Nga Islam Spahija
Pjesa e tretë
Memorie.al / Bjeshkët e Lumës nuk janë dëgjuar vetëm për bukurinë e madhështinë natyrore, ato kanë edhe vlerë monumentale. Po të flasim për bukuritë natyrore, dashur pa dashur do të përdorim gjuhën lirike të Naimit, do të përmendnim “lisat e gjatë”, “lumenjtë e kulluar”, “vendi ku buron uji i ftohtë, tek mbin lulja me gaz shumë”, etj…! Ndërsa po të flasim për vlerë monumentale, do t’i referoheshim epikës folklorike ku këndohen ngjarjet e ndodhura në vende e pika të veçanta, e ku është skalitur madhërishëm historia jonë kombëtare. Gjithë njerëzit e mëdhenj e kanë pasur këtë privilegj nga natyra. E për një figurë të tillë, ia vlen të flasësh.
Shtegtarëve që kalojnë në Qafë të Kolesjanit, vështirë të mos t’u bjerë në sy një kodër e rrethuar me avlli, që duket anës një lugine kah jugu, e në të njëjtën kohë të mos të flasin për të: “Qe … avllia e Muharremit”, pastaj anekdota, legjenda, thashetheme…! Për disa kjo avlli, pavarësisht se për ç’qëllim ish ndërtuar, ishte shfaqja e një lakmie për t’u dukur. Për disa të tjerë, kjo përbënte një simbol rezistence të një populli, për ekzistencën e tij.
Se kush ka të drejtë, këtë e vërteton koha, kjo “mikneshë e kadaltë por e sigurt e mendimtarëve” (Konica). Sidoqoftë kjo kodër tashmë ka mbetur si një monument antik, që i thotë së ardhmes: “Siç transit gloria mundi” … Prapa asaj kodre është katundi Dome. Atje janë rrënojat e kullave të Bajraktarit, kulla karakteristike të Malësive të Veriut.
Këtu jetuan të parët, ndër të cilët u shqua Neziri, i ati Muharremit, e këtu do të lindte ai që, në periudhën më kyçe të historisë sonë kombëtare, do të përfaqësonte Lumën, me aspiratat e përpjekjet e saj, me dinjitetin e një prijësi, të një kapedani të madh. Do të mjaftonte vetëm emri i tij, lavdia e mirëfilltë nuk ka nevojë për epitete.
Muharrem Bajraktari lindi në Ujmisht të Lumës së Kukësit, nga një familje tradicionalisht parie. Me temperament luftarak, ai qysh në moshën 16-vjeçare, e provoi pushkën, këtë në luftë kundër agresorëve serbë. Në rininë e tij, shfaqi ambicie që karakterizojnë njerëz të jashtëzakonshëm. Ai si Napoleoni, i cili kishte deklaruar kur ish nxënës shkolle: “Nuk mund ta duroj idenë, për të qenë i dyti pas dikujt”, e kish shprehur këtë, prandaj edhe ai, siç shihet në jetëshkrimin e tij, shkëlqeu kudo e kurdo. Pati arsim ushtarak. Kualifikimin në armën e xhandarmërisë, ai e bëri në Akademinë prestigjioze të ish-Perandorisë austro-hungareze, në Vjenë. Në vitin 1924, fiton gradën e kapitenit, shumë e lartë për atë kohë, bashkë me tre të tjerë: Hysni Dema, Preng Pervizi, Fiqiri Dine.
Këta qenë katër shtyllat e rendit ku së pari u mbështet kupola e Shtetit të Ri shqiptar. Sukseset e çuan shpejt në shkallët e larta të karrierës së tij: Së pari, komandant i xhandarmërisë për prefekturën e Kosovës, e cila përfshinte Lumën, Hasin, Malësinë e Gjakovës (Tropojën). Pak më vonë emërohet komandant i Gardës Kombëtare, fillimisht zëvendës dhe, përfundimisht Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, për dhjetë vjet me radhë.
Pranë tij, pati këshilltar gjeneralin e mirënjohur anglez, Percy. Meritat iu njohën dhe shteti i ri, por modern, i Mbretit Zog, e dekoroi me urdhrin më të lartë, atë të “Skënderbeut”, dëshmi virtyti kjo e padia e kushtueshme. Por urrejtja nuk mund të jetë e pandjeshme, ndaj madhështisë: ajo polli intrigën dhe xhelozinë e atyre që nuk e duronin dot superioritetin e tij. Kështu ai u detyrua të emigrojë në Francë, (Paris), ku ndenji pesë vjet.
