Dashnor Kaloçi
Pjesa e tetë
Memorie.al publikon disa dokumente të panjohura arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) dhe Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilat bëhen publike për herë të parë, ku ndodhet një korrespodencë e titullarëve kryesorë të Ministrisë së Jashtme, me ambasadën italiane në Tiranë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme në Romë, lidhur me ngjarjen e datës 6 janar 1989, kur anija “Dukati” gjatë lundrimit në Detin Adriatik, u rrëmbye nga kapiteni i saj, Enver Meta, i cili kishte fshehur tetë shokë të tij në ambientet e anijes dhe bashkë me ta, mbajti peng shtatë pjesëtarët e ekuipazhit, deri sa dolën në portin e Brindisit. E gjithë kronologjia e asaj ngjarje të rëndë që pati jehonë të madhe në shtypin italian, e cila jo vetëm që shkaktoi një përplasje të fortë diplomatike në mes Tiranës zyrtare dhe Romës, por shkaktoi një furtunë të madhe në radhët e Ministrisë së Brendshme në Tiranë, ku u shkarkuan apo i’u dhanë masa të rënda ndëshkimore 15 zyrtarëve të lartë të zinxhirit drejtues, nga nënoficeri i Pikës së Kalimit Kufitar në Portin e Durrësit, e deri tek Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, si dhe vetë ministrit Hekuran Isai, që i’u dha vërejtje e rëndë në mbledhjen e Byrosë që vazhdoi për disa ditë me radhë nën drejtimin e Ramiz Alisë, ku pati përplasje të forta midis anëtarëve të saj, me akuza të ndërsjellat për abuzime dhe shpërdorime, e deri në problemet familjare që ata kishin.
Mbledhja e Byrosë Politike për ngjarjen e arratisjes së anijes “Dukati”
ÇËSHTJA E KATËRT: “TË NDRYSHME” (NGJARJA E DURRËSIT)
SHOKU RAMIZ ALIA: Mirë. Tani e ka fjalën Agron Tafa.
SHOKU AGRON TAFA: Po u përgjigjem pyetjeve që më përkasin mua. Për sa i përket…., nuk ka patur të dhëna që ka pasur tendencë arratisjeje, pasi e kemi tërhequr në bashkëveprim.
SHOKU RAMIZ ALIA: Qartë! Mos hyrë në hollësira!
SHOKU AGRON TAFA: Për ngjarjen që ndodhi tani unë kam një përgjegjësi të rëndë, për këtë jam i ndërgjegjshëm. Më vjen rëndë që, pas një viti që bëri analizën Sekretariati i Komitetit Qendror për arratisjen në Han të Hotit, të vij të gjykohem përsëri në Byronë Politike, për të njëjtin problem shqetësues.
Megjithatë kam qenë dhe do të jem gjithmonë ekzigjent në gjykim dhe qëndrimet e Partisë. Me zemër të hapur i them Byrosë Politike që kam reflektuar dhe luftuar për të vënë në jetë vërejtjet, porositë dhe masat që mori Sekretariati i Komitetit Qendror të Partisë për arratisjen në Han të Hotit të bandës së Minella Andonit.
Kritikën e drejtë dhe porositë tuaja, shoku Ramiz, jam përpjekur t’i kuptoj drejt dhe të reflektoj për përmirësimin e punës. Qëndrimin e ngrohtë dhe dashamirës të Partisë ndaj meje jam munduar t’ia shpërblej me punë. Për këtë kam luftuar në dy drejtime:
- Së pari, si anëtar i Komitetit Qendror të Partisë, pas analizës që bëri Sekretariati i Komitetit Qendror të Partisë për ngjarjen në Han të Hotit, i bindur plotësisht në vlerësimet dhe gjykimet e drejta të Partisë, jam përpjekur që në punë të udhëheq me shembullin tim personal dhe të justifikoj besimin që më dha Partia. Në fillim u mundova të njihesha sa më shpejt me problemet e rrethit të Durrësit dhe t’i dilja për zot punës. Familjen e mora menjëherë me vete. Me shpirt e ndieja se ndaj Partisë kisha detyrime dhe isha borxhli. Me shembullin personal kam ndikuar te vartësit, për t’i mobilizuar ata në punë. Jam lidhur me organet e pushtetit e të Partisë në rreth dhe jam munduar të komunikojë drejt me ta për të evidencuar problemet e shqetësimet e punës, që të siguroj ndihmën dhe udhëheqjen e tyre. Në këtë këndvështrim mendoj se nuk kam mbajtur rezerva dhe, si komunist, kam bërë përpjekje për të përligjur besimin e Partisë dhe emrin si komunist.
