Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon disa pjesë nga libri voluminoz autobiografik në dorëshkrim “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar” (kujtime nga xhehnemi) me autor, Kasem Hoxha me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim në SHBA që nga viti 1985, kur ai u arratis nga Shqipëria, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. E gjithë historia e trishtë dhe e dhimbshme e Kaso Hoxhës, që nga jeta dhe puna e vështirë në fshatin e tij në skajin më jugor të vendit, pakënaqësia ndaj regjimit dhe poezitë e para me karakter politik, si ranë ato në dorë të Sigurimit të Shtetit dhe kush ishin të afërmit e tij që e spiunuan, arrestimi në zyrën e Kryetarit të Këshillit Popullor të fshatit Markat, nga Sigurimi i Shtetit më 21 qershor të vitit 1973, hetuesia në Degën e Punëve të Brendshme të Sarandës, gjyqi ndaj tij dhe dënimi me 10 vite burg për “agjitacion e propagandë”, qëndrimi në “Kaushin” e Tiranës (Reparti 313), dhe të burgosurit që gjeti aty, dërgimi në Spaç e puna në atë kamp, me policët e oficerët kriminelë dhe të “butë”, bashkëvuajtësit e përshkrimi i “portreteve” të tyre me anët pozitive dhe negative, lirimi nga burgu dhe kthimi në fshat, arratisja në Greqi dhe qëndrimi në kampin e Llavros-it, fitimi i azilit politik për në SHBA-ve, korrespodenca me organizatën Amnesty International, e degës së Londrës, informacionet me të dhënat që u dërgonte për të burgosurit e Spaçit dhe regjimit komunist në Shqipëri, e deri tek krijimi i familjes së re dhe jeta e puna në atë vend të largët, me komunitetin çam të përçarë nga intrigat e njerëzve të Sigurimit të Shtetit nga Shqipëria që vepronin atje.
Pjesë nga libri në dorëshkrim, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, (kujtime nga xhehnemi) i autorit, Kasem Hoxha, dërguar prej tij ekskluzivisht për Memorie.al
Prolog
Lexues të dashur!
Mos ja vini veshin titullit që po ju paraqes, dua të them, se sikur mos të jeni të duruar për të lexuar këtë përmbledhje me kujtime, po të doni ta falni autorin, se stili i tij është i zbehtë, i pafrymëzuar përpara kësaj drame të madhe, të popullit tim, të kombit tim martir.
Personazhet e mi, nuk janë të krijuar nga fantazia ime, por janë njerëz të vërtetë, janë vëllezërit tuaj, baballarët tuaj, të afërmit tuaj. Ngjarjet nuk janë të trilluara, por reale e të jetuara. Ju do të bindeni vetë, vetëm pasi të keni lexuar këtë përmbledhje me kujtime. Ju do gjeni diçka nga jeta juaj, diçka të vërtetë nga jeta e baballarëve tuaj, e nënave tuaja, e vëllezërve tuaj, se si vuajtën se si vdiqën.
Këtë përmbledhje kujtimesh, e shkrova për amanetin që më lanë shokët, që bota të mësojë të vërtetën, se si u torturuan, si vuajtën, si vdiqën, njerëz të pafajshëm, nëpër kampet dhe burgjet e xhelatit, Enver Hoxha!
Unë shkoj me shpresë se cilido lexues, shqiptar ose i huaj, nuk më mbetet hatëri, nga kritika, rrahja e mendimeve të kundërta, pasi është mënyra më e mirë për të gjetur të vërtetën. Titulli i librit, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, do t’i zëmëroj lexuesit, por në fund, do arrij në konkluzion se kam të drejtë, ta quaj “Epokën 45-vjeçare të regjimit komunist satanik të Enver Hoxhës”: Të shëmtuar.
Unë, mjerisht, për fatin e keq që pata, pashë dhe jetova dramën e madhe që ndodhi përpara syve të mij. Nuk jam as poet dhe as gojëtar, do më duhet punë e madhe që t’i shpëtoj gabimeve letrare në këtë libër historik, që mund të frymëzojë poetët dhe shkrimtarët e ardhshëm, mbi tragjedinë e kohës sonë, të kohës më të zezë të kombit tim!
Zotërinj lexues, ju uroj të gjithëve të keni liri dhe paqe…!
Kaso Hoxha.
