Nga Dom Zef Simoni
Pjesa e pesëmbëdhjetë
Memorie.al publikon një studim të panjohur të Dom Zef Simonit, me titull “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944 në 1990-ën”, ku kleriku katolik me origjinë nga qyteti i Shkodrës që vuajti për vite me radhë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më 25 prill 1993 u shugurua Ipeshkv nga kreu i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali i II-të , pasi ka përshkruar një histori të shkurtër të Klerit Katolik në Shqipëri, është ndalur gjatë në persekutimin që pësoi Kisha Katolike në regjimin komunist, nga viti 1944 deri në vitin 1990. Studimi i plotë i Dom Zef Simonit, duke filluar nga tentativat e qeverisë komuniste të Tiranës menjëherë pas mbarimit të Luftës për ta shkëputur Kishën Katolike nga Vatikani, fillimisht duke i ndaluar kthimin në Shqipëri Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris, pas vizitës që ai kishte bërë te Papa në Vatikan në vitin 1945 dhe më pas me presionet e kërcënimet ndaj Monsinjor Frano Gjinit, Gaspër Thaçit e Vinçens Prenushti, të cilët e kundërshtuan prerë “ofertën” e Enver Hoxhës dhe si rezultat u pushkatuan prej tij, si dhe fatin tragjik të shumë klerikëve të tjerë që arrestuan, u torturuan dhe u dënuan me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.
Xhelal Koprencka
Në grupin e Fadilit e të Vangjelit, ishte dhe Xhelal Koprencka, njeri me një horizont politik dhe, megjithëse i kishin dalë eshtnat nga vuejtjet e sëmundjet e, mbas njëzet vjetëve në burg, ruente energjinë e fjalës dhe të shpirtit, njeri me pikëpamje demokratike perëndimore. Të tre i pushkatuen e shumë të tjerë, mbasi kaluen një histori fort të randë, kjenë dënue me vjet të reja burgimi. Xhelali la nanën e motrën. U hap zani për Dom Kolecin, mue dhe Nikollë Prengën, një i mirë, i sprovuem ndër burgje, se do të arrestoheshim për arsye se na paskemi formue në bashkëpunim me grupin e mirditorëve e të malësorëve, një lloj partie demokristiane.
Arrestohet ma vonë, vetëm Nikollë Prenga. Ne na shpëtoi një kryespiun i kampeve, u kishte dalë dëshmitar, ma tepër se tetëdhjetë personave. Ministria e Brendshme, nuk e mori me ngut këtë punë. Ajo thirri “veglën” e gatshme të saj dhe e ka pyet për ne. Por ky i kishte thanë, “Këto dy priftën, as nuk më përshëndesin gati kurr në kamp. Nuk kam asgja për këta. Në qoftë se do të tham të vërtetën, unë nuk dal dëshmitar”. Ky kishte shprehë se; “Unë jam gati me dalë dëshmitar për këdo që ma lyp komanda, por meshtarëve jo”. Kishte marrëdhënie me Zotin dhe me djallin ky person, anmik i pushtetit ai vetë dhe fisi i madh i tij, të cilëve pushteti u kishte pushkatue nandë vetë, posë të burgosunve të tjerë.
Si do të zgjidhen këto punë në burg e jashtë? Punë e vështirë. Punë në Shqipni. Hyjshin gjithfarë fjalësh. Janë prishë me Kinën. Me Kinën e Madhe. Literatura hynte në kamp. Kishim njëlloj biblioteke. Kishim edhe radion. Vetëm stacionin e Tiranës, që u ndezte në orën 5 të mëngjesit. Hyni edhe televizori, që kje një ndihmë morale në kamp. Vetëm stacionin e Tiranës. U prishëm me Kinën e Madhe. U prishëm me të tanë të mdhajt. Na e komunikuem. Por unë bajsha burg, na bajshim burg, të gjithë bajshim burg, edhe për Kinën. Kush mund të thonte; na lironi tash?!
