Taisa Batkina Pisha
Pjesa e njëzet e dy
Memorie.al publikon historinë e panjohur të ruses Taisa Batkina (Pisha), me origjinë nga Tula e Rusisë, fëmija e tretë e një familje të varfër fshatare, e cila mbeti jetim që në moshë të vogël, pasi i ati humbi jetën gjatë punës, në një nga galeritë e qymyrgurit që ndodheshin në rrethinat e Tulas, ku ai punonte si minator. Diplomimi i Taisës në fakultetin e Kimisë, pranë Universitetit ‘Lomonosov’ të Moskës, ku ajo u njoh dhe u martua me studentin shqiptar, Gaqo Pisha, me origjinë nga qyteti i Korçës, i cili asokohe studionte në fakultetin e Filozofisë së Moskës dhe të dy së bashku në vitin 1957, u kthyen në Shqipëri, bashkë me djalin e vogël të porsalindur, Sasha, ku filluan jetën në Tiranës, Taisa u emërua si pedagoge e Kimisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ndërsa Gaqo, në katedrën e marksizëm-leninizmit, ku ata punuan deri në vitin 1976, kur Sigurimi i Shtetit me akuza të montuara, e arrestoi Taisa Batkin, duke e akuzuar si “agjente të KGB-së sovjetike” dhe e dënoi me dhjetë vite burg politik, të cilat ajo i vuajti në “Burgun e grave” në Qytetin “Stalin”, nga ku u lirua në vitin 1986, ndërkohë që bashkëshorti, Gaqo Pisha, kishte ndërruar jetë në vitin 1983, nga një sëmundje e rëndë. Historia tragjike e Taisa Batkina (Pisha), nëpër kampet dhe burgjet çnjerëzore të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku ajo kaloi një dekadë të jetës së saj, së bashku me shumë bashkatdhetarë nga ish-Bashkimi Sovjetik, apo vende të tjera të Evropës Lindore, vjen nëpërmjet kujtimeve të saja, të botuara në një libër me titull “Shpresuam dhe mbijetuam”.
Shpresuam dhe mbijetuam
I’a kushtoj kujtimit të ndritshëm të bashkëshortit tim, GAQO PISHA
Prena
Të gjithë vëllezërit dhe gratë e tyre i arrestuan, u arrestua edhe djali i madh i Prenës, që sapo kishte mbushur 14 vjeç. Pas njëfarë kohe e liruan gruan e vëllait të vogël dhe, bashkë me fëmijët edhe pleqtë, i nisën për në shtëpi. Ajo duhej të kujdesej për fëmijët dhe prindërit pleq. Gjyqi e dënoi priftin me pushkatim, ndërsa vëllezërve të tjerë u dhanë nga 25 vjet. Lezes, Prenës dhe djalit të kësaj të fundit, nga 10 vjet. Kur më sollën në kamp për herë të parë, Lezja dhe Prena e kishin vuajtur pjesën më të madhe të dënimit. Shumë vite kishin punuar në fushë, pastaj “i nxorën në pension”. Tani nuk i vinin më të punonin, për arsye shëndetësore dhe të moshës. Burrat i ndihmonin nga pak. Të burgosurit në kampet e burrave punonin në minierat e bakrit dhe të kromit në kushte të llahtarshme. Atje fitonin nga pak pará, të cilat u’a dërgonin familjeve në shtëpi dhe grave në burg. Burri i Prenës, u sëmur rëndë në burg dhe pas pak vdiq. Lezja e mbajti të fshehtë me shumë kujdes nga Prena vdekjen e të shoqit dhe kujdesej për të kunatën, si për një fëmijë të vogël. Para se të liroheshin, të gjitha malësoret qepën veshje kombëtare. Lezja na tha, se në fshatrat e tyre nuk mbanin rroba të tjera dhe se ato nuk mund ta prishnin zakonin. Nga uniforma e burgut, qepën me dorë gjithçka që duhej. Para se të largohej, Lezja tha: “Ne bëmë 10 vjet burg, duke pritur amnistinë çdo gjashtë muaj”.
Amnistia!
