Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e tridhjetë
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
“Rasti i një dibrani që kish ndihmuar hasmin e vet, ishte kthyer në legjendë. Kur kish dëgjuar se hasmi i vet kish mbetur në thellësi të minierës, ai me të tjerët, qe nisur në kërkim të të humburit. Kur një shok që kishte dijeni për hasmërinë, e këshilloi të kthehej, sepse “larg qoftë, mund të punojë ndonjë rreng e, të hajë kokën nëpër furnela, apo orti”, ai i qe përgjigjur: “Pasha Zotin or mik, s’e ka traditë malësori, m’e vra hasmin në terr. E në baft vaki, ka me prit dillin, me dhanë haberin! Askush s’don m’e marrë marren mbi veti”! dhe iku pa çarë kryet. Mbas një ore u kthye në shoqërinë e hasmit.
S’kam ç’them për zëvendësministrin, që me këtë raport, “tejkaloi pllanin”, shtoi dekoratat në gjoks dhe yjet mbi supe, po nga ana tjetër, mori mallkimin e nënave shqiptare. Në një të ardhme jo fort të largët, nëntë vite pas, shokët që i akorduan yjet dhe dekoratat, do t’i jepnin edhe “dekoratën” finale, plumbin pas kresë dhe harresën e përjetshme, me damkën “kriminel”, siç ia paratha bashkëfshatari i tij, martiri Hajro Pashaj.
Kalojmë te pjesa ku shkruhet për Gjyqin Special. Në gjyqin e asaj dite, vërtet akuzuan dymbëdhjetë apostuj, por nga dymbëdhjetë, tre ishin pa ndjenja dhe një i vdekur, tetë të tjerët, të torturuar skajshëm, pothuaj të vdekur.
Sa për akuzat, janë të sakta, po foli vetëm pala e tyre, pala tjetër s’u dëgjua, sepse u prenë gjuhën, u qorruan sytë, u shurdhuan veshët. Pra, prokurori, vetë foli, vetë dëgjoi, ndërsa anturazhi brohoriti njeriun fantazmë, që shqiptoi dënimet fantazmë apo, ç’i kishin shkruar fantazmat, që s’ishin të pranishëm në atë sallë fantazmash.
Sa iu përket kërkesave për falje jete, zor se janë nga dora e protagonistëve, për arsyet që përmenda më sipër. Të njëjtin kam dëgjuar nga gjithë bashkëvuajtësit, pjesë e atij gjyqi famëkeq. Domethënë mbeten t’i kenë shkruar të tjerë, në emër të tyre.
Se përse? E dinë ata!
Nuk vë në diskutim autenticitetin e proces-verbalit, s’po i vë në dyshim, as diskutimet në Presidiumin e Kuvendit Popullor, sepse iu besoj katërcipërisht në sinqeritetin e patjetërsueshëm të aktorëve vendim-marrës.
Ç’mund të prisje nga një tufë zagarësh, vegla qorre të katilit Enver, veç lehjeve! Sepse harbutëria s’njeh fisnikëri dhe sistemi komunist, e ngriti në piedestal harbutërinë.
Përfundimisht, mbetet të falënderoj stafin e gazetës………, që ndërmerr herë pas here nisma dhe boton dokumente autentike, por iu sugjeroj të jenë më të saktë për të shtuar besueshmërinë.
Riorganizim total (Nga ferri në përtej ferr), Komunistizimi i Majit
Atë të diel, shpresuam se do na linin pushim, që të gëzonim një ditë të qetë, ngaqë na morën shpirtin me muaj, përjashto 1 Majin, festën e punëtorëve.
Por edhe atë ditë, jo s’e na lanë të rehatonim eshtrat, por na rreshtuan në pikë të diellit, qysh në sabah dhe na detyruan të ndiqnim në radio, fjalimin maratonë të udhëheqësit të “ndritur” të P.P.SH-së dhe të shijonim për katër orë rresht, marshet e fanfarës që shoqëroi parakalimin e “klasës” punëtore dhe fshatarësisë kooperativiste.
