Dashnor Kaloçi
Pjesa e tridhjetenjë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze që i përket Tuk Jakovës, i cili që nga periudha e Monarkisë së Zogut, ishte një nga krerët kryesorë të Grupit Komunist të Shkodrës, i dënuar me burg politik në gjyqin e famshëm të vitit 1938, së bashku me Qemal Stafën e Vasil Shanton, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qendror Provizor të saj, që nga mbledhja themeluese e 8 nëntorit të vitit 1941, komisar politik i Brigadës së Parë Sulmuese dhe Korparmatës së Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku nga mbarimi i Luftës, në nëntorin e vitit 1944 e deri në 1955-ën, mbajti disa funksione dhe detyra të larta partiake e shtetërore, si: anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, ambasador fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Beograd, President i Sindikatave të Shqipërisë, ministër i Financave dhe zv/Kryeministër i qeverisë shqiptare, të kryesuar nga Enver Hoxha etj. E gjithë dosja voluminoze (formulare dhe hetimore) që publikohet për herë të parë nga Memorie.al., ku ndodhen me qindra dokumente të panjohura, në ngarkim të ish-gjeneral-leitnant Tuk Jakovës, (“Hero i Popullit”), të cilat i përkasin periudhës së viteve 1951-1959, kur ai pas kontradiktave të shumta, që kishte me Enver Hoxhës që nga mbarimi i Luftës, në vitin 1951 u përjashtua si anëtar i Byrosë Politike dhe në 1955-ën, u përjashtua edhe nga Komiteti Qendror i PPSh-së, duke u shkarkuar edhe nga të gjitha funksionet e partiake e shtetërore, që kishte mbajtur deri në atë kohë, u internua familjarisht në rrethin e Beratit, ku pasi punoi disa kohë si përgjegjës i Repartit të Zdrukthëtarisë në atë qytet, në 1957-ën, u dënua me izolim në Kalanë e Kaninës së rrethit të Vlorës, ku dhe u arrestua në vitin 1958, duke u dënuar me 20 vjet burg, i akuzuar si “tradhtar e armik i popullit”, deri sa vdiq në spitalin e Burgut të Tiranës në vitin 1959, në rrethana misterioze! Çfarë thuhet në dokumentet sekrete (relacione, fotografi, kartela, formularë, raport-informacione, shënime, proces-verbale, raporte-survejimi, plane-masash, deklarata, letra denoncuese, etj.) që i përkasin periudhës 1955-1959, kur ai ishte në ndjekje dhe survejim të vazhdueshëm nga organet e Sigurimit të Shtetit, cilët ishin oficerët e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ishin ngarkuar për vëzhgimin e tij dhe emrat e pseudonimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që e mbanin atë nën kontroll të rreptë?!
Dokumenti me proces-verbalin e marrjes në pyetje të pandehurit Tuk Jakova, nga ana e hetuesit të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Irfan Shaqiri
Proces-verbal
Tiranë, më 20 janar 1958
Unë hetuesi i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Irfan Shaqiri, pyeta të pandehurin Tuka Jakova.
Pyetja filloi në ora 12.00
Pyetja mbaroi në ora 17.00
Pyetje: Tregoni bisedimet armiqësore që janë zhvilluar midis teje dhe Bedri Spahiut.
Përgjigje: Kur unë Tuku, kam shkuar me shërbim në Elbasan në janar 1956, i kam shkuar në shtëpi Bedri Spahiut, aty kam gjetur të shoqen e tij e nënën e gruas së tij. Me të vajtur, hoqa teshat se i kisha të lagura nga shiu, të cilat gruaja e Bedriut, Nedoja, i nderi për t’i tharë dhe më dha një diçka që u mbështolla, mbasi u përshëndeta me ta, Bedriu më tha: nuk pate frikë që erdhe, këtë fjalë ma tha me të qeshur. Më pyeti se përse ke ardhur në Elbasan dhe unë i thashë; për punën e ndërmarrjes dhe sa të vija në hotel, vendosa të vij të flejë këtu tek ty.
Mbasi pimë kafenë, filluam të pyesim njëri tjetrin, se si venë, si jetojnë, etj. E vura në dijeni për një racionalizim që kisha bërë në ndërmarrje, për të cilin u shpërbleva me 10.000 lekë. Ai u interesua dhe unë ja tregova punën që kisha bërë. Edhe Bedriu kish bërë një racionalizim dhe priste që të shpërblehej.
Pastaj, Bedriu më tregoi se kishte bërë një lutje për të dalë në pension, sepse, sipas llogarive që kishte bërë, i takonte një gjë e tillë, në fillim të këtij muhabeti, janë bërë midis meje dhe Bedriut, këto muhabete, deri sa na erdhi një grua me një vajzë ose djalë, tani nuk më kujtohet, dhe se kjo grua ishte nënën dëshmori prej Elbasani, ishte gjitone e Bedriut.
