Nga Dr. Nikoll Loka
Pjesa e dhjetë
“PRENGË BIBË DODA, DRITËHIJET E NJË BURRËSHTETASI”
Memorie.al / Libri më i ri “Prengë Bibë Doda, një fenomen në jetën politike shqiptare”, i studiuesit Nikollë Loka, jo vetëm zgjeron fushën e studimeve historike mbi Mirditën, Derën e Gjonmarkajve dhe figurën e Princit mirditor, Prengë Bibë Doda, por është edhe një kontribut, në historiografinë kombëtare. Lënda shumë e pasur arkivore, literatura e shfrytëzuar apo e konsultuar, gojëdhënat etj, e bëjnë këtë libër, një thesar të vërtetë studimor, duke i dhënë shkencës së historisë një monografi shkencore, që pasuron njohuritë tona mbi Mirditën, kapedanët e saj, traditën, historinë etj. Të studiosh një figurë sa të rëndësishme dhe komplekse, siç është figura e Prengë Bibë Dodës, është përgjegjësi e lartë shkencore që, jo çdokush e merr përsipër. Nikollë Loka, ka bërë një punë të madhe hulumtuese dhe trajtim prej studiuesi profesionist, duke na e dhënë portretin e Princit dhe gjeneralit mirditor, me konturet e vërteta. Dr. Loka, i është përmbajtur fund e krye hapësirës dhe kohës, në të cilën janë zhvilluar ngjarjet shumëdimensionale dhe protagonistët e tyre.
MONOGRAFIA “PRENGË BIBË DODA, NJË FENOMEN NË JETËN POLITIKE SHQIPTARE”, NJË STUDIM SHKENCOR ME VLERË QË PASURON FONDIN E STUDIMEVE TONA HISTORIKE
(Nga Mr. Sc. Murat Ajvazi, mars 2017, Zvicër)
Princesha Margjelë, një grua e jashtëzakonshme
Margjela e Bibë Dodës, vdiq në vitin 1913 në Shkodër dhe u varros po aty. Ishte gruaja që mundi me dinjitetin e një Princeshe, të mbronte për 37 vjet rresht, pozitën e djalit të saj dhe bashkë me të dhe trashëgiminë e Bibë Dodës. Margjela, ishte ekuivalentja femërore e burrit të vet, e pajisur me zotësinë, zgjuarsinë dhe vendosmërinë e nevojshme për të udhëhequr. Nëse formalisht, ajo nuk u përzje në vetëqeverisje, ndikimi i saj në vendimet që morën mirditasit qe i madh, si nëpërmjet krerëve, ashtu dhe djalit të saj.
Fëmijët e Bibd Dodës
Prengë Bibë Doda lindi në Orosh në vitin 1858, por shpejt babai i tij u vendos në Shkodër, prandaj djali u rrit me atmosferën e atij qyteti. Megjithatë, mjedisi që e rrethonte fëmijën, ishte i përzier: mirditorë dhe shkodranë, ky ndikim i dyfishtë, e shoqëroi Prengën gjatë gjithë jetës. Në Shkodër mori edukim të zgjedhur dhe pati për mësues të parë, poetin e shquar Leonardo de Martino, që ishte për ca kohë, sekretar i Bibë Dodës.(170)
Biba dhe Margjela, kishin edhe një vajzë, Davën, për të cilën shkruhet: “E Dava i’u pshtet t’amës me dije e urti t’vet. Dava kishte vdekur gjatë tërmetit të vitit 1905, që shkaktoi shumë të vrarë dhe të plagosur në Shkodër”.(171)
Në atë familje, bënte pjesë edhe Marta, fëmijë i adaptuar i Margjelës, motra e bajraktarit të Kthellës, Llesh Prengës, e cila u martua me doktorin e Valiut, Sadedinin. (172) Aubrey Herbert, që e kishte takuar gjatë vizitës që i kishte bërë Prengë Bibë Dodës në shtëpinë e tij, shkruan për Martën: “Aty ndodhej dhe një grua e re, mbesë, e cila fliste një europiançe shumë të mirë, e veshur alla franga”. (173)
Marta qëndisi flamurin e parë shqiptar në 1903, kur askush nuk e dinte saktësisht se çfarë kishte qenë emblema e Skënderbeut, një shqiponjë të vetme, apo me dy krerë! Një klerik lokal, ia solli nga Roma. Në vitin 1918, drejtoi një shoqëri të grave në Shkodër. (174) Ajo angazhohej në veprimtari bamirësie, në ndihma për veprimtaritë kulturore, që zhvilloheshin në Shkodër, etj. Kostumi i Martës, bashkë me kostumin e Prengës shkuan si “peshqesh” në Moskë. (Enver Hoxha, ia bëri dhuratë Stalinit, bashkë me shpatën e Preng Bib Dodës. Shënimi i Memorie.al). Tashma prej atyne veshjeve, kanë mbetë vetëm fotografitë e Marubit. Burri i saj, Sadedini, ishte nip i Valiut të Sirisë, që njihej edhe me emrin; Anton Kallmeti.
