë që “nga njëra anë të mos i ndihmosh vietnamezët, dhe, nga ana tjetër, të kërkosh që lufta të vazhdojë”!
Sovjetikët mund të duan që lufta në Vietnam të vazhdojë, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mbahen të lidhura me këtë luftë, që të pengohet Kina për të mos forcuar “miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, që ajo të vazhdojë të mos ketë marrëdhënie diplomatike me të. dhe të mos “zgjidhet” çështja e Tajvanit e “qëndrimi” i Flotës së 7-të Amerikane në ujërat kineze. Të gjitha këto plane i bëjnë sovjetikët, atyre u interesojnë këto, por një gjë e tillë nuk përputhet shumë me atë që po bëjnë, duke mos e ndihmuar me armë Vietnamin. Sigurisht, sovjetikët, në aleancë me amerikanët, kanë shumë variante planesh në çantë, të cilat i azhurnojnë, i lidhin dhe i bashkërendojnë me të gjitha problemet botërore, ku kanë futur hundët. Çu En Lai nuk foli gati fare për çështjet e Evropës dhe të Lindjes së Mesme, dhe kjo ndodhi, jo se ai nuk ka mendimet e tij mbi problemet e mëdha që po ziejnë atje.
Vazhdon një politikë jo shumë e interesuar nga ana e Kinës për këto zona dhe, sipas mendimit tim, ky është një gabim, sepse zgjidhja e problemeve politiko-ushtarake në këto vende, është me rrjedhime të mëdha për vendet e Azisë. Pikërisht këtu, në Evropë dhe në Lindjen e Afërt e të Mesme, të dyja superfuqitë përpiqen të gjejnë fjalën, të konsolidojnë aleancën dhe të kenë duar të lira për gjetkë, të paktën për një periudhë kohe. Të bësh një politikë pasive, siç po bën Kina, në këto momente dhe për këto rajone, nuk është një politikë tejpamëse, pse, duke vepruar në këtë mënyrë, e pret “kundërshtarin aleat” të të vijë në “marrëveshjet” imagjinare që ke rregulluar në një kohë me të. Kështu do të thotë “të presësh hijen”, e cila është hipotetike me imperialistët, pse, pikërisht edhe ata kanë punuar që “ti, Kinë, të presësh hijen”, derisa “ata të rregullojnë punët e tyre” dhe, kur t’i kenë rregulluar këto pa kokëçarje, – sepse “ti, Kinë nuk i pengon në rrugën e tyre”, – atëherë ata do të vijnë “por me thikë në dhëmbë”.
Çështja tjetër që Çu En Lai shtroi gjatë bisedës, ishte gjendja e brendshme në Kinë, çështja e grupit të Lin Biaos. Këtë problem ai e tori gjatë, megjithëse në vija të përgjithshme janë po ato gjëra që na tha zyrtarisht ambasadori i tyre. Çu En Lai e karakterizoi veprimtarinë e Lin Biaos, nga më të rrezikshmet që ka pësuar Kina. “Lin Biaoja dhe shokët ‘e tij, tha ai, ishin komplotistë nga më të rrezikshmit, por ishin një grup i vogël prej 9 vetash”. Këtu është kontradikta e parë. Sigurisht, pranohet versioni i Çusë, që ata ishin komplotistë, por që këta 9 apo 10 veta, përbënin rrezikun më të madh për Kinën, kjo të çudit, siç të çudit edhe kontradikta tjetër. Lin Biaoja dhe grupi i tij, paskan sabotuar çdo gjë gjatë Revolucionit Kulturor! Këta si armiq që ishin, nuk ka dyshim që dëmtuan, frenuan, por që çdo dëm, çdo mosrealizim, çdo defekt të vogël, t’ua ngarkosh këtyre, do të thotë të forcosh dozën. Thuhet se ky grup i vogël, po shumë i rrezikshëm, sabotoi industrinë, bujqësinë dhe mekanizimet e saj, sabotoi armatimet e ushtrisë etj., etj.
Bëhet pyetja: Po të tjerët, të mirët, ku ishin? Sipas Çu En Lait, çdo gabim në rrugën e diplomacisë, në politikë, në ideologji, e ka bërë grupi i Lin Biaos. Shtrohet pyetja: Po të mirët ku ishin? Pse nuk reaguan? Lin Biaoja ngriti lart kultin e Maos dhe ishte ai që e quajti Maon “marksist-leninist të madh”, “udhëheqës të madh”, Përsëri bëhet pyetja: Po të tjerët, të mirët, ku ishin? Pse nuk i pengonin këto? Sipas Çu En Lait, Lin Biaoja ishte njeri i sovjetikëve, por prapë sipas Çu En Lait, ai kishte frikë nga një sulm i afërt i tyre kundër Kinës, derisa, pa dijeninë e Byrosë e të Maos, kishte dhënë urdhër të mbusheshin aerodromet me hekurishte, që të pengonin avionët sovjetikë të uleshin, dhe të hapeshin digat e të përmbyteshin qytete, që të pengoheshin desantët sovjetikë. Dhe kështu, në proces-verbalin e ekspozesë së Çu En Lait, gjen një sërë ngjarjesh, të lidhura e të shkëputura, të gjitha për të vërtetuar se grupi i Lin Biaos, ishte një grup i rrezikshëm, tradhtar, sabotator etj.
