Dashnor Kaloçi
Pjesa e pestë
- Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të cilat i përkasin dosjes hetimore dhe gjyqësore të të ashtuquajturit “Grupi i Deputetëve”, ku bënin pjesë 24 të pandehur dhe midis tyre emra dhe personalitete të njohura të periudhës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e më pas deputetë të Parlamentit Shqiptar apo në Kryesinë e Frontit Demokratik të Shqipërisë, të kryesuar nga gjeneral-kolonel, Enver Hoxha, si Shefqet Beja, Dr. Enver Sazani, Sheh Ibrahim Karbunara, etj., të cilët u nxorën para një gjykate ushtarake të kryesuar nga major Niko Çeta dhe prokuror, Josif Pashko.
Në atë gjyq i cili u zhvillua në Kinema “17 Nëntori” të kryeqytetit nga data 4 deri në datë 27 shtator, kur u dha edhe pretenca, u gjykuan si të pandehur 24 persona, pjesa dërmuese e tyre ishin personalitete të njohur të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Pjesa më e madhe e tyre ishin intelektualë të njohur, të cilët ishin diplomuar në universitetet e Perëndimit dhe disa prej tyre si: Shefqet Beja, Enver Sazani dhe Sheh Ibrahim Karbunara, ishin deputetë të Parlamentit Shqiptar, të propozuar si kandidatë të Frontit Demokratik që udhëhiqej nga Partia Komuniste e kryesuar prej Enver Hoxhës.
Po kështu në përbërje të atij grupi kishte dhe intelektualë të tjerë dhe tregtarë të ndryshëm, të cilët nuk kishin aderuar në asnjë nga tre forcat politike (Balli, Legaliteti dhe Partia Komuniste) gjatë periudhës së Luftës, por që ishin brumosur dhe kishin përqafuar idetë liberal-demokrate të vendeve Perëndimore ku kishin studiuar, duke pasur prirje të theksuara antikomuniste.
Procesi gjyqësor i “Grupit të Deputetëve” i cili filloi me një pompozitet të madh nga ana e propagandës së regjimit komunist, duke vënë në dispozicion të gjithë arsenalin e saj me radio, gazeta dhe afishe të ngjitura nëpër mure, për nga përmasat e rëndësia e tij, ishte procesi i dytë më i madh i zhvilluar deri në atë kohë, që nga mbarimi i Luftës. Proçesi i parë gjyqësor ishte zhvilluar në marsin e vitit 1945, i njohur si “Gjyqi Special kundër kriminelëve të Luftës” dhe në bankën e të akuzuarve të atij gjyqi, ishin 64 persona, pjesa më e madhe i tyre kishin mbajtur funksione të larta në të gjitha qeveritë shqiptare që nga ajo e Ismail Qemalit, e deri tek ato nën pushtimin gjerman, si deputetë, kryeministra, ministra, prefektë, kryetarë bashkish, ambasadorë, ushtarakë të lartë etj.
Ndryshe nga Gjyqi Special i marsit të vitit 1945, ku gjykoheshin si të pandehur të gjithë ata persona, të cilët regjimi komunist i Enver Hoxhës i kishte shpallur si “armiq e kriminelë lufte”, procesi gjyqësor i Grupit të Deputetëve, që filloi në katër shtatorin e vitit 1947, kishte një ngarkesë akoma më të madhe politike, sociale, e interes pasi aty gjykoheshin një pjesë e atyre personaliteteve që kishin aderuar brenda radhëve të Frontit Demokratik, që e udhëhiqte Partia Komuniste e sapoardhur në pushtet.
Përveç dëshmive të mohuara në atë proces gjyqësor, nga ana e të pandehurve të atij procesi, ka edhe shumë dëshmi të tjera, ku flitet për aktivitetin dhe veprimtarinë e tyre antikomuniste, të filluar që nga periudha e Luftës e deri në kohën që u arrestuan, ku Sheqet Beja, Enver Sazani, Ibrahim Karbunara, Hysen Shehu, Tefik Deliallisi, Sulo Kloso, Salim Kokalari, Beqir Çela etj., kanë pranuar të gjithë aktivitetin e tyre që synonte rrëzimin e Qeverisë Komuniste të Enver Hoxhës. Po kështu në dosjen gjyqësore shihet se të pandehurit kanë pranuar edhe lidhjet e bashkëpunimin e tyre me misionet anglo-amerikane të kryesuara nga Harry Fultz dhe gjenerali Hodgson, si dhe lidhjet me eksponentët kryesorë nacionalistë të Ballit e Legalitetit, që ishin në mërgim apo në arrati nëpër male.
