Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon kujtimet e panjohura të intelektualit Uran Kalakulla, ish-i burgosur politik, i cili vuajti për më shumë se 21 vite, në kampet e burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, pasi në vitin 1961, ai ishte arrestuar, duke u akuzuar se së bashku me një grup, ku bënin pjesë edhe Pjetër Arbnori e Tanush Kaso, kishin dashur të formonin një grupim me prirje social-demokrate europiane, ku si rezultat ,ai u dënua me 22 vjet heqje lirie, të cilat i vuajti kryesisht në burgun e Burrelit, nga ku u lirua në 1992-in dhe u internua në fshatin Kryevidh të Kavajës, deri në vitin 1988. Kujtimet e panjohura të z. Kalakulla, autor i disa librave si “Vargje në Pranga”, eseja politike “Shqiptarizmi dhe prirja e tij europeiste”, monografia “Arshi Pipa, njeriu, jeta” dhe vepra, si dhe libri autobiografik “Njëzet e një vjet burg komunist”, të shkruara pas viteve ’90-të, ku ai përshkruan me detaje dhe hollësira, disa nga klerikët katolikë, mysliman dhe ortodoksë, që ai kishte pasur si bashkëvuajtës gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit në kampet e burgjet e regjimit komunist, si: At Konrad Gjolajn, Dom Nikollë Mazrekun, At Gegë Lumën, Dom Ndoc Nikajn, Dom Simon Jubanin, etj.
Intelektuali i njohur Uran Kalakula i cili vuajti për më shumë se 21 vite në burgjet e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, në kujtimet e tij të shkruara si gjatë kohës së vuajtjes së dënimit, ashtu dhe pas daljes nga burgu, një vend të veçantë ia kushtoi klerikëve katolikë, ortodhoksë e myslimanë, të cilët gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist, u masakruan në mënyrën më barbare nga regjimi në fuqi. Lidhur me qëndrimin stoik të këtyre klerikëve në burgjet komuniste, bënë fjalë edhe ky shkrim të cilin ne e kemi shkëputur nga kujtimet e zotit Kalakula, të publikuara në librin e tij “Njëzet e një vjet burg komunist”, i cili doli nga shtypi në vitin 2001, pak kohë pasi ai kishte ndërruar jetë.
-Kujtimet e ish-të burgosurit politik, Uran Kalakulla-
Pse u ndalua feja nga komunistët?
“E dinë të gjithë që, krahas intelektualëve (si truri i kombit), diktatura komuniste përndoqi me tërbim edhe klerikët, këta përfaqësues të edukatës shpirtërore. Kështu, duke u prerë kokën këtyre njerëzve, trupi i popullit mbetej pa drejtim dhe atëherë ishte Partia ajo që do të drejtonte drejt rrugës së mallkuar, udhës së djallit. E duke shembur mbret e Zot me dhunë, vendin e të dyve, do ta zinte “udhëheqësi me brirë”. E dinë të gjithë se komunizmi, në rrënjët e tij ideologjike ishte materialist, pra ateist.
Teorikisht, ai nuk e pranonte “Njëshin”, qoftë ky Zot, qoftë dhe mbret, në botën e vogël materiale. A nuk fillonin vargjet e para të Internacionales së Parë të Marksit, me mohimin e çdo prijësi, duke filluar nga Zoti, e duke mbaruar tek heronjtë, dhe se “çlirimin”, do ta fitonin vetë proletarët e bashkuar? Të bashkuar, por pa bari? Kush do t’i printe? Do t’i printe Partia! Pra, asnjë kult për asnjë udhëheqës, i çdo lloji që të ishte ky, por një “Shtab Drejtues”, me emrin Parti. Kështu, evitohej “njëshi” dhe na dilte në shesh nocioni i një udhëheqjeje kolektive.
