Dashnor Kaloçi
Pjesa e parë
Memorie.al /publikon historinë e rrallë dhe të panjohur të Koçi Xoxes me origjinë nga Kolonja, por i lindur në vitin 1911 në fshatin Negovan të Follorinës në Greqi, ku familja e tyre ishte vendosur për arsye ekonomike, i cili pasi studioi dhe u diplomua në gjimnazin klasik të Selanikut në vitin 1929, ku u njoh për herë të parë me idetë dhe literaturën komuniste e grupet marksiste-leniniste, që vepronin asokohe në Greqi, u kthye në qytetin e Korçës, duke u bërë më pas një nga themeluesit dhe kryetari i parë i Grupit Komunist të Korçës, që në fillimin e viteve ’30-të. Pjesëmarrja e Koçi Xoxes në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare, në nëntorin e ’41-it, (ku ai shkoi një ditë me vonesë, për shkak se u mor me organizimin e demonstratës së 7 nëntorit të atij viti në qytetin e Korçës ku mbeti i vrarë i riu komunist, Koci Bako), ku për kontributin e madh në lëvizjen komuniste, u zgjodh në mungesë, si anëtar i Komitetit Qendror provizor, e më pas si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, që nga 10 korriku i vitit 1942 në mbledhjen e Labinotit, delegat në Kongresin e Përmetit në 24 maj 1944, ku i’u dha grada gjeneral-major. Karriera brilante e Xoxes menjëherë pas mbarimit të Luftës duke ngjitur shkallët e hierarkisë partiake dhe shtetërore, si sekretar organizativ i Partisë Komuniste Shqiptare, anëtar i Kryesisë së Përgjithshme të Frontit Demokratik të Shqipërisë, deputet i Kuvendit Popullor, ministër i Punëve të Brendshme dhe zv/kryeministër i ‘qeverisë demokratike’, duke qenë figura numër dy e Shqipërisë komuniste, pas gjeneral-kolonel Enver Hoxhës. Fotot e panjohura dhe dëshmitë e rralla të dy djemve të tij, Gencit dhe Fatosit, të cilët për herë të parë hedhin dritë rreth historisë së panjohur të familjes së tyre dhe babait, Koçi Xoxe, marrëdhëniet dhe raportet e tij me Enverin, si dhe arsyet e vërteta të goditjes dhe eliminimit fizik të tij, si dhe fatin tragjik të tyre pas vitit 1949, kur atë e pushkatuan diku në një pyll në periferi të Tiranës, (aty ku është ish-Kinostudio “Shqipëria e Re”), ku ndodhen edhe sot eshtrat e tij!
Origjina e familjes Xoxe?
Koçi Xoxe ka lindur më 1 maj të vitit 1911, në fshatin Negovan të Follorinës në Greqi dhe nëna e tij quhej Vasillo. Sipas dëshmive të familjes por dhe të babait të Koçit, Dhimitër Xoxe (ose siç e thërrisnin nipat e tij, Barba), i cili ka lindur në vitin 1883 dhe jetoi në Tiranë me nipat e tij deri në vitin 1971, familja Xoxe është me origjinë nga Kolonja. Por për arsye ekonomike, si shumë familje të tjera të asaj krahine dhe familja Xoxe u shpërngul nga trojet e tyre, duke u vendosur në fillim në fshatin Pilkat dhe më pas në Negovan.
Sipas dokumenteve që janë gjetur kohët e fundit në arkivat e administratës së shtetit helen, nga Besniku, (djali i vogël i familjes), trungu i fisit Xoxe që nga stërgjyshi i Koçit, ekziston i regjistruar në dokumentet kishtare greke që nga viti 1841. Gjyshi i Koçit quhej Sotir Xoxe dhe ai ishte njeriu që hapi shkollën e parë shqipe në fshatin e tij të lindjes në Negovan. Sotiri ishte njëkohësisht edhe mësues ‘dhaskal’ edhe kryetar i pleqësisë së Negovanit.
Sipas shumë dëshmive, por dhe dokumenteve arkivore të shtetit shqiptar, Sotir Xoxe (Barba) ka pasur një aktivitet të dukshëm atdhetar dhe ai ka marrë pjesë në Kongresin e Manastirit në vitin 1908, ku u firmos përfundimisht Alfabeti i Gjuhës Shqipe. Në vitet ‘30-të, familja e Sotir Xoxes, (gjyshit të Koçit) u shpërngul për në Konstancë të Rumanisë, ku Sotiri kishte drejtuar shtypshkronjën “Dituria”, që e kishte pronë të tijën. Pas viteve ’90-të, djemtë e Koçit, kanë gjetur në Greqi dokumentet administrative të gjyshit të tyre, Sotirit dhe prokurat që vërtetojnë pronat e familjes Xoxe, si dhe dokumentet kishtare dhe çertifikatën e lindjes e dokumentin e pagëzimit të babait të tyre, Koçit.
