Dashnor Kaloçi
Pjesa e tretë
Memorie.al/publikon historinë e panjohur të Ndue Marashit, ish-Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, deputetit të Kuvendit Popullor dhe anëtarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, i cili në datën 16 dhjetor të vitit 1975, u gjet i vdekur nga një plumb pistoletë në një nga dhomat e vilës së tij (tek “Shkolla e Kuqe”), rrethanat e së cilës nuk janë zbardhur ende edhe sot pas kaq vitesh?!
Dëshmia e rrallë e të birit të tij, Xhovalin Marashi që banon prej vitesh në Belgjikë, i cili dëshmon historinë e panjohur të babait të tij dhe familjes Marashi, duke filluar nga: origjina e tyre, ardhja në Tiranë, puna, shkollimi, diplomimi dhe karriera e Ndues, fillimisht në Kamzë e më pas në kooperativën e Kasharit, Komitetin e Partisë së Rajonit Nr. 4 dhe më pas si Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, ku ai shërbeu nga viti 1973, deri në 16 dhjetorin e vitit 1975, kur Xhovalini me vëllanë më të vogël, Vlashin, e gjetën të atin e tyre, të përgjakur në minutat e fundit të jetës dhe autoambulanca që ata njoftuan me telefon, erdhi pas vetëm 45 minutash?!
Rrëfimi Xhovalinit për miqësitë që kishte babai i tyre, me një pjesë të udhëheqjes së lartë si: Beqir Ballukun, Abdyl Këllezin, Fadil Paçramin dhe Myslym Pezën, apo të tjerë me poste e funksione si: Irakli Bozo, Abedin Çiçi, Mark Dodani, Hazbi Lamçe, Demlush Thaçi, Fadil Lamin, Halim Stërmasi, Ilir Gjylbegu, Panajot Pano, Fatmir Frashëri, Bert Jashari, Miti Dheodhosi etj.
Kjo ngjarje e rëndë e cila nuk kaloi pa zhurmë edhe në atë kohë që ndodhi, pasi po t’i referohemi versionit zyrtar, ishte hera e parë pas shumë vitesh që ndodhte një vetëvrasje, nga një funksionar i lartë i shtetit,(kemi parasysh, në vitin 1947 Nako Spiron, ish-Kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, që ‘de jure’, ishte kryeministri i vendit dhe më pas në vitin 1956, Omer Nishani, Presidentin e Shqipërisë, apo siç quhej në atë kohë, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor), dhe sipas moralit komunist, e gjithashtu ligjeve në fuqi, vetëvrasja konsiderohej vepër armiqësore dhe personi që bënte një gjë të tillë, aq më shumë kur ishte me funksione zyrtare, në rastin më të mirë konsiderohej “disfatist e kapitullant”, ndryshe etiketohej si: “tradhtar dhe armik i popullit”!
Nisur nga këto, edhe për Ndue Marashin nuk u bë asnjë përjashtim nga regjimi komunist i asaj kohe dhe mbi të ranë të gjitha akuzat, si “armik i popullit” etj., dhe familja e tij u dëbua nga Tirana dhe u persekutua deri në shembjen e regjimit komunist.
Zoti Xhovalin, po punëtorja që punonte te ju, ku ndodhej kur ndodhi ngjarja?
Do t’ua thosha vetë edhe pa më pyetur ju në lidhje me shërbyesen (L.H.) që ishte caktuar te shtëpia jonë, pasi ajo është një nga personat kyç të asaj ngjarje.
Përse…?!
L.H., e cila ka qenë në fakt shërbyese dhe kuzhiniere te ne, ishte një punonjëse që pati ardhur për të punuar në familjen tonë, vetëm ato tre muajt e fundit, natyrisht e caktuar nga strukturat përkatëse, prej nga varej ajo, si Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, Ministria e Punëve të Brendshme etj., për të cilat nuk jam i sigurt saktësisht se nga kush varej. Por dihet tashmë, (por dhe atëhere, pra para viteve ’90-të) se disa nga këta persona, kishin vartësi dyfishe, apo më saktë ishin nën kontrollin e Sigurimit të Shtetit. Të kuptohemi, jo të gjithë, pasi është i njohur dhe fakti tjetër, që shumë prej tyre ishin dhe mbetën deri në fund besnikë të familjeve ku punuan, madje dhe janë dënuar bashkë me familjet, që janë goditur në atë kohë si “armiq të popullit” etj. Te ky person që ka punuar në shtëpinë tonë, ne si familje, por edhe me njerëz të tjerë, kompetentë apo me shumë informacion lidhur me mekanizmat, se si vepronte ai sistem atëhere, ne kemi folur gjatë, kryesisht pas viteve ’90-të dhe kemi shumë dyshime te roli kryesor që ka pasur ajo në shtëpinë tonë.
Konkretisht, ku bien dyshimet e para…?!
Dyshimet e para mbi atë bien, për mos ndodhjen e asaj në shtëpinë tonë, pikërisht atë ditë që ndodhi ngjarja me babanë tonë, pra kur ai u gjend i vdekur me plumb pistolete!
Ku ishte ajo atë ditë dhe përse nuk ndodhej në shtëpi?
E para që dua t’ju them dhe që është më kryesorja, sipas rregullit të punës që kishin punonjësit e shërbimit të funksionarëve të lartë të asaj kohe, (siç ishte dhe babai ynë, Nduja), ata në asnjë rast nuk duhet të dilnin nga shtëpia, gjatë orarit të punës, pa lejen apo pa njoftuar (gojarisht apo me telefon), një nga personat e familjes, të cilit duhet t’i shpjegonte arsyen, se përse po largohej dhe vendin apo destinacionin, se ku dhe për çfarë po largohej. Kjo ishte një nga rregullat e parë që ata të personelit të shërbimit, nuk duhet ta shkelnin në asnjë mënyrë, gjë e cila bëhej për arsye sigurie e kuadrove të lartë ku ata shërbenin, pasi pre supozohej, se agjenturat e huaja, (siç thuhej në atë kohë), mund t’i komprometonin për të nxjerrë sekrete nga familjet ku ata shërbenin, apo dhe për t’i eliminuar fizikisht, me helme me veprim të ngadalshëm, etj., etj.
Pra ku kishte qenë shërbyesja në ato momente që ndodhi ngjarja në shtëpinë tuaj?
Sipas saj, kur e kemi pyetur atëhere që ndodhi ngjarja, ajo ka thënë se ka qenë diku te Pazari i Ri, te Sheshi “Avni Rustemi”, duke blerë cigare për babanë tonë, Nduen. Por ky fakt ne na habiti, pasi babai jo vetëm që nuk e pinte duhanin, por kurrë nuk dërgonte shërbyesen për të blerë ndonjë gjë që mund t’i duhej! Madje këtë gjë e kishim të ndalur edhe ne pjesëtarët e tjerë të familjes dhe as që bëhej fjalë që t’i shkonte njeriu ndërmend nga ne, që ta ngarkonim shërbyesen me të tilla gjëra. Por të dalim te përgjigja, apo më saktë te justifikimi i saj se: ‘kishte dalë për të blerë cigare’, të cilën e ndërroi menjëherë, kur pa habinë që shprehëm ne, duke thënë se: ‘Kishte dalë për të blerë bukë’! Pra dha dy versione! Ajo para se të vinte te ne si shërbyese, ka qenë me shërbim, pra ka punuar te shtëpia e Ministrit të Punëve të Brendshme të asaj kohe, Kadri Hazbiut, kurse para Kadri Hazbiut, ka qenë me shërbim të shtëpia e Beqir Ballukut, të cilin babai ynë, Nduja, siç ua thashë, e kishte një nga miqtë e afërt dhe fati i Ballukut, dihet tashmë se si përfundoi?! Por ajo që është dhe më kryesorja, pra mbi dyshimet që kemi ne mbi rolin kryesor të saj në shtëpinë tonë, ku siç thashë, (po u’a përsëris, se ajo erdhi vetëm tre muajt e fundit te ne), ka qenë fakti se ajo njihej edhe si njeri besnik i Kadri Hazbiut, gjë e cila në atë kohë dihej nga shumë njerëz.