Në vështrimin e pare, ky nocion duket vërtet demokratik, popullor, racional. Por në të vërtetë nën komunizëm, apo më mirë të themi në “socializmin real”, pra në teorinë e gjithë jetën time, që kur “rashë në mendtë e mi”, siç thotë një shprehje popullore e shqipes, jam mësuar të adhuroj korifenjtë e dijes dhe të artit. Jam mësuar të nderoj edhe figura të tilla madhore të udhëheqësve të shquar të botës, si: një Perikli Athinjot, një Katon, Ciceron, e Cincinat, një Xheferson apo një Kened, një Uiston Çurçill apo një Audenahuer e Erhard, një Gand apo një De Gasper e Sandro Pertini, e kështu edhe të tjerë në fushën e demokracisë e humanitetit.
Ndërsa në planin kombëtar: një Skënderbe, një Ismail Qemal, Një Fan Nol e një Ahmet Zog dhe në planin fetar, ku shpesh ushtrimi i fesë harmonizohej aq bukur me veprimtarinë kombëtare e kulturore: një Papë Vojtila, një Gjergj Fishtë, një Shtjefën Gjeçov, një Ndre Mjedë, Vinçens Prenush, prapë Fan Nol, at Kisi e at Ireneu, një Hafiz Ali Korça e të tjerë të këtij kalibri. Dhe, sido që fetarisht, (që nga lindja), më takon të jem mysliman (edhe pse nuk më ka pyetur kurrkush për fenë që duhej të zgjidhja!), për klerikët shqiptarë, sidomos ata të urdhrit françeskan, kam pasur gjithmonë një konsideratë madhore.
Si rregull, ata nuk e ndanin kurrë fenë nga Atdheu dhe kanë vënë bazat e kulturës sonë kombëtare që nga origjina. Mjafton të përmendim këtu Buzukun, Bardhin, Veribobën, Budin, Bardhin, Bogdanin etj. Pikërisht këtë themel tradite shembën të parët komunistët e Hoxhës. Dhe ky qe një krim shekullor!
Me Dom Nikoll Mazrrekun
Unë, për kohën që rashë në burg, nuk kam pasur as rastin dhe as fatin të njoh personalisht figura të tilla të ndritura, si: At Bernardin Palajn, Dom Nikollë Gazulin, Dom Lazër Shantojën, At Gjon Shllakun, At Pjetër Mëshkallën, Dom Vinçens Prenushin e shokë të tyre të denjë si këta. Por, kam njohur klerikë katolikë, si: At Konrad Gjolajn, Dom Nikollë Mazrekun, At Gegë Lumën, Dom Ndoc Nikajn, dom Simon Jubanin e ndonjë tjetër. Drapëri i përgjakur i diktaturës së kuqe, kishte kryer tashmë punën e tij makabre mbi korifenjtë e parë të Kishës Katolike.
Kujtojmë këtu At Visarion Xhuvanin, At Ireneun, At Kisin të Kishës Ortodokse, apo Hafiz Ali Korçën, Hafiz Dërgutin, Hafiz Ali Tarin, etj., klerikë islamikë. At Konrad Gjolajn e kam njohur në kamp-burgun e Elbasanit rreth viteve 1967-’68. Ishte një burrë me shtat mesatar, me një fytyrë të rregullt, me një qëndrim gjithnjë serioz, përgjithësisht disi i ngrysur, gjithnjë i heshtur dhe që parapëlqente më fort të rrinte vetëm. Kisha me të vetëm një përshëndetje mirësjelljeje, asgjë më tepër. Dhe ndaj nuk i’u afrova (dhe as m’u afrua), duke dashur të respektoj dëshirën e tij për izolim vullnetar.
Por, qëndrimi i tij më bënte përshtypje, sidomos fytyra e ngrysur, ku dukej qartë sa një dëshpërim i thellë, aq edhe një zhgënjim i madh. Përkundrazi, me Dom Nikollë Mazrrekun kam qenë disi më afër, jo dhe fort, se edhe ky parapëlqente tërheqje në vetvete. Me të jam njohur në burgun e Burrelit, e ca kohë kemi qëlluar edhe në një dhomë (në vitet e mia të fundit të burgut), madje kundrejt njëri-tjetrit. Gjithë ditën e Zotit, ai rrinte përmbys mbi librat e dorëshkrimet e veta, ashtu siç bëja zakonisht edhe unë. Secili në punën e vet.
