Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al /publikon historinë e rrallë dhe të panjohur të Koçi Xoxes me origjinë nga Kolonja, por i lindur në vitin 1911 në fshatin Negovan të Follorinës në Greqi, ku familja e tyre ishte vendosur për arsye ekonomike, i cili pasi studioi dhe u diplomua në gjimnazin klasik të Selanikut në vitin 1929, ku u njoh për herë të parë me idetë dhe literaturën komuniste e grupet marksiste-leniniste, që vepronin asokohe në Greqi, u kthye në qytetin e Korçës, duke u bërë më pas një nga themeluesit dhe kryetari i parë i Grupit Komunist të Korçës, që në fillimin e viteve ’30-të. Pjesëmarrja e Koçi Xoxes në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare, në nëntorin e ’41-it, (ku ai shkoi një ditë me vonesë, për shkak se u mor me organizimin e demonstratës së 7 nëntorit të atij viti në qytetin e Korçës ku mbeti i vrarë i riu komunist, Koci Bako), ku për kontributin e madh në lëvizjen komuniste, u zgjodh në mungesë, si anëtar i Komitetit Qendror provizor, e më pas si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, që nga 10 korriku i vitit 1942 në mbledhjen e Labinotit, delegat në Kongresin e Përmetit në 24 maj 1944, ku i’u dha grada gjeneral-major. Karriera brilante e Xoxes menjëherë pas mbarimit të Luftës duke ngjitur shkallët e hierarkisë partiake dhe shtetërore, si sekretar organizativ i Partisë Komuniste Shqiptare, anëtar i Kryesisë së Përgjithshme të Frontit Demokratik të Shqipërisë, deputet i Kuvendit Popullor, ministër i Punëve të Brendshme dhe zv/kryeministër i ‘qeverisë demokratike’, duke qenë figura numër dy e Shqipërisë komuniste, pas gjeneral-kolonel Enver Hoxhës. Fotot e panjohura dhe dëshmitë e rralla të dy djemve të tij, Gencit dhe Fatosit, të cilët për herë të parë hedhin dritë rreth historisë së panjohur të familjes së tyre dhe babait, Koçi Xoxe, marrëdhëniet dhe raportet e tij me Enverin, si dhe arsyet e vërteta të goditjes dhe eliminimit fizik të tij, si dhe fatin tragjik të tyre pas vitit 1949, kur atë e pushkatuan diku në një pyll në periferi të Tiranës, (aty ku është ish-Kinostudio “Shqipëria e Re”), ku ndodhen edhe sot eshtrat e tij!
Si u lidh Koçi me grupet komuniste marksiste në Greqi?
Sipas dëshmive të familjarëve të tij, gjatë viteve që Koçi ishte nxënës i gjimnazit klasik të Selanikut, ai ra për herë të parë në kontakt me idetë komuniste nëpërmjet grupeve të ndryshme marksiste-leniniste që vepronin në Greqi. Po kështu gjatë atyre viteve dhe më pas nën ndikimin bashkëfshatarit të tij, Kacaranxa, Koçi lexonte literaturë marksiste, si p.sh., librin “Nëna” të Maksim Gorkit dhe dëgjonte rregullisht Radio-Moskën. Nga ky ambient ku ai u brumos dhe formoi karakterin e tij me bindjet politike të majta, ai erdhi në Shqipëri aty nga vera e vitit 1933 dhe u vendos në qytetin e Korçës, (tek shtëpia e babait, Dhimitrit, që asokohe kishte hapur një dyqan për punime llamarine dhe punonte vetë aty), ku dhe krijoi celulën e parë komuniste në qytetin e Korçës, që ishte dhe e para në Shqipëri. Të ndikuar nga rrethet marksiste-leniniste të Greqisë, përveç celulës së parë komuniste të themeluar nga Koçi Xoxe, ku bënin pjesë edhe Miha Lako, Pilo Peristeri, Misto Treska, Sotir Vullkani etj., asokohe në atë qytet, disa të rinj të tjerë si: Aristidh Qëndro, Andrea Zisi, Zai Fundo etj., krijuan një fraksion tjetër komunist, që u quajt “Grupi i Zjarrit”. Një pjesë e këtyre të rinjve korçarë të të dy grupeve, që përqafuan të parët idetë e majta komuniste, ishin ndikuar edhe nga Tajar Zavalai, (që asokohe ishte i internuar në rrethin e Korçës nga Mbreti Zog, për shkak të veprimtarisë së tij komuniste), i cili kishte përkthyer romanin “Nëna” të Gorkit dhe atë libër u’a jepte atyre bashkë me disa broshura e literaturë komuniste, që asokohe kishte hyrë në Shqipëri nga Greqia dhe Mali i Zi.
