Dashnor Kaloçi
Memorie.al dëshmitë e panjohura e At Jak Gardinit, klerikut italian i cili erdhi në Shqipëri që në vitet ’30-të, duke shërbyer si meshtar në disa prej famullive të malësive të Veriut, dhe pedagog në Kolegjin e Frentënve Jezuitë të qytetit të Shkodrës. Historia nga arrestimi i tij prej komunistëve në vitin 1945, dënimi me 10 vite burg me akuzën “agjent i Vatikanit”, vuajtjet nëpër kampe dhe burgje, riatdhesimi në Itali në vitin 1956, pas marrëveshjes Hrushov-Adenauer, botimi në Romë në vitin 1992, i librit me kujtime, “Dhetë vjet burg në Shqipni 1945-1955”, e deri tek ardhja e tij në Shqipëri pas viteve ’90-të….
Kujtimet e At Gardinit: Arrestim im në 1945
Ishte natë kur erdhën me m’arrestue. Rrethue në mes ushtareve, mbas një ecje së shkurtë, më futën në një banesë private, të kthyeme në komandë ushtarake. Më shtynë në një dhomë të madhe t’errët, ku ndigjojshim gjind tue gërhatë mbi shtretnit e shpërthyem, që kërsitshin nga lëvizja ma e vogël. U shtrina për tokë, mbështolla brezin priftnuer që më ngjishte belin dhe e vuna nën krye si jestek, e mbasi ia lash Zotit në dorë fatin tim, u mundova me fjetë. Por përnjiheri një ushtri insektesh, pleshta e çimka, ma mbushi e torturoi shtatin, deri më tre mbas mesnate. Kur oficeri i rojës u kujtue për këtë gjendje, shty nga mëshira, më hoqi prej andej, e mbasi shtroi pallton e vet mbi një rrjetë metalike sipër dyshemesë, më la me marrë pak gjum. Të nesërmen më transferuen në një nga burgjet e shumta, të hapuna nergut në qytetin e Shkodrës. Përflitej se ishin kund nja tridhet burgje e të gjitha të mbushuna plot. Aty kuptova se ishte kah fillonte një fazë e re dhe e ndryshme e jetës sime: jeta e të burgosunit, e në çfarë duarsh se?! E kështu filloi fjetja për tokë, vuajta nga insektet, ankthi i pyetjeve, ulurima e të torturuemve, shtrydhjet e pafund të ndërgjegjes vetjake për të zbulue fajet e pabame, vetmimi, kërcnimet, fyemjet, shamja, mundimet për me të nxjerrë ndonji sekret, pëshpëritja e të burgosunve për procese e dënime, pushkatime. Ishte një fund ferri me të ba me e dishrue vdekjen, si një çlirim, deri në tundim të vetvrasjes në qoftë se prangat do ta kishin lejue. Racioni i ushqimit: bukë e uj; bukë gruni e uj druni, si thuhej ndër ne të burgosunit, vetëm se buka, të shumtën ishte bukë misri, gatue si mos ma keq. Ishte një vorbull gjanash të përbindëshme të rrajosuna në nënvetdijen time tue u mbarsë, ngarkim i tmerrshëm, kthye në farkë andrrash përfriguese, ankthesh nate. Edhe mbas njëzetepesë-tridhjetë vjetësh herë-herë, zgjohem papritur, i tmeruem, tue m’u dukë se po më pëlcet zemra. Ai burg i parë ishte një dhomë e madhe me dritore e dyer të ndryme. Mbi dysheme dukeshin mbeturinat e atij që kishte qenë para meje, ndytësina gjithkah dhe enë të mbushuna me të dala njeriu. Në një qoshe ma pak të ndyetë, ishin gjind të grumbulluem e në heshtje, si me dashtë me shqyrtue se çka mund t’u binte e ardhmja, t’etshëm me ndigjue, nga shokët tregimet e pëshpërituna të torturave, pësue gjatë pyetjeve. Më kujtohet se ndër ta ishte edhe një ushtar gjerman, vuante nga spira, e i dishpriuem, i binte derës së qelis, mirpo vetëm në mëngjes e në mbrëmje ishte e lejueshme me shkue me zbrazë enët plot ndyetsi. Në dhomën tonë enët ishin gjithashtu plot e përplot. Kur rojet, të mërzitun nga kambëngulja, vendosshin me hapë derën, zakonisht zbrazshin një batare shqelmash, mbi fatkeqin që bante me durim, mjaft që ta kryente