Atëhere ai sapo kishte mbaruar romanin voluminoz mbi Skënderbeun (të cilin nuk ma dha ta lexoj), si dhe një novelë me karakter bukolik. Këtë të fundit ma dha dhe unë i shfaqa mendimin tim, mbasi ma kërkoi. Por, Dom Nikolla ishte më i hapët se At Konradi ndaj shoqërisë. Madje, ai dinte të bënte edhe shaka, shpesh me një ironi fort të hollë (sidomos) ndaj realitetit ku ndodheshim, me ca thimtha tipike të tij. Dhe kaq. Duhej të pohoj, se për të kisha respekt. Ishte burgu i dytë apo i tretë i tij, mes internimeve të vazhdueshme.
Ishte një burrë që synonte nga gjatësia, trup lidhur dhe me duar të fuqishme punëtori krahu, pasi në internime kishte ushtruar, për të jetuar, disa lloje zanatesh në fushën e ndërtimit. Dukej që ishte njeri me vullnet e kurajo të hekurt. Por, ajo që më bënte ta respektoja këtë njeri më fort, ishte fakti se ai i kishte dhënë një përgjigje të merituar, nëpërmjet një broshure të botuar para Luftës Dytë Botërore, një misionari katolik italian me veshjen e priftit, me mbiemrin Cordignano, i cili kishte punuar në Shqipëri vite me radhë dhe prandaj e kishte mësuar shqipen fort mirë, sa kishte bërë edhe një a dy fjalorë italisht- shqip dhe anasjelltas, të cilët ishin me vlerë në fushën e leksikografisë shqiptare.
Veçse, me të shkuar në Itali, kishte botuar një libër a një broshurë, ku fliste shumë keq për vendin tonë. Kishte shkuar deri atje, sa i paraqiste shqiptarët si njerëz me bisht, duke shkelur kështu bukën e sofrës mikpritëse shqiptare, e cila nuk i kishte munguar ngado që kishte bredhur nëpër Shqipëri. Kështu, djaloshi patriot, Nikollë Mazrreku (nuk di në ishte ende seminarist apo ishte shuguruar prift), me broshurën e tij pamfletistë, i kishte punuar qindin këtij bukëshkalë të huaj maskara! Madje, kam dëgjuar se kjo broshurë, ishte edhe në dorën e demonstrueseve të parë patriotë, kundër zaptimit fashist Italian të vendit tonë, mes viteve 1939-1940.
Kush ishte At Gegë Luma?
Në burgun e Burrelit u njoha me At Gegë Lumën. Them se ai do të ishte nga Dukagjini dhe ishte bërë meshtar po në krahinën e vet, duke jetuar kështu, gati gjithë jetën, mes maleve dhe banorëve të asaj ane. Për rrjedhojë, ai e njihte në majë të gishtave Kanunin e Lekë Dukagjinit, në të gjitha imtësitë e tij, saqë ishte në gjendje të të citonte nen për nen, e paragraf për paragraf, këtë monument të vjetër të së drejtës së maleve tona e, pse jo, edhe të jetës qytetare për shumë kohë, sidomos në pjesën e Gegërisë.
At Gegë Luma ishte një burrë kaluar të shtatëdhjetave. Kishte një trup të shkurtër e të hajthëm me një kokë sokratike, ku binte në sy sidomos një ball i madh, disi i kërcyer. Kishte gjithashtu një fytyrë të mprehtë e të rregullt, ku i spikatnin dy sy, tek të cilët bënte dritë sa mirësia e shpirti e mençuria, aq edhe serioziteti, vendosmëria e trimëria. At Gega, si malësor e si klerik, kishte në themel të shpirtit të tij, dy elemente kryesore: adhurimin dhe bindjen e patundur te Zoti e mësimet e Krishtit, nga njëra anë, si dhe qëndresën e patundur, tipike për malësorin klasik të atyre anëve.
