Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë dhe ngjarjen të dëshmuara nga ish-truproja e Enver Hoxhës, Qazim Malaj me origjinë nga fshati Tërbaç i Vlorës, i cili që në vitin 1943 u caktua nga Hysni Kapo për të shërbyer pranë “Komandantit”, të cilit i shpëtoi jetën nga një oficer gjerman, që mbahej pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe tentoi të hynte me një armë automatike në dhomën ku flinin Enveri, Spiro Moisiu e gjithë anëtarët e tjerë të Shtabit.
Mirënjohja e Enverit për “trimin e Tërbaçit” që i shpëtoi jetën, që e mbajti komandant të rojeve të tij, deri në vitin 1974, kur doli në pension, i cili dëshmon për disa nga ngjarjet më të vështira, që ka kaluar “Komandanti”, që nga periudha e Koci Xoxes, që tentoi ta eliminonte fizikisht, ajo me nëndetëset e Bazës së Pashalimanit në vitin 1961, ku ai pasi morri telegramin që ia dërgonte Beqir Balluku, nga mbledhja e Traktatit të Varshavës dhe u ngrit në orët e vona të natës, duke i bërtitur Hysni Kapos dhe Ramiz Alisë, që të shkonin urgjent në Vlorë, etj., e deri te ngjarja e vitit 1974, kur u dënua Todi Lubonja e Fadil Paçrami dhe Ramizi, erdhi dhe i’u ul në gjunjë Nexhmijes duke I’u lutur që ta falte Enveri…?!
Zoti Qazim, kur shkuat për herë të parë pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe si e kujtoni takimin me Enver Hoxhën?
Pranë Shtabit të Përgjithshëm unë shkova në fillimin e dhjetorit të vitit 1943 dhe në atë kohë Shtabi ndodhej në fshatin Panarit të rrethit të Korçës. Në atë kohë që unë shkova në Panarit, Enver Hoxha nuk ndodhej aty, pasi ai bashkë me disa shokë të tjerë të Shtabit, ishte i rrethuar nga gjermanët, diku në krahinën e Martaneshit.
Me kë u takuat në Shtabin e Përgjithshëm dhe kush ishte njeriu që komandonte aty?
Që atë ditë që unë u paraqita pranë Shtabit, u takova me Spiro Moisiun, që ishte Komandant i Përgjithshëm, i cili më priti shumë mirë dhe pasi më komunikoi detyrën e përgjegjësit të rojeve, më shpjegoi gjithçka, që unë do të bëja gjatë kryerjes së detyrës sime. Aty në Shtab, komandonte vetëm Spiro Moisiu dhe të gjithë i bindeshin urdhrave të tij?
Edhe Enver Hoxhën e komandonte Spiro Moisiu?
Po, edhe Enver Hoxhën e komandonte Spiro Moisiu, sepse ai ishte Komandant i Përgjithshëm dhe ishte i vetmi, që merrte vesh nga punët e ushtrisë, pasi kishte qenë ushtarak i karrierës, gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut. Enver Hoxha ishte pranë Shtabit, por ai në atë kohë përgjigjej vetëm për punët politike dhe jo ato ushtarake, për të cilat ishte kompetent dhe urdhëronte vetëm Spiro Moisiu.
Si e kujtoni takimin e parë me Enver Hoxhën?
Siç thashë më lart, me Enverin u takova disa kohë pasi unë vajta pranë Shtabit, kur ai u kthye nga zona e Martaneshit, ku kishte qenë i rrethuar me disa shokë të tjerë. Kur u takuam ai më pyeti se nga isha dhe kur unë i thashë nga Tërbaçi, atij i ndriti fytyra dhe më tha: “Qenke nga fshati i Hysni Kapos”. Gjatë asaj bisede ai më tërhoqi vërejtjen, se pse unë isha martuar aq shpejt dhe unë iu përgjigja se: më kishte detyruar babai. Më pas më tha të vija tre rasa guri, të cilat ai i qëlloi të tria me revolver. Pasi i qëlloi vetë, më tha të qëlloja dhe unë dhe ai qeshi, kur unë qëllova vetëm dy herë, duke më thënë se ma kishte kaluar.