Dhimbja e madhe
Çka? Ora 8°° e mbramjes, e datës 18 dhjetuer e vjetit 1981, televizori jep lajmin e një vdekjeje. Mehmeti, Kryeministri, vrau veten. Çka? Tue qenë shok i mirë, shok lufte. Çka? Vrau veten. Mister! Vdiq. Shpejt u arrestue Kadriu e Feçori. Kadri Hazbiu e Feçor Shehu, u pushkatuen. “Paska qenë rrymë: grup antiparti. Ujq të këqij. Ujk i vjetër në parti. Ujku ndër dele të pafaje”. Me këto gënjeshtra, nuk paskan qenë të kulluet burimi, as rrjedha në Shqipëni. Në burg hyn një farë gëzimi. Tash po del diku kjo punë. Kalon pak kohë. Gati një vjet. Shihet në televizor Enveri, i plakun nga mosha, nga telashet, nga sëmundja. Shpallë me mburrje amnisti. Ai e quan të gjerë. Për këta, kështu asht. “Kanë me ardhë edhe të tjera”, flitshin.
Me e krahasue situatën me jetën e maparshme, në burg shihej një ndryshim i lehtë. Kryesisht nuk baheshin arrestime në burg. Hyjshin në burg nga jashtë, “mehmetistat”. Por brenda ka izolime, transferime. Transferime në burgun e Burrelit, mbasi të rrahshin keqas. Rrahje me të nxjerrë trutë e, me të hjedhë dekun. E torturash vdiqën dy vetë, pa gjyq. Kanë vdekë tinëz, janë avullue nga kazani i demokracisë proletare. Një tjetër që mbet gjallë nga torturat, nuk duhet gja. Ata kanë sy, veshë, hundë, gojë. Nuk kanë asnjë shej, por nuk kanë aftësi me gjenitue. Rrahjet në këtë fazë ishin të shpeshta e të randa e, të burgosunin e rrahun me skuadra brenda në dhomat speciale të komandës, e futeshin në kamp si ndonjë kufomë, për ta pa tjerët e për të na frikësue.
Gjergji vjen në Spaç, vdekja e nënës
Në këto rrethana pata një idhnim, se Gjergjin e transferuen nga reparti i Ballshit dhe e dërguen në atë të Qafës së Barit, në rrethin e Pukës. Aty Gjergji u sëmue fort me zemër dhe për gati tre muej, i ka kalue me kriza të shumta në infermierinë e burgut. Por pata gëzimin se mbas atyne vjetëve larg njeni-tjetrit, e prunë në Spaç, ku isha unë. Qe për të dy si gjysmë lirimi. Por ky gëzim qe i shkurtë, pak javë. Bashkimi qe vepër providenciale. Na do të provojshim një dhimbje të madhe. Na merrshim telegramin indirekt nga motra, indirekt, pse i kje dërgue kushurinit tonë, Bep Sheldia, që kishte ra në burg e gjindej me ne, në të cilin ishte formulue fetarisht: “Nana ndërroi jetë”.
Kishte qenë ditë e mërkure, mbas orës nandë të mbramjes, në një ditë të ambël prilli, të datës 13, kur shkoi të pushojë në Tenzonë. Ka pasë divocion të veçantë për Shejtin Jozef e, i kishte mbyllë sytë në ditën kushtue Shejtit. Të rrethuem e të mbyllun ku ishim, kjo vdekje ndrynte dhimbjen e dashuninë aq të përmallshme, që zemra e njeriut për nanën e vet. Motra nuk do të vononte me ardhë me na pa, mbrenda muejt. E veshun me të zeza, nuk derdhi lot. Ajo kishte kja shumë. Para nesh qe personë e fuqishme, edhe kur na nuk duruem ma para saj. Lotët nuk na lejshim të flasim e, një farë kujdesi u tregue edhe nga roja, tue na zgjatë disa minuta takimin, ma tepër.