Po familja juaj e dinte?
Po patjetër, siç na ka thënë mamaja, ato kanë qenë në dijeni të kësaj. Por nuk ishte shumë e vështirë ta kuptoje, pasi në atë kohë ishte gjë e ditur se: pothuaj pjesa më e madhe e personelit të shërbimit e nomenklaturës së lartë të udhëheqjes së asaj kohe, (si p.sh. shoferë, pastrues, kuzhinierë, rrobalarës, shoferë, lulishtarë etj.), shfrytëzohej nga Sigurimi i Shtetit, për personat që do goditeshin.
Pas viteve ’90-të, keni tentuar që të takoheni me këtë person që ishte me shërbim në shtëpinë tuaj?
Ne i dërguam një njeri ta takonte, por ajo e kuptoj dhe nuk pranoi fare që të komunikonte me njeriun që i dërguam ne. Po kështu, para disa vitesh, një kolegu juaj gazetar (nuk po ja them emrin, pasi çdo kush mund ta gjej, se kjo është e publikuar në shtyp), tentoi dhe e takoi, por kur i tha se përse kishte shkuar, ajo e kërcënoj, duke i thënë se: ‘në rast se nuk do të largohej që nga ai sekond, ajo do të lajmëronte policinë’. Pas kësaj ai u largua dhe kjo punë u mbyll aty për të mos u hapur më kurrë, të paktën prej nesh si familje, pavarësisht se gazetari shkoi dhe e takoi atë me iniciativën e tij. Por dyshimet e familjes sonë, nuk bien vetëm mbi këtë person që ju fola më lart, pasi kishte dhe të tjerë.
Mbi kë…?!
Një prej tyre ka qenë dhe shoferi i babait, (Ç.K. me origjinë nga Korça), mbi të cilin ne kemi shumë dyshime! Dua t’ju shpjegoj më kryesoren, pra faktin se shtëpia jonë, pra vila ku rrinim ne (ish-vila e Vangjel Manushit, tregtar i madh nga Durrësi), kishte kohë që survejohej nga Sigurimi i Shtetit, natën dhe ditën.
Kishit informacion që në atë kohë, apo e keni mësuar pas viteve ’90-të, nga persona të ndryshëm?
Jo jo, këtë ne e kemi ditur që në atë kohë dhe kjo gjë u mësua krejt rastësisht, nga babai ynë, pasi një nga atë të Sigurimit të Shtetit, foli te një njeriu ynë, në formë mburrje, pa e ditur se ai njeri kishte lidhje gjaku me familjen tonë. Në përgjithësi ata të Sigurimit të Shtetit, siç dihet, nuk flisnin, por kishte dhe ndonjë delirant prej tyre, që mburrej, flisnin apo lëviznin xhaketën që t’u dukej pistoleta etj.
A mund të na e shpjegoni më konkretisht se si ndodhi kjo, pra kush foli dhe kush ishte njeriu që u’a tha familjes suaj, apo babait tuaj, siç shpjeguat ju?
Ka qenë Xheladin Çoku, (djali i tezes së mamasë sonë, Françeskës), i cili në atë kohë punonte si shofer i ambasadorit rumun, i cili i pati treguar babait tonë, Ndues, se një ditë kur po vinte me taku babain, (pasi kanë qenë edhe shokë fëmijërie me Nduen), rastësisht takoi një shokun e tij nga këta të Sigurimit të Shtetit dhe e pyeti se çfarë po bënte aty, pra te një rrugë diku afër shtëpisë sonë. Dhe ai punonjësi i Sigurimit, me qetësinë më të madhe i tha: “Ja po ruajmë këtë “Gjelin e detit”, duke bërë me kokë në drejtim të shtëpisë sonë. Xhela u habit dhe pa i kthyer përgjigje atij, erdhi direkt në shtëpinë tonë për ku dhe ishte nisur e ja tregoj babait me detaje atë gjë.