Përveç shumë dëshmive të bëra nga të pandehurit e atij procesi gjyqësor, (gjithnjë duke i’u referuar dosjes në fjalë), ku tregohen lidhjet e tyre dhe aktiviteti antikomunist për rrëzimin e regjimit komunist, një nga dëshmitë më interesante në atë gjyq, është ajo e bërë nga Tefik Deliallisi, ku ai tregon për bisedën e bërë në shtëpinë e Ymer Keçit në Tiranë, ku Ymeri i ngarkoi Hamdi Kacolles, (njeriut që shërbente pranë Myslym Pezës) atentatin ndaj gjeneral-kolonel, Enver Hoxhës e Koci Xoxes, gjatë vizitës që ata do të bënin në Pezë.
Trupi Gjykues
Kryetar: Major Niko Çeta
Anëtar: Kapiten I-rë, Nexhat Hyseni
Kapiten II-të, Mustafa Iljazi
Kryesekretari: Aspirant Thoma Rino
Prokuror: Zv/ Prokuror i Përgjithshëm, Josif PashkoTë pandehurit
- Shefqet Beja
- Enver Sazani
- Sheh Ibrahimi (Karbunara)
- Selaudin Toto
- Irfan Majuni
- Tefik Deliallisi
- Hysen Shehu
- Salim Kokalari
- Sulo Konjari
- Ramazan Tabaku
- Gjovalin Vlashi
- Rustem Sharra
- Xhevat Xhafa
- Rram Marku
- Beqir Çela
- Riza Alizoti
- Sulo Klosi
- Saggioti Paolo
- Foto Bala
- Abdyl Kokoshi
- Shefki Minarolli
- Pertef Karagjozi
- Mehmet Prishtina
- Agathokli Xhitoni
Proces-verbali i gjyqit të “Grupit të Deputetëve”
Deponimet e Dr. Enver Sazanit
Unë kam marrë pjesë në katër mbledhje. Në muajin tetor jam mbledhur për të diskutuar mbi zgjedhjet. Në këtë mbledhje Shefqet Beja tha se Fronti është i fortë prandaj neve kemi dy mundësi, ose të dalim si opozitë jashtë Frontit dhe të kërkoja nga misionet anglo-amerikane që të bëjnë presion pranë Qeverisë që zgjedhjet të lihen të lira, ose të futemi brenda në Front. Për të biseduar me anglo-amerikanët u ngarkuan Selaudin Totua dhe Kol Kuqali.
Në mbledhjen që bëmë në muajin Nëntor u vendos që në vendet ku ka kandidatë tonë brenda në Front, këta të përkrahin dhe atje ku nuk ka elementë tonë të propagandojnë që të abstenohej. Në këtë mënyrë u udhëzuan edhe qarqet. Neve duke qenë deputetë kishim si program që çdo çështje të propozuar në parlament ta kundërshtonim dhe ta sabotonim.
Me të arratisurit e jashtëm jam lidhur me anën e anglo-amerikanëve dhe me të arratisurit e brendshëm me anën e Faik Shehut, Riza Danit e të tjerëve. Të arratisurve u kemi dërguar dhe ndihma të cilat merreshin nga anglo-amerikanët. Unë di që organizata jonë kishte krijuar komitet në Durrës dhe më vonë dhe në vende të tjera. Kurse është vendosur për kryengritjen e Shkodrës unë kam qenë në Korçë, porse kur u ktheva më thanë që për këtë qe ngarkuar Riza Dani.
Lidhjet unë i kam patur me Shefqet Bejën dhe Salim Kokalarin. Në shtëpinë time është bërë vetëm një mbledhje. Nuk është aspak e vërtetë që unë të kem dërguar letra anglo-amerikanëve mbasi komiteti lidhet me ta i bënte me anën e Selaudin Totos dhe Kol Kuqalit. Unë kam patur takime dhe bisedime me doktor Irfan Pustinën, Doktor Fejzi Hoxhën, Irfan Manjunin, Qemal Karagjozin etj me të cilët diskutoja dhe i kritikoja indirekt Pushtetin.