nevojën. N’at gjendje plot ankthe pata krejt kohën me mendue për vete, kurr në jetën time s’i bana aq shqyrtime me aq imtësi ndërgjegjes sime. E binda veten se “mëkatet e mija” nuk ishin pra faje për t’u dënue me burg. Ato kufizoheshin në ndonji fjal që çdo prift duhet me thanë n’ushtrimin e detyrës së vet, sado të papranueshme nga ai që e ban mjeshtri ateizmin. Por, sa i pasherr ishim! Ende nuk kishim kuptue se rojeve të mija u interesonte pak e vërteta, ase pafajsija ime dhe e tjerve. Qëllimi ishte me çrrënjosë nga Shqipnija, njeri mbas tjetrit, njerz e institute që në çfarëdo mënyre kishin lidhje me fen e Kishën katolike, tue zhdukë kështu edhe mundsin e çdo opozicioni ideologjik e politik. U binda kur filluen me më marrë në pyetje edhe mue. Më veçuen krejtësisht. U gjeta vetëm para ndërgjegjes sime, me Zotin, përpara të cilit e ndiejshim veten të pafaj, por edhe me trupin e ligsuem timin. Ndër ato ditë e net të pambarueshme përjetova pak prej asaj që duhej t’ishte në njëfarë mënyre nata e Krishtit në kopshtin e Getseman-it. Ishim krejtësisht vetëm, pa ngushllim, ndërmjet gjindsh anmiq, i pamprojtun me parapamjen e mundimeve e ndoshta të vdekjes. Engulli i Tenzot, vërtetë se ma ngushllonte zemrën, porsa trupi u dridhte e djersa më mbulonte. Kur m’erdhi radha u hap dera e qelis. Një roje m’urdhnoi me një ton të vrazhdë:”Çohu”! M’i mbërtheu llanët (krahët), me hekura e më çoi nëpër disa rrugina të një zyre, ku më priste një oficer. Më pranoi me një përzemërsi të dukshme e më vrejti me një shikim të gjatë kureshtar: ishim veshë me veladon! Më tha t’ulesha e aty filloi marrjen në pyetje. Por para se të tregoi mbi zhvillimin e pyetjeve, mendoj se asht me vend të them diçka mbi atë që kishte ndodhë përpara arrestimit tim.
Pse më arrestuan?
Kah gjysma e vjetit shkolluer 1945, drejtori i kolegjës së drejtueme prej Jezuitve në Shkodër, u njoftue se autoritetet ushtarake, që kishin marrë pushtetin e vendit, dëshrojshin me krijue nga studentat e gjimnazit të naltë e të Liceut një celulë rinie komuniste. Nuk mbetesh tjetër veçse me u përulë! Kështu çdo javë, një propagandist vinte në kolegjë me dhanë mësimet e tija. Një nga profesorët me radhë, ishte i pranishëm në konferencë me iu qenë afër studentave e njiherit me ndigjue se ç’ka po mësohesh. Aty kah fundi i majit më takoi edhe mue me marrë pjesë në një nga këto konferenca. Berlini sapo kishte ra nën presionin e Armatës së Kuqe. Konferencieri me afsh lëvdoi fitoren definitive të komunizmit, mbi nazizmin e mbi fashizmin, tue u thellue në përshkrimin e të këqijave që këto ideologjina i kishin shkaktue njerzimit të mjerë. Kishte ma se të drejtë, mirëpo në hov e sipër vente në të njëjtin nivel e ngarkonte me të njëjtat përgjegjësi si kombin gjerman, ashtu edhe italian. Ndigjova i heshtun, e kur në fund konferencieri ftoi të pranishmit me dhanë një kontribut personal, mbi paraqitjen e temës, u çova e kërkova fjalën. “Jam italian-thash–e nuk m’intereson nazizmi. Për sa i përket fashizmit, që e suell Italin në shkatrrimin e tashëm, due me vu në dukje se nuk e quej të drejtë me përnjisue kombin italian, me partin që e ka qeveris ndër këta vjetët e fundit. Gjithashtu, mue nuk më duket një metodë e mirë historike, me pohue se fashizmi ka ba vetëm të kqija e me mohue, meritat e italianëve n’ato raste bashkpunimi, ku nisjativat e fashizmit kanë dalë pozitive”. Rreshtova një rradhë të këqijash që, si mbas gjykimit tim, fashizmi u ka