Dashnor Kaloci
Memorie.al publikon dëshminë e Dom Gjergj Simonit, famullitarit të Bregut të Bunës, i cili në vitin 1967 kur regjimi komunist, filloi luftën ndaj fesë, fshehu në shtëpinë e tij dhjetë thasë me relike dhe libra të Argjipeshkvisë së Shkodrës. Në fillim të vitit 1967 kur regjimi komunist i Enver Hoxhës, nisi fushatën për mbylljen e kishave dhe xhamive, prishjen e objekteve të kultit, unë bisedova me vëllanë tim, Zef Simonin, i cili në atë kohë punonte si llogaritar pranë Argjipeshkvisë, duke i thënë se siç po paraqitej situata, ndalimi i fesë ishte punë ditësh. Pas kësaj bisede, unë shkova tek Argjipeshkvia dhe mbusha plot 20 thasë me libra, dokumente e sende të tjera me vlerë dhe të gjitha ato i çova natën në shtëpinë tonë, që ndodhej në lagjen “Arra e Madhe. Për disa ditë me radhë duke bërë gjoja se po prashisja lulet e kopshtit, zgjodha 10 thasë me gjërat më me vlerë e i groposa, aty në oborr me fshehtësinë më të madhe. Por pas 10 vitesh, në korrikun e vitit 1977, kur sapo isha kthyer nga Vau i Dejës, ku punoja si punëtor, disa njerëz të Sigurimit, më thanë që të paraqitesha në Degën e Brendshme. Kur vajta atje, njeri prej hetuesve më tha: “Ne kërkojmë disa libra të vjetër në kopshtin tuej”.
Kush është Dom Gjergj Simoni
Gjergj Simoni, u lind në 8 dhjetor të vitit 1933, në qytetin e Shkodrës, në një familje me origjinë qytetare, ku të parët e tyre janë vendosur aty tek “Arra e Madhe”, që prej 400 vitesh. Gjyshi i Gjergjit, Moni Simon, ka qenë njëri ndër tregtarët më të mëdhenj, të pazarit të Shkodrës (Bezistanit) dhe pasurinë e tij, ai e kishte vënë nga tregtia që bënte asokohe me Italinë. Po kështu edhe babai i Gjergjit, Kolë Simoni, trashëgoi zanatin e të atit duke u marrë me tregti, por jo pasurinë që kishte pasur ai, pasi tregtia që bënin,falimentoi. Familja ra në varfëri të plotë. Kështu në atë gjendje të mjerueshme ekonomike, Kol Simoni dhe bashkëshortja e tij, Gjyste Hugashi, i lindën dhe i rritën tre fëmijët e tyre, Zefin, Gjergjin dhe vajzën e vetme, Çiljetën. Lidhur me këtë, Gjergj Simoni kujton: “Duke kenë se të dy prindërit tanë, ishin besimtarë të devotshëm të fesë sonë katolike, si vëllaun tem, Zefin, ashtu dhe mue, na patën çue për me mësue në Kolegjin e Fretënve, ku ne na pat marrë nën kujdestari, Dom Mark Harapi, vëllau i Padër Anton Harapit. Por pas ardhjes së komunistëve në pushtet, si unë ashtu dhe vëllau Zefi, u detyruam me u fut në punë të ndryshme, për me mbajt familjen dhe nuk mundëm që të vazhdonim rregullisht studimet Teologjike. Kjo gja qe ndalue prej pushtetit komunist. Por t’uj kenë të brymosun e të devotshëm për fenë katolike, si im vëlla, Zefi, ashtu dhe unë, morëm fshehtas mësimet fetare nga Dom Mark Harapi e Padër Aleks Baqli. Por vetëm im vëlla, Zefi, në vitin 1961 mundi me u shugurue m’shehtas si meshtar nga Argjipeshkvia e Shkodrës, por pa e ushtrue dot atë gja legalisht. Kështu që ai u detyrue për me mbarue edhe Institutin e Lartë për Gjuhë-Letërsi dhe disa kohë pat punue edhe si mësues në gjimnazet e qytetit të Shkodrës. Ndërsa unë për vite me radhë deri ditën që jam arrestue, pata punue në punë të ndryshme, si punëtor dhe në Hidrocentralin e Vaut të Dejës”, kujton Dom Gjergj Simoni, lidhur me të kaluarën e familjes.