Prenga, pati për grua Luçien, vajzën e Kolë Gjinajt (Xhuxha), Dragoman nderi i Konsullatës Angleze në Shkodër, me të cilën, ishte fejuar prej katër vjetëve. Paraardhësit e Kolës, kishin ardhur njëqind vjet më parë nga Xhuxha e Mirditës. Kola kishte mbajtur gjithmonë, kësulë rrafshatake mirditore. Kishte shumë prona, shumë shtëpi që i jepte me qira, si dhe vreshta në Bardhaj, bahçe të madhe afër Kirit, që është quajtur bahçja e Xhuxhës; tokë në Fushë Firej. Sipërfaqe të mëdha tokash kishte dhe në Bërdicë e Beltojë. (175)
Ndoç Xhuxha, i kësaj familje, kishte marrë pjesë në lëvizjen kombëtare, si antar i Komitetit të Stambollit. Ai është filatelisti i parë shqiptar. Martesa e Prengës me Luçien, u bë në shtator të vitit 1913. (176)
Martesa bëri bujë të madhe në qytet dhe në rrethet diplomatike të akredituara aty. Konsulli austro-hungarez, njoftoi Vjenën: “Prengë Pasha, u martua sot me bijën e Nikollë Gjinajt. Martesën në kishë, e celebroi Imzot Serreqi, dëshitar Imzot Doçi, profesori italo-shqiptar, Zef Skiroi, që ka disa kohë që e shoqëron Prengë Pashën në udhëtime. (177)
Me këtë akt, rrëzohet argumenti kryesor i kundërshtarëve të Prengës, se për të marrë funksione shtetërore duhet të ishe i martuar. Gazeta “Shqipëria e Re”, njofton në faqe të parë me një shkrim; “për martesën e Shkëlqesisë së Tij, Prengë Bibë Doda, me të shkëlqyeshmen Luçie Gjinaj. Rrnofshin dhe e shkofshin jetën faqebardhë e, u trashëgofshin me gzim për të mirën e Shqypniës, siqi kje hylli i nderës, që në kohë të motshme, e famshmja derë e tyne”. (178)
Pastaj vazhdon me dy urime: “Perlartësies së Tij, Princ Prengë Bibë Dodës, iu uroj martesën prej thellësive të zemrës, për nder e ngushllim të gjith Shqypniës. Rrnofshin, gëzofshin e u trashëgofshin. (179)
Perlartësies së Tij, Princ Prengë Bibë Dodës, iu uroj martesën prej thellësive të zemrës, për nder e ngushllim të gjith Shqypniës. Rrnofshin, gëzofshin e u trashëgofshin, për nderë e mirësi të Atdheut tone, si kje oxhaku i tyne gjithmonë. (180)
Prenga dhe Luçia, nuk patën fëmijë, pasi thuhet se Prengën e patën sterilizuar në Stamboll, që të mos linte pasardhës, me qëllim, për ta ndërprerë linjën e tij trashëgimore. Luçia, u angazhua në veprimtari shoqërore dhe bamirësie. Ajo ishte kryetare e “Kryeshoqnisë së Zojës Rruzare”, te ‘Arra e Madhe’ në Shkodër, shoqatë që kishte në përbërje të saj, gratë katolike qytetare të shtresës së lartë. (181)
Familja e Prengë Bibë Dodës, u përballë me dredhitë, presionet, ligësitë e të gjitha llojeve, por edhe me emrin e vet të madh. Margjela dhe Dava në Shkodër, e Prenga në internim, ishin bashkuar rreth misionit të tyre historik: të ruanin të drejtën e prijes së Mirditës, mos ta braktisnin kurrë atë popull, që kishte kapërcyer sprovat më të mëdha, duke u qëndruar besnik deri në vdekje.
