Nga Taisa Batkina Pisha
Pjesa e dhjetë
Memorie.al publikon historinë e panjohur të ruses Taisa Batkina (Pisha), me origjinë nga Tula e Rusisë, fëmija e tretë e një familje të varfër fshatare, e cila mbeti jetim që në moshë të vogël, pasi i ati humbi jetën gjatë punës, në një nga galeritë e qymyrgurit që ndodheshin në rrethinat e Tulas, ku ai punonte si minator. Diplomimi i Taisës në fakultetin e Kimisë, pranë Universitetit ‘Lomonosov’ të Moskës, ku ajo u njoh dhe u martua me studentin shqiptar, Gaqo Pisha, me origjinë nga qyteti i Korçës, i cili asokohe studionte në fakultetin e Filozofisë së Moskës dhe të dy së bashku në vitin 1957, u kthyen në Shqipëri, bashkë me djalin e vogël të porsalindur, Sasha, ku filluan jetën në Tiranës, Taisa u emërua si pedagoge e Kimisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ndërsa Gaqo, në katedrën e marksizëm-leninizmit, ku ata punuan deri në vitin 1976, kur Sigurimi i Shtetit me akuza të montuara, e arrestoi Taisa Batkin, duke e akuzuar si “agjente të KGB-së sovjetike” dhe e dënoi me dhjetë vite burg politik, të cilat ajo i vuajti në “Burgun e grave” në Qytetin “Stalin”, nga ku u lirua në vitin 1986, ndërkohë që bashkëshorti, Gaqo Pisha, kishte ndërruar jetë në vitin 1983, nga një sëmundje e rëndë. Historia tragjike e Taisa Batkina (Pisha), nëpër kampet dhe burgjet çnjerëzore të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku ajo kaloi një dekadë të jetës së saj, së bashku me shumë bashkatdhetarë nga ish-Bashkimi Sovjetik, apo vende të tjera të Evropës Lindore, vjen nëpërmjet kujtimeve të saja, të botuara në një libër me titull “Shpresuam dhe mbijetuam”.
Shpresuam dhe mbijetuam
I’a kushtoj kujtimit të ndritshëm të bashkëshortit tim, GAQO PISHA
Atëkohë në kopsht kishin mbetur pak perime, prandaj e kishin ndaluar rreptësisht të merrnim diçka për vete. Po të na zinin, na fusnin në birucë. Atë ditë me shërbim ishte Bajamja dhe ne shpresonim që ajo të mos na kontrollonte. Lakrën e futëm në kovë dhe e mbuluam me një thes. Mirëpo te porta Bajamja na kontrolloi, futi dorën në kovë, preku lakrën, por u shtir kinse nuk gjeti gjë dhe na la të kalonim. Oficerët e shërbimit përgjigjeshin për të gjithë jetën në kamp, ditë e natë. Shumë prej tyre kaluan pa rënë në sy. Shumicën nuk e mbaj mend; vetëm disa lanë gjurmë në kujtesën time. Zakonisht të mbeten në mendje të mirët, ose të këqijtë. Veçanërisht i lig dhe i ndyrë ishte Ramadani, një fytyrë e urryer me veshë llapushë. Ishte sadist i vërtetë, nuk e kishte për gjë të vriste një qen, dhe provonte kënaqësi të vërtetë kur u binte me shkelma maceve që jetonin në territorin e kampit. Njëherë, gjatë apelit, e goditi aq fort një mace që kaloi me vrap aty pranë, sa ajo fluturoi disa metra, u përplas pas murit dhe ra e ngordhur. Të gjitha përkulëm trupin të trembura; kujtuam se tani ai do të na godiste edhe ne. Ramadani u kthye, shau ndyrë dhe u largua. Kur ishte me shërbim, ai na ndalonte gjithçka që mundej, na ndëshkonte, na fuste në birucë. Mund të sajonte çdo shkas për të anuluar takimet, duke kthyer mbrapsht njerëzit që kishin bërë të ngarkuar 20 kilometra për të ardhur deri në kamp.