Reagoi Nduja pas asaj, pra i tha gjë Xhelës?
Sipas asaj që na ka treguar mamaja Franceska, vite më vonë, (e kam fjalën kur ne, unë dhe vëllai Luli, ishim në Tapizë, tashmë të rritur dhe mamaja kishte besim te ne, që nuk flisnim jashtë shtëpisë), mbrëmjeve në vetminë tonë, e kujtonim dhe analizonim jo rrallë atë ngjarje. Kështu mamaja kur na pati treguar këtë ngjarje me Xhelën, na tha se babai i ishte përgjigjur si me gjysëm zëri: “Po nuk ka ndonjë problem, se të gjithë jemi të vëzhguar…”! Pra, siç thoshte dhe mamaja, jo se babai nuk ishte tronditur, por ishte munduar ta mbante veten, pra të mos jepej para kushëririt të tij dhe ato fjalë, më shumë i kishte thënë që të qetësonte atë, pra Xhelën, se sa veten. U’a thashë këtë, për t’ju treguar se ngjarja e 16 dhjetorit 1975, nuk ishte një rastësi, pasi në bazë të analizave dhe fakteve që ne kemi dhe i kemi diskutuar vite më pas, “çorba”, për babën tonë, kishte kohë që po përgatitej…!
Të kthemi te pyetja për kontributin që mund të ketë pasur shoferi i Ndues në këtë ngjarje?
Po edhe te shoferi (Ç.K.) ne kemi shumë dyshime. Unë nuk dua ta akuzoj atë, por dyshimet nuk mund t’i heq, pasi pas asaj ngjarje, ai nuk erdhi më kurrë për të na takuar!? Kuptohet se ne ishim të larguar nga Tirana dhe si familje e “armiku të popullit”, ai fillimisht nuk e kishte të lehtë ta bënte këtë gjë. Por më vonë, ai edhe mundej të na takonte fshehurazi, (pasi ne vinim në Tiranë, se në Tapizë nuk ishim të internuar, por të dëbuar nga Tirana), apo me na dërgu fjalë me njeri të sigurt, jo me na tregu gjë, por me na ngushëllu! Këtë gjë ai nuk e ka bërë edhe pas viteve ’90-të? Përfitoj nga rasti nëpërmjet kësaj interviste, që në rast se ai jeton akoma, të na kontaktojë, apo të gjej ndonjë mundësi për t’u prononcuar publikisht, lidhur me ato që ai di, për ngjarjen e babait tonë? Le t’i shërbej kjo thirrje e imja, për të thënë vetëm të vërtetën, asgjë tjetër. Pra që ai ta ndjej veten të pastër, pas kësaj!
Përveç këtyre që sapo shprehët, a ka pasur ngjarje të tjera që ju dyshoni?
Po ka pasur. Vetëm dy javë përpara kësaj ngjarje, mamaja jonë, Franceska, teksa kishte mbaruar punën (tek Kopshti fëmijëve Nr.49, ku ishte drejtoreshë), dhe po vinte në këmbë për në shtëpi, papritur e në befasi u godit me hekur, nga dy persona dhe u ra në tokë pa ndjenja. Kjo goditje, nuk ishte aksidentale, por as për grabitje, pasi dy personat u larguan me vrap dhe nuk tentuan që t’i merrnin çantën, që i ra mamasë nga dora…! Pas kësaj, mamanë e dërguan në spital në gjendje shumë të rëndë. Por fatmirësisht ajo shpëtoi me atë plagë në kokë dhe pas disa ditësh, kur doli nga spitali, (sipas asaj që na ka treguar ajo), babai Nduja, i tha: “Nuk kanë gjë me ty, është paralajmërim për mua…”! /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016