Kjo ishte fjala më e lakuar në kamp. Çdo 4-5 muaj nëpër kamp pëshpëriteshin zëra për amnistinë. Në fillim vetëm biseda vesh më vesh, pastaj dikush pas takimit me njerëzit e vet deklaronte: “Ja, para festës (1 Majit, 8 Marsit, Ditës së Çlirimit apo të Pavarësisë, të shpalljes së Republikës etj.) me siguri do të ketë amnisti”! Fjalët rrokulliseshin dhe shumoheshin si ortek dëbore, ato ishin “shumë të sakta”, “ka thënë filani”, “e dëgjova në ministri”…! Por vinte festa dhe amnisti s’kishte. Në kamp mbizotëronte zhgënjimi dhe gjendja e rënduar shpirtërore. Mirëpo nuk kalonte shumë kohë dhe gjithçka niste nga e para: shpresa, llafe, zëra…! Të gjithë sikur merrnin zemër dhe prisnin amnistinë. (Në Shqipëri amnisti nuk pati nga viti 1962 deri në vitin 1982). Por, ndoshta, kjo pritje na ndihmonte! Na ndihmonte t’i duronim të gjitha hallet, që na kishin rënë në kokë. Na ndihmonte të mos binim në gjendje përfundimisht të dëshpëruar, në depresion. Njeriu nuk rron dot pa shpresë, ne mund ta fitonim lirinë vetëm me amnisti. Dhe shpresonim! Të gjitha pritjet në botë mund të krahasohen me pritjen e amnistisë, kurse pritja e amnistisë, nuk krahasohet me asnjë tjetër.
Nailja dhe Sulbia
Sa gra të moshuara pa dhëmbë kishte në kamp! Kjo qe përshtypja e parë, kur erdhëm ne fillim në kamp. Por më vonë mësuam se plakat pa dhëmbë nuk ishin plaka; shumica e tyre as 40 vjeç s’i kishin mbushur! Dhëmbët i kishin humbur në burg. Atje thuajse të gjitha nuk kishin dhëmbë, shumë shpejt edhe ne u bëmë të tilla. Dhëmbët askush nuk i mjekonte. Në rregulloren e kampit kishte shumë të drejta për të burgosurit, por kurrë nuk respektoheshin. Atje thuhej se shefat e kampit janë të detyruar të organizojnë kontrollin dhe kurimin e dhëmbëve të të burgosurve. Por dhëmbët vetëm i shkulnin, kur dhembja bëhej e padurueshme. Bëheshin dhjetë a njëzet mjeranë të tillë dhe i çonin në fshatin fqinjë, ku mjeku i shkulte dhëmbët në prani të gardianeve. Dhembjen e dhëmballës në kamp e qetësonim me gjithfarë mjetesh popullore. Mënyra më e sigurt ishte ajo me gazetë. E merrnim gazetën, e bënim lëmsh, majën e futnim në gotë, kurse anën tjetër e ndiznim. Në fund të gotës mbeteshin disa pika të zeza, ne i mblidhnim dhe i vinim te dhëmbi i sëmurë. Dhembja qetësohej. Me sa duket ato pikat e zeza, që mbeteshin në fund, ishin me kripëra të metaleve, që përmbante boja e gazetës. Nisa të shkruaja për Nailen dhe u shmanga te dhëmbët, sepse kjo ishte përshtypja e parë, që të linte Nailja, një plakë fytyrërrumbullakët pa dhëmbë. Por kur zhveshi uniformën e vrazhdë të punës, vumë re se ajo nuk ishte aspak plakë, të tillë e kishte katandisur burgu. Atëkohë ajo ishte… 35 vjeçe. Nailja ishte nga Dibra, një malësi pranë kufirit me Jugosllavinë. Fati i saj ngjante me atë të shumë të burgosurave të tjera. Burri i Nailes dhe vëllai i tij, kishin marrëdhënie shumë të acaruara me drejtuesit e kooperativës së sapoformuar, aq sa nuk duruan dot dhe vendosën të arratisen në Jugosllavi.