Kthimi i Koçit në Korçë dhe krijimi i celulës komuniste
Ardhja e Koçi Xoxes në Grupin Komunist të Korçës që në fakt ishte një celulë e vogël, u prit mjaft mirë jo vetëm nga anëtarët e thjeshtë të saj, por edhe nga krerët kryesorë, si Miha Lako, PIlo Peristeri, Sotir Vullkani, etj., sepse Xoxe konsiderohej një intelektual i formuar dhe me vizione të qarta për lëvizjen komuniste, për vetë formimin e lidhjet që ai kishte pasur me rrethet marksiste, kur kishte qenë nxënës i gjimnazit klasik të Selanikut. Këto lidhje ai i mbajti dhe pas ardhjes në Korçë dhe i zgjeroi ato më tej, duke u lidhur me grupet komuniste bullgare dhe rumune. Asokohe Xoxe nuk gëzonte vetëm respektin e anëtarëve dhe simpatizantëve të celulës komuniste të Korçës, por ai njihej dhe respektohej si intelektual në të gjithë qytetin e më gjerë. Ai ishte i vetmi nga anëtarët e Grupit Komunist që mbante lidhje të vazhdueshme me fshatin dhe sidomos me intelektualët e zonave të besimit mysliman të atij Qarku. Sipas disa dëshmive nga bashkëkohës të Xoxes, që e kanë njohur atë nga afër, bëhet e ditur se në atë kohë, çdo intelektual që do të shkonte në qytetin e Korçës, ishte e pamundur që të mos kërkonte të takohej me Koçin!
Zgjedhja e Koçit, si kryetar i Bashkisë së Korçës në vitin 1936!
Duke parë respektin dhe popullaritetin e madh që Koçi Xoxe gëzonte në mbarë qytetin e Korçës, edhe si kryetar i Shoqërisë “Puna” të cilën ai e kishte themeluar vetë, në zgjedhjet vendor që u mbajtën në vitin 1936, populli i Korçës e votoi dhe e zgjodhi atë në funksionin e kryetarit të Bashkisë së atij qyteti, ku në përfundim të votimeve, ai mbajti dhe një fjalim para popullit të atij qyteti, duke i falenderuar ata për besimin që i kishin dhënë. Por qeveria e Mbretit Zogu, nuk e miratoi atë kandidaturë, pasi ai ishte arrestuar dhe burgosur disa herë, për shkak të veprimtarisë së tij komuniste dhe ligji në fuqi nuk e lejonte që ai të zgjidhej në atë funksion. Në këto rrethana, Koçi u lejua dhe mbeti vetëm si anëtar i këshillit bashkiak të qytetit të Korçës, të cilin ai e ushtroi për disa vjet me radhë. Lidhur me këtë, pas viteve ’90-të, disa të moshuar në qytetin e Korçës, kanë dëshmuar për periudhën që Koçi ishte si anëtar i këshillit bashkiak, duke e cilësuar atë si një njeri me zemër të madhe, që mundohej të zgjidhte çdo problem që kishin hallexhinjtë që trokisnin në dyert e asaj bashkie. Aty nga viti 1936, në qytetin e Korçës nga bashkia e qytetit u organizua një ceremoni e madhe në përkujtim të gjashtë dëshmorëve që ranë duke luftuar në Orman-Çiflig. Fjalimin kryesor në atë ceremoni e mbajti Koçi Xoxe, i cili i preku thellë pothuaj të gjithë të pranishmit që ishin aty, aq sa edhe sot në Korçë, mbahet mënd e thuhet: “Si fjalimi i Koçit”. Një rol të madh në mbrojtje të qytetit të Korçës dhe të popullsisë së saj, Koçi ka luajtur në vitin 1940-të kur u zhvillua lufta italo-greke, ku ai edhe pse nuk ishte më si anëtar i këshillit bashkiak, së bashku me një pjesë të intelektualëve korçarë, mori kontakte me ushtarakët e lartë të ushtrisë greke dhe sidomos me komunistët grekë që luftonin në radhët e asaj ushtrie, që ata të silleshin mirë në Korçë dhe fshatrat e saj, në mënyrë që të mos prekej popullsia dhe të ruhej qyteti nga shkatërrimet. Dhe vërtetë në sajë të asaj ndërhyrje, asokohe nga ana e ushtarëve grekë nuk pati asnjë ngjarje të jashtëzakonshme apo përplasje me banorët vendas dhe qyteti nuk pësoi shkatërrime. Sa më sipër, pra, lidhur me zgjedhjen e Koci Xoxes në funksionin e kryetarit të Bashkisë së Korçës, si dhe gjithë aktivitetin e tij në lëvizjen komuniste që nga periudha e Monarkisë së Zogut dhe më pas gjatë Luftës Antifashiste, e ka konfirmuar edhe gjeneral-major Panajot Plaku, (ish-ministër pa portofol në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu në vitet ’60-të, që u arratis nga Shqipëria në 1958-ën), në librin e tij “Dhuna mbi revolucionin në Shqipëri”, (i botuar fillimisht në Beograd në vitin 1966, ku ai ishte azilant politik dhe më pas edhe në Prishtinë në vitin 1971), faksimile të së cilit, po i publikojmë në këtë shkrim.