NJË FENOMEN NË JETËN POLITIKE SHQIPTARE
Si e përshkruajnë Prengë Bibë Dodën?
“Kapidani prej Mirditet, për të cilin larg përflitet, larg përflitet, larg kallxohet, zi e bardh, për të shartohet”.
Gjergj Fishta, ‘Lahuta e Malcis’
Për Prengë Bibë Dodën, kanë folur shumë dhe ndoshta në vend që të bëhet një portret i tij, është më mirë të shprehen opinione të personaliteteve vendëse dhe të huaja, që e kanë njohur atë.
Aubrey Herbert, Prengë Bibë Dodën, së bashku me Ismail Qemalin dhe Esad Pashën, e përfshin në tre personalitetet më të shquara të Shqipërisë së asaj kohe. (182)
Gabriel Luis Jaray, jep këtë përshkrim për Princin e Mirditës: “Prengë Pasha, ka jetuar për një kohë të gjatë në mërgim, jashtë vendit, në Azinë e Vogël, ku e kishte syrgjynosur Sulltani, Abdyl Hamiti, që i tutej ndikimit të tij. Gjatë kohës së vetmisë së detyruar, Prengë Pasha, u pajis me kulturë dhe sot ai, njeh më së miri gjuhën dhe letërsinë franceze. Nga kontakti që ka pasur me punët e Europës, ai ka përfituar një gjërësi të tillë mendimi, të cilën dikush mund ta quaj edhe si skepticizëm, por ai këtë gjë, e bashkërendon plotësisht me një përdëllim të dukshëm, që e bëri të bjerë në gjunjë, para Papës, kur ishte në Romë. I gjatë, paksa i mbushur, por i shkathët, që sapo ka kaluar të dyzet vjetët, me fytyrë vezake dhe të kolme, me flokë dhe mustaqe gështenjë, me lëkurë të çelët, me sy të errët, të lëvizshëm e vezullues, Prengë Pasha, është mjaft i pashëm. Pritja që më bëri është më se e përzemërt, e dashur dhe pothuajse familjare, ai bisedon plot frymëzim, dhe duke rrëfyer gjallërisht hidhet nga një çështje te tjetra. Është një bëshkëbisedues, i palodhshëm dhe që nuk pushon së treguari, anekdota të çfarëdollojshme.