Letërsia, pasioni i vëllezërve Simoni
Në mesin e viteve ’60-të, Gjergj Simoni, vazhdonte të punonte si punëtor në Hidrocentralin e Vaut të Dejës, ndërsa i vëllai i tij, Zefi, punonte si llogaritar pranë Argjipeshkvisë së Shkodrës. Ndonëse Zefi kishte mundur që të futej në punë si mësues i Gjuhës e Letërsisë në gjimnazet e Shkodrës, prej devotshmërisë që kishte ndaj besimit katolik, ai e kishte lënë atë punë, bashkë me rrogën e mirë që merrte në Arsim dhe ishte punësuar si llogaritar pranë Argjipeshkvisë. Por përveç devotshmërisë që të dy vëllezërit Simoni, kishin ndaj besimit të fesë katolike, ata kishin dhe një pasion tjetër, letërsinë dhe si Zefi ashtu dhe Gjergji, vazhdimisht shkruanin poezi dhe tregime të ndryshme, pa mundur dot që t’i botonin ato. Lidhur me këtë, Dom Gjergj Simoni tregon: “Pasionin për Letërsinë, si unë, ashtu dhe vëllau, Zefi, e kem trashëgue nga ish mësuesi ynë Dom Mark Harapi, i cili na e pat shti në gjak atë gja. Edhe pse punojshim gjithë kohën në punë të rënda, unë gjejsha mundësinë për me u ul e me shkrujtë poezi apo tregime të ndryshme. Po kështu në atë kohë pata bë dhe një dramë, për heroin tonë Kombëtar, Skënderbeun, pasi në vitin 1967 do të festohej me madhështi 500 vjetori i vdekjes së tij dhe flitej se do t’u bënte një konkurs në shkallë vendi, se kush kishte shkrue dramën ma të mirë për te. Ndërmjet rrethit tonë shoqnor që veç të tjerash na bashkonte dhe Letërsia, unë kisha shoqni me Frederik Reshpen, me të cilin debatojsha shpesh, sepse kishim pikëpamje të kundërta për Letërsinë. Pothuajse pjesa ma e madhe e poezive dhe tregimeve që shkruejsha në atë kohë, ishin me përmbajtje kundër pushtetit komunist dhe nisur nga kjo gja, unë nuk mujsha me ia tregue kurrkujt ato. Ndër poezitë ma të spikatura që kisha bë asokohe kundra regjimit në fuqi, ishin ato të titullueme: “Letër Luciferrit” dhe “Mëngjese në Shkodër”. Tek poezia e parë unë satirizojsha Enver Hoxhën dhe tiraninë e tij, ndërsa tek e dyta nxjerrsha në pah mjerimin e madh të punonjësve të qytetit tonë, ku midis të tjerash shkruejshe:
“Si retë njerëzit shpërndahen në punë
S’u qesh kurrë buza, ashtu të metun
punojnë të heshtun me dhunë”.
Por jo vetëm këto poezi, por edhe të tjerat unë jo vetëm që nuk mujshe me i botu, por as me ia tregue kujt, kujton Dom Gjergj Simoni, lidhur me pasionin për Letërsinë që kishte ai dhe i vëllai, Zefi.
Fshehja e dokumenteve të Argjipeshkvisë
Në vitin 1967, kur regjimi komunist i Enver Hoxhës, nisi fushatën për mbylljen e kishave dhe xhamive, prishjen e objekteve të kultit, një nga qytetet që e ndjeu më tepër atë gjë, ishte qyteti i Shkodrës ku ishte përqendruar edhe qendra e Klerit katolik të Shqipërisë. Duke e para ndjerë atë dhunë masive, që po përgatitej të niste ndaj fesë, Gjergj Simoni, mendoi që të bënte diçka për të shpëtuar ç’të mundte nga librat, objektet, sendet dhe dokumentet më me vlerë të Argjipeshkvisë së Shkodrës. Lidhur me këtë, ai tregon: “Që në fillimin e vjetit 1967, u parandie prej gjithkujt se do të fillonte një dhunë e madhe ndaj fesë dhe në veçanti ndaj Klerit Katolik, të cilin komunistët e kishin shpall si armikun ma të madh, që kur kishin ardh në pushtet në vjetin 1944. Nisur nga kjo gja, aty kah pranvera e vjetit 1967, unë bisedova me vëllaun tem, Zef Simonin, i cili në atë kohë punonte si llogaritar pranë Argjipeshkvisë së Shkodrës dhe i thash, se e pat kjo punë, prandaj të bajshim të pamundunen me shpëtue ç’të mujshim, nga objektet ma me vlerë që kishte atje, si dhe librat e dokumentet e ndryshme, që kishte në bibliotekën e arkivin e saj. Pasi dhe Zefi qe në nji menje me mue, se ndalimi i fesë ishte punë ditësh, ramë dakord që të shpëtojshim prej Argjipeshkvin gjithçka që të mujshim. Pas kësaj bisede, unë shkova tek Argjipeshkvia dhe me materialet e grumbulluara, mbusha plot 20 thasë të mëdhenj, të cilat fshehtas, natën, me anë të një karroce i çova në shtëpinë tonë, që ndodhej tek “Arra e Madhe”. Ndër ato thasë pata marrë sendet që përdorshim për meshë, veshje të ndryshme, ikona, libra dhe dokumente, ma me vlerë që ndodheshin aty. Ndër to pata marrë edhe një pjesë të dorëshkrimeve të Dom Mark Harapit dhe të At Benedikt Demes, si dhe të gjitha shkrimet e mija që kisha bë ndër vite. Pasi i pata çue tek shpija dhe i pata fsheh ndër lule, në një cep të oborrit, prej atyne thasëve zgjodha gjanat ma me vlerë dhe i mbylla në dhjetë thasë plasmasi, të cilat i groposa, në një cep të kopshtit. Atë gja e bajsha mshehtas duke bë se gjoja po punojshe duke rregullue, lulet e kopshtit dhe oborrit”, kujton Dom Gjergj Simoni ngjarjet e vitit 1967.
Gjetja e dokumenteve nga Sigurimi i Shtetit
Cili ishte fati i dy vëllezërve Simoni pas vitit 1967, kur regjimi komunist i Enver Hoxhës, ndaloi ushtrimin e besimeve fetare, duke prishur kishat e xhamitë? Lidhur me këtë, Gjergji, kujton: “Ato thasë që pata mshehë aty, nuk mujti me i gjetë kurrkush, për afro dhjetë vjet, deri në vjetin 1977, kur ato ranë në duart e Sigurimit. Më kujtohet si tani ajo ditë e 13 korrikut të atij vjeti, ku bante një i nxehtë i madh dhe unë qesh ulë me pushue në pik të zhegut, pasi sapo isha kthye prej Vaut të Dejës, ku punojshe puntor. Aty ka ora tre e pas drekës, ra dera e shpisë dhe unë nuk dola me e çil, t’uj kujtue se kishin kërcitë fëmia e lagjes. Por ajo u nigjue përsëri dhe në dhomën ku flejshe, erdhi motra e më tha me dalë, me e hapë se po vinin disa shokë. Ndërsa i thashë motrës që unë nuk kishim shokë, hapa derën dhe aty pashë nënkryetarin e Degës së brendshme të Shkodrës dhe pesë vetë të tjerë. Ata më thanë: “A na njeh?”. Unë ia ktheva: “Po kush s’iu njeh ju”. Pas kësaj ata hynë brenda dhe që prej asaj ore e deri ne tetë të mbrëmjes, e kthyenë gjithçka përmbys, t’uj kontrollue. Pa pushue asnjë minut, për pesë orë me radhë ata kontrolluen deri tek arka e nanës, e aty ka ora tetë, erdhi dhe një ushtar me minakërkues për me vazhdue kontrollin. Ndërsa po kontrollojshin, njëri prej tyre, që ishte shumë i mirë, fshehtas shokëve më diftoi, se atë ditë e kishin arrestua edhe vëllaun tim, Zefin, i cili pat nodhë në Razëm. Pak kohë pasi ikën ata, erdhi një person e më tha që të paraqitesha në Degën e Brendshme. Kur shkova aty, njeni prej hetueseve më tha: “Ne kërkojmë disa libra të vjetër, në kopshtin tuej”. Unë iu përgjigja se aty nuk kishte gjë. Ai ngulte kamb se kishte, unë i thosha jo, ai vazhdonte prapë t’uj thanë po dhe kështu bamë debat një cop heret. Pas kësaj ai më vuni në tavolinë nji libër ungjillit, që kishin marrë në shpinë tonë dhe më tha të bajsha be, së nuk kishim gja në oborr të shtëpisë. Unë menjëherë vura dorën mbi ungjill dhe thashë: “Si e basha unë në ungjill, ashtu më vraftë në rast së kena gja në kopsht”. Pas kësaj ai më tha: “Ik në shtëpi”. Pak kohë pasi ika në shtëpi, aty erdhën tetë policë dhe filluen me kontrollue në oborr. Ai kontroll vazhdoi për pesë javë, në prezencën time dhe kur i gjetën, ata më thanë: “Edhe besimtar, edhe na rrejte”. Unë iu thashë: “Ju me pyetet për në kopsht e jo për në oborr”. Ndërsa e mora përsipër, se ato i kisha mshef vetë, iu përgjigja: “Po ju me pyetët për në kopsht e jo në oborr”. Disa orë pasi ikën ata, në shtëpi erdhën fshehtas dy oficerë policie të Degës, të cilët nuk hynë nga porta jonë, por t’uj shfrytzue një portë tjetër të kojshive, me të cilat na shkojshim shumë mirë. Ata më thanë që të paraqitesha në Dege dhe kur shkova atje, me futën në qeli, ku me lanë të ndrym për nëntë muaj me radhë”, kujton Gjergj Simoni arrestimin e tij.
Gjergji, 10 vjet burg politik
Pas nëntë muajve që Gjergjin e mbajtën të izoluar në qeli, e morën që andej dhe e çuan tek dhoma, ku Sigurimi kishte vendosur thasët, që i kishin gjetur atij në oborr. Lidhur me këtë, ai kujton: “Aty ku kishin jetu Murgeshat Servite, më vunë me sistemu dokumentet e gjetura, sepse librat i kishin çu në Bibliotekë, apo i kishte marrë dikush tjetër. Aty më thanë që të dajsha veç shkrimet e mija, e veç ato të Dom Mark Harapit e At Benedikt Demes. Teksa sistemojsha ato, pashë dhe poezine time “Letër Luciferrit” dhe kur shkova në qeli, mendoja se do më pushkatojshin. Por shpejt i dhashë kurajo vedit, duke menu se aty ishin pushkatu sa e sa priftën të tjerë dhe u gëzova se edhe unë po bajsha diçka të mirë. Për çdo shkrim timin, më thërritshin çdo ditë, për me dhanë spjegime në hetuesi, ndërsa për poezinë “Leter Luciferit”, që kishte rreth 400-500 vargje, dhashë s’qarime prej orës 7, deri në ora 16. Pas nëntë muajsh hetuesie, ku nuk më torturuan, po me hidhnin drogë në gjellë, më nxorën në gjyq, i cili u zhvillue me dyer të mbylluna, në sallën e Gjykatës së Rrethit. Para se me më nxjerre në gjyq, me vizitoi Dr. Enver Mersini, i cili iu tha atyre të Degës: “Ju paskeni dashtë me e mytë kët djalë”. Gjyqi kundër meje, filloi natën e madhe të Pashkëve, në prillin e vitit 1977 dhe gjatë akt-akuzës, të cilën e kishin përkufizue “Agjitacion e propagandë të mbyllun”, më lexuan gjashtë poezi, ku unë aludojsha hapun kundër regjimit. Ndërsa poezinë “Letër Luciferrit”, nuk e lexuan, pasi ajo fliste kundër Enver Hoxhës dhe ata nuk mund ta lexojshin. Kur më kërkuan fjalën e fundit, unë iu thash: “Unë kërkoj drejtësi”. Ndërsa trupi gjykues u tërhoq me dhanë vendimin, disa policë më shanë duke më thanë; prift i poshtën. Pas kësaj i thashë një polici, që më kishte shtërrngue fort prangat, që të më vinte në gojë një cigare, se i kishe duart e lidhuna. Ai duke më ndezur cigaren, më tha: “Qenke guximtar i madh” dhe unë iu ktheva duke i thanë: “Ju i masni njerëzit me gjatësinë e trupit dhe jo me forcën e shpirtit. Kjo është e keqja juaj”. Pas kësaj trupi gjykues ma dënoi me dhjetë vjet burg”, e mbyll rrëfimin e tij Dom Gjergj Simoni, i cili vuajti 9 vite e 19 ditë, në kampet e Ballshit, Qafë Barit e Spaçit, për faktin e vetëm se deshi të ruante objektet e dokumentet, me vlerë të Argjipeshkvisë së Shkodrës. Po kështu vite të gjatë burgu vuajti edhe i vëllai i tij, Monsinjor Zef Simoni, i cili sot është Ipeshkvi i Shkodrës. Edhe vetë Gjergj Simoni, që prej vitit 1991, kur u shuguru si i pari meshtar prej Selisë së Shenjtë, shërben në famullinë e Dajçit të Bregut të Bunës, pa harruar pasionin e tij të vjetër: Letërsinë./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016