Plaka, gjatë kohës që qëndroi, na ka fjalosur se si djali i saj qe vrarë në Luftën Nacional-Çlirimtare, për punën e ‘Ballit Kombëtar’, si mbaroi këtë muhabet, ajo atje me neve qëndroi rreth nja dy orë e gjysëm dhe pastaj u largua.
Gjatë kohës që neve filluam muhabetet e para dhe që shkoi plaka me fëmijën, Nedoja, shkoi psonisi në pazar dhe po përgatiste darkën. Kështu që me të ikur plaka, Nedoja na shtroi darkën dhe hëngrëm. Pastaj Nedoja, na tregoi se ku ishin rrobat e fjetjes dhe iku me gjithë të ëmën dhe fëmijët për të fjetur.
Rreth orës 9 e 30 ose 10 (22.) unë mbeta në dhomë vetëm me Bedriun dhe filluam nga bisedimet politike, por edhe gjatë kësaj kohe, futeshim dhe në muhabete familjare dhe pune. I kam thënë unë, Tuku, në fillim Bedriut, se; ç’ishte kjo fatkeqësi për neve dhe Bedriu tha se u bë shumë keq dhe në këtë çështje ka influencuar shoku Enver, po, jam dakord, i thashë unë, se ndryshe nuk ka se si shpjegohet.
Më tha Bedriu, se; ju Tuk, mos mendoni se u’a ka bërë shoku Mehmet dhe unë, ju përgjigja se; nuk e kam këtë mendim, por jam dakord me ty. I kam thënë që; Mehmeti, mund të ketë hedhur benzinën në zjarr, por që kryesor ai nuk është.
Bedriu pastaj vazhdoi duke më thënë se; shkaktari i fatkeqësive, shoku Enver, nuk është vetëm për neve, por edhe për të tjerët. I thashë që: ç’pati shoku Enver, apo mos u prek nga kritika, se unë kam shkuar mirë me të, gjithnjë. Bedriu tha që; kritika nga shoku Enver, u morr sikur i drejtohej atij personalisht kjo.
Pastaj, muhabeti kaloi te Koçi Xoxe, ja kështu i kemi marrë punët me nxitim dhe pa u thelluar, bëmë gabime, siç është çështja e Koçi Xoxes. – E pyeta unë për këtë, duke i thënë që; më shpjego se si është puna e Koçi Xoxes, sepse ti Bedri e di më mirë nga ana e fakteve, meqenëse ti ishe dhe prokuror në gjyqin e tij, sepse, i them unë, edhe unë jam i atij mendimi, se në çështjen e Koçi Xoxes, kemi gabuar.
Bedriu tha se; Koçi Xoxe ka pasur gabime dhe të meta, por gabime dhe të meta kemi pasur dhe ne të tjerët, por, përsa i përket akuzës kryesore, me të cilën ai u dënua, si agjent i jugosllavëve, tani kjo tezë bie, sepse udhëheqja jugosllave nuk na qenka agjenturë e Imperializmit, por një udhëheqje që ndërton socializmin, kjo gjë u vërtetua nga Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik dhe nga udhëheqësit e saj. Kjo nuk mund të diskutohet.
Për këtë, tha Bedriu, ka përgjegjësi Stalini dhe Beria që kanë ngatërruar këtë punë, prandaj në ditën e sotme, del se Koçi Xoxja, ka shkuar viktimë e situatës. Përsa i përket asaj kohe, neve nuk mund të rrinim pa e dënuar Koçin, sepse të tilla rrethana u krijuan, por në rrethanat e sotme, ai duhet rehabilituar.
Me këtë mendim të Bedriut, unë, Tuku, kam qenë plotësisht dakord, jo vetëm me këtë sqarim, por qysh më përpara, kur pashë që u rehabilitua Rajku, kisha arritur edhe vetë në këtë konkluzion.
Pastaj jemi hedhur tek marrëdhëniet me Jugosllavinë, këtu Bedriu, më tregoi se kish ardhur tek ai Dhora Leka, e dërguar nga Jugosllavët, për ta pyetur, se si e shikonte Bedriu marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe çështjen e Koci Xoxes, dhe nëse Bedriu, kishte material lidhur me procesin hetimor dhe gjyqësor që ishin zhvilluar kundër Koci Xoxes.
Unë tha Bedriu, jam përgjigjur, Dhora Lekës, se marrëdhëniet e vendit tonë me Jugosllavinë, i shikoj të dobishme, se Koçi Xoxja, shkoi viktimë e situatës dhe se material për këtë çështje nuk kam, por gjendet e botuar në gazetë.