Llavrio, Greqi 1985
Në zyrën e Kryetarit të Këshillit, i lidhur me hekura
– “Jo’, ia ktheva, ‘nuk kam asgjë nga ato”.
– “Atëherë ne po shkojmë të bëjmë kontroll sipas ligjit të Kodit të Proçedurës Penale dhe vendimit të Prokurorisë. Unë, që ta marrësh vesh ti, jam Shef i ç’dukjes së Krimeve të Degës së Punëve të Brendshme, Sarandë, më quajnë Halit K…”, – tha duke i dhënë rëndësi vetes.
Unë s’doja të dija se kush ishte ky xhelat, më ziente koka, më dhembnin duart, më dhimbte shpirti. Isha i sigurt që ata dëgjonin diçka për të përpiluar akuzën time. Por më tepër isha i shqetësuar se do trembnin foshnjat, do i prishnin gjakun nanës.
Halit K…, që kryesonte këtë mision u dha urdhër Operativëve të Sigurimit dhe dy policëve të tjerë, të më ruanin mua sa të mbaronin kontrollin në shtëpi.
Halit K…, me dy Punëtorët Operativ, u nisën për tek shtëpia, dy policë të veshur me uniform ngjyrë blu të errët me shirita të kuq, hynë brenda në zyrë, ku isha unë i lidhur dhe më vështruan me urrejtje sikur të isha kriminel.
Kaluan më tepër se dy orë. Ndjeja një dhimbje të padurueshme, kur lëvizja gishtat. Policët bisedonin me njëri – tjetrin dhe herë pas here qeshnin, nuk e kuptoja përse?! Por me sa kuptova më vonë, ata bisedonin për mua, ndoshta që më shihnin të mbërthyer në hekura, ndoshta nga zhelet e mia gjithë arrna, që vareshin në trupin e dobësuar nga lodhja dhe uria, a ndoshta për opingat e mia copë. Unë isha shprehja apo mishërimi i “mirëqënies të socializmit të Enver Hoxhës”.
E kisha tretur vështrimin nga dritarja ku dukej sheshi para dyqaneve dhe lagja nga pusi i Qafës. Çdo gjë dukej e trembur e friksuar atë mëngjes. I shihja fshatarët në shesh të dyqanit që pëshpërisnin njëri me tjetrin, me siguri për ngjarjen e këtij mëngjesi, kurioz për të mësuar, se çfarë kishte ndodhur. Ora tetë e mëngjesit. Ata u kthyen triumfator, duke u zgërdhirë e qeshur. Halit K…, mbante në dorë disa fletore. Duke mu drejtuar mua më pyeti:
-“Janë të tuat këto shkrime”?
-“Po, të miat janë”! – ju përgjigja.
Ai urdhëroi një nga shoferat e “Xhip”-save (i cili quhej, Vangjel) të afronte “Xhips”-in pranë zyrës, njëkohësisht urdhëroi policët të më merrnin mua. Dy policë më mbërthyen nga krahët, më nxorën në oborr përpara sallës së Kulturës ku do të vinte “Xhip”-si të më mirrte.
Drita verbuese e diellit të mëngjesit më verboi dritën e syve, çdo gjë m’u duk e zezë, njerëzit, shtëpitë, pemët, qielli gjithçka.
Përse qanë ajo NANË?
Në vesh më kumbonte zëri i nanës që vajtonte në kopësht pas shtëpisë, nga dukej qëndra e fshatit. E ktheva kokën për të parë për të fundit herë, ajo mbante në dorë foshnjën 3 vjeçare, Luljeta e trembur, e kish mbërthyer gjyshen nga çitjanet, i mbante iso vajtimit të saj prekës, pa e kuptuar akoma se çfar gjëme e kishte gjetur. Vajtimi i nanës time, dëgjohej në gjithë fshatin. Një oiii… me ngashërim.
-“Oiii… Bir, ç’më gjeti korbën, ç’më gjeti të mjerën, ku më le or biri im…? ku i le foshnjat…? Ku e le nusen…? Bir oiii… ku ishte kjo ditë e zezë për mua kallogrenë…?!”
Mu drodh zemra, se mbajta dot veten, sytë mu mbushën me lot kur dëgjoja nanën time fatkeqe me të dy foshnjat që qanin.