Natyrisht 1 Maji është ditë e bukur, mbase ndër më të bukurat e vitit. Piku i pranverës, ku natyra shpalos peizazhe bujare, gjelbërimi të qeton sytë, lulet buisin hijshëm gjithandej dhe toka gufon nën ledhat e rrezeve, gjallesat azdisen dhe arrijnë kulmin e dinamizmit, fluturat flatrojnë në ajrin e lehtë, bletët zukatin mbi parfum dhe zogjtë bëjnë dashuri mes fletëve, teksa bilbilat e bulkthat, dalldisen nga puhiza pranverore dhe këndojnë çmendurisht nën xixëllimat e buburezave që pikëlojnë natën.
Madje atë ditë, edhe njerëzia sikur vesh një tis romantizmi dhe bëhen më humanë, më poetikë, më të çiltër, më të mirë, më të dëlirë, më të urtë, më të bukur, më apolitikë, më…, gjithësia kalon në apoteozë, paçka se komunistët i dhanë ngjyrim ndryshe, nga ç’i kish falur Zoti: 1 Majin e festonin me pompë, 5 Majin me fanfara.
Ndryshimi ndihej një muaj para. Nëpër udhë valëviteshin flamujt proletarë dhe banderola me citatet e Njëshit, ndër kodra dhe male, lëshonin hije posterat gjigantë me portretet mjekroshë të marksistë- leninistëve dhe figurat e kuruara me finesë, të anëtarëve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të P.P.SH-së. Gjithkah zotëronin parullat bombastike, me germa kapitale, që gërryenin sipërfaqen dhe shprishnin relievin e shpateve të maleve.
Për t’i dhënë hije mbresëlënëse, sidomos të kandisnin botën, se demek revolucioni vazhdon dhe do të triumfonte medoemos tej e ndanë globit, organizonin festime pompozë. I stolisnin podiumet me lajle-lule, që t’i mbushnin ditën e festës me gjithfarë fytyrash të njohura e të panjohura, nga vendi dhe bota.
Qysh në ag, rreshtonin formacionet luftarakë, të përbërë me fëmijë çerdhesh me lodra prej lecke, fatosa me grykëse të zeza, pionierë me shaje të kuq, nxënës me bluza doku, studentë me këmisha taftaje, ushtarë me pushkë druri, aksionistë me shami në qafë, punëtorë me kominoshe, tekstiliste me rrota penjsh dhe turrabasmash, kooperativistë me çizme e me shata, mjelëse lopësh me bidonë e kusi, intelektualë me decibao, veteranë lufte dhe pune, me nga një kile llamarina në gjoks, si dhe të ftuarit nga partitë motra dhe simotra, kur kishin të tillë dhe kur shterën, grupe marksistë-leninistësh, nga pesë kontinentet dhe nga të gjitha ngjyrimet.
Qendra e anturazhit u rezervohej anëtarëve të Byrosë Politike dhe në qendër të qendrës, i Madhi. Në dhjetë fiks niste parakalimi para tribunës madhështore, ku zvarriteshin tufa mjeranësh me fytyra të qeshura dhe mjete ushtarake me armatimet modeme të pasluftës së parë botërore.
Me urdhër madhor, për javë, në mos muaj, shkëpusnin nga detyrimet e përditshme një armatë të pafund fatosash, nxënësish, studentësh, intelektualësh, punëtorësh, kooperativistësh, ushtarësh, madje edhe foshnjorët nga çerdhet dhe kopshtet; pra nga gjithë shtresëzimet e shoqërisë socialiste dhe që impresioni të mbetej i stampuar në kujtesën e brezave, paraja derdhej lumë; angazhonin me duzina specialistë të profesioneve të ndryshëm, që nga edukatore çerdhesh, “Mësues të Merituar e të Popullit”, trajnerë e sportistë, shkrimtarë të realizmit socialist, profesorë të marksizmit, historianë falsifikatorë, etnografë kopjacë kostumesh të prodhuar në Kombinatin e Tekstileve “Stalin”, piktorë të dështuar afreskesh proletare, kloun skërmitës që shkërbenin social-imperialistët, koreografë vallesh partizane, me koka të prera a ballistësh, teoricienë të shkollës së Partisë, masovik të vijës së masave, deri te anëtari i Byrosë Politike i Komitetit Qendror të P.P.SH-së, që vigjilonte mbi të tjerët.