Si u lidh Koçi me Enver Hoxhën?
Sipas dëshmive të Fatosit, djalit të Koçit dhe të afërmve të tij, njohjet e babait të tij me Enver Hoxhën, e kanë zanafillën që në fillimin e viteve ‘30-të, kur Koçi u kthye nga Greqia dhe u vendos në qytetin e Korçës, ku dhe formoi celulën e parë komuniste. Më pas miqësia ndërmjet tyre u konsolidua kur Enveri u afrua me Grupin Komunist të atij qyteti aty nga fundi i viteve ‘30-të. Në ato vite, për shumë kohë Koçi ishte nënkryetar i Grupit Komunist të Korçës dhe më pas, me ardhjen e Koço Tashkos nga Moska, si i dërguar i KOMINTERN-it, veprimtaria e atij grupi u zgjerua së tepërmi duke shtuar radhët e tij me anëtarë të rinj. Jo vetëm me Koçin që kishte një kontribut të madh në krijimin e konsolidimin e ‘Grupit Komunist’ të atij qyteti, por dhe me atë të disa anëtarëve të tjerë, roli i Enver Hoxhës në atë grup, ka qenë shumë minimal, aq sa asokohe, Miha Lako dhe Pilo Peristeri, ngulnin këmbë që Enveri të mos pranohej si anëtar i atij grupi komunist, për shkak të sjelljeve jo të mira nga ana morale që kishte ai, nisur dhe nga vetëvrasja e një vajze korçare, që ndodhi pasi u braktis nga Enveri. Po kështu edhe demonstrata e madhe antifashiste e 8 nëntorit të vitit 1941, që u zhvillua në qytetin e Korçës, (ku mbeti i vrarë i riu komunist Koci Bako), u organizua nga Koçi Xoxe, por historiografia zyrtare e para viteve ’90-të, e fshiu atë gjë dhe emri i tij nuk u përmend kurrë si organizatori kryesor i saj. Kjo gjë vërtetohet dhe me faktin që Koçi, duke qenë në qytetin e Korçës me organizimin e asaj demonstrate, nuk arriti dot që të merrte pjesë në ditën e parë të mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare në Tiranë në 8 nëntorin e ‘41-it, gjë të cilën e ka pranuar dhe nga vetë Enver Hoxha në kujtimet e tij, ku thotë se: “…Koçi erdhi një ditë me vonesë në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste…”. Duke parë kontributin e madh që Koçi kishte në themelimin e organizimin e Grupit Komunist të Korçës, nga pjesëmarrësit e mbledhjes themeluese të PKSH-së më 8 nëntor 1941, ai u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror Provizor, kurse Enver Hoxha në atë mbledhje u ngarkua me detyrën e financierit të partisë.
Si u arrestua Koçi nga italianët në Tiranë?
