Nga Petraq Xhaçka
Pjesa e njëzetë e nëntë
Memorie.al/ Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkt me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e qazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.
Hyrja për ne ishte organizuar që prapa, nëpërmjet një porte gjigante prej hekuri, që të shpinte në një oborr ku u futën të gjitha makinat. Mua më zbritën të parin nga makina, me pranga në duar, ashtu si gjatë gjithë rrugës. Ndërsa ecja, vura re se në ndërtesën përballë, ku ishin zyrat e Tregtisë së Jashtme, disa njerëz, me kureshtje po shikonin këtë operacion shoqërues të policisë.
Ishte hera e parë që futesha në ndërtesën e Gjykatës së Lartë dhe u çudita kur vura re se nëpër tërë shkallët, deri në katin e tretë apo të katërt – nuk jam i sigurt ku ndodhej salla, – në çdo kthesë të shkallëve, qëndronin gatitu ushtarë, të cilët shtrëngonin automatikët në një pozicion që të jepnin ndjenjën e gatishmërisë më të lartë. Pa dyshim që ishte më shumë një gatishmëri e pompuar, për të bindur të tjerët për rrezikshmërinë e grupit tonë dhe për të na bërë ne akoma terror psikologjik. Unë ecja i pari. Siç duhet të jetë i pari më i rëndësishmi i grupit, isha në një ankth që nuk kish të pushuar, por së jashtmi, mundohesha ta mbaja veten të qetë.
Edhe vendosja jonë në sallën e gjyqit, ishte e menduar posaçërisht. Nga gjyqet e grupit të mëparshëm të naftëtarëve apo grupeve të tjerë që kemi parë nëpër filma, deri tek gjyqi i famshëm i Nurenbergut, për kriminelët më të mëdhenj nazistë në Luftën e Dytë Botërore, kishim parë se të burgosurit vendoseshin bashkë ngjitur njeri me tjetrin dhe nganjëherë me nga ndonjë polic në mes. Por jo! Ne kishim tjetër trajtim: mua më ulën në radhën e pare, të ngjeshur në mes dy policësh; pas një radhe bosh por në vije të drejtë, pas meje vendosën Enrikon, po kështu me dy policë në krahët e tij: E njëjta mënyrë vendosje, me një radhë bosh, duke mbajtur rigorozisht vijën, vendosën me radhë mes policësh, Mynyrin, Luan Këlliçin dhe Petrit Sadushin në fund.
Aty unë mora vesh për herë të parë, se si plotësohej grupi dhe se Petriti e Luani, do të gjykoheshin tok me ne, pavarësisht nga datat e ndryshme të arrestimeve. Vendosje e tillë e sidomos ajo në vijë të drejtë varg, nuk kish fare të bënte me rrezikshmërinë tonë, por frikën e tyre, se mos ne bisedonim apo binim në ujdi me shikimet tona, bëheshim bllok, për të zbuluar të vërtetën dhe hidhnim në erë procesin. Duket që ata trembeshin si nga djalli për këtë, sepse sipas bindjes time të patundur, në gjykatat tona nuk ish çuar ndonjëherë proces më i montuar, më pa jetë se ky!
Kur zumë vend të gjithë, ende pa na hequr hekurat nga duart, vërshuan hetuesit e nisën të vërtiten mes nesh e policëve, duke na thënë lehtë në rrëzë të veshit, ashtu siç bëjnë shokët kur ti je në të hyrë në sallën e provimit të maturës. – “Shikoni mos e ktheni asnjëherë kokën prapa për të parë shokun në sy se do të mbahet qëndrim i rreptë. Edhe kur të jetë duke u pyetur shoku, sytë ju duhet t’i mbani përdhe. E kuptuat”?
Unë bëra; “po” me kokë. Në sallë përveç policëve që na rrethonin dhe disa policëve të tjerë të vendosur aty – këtu, nuk kishte asnjë frymë njeriu; asnjë civil, asnjë i ftuar! Asnjë njeri që të dëgjonte të freskët historinë tonë, skenarët me rusë, komplotet shumëvjeçare që do të shpalleshin aty, e do të pranoheshin në heshtje.
Trupi gjykues përbëhej nga tre persona, nga të cilët vetëm kryetarja ishte juriste, ndërsa dy anëtarët e tjerë ishin, me sa më kujtohet, punonjës të fushave të ndryshme. Trupin gjykues e kryesonte vetë zëvendëskryetarja e Gjykatës së Lartë, anëtare e Komitetit Qendror të Partisë, Eleni Selenica, e cila ishte bërë mjeshtre në dënimin e “grupeve armiqësore” në ekonomi. Natyrisht, unë nuk prisja gjë as nga gjykata e as nga Eleni, që ajo, për shembull, të mundohej sado pak të gjente të vërtetën.