Tek ai sheh vetëm gjallëri dhe jetë, që shprehin një natyrë të fortë dhe plot ndjesi. Më duket sikur e shoh ende, pasi kishim ngrënë darkë, i mbështetur në krahët e një kanapeje, me këmbët e shtrira, duke pirë gjithë kënaqësi cigare dhe ndonjë gotë, që nuk shterronte, duke folur dhe treguar ndodhi, të cilat i gjallëron me lëvizjet e shumta të kokës dhe të duarve. Ai është mikpritësi më i këndshëm dhe rrëfyesi më i gjallë i kujtimeve. Ndoshta ai, është një afarist i regjur dhe një diplomat i zgjuar, por Prengë Pasha, të jep më tepër përshtypjen e një njeriu shakatar, në jetën vetjake. Ndërsa në jetën publike, është një njeri plot autoritet, furi dhe prestigj”. (183)
Mehdi Frashëri e ka njohur Prengën nga afër. Për atë “Prengë Bibë Doda, ishte një personalitet i çuditshëm, i zgjuar dhe mjaft i kulturuar. Ai mendonte se maturia, ishte pjesa më i mirë e trimërisë dhe qëndrimi i tij jashtë politikës shqiptare, e shpëtonte nga të gjitha punët”. (184)
Në vlerësimin e Eqrem bej Vlora, jepet një sintezë e personalitetit të Prengës. Sipas tij; “Gjenerali Prengë Bibë Dodë Pasha, kapidani i trashëgueshëm i Mirditës, ishte një nga “prinjësit më të zgjuar, më të shkolluar dhe më simpatikë të Shqipërisë së atëherëshme”. (185)
Nopça, shkruan se; “kishte dhe një sy xhami, çka ua fshihte mirditorëve”. (186)
Konsulli i Përgjithshëm britanik, në Selanik, Lamb, në një relación të tij, jep këtë mendim për Prengën: “Duhet të kemi parasysh se; personaliteti i Prengë Bibë Dodës, nuk është nga ata që të japin frymëzim për interes, por ndikimi i tij i trashëguar në Mirditë, si një aktor i përhershëm dhe thelbësor i politikës në Shqipërinë e Epërme, e bëri interesant, qëndrimin e tij”. (187)
Syrja Bej Vlora: “Princ Dodë Pasha – Princ (Preng Bib) Dodë Pasha, ishte shtylla e fortë e mirditorëve, bilonjë e shquar i një familjeje fisnike dhe të vjetër. Me shtatin e gjatë, karakteristik për malësorët dhe me fytyrën e ëmbël, njihej e respektohej në çdo vend. Me mendjen e hollë, kënaqte e gëzonte tërë rrethin. Kishte mjaft dijeni mbi literaturën perëndimore, mbi jetën shoqërore të botës së qytetëruar dhe e njihte situatën ndërkombëtare. Nuk e donte hipokrizinë dhe nuk i besonte asnjë njeriu. Më shumë se gjërat serioze, i pëlqenin shakatë dhe talljet. Lexonte dhe shkruante turqisht, italisht, frëngjisht. Kurdoherë ishte i çelur dhe i buzëqeshur. Ishte i zoti në fjalë e biseda. Romuzet, që i thoshte në formë shakaje, ishin aq të holla dhe me vend, saqë një mijë kritika dhe shpjegime të tjera, nuk mund ta shfaqnin atë kuptim. Me Ismail Beun, shkonte mirë. Edhe me Esat Pashën nuk dukej të ishte kundërshtar.
- Bourcart, një shkrimtar francez, në një vepër të botuar tani vonë, thotë: “Princ Bib Doda, ka një trup të fortë e të shëndoshë, ka një inteligjencë të hollë”. Prengë Pasha, ishte internuar në Kastamoni dhe për shumë vjet, hoqi mundimet e kurbetit. Por asnjëherë nuk u ankua nga vuajtjet në jetë. Lavdërohej me gradat që kishte marrë nga Perandoria Osmane dhe gjithmonë mbante në kokë, feste të kuqe. Në Shkodër, gjatë Luftës së Përgjithshme, një kolonel austriak dhe një major hungarez, donin t’ia cenonin këtë dukje osmane.