Një mesditë të nxehtë ne me Nadjën po punonim pranë ndërtesës së komandës. Po përpiqeshim të nxirrnim nga toka një gur të madh. Ishte punë e vështirë për duart tona. Nga ndërtesa doli një roje, djalë i ri, që sapo e kishin sjellë në kampin tonë. Tek pikasi përpjekjet tona të kota, djaloshit i erdhi keq për dy gratë e moshuara dhe të lodhura, na mori kazmën nga duart dhe sakaq e nxori gurin. Në çast te rruga u duk Ramadani. “Po ti ç’kërkon aty? – iu hakërrua rojës. – Le të punojnë vetë… gjete kë të ndihmosh, armiket…”! Në kampin tonë sillnin shpesh nga kampet e burrave gardianë të moshuar, të cilët duhej të punonin edhe ndonjë vit a dy, para se të dilnin në pension. Zakonisht, këta ishin mërzitur me atë punë dhe nuk i kishte mbetur as zell, as dëshirë, as fuqi, për të qenë të rreptë, për të bërtitur apo ndëshkuar. Për fatin tonë të mirë, këta njerëz ishin thjesht moskokëçarës. Por kishte ndër ta edhe zemërmirë. Një dite po punonim, nën diellin përvëlues, në fund të një are; prashisnim misrin. Pranë ishte ulur roja Aqif. Ku po punonte brigada, ishte kufiri i territorit. Aqifi ishte njeri i moshuar, i heshtur, i qetë, ne ende s’e dinim ç’njeri ishte, sepse sapo kishte ardhur në kampin tonë. Kishim tmerrësisht etje, djersa na rridhte çurg, kurse ata që sillnin ujin nuk arrinin deri te ne… e mbaronin ujin rrugës. (Ujin e sillnin me bidonë të mëdhenj dhe e ndanin me pagurë nëpër vendet e punës). Papritur dëgjuam rojën tonë që i bëri zë ujë mbajtëses. Ajo kujtoi se roja deshi të pinte vetë. Mbushi bidonin dhe pagurin dhe nxitoi për tek ai. Ai e urdhëroi të na jepte për të pirë dhe i kërkoi që uji të mos na mungonte më.
Një herë tjetër, po shkulnim patate. Gardiania Bajame, i lutet Aqifit të na lejojë të marrim ca kokrra patate me vete. Aqifi pranoi dhe na tha të merrnim nga 2 kg. Kuptohet, ne nuk i peshuam, morëm sa mundëm. Padyshim, gardianë të këqij, të vrazhdë, të egër, që na nxinin jetën, kishte më shumë, por ata nuk kam dëshirë t’i kujtoj. Rojë në kamp ishte edhe Nazifi. Ishte njeri me hënë, herë me humor, herë tmerrësisht i egër. Ai kryente detyrën e ekonomatit. Tek ai mund të merrje letër, laps ose diçka për të veshur. Kisha parë disa herë, që i jepte një thelë mish nga derri i sapo therur, apo pak vaj lule dielli ndonjë plake të varfër e të uritur, të cilat në kamp nuk ishin të pakta. Por kur inatosej, bëhej i frikshëm. Ditët e para, pasi erdhëm në kamp, mbetëm të shushatura kur e pamë, në arë, të rrihte me shkop një nga vajzat e burgosura. Një herë tjetër, e pamë të vinte me vrap në kamp dhe të godiste me tokëzën e rripit të ushtarit, gratë e ulura te shkallët e korpusit për të përcjellë një shoqe të tyre, që sapo ishte liruar. Në kamp kishte edhe punëtorë me mëditje. Ata e kishin rreptësisht të ndaluar të komunikonin me ne. Në koliben e tij të vogël, punonte një mjeshtër që na riparonte veglat e punës. Nganjëherë ne i’a prishnim mendjen dhe ai na bënte bishta për tiganët që gjenim në plehra, ose na riparonte kovat, sahanët. Kuptohet, nuk ndihmonte këdo, vetëm ato që ishte i sigurt se nuk do ta kallëzonin. Kuzhiniere në komandë punonte Bukuria, një grua e thjeshtë dhe zemërmirë. Sa keq i vinte për Lenën e moshuar, e cila i kishte kaluar të 70-at! Lenën nuk e ndihmonte kush. E vunë të pastronte territorin para komandës. Kur aty rrotull s’kishte njeri, Bukuria e thërriste të moshuarën e gjorë në kuzhinë, i jepte për të ngrënë, i fuste në xhep edhe një copë bukë, kurse në arkën e mbeturinave, që Lena nxirrte nga kuzhina, i vinte perime të freskëta. Edhe Nadjës i jepte për të ngrënë, kur ajo punonte në territorin e komandës.
