Fatbardha Mulleti (Saraçi)
Memorie.al publikon disa pjesë nga libri ‘Kalvari i grave në burgjet e komunizmit’ i autores Fatbardha Mulleti Saraçi, (e mbesa e ish-prefektit të famshëm të Tiranës, Qazim Mulleti), familja e së cilës që nga viti 1944 e deri në 1991-in, u persekutua nga regjimit komunist i Enver Hoxhës, ku vetë babai i Fatbardhës, Haki Mulleti, ish-funksionar i lartë i administratës shtetërore, që nga vitet ’20 të shekullit të kaluar, u burgos dhe u internua familjarisht, deri sa ndërroi jetë në spitalin e Tiranës, i helmuar nga Sigurimi i Shtetit. Në librin e saj “Kalvari i grave në burgjet komuniste’ i cili vjen nga një punë disa vjeçare, autorja ka përshkruar me mjeshtëri historitë e panjohur, të disa prej grave dhe vajzave shqiptare, që vuajtën burgjeve dhe internimeve në regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, duke filluar nga nëna e saj, Pertefe Mulleti, Marie Deda, Hajrie Kazazi, Kushe Seknej, Mrike Pali, Zyliha Rusi, Roza Jakova, Fatime Dilaveri, Hatixhe Pipa, Marije Gjoka, Angjelina Topalli, Vera Bekteshi, etj.
Parathënie
Shumë, shumë vite ma parë kisha provue me shkrue ndonjë poezi, ashtu, për vete, ashtu siç bëjnë zakonisht nxënësit që kanë për zemër letërsinë. Por që të mendoja të delja para lexuesit me një botim ma të gjanë, as që më shkonte ndërmend. Atëherë na mungonte buka e gojës, për të mos thanë, edhe ajri …! Libra? Jooo!!! Ama isha aq e vëmendshme, që në shpirtin tem të regjistroja gjithçka që ndigjoja, e sidomos ato që i pashë me sytë e mi.
Shumë, shumë vite ma vonë, që do të thotë sot, m’u dha kjo mundësi. Ajo që unë përmblodha në këtë vëllim të vogël, asht vetëm një pikë ujë në detin e thellë të dhimbjes…! Mbas Luftës, familja jeme, e dëbueme nga Tirana, jetoi në Kavajë. Aty mbarova shkollën e atëhershme 7-vjeçare. Sado që ma vonë u largova prej andej, nuk m’u shlyen nga kujtesa mësuesit e mi të palodhur Zoi Xoxa, Ali Bonati, Leonardo Milo, Myftar Cara, Sami Kerkini, etj.
Sot, si grua, kujtoj në mënyrë të veçantë mësuesen që na mësoi baletin, Vasilika Rrumbullaku. Ata qenë edukatorë, që ja lehtësuan shumë punën prindërve të mi, që, ndonëse merreshin shumë me ne, kishin edhe shumë telashe të tjera për të kapërcye. Se çfarë përjetova në atë qytet, kalimthi, se asht e pamundur të jepet e plotë, e kam përshkrue në shkrimin për gjyshen teme (nga nana), Zade Mukën. Kavaja në atë kohë nuk kishte shkollë të mesme. Për të marrë të drejtë studimi, as që bëhej fjalë; qaja e vetëm qaja.
Lotët e mi bashkoheshin me ato të syve të bukur të të ndjerit babës tem, pa le të nanës teme të shumëvuejtun, që s’kishin mundësi tjetër, veçse të më merrnin me të mirë. Nga kjo situatë më nxori gjyshja jeme e mrekullueshme, gjyshja ma e mirë e botës, po të më lejohej ta thoja, Zade Muka. Ajo jetonte në Shkodër, ku pak kohë më parë, tue qenë në maturë, kishte vdekë motra jeme, Sabaheti (Donika). Si të thuesh, zuna vendin e saj. Shtëpinë e njihja shumë mirë. Buzë oxhakut të saj fillova “të sistemoj” ato grimca jete që sot më detyruan të shkruaj. Shtëpia me numër 64 (sot 133), ndodhej në një rrugë karakteristike: në anët e saj rreshtoheshin.
Shtëpitë dykatëshe, ku mbas dyerve të mëdha prej druni të binin në sy dritaret e vulosura nga lule prej hekuri, mbas të cilave zbardhonin perdet prej dantelle të punueme ngeshëm me grep prej vajzave të shtëpisë.