shkaktue italjanve, edhe disa të merituan që përkundrazi i mendojshim pozitive. Ndër tjera pohova se Mussolinit mund t’i njihesh merita për zgjidhjen e çështjes së moçme romake. Ndërhymja ime e la konferencierin pak a shum të hutuem, shestoi disa përgjigje e shpejtoi me përfundue. Tue e shoqnue në dalje e përgëzova për konferencën e tij, por përnjiherit vuna re se ishte zemrue keq. Për atë vërejtjet e mija ishin një “sabotazh”. Menjiherë i parashtroi Prokurorisë një padi aq të rëndë sa mos me lejue tjetër dënim, veçse një plumb ballit. Hollsinat e tonin e asaj padije, i mora vesh ma vonë, nga vetë Prokurori i Republikës, i cili, gjatë një marrjeje në pyetje, nuk ia dilte me kuptue se si mund ta pranojshim pafajësin time përball sulmeve, si ato që ishin rreshtue në padi. Dyshimet mbi mue peshojshin aq randë si një stuhi, kur, disa javë ma vonë (21 qershuer 1945), kremtuem në kolegjë festën e Shën Luigj Gonzagës. Në meshën solemne, në pranin e krejt studentave, naltsova figurën e Shejtit që kishte shtri energjit e veta në burimet shpirtnore të besimit të tij në Zotin. Disa agjenta civila, të pranishëm në meshë, muerën mjaft shënime të fjalëve të mija. A i mbajtën si fyemje kundër ideologjis marksiste-leniniste? A i quajtën si një prozhmim kundër regjimit? Kurr nuk mujta me e ditë. Por aty kah ora 9 e së njëjtës mbramje, erdh një tufë ushtarësh t’armatosun e më mori nga shtëpia, e që prej atij çasti, nuk u ktheva ma në mes bashkvllazënve të mij. Ndër njizet ditët që kaluem ndërmjet të parit e të dytit, episod të sipërtreguem ishte grumbullue një sasi materiali kundër meje. Por nuk ishte veprimtarija ime që peshonte në kandar, në gjykim padive do të sillesh krejt proçesi e dënimi. Nga ana tjetër, në ndërgjegjen time e para Zotit nuk gjejshim shkak për me e qortue veten, gjatë dhjetë vjetve të përkushtuem krejtsisht për të mirën e rinis shqiptare.
Gjyqi ndaj At Gardinit
Gjatë pyetjeve tregova ndjesin e sinqeriteitn ma të plotë, ndoshta ndokush mundet madje me thanë se ishim gati naiv, Bashkëfolsi im, përkundrazi, ishte krejtësisht i bindun se kishte punë me “një spiun të Vatikanit”. Pyetje mbas pyetjesh, tue e ndërrue me aftësi e papritur bisedën, prokurori e përdredhte atë në njëqind mënyra të tjera, futte hollësina të habitshme tue i lidhë me shprehje banale. U pshtjellue e u qetsue kush e di sa herë. Ma në fund, me fraza tinzake, m’u kërcënue se do të më shtinte n’aso mundimesh sa me u detyrue me i kërkue si nder të madh, me më ra pushkë ballit. Përpara këtyne kërcnimeve më shpëtoi gjuha e thash: ”Në se ju do të guxoni me më shkaktue vetëm një torturë të padrejtë, me siguri do të dali dikush që do të ju kërkojë llogari, e do ta pagueni”. Mbet si i shtangum e pëshpëriti: ”Do të shifemi prap”, e më dorzoi te rojeve. Në të vërtetë kurrë nuk kam qenë ekspert në politikë. Jam interesue gjithmonë për ngjarjet, tue i vleftësue ashtu si më dukeshin ma mirë në bazë të kritereve personale. Porse, dyshimet, dhelpnit, dredhit me krimet që shpesh i shoqnojnë nuk kanë ndërhy kurrë në sferën e interesimit tim. Përkundrazi i kam urryer gjithmonë. Ndoshta kjo dukesh nga sjellja ime, nga mënyra e arsyetimit dhe e mprojtjes sime. Fakti asht se as ky oficer, as të tjerë që më morën në pyetje ma vonë e mbasandej as vetë prokurori nuk ia dolën me zbulue kundër meje një padi të saktë që do të mundte arsyetimisht me u paraqit si faj. Por un ishem prift e pra duhesh dhanë një dënim. Në