Kampin tonë e quanin “riedukues”, njëlloj si kampet e riedukimit të Stalinit. Neve duhej të na riedukonin…! Për këtë qëllim ishin komisarët dhe këshilli edukativ, ku bënin pjesë të burgosura nga korpusi i ordinereve. Kryetari i këshillit kishte një bibliotekë të vogël, ku mund të merrje ndonjë gazetë apo të dorëzoje ndonjë kërkesë për në komandë. Rolin kryesor edukativ e luanin komisarët, figura krejt bardhezi, shumica e tyre nuk më kujtohen fare. Puna kryesore e tyre ishte organizimi i leximit të gazetës në grup. Në fillim gazetën na e lexonin në arë, gjatë pushimit të drekës. Të gjithë uleshin në lehet ose në gurë, hanin dhe, kuptohet, nuk dëgjonin gjë. Pastaj nisën të na i lexojnë në kamp, fill pas pune. Brigadat e rraskapitura, të uritura dhe të palara i fusnin në dhomën e leximit të gazetës. Zakonisht mua më mbetej një copë vend në dysheme; nuk kishim fuqi t’i zbonim vajzat e reja dhe të uleshim në stola. Sapo ulesha, më zinte gjumi dhe ashtu flija deri në fund të leximit. Duhet t’u jap hakun shoqeve të mia, asnjëra nuk më kallëzoi! Apo ndoshta, edhe të tjerat flinin? Më tepër më ka mbetur në kujtesë komisari i fundit. Kishte shërbyer shumë vite në forcat e kufirit dhe para se të dilte në pension, e sollën te ne. Ishte shumë i trashë, gati analfabet. Thuajse nuk dinte të lexonte, siç dukej i kopjonte, mezi lexonte pesë fjalët e para, pastaj ia jepte tekstin për ta lexuar ndonjërës prej të burgosurave. Unë përpiqesha t’i qëndroja sa më larg, mirëpo ai zëvendësonte shpesh drejtorin e kampit dhe më duhej t’i drejtohesha për ndonjë problem, çka gjithmonë më linte një shije të hidhur në gojë. Herë pas here në kamp vinte i plotfuqishmi, Operativ nga dega e Sigurimit të rrethit. Ai shpesh na thërriste, na pyeste për gjëra krejt pa kuptim, por ne e dinim, që njëra nga pyetjet zakonisht synonte qëllimin e thirrjes. Rrinim, dëgjonim me vëmendje, më tepër heshtnim dhe përpiqeshim të kuptonim ç’kërkonte nga ne. Ishim mësuar tashmë me marrjet në pyetje dhe dinim ta veçonim kryesoren. Më shpesh ai përpiqej të na mbushte mendjen, të mos shkruanim në instancat e larta për pafajësinë tonë. Kurse në fund na pyeste: “Hë, po rrini”? “Rrimë”, – përgjigjeshim ne. “Ç’thonë gratë tuaja”? Zakonisht unë përgjigjesha: “Hiç nuk thonë”! kurse njëherë i thashë: “Thonë që rrimë kot këtu dhe që prej kohësh duhet të na lironit…”! Pas këtyre fjalëve, mua menjëherë më kthyen në korpus. Këtë përgjigje ia dhashë edhe disa herë të tjera dhe ai… nuk më thirri më.