- Së dyti, si kryetar i Degës së Punëve të Brendshme kam bërë përpjekje dhe do të vë të gjitha forcat për të realizuar porositë e Partisë dhe tuajat. Shoku Ramiz, për të vepruar më me shkathtësi e zgjuarsi për zbulimin e veprimtarisë armiqësore e keqbërëse. Konkluzionet e nxjerra pas arratisjes në Han të Hotit dhe porositë e veçanta që janë dhënë për portin, si kanal i mundshëm për veprimtarinë armiqësore, jam munduar t’i punoj me të gjithë kuadrot dhe hallkat dhe të organizoj punën për mbylljen e shtigjeve që mund të shfrytëzoheshin nga element armiq, siç u shfrytëzua në rastin konkret. Për problemet e portit kemi bërë një analizë të posaçme me shokun Qirjako, kemi bërë plane të veçanta, duke shtruar detyra konkrete për secilin kuadër.
Disa masa i kemi marrë për portin. Masa janë marrë për heqjen e njerëzve me biografi të keqe që nuk e meritojnë të punojnë në port, për forcimin e regjimit të fletë-hyrjeve, për sigurimin e anijeve të huaja me dy ushtarë nga një që kishte më parë. Kjo u bë për shkak të presioneve të mëdha që bënin të huajt për komprometimin e tyre dhe të kalesave që kemi patur kohët e fundit.
Duke marrë shkas dhe nga analiza që u bë në kolegjiumin e ministrisë me shokun Simon, morëm disa masa të përgjithshme për portin, me plane konkrete pune. Gjykuam me vend ndërtimin e punës operative në port, sidomos në brigadat që punonin në kontakt me të huajt. Por me gjithë masat që u morën duhet thënë që ngjarja që ndodhi nuk i përligj ato.
Përgjegjësia për këto dy ngjarje është në dy drejtime: së pari si organ, Sigurimi nuk siguruam informacion për të gjithë këtë veprimtari armiqësore që u zhvillua në port dhe, së dyti, për mungesë kontrolli ndaj……që doli tradhtar.
Nga të dhënat që po sigurojmë tani, del qartë që kjo veprimtari nuk është e rastit. Këta element kanë manifestuar shfaqje të huaja, u pëlqente jeta e shthurur, muzika e huaj, disa kamë lidhje interesi me persona në Itali ose me vizitorë që kanë qenë atje. Ata janë mbledhur për të organizuar këtë arratisje, por Sigurimi ynë nuk e ka nuhatur veprimtarinë e tyre. Ne po e ndjekim me kujdes këtë punë me sensin që të zbulojmë dorën e Zbulimit të huaj, sidomos atij Italian, veprimtaria e të cilit është jo vetëm e hershme, por edhe aktuale në rrethin e Durrësit.
Si gjithmonë dhe këtë radhë, ngjarja është rrjedhojë e drejt për drejtë e shfaqjeve të theksuara të liberalizmit. Ato kanë ekzistuar, i evidentoi dukshëm ngjarja. Armiqtë e kishin nuhatur që nuk bëhej kontroll, prandaj patën kurrajo dhe u futën në anije. Nënoficeri i pikës së kontrollit e dinte se kontrolli i komandës së portit ishte i dobët, prandaj nuk i kontrollonte anijet konform rregullores. Ndërmarrja dhe peshkatarët e shihnin që nuk i bëhej kontroll i plotë në anijet dhe pajtoheshin me gjendjen. Këto mungesa u evidentuan edhe në mbledhjen llogaridhënëse. Mungesa e kontrollit kultivoi mëndje madhësinë dhe ambientimin me gjendjen. Në Ndërmarrjen e Peshkimit ka zënë rrënjë koncepti që peshkatarët janë janë kufitarë dhe nuk shkojnë në shtetet të tjera, prandaj dhe kontrolli ishte i dobët.
Sinjal për këtë arratisje ishte dhe tentativa e arratisjes e personit që u fut në anijen “16 Shkurti”, që do të shkonte për në Ravena. Disa masa ne i morëm për forcimin e punës në komandën e repartit. Shërbimet e policisë, qoftë dhe duke dubluar rojet, në mënyrë të veçantë për anijet me ngarkesa, siç ishte anija “16 Shkurti”.
Megjithatë, ta themi hapur, jemi larg asaj që kërkon Partia, që zbatimi i rregulloreve dhe normave t’u hyjë në gjak njerëzve. Një ndikim të fortë në këtë problem, ka puna e Partisë, por dhe shembulli personal i kuadrove.
Presioni ndaj kuadrove dhe efektivit për lëshime dhe komprometim është i fortë. Nuk janë pa ndikim edhe fryma e justifikimit, hezitimi apo mos qëndrimi autokritik ndaj vetes dhe shokut.
Megjithatë unë e kuptoj që ngjarja është e rëndë dhe për këtë ndjej përgjegjësi para Partisë. Por kam besim të patundur në gjykimin e Partisë dhe nuk do të kursej asgjë për interesat e saj.