Më ngritën mua për të nisur seancën pyetësorë. Ajo kaloi formalisht me disa pyetje, që kërkonin vetëm pohimin shkurt: “po”. Asgjë më tepër! Asnjë shkëndijë për të zbuluar ndonjë gjë që nuk shkonte, në mënyrë që gjyqi të zbërthente më vonë të palarat! Vetëm po të ishin të çmendur! Po të deshin të bënin prova të tilla, ata kurrë nuk do të kishin qëndruar dot në ato pozita e rangje, për periudha të gjata. Kish më shumë gjasa që t’u binte radha të uleshin në bangon e të akuzuarve, po, e ndofta si tradhtarë të vendit. Shumë shokë të tyre të Luftës, kishin kaluar andej nga ajo bango të akuzuarish. Këtë e dinin ata, këtë e dija tani edhe unë, shumë mirë. Prandaj vazhdova rolin e aktorit, në filmin me regji të Partisë së Punës, Sigurimit dhe Hetuesisë.
Nga rreth një orë e gjysëm që u mjaftoi të mbaronin punë me mua, më shumë kohë e përdori prokurori i gjyqit, që ish dhe zëvendësprokurori i Përgjithshëm i Republikës, Abaz B. Ai ndërhyri shpesh here, duke më fyer poshtërsisht, duke më quajtur armik, sabotator e deri jezuit, (sepse sipas filozofisë së tij të mbrapshtë, njerëzit që i kishin kushtuar jetën t’i shërbenin Zotit, si priftërinj jezuitë, ishin armiq të liq të pushtetit popullor, e njerëz pa karakter). Ai i përdori me mua, të tëra sloganet e tij të mësuara përmendësh. Edhe me mua e përdori atë shprehjen e tij të stër konsumuar, që unë isha nga ata që; “të vrisja natën, e të qaja ditën” e të tjera si kjo.
Kur ai fliste kështu, unë në mendjen time, e vetëm në mendjen time, i përgjigjesha: More shërbëtor ligavec i diktaturës, ti edhe e kupton këtë proçes fallso dhe hiqesh sikur është i vërtetë?! Ti je një kriminel, që dënon e vret njerëz të pafajshëm, e jo unë që nuk i kam bërë asnjë të keqe asnjë njeriu në jetën time! Mua, ti më shan për sabotator, në një kohë që unë me punën time, i kam dhënë vendit miliarda dollarë fitim, që ky popull të mos vdesë urie! Po ti, çfarë i ke dhënë ti këtij populli? Vetëm viktima, vetëm kufoma. Ti je vetëm një gënjeshtar, teksa e vërteta është detyra jote parësore. Pra, je ti ai që të vret natën e të qan ditën dhe jo unë apo kolegët e mi, që janë bashkë me mua këtu para teje, si të akuzuar! I nisur nga akuzat për poli-agjentë, që ishin qëndisur në hetuesi, pa lodhur mendjen për të rreshtuar shtetet, ai u duk se do të më fundoste me një pyetje dërrmuese:
– “Sa shteteve iu vure në shërbim”? Unë i mbushur me urrejtje sa s’kish më, por edhe i përmbajtur kur mund të përmbahesha edhe më, iu përgjigja:- Nuk di, nuk e mbaj mend se sa vendeve u kam shërbyer. Lexojeni në akt akuzë, se e kanë shënuar hetuesit. Kjo sado e tërthortë dhe e fshehur, e tërboi si prokurorin edhe gjykatësit, dhe si gjithnjë, prokurori nuk vonoi që të ngrihej e të më sulmonte me fjalorin e tij të zakonshëm banal. Unë vetëm e shikoja, se si ai nxirrte kënaqësi nga fjalimi i tij që dukej triumfal, vetëm ngase askush nuk e kundërshtonte.