Drejtuesit komunistë çlidhnin gjithçka me aparencën, sa megalomania u kthye në sistem. Regjimi i xhuxhëve vlerësonte pamjen pa këqyrur përmbajtjen. Veçanërisht në ditët e shënuara mëtonin, të hasnin fytyra të gëzuara, paçka se mileti i mbytur nga një oqean hallesh, duhej të vinte kujën.
Atë ditë xhelatët hiqeshin babaxhanë, iu ndriste nuri kur shihnin fëmijët që rripnin pëllëmbët për nënën Parti, e xhaxhin Enver dhe parakalonin me xhingla-mingla e, portrete udhëheqësish, t’i brohorisnin duke injoruar prindërit biologjikë, apo të rinj moskokëçarës, që i gëzoheshin të nesërmes së ndritur, që gjoja ua siguronte Partia; studentë që buzëqeshnin, vallëzonin e lodronin të dalldisur për të ardhmen, drejt së cilës iu printe mençuria e Udhëheqësit; ushtarë vetëmohues që ndiheshin krenarë e të privilegjuar, për t’u flijuar në rastin më të parë që t’iu paraqitej, në emrin e Partisë e të shokut Enver; punëtorë pararojë e të papërtuar që punonin demek, për llogari të shekullit të ardhshëm dhe zhgërryheshin barkthatë orar e pa orar; kooperativistë stakonovistë, që gjoja realizonin planet perspektive, pa u aprovuar ende nga Qeveria dhe kapnin rendimente që kapërcenin disa fish kapacitetet biologjike dhe prodhonin bukën në vend, madje rrekeshin t’iu gjendeshin edhe popujve që “vdisnin” urie në Lindje e Perëndim, paçka se shkarravitshin baltovinave me bukë misri të verdhë dhe një shishe dhallë; intelektualë të shterur që duhej t’i thurnin lavde lumnisë kolektive, të himnizonin me patjetër të ardhmen e ndritur proletare, të ngrinin në qiell mirëqenien socialiste, që nën udhëheqjen largpamëse të Partisë dhe të shokut Enver, po kapte majat, njëherësh të demaskonin dekadencën dhe teorinë e praktikën reaksionare kapitalist-revizioniste, që demek orvateshin të kallnin disfatistët, ndërkaq të propagandonin parajsën socialiste, që në frymën e mësimeve të vyera të teoricienëve marksistë-leninistë, po gatitej të gëzonte Shqipëria, ndonëse i drithëronte tmerri dhe censura.
Të tërë gënjenin veten, gënjenin dhe të tjerët aq sa auto-gënjeshtra, u kthye në sport kombëtar dhe krejt populli pllaquritej në batakun e mashtrimit kolektiv. Mes detit të gënjeshtërt, shqiptarët ëndërronin parajsën dhe nanuriseshin në djepin e mirëqenies së pritshme, që s’po dukej gjëkundi. Kush guxonte të dilte mbi shkumën e gënjeshtrës apo, të ajgëtonte tej mirazhit fluid, do përfundonte në deziluzion total dhe do vetë zgjidhte asgjësimin, ose do ta gllabëronin censorët dhe sërish, do ta asgjësonin për të terrorizuar masat. Gjithsesi në të dyja rastet, eliminimi ishte i sigurt.