Kampi ynë
Kampi ynë kishte dy korpuse, njëri për të burgosurat politike, tjetri për ato ordinere. I gjithë territori ishte i rrethuar me tel me gjemba dhe kulla me roja të armatosur. Sipas rregullave të brendshme të burgut, ne duhej të ishim rreptësisht të izoluara, ne ishim armike, ato…ordineret mike të pushtetit. Vjedhësit, përvetësueset e pronës shoqërore, ishin elita e burgut, si elita partiake në liri. Shumë nga këto ishin gra oficerësh, punonjëse me përgjegjësi, u kishin besuar, por ato nuk e kishin përligjur besimin, kishin vjedhur. Megjithatë, kjo nuk i pengonte të ishin të privilegjuara edhe këtu, në burg. Oborri i kampit ishte ndarë në dy pjesë me tel me gjemba, por ne nuk na izoluan dot. Midis korpusit tonë dhe portës së hyrjes, pas së cilës ndodheshin ndërtesat e vogla të komandës, ishte një shesh goxha i madh. Në mëngjes atje rreshtoheshin brigadat, para se të niseshin në punë, ku të gjitha punonin bashkë. Në korpusin tonë ndodhej infermieria, biblioteka, llogaria, dyqani dhe klasat. Të gjitha të burgosurat kalonin para korpusit tonë dhe shpesh hynin në mensën tonë. Shqipëria është vend i vogël dhe midis të burgosurave ndeshen shpesh njerëz, me të cilët mund të ishe njohur në liri. Këta mund të ishin fqinjë, ose punëtorë të fabrikës, ku ti kishe punuar dikur, ose të njohur të të njohurve të tu. Vitet e para në kamp kishte shkollë tetëvjeçare, për vajzat dhe fshataret që s’kishin mundur ta mbaronin shkollën më parë. Ato na vinin shpesh dhe na kërkonin ndihmë, ne bënim bashkë detyrat, mësonim. Vajzat e burgosura ordinere nisën të sillen me respekt me ne. Midis të burgosurave ordinere, kishte edhe persona interesantë, si Lajda, një grua e moshuar, e thatë, e gjatë. Lajda kishte autoritet në kamp. Kishte bërë gjithsej 20 vjet burg, ishte gjykuar 5-6 herë për vjedhje. Thoshin se kishte familje të mirë, normale, burrë, fëmijë, por ja që ishte aventuriere nga natyra, kishte nevojë për rreziqe, për jetë me aventura. Ajo ishte punëtore dhe e organizatore e mrekullueshme. Vajzat e thërrisnin “nënoke” dhe i bindeshin pa fjalë. I pëlqente të tregonte për historitë e veta, natyrisht, duke i zbukuruar gjërat sipas qejfit. Gjithmonë më ka ardhur keq që cilësitë e saj të mira nuk gjetën përdorim më të mirë.
Lidhjet tona me ordineret ishin kryesisht të karakterit komercial. Në kamp gati të gjitha e pinin duhanin dhe cigaret ishin si… valutë. Djemtë e mi, megjithëse e dinin, që unë nuk e pija, gjithmonë futnin në pako disa paketa cigare. Cigaret i blinim edhe në dyqan, sapo na jepej mundësia. Cigaret këmbeheshin me gjithçka: dru zjarri, bukë, ushqime gjithfarësh, apo veshje. Po afronte dimri i dytë në kamp. Të parin e kalova me një kapotë të vjetër, të grisur, e cila nuk të ngrohte fare. Duhej gjetur një tjetër. Më ra në sy që njëra nga vajzat e njohura kishte një kapotë të mrekullueshme, të zezë, të trashë. (Ne mbanim kapota të vjetra ushtari). Mësova se kjo vajza lirohej pas disa muajve. Një paketë cigare dhe këmbimi u krye. Sa mirë më ngrohu kjo kapotë gjatë viteve në burg! Në kamp nuk na lejonin të mbanim rroba të shtëpisë. Na jepnin të brendshme të trasha bezeje, bluza dhe pantallona doku bojëkafe. Boja e “kostumit” ishte me të tillë cilësi, sa vetëm pas larjes së parë, rrobat merrnin ngjyrë bezhë, kurse pas dy javësh… të bardhë. Brigadat e punës lëviznin rrugës për në punë në kolona të bardha. Fshatarët rreth kampit na quanin… “pata të bardha”. Larja e këtyre rrobave nga pisllëku i dimrit ishte problem i vërtetë. Ato ishin qepur në të tillë mënyrë, sa dukeshin si thes. Por gratë mbeten gra. Ne, me sa mundëm, i shqepëm dhe i qepëm vetë rrobat, me dorë, sa ngjanin pak më mirë. Më e vështirë ishte puna me këpucët. Na jepnin këpucë të rënda, të forta, gjysma. Ato nuk i ribënim dot.