Në një letër aq të bukur, aq të thjeshtë që e morëm mbas disa ditësh, dalë prej zemrës së saj, na ngushëlloheshim e na bante të harrojshim se gjindeshim në burg. Feja na bani të shkëputeshim nga realiteti tokësor e, mbas atyne të para të idhta, binte një ambëlsi, hynte në shpirtin tonë një qetësi e, mbizotnojshin kujtimet e thella, për atë që pushonte në paqe në ato ditë me voesë prilli e ditë lutjesh, për mos t’u harrue kurr lidhja shpirtnore. Letra tregonte se nana kishte vdekë nga një bronko-polmonitë. Deri ditën e fundit, ajo nuk e kishte lëshue rruzaren nga dora. Kah mbasditja, ishte randue diçka ma tepër, por ma vonë kishte ra në një gjumë të lehtë e, kështu kishte dhanë të bardhin shpirt. Në vorrim të dhimbshëm kishte qenë motra për vete e për ne, e shumë njerëz kishin shprehë ndiesitë e veta e, në nderim për dy djemtë e saj që nuk e dijshin në atë vend vuejtjesh të gjata, se kush varroset në orën 4°° të ditës së ejte të 14 prillit. Na mbetëm tre.
Pikëllimit dhe sakrificave të njëpasnjëshme, e motrës sonë, i shtohet një lloj burgu tjetër në shtëpi, jeta e vetmisë, tue mbetë ajo si një motër legjendare, e përrallave të randueme me vuejtje. Pranë motrës, në shtëpinë tonë, jetonte në një dhomë një grue e nderueme, e quejtun Marika. Zoja Marika, e shoqja e Gaqo Gogës, profesor sporti në liceun e shtetit të Shkodrës, kishte ikë para se të hyjshin komunistët dhe zoja Marikë, së bashku me vajzën e saj, Tatjanën, kishin vuejtë vjetë të randa internimi. Kësaj iu lëshue një dhomë, qysh në kohën kur ishte nana gjallë. Kjo grue me cilësi të nalta, ishte ngushëllim e mbroje për nanën e motrën, deri sa u lirova unë nga burgu.
Por motra do të luftojë e, ne nuk na mbet tjetër veç lufta, tallazet e vozitja në këte det të haptë të jetës sonë. E na ecshim e me kalimin e kohës, na shihshim edhe ngjarje të reja.
U pa një fytyrë në televizior. Televizori i Tiranës tregonte se kishte ardhë për një vizitë miqësore në atdhe, një ish-kryeministër gjerman për Landin e Bavarisë. Asht Shtrauss. Mos asht politikë e re? Erë perëndimore?! Punë me Gjermaninë Perëndimore?! “Shoku Enver, çka asht kjo punë”?! Asht shtet fort i qytetnuem. Shtrausi shkon në kishë. Me Gjermani, nuk ka lojna. Ma të parën punë, ata të kërkojnë lirinë e besimit, hapjen e kishave. E ky takim ngjante para se të vdesë Enveri. “Po ti, a nuk do të rrosh sa malet”?! Duket se disa krahasime janë të kota. “Mali nuk ka jetë. Mali nuk vdes. Mali varroset. Ata që kanë jetë, vdesin. Ti ke jetë. Po vdes. Ti vdiqe”.
Asht 11 prill 1985, dita e vdekjes sate. Zi. Qull kombëtar. Asht zi klaset. Ata që kjajnë për ty, janë të tuet. Për të tjerët, nuk po shprehemi, se nuk e tregon gja gëzimin. Ditë zije, ditë lirie. Kërkojnë telegram ngushëllimi, nga të burgosunit. Shumica nuk e nënshkruajnë. Nuk kanë luejtë mendësh me e nënshkrue, se ti ndave nga prindët, nuset, nga fëmijët. Ti prishe mbarësinë dhe bane që asgja të jetë e rendueme. Lere, çka nuk bëre ti. E djallose fare! E len veten tanësisht në histori. Brez mbas brezi ke për t’u kujtue, për të zezat tueja. Komb që u ba me histori të zezë. Por unë, sa mora vesht lajmin e vdekjes së tij, menjëherë bana një lutje të thellë. Nuk mujsha të ia thojsha askuj.