Vetëm sistemi që ngrihet mbi opsionin e gënjeshtërt, mund të vegjetoj mes batakut të gënjeshtërt dhe të përçoi iluzionin mashtrues deri në infinit.
“Shyqyr o Zot, pushim”!
Të dielën tri javë pas 1 Majit, s’na nxorën në punë. Lavdi Zotit, na lanë pushim!
“Çohu, bre, ia hodhëm sot!” – Zakja më tundi për këmbësh.
Atë maj më bëheshin rreth tetë muaj, në Spaç. E nisa me zonën e parë, pa mbushur dy muaj më çuan në të tretën, pra më ngritën në grade, pa respektuar rendin hierarkik. Në zonën e tretë s’ndihesha fort keq, përjashto punën nëntokë, që ishte po ajo, domethënë ngarko e shkarko mineral bakri, shty e ç’shty vagona, me rrota të ndryshkura, mbush e zbraz kandilin me karbit, thith e shfry pluhur marteli dhe gaz tritoli, hiq e vër mbi krye kapën prej kartoni të presuar, çaj dhe pre trupa ahu, për armaturë, rrotullohu e çrrotullohu nëpër pjatina, shuk e nduk kokën në tubo ajrimi, kthe dhe ngreh vagonët plot e bosh, futu e dil nëpër orti, ngjit e zbrit frnela vertikale për lart e për poshtë; në këtë zonë shtohej edhe një angari plus, plani i pjerrët, ku lipsej të zbrisje vagonët e mbushur me arganelo dhe t’i ngjisje bosh, për t’i rimbushur në nivelin e epërm.
Gjithaq ndryshonte edhe formacioni, shkëmbi ishte mjaft i shkërmoqur, për pasojë aksidentet ishin më të shpeshta. Por ndiheshe paksa më i mbrojtur, prej ndëshkimeve fizike dhe ishte më i lartë posibiliteti, për t’i shpëtuar vigjilencës së policëve e brigadierëve, sepse përtonin t’i ngjiteshin kodrës deri në majë, ndaj, o s’vinin fare, po edhe kur e merrnin mundimin të ngjiteshin terma, s’guxonin të hynin thellë, nga frika mos linin kokën, por edhe për një arsye plus, që s’e zinin në gojë, ngaqë ndiheshin të turpëruar ose, humbnin vendin e punës; kish ndodhur që ndonjë i dënuar kokëkrisur, t’i fuste një hu vendçe policit, kur e ndeshte në galeri, por pa i lenë shenja.
Prezenca e tyre rritej në raste aksidentesh, nga shembjet e pareshtura, apo kur u shtrëngonte rripat komanda, për mosrealizim plani, atëbotë shtoheshin masat represive dhe mjerë kush u binte në dorë, se do ndëshkohej për vete e për të tjerët, për “fajin” e ditës e “fajet” e javës apo të muajit, që s’dëshironin t’i ndëshkonin policët “zemërdhembshur”. Fatziun që zinte taksirati, e trajtonin aq kafshërisht, sa do ta regjistronte në memorie, gjersa t’ia rrëfente varrit.
Në ato vrima zhgërryheshin të dënuar pothuaj homogjenë, ballistë, zogistë, indipendistë dhe fare pak komunistë, me përbërje kompakte në aspektin fiziko-psikologjik, ku mbizotëronin të rinjtë e qëndrueshëm dhe të provuar ndër vite. Në relievin e thyer me vrima të pasigurta dhe atë grup homogjenësh, po mbushja gjashtë muaj. Thuajse u njoha me të tërë dhe edhe pse rrija paksa i tërhequr, gëzoja respektin e gati të gjithëve. Çdo ditë nisesha në punë me xhepat plot letra, me fjalë frëngjisht e italisht dhe zhytesha në to, sa më jepej mundësia i nxirrja.