Çfarë kujtoni nga ajo kohë kur ishit pranë Shtabit të Përgjithshëm?
Një nga ngjarjet më të vështira që kam kaluar unë në atë kohë, ka qenë ajo me oficerin zbulues gjerman, i cili erdhi pranë Shtabit kur ishim në Panarit, pak kohë më pas, ishim larguar nga Helmësi ku u bënë bisedime me gjeneralin gjerman.
Përse erdhi oficeri gjerman pranë Shtabit dhe me kë u takua aty?
Nga shkurti i vitit 1944, kur Shtabi i Përgjithshëm ndodhej në fshatin Helmës të Skraparit, Spiro Moisiu dhe Enver Hoxha na njoftuan, që të merrnim masa për të pritur një gjeneral gjerman dhe dy oficerët e tjerë shoqërues të tij, që do të vinin aty për bisedime. Pasi ata të tre erdhën dhe zhvilluan bisedime për disa orë me Spiro Moisiun, Enver Hoxhën dhe anëtarët e tjerë të Shtabit, për nder të tyre u shtrua një darkë dhe të nesërmen në mëngjes, ata u larguan nga kishin ardhur të shoqëruar nga rojet partizane. Një ditë pasi u larguan ata, Spiro Moisiu dha urdhër që Shtabi të zhvendosej nga Helmësi, për në fshatin Panarit të Korçës, pasi kishte dyshime se gjermanët do të bombardonin fshatin, pasi e kishin mësuar vend ndodhjen e tij.
A bombarduan gjermanët?
Po që atë ditë gjermanët bombarduan me aviacion dhe artileri, por ne nuk pësuam dëme, pasi ishim larguar që andej. Nga muaji mars i vitit 1944, pranë Brigadës së Pestë Sulmuese, që ndodhej në fshatin Rradhimë të Vlorës, u dorëzuan vullnetarisht një oficer gjerman dhe një tjetër me origjinë çeke. Pasi u çuan pranë Shtabit të Brigadës së Pestë, ata deklaruan se kishin dëshirë, që të qëndronin pranë forcave partizane, por ngulën këmbë që në fillim që t’u krijohej mundësia, për të biseduar me udhëheqjen e lartë të Shtabit të Përgjithshëm. Pas kësaj, ata u lejuan dhe në fillimin e prillit të vitit 1944, ata erdhën pranë Shtabit, që ndodhej në fshatin Panarit të Korçës.
Për ç’arsye e mbajtën oficerin gjerman pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe si qëndronte e vërteta e dorëzimit të tij vullnetar pranë Brigadës së Pestë?
Siç thashë më sipër, pasi ai oficer gjerman, bashkë me kolegun e tij që thuhej se ishte me origjinë çeke, u dorëzuan në Brigadën e Pestë, ata kërkuan me ngulm, që të takoheshin me krerët e Shtabit të Përgjithshëm. Në të vërtetë ata të dy nuk ishin thjesht robër lufte, por dorëzimi i tyre ishte një lojë e ‘zbulimit gjerman’, për të cilën do të flas më poshtë. Shtabi e pranoi kërkesën e tyre dhe i lejoi të vinin. Unë nuk e di se ç’kanë biseduar ata, me udhëheqjen e lartë partizane të kryesuar nga Spiro Moisiu dhe Enver Hoxha, por në atë kohë, ishte si rregull lufte, që robërit i mbanin edhe për t’i shkëmbyer më vonë. Kjo ndoshta ishte dhe arsyeja, që ai u mbajt pranë Shtabit.
Të dy oficerët robër i mbajtën pranë Shtabit?