Korpusi ynë
Në korpusin tonë ishin tri dhoma, dy të mëdha, që komunikonin me njëra-tjetrën dhe në kohë të ndryshme flinim 80-100 vetë dhe një e vogël, gati 12 metra katrore. Në këtë të voglën jetonim ne. Në dhomë kishte pesë shtretër dykatësh, me kalime të ngushta midis tyre, kurse dy shtretër ishin ngjitur. Ishte shumë ngushtë. Flinim në dyshekë me kashtë, në vend të jastëkut përdornim këllëfë të mbushur me rroba të palosura, dhe dy batanije të holla. Në verë bënte vapë e tmerrshme, deri 40 gradë, kurse në dimër temperatura mesatare ditën shkonte 10 gradë; shpesh qëllonin ditë me acar -7 deri -10 gradë, rreth 3-4 jave në vit. Në korpusin prej betoni nuk kishte kurrfarë ngrohjeje. Flinim të veshura, sipër hidhnim ç’kishim, mezi ngroheshim dhe mezi na zinte gjumi, megjithëse ishim shumë të lodhura. I vura qëllim vetes: të qepja një batanije. Grumbullova të gjitha leckat që më ranë në duar. Gratë, që liroheshin, më jepnin bluza dhe pantallona të grisura. I bëra rripa dhe i qepa me njëri-tjetrin. Brenda dy viteve arrita të qepja një vithanike, e cila më shërbeu gjatë, më mbajti ngrohtë në ditët e ftohta të dimrit. Jeta në atë ngushticë ishte shumë e vështirë, por, nga ana tjetër, fakti që ishim bashkë, na ndihmoi shumë. Pas punës së rëndë shtriheshim në shtrat, në shpirt ndiheshim të trishtuara, gjithkush mendonte për punët dhe hallet e veta, për njerëzit e vet. Njëherë dikush propozoi: “A lozim qytetesh”? Luajtëm. Kujtonim këngët, vjershat, sajonim konkurse, tregonim librat që kishim lexuar dhe na kujtoheshin më mirë. Ja kështu dëfreheshim, çlodhnim shpirtin. Papritur dëgjohej zëri ëndërrimtar i Ninës nga shtrati sipër: “Le të kujtojmë çokollatat që hanim në Moskë”. I kujtuam. Por për herë të dytë nuk pranuam; ishte shumë e vështirë për ne, të uriturat, të kujtonim gjëra të tilla kaq të shijshme, që ishin diku dhe na kujtonin botën, nga e cila na sikterisën aq padrejtësisht.
Në vitet e para të jetës në kamp kishte një rregull të tillë: natën të gjitha të burgosurat duhej të bënin me radhë rojë në korpus nga dy orë secila. Ishte e vështirë kur shërbimi të qëllonte në mes të natës. Roja nuk duhej të flinte, ai përgjigjej për rregullin, kujdesej që të mos vidhte njeri, në rast nevoje të jepte ndihmën e parë dhe të thërriste gardianen. Nga ky lloj shërbimi më kanë mbetur kujtime të rënda…! Natë, të gjitha flinin, gati të gjitha kishin gjumë të rëndë, të shqetësuar, shumëkush fliste në gjumë, ose rënkonte. Ato pothuajse të gjitha kishin punuar në ara, lodheshin shumë, natën i mundonin ëndrrat e këqija, ëndrrat për të keqen, që i ka zënë, për fatin e zi. Ditën s’kishin kohë dhe s’kishin kujt t’i qaheshin, kurse natën…?! Kush e di, çfarë shihnin në ëndërr, ndoshta shtëpinë, fëmijët, familjen? Gjithçka ishte shembur, shkelur me këmbë. Burrat e shumëkujt prej tyre ishin nëpër burgje, fëmijët në shtëpi fëmijësh, ose, edhe më keq, rrugëve. Gjithmonë e kam ndier veten keq gjatë këtyre shërbimeve natën. Dy orët s’kishin të sosur. Më vonë, për fat të mirë, këtë lloj shërbimi e anuluan. Në kamp kishim shumë gjëra të ndaluara. Ndalohej rreptësisht të mbaje thikë, madje edhe brisqe rroje, apo gërshërë. Nganjëherë gërshërë mund të merrje për një orë, me firmë. Por si bëhet pa thikë? Thikat i bënim me bishtat e lugëve, pirunëve, me copa llamarine. I mprihnim me copa tulle, me gurë, me to prisnim bukën, qëronim perimet. “Thikat e ndaluara”, na i merrnin, ne bënim të tjera. Kur brigadat shkonin në punë, të gjitha ecnim me kokën poshtë, shihnim se mos gjenim diçka që na duhej. Shpesh gjenim brisqe rroje të ndryshkura, sharra të vjetra metali. Gjithçka e fshihnim me kujdes dhe e sillnim në kamp. Me copat e vogla të brisqeve të rrojës ne… prisnim thonjtë, madje edhe copat e leckave. Në kamp sendet e gjetura duhej t’i fshihnim mirë. Në mëngjes herët, para se të bëhej apeli, fshihnim gjithçka prerëse, të dyshimtë. I futnim në të çarat midis gurëve, në hirin e zjarrit në kuzhinë. Çdo ditë mund të na bënin kontroll. Kontrolli ishte punë rutinë. Në fillim e kishin shumë të rëndë, na dukej poshtëruese, kur na arrestuan, pastaj në qeli, vetëm… por u mësuam. Na kontrollonin, kur hynim në kamp, na preknin gjithandej, na kthenin përmbys çantat. Brigadat rrinin me orë para portës së hyrjes në kamp, prisnin sa të mbaronte kontrolli. Veçanërisht me imtësi na kontrollonin pakot. Frutat i prisnim përgjysmë. Gjithçka në formë pluhuri duhej të ishte me qese plastike, lëngjet në shishe plastike, ambalazhi prej qelqi nuk lejohej, sepse kishte ndodhur që gjatë sherrit me zënka, të përdornin shishet e qelqit.
Ndoshta të gjitha këto ju duken vogëlsira, mirëpo ja që jeta e njeriut nga vogëlsira përbëhet, e këto vogëlsira synonin të na poshtëronin, të na fyenin, t’i zhvatnin njeriut edhe pikat e fundit të krenarisë, të cilën me aq mund përpiqesh ta ruash në burg. Kur bëhej kontroll i përgjithshëm, në kamp hynin thuajse të gjitha gardianet. (Zakonisht qe e pranishme vetëm njëra, ajo e shërbimit). Na nxirrnin të gjithave jashtë dhe fillonte…! Kontrollonin gjithçka: krevatet, valixhet me ushqime dhe çantat me gjërat vetjake, që ruheshin në depon pranë mensës. Të gjitha i hidhnin në dysheme, shikonin për së dyti letrat e kontrolluara para se t’i merrnim, shfletonin librat. Duart e huaja, armiqësore s’linin vend pa u futur. Natyrisht, nuk mund të bëhej fjalë për shënime, ditarë… të gjitha i merrnin, i hidhnin, i zhduknin. Pastaj niste kontrolli në trup. Shumë shpesh, po të të gjenin diçka të ndaluar, qoftë dhe një copëz brisku rroje, të priste biruca. 59 E kishim plotësisht të ndaluar të mbanim para xhepi. Të gjitha paratë, që na dërgonin, ose i fitonim me punë, i vinin në llogari. Të gjitha blerjet, apo ndonjë pagesë bëhej nga llogaria. Atje të jepnin çek për në dyqan dhe t’i hiqnin paratë nga llogaria. Lekët e mbetur i merrje vetëm kur liroheshe nga burgu. Nuk më kujtohet se si i kishte fituar Natasha 500 lekë, me siguri do të ketë qëndisur diçka dhe e kishin paguar jo në natyrë, por me pará në dorë, por me to ajo nuk blinte dot gjë, sepse nuk mund t’i fuste në llogari. Po t’i vinin në takim, mund t’ua jepte fshehtas paratë njerëzve të saj, por në atë kohë Natashës ende nuk i vinte njeri. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016