Brigadieri i dënuar Rroku, nja rreth pesëdhjetë vjeçar, nga Malësia e Madhe, ishte serioz e dashamir, natyrisht s’besoj se e linin ergjele bash për këto cilësi, ama kur më shihte me letra, bënte qorrin, ulte kryet dhe ikte gjetiu. Edhe i liri Ndreca, që s’ia mësova dot mbiemrin, si tërë mirditorëve, pas plasjes së turnit paraardhës, vinte këqyrte pirgun e mineralit, çmonte numrin e vagonëve që duhej të nxirrnim, shënonte ca ikse bloze me lëfytin e kandilitn mbi shkëmbin ku duhej të shponte minatori, udhëzonte sa palë trupa duhej të ngrinim dhe ikte. Në krye rikthehej për kontrollin rreth një orë para se të dorëzonim tumin, më pas duket iu rrit besimi te aftësitë tona dhe s’kthehej më.
Si fillim heshtte, këmbente fjalët e rëndomta, në lidhje me punën dhe s’bëzante më tej, në vijim shtoi ndonjë përshëndetje si: “Si keni ndje, mirëdita, mirë mbramja”; pas muajit nisi të na pyeste për shëndetin dhe haberet nga familja; akoma më pas këmbente ndonjë shaka të thatë; më pas ia shtronim muhabetit si miq të vjetër, madje arriti të këmbente duhan apo, qyfyre sporti, meqë ish tifoz i marrë pas “Vllaznisë”.
Solidaritet skllevërish
Ndrecës iu fik kandili nga rryma e fortë në një orti, çakmaku s’i shkrepi apo, duket ish lagur guri, sa pa dritë, thirri fort:
“Ej-hej, kam mbet në terr”!
Shkova pas britmave pa ditur kush ishte fatkeqi, në të tilla raste ndihmohej gjithkush, i lirë, i burgosur, madje edhe polic e brigadier. Mbi këtë temë, kisha dëgjuar dhjetëra histori. Po rasti i një dibrani që kish ndihmuar hasmin e vet, ishte kthyer në legjendë. Kur kish dëgjuar se hasmi i vet kish mbetur në thellësi të minierës, dibrani me të tjerët, qe nisur në kërkim të të humburit.
Kur një shok që kishte dijeni për hasmërinë, e këshilloi të kthehej, sepse “larg qoftë, mund të punojë ndonjë rreng e, të hajë kokën nëpër furnela, apo orti”, ai i qe përgjigjur: “Pasha Zotin or mik, s’e ka traditë malësori, m’e vra hasmin në terr. E në baft vaki, ka me prit dillin, me dhanë haberin! Askush s’don m’e marrë marren mbi veti”! dhe iku pa çarë kryet. Mbas një ore u kthye në shoqërinë e hasmit.
“Më ke pështu jetën”! – i thotë ky i fundit.
“Të kam qit prej territ”! – ia ktheu dibrani.
“Po njitash”?
“Ba me t’vra, s’kisha m’e ba n’terr”! – ia pati tjetri.
“Tash jena ne dritë, ç’ka pret”? – e nxiti i pari.
“Besa s’e baj kët marri, me i pa hairin hasmi i përbashkët”! – dhe i dhanë dorën shoqi-shoqit.
Pas zërit, gjeta Ndrecën mes territ.
“Tu rrit ndera”! – më falënderoi me ankth.
“S’ka përse”! – ia ktheva!
“Më ke qit prej territ”!
“Do ta bënte gjithkush, sot qëllova unë, nesër mund të jesh ti dhe do ta bësh me siguri”!
“Po, qe besa e Z… tit”! – e preu fjalën.
“Jemi çdo ditë në luftë me terrin”! – vijova.
“Po, pasha Krish…, me ‘Terrin’ dhe me ‘Ferrin’”! – shtoi me të qeshur, duke i theksuar fort.
“Beson në ferr e në parajsë”? – e ngava për gallatë.
Pasha Z….tin idealin, jena rob të thjeshtë na! Po ti beson”? – m’u kthye papritmas.