Jo, vetëm oficeri gjerman u mbajt pranë Shtabit, sepse oficeri çek që thonin se ishte përkthyes i tij dhe dinte disa gjuhë të huaja, nuk u mbajt dhe e larguan për diku tjetër”.
Sa qëndroi ai oficer pranë Shtabit dhe si u trajtua aty?
Oficeri gjerman u mbajt pranë Shtabit të Përgjithshëm, deri ditën që desh na bëri gjëmën dhe gjatë gjithë atyre ditëve, ai u trajtua shumë mirë. Atë e mbanim me roje në një dhomë të katit të parë të shtëpisë, ku ishte vendosur Shtabi në Panarit dhe ushqimi që i çoja unë, ishte njëlloj si i gjithë anëtarëve të Shtabit.
Çfarë gjëme desh bëri ai dhe ç’ishte në të vërtetë ai oficer gjerman?
Siç thashë më sipër, ai oficer nuk ishte thjesht një rob lufte, por ai ishte një major i zbulimit gjerman dhe dorëzimi i tij, ishte një lojë e tyre me qëllim që të zbulonin vend ndodhjen e Shtabit dhe gjithçka tjetër, që mund t’ju duhej. Këto gjëra nuk diheshin që në fillim, por dyshime kishte për të, prandaj e mbanim duke e ruajtur me roje. Pas dhjetë ditëve nga ardhja e tij pranë Shtabit, nga mesnata e datës 20 prill të vitit 1944, unë dëgjova zëra dhe kur u çova për të parë, se ç’ishte ajo zhurmë, roja partizane që ruante gjermanin, më njoftoi se ai diçka kërkonte. Unë e pyeta duke i folur në italisht, se mos kishte ndonjë nevojë dhe ai m’u përgjigj, se kishte dhimbje të forta barku e donte të dilte në banjë. Unë i thashë se ushqimin ia kisha dhënë njëlloj si të Shtabit dhe s’kishte mundësi, që dhimbjet t’i kishte nga ushqimi i prishur dhe i fola të vinte pas meje, për të shkuar në WC-në, që ishte në fund të korridorit të katit të parë. Ndërsa unë e shoqërova dhe isha duke pritur, që ai të dilte që andej, ai më qëlloi papandehur me katruven e ujit në kokë, e unë rashë menjëherë përdhe. Ai m’u hodh përsipër dhe kërkonte që të më rrëmbente armën, por unë nuk e lëshoja dhe për disa minuta u kacafytëm të dy. Ndonëse unë e godita atë disa herë me grusht ashtu fshatarçe në kokë, ai nuk pyeste se ishte shumë i fuqishëm dhe në një moment, u çua dhe rrëmbeu një automatik, që e kishte lënë aty të varur Ymer Dishnica. Pasi rrëmbeu automatikun ai u kthye mbrapsht dhe bëri të ngjiste shkallët, për në katin e dytë ku ishin duke fjetur Enver Hoxha, Spiro Moisiu dhe gjithë anëtarët e tjerë të Shtabit, që kishin pasur një mbledhje deri nga ora tre e natës. Ndërkohë që ai bëri të ngjiste shkallët, unë ashtu siç isha i mbytur në gjak, mblodha forcat dhe iu hodha në grykë, duke e tërhequr poshtë shkallëve në korridor. Ndonëse e vura njëherë poshtë, ai më shpëtoi përsëri nga duart dhe teksa largohej ngriti automatikun të qëllonte drejt meje. Po kështu dhe unë i drejtova pushkën dhe të dy njëkohësisht qëlluam njëri-tjetrin. Plumbat e tij më goditën shkarazi në kokë, kurse unë e qëllova drejt e në trup, e ndërkohë që ai qëndronte akoma në këmbë, unë ia afrova dhe e godita më pushkë në kokë. Ndërsa pushka u thye në dysh dhe ai u shemb përtokë, me trutë që i dolën jashtë kafkës së çarë, sipër shkallëve doli Enver Hoxha me një revole në dorë dhe tha: “Ç’është kështu o Qazim?”.