Në Shqipëri, por edhe në Maqedoni, në kufi me Shqipërinë, ndodhet Dibra e Madhe, e banuar nga shqiptarë. Në të dyja anët e kufirit jetonin njerëz me lidhje gjaku mes tyre, çka u ngjallte shpresa njerëzve se, pasi të kalonin në Jugosllavi, do të rregulloheshin lehtë dhe do të bënin jetë normale. Por autoritetet jugosllave nuk i dhanë strehim familjes së Nailes dhe e kthyen në Shqipëri. Të dy vëllezërit u dënuan me nga 25 vjet heqje lirie, ndërsa Nailja 10, dhe gruaja e vëllait më të vogël, Hasija, 15. Djali i vogël i Hasijes u sëmur dhe vdiq, kurse tre fëmijët e saj të mbetur jetimë, i mori i vëllai, i cili kishte familje të madhe, me shumë fëmijë dhe babanë plak. Jetonin në varfëri të madhe. Edhe Nailes nuk i vinte njeri për ta parë, nuk e ndihmonte kush. Madje në të kundërt; ato pak pará, që fitonte duke punuar në fushë, ajo i dërgonte në shtëpi, për fëmijët. Nailja ishte grua e mirë dhe e dhembshur, gjithmonë e gatshme për të ndihmuar të tjerët, prandaj gëzonte nderim dhe autoritet te gratë. Vetëm një fjalë e saj mjaftonte për të shuar sherret. Po e përsëris, nuk do ta harroj kurrë atë gjysmë kokrre qepë që më dha atje, në fushë dhe fjalët e saj: “Gjithçka do të ndreqet, do t’i keni të gjitha ato që ju duhen, do të mësoheni”. Po, do t’i kishim… edhe vetë Nailen, gjithnjë të gatshme, për të na ndihmuar në fushë. Atëkohë në kamp ishte hapur shkolla 8-vjeçare dhe kurse. Nailja, që nuk e kishte mbaruar shkollën në fshat (sepse thjesht nuk kishte), e mbaroi shkëlqyeshëm tetëvjeçaren dhe kursin për degën Elektrike. Vetëm nuk e di, i hyri në punë ky kurs, pasi kreu dënimin, 10 vjet dhe u lirua…! Nailja ishte shoqe me Sulbijen, ato punonin vazhdimisht bashkë. Ishin nga një vend, edhe fatin e kishin të ngjashëm. Edhe Sulbija qe arratisur në Jugosllavi, kishte jetuar atje një vit, pastaj autoritetet jugosllave e kthyen në Shqipëri. E dënuan 12 vjet, të cilat i bëri një më një. Sulbija ishte grua e re, e bukur, krenare, e fuqishme. Kurrë nuk bënte sherr me të tjerët, shihte vetëm punën e vet, sillej e qetë dhe e pavarur. Diku, te i vëllai, jetonte e bija, të cilën s’e kishte parë prej vitesh. Ne na ka ndihmuar shpesh, me fjalë dhe me vepra, çka në kamp kishte shumë vlerë dhe… s’mund të harrohet.