Ai kishte kryer në Itali dy fakultete njëherësh, çka ishte e zakonshme për meshtarët e, përgjithësisht, për priftërinjtë katolikë: fakultetin e Teologjisë, së pari dhe, së dyti, atë të artit të pikturës. Por, në jetën e vet të maleve, pak ose aspak e kishte lëvruar fushën e artit, pasi u kishte bërë shërbim më tepër mësimet e fesë. Ku vinte puna për këtë apo atë piktor të madh klasik, sidomos nga ata të Rilindjes së madhe Italiane, ai nuk lodhej së himnizuar Mikelanxhelon, Rafaelon apo Da Vinçin. Ndërsa për pikturën e mëvonshme, para e pas kubizmit, nuk kishte qejf të fliste; a pse nuk e njihte fare, a pse edhe mund ta përbuzte. Kuptohet që ai kishte edhe një formim jo të keq letrar.
Sigurisht, njihte Danten, Petrarkën, por Bokaçion nuk e pëlqente (duket për skenat liberale të Dekameronit). Ndërkaq, ai himnizonte ndonjë pasazh të Tasos te “Jeruzalemi i çliruar” se, domosdo, kishte të bënte me varrin e Krishtit. Por, mbi të gjitha, dinte përmendësh gjithë “Lahutën e Malësisë” dhe, atëhere, nisnim të recitonim së bashku, ndërsa rrotulloheshim nëpër oborrin e burgut; herë Marash Ucin, e herë Kerni Gilën. E kështu me radhë. Por në këtë drejtim, ai ma kalonte mua disa herë. Një njeri i tillë nuk mund të mos kishte një botë morale solide.
Tek ai nuk pashë asnjëherë shenjat e frikës, të lëkundjes apo të dëshpërimit. Jeta për të nuk ishte gjë tjetër, veçse një provë që u ishte dhënë njerëzve e për t’i provuar nëse e meritonin në purgator jetën e përjetshëm, në parajsë apo në ferr. Kështu çdo paudhësi e jetës, çdo rrezik, çdo kthesë e paracaktuar, për çdo njeri, nga vetë Perëndia. Ndaj njeriu duhet të jetë i qetë, i durueshëm, i matur dhe të mos u jepet tundimeve, që janë nxitje e djallit e aq më pak inateve, mërive, hakmarrjes, keq bërjes, por të përpiqet të bëjë gjithmonë mirë dhe vetëm mirë.
Por, kur unë i thosha (të them të drejtën, me një farë djallëzie), nëse duhej t’ua lanim me të mirë xhelatëve tanë, për çka na kishin punuar e që vazhdonin të na punonin, At Gega stepej një çast në fytyrën e ngrysur dhe vetëm pastaj ajo i ndriste përsëri, si nga një frymëzim hyjnor dhe ma kthente me fjalët e Krishtit mbi kryq:”Fali, o Zot, se s’dinë ç’ka bëjnë!” Kështu, në ato pak çaste ngurrimi për t’iu përgjigjur pyetjes sime, ai ishte së brendshmi, ishte në një luftë mes psikologjisë së maleve e shpirti të Kanunit dhe mësimeve të Krishtit.
Atë plak të imët, çuditërisht fort të gjallë në lëvizje e në çdo veprim të jetës së përditshme, e donin dhe e nderonin të gjithë të burgosurit, të mirë e të këqij. Fjala e tij ishte si një ligj që duhej respektuar se s’bën. E kam parë shumë herë mes dy grupeve grindavece, që ishin gati të kacafyteshin me njëri-tjetrin, jo vetëm duke i ndarë zemërakët, por duke bërë gjyq”. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016