Tek më futnin në “Xhip” policët, pashë Mejdon që rrinte tek arra pranë lapidarit me një velenxë dhe jastëk në dorë. Ajo qante, lotët i shkonin rrëke mbi faqe, ajo bëri të afrohej tek “Xhip”-si, por polici e ndaloi. Ata morën velenxon dhe jastëkun nga duart e saj, duke i thënë që të largohej. E pashë tek largohej me vështrimin mbërthyer tek “Xhip”-si ku isha unë i mbyllur. Halit K…, tërë qef i ulur në kolltukun e parë, qeshte, e krekosej. Të qeshurën ja pasonin të katër policët që ishin ulur në të dy krahët e mi. Atyre s’u bëhej vonë, nuk u therte zemra pse qante ajo nanë, pse qanin ato dy foshnja, pse qante ajo nuse?! Nëse bisha ka mëshirë kur shqyen viktimën e saj, aq mëshirë kishin edhe këto egërsira me shëmbëlltyrë njeriu.
Pas na ndiqte një “Xhip”-s tjetër me polic, Halit K… duhej të ishte plotësisht i sigurt, për të mos ndodhur diçka nga markaqotët kokëkrisur.
Në Qafë, e ktheva kokën edhe njëherë për të fiksuar këtë peisazh të zymtë të fshatit tim, në atë mëngjes të paharruar. Të dy “Xhip”-sat nxitonin poshtë të përpjetës plakotis. Gra të reja, të moshuara, nxitonin për në punë me shatin, drapërin, trastën me kotheren e bukës dhe paguren e ujit, ecin zbathur, këmbët e tyre gjithë kallo nuk donin t’ja dinin nga stralli i preftë i plakotis, i cili i prishte shpejt opingat. Kjo është arsyeja që këto gra, ecin zbathur me opinga ndën sqetull, pasi u duhej të punoje 15 ditë, që të blije një palë opinga llastiku.
Ato ishin nëna me fëmijë, dielli i qershorit i kishte rreshkur fytyrat e tyre, lodhja dhe uria i kishte dobësuar, dukeshin të vrara shpirtërisht, rrudhat e shumta në ballë, flasin për halle të mëdha, këto krijesa janë shpërfytyruar, kanë humbur çdo tipar femëror, nga vuajtja e punës të rëndë fizike. Nuk ka krim më të madh që të lodhësh dhe të torturosh nënën. Nëna është burim i jetës, duan të lindin dhe të rritin fëmijë të shëndetshëm dhe jo rakitikë. Enver Hoxha fliste gjithnjë për emancipimin e gruas, por sipas tij, emancipim do të thotë skllavëri të gruas.
Duke jetuar nga afër këtë gjendje të mjeruar të popullit, më vlonte në shpirt urrejtja për regjimin e Enver Hoxhës, është kjo arsyeja që në verën e vitit 1972, pas vdekjes së babait tim, s’durova dot më. (Ai mundohej aq shumë, sillte çdo ditë 50 kg. dru në kurriz, për të pasur pak zjarr në dimër). Kjo ishte dhe arsyeja që atij t’i plaste dhjami, (është një operacion i lehtë për t’i shpëtuar jetën, por infermjeri i fshatit dhe Partia e Enverit, as që e çanin kokën. Babai im ishte dy ditë në dhimbje të mëdha dhe vdiq. E ndjeva shumë humbjen e tij, pas dy ditëve shkrova vargjet, “Të urrej”.
Të dy “Xhip”-sat kaluan me shpejtësi e tek depot e kooperativës (kotecët) duke ngritur një re të madhe pluhuri nga mbrapa dhe fshatarët kuptuan se diçka e keqe kishte ndodhur. Të shqetësuar vështronin “Xhip”-sat që nxitonin për të dalë në rrugën kryesore, vendi i quajtur Gojdor, në anën e përtejme të lumit, në afërsi të fshatit Vagalat. Fshatarët e Vagalatit, nxitonin për në punë shumica e tyre. Gra dhe vajza të reja, ato nuk e linin që këtë kohë t’i ikte kot, kështu deri sa të arrinin tek vendi i punës, dikush thurte triko, dikush tirrte lesh.
-“Është fushatë e korrjeve’, – u tha shefi vartësve të tij, ‘sipas raportimeve, deri tani ka rendimente të larta. Partia Lufton që të sigurojë bukën në vend”, – vazhdoi bisedën Halit K….
-Unë as doja të dija se çfar po ndodhte, apo do të ndodhte. Dhembja e duarve të mpira nga hekurat e shtërnguara jashtë mase, bëheshin të padurueshme. Halit K…, i dha urdhër shoferit të ndalonte “Xhip”-sin, në mes të lumit, atje ku kishte shumë ujë.