Lirimi i Gjergjit
E atëherë gjallni në kamp. Ngjallen shpresat. Edhe unë mendova se do të dalim, por përpara do të delte vëllau. Unë kisha një gëzim të madh. Ato tri detyrat që ia kisha vu vetës në jetë, ata do të ishin jetë për mue edhe në burg, qe u ba ky pjesë e randësishme e jetës seme. Sidomos ma të rinjve në kamp, u jepëshe katekizëm, gjithmonë në mënyrë individuale, tue mos dijtë njeni për tjetrin. Kishte mbetë i vetëm meshtar në kampin e Spaçit, pse edhe Dom Kolec Tonin, e transferuen për arsye se ishte i sëmurë. Bajsha shërbime fetare, njerëz që kërkojshin me u rrëfye.
Në dymbëdhjetë vjetët e burgut u mora me shkrime. Së bashku me copën ‘Virgjina’, që e punova në hetuesi, bana gjithsejt tridhjetë, tue formue me këta tre libra, që do të ishin ‘Zgjimi’, përmban dymbëdhjetë copa, ‘Atdheu ynë’, me gjashtë copa, me përmbajtje kombëtare dhe ‘Dritat në errësinë’ (Persekutimi i Kishës në Shqipëni), me dymbëdhjetë copa, në të cilat gjinden dhe disa tregime. Këto shkrime i kam ba pa përdorë as lapës, as letër, nga frika që të mos më zbulonte policia dhe të mos me denoncojshin spijujt, që rrijshin gati për të kontrollue çdo lëvizje. Edhe e vërtetë, kjo më ngjau. Në sa isha në kohën e pushimit, tue qitë në letër një pjesë jokomprometuese të copës ‘Shkolla’, të cilën e ruejta në portofol, për ta lexue në qetesi, kur po ngjitesha për të marrë bukën e drekës, në rresht te sporteli, roja e mbrendshme më lajmoi, të shkojsha nalt në komandë.
Porsa u ngjita, roja më pyetë se a kisha gja të ndalueme, e më shtini duert në xhepa e nxori portofolin, e më tha: “Këtë letër kërkoj”. Letrën e muer e çoi në komandë. Tue qenë se nuk kishte asgja që u binte ndesh, se ndryshej do të më kishin arrestue aty për aty, roja e mbrendshme, ma kthej mbas dy ditësh. Punojsha me mend katër-pesë rreshta në ditë, të cilët i mësojsha përmendsh e ashtu kam vazhdue e i përsëritsha çdo ditë me radhë, copat, të cilat m’u ngulitën në krye. I nxora të gjitha të kompjuterizueme në trunin tim. Shkrimet më lodhën shumë, por edhe më gëzuen shumë, se mendojsha që këto vjetë të gjata të burgut, dymbëdhjetë, ditë më ditë, nuk më ka kalue pa ba asgja.
Këto punime kanë qenë për mue një ndihmë, për të më kalue vjetët edhe si një lutje, pse më rrinte mendja e zemra, te subjektet e nalta të religjionit dhe të idealeve shoqnore. Ditët e mia kalojshin të kombinueme: me vuejtje dhe me ndihma, me përpjekje dhe rezistencë, me lufta dhe me fitore. Providenca punonte në mue. Gjatë krejt jetës sime të burgut, me kishte dhanë Zoti një forcë të madhe morale. Mes ditëve e netëve të trishtueshme, të frikshme, asnjëherë nuk provojsha e nuk bijsha në ndjesitë e dhimbjes e, të një jete me kujtime, që ma rendojnë shpirtin.
Në Zejmen e Sarandë
Një ditë më transferuen edhe mue. Shokëve u erdhi keq. Ishin, kishin dëshirë të kishin një meshtar. Më çuen në kampin e Zejmenit të Lezhës. Udhëtimi zgjati ma se dy orë, me një autoburg të mbyllun krejtësisht, vetëm me një grata të vogël me disa bira, në atë nxehtë të 30 korrikut të vjetit 1986. Ishim brenda njëzetë e shtatë vetë, veç meje, gati të gjithë të shtrimë për vdekje, tue nxjerrë çka kishin e çka nuk kishin në stomak, të gjithë të sëmurë e, në pamundësi komunikimi me policin që ishte në makinë, përpara. Një urë e vërtetë. Por kur arrijtëm, u gëzova, se u takova me meshtarë që ishin shumë. Por në këtë kamp të sheshtë fushë, e Shënkollit bregut të Matës, ishte krejt ndryshej, me atë malor e të egër të Spaçit.