Këto kisha unë shoku Ramiz.
SHOKU RAMIZ ALIA: Tani e ka fjalën shoku Kiço Mustaqi.
SHOKU KIÇO MUSTAQI: Arratisja e anijes së peshkimit është një ngjarje e rëndë. Nga tre raportet që lexova, del që: po të zbatoheshin rregullat që kemi vendosur për kufirin, nuk do të ndodhte kjo.
Më duket që masat organizative, administrative, që u morëm pas ngjarjes në linjë partie e shtetërore, janë më të plota, por kjo çështje duhet shikuar më thellë. Dhe ne, si ministri, për këtë ngjarje të nxorëm përgjegjësinë tonë për Komandën e Flotës, dhe drejtorinë operative, si dhe morëm masat përkatëse, çmobilizuam dy oficerë, një e shkarkuam nga detyra, e të tjera. Nga kjo ngjarje nxorëm konkluzionin që Flota Luftarake duhet ta ndjekë situatën në det dhe të bashkëveprojë me Flotën Tregtare dhe me atë të Peshkimit.
Ushtria ka mjaft pika delikate, që për pakujdesi në zbatimin e rregullave apo nga një veprim armiqësor, mund të ndodhin ngjarje të rënda politike dhe ushtarake.
SHOKU RAMIZ ALIA: Kinema “Partizani” në Tiranë na u dogj me një cigare.
SHOKU KIÇO MUSTAQI: Zbatimin e rregullave, forcimin e disiplinës dhe kontrollit po e shohim më gjerë në çdo drejtim e hallkë të Ushtrisë.
Për të gjitha këto mangësi unë kam përgjegjësinë time para Byrosë Politike dhe Shtabit të Përgjithshëm. Këto problem do t’i shoh më thellë për të rritur kërkesën e llogarisë dhe të jem më i rreptë ndaj çdo shfaqje të liberalizmit në shkeljen e rregullave në Ushtri.
Në diskutimin e shokut Ferit, mendoj që ka njëanshmëri. Ju, si Komandant i Kufirit, shoku Ferit, urdhrin duhet ta kishit lexuar mirë. Urdhri thotë që Ndërmarrja e Peshkimit duhet të njoftojë çdo dy orë pikën e kontrollit të kalimit në port. Ky urdhër është që kur kufirin e kishte Ministria e Mbrojtjes Popullore. Në qoftë se është puna që duhet të dalë një katër. Flota Luftarake i ka nxjerrë dhe do t’i nxjerrë. Por problem nuk është këtu. Problemi është të zbatohen me rigorozitet rregull;at e normat në Ushtri, në organet e punëve të Brendshme dhe në sektorin civil. Prandaj, zbatimin e rregullave, shoku Ferit, duhet ta ndjekë nga afër.
Në raportin e Komitetit të Partisë shoku Qirjako duhej të thellohej më tepër në analizën e kësaj ngjarjeje, të nxirrte përgjegjësinë e aparatit të Komitetit të Partisë dhe të tijën personalisht për nivelin e ulët të punës së partisë në rreth.
Duhet reflektuar tani, vërejmë që urdhra me katër firma nuk duhen. Prandaj duhet t’i rishikojmë urdhrat që kemi nxjerrë. Urdhrat duhen të jenë të prerë.
Detin unë e kam ndarë në kuadrate për t’a kontrolluar, që të mos futet asnjë anije e huaj për një agresion të përgjithshëm e nuk e shikoj nga këndi tjetër. Problemi kryesor është që nuk janë zbatuar rregullat, duke nisur që nga unë. Unë nuk i kam kërkuar llogari zëvendësit tim për zbatimin e rregullave, që edhe ai t’i kërkonte vartësve të vet. Komandantit të Flotës Luftarake, Skënder Doçit dhe Ndue Jakut, nuk u kam kërkuar llogari me atë forcë që duhet të raportojnë në kohën e caktuar për zbatimin e detyrës luftarake. Kërkesa e llogarisë ka qenë e dobët dhe për çështje të tjera që kanë pasur divizionet, prandaj unë mbaj përgjegjësi bashkë me Shtabin e Përgjithshëm dhe për këto fenomene që kanë ndodhur. Këto kisha unë, shoku Ramiz.
SHOKU RAMIZ ALIA: Mirë. Tani e ka fjalën shoku Zylyftar Ramizi.
SHOKU ZYLYFTAR RAMIZI: Ngjarja e anijes “Dukati” është e rëndë. Kjo, si dhe ngjarja e Shkodrës, kanë si faktor të përbashkët shkeljen e normave dhe të rregullave nga organet e Sigurimit e të Kufirit, ku drejtoj unë, shoku Ferit Zeneli dhe Agron Tafa.