-“Këtu jemi freskët’,- u tha shefi policëve,- ‘do hamë nga një kafshatë, se po na bije të fikët. Kam qysh dje në darkë pa vënë gjë në gojë, ky armik i qelbur na la pa gjumë dhe pa ngrenë. Me dorën time do e vras, këtë palo-qen, por nuk më lejon ligji”, – u shpreh me urrejtje ai bark-madh.
Ai hapi një pako të mbështjellë me gazetë, u dha nga një copë bukë me djath kaçkavall, policëve dhe shoferit.
Ata filluan të përtypeshin, nuk e di pse pata neps nga buka e bardhë e grurit që hanin ata?! Ndoshta ky neps ishte pse unë s’e kisha shijuar kurrë atë lloj buke, që mua më dukej aq e shijshme, vetëm nga aroma që lëshonte. Ndiqja me sy çdo kafshatë që ata fusnin në gojë. Fytyrat e tyre me dukeshin pa gjak, kufomat e tyre pa shpirt. Ata të veshur mirë, e unë me zhele, ata të shëndetshëm, e unë i reshkur, i tretur, ata të gëzuar, unë i dëshpëruar. Ata do të ktheheshin në mbrëmje pranë familjeve, unë si mos më keq, familja ime do mblidhej pranë vatrës duke qarë, pa baba. Askush nuk i ngushëllon të pushonin së qari, që t’i ruajnë ata lot për një ditë më të zezë. Fshati, njerëzia, akoma nuk e dinë se përse qan ajo nënë, përse qajnë ato foshnja, përse qan ajo nuse…?!
Në “folenë e grerëzave”
Pas një ore udhëtim në rrugën e pa asfaltuar Vagalat – Sarandë, dolëm në Qafë të Gjashtës, aty në atë vend ku të shfaqet papritur gjiri i detit, gjithë qyteti i Sarandës në pjertësinë shkëmbore të malit të zhveshur. Ishte kënaqësia ime më e madhe, kur unë shkoja në Sarandë në ndonjë rast, më pëlqente ky pejsazh piktoresk, por kësaj here jo, as doja të dija se ekzistonte.
Kësaj here Sarandës unë i shkoja me zhelet gjithë arrna, me pranga në duar, i mërzitur. “Xhip”-si i ra borisë kur hyri në qytet, u ndal përpara derës së një godine trekatëshe ngjyrë portokalli. Kjo ishte Dega e Punëve të Brendshme. Sa herë vija në Sarandë, nuk e di pse, kisha frikë të shkoja para derës së kësaj shtëpie.
Haliti (Shefi i Zhdukjes së Krimeve), zbriti dhe u dha urdhër policëve, të më merrnin. Ata hapën derën, më mbërthyen nga krahët duke më zvarritur, më futën në korridorin e kësaj shtëpie të mbushur me policë dhe ushtarakë. Haliti i urdhëroi të më futnin në dhomën e oficerit të rojës, i cili ishte i ulur në karike dhe me dikë bisedonte në telefon, por edhe pse më vuri re, as e preu bisedën. Rrija në këmbë, vështroja me vëmendje ambientin e brendshëm të kësaj “foleje grerëzash”, që mbante një erë të rëndë nga mungesa e pastërtisë.
Në murin përballë derës, ishte e varur një fotografi e madhe e Enver Hoxhës, kurse në anën tjetër, fotografitë e anëtarëve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror, me një fjalë, të katër muret e kësaj zyre ishin të mbushura me fotografi nga jeta e Enver Hoxhës dhe parulla e citate të tij. Me gërma të mëdha, në vend të dukshëm, më ra në sy parulla “Vigjilencë, Punë, Kalitje Fizike” dhe “Armiku më i rrezikshëm është ai që harrohet”, etj., etj.
Haliti, ndaloi pas një dere që nuk kishte as numër e as tabelë. Trokiti…, e trokitura e tij m’u duk me frikë. Edhe ky burrë, mendova, trembet përpara eprorit të tij?! Sa keq është ndërtuar, çdo gjë në këtë sistem mbështetet mbi gënjeshtrën, frikën, servilizmin, që nga poshtë deri tek Enver Hoxha!
Një zë i trashë u dëgjua nga brenda dhe u përgjigj. Haliti hapi derën, ai më shtyu mua sikur të isha rob lufte.