Aty, në oborr, ishte pusi, lulet e shumta (Zot, sa lule) shumëngjyrëshe e muret rrethues të ngarkueme bollshëm me lule vile aromë plot. Pa le dhomat me ato tavanet e daltueme mjeshtërisht. Një parajsë e vërtetë. Kjo rrugë ku unë kalova rininë e parë quhej” Teuta” (sot “Lidhja e Prizrenit” ), qe veshë me të zeza. Diçka për të kisha mësue, që në verën e vitit 1946, kur unë, me motrën time ma të vogël Dhurata, kaluem pushimet e verës. S’do ta harroj një natë të asaj vere. Me motrën kishim ra me fjet. Nga dhoma tjetër pamë të na afrohen dy “hije”, të veshura si gra. U afruan lehtë-lehtë, na puthën në ballë dhe po lehtë-lehtë u larguan.
Motra eme, e zhdërvjellët siç ishte, gjithë gaz u tha: “Jo, jo, ti je Daja Sheuqeti; nuk je nana daje, të kena njohtë, të kena njohtë. Dhe me të vërtetë, të ndjerët Sheuqet Muka, nip i shtëpisë dhe Sali Vuçiterni, dhander aty, qenë strehue në shtëpinë tonë, se kërkoheshin. Malli për fëmijët e tyre i kishte marrë aq shumë, saqë ishin veshë si gra (me degermi në krye). Në këtë shtëpi mësova se çfarë kishte ngja në atë rrugë mbas vitit 1944, d.m.th. kontrollet e njëmbasnjëshme, arrestimet, torturat, gjyqet, pushkatimet, burgosjet, e, në vazhdim, për ata që mbetën jashtë hekurave: internimet, konfiskimet e gjithfarëlloj vuejtjesh fizike e sidomos shpirtërore.
U njoha kështu (si mbas planimetrisë së rrugës, djathtas e majtas) me tragjeditë e familjes së Sadije Kazazit, Filat Kazazit, Ismete Kazazit, Fahrije Kazazit, Adile Kazazit, Budije e Vehbije Bushatit, Hatixhe Pipës, Fatime Vrionit, Hava Bacit, Zade Mukës (gjyshes), Rukije Bushatit, Hajrie Vrionit, Emine Gjyrezit, Xhemile Komit, Syme Mukës, Fetije Vuçiternit, Marjeta Serreqit etj., të cilat unë i njoha personalisht dhe që, në shumicën e rasteve, vetëm se përvijohen në këtë botim. Ishin zonja të vërteta, që nevoja i bani të kthehen në zot shtëpie.
Ishin, pra, nana, që iu pushkatuan burrat apo djemtë, shpesh pa ditë se ku e kanë varrin; ishin gra e vajza, që kishin vu kryet në rrezik për t’u shpëtue jetën burrave, vllazënve, kushërinjve e miqve të shtëpisë, duke i fshehë; ishin gra e vajza që kaluen pragun e shtëpisë për t’u internue, prej nga u kthyen edhe të denatyrueme; ishin gra e vajza, që me një barrë halle në shpinë, rrugëtuan nëpër Shqipni drejt burgjeve e kampeve të shfarosjes për t’u ardhë në ndihmë njerëzve të tyre. Ishin, pra, këto gra e vajza, që vuajtjen e mbajtën për vete, që njohën vetëm punën e rëndë, edhe për burrat, e që arritën të mbijetojnë. Ishin këto gra që rritën dhe edukuan fëmijë shembullorë e që nuk “harruan” të marrin në mbrojtje nipat e mbesat e tyre të pambrojtur.
Ata ishin gjithçka…!
Kjo ishte vetë një rrugë e vogël. Mijëra të tjera ishin kudo. Statistikat,sado të thata e të ftohta, prapëseprapë diçka tregojnë. Në një vështrim
janë edhe të egra; gati 10% e të ekzekutuemve në Shqipni nga diktatura komuniste ishin gra (457). Përveç rastit të Marije Dedës nga qyteti i Shkodrës, që u vra me armë në dorë në përpjekje me forcat e Sigurimit,vetëm në Malësinë e Madhe u pushkatuan Katrina Nikë Bibaj, Lulë Mirash Prelë Dodaj, Mare Ali Bacaj, Mri Dedë Preka, si dhe Dila Bika e Vase Tomë Lleshi në Lezhë dhe File Mimani e Hamide Vukaj në Pukë.
Gjithnjë në atë plan, nga 308 raste gjithsej, një pjesë ishin gra e vajza që humbën ekuilibrin mendor. U dënuan politikisht 7367 dhe u internuan 10792 gra e vajza. A asht e nevojshme ma? Besoj se jo. Ata që i provuan, mund të mbeten “të pakënaqur” nga unë. E unë u jap të drejtë. Ata që nuk i dinë, nëse nuk i besojnë, le të pyesin… Ishte kjo një përpjekje e parë për të pasqyrue një të vërtetë të ithtë e të pamohueshme.