Ç’u bë më pas?
Pas Enverit, aty dolën dhe të gjithë anëtarët e tjerë të Shtabit dhe më pyetën se ç’kishte ngjarë. Ndërsa unë u shpjegova ngjarjen, rojet e tjera partizane morën trupin e oficerit gjerman dhe e nxorën jashtë shtëpisë. Të nesërmen, pasi Spiro Moisiu mblodhi gjithë Shtabin, Enver Hoxha më falenderoi në emër të tyre, duke më thënë: “Bravo o burrë i Tërbaçit, që na shpëtove jetën”. Pastaj ai më dhuroi një revolver dhe një automatik e duke qeshur më tha: “Po t’i dhuroj këto, që të vrasësh çdo gjerman që të dalë përpara.
Ky ishte arsyeja që Enveri të mbajti përsëri roje pranë Shtabit?
Që atë ditë Enveri më tha që të mos ndahesha më prej tij dhe më mbajti aty pranë Shtabit, si përgjegjës të rojeve, duke më caktuar edhe detyra të tjera speciale. Njëra prej tyre ishte përcjellja e Dushan Mugoshës, për në Jugosllavi. Kur ma ngarkoi atë detyrë, ai më tha që të zgjidhja dhe shokët e tjerë, pasi ai mision ishte me rëndësi dhe do zgjaste shumë. Para se të niseshim, ai më dha një shumë parash, që do na duheshin për rrugës. Unë me tre shokë të tjerë e përcollëm Dushanin, deri afër Beogradit dhe aty erdhi dhe e mori një avion, që kishte dërguar Titoja. Rrugën deri afër Beogradit e bëmë për tre muaj, duke ecur në këmbë vend e pa vend. Kur erdhëm në Gjakovë, u lidhëm me Radio me Shtabin dhe Enveri na urdhëroi, që të qëndronim aty, deri sa të qetësohej situata. Më pas Sadik Bekteshi më njoftoi se isha ngarkuar me detyrën e komandantit, të një çete me partizanë kosovarë.
Sa kohë qëndruat në Gjakovë?
Në krye të asaj çete unë qëndrova deri në tetorin e vitit 1944, kur gjatë një prite që i bëmë një autokolone gjermane, zura rob tre femra naziste. Në atë kohë Enveri më njoftoi, të kthehesha në Shtab dhe unë u ktheva në Berat, ku ai më tha që do të vazhdoja detyrën që kisha pasur aty. Kur erdhëm në Tiranë me Qeverinë provizore, unë u caktova me detyrën e komandantit të kompanisë në Gardën e Republikës, për ruajtjen e personaliteteve të larta. Qëndrova deri në vitin 1946-të kur më hoqën me urdhrin e Koçi Xoxes dhe më çuan në një Repart të Ndjekjes, kundra kriminelëve andej nga Mirdita. Po kështu në atë kohë hoqën edhe Axhem Abazin nga detyra e Komandantit të Gardës dhe Axhemin unë e shpëtova nga vdekja, se ai ishte planifikuar për t’u vrarë.
Si e shpëtuat?
Në atë kohë takova Nebi Malajn, që ishte komandant i një reparti të Forcave të Ndjekjes dhe ai më tha se i kishte ardhur urdhri që të pushkatohej Axhem Abazi. Unë i thashë që të mos e pushkatonte, por ta mbante aty si korrier. Pas kësaj ai nuk e pushkatoi dhe e mbajti aty me vete.
Kush i jepte këto urdhra?
Koci Xoxe, ai i jepte. Ai më çoi me Repartet e Ndjekjes, që të më vrisnin dhe mua. Në atë kohë kur unë isha roje tek Enveri, u bë një mbledhje deri në tre të natës dhe aty të gjithë mbështetën Koçin, ndërsa Enveri mbeti vetëm. Pas kësaj Koçi u bë fuqiplotë dhe bënte si deshte. Pasi nuk më eliminuan dot kur isha me ndjekjen, në 1947-ën më çuan në Elbasan dhe aty më kurdisën një plan për të më vrarë, kur do bëhej kolaudimi i armëve.
