Nga Elisabeta Ilnica
Memorie.al / Të bëje këngë si “Lemza” apo “Kafe ‘Flora’”, gjatë viteve të diktaturës komuniste të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, edhe atëherë kur dukej sikur frynin erëra liberalizmi, ishte si ta kërkoje belanë me çdo kusht. I tillë ishte kompozitori Agim Krajka. Në platformat e festivaleve, caktoheshin dy këngë për partinë, një për klasën punëtore, një për fshatarësinë… dhe një këngë e mirë e muzikës së lehtë. Kjo e fundit, i caktohej Krajkës, por me të ishte e pamundur të fitoje çmim të parë. Gjatë karrierës së tij, fitoi plot 18 çmime të dyta e, kur fitoi të parin, në vitin 1987, nuk e besonte dot. Kërkonte të pinte ndonjë gjë të fortë, që të shkundej…!
Kohëra të vështira, krijuesit duhej të punonin në kushte të një censure e auto-censure të jashtëzakonshme, askush nuk i kishte besim askujt, artistët shiheshin vëngër…! Për të gjitha këto, si edhe për bashkëpunimet me këngëtare, si motrat Libohova apo Lindita Theodhori, (e cila është vënë në qendër të një debati të hapur nga kantautori Gjergj Leka), Agim Krajka tregon në një intervistë, që po publikojmë në këtë shkrim.
Veç karrierës, ai tregon edhe për njohjen me bashkëshorten dhe marrëdhënien me të gjyshen, së cilës i dedikoi kompozimin e tij të parë, këngën e famshme, kënduar nga Vaçe Zela.
Zoti Krajka, si do ta vlerësonit këngëtaren Lindita Theodhori?
Në vokal ka qenë shumë mirë, por duhej të dije t’ia evidentoje, vokalin Linditës.
Kur Lindita ka kënduar për herë të parë në festival, në moshën 17-vjeçare, ka dalë pikërisht me këngën tuaj “Kafe ‘Flora’, burra plot”. Ia përshtatët këngën vokalit të saj, apo ashtu rastisi?
Këngën “Kafe ‘Flora’, burra plot” e përshtata për Linditën. E studiova vokalin e saj dhe ajo e këndoi jashtëzakonisht bukur. Mori çmimin e dytë dhe të nesërmen e hoqën. Ma hoqën, por e donte populli. Se unë i bëja këngët që i pëlqente shumë rinia dhe këtë karakteristikë e fitova, që kur realizova këngën “Lemza”, që Vaçe Zela e ngriti lart.
Kënga “Kafe ‘Flora’, burra plot” mori jashtë mase duartrokitje dhe madje po flitej për çmimin e parë. Mezi dhanë çmim të dytë dhe pasi e anuluan edhe atë, desh e hëngra dhe unë.
Se ka qenë Festivali i 11-të në Radio-Televizionin Shqiptar, atëherë kur u bë gjëma për shumë artistë. Arrestuan plot këngëtarë, muzikantët e drejtuesit, u hoqën nga puna, etj. Fatmirësisht, shpëtova, edhe pse jo pa pasoja.
Si arritët të shpëtonit?
Disa ditë pas festivalit, më vjen një djalë i ri aty në Opera dhe më thotë: “Ju jeni Agim Krajka”? “Po”, i them. “Në orën 12:00, ju pret kryetari i Degës. Ju presim në Degën e Punëve të Brendshme”, ma ktheu.
Jo vetëm u frikësova, por u emocionova dhe thashë: “Një dreq e di, se çdo të bëhet me mua tani”. Mendova të pija një gotë fërnet që të merrja kurajë. Shkova në orën 12 pa 10, te kryetari i Degës Brendshme.
Nuk dua t’ia zë emrin në gojë. Edhe nënkryetari ishte aty. Sa hyra brenda, ai me një të bërtitur të tmerrshme, më tha: “Ku je, more ti, që dhunon rininë! Ç’është kjo këngë more, ‘Kafe Flora, burra plot?! Çfarë janë, more, këto këngë”?! “Jo, more shoku kryetar.
Ajo është kënga e Pogonishtes”, i thashë unë dhe ia nisa melodisë me gojë: “Na, na, na, ni, na ‘Kafe Flora, burra plot’, paru pau etj.”. “Ç’Pogonishte, more. E dëgjove? Ç’është ajo parupau”, i tha atij nënkryetarit, që rrinte aty dhe s’bënte zë.
“Ishte një kohë bosh dhe shfrytëzuam melosin”, u thashë. Më tha: “Dëgjo këtu. I sheh këto, dhe më tregoi hekurat e duarve. Do t’i kisha vënë hekurat në vend, por po t’i vë ty, më parë do t’ua vë kalamajve të mi, që e këndojnë gjithë ditën këtë këngë dhe kalamajve të rrugës sime.
Por ik, ik, se të kemi djalin tonë, të kemi dhënë edhe shkollën”. S’bëra zë fare unë, por shpëtova. Por për dhjetë vjet, isha në një izolim total dhe më jepnin vetëm çmime të dyta, deri në vitin 1987, kur fitova çmimin e parë.
Po me Lindita Theodhorin që e këndoi “Kafe Flora, burra plot”, çfarë ndodhi, a u ndëshkua si ju?
Lindita nuk e pagoi, siç e pagova unë. Sepse tek unë, mezi e prisnin, pasi gjoja kisha degjeneruar muzikën, që me këngën “Lemza” e “Djaloshi dhe shiu”. Ndërsa Linditës, iu vesh roli i viktimës, që mori këngën time, kështu që nuk pati pasoja.
Siç e thatë dhe ju më lart, vazhdimisht ju janë dhënë çmime të dytë, 18 të tilla, duke përjashtuar vitin 1987, kur, më në fund, morët çmimin e parë…?!
Eh, ishte çështja e një platforme të orientuar. Simon Gjoni, ishte shef i muzikës në radio. Ai ishte një muzikant i shkëlqyer, por vdiq në moshë të re. Më thoshte: “Hajde, Gimo, se po bëhet platforma e festivalit”.
Sigurisht kishte një platformë të orientuar, që duam, për shembull, “dy këngë për klasën punëtore”, një për fshatarësinë, një për partinë, etj.” dhe “një këngë të mirë të muzikës së lehtë”. Dhe Simon Gjoni, për këtë të fundit, që ishte në krah të kësaj platforme, thoshte: “Këtë ta bëjë Agim Krajka”.
Pra, kishte edhe një orientim, se ishin të pëlqyer këto këngë që bëja unë. Këngët e gjeneratës sonë, mezi i prisnin të rinjtë, sepse kishte gjuhën e vet të muzikës, rinia e asaj kohe. Nuk ishte një rini e mbyllur.
Ishte një rini që dëgjonte Çelentanon dhe nuk ishte e lehtë, t’i jepte pikë këngës sonë. Megjithatë, publiku ma jepte çmimin. Kënga “Lemza”, “Djaloshi dhe shiu”, “Kafe ‘Flora’, burra plot”, etj., merrnin duartrokitje të shumta nga salla.
Më jepnin çmim të dytë, por edhe atë ma hiqnin të nesërmen nga transmetimi, siç ka ndodhur me këto këngë, që përmenda më sipër. Pastaj i jepnin prapë, muaj më pas, se donin apo nuk donin pushtetarët, ato këngë i donte populli dhe i këndonte në punë e shtëpi, kudo.
Unë kam marrë 18 çmime të dyta, që për mua kanë qenë çmime të para. Për mua, duke parë sa i donte populli, nuk ka rëndësi për të tjerët.
A ka pasur çmime të pamerituara nëpër festivale?
Unë mendoj se nuk ka pasur.
Po ju sapo treguat edhe për veten, që nuk ju jepnin çmimet e para, por vetëm të dytat, madje edhe ato jua hiqnin…?!
Po, pra, çmimet m’i jepnin dhe pastaj m’i hiqnin. Ata/ato që kanë fituar festivalet asokohe, unë mendoj se i kanë merituar çmimet. Për juritë, unë kam marrë vetëm një çmim të parë, në vitin 1987, me këngën “Nuk e harroj”, të kënduar nga motrat Irma dhe Eranda Libohova, ndërsa për popullin, që m’i mbante në buzë refrenet, besoj kam marrë plot çmime të para.
Po Irma Libohova, çfarë këngëtareje ka qenë?
Kam punuar shumë me Irmën. Nuk është thjesht merita nëse ke vokal. Çështja është, se si një këngëtar apo këngëtare, di ta përdorë këtë vokal dhe Irma ishte e zonja për këtë. E kam mbajtur afër për shumë vite, duke bërë këngë që i përshtateshin asaj.
Irma nga viti në vit, kishte progres, punonte shumë. Pastaj një ditë më solli edhe motrën e saj, Erandën, dhe nisa të shkruaj për të dyja. Në fund të viteve ’80-të, ranë edhe më shumë në sy, por kini parasysh se, nuk kishte më as Vaçe, e as Parashqevi…!
Pa Vaçen dhe pa Parashqevinë, ishin më të lehta rrugët për të marrë një çmim?
Ata të jurisë u mësuan edhe me mua. Nga vitet ’60-’70-të, nuk ishin më ato “frikërat”; se po degjeneroja rininë, apo se ishte muzika më ritmike, sesa duhej, etj. Unë ndërkohë mbarova Konservatorin për kompozim, me gjigantin e muzikës, Çesk Zadeja. Filluan të tërhiqen pak si partiakë. Ndërsa xhelozë pastaj, ishin muzikantët që kishin poste. Më shihnin me një lloj cinizmi dhe shfrytëzonin postet, për të më goditur.
Si kanë qenë marrëdhëniet mes kompozitorëve, kishte më tepër solidaritet apo rivalitet?
Në atë kohë, secili mundohej të zhvillonte stilin e vet. Rivalitet kishte, por ishte një rivalitet i heshtur, të tipit: “Pse ai, ta bëjë këngën më të mirë sesa unë, fajin e kam vetë”?!
Dhe këto lloj mendimesh, i shtynin kompozitorët që të krijonin këngë, edhe më të bukura. Pra, ishte një rivalitet me shpirt gare. Kur kam marrë çmimin e parë, e kanë ditur që do të më jepej.
Dhe shiko se çfarë më bënë. Më nis drejtori i Operës, për në Rrëshen. Më thotë: “Ka mbetur Ansambli atje dhe duhet të shkosh e t’i ndihmosh ti, se është sëmurë ai fizarmonicisti”. U nisa unë herët, për në Rrëshen, me makina ça gjeta, “Zis”-a e kamionë.
Atë natë do të jepeshin çmimet, por nuk kisha ç’bëja. Nejse, mezi mbërrij në Rrëshen dhe nis e pyes për Ansamblin. Më thonë të çuditur: “Jo, ore, çfarë Ansambli thua ti. Nuk ka ardhur asnjë Ansambël”.
Ishte pasdite ndërkohë dhe hajde të ktheheshe në Tiranë, ki parasysh si ishin mjetet e udhëtimit asokohe. Hipi një copë rruge mbi një traktor, pastaj mbi një kamion e mezi u ktheva në darkë në shtëpi. Kur hyj brenda ishte pikërisht moment kur po jepeshin ndarjet e çmimeve të festivalit.
Unë si gjithnjë, isha mësuar të prisja të dytin, por hajt edhe të tretin, se të parin asnjëherë. Në atë festival, pra në 1987, do të jepeshin 3 çmime të treta, 3 të dyta dhe 1 i parë. Ikën tre çmimet e para, nuk ishte emri im. E mendova të sigurt se do të isha te çmimet e dyta.
Kur u dhanë edhe çmimet e dyta dhe nuk figuroja kurrkund, u mërzita se thashë që më kishin lënë pa asgjë fare. Kur më në fund spikerja njofton: Për herë të parë i jepet çmimi kompozitorit Agim Krajka, me këngën “Nuk e harroj”, kënduar nga motrat Libohova etj.
Nuk di të të them çfarë lumturie kam përjetuar. Kisha mbi tavolinë një vazo kristali, që e kisha blerë njëherë në Stamboll, e mora dhe e theva. Doja të festoja, duke pirë ndonjë gjë, por s’kisha asgjë. Atëherë mora alkool dhe e hollova me ujë, dhe nisëm të pinim atë.
Pastaj, nga ora 12 e natës, më ra zilja dhe një klasë mature nga gjimnazi, më erdhën në shtëpi, mbushur duart me pije. Festuam deri në mëngjes, duke pirë e duke dëgjuar muzikë, në magnetofon. Ka qenë nata e jetës sime.
Pse nëpër festival, kanë fituar më së shumti femrat çmimet e para?
Kompozitorët ishin të gjithë meshkuj. Dhe sa të rrinim të provonim ndonjë mashkull, nëse ka zë apo nuk ka zë, më mirë provonim femrat. Është njerëzore të pranohet kjo dhe ka ndikuar goxha, përzgjedhja e kompozitorëve ndaj këngëtareve femra. Sepse duke pasur ambicie për të fituar ndonjë çmim, femra kishte më shumë shanse.
Sepse, përveç zërit, dihet që femrat kanë pamjen dhuratë Zoti dhe shumë “aksesorë” të tjerë, ishin më të çlirëta në skenë, më të buzëqeshura. Pra, nëse kishin vokal dhe këto elementët e tjerë që përmenda, femra kishte më përparësi, për të fituar se sa meshkujt.
Po kompozitorë, pse kishte vetëm meshkuj?
Shkolla e kompozicionit u hap vonë. Gjithsesi, nuk ishte degë praktike për femrat, se kompozitorët shkonin luanin ndonjë muzikë bodrumeve, merrnin këngëtarët në shtëpi, për të bërë këngët, etj. Pra ishte më së shumti një profesion mashkullor, me të gjitha risqet e tij.
Sa ka depërtuar Sigurimi i Shtetit tek artistët?
Sigurimi i Shtetit i ka pasur artistët, njësoj sikur diversantët. Survejoheshin të gjithë. Sepse artisti, ishte i vetmi mjet infektues në popull.
A ka pasur artistë të rekrutuar nga Sigurimi?
Atë e dinë artistët vetë. Gjithsesi mateshim kur flitnim edhe me njëri-tjetrin, përjashtuar shokë konfidencialë, që njiheshim prej vitesh dhe shpërthenim ndonjëherë.
Ju keni dalë jashtë shtetit disa herë gjatë regjimit komunist. Nuk u joshët që të qëndroni andej?
Kam parë 5 kontinente asokohe, por asnjëherë nuk më shkoi mendja të qëndroj. E doja shumë familjen time dhe nuk doja ta merrja më qafë. Madje, njëherë në ëndërr pashë, sikur kishte ikur Ansambli dhe më kishin lënë mua. U zgjova i llahtarisur dhe Panajot Kanaçi u tremb dhe më pyeti se çfarë kisha. I tregova. Qeshi dhe më tha: “Ja ku jemi të dy, fli rehat”. Pra, as në ëndërr nuk më shkonte mendja.
Po në 1989, pse ndenjët?
Sepse ishte tjetër gjë, kishte nisur liberalizimi. Pastaj mora edhe familjen me vete. Jetuam 17 vjet në Amerikë, para se të ktheheshim përfundimisht në Shqipëri.
Si ka qenë njohja bashkëshorten tuaj Semiramis, ose Ami, siç i thërrisni?
Ishte e vogël ajo, ishte 16 vjeç. Ndiqte Liceun Artistik. Një ditë unë po dilja nga Radio-Tirana, kjo nga Liceu, me disa shoqe dhe qeshte. E pashë dhe thashë me vete: “Dreq o punë, sa e mirë qenka kjo”. Kur Ami u fut në Radio. Nisa të interesohem.
Ami i binte violës aty. Nejse, te Radioja ne ishim të detyruar që gjithnjë të linim pasaportat aty. Një ditë, pasi mbaroj punë dhe e pres Amin aty te sporteli, na thotë ajo gruaja te sporteli: Gimi, nuk e ke pasaportën. As Ami nuk e kishte dhe po kërkonte të vetën.
Nisa ta ngacmoja Amin: “Mos na kanë bërë ndonjë punë moj, na i kanë pasaportat në gjendje civile dhe na bëjnë celebrim”. Ajo u hutua keqas dhe iku me nxitim, duke e lënë punën e pasaportës. Pastaj nisa ta kërkoja.
Ishte nata e 1 Majit dhe sheshi mbushej atëherë. Dola të shihja se mos e gjeja. Ia kisha futur një dopio fërnet. E gjeta mes shoqeve dhe e kapa direkt për dore: “Eja se kam një fjalë me ty”. Ajo tha; “Uaaa”, uaaaa”, ndërsa shoqet duke qeshur, i thoshin; “Ik, moj ik”.
E futa te Shtëpia Qendrore e Ushtrisë dhe Ami e ndrojtur dhe akoma pa e marrë veten, pyeste: “Uaaaa, ç’ishte kjo që bëre”. “E di se unë të pëlqej shumë”, i thashë. Ajo se ça u përpoq të thoshte akoma, por unë e kapa dhe e putha me zor. Iku me vrap te shtëpia dhe i thotë të ëmës: “Do të fejohem me Agim Krajkën, se ai më ka puthur”.
Nëna e saj e qetësoi dhe pastaj erdhi fejesa e martesa, por jo vetëm pse e putha, por sepse e desha dhe më deshi. Jemi bekuar për jetë dhe kemi dy djem, që edhe ata janë të fejuar të dy. Kanë mbaruar piano dhe po bëjnë muzikën dhe famën e tyre jashtë Shqipërisë. Memorie.al