Shefqet Beja më ka thënë se Tefik Deliallisi, Sheh Ibrahim Karbunara dhe Riza Dani, kanë sabotuar Reformën Agrare dhe kanë arritur të kërcënojnë drejt për së drejti katundarët. Shefqeti qysh në Berat kishte biseduar me Gjergj Kokoshin, Selaudin Toton, Salim Kokalarin; Kol Kuqalin, e Kostandin Boshnjakun për formimin e organizatës dhe se Shefqet Beja për këtë punë ka shkuar dhe në Karbunarë të Lushnjës që të bisedonte me Sheh Ibrahimin.
Unë më parë kam njohur Shefqet Bejën, Selim Kokalarin dhe Selaudin Toton. Komiteti Qendror kishte vendosur që komiteti qarkor i Gjirokastrës të hynte në marrëveshje me grekët. Kol Kuqali dhe Selaudin Totua kanë deklaruar se anglezët u kishin thënë që grekët nuk do t’ju japim gjë nga pretendimet që kanë.
Mbi pyetjen e Prokurorit, i pandehuri tha: Mbas çdo mbledhje që bënim neve raportonim anglo-amerikanëve.
Qëllimin e organizatës e kam kuptuar qysh në mbledhjen e parë, të cilin do t’ja mbërrinim me ndihmën e anglo-amerikanëve dhe në lidhje me të arratisurit e të pakënaqurit. Unë nuk kam treguar ndonjë aktivitet tjetër përveç bisedimeve që bëmë me mjekët. Lidhjet me të arratisurit e Italisë i bënte Shefqet Beja, me anën e anglo-amerikanëve. Në mbledhjet që ka marrë pjesë dhe Syrja Selfua nuk kam qenë. I pandehuri Hysen Shehu: Po, Enveri ka marrë pjesë në mbledhje kur ka qenë dhe Syrja Selfua.
I pandehuri Salim Kokalari: Po edhe ky ka qenë.
Vazhdon i pandehuri Enver Sazani: Unë dija që sabotohej kudo dhe që kishte grupe sabotatorësh.
Prokurori mori fjalën dhe tha: I pandehuri do të paraqitet si një anëtar i thjeshtë i organizatës kurse në të vërtetë është një nga iniciatorët e krijimit të organizatës. Vazhdon i pandehuri Enver Sazani Kur u bë ‘Kryengritja e Shkodrës’ unë kam qenë në Korçë dhe kur u ktheva Shefqet Beja më tha se kjo qe vendosur në Qendror dhe se shkaktar për dështimin e saj bëri Riza Danin, unë nuk e aprovova këtë porse kjo mund të ketë ndodhur dhe pse ajo dështoi; me këtë rast Shefqeti më tha se duhesh bërë mbasi kishim urdhër nga anglo-amerikanët.
U pyet avokati mbrojtës nëse kishte për ti bërë ndonjë pyetje dhe tha se nuk kishte.
Ju kënduan deponimet para hetuesisë dhe i pranoi.
Dëshmia e Sheh Ibrahim Karbunarës
Merret në pyetje i pandehuri Sheh Karbunara: ju caktua si avokat mbrojtës z. avokat Fuat Fico, të cilin e pranoi.
Ju këndua akt-akuza e Prokurorit dhe tha se nuk e pranoi.
Mbasi u pyet deklaroi: Nuk kam qenë anëtar i komitetit qendror.
I pandehuri Irfan Manjuni: Po ka qenë anëtar i Komitetit Qendror.
I pandehuri Sheh Karbunara: Nuk kam marrë pjesë në mbledhjet e komitetit qendror.
I pandehuri Tefik Deliallisi: Po Shehu ka marrë pjesë në mbledhjet e komitetit qendror dy tre herë.
I pandehuri Sheh Karbunara: Nuk kam krijuar lidhje me të arratisurit.
Prokurori mori fjalën dhe tha: Para jush z. Gjyqtar ndodhet një nga iniciatorët e grupit kriminal i cili është një kriminel dhe terrorist i vendosur. Ky edhe përpara jush do të fshehë veprimtarinë e tij kriminale dhe sabotatore që ka bërë kundër popullit. Ky është përgjegjës për të gjitha vrasjet që ka bërë krimineli i luftës Hamit Matjani. Ky përpara jush dhe popullit kërkon të mohojë të gjithë veprimtarinë e tij kriminale porse gjyqi i ka faktet përpara dhe duhet të vendosë. Me qëndrimin e tij ky tregon se e urren popullin. Ky me shokët e tij janë përpjekur të krijojnë dhe një herë shtatë Prillë e 4 Shkurtë në vendin tonë.
Vazhdon Sheh Karbunara: Nga të huajt nuk kam marrë të holla.