Magdalena
Bashkë me ne në fushë, me brigadën tonë, punonte një grua e imët plakë. Ishte shumë e shkathët në punë, gërmonte, prashiste dhe mblidhte shumë shpejt. Në fillim thashë se do të ishte mbi 60 vjeç dhe habitesha se si e nxirrnin në punë në arë. Por ajo nuk ishte më shumë se dyzetepesë. Në korpus rrinte veçan, hante shpejt e shpejt, ulej në shtratin e saj dhe merrej me punët e veta. Shqipen nuk e fliste fort pastër. Në Shqipëri si ajo flisnin grekët, pakica kombëtare me banim në jug të vendit. Këtë grua e quanin Magdalena. Në kamp me të silleshin mirë, e ndihmonin, e përkrahnin. I pëlqente të bënte humor, të qeshte. Mua më pëlqeu dhe shumë shpejt krijuam marrëdhënie të mira. Një ditë i ndodhi një krizë e fortë epilepsie. Ngela pa mend kur e pashë të tundte duart gjatë krizës, si të shtynte, të largonte diçka apo dikë nga vetja. Më thanë se më parë i ndodhnin shpesh kriza të tilla, por tani, për fat të mirë, i qenë rralluar. Dalëngadalë mësova historinë e saj. Magdalena ishte greke nga një fshat i Sarandës në jug të Shqipërisë, ku jeton pakica greke. Në moshën 16 vjeçe u martua me mësuesin e shkollës ku mësonte vetë. I lindi një djalë, pastaj edhe një vajzë. Fshatrat e jugut të Shqipërisë jetonin relativisht më mirë; atje rriten agrumet, pemë nga më të ndryshmet, rrushi, por edhe blegtoria ishte më e zhvilluar. Fshatrat ndodheshin shumë pranë kufirit me Greqinë. Shumë banorë vendas kishin njerëz të afërt në Greqi dhe në Amerikë. Burri i Magdalenës kishte në Amerikë një xhaxha të kamur. Nga ana tjetër, i shoqi i Magdalenës nuk kishte fort simpati për regjimin komunist në fuqi. Ai ëndërronte të ikte, të kalonte kufirin, por Magdalena nuk pranonte, nuk deshi të largohej nga njerëzit e saj më të dashur. Një ditë në mëngjes Magdalena po merrej me punët e zakonshme në katin e dytë të shtëpisë së tyre. Në oborr djali i saj 16-vjeçar me shokët e vet luanin me ca hekurishte. Papritur u dëgjua një shpërthim i tmerrshëm. Magdalena dalloi të birin, shtrirë në një pellg gjaku dhe bëri drejt tij, duke u hedhur nga ballkoni. Mori disa trauma serioze në kokë dhe ndenji shumë ditë në spital midis jetës dhe vdekjes. Kur, më në fund, u kthye në jetë, mësoi për vdekjen e të birit. Krizat e tmerrshme të epilepsisë ishin rrjedhojë e traumave dhe tmerrit të përjetuar. Por jeta vazhdonte…!
Pas një viti Magdalena lindi vajzën e dytë. Kur foshnja mbushi dy muaj, burri e mblodhi mendjen top përfundimisht, për të kaluar kufirin. Gjeti shoqërues të sigurt dhe me përvojë, që kishin kaluar shumë të tjerë matanë kufirit. Magdalena më tregoi se në fshatrat pranë kufirit rrallë gjeje familje, që të mos kishte njerëz në Greqi, nga ata që ishin arratisur nga Shqipëria. Kishte shumë të tjerë, që kalonin kufirin, takonin njerëzit e tyre dhe ktheheshin sërish. Mirëpo në rastin e Magdalenës, shoqëruesit nuk pranuan të kalonin në anën tjetër të kufirit një grua me foshnjë dymuajshe. U vendos që burri i Magdalenës dhe vëllai i tij, do të kalonin kufirin dhe pas disa muajsh do të dërgonin njerëz për të marrë Magdalenën. I shoqi i Magdalenës e kaloi kufirin, por gruan menjëherë e arrestuan. E pyetën gjatë në zyrat e Sigurimit të Shtetit, por ajo nuk foli, nguli këmbë që nuk dinte gjë për vendimin e të shoqit dhe për arratisjen e tij. Atë e liruan. Në vitet ’60-të, kur ndodhën këto ngjarje, ende mund të kishte ndonjë rast të rrallë të sjelljes humane ndaj grave me fëmijë të vegjël. Disa muaj më vonë u caktua dita kur Magdalena me fëmijët duhej të kalonte kufirin. Ajo vajti te prindërit e saj, shtëpia e të cilëve ndodhej fare pranë kufirit. Nuk i tregoi njeriu, por ishte tejet nervoze. I vëllai më i vogël e pikasi gjendjen e saj dhe nisi ta pyeste. Magdalena për mjaft kohë nuk foli, nuk deshi ta ngatërronte vëllanë në atë mesele. Por vëllai nguli këmbë dhe më në fund Magdalena i tregoi për arratisjen që përgatitej. I vëllai vendosi të ikte bashkë me të motrën, nuk deshi ta linte Magdalenën të rrezikonte me dy fëmijë të vegjël. Natën, rrugës për në vendin ku do të kalonin kufirin, Magdalenës i filloi kriza, fëmijët nisën të qanin dhe vëllai u përpoq t’i ndihmonte. Rojat e kufirit e dëgjuan zhurmën, erdhën dhe i arrestuan të gjithë. Shoqëruesit mundën të fshihen; e dinin, që po të binin në duart e sigurimit, do t’i pushkatonin.