Libri i dytë do të plotësojë çka i mungon.
E ndjej për detyrë të falenderoj të gjitha familjet, jeta e të cilave
përshkruhet këtu, për ndihmën e duhun.
Gjithashtu falenderoj z. Vehbi Hoti, Simon Pepa e Nexhmi Bushati,
të cilët hartuan disa prej shkrimeve të botueme këtu.
autorja
Marije Deda “Martir i demokracisë” (1916 – 1946)
Së bashku në luftë ata ranë; Me pushkë drejtue barbarit.
“Ma e ëmbël asht vdekja, thanë, se gjallë dorëzue tradhtarit.”
Janë vargjet popullore, që u krijuan mbas 6 dhjetorit 1946, kushtue çiftit Pjetër e Marije Deda, të ramë në luftë me forcat e Sigurimit të Shtetit në pyllin “Hija e madhe” të fshatit Meshkallë.
Familjes Zojzi, nga rridhte Marija, komunizmi i kishte pushkatue shtatë vetë dhe katër të tjerë i kishte kalbë burgjeve. Asaj domosdo që do t’i shtohej urrejtja kundër regjimit të sapovendosun. Ajo qe e martueme me Pjetër Shan Dedën, trimëritë e të parëve të të cilit qenë këndue nga Fishta i madh në “Lahutën” e tij. Pjetri qe antifashist e antikomunist i vendosun. I kërkuem nga Gestapoja, ai qe ilegalizue në fshatin Sheldi… Mirëpo, mbas Luftës: “Kush kje atdhetar/u cilësue si reaksionar ”. Prandaj, mbasi provoi hilet e pushtetarëve të rinj edhe për një muaj, torturat e hetuesisë së tyre, ri-ilegalizohet prapë, kësaj radhe me gruan e vet, prap në fshatin Sheldi.
Ishte gushti i vitit 1946. Mbas një muaji do të shpërthente Lëvizja e armatosun antikomuniste e Postribës. Pjetri, si një nga organizatorët e saj, mobilizoi popullin e zonës së Gurit të Zi. Meqë kjo lëvizje dështoi, burrë e grua gjetën strehë, tashmë, në vendin e quejtun “Hija e Madhe” në Meshkallë. Për tre muaj me radhë në lagështi e në të ftoftë, të ndjekun kahdo prej Sigurimit, u mbështetën nga fshatarët trima të asaj zone.
Erdhi një ditë e ftoftë dhjetori e atij viti që të zbulohen. Pylli rrethohet. Lëshohet thirrja për t’u dorëzue. Ishte ora katër e mëngjesit. Terr. Ndriçonte paksa drita e hënës. Mbasi zgjoi burrin, duke ditë mirëfilli se rrethuesit e donin të gjallë, sikurse edhe vërtetohet nga fjalët e shoqëruesit të tyre, Marija, me një trimni e kurajë të pashembullt, përgjigjet: “Nuk kemi dalë këtu për t’u dorëzue” dhe me revole qëllon e para. E aty, në luftë të pabarabartë (“flakëryen grykët si gojë ferrit! në këtë natë mbulue prej territ”) mbetet e shoshueme nga plumbat e komunistëve. (“Deri n’dekë burrit i ndej pranë/ flakë prej flakë i qëndroi bajlozit/ kjo Marija e Shtjefën Zojzit”). Burri i plagoset rëndë e mandej vdes, për të mos ju ditë varri, kurse kufoma e kësaj martireje 30 vjeçare nuk u lejue që të varrosej në varrezën e fshatit. Shtëpia e saj e përjetshme u bë pylli, që e struku përsëri.
Ishte festa e Shën Kollit…
Në Shkodër, lajmi u morr vesh nga Radio Shkodra. Lajmi i zi tronditi këdo që njihte këtë çift. I tronditi, por edhe i mobilizoi… Një grua që luftonte me armë në dorë e vritej, nuk ishte gjë e vogël. Ishte shembull. Shembull për të qëndrue.