I pandehuri Enver Sazani: Shefqeti më ka thënë që ka dërguar të holla Sheh Karbunarës.
Sheh Karbunara: Nuk di gjë për kryengritjen e Shkodrës por Arif Gjyli më ka thënë që ishin ngritur disa katundarë.
I pandehuri Enver Sazani: Shefqet Beja më ka thënë se Sheh Karbunara ka kërcënuar katundarët që u jepesh tokë nga Reforma Agrare.
I pandehuri Sheh Karbunara: Në shtëpinë time nuk është bërë ndonjë mbledhje.
I pandehuri Hysen Shehu: Po në shtëpinë tonë kemi bërë mbledhje tue qenë dhe babai im.
I pandehuri Sheh Karbunara: Nuk di se në çfarë vendi janë bërë mbledhjet e komiteti.
Prokurori mori fjalën dhe tha: Nga të pandehurit e deri tashmë doli në shesh gjithë veprimtaria tradhtarë sabotatore e tyre.
Dua të shtoj z. Gjykatës se i pandehuri Sheh Karbunara ka qenë gjithmonë politikan dallaveraxhi dhe është bërë vegël i çdo regjimi në dëm të popullit tonë. Ky është Sheh Ibrahim Karbunara që kini para jush, i cili me vendosmërinë e tij kërkon ta mohojë dhe të fshehë aktivitetin kriminal, me gjithë që ja thanë përpara syve shokët e tij edhe i biri i vet. Këtu u provua se mbledhja e parë për formimin e organizatës tradhtare është bërë në shtëpinë e tij. Gjykata ka fakte të plota dhe mjaft bindëse për fajësinë e tij.
U pyet avokati mbrojtës i të pandehurit në kishte gjë për të thënë dhe tha se nuk ka gjë për të pyetur.
Dëshmia e Prof. Foto Bala
Merret në pyetje i pandehuri Foto Bala.
Ju caktua si avokat mbrojtës z. Dhimitër Shkurti të cilin e pranoi.
Ju këndua akt-akuza e Prokurorit dhe tha që e pranoi por me pak rezerva përsa i përket pikës së parë.
Mbasi u pyet deklaroi:
Gjatë okupacionit kam qenë profesor në Tiranë; në ndonjë organizatë nuk kam marrë pjesë. Çlirimi i Shqipërisë më gjeti në Tiranë. Aktivitetin tim kundër Pushtetit e kam filluar virtualisht në Mars 1945 dhe efektivisht në qershor 1945. I pari që më ka folur këtu në Tiranë ka qenë Abdyl Kokoshi i cili duke përfituar nga pakënaqësia time që kisha nga dënimi i babait dhe nga transferimi im në Gjirokastër, gjeti rastin dhe më tha që: nuk duhet të mërzitesh mbasi kjo situatë ka për të ndryshuar për së shpejti, me qenë se neve kemi marrë lajme nga të arratisurit kriminelë lufte që ndodhen në Itali si Mithat Frashëri, Hasan Dosti e të tjerë, të cilët na udhëzojnë të shtojmë radhët e organizatës tonë dhe të organizatave të tjera me qëllim që të rrëzojmë Pushtetin me ndihmën e anglo-amerikanëve.
Abdyli më tha që edhe ti si bir i denjë i babait tënd duhet të vish, kurse unë i thashë se nuk vij, ai më tha se po të vish atje do të shohësh njerëz që dhe ti do të çuditesh, porse unë nuk vajta. Mbas ca kohe më takoi përsëri dhe mbasi kishte marrë vesh që unë isha transferuar në Gjirokastër dhe përgatitesha që unë të shkoja më tha se në Gjirokastër të shkosh të marrësh pjesë në komitetin tonë, duke më dhënë dhe një pusullë për Aqif Kashaun.
Kur vajta në Gjirokastër u takova me Aqifin i cili më tha se komitetin e kemi formuar dhe përbëhet nga Aqif Kashau, Qëndro Papavangjeli e Sherif Karagjozi, për formimin e të cilit kishin shkuar si të deleguar nga komiteti qendror i Tiranës Surja Selfua dhe Ivzi Kokalari. Gjatë gjithë kohës unë kam marrë pjesë në katër mbledhje që ka bërë komiteti i Gjirokastrës. Mbledhjen e parë e kemi bërë në fund të Qershorit të vitit 1945, ku ishin Aqifi, Qendro Papavangjeli, Sherf Karagjozi, Isufi dhe të tjerë.
Këtu kemi vendosur të bëjmë propagandë në tregtarët e tatuar, ndër agallarë, bejlerë dhe në familjet e dënuarve me qëllim që të shtonim radhët e ballit. Në një mbledhje tjetër është vendosur që të ngrihen komitete edhe në N/Prefektura. Plani ynë ishte të propagandonim kundër Pushtetit, të zgjeronim radhët, të provokonim kryengritje dhe me ndihmën e anglo-amerikanëve të rrëzonim pushtetin. Këtu u ndanë punët dhe mori gjithsecili nga një sektor, unë mora përsipër të zhvilloja aktivitet me profesorin Hilmi Hysi, i cili më ka thënë që duhet medoemos të organizohemi, të shtojmë radhët dhe të formojmë n/komitete në n/prefektura. Në n/prefekturat do të shkonin ata që ishin të lirë.
Kryetari i komitetit u zgjodh Isuf Hysen Begasi, n/kryetar Hilmi Hysi dhe unë, Aqifi dhe të tjerë anëtarë. Me Hilmi Hysin kam biseduar kur ka ardhur në Gjirokastër dhe më ka thënë se në Tiranë është formuar Komiteti Qendror me Uan Filipin, Abdyl Kokoshin, Demir Kallaratin, Surja Selfon, Sulo Klosin, Isuf Hysen Begasin e të tjerë elementë të Ballit. Hilmiu më ka shprehur keqardhjen që u transferua nga Berati në Gjirokastër mbasi në Berat kishte formuar një rreth të njohurish dhe mund të punonte më shumë.
Isuf Hysen Begasi, më ka thënë se në Tiranë është formuar Komiteti nga grupet e ndryshme si Balli, social-demokratët, demokristianët, legalistët, e grupi i Sami Qeribashit. Mbështetja e organizatës ishte në ndihmën e anglo-amerikanëve dhe me kriminelët e luftës të jashtëm dhe të brendshëm. Isufi kishte lidhje me një kryetar të organizatës vorio-epiriote të quajturin Zerri. Nëpër të gjitha n/prefekturat ishin formuar n/komitetet përveç Kurveleshit. Për të shkuar në n/prefekturat u caktuan Pertef Karagjozi, dhe Aqif Kashau.
Fundi i procesit gjyqësor
Pas dëshmive të 24 të pandehurve në gjyqin e “Grupit të Deputetëve”, ai proces gjyqësor i cili ishte i montuar fund e krye nga Sigurimi i Shtetit, u mbyll në datën 27 shtator 1947, kur dhe u lexua pretenca e vendimi i Gjykatës Ushtarake.
Pothuaj të gjitha dëshmitë që u lexuan nga të pandehurit gjatë procesit gjyqësor, ose ishin marrë me anë të dhunës fizike dhe psikike e torturave çnjerëzore gjatë hetuesisë, ose ishin shkruar vetë nga Sigurimi dhe hetuesit, e të pandehurit, u detyruan që t’i lexonin ato në gjyq.
Por gjithashtu, duhet thënë se të pandehurit e atij procesi dhe ata që u akuzuan për lidhje me ta, pjesa më e madhe ishin intelektualë të diplomuar në Perëndim dhe me prirje social-demokrate të cilët aspironin për një sistem demokratik dhe nuk nguronin t’i shprehnin hapur ato ide që binin ndesh me regjimin komunist të dhunës, që po vendoste asokohe Enver Hoxha.
Në këtë prizëm, ai grup i madh intelektualësh ishte dhe shpresa e të arratisurve politikë dhe grupeve të rezistencës antikomuniste që ndodheshin nëpër malet e Shqipërisë, të cilët, emrat e tyre, u’a paraqisnin anglo-amerikanëve, për t’ju treguar se kishin mbështetje të madhe në vend dhe prisnin zbarkimin e tyre për të rrëzuar qeverinë e komuniste të Tiranës.
Me anë të atij procesi të montuar, Enver Hoxha, së pari synonte që të nënshtronte dhe eliminonte opozitën e vërtetë demokratike, dhe së dyti që t’i paraqiste ata para popullit, si armiq që ishim lidhur me kriminelët dhe agjenturat e huaja.
Për të arritur këto synime, Enver Hoxha i shkoi deri në fund qëllimit të tij dhe urdhëroi ekzekutimin e 16 të pandehurve të atij procesi, si dhe dënime të rënda për dhjetëra të tjerë nga rrethe të ndryshme, të cilët u akuzuan për lidhje dhe bashkëpunim me “Grupin e Deputetëve”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016