Nuk do të rrijshim ma tepër se tetë muej e gjysë. Na do të transferoheshim në atë ditë të prende. Ishte e Prendja e Madhe. Na zgjuen në ora 4 mbas mesnate me shpejtësi e me furi, për të ba përgatitjen e dengave që do të niseshin para nesh, atje ku thohej, në Sarandë. Pastaj u ba apeli për ne, kontrolli, sistemimi nëpër makina, simbas listave. Gjithsej nandë makina të mëdha. Kishin futë ndër ata polici të re, të ardhun nga ministria. Ishin sambista. Sambista që mbajshin kërbaçin e zi në dorë. Një njësh-kolonë fort e gjatë, veç makinave tona, edhe pesëmbëdhjetë të tjera me ushtarakë e zyrtarë të lartë, të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Kampi i Shën Vasilit
Një njësh-kolonë që vraponte me një shpejtësi për në fshatin Shën Vasil, që i kishin vu emnin “Përparim”, afër Sarandës.
Dita ishte vërtetë e bukur, në atë prill me diell. Por na ishim të lidhun me hekura në duer, dy nga dy, njeni me tjetrin, gati dhjetë orësh, të lodhun në raskapitje. Në këtë udhëtim të vështirë, kisha çka me kujtue në kujtim të vdekjes së Krishtit.
Ishte e para here, që shihsha rrugës kah fundi i makinës, njerëz, qytetarë e fshatarë, ndër ara. Megjithëse mue nuk më kishin mbetë për të dalë nga burgu edhe katërmbedhjetë muej, në këtë kamp, mërzitjen e pata ma të madhe e, më ishte bashkue me një dhimbje. Vërtetë për mue aviteshin ditët e lirimit, por në anën tjetër, mendojsha se po lejshim njerëzit ndër vuejtjet e veta. Shumë ishin pleq, të sëmurë kishte edhe ndonjë të paralizuem krejt, që nuk mujte me shti asgja në gojë, me duert e veta.
Ishte edhe një i verbët dy sysh, të cilit për hiç gja një roje e pashpirtë, e goditi në fytyrë me një shplakë. Unë isha mësue në kampin e gjallë të Spaçit, por këtu kisha ligështi e lodhje të brendshme. Para se unë të biejsha në burg, me gjithë kushtet e vështira, baheshin shërbime fetare të fshehta. Tash Monsinjor Ernest Çoba kishte vdekë, në spitalin e burgut të Tiranës. Dom Injac Gjoka, nuk ishte ma. Disa meshtarë ishin të moshuem e, nuk ishin të zotët për shërbime. Mendojsha se i kishte humbë fija jetës fetare. Vjetët, thojsha, kishin ba punën e vet. Edhe unë po dal. Mendojsha se gjithçka kishte devijue, ishte ftohë, një rini që nuk kishte interesa për fe, një rini që nuk di. Më dukej jeta si një kandil që po fikej e, unë e secili, do të përpiqemi ta mbajmë disi të ndezun.
Dalje nga telat
Ishte ditë e ejte e 14 korrikut të vjetit 1988, kur po largohesha prej burgut zyrtar, për të hy në burgun e madh, të njëzetë e tetë mijë kilometrave katrorë, të Shqipërisë socialiste. Po lejsha sa njerëz brenda atyne telave. Shumë njerëz erdhën e u falën si zakonisht, edhe me mue. Më dhanë dorën e u përqafuem. Këta të thonë udha e mbarë e, tregohen ma të guximshëm se ti, ma të fortë, ndërsa ti ruan një matuni, një gjendje të dhimbshme, për ata që i len mbrendë. Në praninë e tyne, ke një gëzim të ndrojtun. Kishte njerëz që kur liroheshin, nuk visheshin me rrobe të mira, por të pastër delshin, në ato që kishin pasë në burg. Edhe unë dola ashtu. U vesha, kur dola, mbas një kaçube, me rrobe të reja, gjithçka të re, që m’i kishte sjellë me veti vëllau.