Dy burra të thyer në moshë, rrinin të ulur përpara tyre, në një tavolinë të gjatë e të ngarkuar me dosje që zinte pjesën më të madhe të kësaj zyre. Era e freskët hynte nga dritarja e hapur karshi detit. Përtej kaltërsisë në horizont, dukej ishulli i Korfuzit. Ah…! sikur të isha zog, mendova, të fluturoja nga dritarja, t’u shpëtoja nga kthetrat e këtyre bishave, nuk e di pse mu duk aq afër ky ishull, në beton e në liri…?! Të dy burrat më vërenin me kureshtje.
-“Ai është Kryetari i Degës”, – më thotë Haliti duke më treguar burrin që ishte ulur, në krye të tavolinës, – shoku Bajram M…, kurse shoku tjetër, Abaz B…, kryeprokurori i rrethit. “Trego të vërtetën çfarë ke bërë”, – vazhdoi Haliti.
Të dy burrat ishin të veshur mirë me gravata, ishin njerëz të rehatit e të qejfeve, në duart e tyre s’kishte kallo. Kryetari e urdhëroi Halitin të më hiqnin hekurat nga duart, tashmë të mpira e të nxira. Ai ç’fleton dosjen me materiale që Haliti i gjeti në shtëpi gjatë kontrollit që bëri.
-“Qënke djalë i ri mor ditë prerë, kush të shtyu në këtë rrugë armiqësore”? – pyeti Bajrami.
-“Hajde na dëfto sa s’është vonë”! – bërtiti!
-“Ky është shteti i Enver Hoxhës’, – ndërhyri Abaz B… (kryeprokurori i rrethit) që deri atëherë s’kishte folur, – ‘që kanë thyer kokën të gjithë armiqtë e popullit. Hape barkun, trego të vërtetën Partisë, do ta kesh më të lehtë dënimin” – tha duke marr një letër nga materialet që lexonte Bajrami, në atë fletushkë që ishte shkruar me gërma të mëdha: “Vite të rinj, ditë të zeza”.
-“Hajde, hape gojën, mos më rri si mumje! Fol për veprimtarinë tënde, për shokët e çdo gjë që di, mos na humb kohën”, – bërtiti Kryetari i Degës, Bajram M…. Çdo të thuash me këto fjalë “ditë të zeza”?!
-“Për çfarë të flas shoku Kryetar”, – ju përgjigja me ndroje. Por më ndërpreu duke bërtitur.
-“Më drejtohesh me fjalën ‘shok’: Zagar, këlysh armiku. Ti je armik dhe armiqtë e kanë vendin në kosh të plehrave. Fol për veprimtarinë tënde armiqësore ndaj pushtetit popullor”.
-Unë isha si i paralizuar, nuk kisha sesi t’ju a shpjegoja?
-“Hajde, mos u shty sikur nuk di gjë”, – ndërhyri Prokurori Abaz B…
-“Ju doni të dini për mjerimin, fukarallëkun, urinë, vuajtjet e mija dhe të familjes sime, zotëri…”?!
-“Mbylle! Nuk vuan njeri në shtetin tonë”, – më ndërpreu duke u ngritur në këmbë nga inati.
-“Na fol për ato që ke shkruar, kush të nxiti”?!
-“Ato që ju thashë më parë zotëri! Vuajtja më nxiti”, i’a ktheva me gjysëm zëri.
-“Ky nuk ka ndërmend të flasë, tregohet tepër kokëfortë”, – duke i’u drejtuar Halitit, e urdhëroi: “Merre, Merre, çoje poshtë, dhe e di vetë”.
Haliti, më rrëmbeu nga krahët me tërë forcën e tij, m’i shtrëngoi të dy krahët nga mbrapa, më futi hekurat që i shtrëngoi deri në vidhën e fundit. Ai më shtyu nëpër shkallët që të çonin në bodrumin e Degës, murmëriste nëpër dhëmbë: – “Ta rregulloj unë qejfin, të bëj unë të tregosh, mos ki gajle”.
-“Ku është Beqo Sulua”? – pyeti oficerin e rojës që nuk kishte lëvizur fare nga vendi.
-“Besoj se poshtë do të jetë”, – ja ktheu.