Agresioni i Italisë fashiste e ngriti patriotin e paepur dhe ai do të vinte përnjëherësh në atdhe. Gjatë kthimit ai pati një takim me Benito Musolinin në Romë. Ky i fundit i ofroi postin më të lartë të shtetit vasal shqiptar, por ai nuk pranoi. Sa arriti në vendlindje, ai u hodh në ilegalitet dhe filloi organizimin e çetës së tij të rezistencës, kundër okupatorit. Familja e tij qe nga të parat që pësoi persekucionin, si shumë familje të dera nacionalistësh, ajo u internua. Shtëpitë iu dogjën në mënyrë demonstrative. U organizuan ekspedita kundër tij, siç ish ajo e “vullnetarëve” mirditorë, nën udhëheqjen e Kapedanit.
Sigurisht këta ishin të mashtruar sepse tradicionalisht populli i Mirditës, ka shkuar si vëlla me atë të Lumës. Tashmë malet buçisnin nga krismat e armëve. Të gjitha ekspeditat kundër Muharremit, dështonin njëra pas tjetrës. Episodet ishin romanceske. Në ndeshje me forca shumë herë më të mëdha, ai triumfonte. Në rrethime pa shpresë shpëtimi, i pikasur me saktësi, ai zhdukej për t’u dukur në një vend ku s’e priste njeri.
Emri i tij u shndërrua në mit, në legjendë. Epo tashmë thuhej që “ai kish lerë me këmishë” … E ky besim në popullin e thjeshtë erdhi gjithnjë duke ti shtuar sepse ngjarjet sikur e vërtetonin këtë gjë. Kuptohet nga kjo, që të gjitha rrymat politike në krahinë u paralizuan para autoritetit të Bajraktarit legjendar.
Në gushtin e vitit 1943, kur kapitulloi Italia fashiste, forcat ushtarake italiane, të dislokuara në Kukës, iu dorëzuan Muharrem Bajraktarit. Me armatimet e kapura, ai armatosi popullin për ta vazhduar luftën kundër një okupatori tjetër, atij gjerman. Edhe këtë luftë, ai e çoi deri në fund, veçse kësaj radhe përmes provokimeve dhe shantazheve të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Ai mbajti gjakftohtësi, duke ndjekur vijën e Aleatëve e kështu, duke iu shmangur luftës vëllavrasëse. Por “të kuqtë” e humbën durimin; u përpoqën ta asgjësojnë.
Kështu i përgatitën një kurth, e kjo ngjau në Gostilë. Këtu ndodhi një episod i paharrueshëm, që ia shtoi famën këtij burri të rrallë. Komandanti i Brigadës V-të Sulmuese, e ftoi në një takim, kinse për të “koordinuar veprimet…”. Ai “transmetoi” urdhrin e Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, që Bajraktari të hynte nën komandën e tij. Mirëpo ky i fundit e hodhi poshtë prerazi këtë pretendim absurd dhe posa u ndanë, pak hapa më tej, krisi batareja e ushtrisë rrethuese, thjesht një pabesi.
Kapedani i sprovuar u befasua në fushë të hapur, duke pasur në krahë shoqëruesit, Sadik Spahinë dhe Dalip Nuhinë. Pa e prishur aspak gjakun, me maliherin në sy, çau përmes pluhurit të plumbave dhe doli pa prekur nga rrethimi. Kjo legjendë do të përsëritej edhe në ngjarjet e mëvonshme, pas vendosjes së diktaturës. Pikërisht në këtë periudhë, do të kristalizohej emblema e lavdisë së tij. Këtej e tutje, nuk kemi të bëjmë me “kolonelin” e një shteti ligjor, me një pushtetar a “politikan”, por me një hero legjendar, me një Robin Hud.
Kështu vazhdoi të qëndrojë nëpër male me çetën e tij të përherë nga trima të zgjedhur, nga kreshnikë të vërtetë, çetë kjo që përkrah trimëria e vetëmohimi, mund ta krahasojmë fare mirë me Gardën e vjetër të Napolonit, apo me të njëmijtë e Xhuzepe Garibaldi. Sakrificat e këtyre burrave, nuk kanë qenë më të vogla. Ata i kishin dhënë hesën prijësit të tyre që do të qëndronin me të gjer në vdekje. Dhe këtë e vërtetuan: shumica ranë përkrah tij në fushë të nderit. Ja një kronikë e thjeshtë: Në majin e vitit 1945, në Gabrrice, rrethohet nga forca të shumta të ndjekjes.