Me këtë rast, Bib Doda, foli për të ardhmen e luftës dhe i’u drejtuar majorit hungarez: ‘Nuk e kuptoj me ç’qëllim u futën hungarezët në luftë? Në rast se fitojnë gjermanët, austriakët do t’i shtypin; në rast se gjermanët do të munden, hungarezët nuk do të jenë të zotë të mbrojnë ekzistencën kombëtare’. Prengë Dodë Pasha, sado që Shqipërisë nuk i bëri ndonjë shërbim me rëndësi, ishte dashamirës, i mençur dhe mirëbërës, ishte burrë me besë, me zemër shqiptari, sakrifikohej për ata që i kishte miq. Ndaj meje ishte mirënjohës, sepse unë kisha ndërmjetësuar si për lirimin e tij nga Kastamonia, gjithashtu edhe për dhënien e rrogave të prapambetura”. (188)
Nga gazeta; “Shekulli XIX”
“Prengë Bibë Dodë Pasha, është një nga njerëzit, që në të gjithë ngatërresat shqiptare, është marrë nëpër gojë më pak, por ka mundësi që shpejt ose vonë, emri i tij, të dalë nga heshtja. Pas ngjarjeve të Vlorës dhe të Durrësit, në të vërtetë ai mbetet si i vetmi shqiptar i rëndësishëm, i pacënuar dhe nuk është e vështirë, që ai të ketë një rol të rëndësishëm në qeverinë e ardhshme. Meqenëse ai është i krishterë dhe kryetar i fisit më të fuqishëm të krishterë, kjo gjë i krijon një pozitë të privilegjuar dhe përvoja e tij me njerëzit dhe me rrethanat, e vë në pah si njeri të veprimit.
Burrë në të pesëdhjetat, më i gjatë se zakonisht dhe më dinak se ç’mund të mendohet, Prengë Bibë Doda, që vishet si europian ose më mirë, allaturka me redingotë dhe fes, ka në fytyrën e tij, një shprehje të papërshkueshme dinakërie e këmbëngulje dhe biseda e tij, që ai e dredh me shumë aftësi, si në gjuhën e tij, ashtu dhe në gjuhën tonë, që është familjare për të, e tregon me kulturë, mbi atë mesataren, në Shqipëri. Lindi në Mirditë, në Orosh, domethënë në një nga vendet më të paarritshme të malësisë, nga familja e Gjonmarkajve. (189)
Prengë Bibë Doda, përmendet dhe për kulturën e tij, që e mori në vatrën familjare, bangat e shkollës dhe sallonet e politikës. Ai e tregonte kulturën e tij, jo vetëm nga dijet e thella që zotëronte, nga mënyra si fliste, gjuhët e huaja që zotëronte e, të tjera, por edhe se kishte njërën ndër biblotekat, më të mëdha në qytetin e Shkodrës. Ishte koleksionist dhe me nismën e tij, për herë të parë në vitin 1880, u bë e mundur që koleksioni shqiptar i monedhave të arit, të grumbulluara nga Ndoc Xhuxha, të dërgohej në ekspozitën numizmatika të organizuar në Vatikan. Numizmati Kolë Gjinaj, nipi i Ndocit, shkruan për Prengën si filatelist dhe njeri i ditur. Prenga, fliste turqisht, arabisht, gjuhë zyrtare të Perandorisë Osmane. Dinte dhe frëngjisht e italisht, në njëfarë mase, edhe gjermanisht. Në bibliotekën e tij të pasur, kishte libra dhe revista italiane dhe gjermane që trajtonin probleme të filatelisë.