Tani që shkruaj këto faqe, sapo kam lexuar një libër, jo vetëm tërheqës e të bukur, por dhe me një përmbajtje të thellë filozofike të shkrimtarit të mirënjohur humorist, Pëllumb Kulla, mbi vitalitetin e popujve që mbledhin, qërojnë e shijojnë çastet e tyre të lumtur edhe nën diktaturë. Si çdo gjë në vendin tonë, diktatura i kufizoi njerëzve edhe të qeshurën popullit, por megjithatë, përsëri humoristë të kalibrit të Skënder Sallakut, peshkonin anekdota me përmbajtje politike dhe i tregonin ato me zë të ulët. Ndër këto anekdota kishte edhe mbi të ashtuquajturit armiq, që i “zbulonte me mjeshtëri” Sigurimi i Shtetit. E tillë ishte anekdota me bllokun e shënimeve, që i pat humbur Enver Hoxhës.
Megjithëse të nesërmen ai e gjeti bllokun, Sigurimi ngulte këmbë se kish bërë arrestimet e nevojshme dhe tetë vetë, me vullnet të lirë, kishin pranuar se e kishin vjedhur atë dhe ia kishin dorëzuar shërbimeve të huaja sekrete. Nuk kishin arritur këto anekdota, deri tek veshët këtyre njerëzve të “drejtësisë”?! Me siguri që po. Pse habiteshin pra që edhe ne pranonim me vullnet të lire, se i kishim vjedhur bllokun shokut Enver?! (Se m’u mbaruan dhe thonjëzat!) Gjatë gjithë seancës gjyqësore, unë qëndrova në këmbë para trupit gjykues, mes dy policëve, të cilët nuk më lejonin të ktheja as kokën mbrapa, për të parë në sy kolegët e mi naftëtarë, për të ditur përshtypjet e tyre dhe për të ndjerë në do të më mbështetnin, po t’ia bëja bam?! Apo do të vazhdonim të dëgjonim këto profka dhe t’i përmbaheshim platformës së pranimit, që kish zgjedhur secili me vete, duke menduar që nuk kishim yll në ballë, për të qenë heronj?!
Mbasi mbaruan me mua, ata i kaluan në të njëjtën udhë edhe pjesëtarët e tjerë të grupit. Të katër ne të parët, as në përgjigjet nuk bëmë dallim. Inxhinier Petrit Sadushi, e hodhi poshtë akt-akuzën, edhe pse e pat pranuar në hetuesi. Ai nxori në dritë të vërtetën, atë që ne nuk i kishim bërë ato, për të cilat akuzoheshim, prandaj edhe hetuesit që ishin shumë të ndërgjegjshëm për këtë, ndruheshin mjaft e kishin marrë masat që ne të mos shikoheshim me njeri – tjetrin. Ai, nuk nxori si shkak të pranimit në hetuesi, faktin që e kishin rrahur dhe bërë presion hetuesit. Ai nuk e hapi edhe atë kapak. Tha vetëm se; kur i pat pranuar, ai nuk kish qenë në rregull, kish humbur aftësinë e gjykimit.
Ai kish gjetur një formë mbrojtje të veçantë. Por kjo megjithatë, tërthorazi, i faturohej dhunës që e kish bërë ta humbje logjikën, e të firmoste faje të pakryer. Pavarësisht nga forma që përdori Petriti, rëndësi kish fakti, që ai arriti ta gjejë në vete guximin dhe ta shpallte të vërtetën. Qëndrimi i tij nga prokurori dhe trupi gjykues, u ndëshkua rëndë dhe në përfundim masën e dënimit, nga 18 vjet që i ishte parashikuar, siç u tha në pretencë, gjykata ia ngriti afër dënimit maksimal, në 23 vjet burgim!
Si dy njerëz të ndryshëm, dy ndjenja të përkundërta bashkë, jetuan për një kohë tek mua, gjatë episodit me Petrit Sadushin; njeriu që ish përpëlitur aq gjatë, ta plaste më fort akoma bombën e tij, e shihte atë me zili, teksa pasojat e fjalës së Petritit në atë sallë vetëm me policë dhe hetues, dhe ndëshkim i menjëhershëm, e bindën njeriun që kish pranuar nënshtrimin, se kishte vepruar jo bukur, por drejt e më urtësi.
Si i ngarkuar me kryesimin e sabotatorëve, pretenca kish kërkuar për mua 25 vjet burgim dhe një qëndrim tjetër, do të më kishin siguruar masën kapitale, d.m.th, dënimin me vdekje. Goja ishte tërë kohën e hidhur, me këtë ngjarje të hidhur, e me këtë dyluftim ndjenjash.