Nanëshkreta në atë moment të papërfytyrueshëm, gjeti forcë me u thanë katër fëmijëve të saj: “Mos qani, Marijen e ka thirr Shën Kolli në bahçen e vet.” Tamam si në epopetë e maleve tona. Varri i Marijes, i braktisun prej komunistëve, por shumë i afërt për fshatarët hallemëdhenj, u hijeshue nga një rrasë shtufi, ku një bari skaliti fjalët:
“VDIQ BESNIKE MARIJE SHTJEFËN ZOJZI”
Nuk ishte shënim i zakonshëm. Ishte thirrje për kujtesë: “Një gjysëm shekulli gati shkoi/ por at varr kush s’e harroi / kush kalonte aty pari / vuni lule e degë lari”…
Hamide Kazazi (Shuti) (1879- 1955)
Kur flitet për Kazazët e Shkodrës, mendja të shkon menjëherë, në fillim tek Hamza, ai udhëheqësi i shquem popullor i qëndresës anti-osmane të shekullit të kaluem. Mandej shkallë-shkallë zbret tek të tjerët, edhe ata atdhetarë si paraardhësi i tyre famëmadh. Ndër ta edhe Muharremi, babë i pesë djemve, nacionalistë të shquem, njeni ma i vendosun se tjetri, veprimtaria e dobishme e të cilëve, u këput nga epoka e egër anti atdhetare e komunizmit shqiptar.
Ishte nana e tyre, Hamidja, që në popull njihej me emrin Shuti, që së bashku me qumështin u injektoi atdhedashurinë azganëve të vet. Ashtu siç kishte shkrue poeti i madh Ndre Mjeda: “Nji nanë tjetër – thoshe – ke, bir, n’ket dhe, nana e jote â Shqyptaria.” Kjo edhe ishte tema e preferueme e bisedimeve të gjata në shtëpinë e tyre, në Parrucë, kur kishte mysafirë. E të tillë kishte gjithmonë; dera rrinte e hapun, vazhdimisht, ditë-natë… e Shuti do t’i nderonte të gjithë njëlloj, të pasunin, si fukaranë, si qytetarin, ashtu edhe malësorin a katundarin. “Hajde, bujrum” – ishte refreni i përditshëm i atij konaku. Bukë, kripë, zemër. Do të kujtonte ma vonë ajo: “Sa herë që nuk kishim miq në shtëpi, burrit i prishej qejfi.”
Erdhi 1944-a.
Për Shkodrën, për mbarë Shqipërinë, filloi kalvari komunist. “Në emër të popullit” jepeshin dënime drakoniane. “Në emër të popullit” u bë refreni i sallave ku zhvilloheshin gjyqet kundër të gjithë atyre që kishin luftue për një Shqipni etnike. Firmosnin këto vendime analfabetë, që ia kishin shitë interesat e kombit të huajit shumëshekullor. Për plakën 65 vjeçare nis rruga e mundimeve: pushkatohet nga regjimi i sapo vendosun djali i madh, Haliti. Pas dymuajsh, dy të tjerët, Jupi e Seiti, për të mos ra të gjallë në duart e komunistëve, vrasin veten. Pa dashtë mendja, të fluturon tek Oso Kuka. Tri vdekje për tre muaj. Tri loçka zemre. S ‘mbaron me kaq. Djemtë e mbetun (Zeneli e Hamiti) dënohen me afate të gjata burgimi. Të mos llogarisim torturat. Pushkatohet edhe i vëllai i saj, Rifati, pse i kishte strehue të birin. Prapë, pa llogaritë burgosjet që vazhduan në rrethin e saj a të burrit.
Bollëkut i zuni vendin skamja, buzëqeshjes – lotët, mysafirëve – policia, lumturisë – kobi. Shuhej familja, shuhej edhe ajo. Kush mund të thotë se ç’provoi kjo e shkretë? Çfarë ndjeu? Si i përballoi provat e pamëshirshme të jetës? E pra, në vetminë e saj të gjatë, vetëm se duroi. I përballoi të gjitha peripecitë, pa u ankue, si duruan dhjetëra, qindra, mijëra nana e motra në të gjithë vendin. E mbajti të mbyllun dhimbjen stërmadhe për veten e vet. Frika kishte zanë vend në shpirtrat e njerëzve. Për gjithçka frikë. Frikë për të ndihmua edhe një rrezikzezë si ajo. E ajo i kuptonte shumë mirë ata dhe, për të mos i damtue, u shmangej. Si të donte të ndiqte shembullin e djemve të saj, që kishin vra veten, për të mos pësue gjë të tjerët që u kishin dhanë strehë. A ka në historinë e popujve shembuj të tillë? Ka. Por janë të rrallë.
Ma e pakta vuajtje qe sëmundja e rëndë, që e mbërtheu kur i kaloi të 70-tat. U gjetën njerëz të mirë, njerëz me kurajë, me zemër të madhe, që e strehuan, e ushqyen, e mjekuan. Me aq sa kishin mundësi. Derisa vdiq me zemër të bame copë.
Ishte viti 1955…/Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016