Numizmatët e lidhën me Ndoc Xhuxhën, i cili më vonë, i dha vajzën e tij të madhe, Luçien. Rreth vitit 1883-1885, u bë e mundur, të botohej pulla e parë shqiptare, në Perandorinë Osmane. Kjo ishte një pullë e vetme, me vlerë një piaster, duke patur parasysh se, kaq kushtonte dhe një pullë turke. Pulla qarkohej nga fjalët; “Posta e Qeverisjes së Mirditës”. Në mes, kishte shqiponjën me dy krerë. Është riprodhuar nga Marka Gjoni, në vitin 1921. Prengë Bibë Doda, kishte një koleksion pullash, deri në vitin 1919. Kur u vra, i kanë gjetur një kartolinë me pullën e parë të Mirditës. (190)
Pasuria e një Princi
Prengë Biba Doda, ndryshe nga fisnikët e tjerë shqiptarë, nuk zotëronte pasuri të madhe. Fillimisht, e gjithë pasuria, ishte e përqëndruar në Orosh dhe përbëhej kryesisht nga blektoria. Kishte dhe një sasi toke. Me tokën dhe blektorinë ,merreshin disa banorë kundrejt pagesës. Ata konsideroheshin të privilegjuar dhe shiheshin me respekt nga njerëzit. Bibë Doda, gjatë viteve 1858-1866, bleu toka në Kallmet Lezhë, Dajç të Zadrimës, dy dyqane në Lezhë e, shtëpi në Shkodër. (191)
Ka disa dokumente akte-shitblerje, që e dëshmojnë këtë: Në një kontratë të lidhur, midis vëllezërve Gurakuqi dhe Bibë Dodës, bëhet fjalë për shitjen e një toke në qytetin e Shkodrës. (192)
Po kështu, Kapidan Biba, bleu tokë në Balldre. Me 31 janar 1893, kisha e Kallmetit, i kishte lëshuar një terren Princit të Mirditës, pranë pyjeve të tij. (193)
Ndërsa në një dokument shitblerje në Lezhë, është shkruar: “Katër personat e quajtur; Ndrekë Palë Mëhilli, Mëhill Kola, Mark Zefi e Lazër Jaku, deklarojnë se i shitën Kapidan Bibë Dodës së Mirditës, një dyqan që kanë në tregun e Lezhës, për vleftën 12.500 grosh. Nënshkrimi është bërë. me dëshirën tonë”. (194)
Prenga. kishte bërë transaksionin e shitjes së disa pronave: një shtëpi në Shkodër dhe një fushë të gjerë për bujqësi. midis Lezhës dhe Kakarriqit. (195)
Pallati i Bibë Dodës. ishte ndër ndërtesat më imponuese në Shkodër. Në periudhën e rrethimit të Shkodrës nga malazezët, gruaja e konsullit Zambaur dhe fëmijët e tij, u strehuan në shtëpinë e Prengë Bibë Dodës, që përballonte më mirë bombardimet se Konsullata e Austro-Hungarisë. (196)
Kur bombardimet u intensifikuan, Konsulli Zambaur dhe e gjithë familja, qëndruan bashkë me Margjelën dhe Martën, në bodrumin e Pallatit, që ishte më i mbrojtur. (197)
Jaray shkruan: “Pallati i Prengë Bibë Dodës në Shkodër, mjaft i thjeshtë nga jashtë, brenda është i mbushur me tapiceri të shtrenjta nga vendet e Lindjes, qilima nga Azia e Vogël, mobilje me gdhendje dhe armë të rralla. (198)
Prenga, në përpjekje për të stabilizuar gjendjen e tij ekonomike dhe për të mos u varur më nga subvencionet e huaja, u angazhua për shitjen e pyllit të Qaf-Mollës. Ndonëse ai, bashkë me të shoqen, japin donacione për arsimin, kulturën, në ndihmë të jetimëve etj., përsëri nuk e kanë gjendjen ekonomike, siç i takon rangut të tyre, sepse Gjonmarkajt, nuk mblidhnin taksa nga popullsia, si feudalët e tjerë shqiptarë.
Pavarësisht nga nevoja, familja Bibë Doda, dhuronte gjithnjë për shërbimet publike apo për individët e varfër. Gazeta “Bashkimi” e vitit 1910 shkruan; “Knojmë në fletore zyrtare se, Prengë Bibë Dodë Pasha, paska dhanun për ndihmë të këtij klubi, 50 napolona e paska folë me dhanë 500 napola të tjerë, por sa t’i vij leja për nji udhë, që i lypset me nreçë e prej pyjeve t’veta të Qafë-Mollës e, deri n’Lesh. Udha qi asht e nevojshme, për me bajtë landën dhe e dobishme, për shumë shërbime të tjera…”! (199).