Deri atje shkon Çu En Lai, sa të thotë që “Lin Biaoja hiqej si i sëmurë, po ai ishte një simulant”! Shumë gjëra të çuditshme për një person që “kishte arritur një post shumë të lartë”! Përse të mos i pranojmë ne të gjitha këto ç’po na rrokullisin tash për Lin Biaon, për një njeri që për ne ishte krejt i panjohur? Ai as që dilte në skenë, nuk kishte asnjë aktivitet dhe ishte për çka ishte ne s’dimë gjë, vetëm se atë e përkrahnin Maoja, Çuja dhe të tjerët. E përkrahte gjithë Partia. Dje të gjithë këta flitnin në mënyrë të shkëlqyeshme për të, sot i’a veshin të gjitha të kanë vepruar, sipas Çusë, deri edhe në organizimin e komploteve (dhe jo një herë) për të vrarë Maon. Vërejtjet tona për këtë çështje të brendshme janë të shumta, sepse në këtë trajtim të problemeve, siç e bëri Çu En Lai, dhe ky është versioni zyrtar shtruar edhe në gjithë partinë e tyre, ka kontradikta të mëdha e të shumta.
Së pari, në këtë shtruarje të problemeve harrohet krejt puna armiqësore e Liu Shao Çisë dhe e grupit të tij të madh, i cili kishte hedhur çdo gjë në duart e tij, kishte eliminuar Maon dhe partinë e kishte katandisur në atë gjendje, sa, për ta likuiduar këtë situatë, u desh të shpërthehej Revolucioni Kulturor. Vetë Maoja u ka pasë thënë disa herë shokëve tanë “akoma nuk dihet kush do të fitojë, ne apo ata”! Shokët kinezë, me sa dimë ne, nuk i kanë bërë një analizë të thellë marksiste-leniniste veprimtarisë armiqësore të grupit të Liu Shao Çisë, për të zbuluar rrënjët dhe burimet e kësaj veprimtarie. Është shkruar dhe bërë propagandë kundër tij, po kjo ka ngelur vetëm propagandë.
Faktet tregojnë se gjatë Revolucionit Kulturor lindi në udhëheqje një grup tjetër armiqësor më i rrezikshëm, i cili ishte në krye të Revolucionit Kulturor. Ky grup, që ishte në krye e që kishte për detyrë të spastronte armiqtë pro-sovjetikë, Liun e grupin e tij, na del edhe vetë pro-sovjetik! Revolucioni Kulturor ishte i nevojshëm të bëhej, po a ishin të qarta direktivat që e udhëhiqnin? Edhe po, edhe jo. Duket sikur direktivat lindin nga një spontanitet i çuditshëm, gjë që shkaktoi shtrembërime nga e djathta dhe nga e majta. Grupi i Lin Biaos, ishte “ultra majtist”. Për Revolucionin Kulturor është folur dhe shkruar shumë, por asnjë analizë e thellë për të nuk është bërë nga shokët kinezë. Revolucioni Kulturor i bëri mirë Kinës, apo keq?
Kinezët thonë se i bëri mirë, por si shpjegohet atëherë që Lin Biaoja dhe nëntë bashkëpunëtorët e tij, sabotuan çdo gjë? Të tilla analiza nuk janë shumë serioze. Lin Biaoja dhe C° kanë sabotuar, por gjithë ajo veprimtari armiqësore e Liu Shao Çisë ç’u bë?! Po gjithë ata të tjerët që la prapa ky grup në parti e në pushtet, nuk e vazhduan sabotazhin?! Këto nënvleftësohen. U harruan lëkundjet e mëdha të klasës punëtore, bile edhe sabotimet, edhe goditjet me njerëzit e Revolucionit Kulturor, u harrua që partia pushoi çdo veprimtari, bile u shpartallua aq keq, sa akoma nuk është organizuar. Po organizatat e masave që u likuiduan fare? Pse? Sepse “nuk ishin në rregull”. Ky çrregullim i madh nuk ka dëmtuar, nuk ka frenuar, nuk ka sabotuar? Këto gjëra duhen analizuar, por nuk analizohen vetëm duke thënë se të gjitha të këqijat i ka bërë Lin Biaoja.