Pra, të vetmen fjalë që mbajtën hetuesit, ishte ajo se rruga e “pranimit”, do të më linte gjallë. Kjo mund të duket e çuditshme, paradoksale, që po mos të pranosh atë që nuk ke bërë, dënohesh më rëndë, se po ta pranosh. Kjo përligjej me shprehjen rutinë, se i akuzuari; “ka reflektuar”. Shtytja e të burgosurit drejt asaj zgjidhje, i siguronte piramidës diktatoriale, realizimin e dy qëllimeve: Nga njëra anë suksesin në planin famëkeq, të zbulimit të grupit armiqësor që i shpjegonte pse punët asaj nuk i shkonin mbarë, dhe nga ana tjetër, shfaqjen publike të zemërgjerësisë.
Nga të pesë të pandehurit, vetëm dy, Petriti dhe Luani, kishin një nen më shumë nga ne të tjerët, atë të agjitacionit e propagandës. Vlen të nënvizohet për ironi, se nga i gjithë ai proçes gjyqësor, vetëm këto dy akuza qëndronin si të vërteta. Petriti në një bisedë, paskej treguar në një formë anekdotike, se në qytetin e Durrësit ca qytetarë kishin qenë, si zakonisht, prej shumë orësh në radhën e gjatë të qumështit. Njëri prej tyre, i lodhur nga pritja e gjatë e natës, vendosi të largohej, por në mënyrë që të mos humbte radhën, kish vendosur në vargun e trastave, një bust të Enver Hoxhës. Nuk e di kush e kishte spiunuar, por aty sollën një dëshmitar, i cili pranoi se Petriti, e kish thënë këtë anekdotë.
Njeriu bëri autokritikë, që nuk kishte raportuar në Degën e Punëve të Brendshme për këtë. Të shkretin dëshmitar, trupi gjykues e prokurori, e vunë para një situate tepër të vështirë, gati sa nuk dhanë urdhër, për ta arrestuar, ngase ai nuk kishte denoncuar. E vërtetë ishte dhe biseda që kishte bërë inxhinier Luani, me disa shokë të tij, ku kishte shprehur hapur neverinë për moralin e një anëtareje të udhëheqjes së partisë. Për çudinë time, gjykata kërkonte me këmbëngulje, që Luani t’i thosh tekstualisht, fjalët me të cilat qe shprehur për shoqen udhëheqëse.
Ata duhej të kishin ndonjë qëllim e interes të veçantë, që indirekt para syve të policëve të pranishëm në sallë, të dëgjoheshin shpotitë, fjalori dhe vlerësimet e pista për këtë udhëheqëse të partisë, në mënyrë që këta police, pastaj t’i përhapnin nëpër shokët e tyre, e këto të merrnin dhenë. Ata e dinin se në këtë mënyrë, këto thënie, paçka se ishin shkrojtur edhe në akt-akuzë, do të merrnin jetë zyrtare po të dëgjoheshin në gjyq. Këto dy gjëra, ishin fajet e vërteta që kishin kryer dy nga të pesë vetët që po dënoheshin aty. Këto ishin vërtetë shkelje, por zor se e përligjnin dot tërë atë pompë e publicitet, ato masa sigurimi të papara ndonjëherë dhe ato dënime të renda.
Dëshmitarë në proçesin tim gjyqësor, nuk pati për asnjë problem. Ishin gjithsej katër inxhinierë dëshmitarë, sjellë aty në dëm të shokëve të tjerë, por ata nuk sollën absolutisht as gjë, që të mbështeste akuzat e bëra. Një inxhinier, e kishin thirrur vetëm për një konsideratë jo të mire, që ishte shprehur për aftësitë e një figure nga të udhëheqjes.
Një inxhinier tjetër, pjesëtar i grupit gjeologo-gjeofizik pranë firmës AGIP të Italisë, në vitin 1982, nuk tha pothuaj asgjë. Dëshmitari, i cili dridhej nga frika që e kishin sjellë aty e trembej, se mund të kishte ndonjë pasojë, meqenëse ishte minoritar grek, shprehu vetëm përshtypjen, se kur kish qenë në Itali, pat vënë re diçka, që nuk i ishte dukur normale.
– Unë -tha dëshmitari – vura re se Enrikoja dhe Mynyri, një ditë ishin si të mërzitur.
-Tjetër?
-Tjetër? Hiç. Mu dukën të dy pak si të verdhë në fytyrë.
Ky ishte i tërë deponimi i tij.