Nga pyjet e Qafë Mollës, mendonte se do të nxirrte përfitime të mëdha. Ky transkasion ekonomik, e kishte kushtëzuar deri në njëfarë mase, edhe qëndrimin politik të tij. Me 23 gusht të vitit 1911, Valiu i Shkodrës, kishte aprovuar lutjen e Prengë Bibë Dodës, për shfrytëzimin e pyllit të Qafë-Mollës në Mirditë, për qëllime tregtie. Prenga ishte lidhur me Italinë, (200) ku mendonte të gjente blerësit. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
- Robert Elsie, Historia e Letërsisë Shqiptare, Tiranë 1997
- Dom Ndoc Nikaj, Kujtime të një jetës…,f.17
- Franc Nopça, Udhëtime nëpër Ballkan, f.252
- Aubrey Herbert dhe krijimi i Shqipërisë së sotme, Ditarë dhe letra 1904-1923, …, f.43
- Susan E. Pritchett Post, Women in Modern Albania: Firsthand Accounts of Culture and Conditions from Over 200 Interviesë, McFarland & Company, 1998, p.116
- Kolë Shtjefni, Shkodra, Shënimet e mia, shtbotuese “Shtjefni”, Shkodër 2005, f.38
- Pjetër Arbnori, Mirdita është një krahinë krejt e veçantë, shih; Mirdita, Intervista II, botimet “Mirdita”, Tiranë 2004, f.40
- HHStA-PA-A-Vj, Telegram, Ref.I, V.No.256, 3 shtator 1913
- Shqipëria e Re,Nr.18,7 shtatuer 1913, f.1
- Karlo Suma, Shqipëria e Re, Nr.18,7 shtatuer 1913, f.3
- Mirash Luca me djem, Shqipëria e Re, Nr.18,7 shtatuer 1913, f.3
- Kumona e së Djellës, 29 nanduer 1942
- Aubrey Herbert dhe krijimi i Shqipërisë së sotme, Ditarë dhe letra 1904-1923, … f.259
- Gabriel Louis Jaray, Shqipëria e panjohur. (Në Mbretërinë e re të shqiptarëve), shtëpia botuese “Dituria” 2006, f.64-65.
- Mehdi Frashëri, Kujtime (1913-1933), Shtëpia Botuese “OMSCA-1”, Tiranë 2005
- Eqrem Bej Vlora, Kujtime, ‘Shtëpia e Librit dhe e Komunikimit’, Tiranë 2003, f.290
- Franc Baron Nopça, Udhëtime nëpër Ballkan, … f. 207
- PRO.FO. 195 /2406, doc.No 2813/74 Relacion i Konsullit të Prëgjithshëm Lamb drejtuar Sir Gerad Lowther në Selanik, 11 janar 1912, f.257-259
- Syrja Vlora, Esad Pasha ishte plot hakmarrje dhe hile, gazeta “Shqiptarja.com” 5 korrik 2013
- Gazeta “Shekulli XIX”, datë 8 shkurt 1914, me titull “Mirditasit dhe princi i tyre”.
- Kolë Gjinaj, Hapi i parë i Prengë Bibë Dodës në filatelinë shqiptare, Seminar i i parë ndërkombëtar “Shkodra në Shekuj”, 22-23 qershor 1993, Shkodër 1994, f.442
- AQSH, fondi Bibë Doda, dosja 8, dok. Nr.1 dhe 2.
- 192. AQSH, Fondi Bibë Doda, Dosja15, f. 1
- Fondi Prengë Bibë Doda, Dosja 13,f.1
- 194. AQSH, Fondi Bibë Doda, Dosja15, f.18
- HHStA-PA-A, Vj.24-41-4102, Telegram i Pehskopit të Sapës në Shkodër drejtuar Rappaport në Vjenë “Mbi shitjen e disa pronave të Prengë Bibë Dodës”, Shkodër 191 4
- Hortense von Zambaur, Rrethimi i Shkodrës, Botimet “Camaj-Pipa”, Shkodër 2006, f.62
- Hortense von Zambaur, Rrethimi i Shkodrës,… f.89
- Gabriel Louis Jaray, Shqipëria e panjohur. …, f.64-65.
- Gazeta “Bashkimi”, 17 korrik 1910, Nr.29.
- AQSH, Fondi; Prengë Bibë Doda, Dosja 13,f.1-5
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016