Magdalena dhe i vëllai dolën në gjyq dhe u dënuan respektivisht me 17 dhe 18 vjet heqje lirie. Vajzat i morën për t’i rritur prindërit e Magdalenës dhe të burrit të saj. Prindërit e saj e mohuan të bijën, e mallkuan, siç kërkohej atëkohë. Vajzën e vogël e edukuan në të tillë mënyrë që ajo t’i urrente prindërit, nënën e saj. Magdalena ndenji në burg 17 vjet dhe gjatë gjithë kësaj kohe, vjehrri i saj vetëm një herë i’a pruri vajzën e madhe në takim. Vitet e para atë e lejuan të merrte ndihmë nga i shoqi në Amerikë. Por, kur mësuan, që burri i saj punonte në Radiostacionin “Zëri i Amerikës” në SHBA, e ndaluan të merrte të holla prej tij. Magdalena kaloi vite të gjata në burg pa asnjë ndihmë, duke punuar në fushë. Vajza e madhe u rrit dhe u martua. I ati e ndihmonte (autoritetet lejonin ndihmë materiale nga jashtë, sepse shteti kishte nevojë për valutë). Për dasmë ai i solli dhuratë një televizor me ngjyra. Në Shqipërinë e varfër kishte shumë pak televizorë, kurse ata me ngjyra ishin shumë të rrallë. Shumë shpejt, burri dhe vjehrri i vajzës së Magdalenës, hynë në burg. Sebep u bë televizori nga Amerika. Ata i akuzuan se mblidhnin të afërm, miq e shokë dhe ndiqnin emisione të stacioneve greke. Kjo u cilësua si agjitacion dhe propagandë. Burri i Magdalenës i’u drejtua shumë herë qeverisë shqiptare me kërkesën për ta liruar të shoqen, por kjo kthehej për Magdalenën dhe të afërmit e saj, në përndjekje të reja.
Vëllai i Magdalenës punonte në burg dhe merrte pikë, prandaj e liruan një vit e gjysmë më parë, disa muaj para lirimit të Magdalenës. Ai i dërgoi telegram të motrës, që në filan ditë do të dilte dhe do të vinte ta takonte në kamp. E mbaj mend mirë atë ditë të rëndë, kur Magdalena rrinte ulur majë kodrës dhe priste me vështrimin nga porta. Por vëllai nuk erdhi. Të gjithë u ndien keq në shpirt, e kuptonin, që diçka do të kishte ndodhur. Ne e dinim, që organet nuk ndaheshin lehtë nga viktimat e tyre dhe… kishim pasur të drejtë. Të nesërmen erdhi një telegram tjetër. Vëllai i shkruante Magdalenës se, sapo e liruan, e nisën drejt e në internim. Kaluan edhe disa muaj. Përfundoi afati i burgimit të Magdalenës. Pas kishin mbetur… 17 vjet. Askush nuk erdhi ta merrte Magdalenën. Ashtu, e vockël, e dobët siç ishte, ajo mezi tërhiqte zvarrë çantën me sendet më të domosdoshme. Të gjithë i largoheshin, i shmangeshin. Askush s’deshi ta ndihmonte. Deri në rrugën e makinave duhej ecur mbi 15 kilometra. Gjithsesi, ajo arriti në shtëpi, ndenji me të bijat… 5 ditë dhe mori dënimin tjetër, e degdisën në internim. Pas pak i sollën edhe të bijat, që i internuan bashkë me familjet e tyre. Nuk di tjetër për fatin e Magdalenës, por jam e bindur se, pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri, ajo do të jetë bashkuar, më në fund, me burrin e saj dhe babai do të ketë përqafuar vajzat dhe nipat e tij.