Kjo ish parashikuar të lidhej me skenarët që ndërtuan Enrikoja e Mynyri në hotel, por këto tashmë nuk vlenin fare, sepse vetë hetuesia, e rrëzoi aventurat e hotelit, duke ia kërkuar rekrutimin e shokëve tanë, jo në Itali, por shumë vite më parë, në Shqipëri. Hetuesia kish hequr hotelin, por kish harruar të hiqte dëshmitarin e përpunuar. Ja çfarë faktesh të turpshme e alogjike, paraqiste hetuesia në proçesin tonë!
Por ajo që e mbushi kupën e komunitetit të hetuesisë, ishte dëshmia që vinte më pas, e bërë nga një koleg, i cili ishte po ashtu pjesëtar, në këtë dërgatë specialistësh në Itali. Për inxhinierin seizmik Jorgji Lengu, ne kishim një opinion mjaft të mirë. Por pas dëshmisë që bëri atë ditë, mua më hyri edhe më shumë në zemër, për ndershmërinë e tij. Së paku atij i detyrohemi për të vetmet buzëqeshje, që na solli mbi fytyrat tona të hutuara.
Gjykatësi i kërkoi dëshmitarit Jorgji Lengu, të tregonte ndonjë gjë lidhur me Enrikon e Mynyrin dhe se çfarë pati vënë re ai, gjatë qëndrimit me grupin në Itali.
-“Shokë të trupit gjykues! – e nisi si hyrje dëshmitari. – Unë kam një cilësi: Syve të mi, nuk i shpëton asgjë dhe po pashë diçka, unë nuk e harroj kurrë”! Me këtë hyrje, unë mendova keq për të. U tremba mos ai qe përgatitur t’i groposte ndyrazi të dy të akuzuarit, sepse po e bënte edhe më bindëse, ngjarjen e sajuar nga i pari. Trupi gjykues po priste me kënaqësi vazhdimin e deponimit të tij, duke i vënë shpresat, të përcaktonin nëse ishin bërë apo jo spiunë këta dy inxhinierë, nga ngjyrat e fytyrave.
– “Na e përshkruaj me hollësi, çfarë pe dhe si e pe Enrikon dhe Mynyrin ato ditë që qëndruat në Itali, e sidomos ditën para se të ktheheshit për në Shqipëri”?- e nxitën ata dëshmitarin.
Në përgjigje, inxhinier Lengu vazhdoi dëshminë: “Zotërinj gjyqtarë, gjatë gjithë kohës që ishim si grup në Itali, ne kemi qëndruar bashkë dhe askush nuk është larguar apo ndarë veç për asnjë minutë. Me cilësinë që ju tregova në fillim, po ju them se nuk kam vënë re asgjë të ndryshme, në fytyrën apo sjelljen e këtyre të dyve. Po të kishin ndonjë ndryshim, e theksoj edhe një herë, syrit tim, ata nuk i shpëtonin! Ata ishin të qeshur e të gëzuar si gjithnjë dhe ngjyrën e fytyrës, nuk ua pashë ndryshe asnjëherë”!
Nuk besoj se kishte shuplakë më të fortë, për gjithë farsën e shëmtuar që po zhvillohej. Ishte dëshmia më e saktë, për të gjykuar punën boshe të ekipit të hetuesve. Por gjykatësit heshtën, siç heshtën për gjithë procesin e montuar hetimor, sepse të gjithë aty, zienin në kazanin e diktaturës.
Në përfundim, Gjykata e Lartë, brenda një kohe fare të shkurtër, me datë 10 janar 1987, shpalli dënimet, me akuzën; “për veprimtari armiqësore e sabotuese, në industrinë e naftës, me qëllim për të rrëzuar udhëheqjen e vendit dhe pushtetin popullor”. Masa e dënimit ishte maksimale për mua, të cilësuarin si kryetar i grupit: 25 vjet burgim politik; Enriko Veizit dhe Petrit Sadushit, u dhanë nga 23 vjet secilit; Мупуr Arapin e dënuan me 22 vjet burg dhe Luan Këlliçin me 18 vjet.
Turpi i hetuesisë, mbulohej me një turp tjetër, me atë të Gjykatës së Lartë. Gjykata vërtetoi tërësisht, tezën e praktikës së drejtësisë së organeve të shtetit komunist shqiptar. Vërtetoi se ajo ishte formale, se ajo nuk e pati zor të thoshte: “Mbani me shëndet kostumet që ju preu hetuesia dhe ua qepi prokuroria”! Dhe e gjithë kjo padrejtësi mbulohej me sloganin “ne emër të popullit”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016