Si shpëtuat?
Unë e kuptova dhe munda të shpëtoja i gjallë. Pas asaj i kërkova Mehmet Mulosmanit, që e kisha pasur shok gjatë Luftës dhe ai më lejoi të vija në Tiranë për të vazhduar Shkollën e Bashkuar të Oficerëve. Plani për vrasjen time u dëshmua nga vetë personi që ishte ngarkuar për këtë, në vitin 1949-të kur u godit Koci Xoxe.
Pasi mbarove Shkollën e Bashkuar ku u caktove”.
Në vitin 1950-të, kur unë isha duke mbaruar shkollën, më takoi Haxhi Lleshi që ishte shef i Kuadrit i Ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe më tha se më kërkonte Enver Hoxha, që të punoja atje. Unë i thashë se do shkoja menjëherë sa të mbaroja shkollën dhe ashtu bëra. Në vitin 1950-të, shkova përsëri tek Enver Hoxha me detyrën e përgjegjësit të rojeve dhe zyrën e kisha në katin e parë të vilës së tij. Jo vetëm kaq. Në vitin 1947-të kur unë u sëmura, nga plaga e plumbit që kisha marrë në kokë, Enver Hoxha më mori me vete gjatë vizitës që bëri në Moskë.
Ajo ishte vizitë zyrtare?
Jo, Enveri aty shkoi me familjen për pushime, por me vete kishte marrë dhe shoqëruesit, berberin, kuzhinierin e ndonjë tjetër. Kur shkuam në Moskë, Enveri më caktoi në një hotel luksoz dhe aty thirri një nga mjekët më të mirë të udhëheqjes sovjetike, të cilit i tha të më shtronte në një klinikë të tyre. Mjeku rus i tha se ishte e vështirë, pasi shtrimi për një vit, që më nevojitej mua, kushtonte shumë. Enveri i tha: “Më shumë se njeriu nuk kushton asgjë, të bëjë sa të bëjë, Qazimi duhet të shërohet. Më pas, Enveri deshi të më merrte me vete, në vilën ku do kalonte pushimet në Soç, por unë nuk pranova dhe u ktheva në Shqipëri, ku mjeku sovjetik më dërgoi kurën e ilaçeve. Pasi u shërova, unë punova pranë Enver Hoxhës, deri në vitin 1974 kur dola në pension.
A ke kaluar ndonjë moment të vështirë gjatë atyre viteve që keni shërbyer pranë Enver Hoxhës?
Po ka pasur momente të vështira, më kujtohet një rast në vitin 1961, kur nga ora 03 e natës, më mori në telefon ministri i Jashtëm, Behar Shtylla. Ai më tha se kishte ardhur një radiogram nga Beqir Balluku, që ishte në një mbledhje në Traktatin e Varshavës dhe ajo letër i duhej dhënë sa më parë, Enver Hoxhës në dorë. Unë i thashë Beharit se ajo punë nuk bëhej dot, sepse Enveri ishte në gjumë dhe ne nuk e merrnim dot në telefon, sepse nuk kishim linjë. Vetëm ai mund të na merrte për porosi të ndryshme. Pas kësaj, Behari më tha: “Dëgjo Qazim, po nuk i shkoi ajo letër në dorë Enverit për disa minuta, neve të dy nesër na hidhen hekurat, e ndoshta dhe më keq”.
Si vepruat pas kësaj që iu tha Behari?