Hasimeja
Në kamp kishte shumë gra të reja, të cilat kishin tentuar të arratiseshin nga vendi me të dashurit e tyre. (Qëllonte edhe të mos i shkonte në mendje, por dikush bënte kallëzim dhe kjo mjaftonte për t’i arrestuar). Më shpesh këto ishin vajza të reja, që binin në dashuri me burra të martuar. Realiteti shqiptar dhe mentaliteti shqiptar nuk u jepnin ndonjë shpresë, që do të mund të bashkonin fatet e tyre. Opinioni i dënonte. Prandaj ato shpresonin të krijonin familje jashtë shtetit, shpresonin për jetë më të mirë. Midis tyre kishte vajza shumë të mira. Më e mira ishte Hasimeja. Ajo ishte nga Tropoja, qytet në Alpet e Shqipërisë. Shtatlartë, e bukur, me një bishtalec të gjatë, e mirë, e dhembshur, e zgjuar. Ne të gjithë e donim dhe e thërrisnim “Tjerrësja”. Natasha e thërriste “bijë”. Ajo i kujtonte Natashës të bijën, e cila atëkohë nuk vinte dot te nëna. E kam përmendur më lart, si na ndihmonte Hasimeja, si na priste gjithmonë, që të na ndihmonte të kalonim kanalin e gjerë, na shoqëronte deri në kamp ditët e para, na mësoi si të punonim në arë… për gjithçka na ndihmonte. Ajo vinte nga familje fshatare, ku ishte më e madhja. I ati e donte shumë, kudo që shkonte e merrte me vete. Hasimeja dallonte nga vajzat e tjera të fshatit, ishte më e lirshme, më e emancipuar. Shpirtmirësia, butësia dhe bukuria e bënin shumë tërheqëse. Me të ishin dashuruar shumë djem, por ajo deshi një burrë të martuar, kaloi kufirin bashkë me të dhe u strehua në Jugosllavi. Pas një viti autoritetet jugosllave i kthyen të dy në Shqipëri. Hasimeja u dënua me 17 vjet për arratisje, kurse i shoqi me 25.
Familja e saj e mohoi, të afërmit e kishin mallkuar që kur iku jashtë shtetit. Askush nuk erdhi ta takonte, askush nuk e ndihmoi. Shumë rrallë merrte ndonjë letër nga të motrat dhe gjithmonë derdhte lot hidhërimi, kur i lexonte. Hasimeja ishte e re dhe e fuqishme. Kur e futën në burg, sa kishte mbushur 20 vjeç. Ishte mësuar me punët në arë dhe nga ana fizike s’e kishte të vështirë, por vuante shumë shpirtërisht. Sa herë e ndiemë të qante netëve, kur nuk duronte dot më, kur sëmurej ose merrte ndonjë lajm nga shtëpia. Njeriu më i shtrenjtë për të ishte babai. Shpesh ajo e thërriste në gjumë, natën. Është e pamundur të përshkruhet hidhërimi i saj, kur mori lajmin për vdekjen e tij. Hasimeja bëri 12 vjet burg dhe doli me amnistinë e vitit 1986. 12 vjet burg! Përse? Sepse… dashuroi! Çështje të këtij lloji kishte shumë. Ishte një grup grash nga qyteti i Elbasanit. Edhe dosja e tyre qe kurdisur me shkas dashurinë e njërës prej tyre me një mjek jugosllav. Ky ishte sebepi, pastaj u sajua çështja me plane arratisjeje jashtë shtetit, moskallëzim të tij. U krijua një grup, të gjithë morën nga disa vite burg dhe i bënë një më një. Në Shqipëri ishte bërë normë ndërhyrja e strukturave të partisë dhe të shtetit në jetën private të njerëzve. Pa pikë druajtje ndalonin martesat, ose “nuk i rekomandonin” (kjo ishte njëlloj si t’i ndalonin). Kërkonin ndarje të bashkëshortëve, kur u dukej se një martesë apo një tjetër nuk u përgjigjej normave të vendosura prej tyre. Ata, që nuk bindeshin, zakonisht ndëshkoheshin. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016