Aty mbetën të vrarë dy djemtë e tij, respektivisht 21 dhe 22 vjeç. Të parit nuk iu gjet kufoma. Qershor 1946 – Maja e Vole, Gjallicë. Rrethohet nga batalioni i Forcave Speciale, i ngritur enkas për ndjekje të çetës së Bajraktarit. Këtu ranë si burrat, trima më në zë: Sefë Xheladini (Dome), Destan Rexhepi (Bice), Tosun dhe Elmaz Çejku (Lusën, babë e bir). Kufomat e tyre u “ekspozuan” në mënyrë makabre, në Kodër Osmane (Bicaj).
Por humbje ka pasur në të dy palët. Thuhej që Bajraktari i kish porositur luftëtarët e tij, të mos qëllojnë mbi ushtarët e thjeshtë, as mbi persona të familjeve të mira lumjane, përpos rasteve të pashmangshme, kur agresori ishte shumë i rrezikshëm. Në shënjestër ishin sidomos oficerët, komandantët e njësiteve dhe këtë “detyrë”, e kreu vetë me dorë snajperi, të një guerilasi të pashoq. Por edhe kjo rezistencë, pati fundin e vet.
Muharremi nuk qëndroi nëpër male, për të shkaktuar vëllavrasje. Ai qëndroi në pritje të zbatimit të konventave ndërkombëtare, apo të marrëveshjeve të Aleatëve, në konferencat historike mbi rregullimin politik të botës së pasluftës. Mirëpo qëndrimi i Bashkimit Sovjetik, ndaj këtyre marrëveshjeve, i tradhtoi shpresat për një Shqipëri demokratike e, duke mos i mbetur tjetër, mori përsëri rrugën e mërgimit, duke lënë në Shqipëri djalin dhe vajzën e tij.
Neshat Bilali kujton: “Para se të niseshim, Muharrem Bajraktari na mbajti një fjalim të shkurtër, por prekës: Erdhi vakti të nisemi. Ata që kanë për të mbetur gjallë, i këshilloj që të mos ta harrojnë Shqipërinë. Kudo që të shkojmë, duhet të punojmë për të. Do të vijë dita që do të kthehemi. Na qoftë për hajër”! E kështu, më 16 gusht 1946, bashkë me 52 vetë, kaloi ilegalisht kufirin shtetëror, nga ana e Maqedonisë, e doli në Greqi.
Në përpjekje me forcat jugosllave, humbën jetën 21 prej tyre. Aty mbetet i plagosur rëndë, vëllai i Muharremit, Bajram Bajraktari, intelektual dhe patriot i shquar. Ai u kap dhe iu dorëzua shtetit komunist shqiptar, pas shumë torturash, u gjykua dhe u ekzekutua në vitin 1949. Jeta në mërgim e Bajraktarit është mbushur plot me përpjekje në shërbim të çështjes së shenjtë të Atdheut, por kjo kërkoi një trajtim në vete. Ai vdiq në Bruksel, më 21 janar të vitit 1989.
Në kortezhin e përmotshëm, u vërtetua papritmas ëndrra e tij: Shqipëria e bashkuar. Po si? Një ndjenjë e çuditshme vëllazërimi i bashkoi të gjithë pas tabutit, në një dhimbje të vetme, nën një flamur të vetëm, Flamurin Kombëtar që mbështolli arkivolin. Kështu ai, në orën e fundit i dha kombit pak minuta forcë dhe paqe: të gjitha partitë politike, të pa pajtueshme në mes tyre, ai i bashkoi mbi varrin e tij, ndoshta nga që nuk bënte pjesë në asnjë parti. Varri iu mbulua me lule e kurora, të ardhura nga të gjitha anët e dheut, ku kishte Shqiptarë.
Ai u pagëzua njëzëri “Nacionalist i panjollë”. E pak kohë pas kësaj, si një përshëndetje madhështore plasi bomba e mrekullisë më të madhe të shek XX-të: Shembja e sistemit komunist botëror. Koloneli i madh i mbylli sytë përgjithmonë, pa e parë të realizuar një nga ëndrrat e tij më të mëdha; Kosovën e çliruar. Atdhetarët Shqiptarë, tani presin ditën kur eshtrat e heroit të kombit, të vijnë e të prehen përfundimisht në tokën mëmë. E në qoftë se ndonjëherë do të ndërtohet Panteoni ynë kombëtar, ai patjetër do të ketë vendin që i takon, aty në mes të figurave më të ndritura të kombit. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm