Nga Bashkim Shehu
Pjesa e tretë
Memorie.al publikon një letër të hapur të shkruar prej Bashkim Shehut, të birit të ish-kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehu, të cilën ai ia dërgonte publikisht, Nexhmije Hoxhës, të vesë së diktatorit komunist Enver Hoxha, më datën 2 prill të vitit 2004, ku nëpërmjet gazetës “Korrieri”, ai ka reaguar ndaj librit “Miqësi e tradhtuar”, që Nexhmija, sapo kishte botuar në atë kohë dhe pjesë të atij libri, u publikuan për 15 ditë, nga gazeta “Shekulli”.
Vetëm dy ditë pas letrës në fjalë të Bashkim Shehut drejtuar publikisht Nexhmije Hoxhës, më datën 4 prill 2004, ka reaguar për herë të parë nga SHBA-së ku jetonte prej shumë kohësh edhe znj. Silva Turdiu, ish-volejbollistja e njohur e ekipit “Dinamo” të Tiranës dhe gjithashtu e përfaqësueses shqiptare, (ish-e fejuara e djalit të dytë të kryeministrit Mehmet Shehu, Skënderit), e cila me fakte dhe argumente, i përgjigjet akuzave që kishte shkruar në librin e saj, Nexhmije Hoxha.
Më datën 5 prill të vitit 2004, z. Bashkim Shehu, i është përgjigjur interesit të shtypit, duke dhënë një intervistë për të përditshmen “Koha Jonë”, ku shkrimtari, publicisti dhe përkthyesi i njohur, ka reaguar përsëri kundër librit me akuza të së vesë së ish – diktatorit komunist Enver Hoxha, Nexhmijes,
“NEXHMIJE HOXHA GËNJEN”
Djali i Mehmet Shehut komenton librin e të vesë së Enver Hoxhës, “Miqësi e tradhtuar”
“Librin e blen vetëm ndonjë naiv, për të parë se si ka lajthitur autorja”
Intervistë te “Koha Jonë” për “Miqësi e tradhtuar”, të Nexhmije Hoxhës
Intervistoi: Anila Prifti
Ka disa ditë që në gazetën “Shekulli”, po botohen pjesë nga libri i Nexhmije Hoxhës, “Miqësi e tradhtuar”. A i keni ndjekur këto?
Po i kam ndjekur. Duke u nisur nga titulli, mendova se ajo ka hequr dorë nga varianti i agjenturave. Por jo, ajo i përmbahet variantit se; Mehmet Shehu ka qenë agjent që para se të hyjë në parti dhe në Lëvizjen “Nacionalçlirimtare”). Po të jetë kështu, atëhere Enver Hoxha, ka qenë subjekt ndaj të cilit ka marrë urdhër të punojë Mehmet Shehu. Kaq naive është Nexhmije Hoxha sa, të mendojë se mund të ekzistojë miqësi midis agjentit dhe subjektit?
Apo ky është një truk publicistik i saj, për të shitur librin? Në bazë të përmbajtjes së librit, ai mund të kishte pak a shumë titullin: “Karriera e një agjenti në udhëheqjen e lartë të Partisë”. Por, me ketë titull apo diçka të ngjashme, asaj nuk i’a blen njeri librin, vetëm ndonjë që është kureshtar të shohë se sa ka lajthitur ajo, apo ndonjë që ka rrjedhur krejt, ose ndonjë, për ndonjë studim johistorik.
Prandaj, Nexhmije Hoxha zgjedh titullin: “Miqësi e tradhtuar”, për t’ju drejtuar anës emocionale të lexuesit. Por, ose Mehmet Shehu ka qenë agjent i Shërbimit të Zbulimit Amerikan dhe Anglez që para hyrjes në lëvizje “i jugosllavëve dhe i sovjetikëve bëhet më vonë dhe atëhere, nuk bëhet fjalë për miqësi dhe as që kishte mundësi të tradhtonte një miqësi që nuk ekzistonte), ose ai nuk ka qenë agjent dhe atëhere mund të bëhet fjalë për miqësi, të tradhtuar apo të pa tradhtuar dhe nga kush.
Nexhmije Hoxha thotë së; Enver Hoxha, me Mehmet Shehun, është takuar vetëm tre herë gjatë Luftës. Dini gjë nëse është kështu?
Po, është e vërtetë se Nexhmija thotë se; gjatë gjithë kohës së Luftës, Enver Hoxha është takuar me Mehmet Shehun, vetëm tre herë, herën e parë në Labinot, pastaj në Vithkuq dhe pastaj në Përmet, në Kongresin Antifashist Nacionalçlirimtar. Po ç’thotë Enveri:
“Shkova në Çorrush tek shtëpia e sh. Mehmet Shehu, ku do rrija disa dita. Me pritën i ati, Sheh Ismaili dhe nëna e tij, Sulltana. I’u përgjigja me kënaqësi nënë Sulltanes dhe që atëhere unë lidha miqësi të ngushtë më të shtrenjtën nënën e Mehmetit, të cilën e doja shumë, por edhe ajo më donte shumë. Sapo kishim ngrënë mëngjesin, kur erdhi Mehmeti. U përqafuam. Me Mehmetin biseduam gjatë, për çështjen e Luftës dhe për gjendjen në Mallakastër. Nga dreka, erdhi edhe Hysniu”.
Nuk i di Nexhmije Hoxha këto? Janë të shkruajtura tek “Kur lindi Partia”, shkruar nga Enver Hoxha, (botimi i parë, faqe 422-428), të hequra në botimet e mëvonshme. Apo mendon ajo se ka ndonjë lidhje magjike midis, veprave të Enver Hoxhës dhe ngjarjeve reale, që kur i fshin ky nga veprat, si me ndonjë makinë, me të cilën mund të shkosh mbrapa në kohë e të zhbëhen edhe vetë ngjarjet.
Ajo edhe mund ta shtojë takimin në Çorrush e të pretendojë se është një harresë. Por, kur për ngjarje kaq lehtë të kontrollueshme ka pasaktësi, çfarë garancie ka për saktësinë e ngjarjeve apo shpjegimeve të tjera të cilat, është vështirë të kontrollohen? Dhe pasaktësira në data dhe shpjegime, ka edhe të tjera, në ato që kam lexuar tek “Shekulli”.
Në materialet që ka botuar në librin e saj Nexhmije Hoxha, përmend edhe një letër që Mehmet Shehu i’a ka dërguar majorit Ivanov aty nga fundi i luftës, me shumë akuza në drejtim të udhëheqjes së Partisë, Shtabit të Përgjithshëm dhe të vetë Enver Hoxhës. Çfarë dini lidhur me ketë letër?
Në hetuesi jam njohur edhe me këtë letër. Ishte e daktilografuar. Me kujtohen shprehjet: “Ai nuk është as një Tito në miniaturë”! (për Enver Hoxhën), “ata janë një klikë, Enveri, Liria, shumë vetë e kanë paguar me jetën e tyre kundërshtimin që i’u kanë bërë këtyre”. Është fjala për Liri Gegën.
Atëhere më është thënë se; kjo letër, i ka ardhur Partisë aty nga fillimi i viteve ’60-të, pas prishjes me sovjetikët, por udhëheqja e Partisë nuk e kishte besuar, duke e konsideruar si provokacion të sovjetikëve. Tani u njoha me hollësi me rrethanat në të cilat kjo dhe disa dokumente të tjera që, kanë qenë bashkë me të, kanë rënë në dorë të udhëheqjes së Partisë.
Logjikisht, del pyetja: Kur u vlerësuan gabim këto materiale, në mesin e viteve ’60-të, kur udhëheqja e Partisë nuk ishte nën ndonjë presion dhe mund të gjykonte me kokë të ftohtë, “të paktën sipas standardit të tyre), apo në dhjetor të vitit 1981 kur, ishte nën presionin e motivimit të shpalljes armik të Mehmet Shehut?
(Tani regjimi i Enver Hoxhës ka rënë, ato që shkruhen në letrën dërguar majorit Ivanov “qoftë kjo autentike qoftë jo”, janë të vërteta dhe mua më leverdis që të them se; letrën e ka shkruar im atë. Por, në bazë të këtyre shpjegimeve që jep Nexhmije Hoxha, të gjitha gjasat janë që, këtë letër që na paraqitet këtu, të mos e ketë shkruar ai.)
Nuk pashë që Nexhmije Hoxha të shpjegonte se si u provua autenticiteti i letrës drejtuar Ivanovit dhe i materialeve të tjera të gjetura bashkë me të dhe as gjatë procesit hetimor, nuk kam parë një provë të tillë, qofte edhe formale. Apo këto materiale u hapën, u lexuan në zyrën e Enver Hoxhës, siç thotë Nexhmija, dhe autenticiteti i tyre, u provua automatikisht?
Hollësira të tjera, nëse Mehmeti e ka shkruar këtë letër me, apo pa udhëzimin e ndonjërit nga zbulimet “atij anglez, amerikan apo jugosllav”, agjent i ta cilëve duhet të ishte në këtë kohë apo, me udhëzimin e të treve bashkë, nëse e ka shkruar me apo, pa dijeninë e ndonjërit nga këta zbulime apo, të të treve bashkë, nëse e ka shkruar me dorë, si të gjitha letrat e kësaj periudhe apo me makinë e, për të tjera hollësi, po i lemë t’i diskutojmë kur të vërtetohet autenticiteti i letrës.
Nexhmije Hoxha, përmend edhe ngjarjet e vitit ’48 dhe e nxjerr Mehmetin njeri të jugosllavëve?!
– Po, ajo i referohet Plenumit te 8-të, të cilin Partia e saj e ka quajtur “Plenumi i zi” dhe ngjarjeve menjëherë pas tij. Po ç’thotë Enveri edhe atë ditë që Mehmeti shpallet armik në mbledhjen e Komitetit Qendror të 18 dhjetorit 1981? – “Mehmeti në këtë rast, mbajti qëndrim të mirë, por edhe unë me sa munda, qëndrova në kushte shumë të vështira”. (“Gazeta “Korrieri”, Suplement, 22 korrik 2001). Pra Enveri, mbajti qëndrim jo më të mirë se Mehmeti, por me sa mundi…! Dhe këtë e thotë atë ditë që, Mehmeti shpallet armik!
Nexhmije Hoxha ndalet gjatë dhe e analizon me hollësi edhe një ngjarje të vitit ’53, kur Mehmeti është në vështirësi për shkak të disa gabimeve që kishte bërë. A mund të komentoni rreth kësaj
Kjo është një ngjarje që ilustron më së miri se si funksiononte mekanizmi i pushtetit arbitrar dhe të pakufizuar të Enver Hoxhës që, mund të të çoje në pikë të fundit të dëshpërimit dhe pastaj të të thotë: “Na Mehmet, drejtoje ti Shqipërinë nja dy jave. Do të ta le edhe ca ditë të tjera, pas festave”!
Por kjo është çështje tjetër. Nexhmije Hoxha e sjell këtë ngjarje për, të provuar se Mehmeti ishte agjent se, ndryshe nuk kishte se si të shpjegohej gjithë ai reagim i tepruar i Mehmetit. Nexhmija analizon me hollësi autokritikën e Mehmetit dhe jep vlerësime rreth kësaj autokritike. Se çfarë rëndësie ka se, në çfarë mënyre e bën autokritikën një agjent, vetëm Nexhmije Hoxha mund ta dije?! Por mesa duket, Nexhmija ka dy shtresëzime në tru, një të para vjeshtës së vitit ’81, ku Mehmeti nuk është agjent dhe një shtresëzim të mëvonshëm, ku ai është agjent dhe ajo nuk mund të ndërtoje një version koherent nga këto!
Por jo mesa duket, ka edhe një seksion në arkivin e shtëpisë ose në tru, për rastin nëse Mehmeti vinte në krye. Prej andej ajo, ka nxjerra gabimisht skedën që përdor kur përshkruan një incident me delegatin grek, në kongresin e IV-ët të Partisë. Lidhur me këtë, ajo thotë: “Delegati grek, u bë i padëshirueshëm, ‘persona non grata’. Si do t’i thuhej? U dërgua Mehmet Shehu. Vetëm Mehmeti, mund të gjente formën se si t’ia thoshte dhe e gjeti”.
Elozhe te tilla nuk i janë bërë Mehmetit, as kur ai ka qenë në kulmin e tij, por duket Nexhmija, do t’ia bënte dhe kishte bërë edhe skedën. Por a ka logjikë që ta pranojë ketë se, vetëm Mehmeti mund t’ia thoshte grekut këtë?! Por Nexhmija e thotë këtë dhe Nexhmija është burim i besueshëm. Mirë që nuk e zbuluan që në ’53-in, se do t’ju ngelte greku në kongres!
Nexhmije Hoxha, boton disa materiale që sipas saj, vërtetojnë se ai ka qenë agjent i “Inteligjens Servisit”. Aty ai figuron me pseudonimin “BAB-008”. A jeni njohur më parë me këto materiale?
Po jam njohur në hetuesi dhe u habita që e kishte ashtu, “008”, se për nga vjetërsia në shërbim, duhet ta kishte jo më shumë se “006”. Dhe kur pashë se si gëlonin gjithë ata “BAB”-agjentë këtu, mendova se; ndoshta edhe ajo shprehja: “Si je mer BAB”? mund të mos jetë edhe aq e pafajshme por, mundet që me këtë “BAB”,-agjentët, të merrnin në lidhje.
Por historia nuk mund të behet as me broçkullat që këput Nexhmije Hoxha e, as me këto që them unë. Nexhmija, gjatë gjithë librit, ve përballë Enverin dhe Mehmetin për, të rivlerësuar Enverin dhe për të larë hesapet njëherë e mirë me Mehmetin. Por kjo përpjekje, është e kotë. Ata kanë qenë persona publikë, shumë të njohur, veprimtaria e të cilëve është ndjekur me vëmendje nga njerëzit për 40-45 vjet.
Është shumë vështirë të ndryshohet reputacioni i një të vdekuri. Ata që të dy kishin përqafuar një ideologji të mbrapshtë që, me apo pa Enverin, do të shpinte këtu ku shpuri, “me më shumë apo më më pak eksese”. Por, për shumë nga ata që e përkrahën Enver Hoxhën, qenia e tij në krye të Partisë, nuk qe pa pasoja. Shumë nga ata e paguan me jetën e tyre këtë përkrahje.
Dhe këtu nuk mund të mos të të vejë mendja tek ajo çka shkruhet në letrën që thuhet se, Mehmeti i ka shkruar Ivanovit që gjatë Luftës, shumë vetë e paguan me jetën e tyre, kundërshtimin që i kishin bërë grupit udhëheqës dhe Enver Hoxhës. Ne paqe, shumë paguan me jetë edhe përkrahjen.
Një i njohuri im që, kishte shkuar midis një grupi kuadrosh në Mallakastër n`verën e vitit 1981, për të shpjeguar veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut, më ka treguar se, kur kish mbetur vetëm, kokë më kokë, me një plak të asaj krahine, ky i ka thënë: “More, po ky vend edhe me farë tradhtie të kish qenë mbjellë, kaq tradhtarë nuk do kishte nxjerrë”!
Po nuk ishte puna tek toka, që nxirrte tradhtarë, puna ishte tek i zoti i tokës. Atëhere e kishte parcelën 28 mijë kilometra katrore, nxirrte në 28 mijë kilometra katrore, tani e ka dy dynym, nxjerr në dy dynym.
A mund t’ju bëjmë edhe një pyetje tjetër?
– Jo, tani do të më falni se do shkoj tek ai klubi i natës ku shkonim me Ilirin kur ai ishte apo vinte në Stokholm. Tani është bërë librari. Memorie.al