Në dhomën sipër nesh, flinte një grua gjirokastrite e quajtur Boni, e cila kujdesej për fëmijët e Enverit. Unë e zgjova atë dhe ia dhashë letrën, duke i thënë të gjente një mundësi e të fliste me Nexhmijen. Ndërkohë që po prisja, Behari mori përsëri në telefon, për të pyetur se ç’po bënim. Pas kësaj unë i fola përsëri Bonit dhe ajo mori në telefon Nexhmijen, e cila shkoi e ia dha letrën Enverit. Pas pak Enveri doli në krye të shkallëve duke bërtitur, dhe më tha mua, se ku kishte qëndruar deri në atë kohë ai radiogram. Unë e mblodha veten dhe i thashë: “Shoku Enver, ajo letër ka qëndruar tek ty dhe unë e kam shënuar aty orën kur ka ardhur. Pas kësaj ai filloi të bërtiste akoma dhe më shumë dhe qëlloi me grusht dy xhama të dritareve, duke i thyer ato. Ndërkohë aty mbërritën Hysni Kapo me Ramiz Alinë, por Enveri i ktheu mbrapsht, duke iu bërtitur: “Shpejt në Vlorë, në Karaburun, shpejt, shpejt tek nëndetëset…”. Pas kësaj, ai u kthye në zyrën e tij dhe aty ku ishim ne dëgjohej zëri i tij, që thoshte në telefon: “Sazani, Karaburuni, të gjitha mjetet shpejt në det. Të mbroni me çdo kusht nëndetëset”. Pas tre ditëve, Enveri më thirri në zyrë dhe më tha: “Bravo të qoftë o burri i Tërbaçit që më tregove të drejtën”, dhe më mori në qafë.
Kush ishin njerëzit më të afërt që vinin tek Enveri gjatë asaj kohe që ke shërbyer në vilën e tij?
Hysni Kapo dhe Gogo Nushi. Hysniu hynte tek Enveri natën dhe ditën, pa pyetur njeri. Vetëm ai e kishte këtë të drejtë. Kur vdiq Hysniu, Enveri doli në ballkon dhe qante si fëmijë.
Po Ramiz Alia vinte tek Enveri në atë kohë?
Jo, Ramizit nuk i vinte radha për të ardhur tek Enver Hoxha. Vonë ka ardhur ai, kur u fuqizua.
A mbani mënd ndonjë takim të Enverit me Ramizin?
Më kujtohet ajo kohë, kur o goditën Todi Lubonja me Fadil Paçramin. Në atë mbledhje u kritikua edhe Ramiz Alia, të cilit Enveri i tha se do të mbante përgjegjësi. Atë natë Ramizi erdhi dhe takoi Nexhmijen. Ai u ul në gjunjë në tokë para saj, duke qarë e i tha: “Të lutem, thuaji Enverit të më japi edhe njëherë dorën…”. Pas kësaj Nexhmija shkoi dhe iu lut Enverit dhe ai e fali Ramizin.
E ka kujtuar ndonjëherë Enveri atë ngjarje që i shpëtove jetën gjatë Luftës?
Po, kur i vdiq nëna (Aneja) unë i shkova për ngushëllim me gjithë gruan time. Aty gjetëm disa ambasadorë dhe Enveri i’u tha atyre: “E shikoni këtë burrë. Ky është Qazim Tërbaçi, që na ka shpëtuar jetën gjatë Luftës” dhe iu tregoi të gjithë ngjarjen, duke u thënë se: për të mbajtur aty oficerin gjerman, i kishte sugjeruar një shoku i Shtabit, që më vonë doli armik.
Sa kohë shërbyet në atë detyrë?
Deri në vitin 1974 kur dola në pension
Kur dole në pension u takove më me Enverin?
Jam takuar gjatë disa vizitave që ai bënte në Tiranë, por ai vazhdimisht interesohej për mua. Kur vdiq Enveri, unë shkova për ngushëllime dhe pasi e putha në ballë, u ula në gjunjë në tokë. Më pas i detyrova oficerët që të më takonin me Nexhmijen dhe i thashë asaj që Enverin ta balsamosnim dhe të mos e varrosnim. Po Nexhmija më tha se Enveri i kishte lënë të gjitha me shkrim, se çfarë do bëhej me të pas vdekjes./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016