Kur roja me përcolli, mbasi më kontrolloi ky dhe oficeri i rojës, që në këtë ditë ishte mjeku i komandës, e më dha fletën e lirimit, unë nuk dija, të thuesh, të ecëshe. Një moment lirie që ikë shpejt asht abstrakt e konkret dhe ke konkretësinë e qenies sate, momentin e unit tand. Liri nuk do të kishte, se nuk ka. Ishte ma tepër diçka subjektive, personale, e rastit e ndien një ndryshim se kalove nga një terr në një forcë drite. Me një veturë, u nisëm tue kalue përpara në sheshin e fshatit Shën Vasijë e, morëm drejtimin nëpër rrugë gjithkund të asfaltueme, tue ba një kthesë për një pushim të shkurtë, një vizitë në këtë verë plot freski deti, kah qyteti i bukur shkallë-shkallë i Sarandës, të cilin e shihsha për të parën herë.
Kisha përshtypjen, ashtu kalimthi, se njerëzit lëvizshin kot nëpër rruga e, futeshin nëpër dyqane si na, për të pa çka kishte në kinkaleritë, në enët e kuzhinës, në dyqanet e rrobeve e të ushqimit. Shihsha edhe shumë njerëz, që niseshin nga uji i kaltër e i kulluet i detit Jon, në këtë stinë plazhi. Natyra ishte fort e bukur e, ishte edhe ma e bukur për mue, që isha mësue të shihsha për disa vjet një vend me pak qiell, do shkrepa të zhveshun malorë rreth kampit, të rrethuem me tela e roje ushtarake. Unë tash, nuk kisha kohë të mendojsha për jetën, për probleme. Unë kisha festë. Vëllai e motra, kishin festë. Unë kisha një vështirisi, se mendojsha që kur të arrijsha në shtëpi, nuk do të gjejsha nanën. Këtë e kisha të randë.
Tue dalë prej atij vendi, atyne telave, çdo pëllamb tokë, çdo kaçubë, fushë, shtëpi më dukej e re. Shtëpiat e ulta më dukeshin si pallate, e këta sikur formojshin një qytet të madh. Makina që ecte me shpejtësi, mbasi dolëm prej Sarandë, më jepte një kënaqësi kah shihsha fushat fort të bukura të Dropullit, që dukeshin se lëvizshin e i ikshin si qylyma të mëdhaj ngjyrë blertë, të verdhë, ngjyrë kafeje e fluturojshin shiritat e kanaleve, në atë sfond natyruer që i rrin larg krenisë e zhurmës. Na ecëshim tue nisë nga jugu i atdheut, përshkojshim Toskninë e bukur, brijë Gjirokastrës, kështjellë ku leu e u rritë i panafaku, shihshim kalanë e Ali Pashë Tepelenës, Ballshin ku kishte kalue vjete burgu Gjergji, që ishte tash në makinë, kah Fieri e Lushnja.
Gjatë rrugës u ndalëm për të hangër drekën, te “Uji i Ftohtë”, një vend tërheqës në Tepelenë. Vend turistik. Restorant me vetëshërbim. Nuk kishte pije. Një pshtjellim në furnizim. Lëvizje të rijsh, të rejash, fëmijësh me pjata. Mish me koca e turli, me salcë. Por nuk vejsha oroe. Nuk kisha punë me kritika. Nuk kritikohet ky sistem. Me kritikue, do të thote me vu në dukje disa të mbeta. Këtu asht gjithçka keq. Asht e keqja në rrajë. Asht fara e keqe. Shihshe me sy, por atë çka shihsha, bluejsha në mendje. Tue ecë dita e ra dielli, gjithkund panorama, sheshe, kodra ku ka pasë mund e gjak, nën qiellin e kaltër të bregdetit dhe të tokës sonë të terrorizueme. Vende të bukura, male të hjedhta, që i ka ba sa shkrimtarë me përshkrue bukurinë e tufës, gëzimin që sjell bagëtia në jetë paqeje. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm