Nga Vasil Qesari
Memorie.al/ Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e zhgënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit? Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?! Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi. Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes! Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!
E DËNUAR ME VDEKJE!
Reona Peterson, një vajzë nga Zelanda e Re, adhuruese e flaktë e Biblës dhe e Jezuit, u njoh për herë të parë me emrin e Shqipërisë gjatë një Konference Evangjelistësh në Zvicër, në vitin 1970.
“…Unë u tmerrova kur mësova se, në atë vend regjimi komunist kish shkatërruar gjithë objektet e kultit dhe, njerëzve u ndalohej me dhunë çdo lloj veprimtarie fetare” – tregon ajo, në librin e saj “Edhe po të duhej të vdisja”, botuar ne Lozanë me 1976 – Pas kësaj, nisa t’i lutem Zotit çdo ditë për atë vend krejt të panjohur, dhe vendosa që të shkoj aty për të çuar mesazhin e Fjalës së Tij”.
Natyrisht, një ide e tillë ishte çmenduri, po të kihej parasysh pamundësia absolute për të hyrë në Shqipëri e më keq akoma, për të kryer një mision të tillë tepër të rrezikshëm. Por, Reona Peterson, ishte e vendosur. Ajo qe e gatshme të bënte çdo lloj sakrifice për realizimin e misionit të saj.
Në verën e vitit 1973, me ndërhyrjen e një të afërmi, anëtar i një grupi maoist nga Suedia, ajo dhe shoqja e saj e ngushtë, Evey Muggleton, arritën t’i bashkohen një grupi të rinjsh marksistë-leniniste francezë, të cilët, në bashkëpunim me Albturizm-in do të bënin një udhëtim dy javor në Shqipëri.
Të dy shoqet, fshehën në një çantë me fund të dyfishtë, 50 bibla të botuara në format të vogël, në gjuhën shqipe. Për fat, gjatë hyrjes në kufi, mundën t’u shpëtojnë kontrolleve në doganën shqiptare duke kaluar mrekullisht thesarin e tyre të çmuar.
Qysh në ditët e para të qëndrimit në Tiranë, kudo që shkuan, në stolat e parkut përballë Hotel “Dajti”-t, në shkallët e Pallatit të Kulturës, në parmakët e xhamisë së Et’hem Beut, ato “harronin” pa dashje, nga një ekzemplar të Biblës. Çdo gjë dukej se po shkonte për mrekulli, gjer atë ditë kur, mbas një nate të kaluar në Hotel “Adriatik” të Durrësit, ndodhi e papritura.
Reona Peterson, tregon: “Atë natë nuk mbylla dot sy nga ca dhembje të forta në stomak. Në mëngjes u binda se nuk isha në gjendje të shkoja në ekskursionin dy ditor që ish organizuar për të vizituar Beratin e Sarandën. Megjithatë, mendova të prisja dhe pak, me shpresën se ndofta përmirësohesha. Por, për fat të keq, spazmat më filluan përsëri. Atëherë, shoqja ime Evey, shkoi tek përgjegjësja e grupit e i tha se, do të ish më mirë që, unë të qëndroja në hotel.
Në orën tetë grupi u nis, ndërsa unë u përpoqa të flija pakëz, për të plotësuar kështu kohën e humbur të gjumit. Aty, rreth mesditës, dëgjova një trokitje në portë. Ashtu, e përgjumur siç isha, me gjysmë zëri u përgjigja: Hyrë…! Në dhomë u fut një burrë, i cili me një frëngjishte të keqe, më tha se duhej të ngrihesha nga shtrati e të vija me të. Të shkoja me të…?!
I thashë se isha sëmurë e s’mundja. Ai, përsëriti prerë se më priste jashtë, deri sa të vishesha e ta ndiqja pas. Nuk kundërshtova. Vesha fustanin, këpucët e dola. Duke ecur përgjatë korridorit, u përpoqa të merrja me mend se ç’mund të kish ndodhur, por qe e pa pamundur. Burri u ndal para portës 201 e, më tha të futesha brenda.
Dhoma qe e errët, me perde të mbyllura, mbushur plot tym duhani. Brenda saj ndodheshin pesë vetë. Dikush më zgjati një karrige e më ftoi të ulesha. Siç mësova më pas, një prej tyre qe përkthyes, tjetri përfaqësues i Albturizmit e tre të tjerët, të ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë. Hetimi filloi me pyetjet e njohura: emri, mbiemri, kombësia, profesioni…!
Pastaj, një burrë thinjosh, i cili me sa dukej qe shefi i grupit, nxori nga çanta e vendosi mbi tavolinë një ekzemplar të Biblës. Përkthyesi, më pyeti, në se e njihja atë libër. I thashë se një të tillë e kisha parë por nuk qe i imi. Atëherë, shefi, qetësisht, m’u përgjigj: “Zonjushë! Është e kotë ta mohoni. Ky është libri juaj”!
Kundërshtova kategorikisht. Atëherë, ai nuk e përmbajti dot veten e bërtiti: “Ne, nuk do të lejojmë të luani teatër me ne! Sepse kemi prova që ky libër është i juaji…”! Më pas, duke parë se unë vetëm heshtja, ai ndryshoi taktikë. Më sugjeroi se, në qoftë se do të tregohesha e sinqertë, s’do kisha asnjë pasojë e do të më linin të lirë.
Gjatë hetimeve, ata ishin të interesuar të dinin sidomos, se nga vinin këto lloj librash, ku botoheshin e si kishin hyrë në Shqipëri. Me ato pyetje të tërthorta, ata mendonin se do bija në kurth. Por, unë bëja gjithmonë të paditurën e u shmangesha pyetjeve provokuese.
Atëherë, shefi nuk duroi por, i nevrikosur, i ra me grusht tavolinës, duke bërtitur përsëri: “Mashtruese! Gënjeshtare! Nuk flisni, hë?! Atëherë, këtu do t’i u mbajmë! Mos t’i u shkojë mendja, se do të dilni nga kjo dhomë, pa treguar…”!
Orët kalonin e mezi mbahesha në këmbë. Dy prej hetuesve dolën. Ndofta për të ngrenë diçka. Pasi ata u kthyen, dolën tre të tjerët. Hetimi rifilloi. Pse kisha ardhur në Shqipëri? Kush më kish dërguar me mision? A e dija se Bibla aty ishte e ndaluar? Se Shqipëria qe vendi i vetëm ateist në botë…?!
Dikush trokiti në portë. Në dhomë hyri një fotograf ngarkuar me ca aparate e blica jashtë mode. Duke iu bindur urdhrave, ai më fotografoi ulur, duke ecur, përballë e në profil. Pas ikjes së fotografit, dera u hap përsëri e dikush futi brenda dy burra të veshur keq, të ndrojtur e të frikësuar.
Pasi shkëmbeu ca fjalë me ta, shefi i pyeti duke treguar diçka në drejtimin tim. Ata pohuan duke aprovuar me kokë. Atëherë, ai më pyeti, në se i njihja ata persona. Kur iu përgjigja në mënyrë mohuese, ai shpërtheu përsëri: “E pa cipë! Këta janë dëshmitarët e krimit tuaj ! Ju do të dënoheni, pikërisht, mbi bazën e deponimeve të tyre…”!
Ndërkohë, kish renë mbrëmja e të gjithë po jepnin shenja lodhjeje. Një nga hetuesit porositi të më sillnin një gotë ujë. Shefi u afrua përsëri pranë meje dhe pyeti në se i kisha prindërit gjallë. Ju përgjigja se po.
Atëherë, ai bërtiti përsëri: “Mirë, pra! Dijeni! Ju, s’keni për t’i parë kurrë më, ata…! Sepse, ju jeni armike e Republikës Popullore të Shqipërisë. E, tek ne, njerëz si ju, pushkatohen ! Nesër, në orën nëntë, do vijmë përsëri…”!