Tashmë është i njohur fakti se që nga mbledhja themeluese e Partisë Komuniste Shqiptare e 8 nëntorit ’41, e deri në vjeshtën e vitit 1942, e në vazhdim, u eliminuan duke u vrarë apo burgosur, disa nga komunistët kryesorë që priteshin apo pretendonin të caktoheshin në krye të Partisë Komuniste, pasi siç dihet tashmë, funksioni i Sekretarit të Përgjithshëm të saj, u la vakant dhe do të zgjidhej më vonë, në bazë të meritave që do të kishin ata që do të zgjidheshin në atë post. Kështu, gjatë kësaj periudhe kohore pas mbledhjes themeluese të PKSH-së, i pari që u eliminua ishte Qemal Stafa, pretendenti kryesor për kreun e Partisë dhe për atë vrasje që nga ajo kohë e më pas, (kryesisht pas viteve ’90-të), ka pasur shumë dyshime dhe është akuzuar si i implikuar në atë ngjarje vetë Enver Hoxha. Po kështu mbas Qemalit, në 11 tetorin e vitit 1942, në një bazë komunistësh në shtëpinë e Ije Farkës në Tiranë, u vranë Vojo Kushi, Sadik Staveleci dhe Xhorxhi Martini, si dhe u kap i gjallë nga autoritete italiane, personi i katërt që ndodhej aty, Muharrem Llanaj, i cili luftoi deri në fund me Vojon. Në atë bazë, pak kohë para vendosjes së shtetrrethimit, ka qenë Enver Hoxha dhe prej shumë komunistëve të vjetër, (si vëllezërit Hamit dhe Isuf Keçi, etj.), Enveri është akuzuar si njeriu që ka gisht në vrasjen e tyre. Kjo gjë lidhet me faktin se Enveri kishte si qëllim, eliminimin e zhdukjen e Sadik Stavelecit, një nga krerët kryesorë të Grupit Komunist të të Rinjve në Tiranë, i cili shihej dhe ishte një nga pretendentët kryesorë për të zënë vendin e kreut të partisë. Përpara se të ndodhte vrasja e tyre, që në muajin prill të vitit 1942, u arrestua nga italianët edhe Koçi Xoxe, që asokohe ushtronte funksionin e Sekretarit Organizativ të PKSH-së. Arrestimi i Koçit ndodhi pas takimit që ai pati me Enver Hoxhën pak ditë më parë, ku Enveri, pasi e thirri atë, i tha se ai nuk duhej të qëndronte më në ilegalitet, pas daljes nga burgu i parë, (ku ishte futur nga fundi i vitit 1941), pasi ashtu do shtoheshin më shumë dyshimet për të. “Që të mos binte në sy të spiunëve”, Enveri i sugjeroi Koçit, që ai të hapte një barakë aty në afërsi të Rrugës së Durrësit dhe të ushtronte zanatin e teneqexhiut, që ai e dinte dhe e kishte mësuar nga i ati i tij, që në Korçë. Kur Koçi, me ndihmën e Andon Deçkës po e mbaronte së ngrituri barakën, aty erdhën italianët dhe e arrestuan atë. Kështu Koçi përfundoi përsëri në burgun e Tiranës dhe mundi që të dalë që andej, vetëm pas aksionit të shpërthimit të atij burgu, që u bë nga njësitet guerile të Tiranës me në krye Myslym Ketën, Beqir Ballukun, Adnan Qatipin etj. (Kjo ngjarje është trajtuar edhe në filmin “Njësiti gueril”, të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re” që në fundin e viteve ’60-të). Pas daljes nga burgu, Koçi shkoi në zonën e Çermenikës, ku dhe u zgjodh anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare që në mbledhjen e 10 korrikut e ’43-it. Eliminimi i pretendentëve kryesorë për kreun e Partisë Komuniste Shqiptare, nuk mbaroi me Koci Xoxen, por ai vazhdoi më tej nga ana e Enver Hoxhës, i cili dha urdhër për eliminimin (pushkatimin) e dy krerëve kryesorë të Grupit Komunist të të Rinjve, Anastas Lula dhe Sadik Premtja, ku siç dihet tashmë, Anastasi u pushkatua më 12 mars të vitit 1943 nga një njësit partizan i kryesuar nga Orhan Frashëri (në Qafën e Gllavës, vend midis Beratit dhe Tepelenës), kurse Sadiku u detyrua që të arratisej nga Shqipëria në fundin e vitit 1944, pas i kishte shpëtuar dy atentateve që ishin urdhëruar nga Enver Hoxha. Radha e eliminimeve e krerëve kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptare, apo atyre që shiheshin si pretendentë për kreun e saj, do të vazhdonte më tej nga ana e Enver Hoxhës, me Zef Malën, por urdhri i tij (Enverit), ku shkruhej se: “…ai duhet dekoruar me një plumb kresë”, nuk u zbatua nga ana e Gogo Nushit kur ata ndodheshin në Pezë!Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016