Është thënë, dhe Çu En Lai përsëri vazhdon të thotë, se “ushtria ka qenë dhe është kolona”. E çuditshme!! Në krye të ushtrisë ka qenë Lin Biaoja dhe “ai nuk mundi ta përdorte ushtrinë për qëllimet e tij”, kurse mundi të sabotonte çdo gjë, kur në krye qëndronte Maoja dhe Çuja!! Kjo është e pakuptueshme, ose bëhet e kuptueshme vetëm duke menduar se Partia Komuniste e Kinës, nuk ishte në rrugë të drejtë, nuk mendonte dhe nuk vepronte në bazë të marksizëm-leninizmit dhe në bazë të normave leniniste të një partie me të vërtetë revolucionare. Në fakt, në udhëheqjen e Partisë Komuniste të Kinës, kanë drejtuar grupe të ndryshme e me tendenca të ndryshme. Maoja ishte filozof, por, siç duket, filozofinë nuk e lidhte shumë me praktikën, ishte liberal, dhe në këtë drejtim linte të tjerët të organizonin, të drejtonin, të shtrembëronin.
Ai i vinte pak rëndësi metodës kolegjiale të udhëheqjes dhe linte, si pa gjë të keq, të vepronin grupet. Dhe grupet goditnin njëri-tjetrin. Maoja nuk ishte i huaj dhe reagonte në goditjen e këtyre grupeve, por ishin grupet që vepronin nën flamurin e Maos dhe me këtë flamur përpiqeshin të eliminonin edhe vetë Maon. Kështu bëri Liu Shao Çia e C°, kështu bëri edhe Lin Biaoja e C°. Po Çu En Lai ç’bëri? Ky vazhdimisht dhe në çdo rrethanë është treguar shumë elastik, shumë pragmatist, njeri i shkuar me të gjithë, me më të fortët sa janë në fuqi dhe kundër tyre kur këta rrëzoheshin. Çdo qëndrim të tij, pro dhe kundër, Çuja e lidhte kurdoherë me idetë e Maos. Pra, në çdo kohë, të mirë ose të keqe për të, ai në fillim e në fund të çdo ngjarjeje valëviste -flamurin e Maos. Kjo tregoi se Çu En Lai, duke ndjekur si të gjithë idetë e Maos, vepronte në vijën e Liu Shao Çisë dhe e zbatonte atë në politikë, në ideologji dhe në ekonomi veçanërisht.
Kështu ngjau edhe me grupin e Lin Biaos, ai mbajti po këto qëndrime. Kur këto dy grupe thyen qafën, qafa e Çu En Lait qëndroi përsëri lart. Ai është më shumë diplomat sesa marksist, ai manovron në çdo rrethanë. Çu En Lai u duhej të gjithëve, që nga Maoja e deri te Lin Biaoja, për arsye se është një njeri i zoti, organizator i madh, ekonomist i shquar, diplomat me talent dhe, në të njëjtën kohë, një oportunist i përsosur. Në të gjitha këto drejtime ai është një nga personalitetet më të shquara të Kinës pas Maos, bile mund të them edhe më i kualifikuar se Mao Ce Duni. Këto zotësi, jo prej marksisti të vendosur, e drejta është të thuhet se i ka vënë në shërbim të Kinës, ashtu siç mendon ai, në një platformë të gjerë liberale. Karakteristike është se ky udhëheqës i lartë i Kinës tregon se, ka një zotësi të madhe organizative për çdo gjë, por këtë talent nuk e vë edhe në shërbim të partisë. Jo, partia vuan nga organizimi. Pse?
Shumë supozime mund të bëhen, por tash, në këtë shkrim të shkurtër, nuk mund të hyj e të bëj supozime, sepse edhe fakte e dokumente të mjaftueshme për këtë qëllim nuk kemi. Shokët kinezë janë shumë kurnacë në dhënie të fakteve e të dokumenteve. Sidoqoftë, do të shohim se si dhe sa Partia Komuniste e Kinës dhe udhëheqja e saj do të nxjerrin mësime nga këto pësime, sa të vlefshme do të jenë këto dhe si do të zbatohen për të forcuar situatën në parti, në shtet dhe për të mirën e socializmit në Kinë dhe në botë. Ne urojmë që çdo gjë atje të ndreqet drejt, të shkojë mirë. Mund që edhe të gabohemi në këto analiza, por nuk është marksiste-leniniste të mos i bëjmë, të mos mendohemi dhe të nxjerrim edhe ne mësime për veten tonë. Kemi qenë dhe jemi të detyruar që analizat tona t’i bëjmë mbi çka na thonë shokët kinezë, të cilat i besojmë, por me frymë kritike, marksiste-leniniste. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016