-“Foli të vij lart”! – e urdhëroi Haliti. Ai u ngrit, hapi sportelin e vogël në atë derë të hekurt, i foli Beqos, zëri i tij jehoi sikur të ishte në fund të një sterre. Oficeri i rojes e hapi derën e hekurt, një polic i veshur me rroba blu të errët, u shfaq në korridor. Me siguri ky ishte Beqo Sulua, gardiani i qelive të burgut të Degës së Brendshme të Sarandës, burrë i lart në trup, i shëndoshë me sy të kërcyer, të skuqur jashtë mase, besoj të sëmurë, ai përdridhte në dorë një tufë me çelësa.
-“Merre këtë, dhe ashtu siç të kam thënë, mos harro”! – e urdhëroi Haliti, Beqon.
Qelia Nr. 4,
Sarandë, korrik, 1973
Lamtumirë!
“Errësira më mbulon, si qefin i zi/
Dergjem në dhëmbje pa shpresë/
Lamtumirë! O e dhunuar jetë, o njerëzi/
Më s’më ngre shpirti, vdekjen pres”
Kaso Hoxha, Sarandë 1973
I gdhenda në mendjen time këto vargje në qelinë Nr. 4, ishin momentet më të vështira të jetës sime. Lavdi Zotit, që më dha kurajo të përballoja këto llahtar.
Sarandë, Biruca Nr. 4
Ishte ora 10 mëngjesit, “Xhip”-si që më sillte nga Markati, qëndroi përpara derës së Degës të Punëve të Brendshme. Të dy policët që më shoqëronin, bashkë me dy Operativët e Sigurimit, Halit K… dhe Niko Zh…, të kënaqur nga suksesi në misionin e tyre për arrestimin tim, zgërdhiheshin dhe qeshnin, në të njëjtën kohë që zemra ime dhimbte, pikonte gjak për dhembjen e madhe shpirtërore të dy foshnjave dhe nanës time që qanin, derdhnin lot nga dhembja e humbjes time të madhe, foshnjat humbnin për jetë atë njeri që do i përkëdhelte, puthte dhe sillte copën e bukës të qelbur të komunizmit.
Unë i lidhur, me duar pas shpine, prisja, duart ishin mpirë nga mos qarkullimi i gjakut, dhimbshin aq shumë, por nuk doja të jepesha nga kjo dhimbje fizike. Dhimbja më e madhe ishte ajo që më ther thellë në shpirt, vuajtjen e nanës me të dy foshnjat nga cepi i kopshtit, vajtim që e dëgjoi gjithë fshati. Vuajtja që e ngriu atë botë të vogël për rreth, zhurma monotone e fshatit atë mëngjes të 21 qershorit 1973, ngriu, asnjë cicërim zogu, asnjë blegërimë bagëtie edhe gurët qajnë për dhimbjen e kësaj plake.
Policët më tërhoqën nga krahët duke më shtyrë të dilja nga “Xhip”-si. Një grup policësh e bark-mëdhenj, ca me mustaqe, prisnin tek dera. Të gjithë zgërdhiheshin të kënaqur për arrestimin tim, u mori shumë kohë të hapje një derë, që të çonte në bodrumin e asaj ndërtese, ose më mirë të them në atë “fole grerëzash”.
Zbrita shkallët në atë bodrum të zi, një polic mundohej të hapte derën e qelisë, ishte aq errësirë, sa polici nuk gjente dot vrimën e derës. E hapi atë derë të rëndë të birucës Nr. 4, me një zhurmë gërvishëse. Më shtynë brenda atyre mureve të ftohtë, pa m’i hequr prangat dhe duart më dhimbnin shumë. E pashë veten në fund të ferrit, më rrethonte errësira në fund të kësaj qelie pa dritare, dimensionet afërsisht 2 metra e gjatë dhe 1.5 metra e gjerë, lartësia mund të ishte më tepër se 4 metra. Mbi derën e rëndë, afërsisht 1.5 metra, ishte një vrimë e mbuluar me skarë të hekurt ku kish një llambë të zbehtë që e ndiznin dhe e fiknin policët nga jashtë. Errësira ishte një forme torture, torturë psikologjike.
-“Nuk të heqim hekurat, as dritën nuk ta ndezim”! – më tha polici që nuk ja dija emrin.
-“Kur të vendosësh të rrëfehesh, trokit në derë dhe thuaji policit të shërbimit, se do të flasësh me hetuesit. More vesh”, përsëriti xhahili dhe e mbylli derën e rëndë me inat./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016