rast se padinat ishin të paqindrueshme, ato duhesh të mvesheshin me petkun e krimit! Edhe përpara dënimit tim, e për arsyena që regjimi shqiptar kurr nuk ia ka shpallë publikut, kah fundi i ’44-it ose në fillim të ’45–ës që pushkatue në Sheldi, Dom Ndre Zadeja, studjoz në za, në famullin e tij në rrethet e Shkodrës. Afërsisht po n’at kohë në Tiranë që pushkatue Dom Lazër Shantoja, mbas torturave të tmerrshme. Po në Tiranë në muejt e parë të 1946-ës qe pushkatue françeskani, At Anton Harapi, bashkë me një rradhë ministrash të shtetit, sepse kishte ba pjesë në qeverin e imponueme nga forcat gjermane të pushtimit. E më 1944 kishte vdekë në konop prifti Alfons Tracki, për të vetmin faj se ishte i kombsis gjermane. Por tue u kthye te proçesi im, më bjen ndërmend se aty kah gjysa e muejit gusht të 1945-ës, filloi me funksionue i ashtuquejtuni “Gjyq i popullit”. Deri n’at çast proçeset u zhvillojshin, si t’i thomi, me dyer të mbylluna, porse populli ishte i ftuem vetëm për t’u gjetë aty në dënimet me vdekje të vendosuna shpejt e shpejt. Ishte periudha në të cilën duhesh t’u zbatonte dënimi sa më shpejt kundra krejt “kriminelave e trathtarëve”. Shpeshherë n’agim të dritës u ndigjonte krisma e mitralozave e mandej plumbat e fundit. Ma vonë mbi murret e qytetit shpalleshin emnat e të pushkatuemve. Me kaq mbaronte fati i tyne.
Me qindra shtetas të huaj vuajtën në burgjet e Shqipërisë
Një pjesë u liruan nga marrëveshja Hrushov-Adenauer, të tjerët vuajët gjatë
Gjatë gjithë periudhës së sundimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke filluar nga dhjetori i vitit 1944, kur komunistët erdhën në pushtet, e deri në fundin e viteve ’80-të, në burgjet e Shqipërisë komuniste kanë vuajtur dënime të gjata mjaft shtetas të huaj, si: italianë, gjermanë, grekë, serbë, malazezë, hebrej, maqedonas, rumunë, bullgarë, polakë etj. Me ndonjë përjashtim të vogël, të gjithë ata ishin të dënuar nga gjykatat e regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke u akuzuar për faje politike, si “agjentë të shërbimeve të huaja” e të tjera akuza të sajuara nga më të ndryshmet. Në mesin e viteve ’50-të, pas marrëveshjes së Hurshov-Adenaur, e cila mes të tjerave kishte të bënte edhe me shkëmbimin e robërve të luftës që gjendeshin në mjaft shtete të Evropës Lindore, një pjesë e shtetasve të huaj që vuanin dënimet e gjata në burgjet e Shqipërisë komuniste, përfituan nga kjo marrëveshje dhe u liruan nga burgjet. Pjesa më e madhe e tyre pas kësaj, përfitoi edhe riatdhesimin, duke u larguar nga Shqipëria për në vëndet e tyre. Por edhe pas kësaj marrëveshjeje, në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, mbetën përsëri shumë shtetas të huaj, të cilët ishin të detyruar të punonin në punët më të rënda në kampet e punës së detyruar që asokohe gjendeshin pothuaj në të gjitha rrethet e vëndit. Pjesa më e madhe e tyre vdiqën nëpër burgje, pa e shijuar dot lirinë, dhe vetëm disa prej tyre mundën që të dilnin gjallë nga ferri komunist ku ata kishin kaluar vite të tëra. Një ndër ta ishte dhe At Giacomo Gardini, prifti Italian që pas riatdhesimit në Itali në vitin 1956, disa vjet më vonë shkroi kujtimet e tija dhe i botoi në vitin 1992, në librin me titull “Dhetë vjet në burgjet e Shqipnis 1945-1955”, pjesë nga i cili po publikojmë në këtë shkrim.
Historia tragjike e klerikut jezuit italian që shërbeu edhe si pedagog në Kolegjin Jezuit të qytetit të Shkodrës
Kush ishte At Giacomo Gardini?