Pastaj i tregova Bedriut, se edhe mua më ka ardhur Dhora e dërguar nga jugosllavët, të cilët edhe ata nëpërmjet Dhorës, kërkonin të dinin të njëjtat gjëra. I thashë që jam përgjigjur ashtu si ti, lidhur me çështjen e marrëdhënieve dhe për çështjen e Koci Xoxes, ndërsa për atë që; në qoftë se udhëheqja ekzistuese sjell pengesa, i kam thënë nuk ka zgjidhje tjetër, veçse me këtë udhëheqje, dhe në qoftë se nuk ka vullnet të mirë nga të dy palët, çështja zgjidhet me ndërmjetësinë e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.
Por që nëpërmjet Dhorës, i kam ngritur pyetje jugosllavit, se si e justifikon udhëheqja e jugosllave ndërhyrjen në vendin tonë. I thashë Bedriut, se këtë pyetje, nuk e kish pritur mirë jugosllavi dhe i kishte thënë Dhorës, se; Tuku ruan akoma pikëpamjet të vjetra në lidhje me këtë çështje, se ai nuk i din marrëdhëniet e ngushta dhe intime që ekzistojnë në mes të udhëheqjes së tyre dhe Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.
I kishte thënë Dhorës, që ai personalisht, kërkonte të më takonte dhe të më sqaronte, ndërsa përsa i përket çështjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, i kishte thënë Dhorës, çështja duhej të zgjidhej midis dy partive, dhe se partia juaj ka forca. Bile edhe deri në Komitetin Central, për ta zgjidhur këtë çështje.
Përsa i përket ndihmës ekonomike, i thashë Bedriut, unë kam refuzuar atë dhe Bedriu ishte dakord me mua. I thashë Bedriut, se edhe jugosllavët kanë faj, se nga ana e tyre ka pasur ndërhyrje, Bedriu tha; po si është e mundur, ata po ndërtojnë socializmin dhe njëkohësisht t’i quajmë ndërhyrës, megjithëse e çuditshme i thashë unë, por kjo është fakt, sepse një gjë të tillë e kemi jetuar, pastaj më në fund, Bedriu tha; po si është e mundur, me socialistët dhe ndërhyrës.
Pastaj jemi hedhur lidhur me masat që janë marrë në parti, unë, i shpjegova Bedriut, se si ishte sjellë Liri Belishova karshi shoqes sime, Mitës. Megjithëse ajo ka barë shkollën e Partisë në Bashkimin Sovjetik dhe i din rregullat, i kishte bërtitur Mitës në fund; dorëzo teserën dhe e kish nxjerrë përjashta, tamam sikur bejleresha dëbon bujkeshën nga çifligu. Jam çuditur se si nuk u bë ndonjë për burrë të ngrihej në organizatën e aparatit të Komitetit Qendror dhe të vinte në dukje, se këto janë shkelje të rregullave të brendshme të Partisë.
Duke vazhduar bisedimin me Bedriun, arritëm të bisedojmë edhe për masat që janë marrë nga partia kundër elementëve të ndryshëm, deri dhe në udhëheqësat të Partisë.
Neve nuk biseduam për çdo njeri veç e veç dhe konkretisht, por e shikuam çështjen si forume dhe na rezultoi se nga Komiteti Central provizor, nuk ka mbetur në udhëheqje asnjë, vetëm shoku Enver! Gjithashtu, edhe nga Byroja që u zgjodh në Konferencën e I-rë në Labinot, dhe nga Byroja që u zgjodh në Berat, nuk ka mbetur tjetërkush, veç shokut Enver, ndërsa nga Konferenca që u zgjodh në Labinot, nuk ka mbetur tjetër, veç shoku Enver, Hysniu dhe Gogoja.
Këtë situatë neve e quajtëm jo normale, ose anomali dhe menduam se anomalira të tilla mund të ngjasin vetëm atje ku mbizotëron kulti i individit, ne qemë të mendimit se për këtë anomali, përgjegjësia kryesore, bie mbi shokun Enver, se tek Enveri ka kult individi dhe udhëheqja duhet t’i shikojë këto, ku janë marrë masa më të rënda, ose si mbas rasteve, t’i korrigjojë. Për të gjitha këto, edhe Bedriu ishte dakord.
Mbas Konferencës së Tiranës, kur Bedriu kish qenë në Tiranë dhe kish takuar Dhorën në rrugë, dhe e kish pyetur për mua, pastaj i kishte thënë Dhorës, që thuaj Tukut, se Bedriu qëndron në ato pikëpamje ashtu siç kemi rënë dakord bashkë në Elbasan. Këtë, Dhora ja kishte thënë Mitës, kur kjo e fundit, ishte në Tiranë.
Nga shtatori 1956, kur Franoja kishte marrë lejen, erdhi në Berat, po edhe këtij i kishte thënë Bedriu të njëjtat gjëra, si Dhora Lekës. Kur është kthyer Franoja për në Gramash, i kam thënë unë, Tuku, që t’i thotë Bedriut, se edhe unë qëndroj në atë pikëpamje. /Memorie.al
I pandehuri Hetuesi
Tuk Jakova Irfan Shaqiri
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016