Kuptova që e kish me gjithë mend, por nuk e shfaqa tronditjen. Shefi vazhdoi përsëri: “E more vesh, ç’të thashë…”?!. Mblodha veten e iu përgjigja: Po, zotëri! Ju thatë se, nesër, do të vini për të më pushkatuar…! Heshtje. Askush nuk foli. Qe ora një e mëngjesit. Kisha kaluar plot 13 orë pa venë gjë në gojë. Aty, në një dhomë të vogël me ajër mbytës, e terrorizuar nga pesë burra të panjohur.
Më pas, më çuan në dhomën time e aty, para syve të mi, kontrolluan çdo gjë me imtësi. Hoqën çarçafët e krevatit, këllëfët e jastëkëve, sirtarët e komodinës, shqyen astarin e çantës dhe nxorën që andej gjithë biblat që gjetën brenda.
Mbasi mbaruan punë, para se të dilnin nga dhoma, shefi me tha: “Ne, e dimë që ju jeni agjente e Vatikanit, por këtë dëshirojmë ta dëgjojmë nga vetë goja jote…! Pra, mendohu mirë. Nesër do të vijmë përsëri. Nuk hapa gojë…”! Përse më akuzonin si agjente? Unë s’kisha asnjë lidhje me Vatikanin.
Kalova një natë plot ëndrra të këqija. Në orën 9 të mëngjesit më çuan përsëri në dhomën 201. Çuditërisht, atë mëngjes, shefi kish ndërruar mend rreth qenies sime si agjente e Vatikanit. Ai më paraqiti një variant tjetër akuze: “Ne e dinim qysh në fillim që ju nuk jeni agjente e Vatikanit. Në fakt, ju punoni për një tjetër shërbim të huaj, i cili ju ka ngarkuar të mblidhni informata sekrete për vendin tonë”.
Ai “arsyetim”, m’u duk aq qesharak, sa që mblodha buzët me përçmim e ironi. Shefit nuk i shpëtoi reagimi im e m’u drejtua plot nervozizëm: Në se nuk do tregoni të vërtetën, atëherë do t’ju dënojmë me burgim të përjetshëm…! Një dridhmë ma përshkoi trupin nga këmbët gjer te koka. Burgim të përjetshëm? Në Shqipëri?! Oh, jo!… Do preferoja më mirë të më pushkatonin…
Të nesërmen në mesditë, fill mbas kthimit të grupit nga ekskursioni dy ditor, më urdhëruan të zbrisja në hollin e hotelit. Aty qe vendosur një tavolinë e madhe, ku kishin zënë vend hetuesit e mi, përkthyesi shqiptar si edhe një person tjetër, i cili u prezantua si Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë.
Përballë, radhitur në formë gjysmë rrethi, qenë ulur nëpër karrige gjithë pjesëtaret e grupit, e para tyre, në qendër, zumë vend unë e shoqja ime, Evey.
Së pari, e mori fjalën prokurori i cili, me një pamje tepër serioze e solemne, shprehu pakënaqësinë që, pikërisht mes një grupi të huajsh që vendi i tij i konsideronte ” miq”, kishin penetruar dy ” kriminele”, të cilat kryenin veprimtari spiunazhi në dëm të Shqipërisë Socialiste.
Në fund të fjalimit, prokurori urdhëroi: Dy kriminelet të ngrihen në këmbë! Iu bindëm menjëherë urdhrit. Ai nisi të lexojë akt-akuzën. Në të thuhej se, ne kishim kaluar ilegalisht në Shqipëri botime fetare dhe i kishim shpërndarë ato në mjedise publike, duke kryer kështu një krim të rendë.
Në fund, prokurori na u drejtua me këto fjalë: Jemi menduar gjatë për të vendosur mbi masën e dënimit. Sipas provave që ne disponojmë, ju jeni plotësisht fajtore dhe meritoni burgim. Por, duke marrë parasysh moshën tuaj të re, kemi vendosur t’i u lëshojmë. Qysh nga ky çast ju konsideroheni “persona non grata” e, brenda 12 orëve, duhet të largoheni nga territori i vendit.
Mbas gjysmë ore, së bashku me Eveyn, na hipën në një makinë policie dhe na nisën drejt kufirit shqiptar…! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016