Giacomo, apo Jak Gardini siç u njoh ai në Shqipëri, u lind më 24 shtator të vitit 1905 në Prodolone të provincës San Vito Tagliamento të Italisë. Kur ishte në moshën 18-vjeçare, më 12 nëntor të vitit 1923, ai hyri në Shoqërinë Jezu dhe pas dy vieve studime të novicjatit në Goricë, ai u përgatit edhe për disa vjet të tjera në Filozofi. Pas kësaj, Giacomo u transferua për në Chieri (Torino), me qëllim që të ndiqte kurset tre-vjeçare të Filozofisë, sipas traditës së Jezuitëve. Pasi mbaroi të gjithë ciklin e studimeve të Jezuitëve, në vitin 1930 ai u transferua dhe erdhi në Shqipëri për të shërbyer në rradhët e Klerit Katolik. Në atë kohë ai u caktua si pedagog në Kolegjin e Fretënve Jezuitë të qytetit të Shkodrës, ku për shumë vjet me rradhë krahas gjuhës italiane, ai dha edhe disa lëndë të tjera të formimit të përgjithshëm. Krahas mësimëdhënies, Jak Gardini u mor edhe me mbledhjen e folklorit, dokeve dhe zakoneve të Shqipërisë së Veriut. Në vitin 1936, ai u rikthye përsëri në Itali, për të ndjekur studimet teologjike dhe pas përfundimit të tyre, më 15 korrik të vitit 1936, nga Kardinali Maurilio Fossati, u shugurua si meshtar në provincën e Chierit. Më pas, në vitet 1937-1938, ai shkoi në Francë për të kaluar një vit në Paray-le Monial, ku përfundoi vitin e fundit të ciklit të gjatë të studimeve të Shoqërisë së Jezuitëve, i cili konsiderohej si viti i tretë i provës. Menjëherë pas përfundimit të atyre studimeve në Francë, ai u caktua për të ardhur në Shqipëri si pedagog në Kolegjin e Shën-Francesk Saverit dhe në Seminarin Papnuer Shqiptar të qytetit të Shkodrës. Që nga ajo kohë e deri në vitin 1945, At Jak Gardini, i cili zotëronte në mënyrë të shkëlqyer gjuhën shqipe, dha mësim pranë atij Kolegji duke iu përkushtuar me të gjithë aftësitë e tij fizike e shpirtërore edukimit të rinisë. Në vitin 1945 kur regjimi komunist i Enver Hoxhës, filloi goditjen e egër ndaj Klerikt Katolik, At Jak Gardini u arrestua duke u akuzuar si shërbëtor i fashizmit dhe agjent i Vatikanit. Pasi u mbajt për disa kohë në burgjet e improvizuara të qytetit të Shkodrës, ai u nxorr në gjyq dhe u dënua me 10 vite burg politik, të cilat i vuajti në disa kampe të punës së detyruar që asokohe gjendeshin kudo nëpër Shqipëri. Në vitin 1955 kur regjimi komunist i Tiranës po përmirësonte marrdhëniet diplomatike me Italinë, dhe pas marrëveshjes së famëshme Hrushov-Adenaur, Gardini u lirua nga burgu dhe u riatdhesua në vëndin e tij të origjinës. Pasi qëndroi për një kohë të shkurtër në një institucion fetar të quajtur Shtëpia e Ushtrimeve Shpirtërore, në Bassano del Grappa, atij iu besua drejtimi shpirtëror i studentëve jezuitë të Lonigo-s (Vicenza) ku shërbeu deri në vitin 1960. Në atë vit Gardini u dërgua si epror në Shtëpinë e Ushtrimeve të Rivalta-s pranë Reggio-Emilias. Nga viti 1964 e deri në vitin 1976, ai shërbeu në qytetin e Triestes me detyrën e superiorit të jezuitëve dhe si famullitar. Ndërsa në vitin 1976 ai vazhdoi të kryej detyrën e meshtarit në Parma të Italisë. Edhe pse kishte vuajtur për 10 vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, At Gardini nuk e konfondoi atë me popullin shqiptar, të cilit i kishte shërbyer me devotshmëri për vite me rradhë. Nisur nga ky fakt, me shëmbjen e regjimit komunist të Tiranës, ai erdhi menjëherë në Shqipëri duke dhënë ndihmesën e tij në rilindjen e Kishës Katolike dhe lirinë e besimit fetar. At Jak Gardini u nda nga jeta në vitin 1996. në moshën 89-vjeçare./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016