Fëmijëria dhe shkollimi i Koçi Xoxes?
Sipas dëshmive të familjarëve të tij, Koçi u rrit dhe u edukua nën kujdesin e gjyshit të tij Sotirit, që e kishte atë pikë të dobët dhe i kushtonte pjesën më të madhe të kohës. Ai pasi mbaroi gjashtë klasat e para në fshatin e tij të lindjes në Negovan, më pas u dërgua për të vazhduar mësimet në gjimnazin klasik të Selanikut, një ndër shkollat më të njohura të asaj kohe në Ballkan, pas “Zosimeas” të Janinës. Koçi ishte një ndër nxënësit më të dalluar të klasës së tij, si në mësime ashtu dhe tepër korrekt në sjellje e shoqëri.
Sipas dëshmive të pjesëtarëve të familjes, por dhe të disa personave të tjerë bashkëkohës të tij që jetojnë ende në Greqi (të cilët i kanë dëshmuar djalit të madh, Gencit), Koçi ishte një njeri tepër inteligjent nga natyra dhe ai e kalonte pothuajse gjithë kohën mbi libra, jo vetëm gjatë viteve të shkollës, por dhe pasi e përfundoi atë. Që kur ishte në bankat e gjimnazit klasik të Selanikut, ai lexonte libra në shqip e greqisht dhe fliste lirshëm shqip, greqisht, bullgarisht dhe rumanisht. Sipas dëshmive të Gencit, ish- shokët e shkollës të Koçit, i kanë treguar atij, që Koçi, përveçse një nxënës i shkëlqyer, ishte dhe sportist i mirë i dalluar veçanërisht si futbollist i talentuar, me ekipin e Negovanit, që asokohe drejtohej dhe sponsorizohej nga një bashkëfshatar i tyre i kamur, me mbiemrin Kacaranxa.
Kush ishte Koçi Xoxe?
U lind në vitin 1911 në fshatin Negovan të Follorinës, por origjina e familjes Xoxe, është nga Kolonja. Studioi dhe u diplomua shkëlqyeshëm në gjimnazin klasik të Selanikut në vitin 1929. Themelues dhe Kryetar i parë i Grupit Komunist të Korçës.
I mandatuar nga Grupi Komunist i Korçës për të marrë pjesë në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare, më 8 nëntor 1941, por arrestohet nga italianët pak ditë para asaj mbledhje. Zgjidhet në mungesë anëtar i Komitetit Qendror provizor të mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare. Arrestohet dhe burgoset nga italianët në vitin 1942, i akuzuar si antifashist.
Zgjidhet anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare që nga 10 korriku i vitit 1942. Gradohet gjeneral-leitnant në Kongresin e Përmetit në 24 maj 1944. Emërohet Kryetar i Gjykatës së Lartë, në shkurtin e vitit 1945, dhe kryeson Gjyqin Special ndaj të ashtuquajturve “Kriminelë të luftës” në shkurt-marsin e atij viti. Emërohet nën kryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme në vitin 1945. Zgjidhet deputet i Kuvendit Popullor në legjislaturën e parë në vitin 1945 dhe anëtar i Kryesisë së Përgjithshme të Frontit Demokratik të Shqipërisë.
Zgjidhet sekretar organizativ i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë në vitin 1945. Emërohet ministër i Industrisë dhe Minierave në vitin 1948. I dekoruar ‘Hero i Popullit’ dhe me medaljet më të larta në Shqipëri deri në vitin 1948 dhe i dekoruar gjithashtu dhe me shumë urdhra e medalje të larta nga Bullgaria, Jugosllavia, Bashkimi Sovjetik etj.
Arrestohet në 28 nëntor të vitit 1948 dhe dënohet me vdekje e pushkatohet në maj të vitit 1949, duke e groposur diku në një pyll në periferi të Tiranës, aty ku sot ndodhet ish-Kinostudio “Shqipëria e Re”.
Gjuhët e huaja që njihte: latinisht, greqisht, bullgarisht, italisht, rumanisht, serbokroatisht dhe frëngjisht. Kur u pushkatua ishte 38 vjeç, i martuar dhe me gjashtë fëmijë. Akoma dhe sot nuk i dihet ku ndodhet vend-varrimi i tij. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016