“Sigurisht, ky besim më mban gjallë”! – shtova seriozisht.
“Ene na besojmë fort, ke Jes…mësimet e ndrituna t’Partëjs”!
“Është e drejta juaj”! – u ndamë secili në rrugën e vet.
Pas ca muajsh u shkëput një masiv disa tonësh në frontin ku punoja. Desh Zoti, në momentin që ndodhi, unë me Hajrulla Dorezin, po ktheheshim me vagonin bosh, ndërsa Qemali ndaloi te kovaçi, të merrte barominën e kalitur. Një gjëmim shkundi malin disa metër larg frontit, tymi u ngrit duman, sa mbuloi ballin e galerisë.
“Allah Allah, tërmet”! – bëri Hajrua dhe ndali i tmerruar.
“Mbi kokat e komunistëve ishalla”! – urova unë.
“Amin”! – më mbajti iso Hajrullai.
“S’po gjej çakmakun e mori dreqi”! – troi Hajrua, kur presioni na i shoi kandilat.
“Mos luaj sa të gjej timin”!
Nxora me tahmin çakmakun dhe ndeza kandilat, po tymnaja na pengoi të ajgëtonim, gjithsesi shquam një figurë opake që hallakatej mes pluhurit duman.
E pyeta duke iu qasur:
“A je mirë”?
“Desh Shën M’ria, kam shpëtu”! – u gjegj një theks verior.
E pandeha Rrokun, që luste Krisht e Shën Mri, orë e minutë.
“Më rujti Jezui”! – kur e përsëdyti, s’ia vumë veshin, por u sulëm ta ndihnim.
Kur ajgëtova mes tymit dhe s’pashë tjetër kënd, për t’u siguruar, pyeta mos kish mbetur ndonjë, nën masivin e gurëve:
“Me kë je, o Rrok”?
“Me Perëndinë, or burrë”!
“Je dëmtuar”! – u hodh Hajrua.
“Jo, kjoftë lëvdue Jez…Partia”!
E kuptuam. Ndrecën e kish mbuluar pluhuri kokë e këmbë, por Zoti i kish taksur jetë të gjatë, sa kish futur kryet, nën kapelën e armaturës, ia kish dhënë shembja. E nxorëm në një orti dhe e sheshuam mbi ca trungje të kalbur.
“Ç’ka kje kjo hata bre, gati a shemb mali”! – ai dridhej si t’i kish hyrë tartakuti.
“Shyqyr, të ruajti Zoti”! – uroi Hajrua.
“Po për Shna Nu…ideal, s’më kan xanë sytë shambje si kjo, tash sa vite”! – bëri kryqin me gishtat që i fërgëllonin.
Teksa u rrek të mbante gjuhën nën fre, s’mundi ta kontrollonte gjestin e mësuar që fëmijë nga gjyshja, apo prifti i famullisë.
“Të takon të therësh një dash të zi, zotni Ndrecë”! – bëra shaka unë.
“Po, qe besa e Z..tit”!
“E di ç’ke ti zotni, bëji tamam kryqe ato iksat, në ballin e frontit”! – shtoi dozën e shakasë Hajrua.
“Or tëj, a doni me m’ba si vetin”?! – demek bëri të indinjuarin Ndreca, por butësia, s’i ngjiste indinjatës.
“Pse ore, ne kemi lindur armiq? Jo, po na futën këtu, të tromaksin me dordolecin tonë, ty dhe popullin”! – ia pati Hajrua.
Ndreca humbi gjakun në fytyrë.
“E-hi-i, janë t’thella kto punë or tëj! Ika njitash”!
Në frontin tonë, s’pamë më iksa prej asaj dite, po edhe Qemal Demiri i anashkalonte apostafat dhe kryqet të dalloheshin qartë, ama Ndrcca s’kërkoi ndonjëherë hesap, për shmangien e qëllimtë nga shenjat. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016