Kjo ngjarje bëhet edhe më e rëndë për faktin që një vit më parë u bë një analizë në Sekretariatin e Komitetit Qendror të Partisë për arratisjen në Han të Hotit. Shoku Ramiz në fjalën e tij të mbajtur në mbledhjen e Sekretariatit theksoi: “Organet e punëve të Brendshme duhet të kuptojnë këtë ngjarje si një kambanë alarmi dhe nëpërmjet analizë së saj, të evidentojmë më mirë dobësitë që vihen re në aspektin organizativ, në zbatimin e rregullave e në luftën kundër shfaqjeve të huaja dhe familjaritetit e të liberalizmit. Kjo kërkon gjithnjë vendosjen e një disiplinore rigoroze në zbatimin e rregullave”.
Faktet tregojnë që këto fenomene kanë ndodhur se ka pasur shkelje të rregullave dhe normave. Këtu është dhe përgjegjësia ime.
Për zbatimin e një urdhri ushtarak nuk është e nevojshme të bëhet një punë politike e të ketë përgatitje profesionale. Në postën e kufirit dhe në pikën e kontrollit të kalimit në port, futesh vetëm me lejen e organeve të kufirit të shoqëruar me pasaportë. Kryetari e zëvendës kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, nuk kanë nevojë për punë politike e përgatitje profesionale që të kërkojnë zbatimin e një nga normat bazë, atë të vërtetimit me të gjitha llojet e punës operative, të rrjetit sekret informative dhe, në veçanti, të punës së bashkëpunëtorit që ka dalë nga veprimtaria armiqësore dhe keqbërëse.
Për këtë kam faj direkt unë, shoku Ferit dhe shoku Agron.
Pa mohuar rezultatet që janë arritur gjatë kësaj periudhe në punën e Ministrisë dhe të organeve në bazë, siç e ka përcaktuar Partia dhe ju shoku Ramiz, në organet e punëve të brendshme ka pasur të meta dhe dobësi. Pra, vërejtjet që bëhen për organet e punëve të brendshme, qëndrojnë. Por, përveç dobësive, që ekzistojnë akoma në organet e punëve të brendshme, herë pas here ka edhe shfaqje të mendjemadhësisë, që, për mendimin tim, e kanë burimin te e kaluara. Shfaqjet e mëndje madhësisë shprehen edhe në veprimtarinë operative, në shkeljen e normave, në marrjen, ndjekjen e përpunimin. Me gjithë luftën që është bërë kundër shfaqjeve të tilla, përsëri konstatojmë përpunime të pabazuara, ndjekje tej afatit. Këto raste të rralla janë, por me pasoja të rënda, që e kanë bazën te e kaluara. Po kështu, me gjithë punën e madhe që është bërë në ministri kundër këtij koncepti, ka raste kur kryetari dhe zëvendës kryetari i Degës së Punëve të Brendshme e matin punën e Punëtorit Operativ me numrin e përpunimeve dhe jo me punën që bëhet për zbulimin dhe parandalimin e veprimtarisë armiqësore. Ky është një koncept i gabuar dhe me pasoja shumë të rënda.
Akoma ka kuadro kryesorë që nuk e ngarkojnë veten me punë, që nuk marrin pjesë direkt për të zgjidhur punë konkrete. Ata duan ta ruajnë veten e tyre dhe t’ia shkarkojnë punët te kuadrot e bazës.
SHOKU RAMIZ ALIA: A ka familjaritet në organet e punëve të brendshme, duke filluar që nga kuadrot e Ministrisë?
SHOKU ZYLYFTAR RAMIZI: Ministri dhe zëvendës ministrat kanë bërë kritika drejtpërdrejt dhe të hapët në mbledhjet e kolegjiumit e në mbledhjet e drejtorive të ministrisë. Këtë e them me përgjegjësi.
SHOKU RAMIZ ALIA: Nuk dyshoj që Hekurani nuk kritikon, që ai ka familjaritet me vartësit. Unë e kam fjalën për familjaritetin në përgjithësi që ekziston prej shumë vjetësh në organet e Sigurimit të Shtetit dhe që buron nga natyra e punës së mbyllur të këtyre organeve. Familjariteti në punonjësit e Sigurimit është tamam si mendjemadhësia intelektuale që është karakteristikë e njerëzve të punës mendore.
SHOKU ZYLYFTAR RAMIZI: Nuk mund ta absolutizoj që shkelen rregullat, por raste ka. Pikërisht ky rregull është shkelur në rastin konkret. Po të mos ishte shkelur, do të kishte dalë që….ishte në pozita armiqësore. Por…ka dhënë të dhëna deri në muajin e fundit.
SHOKU RAMIZ ALIA: Juve ju erdhi dhe i ati i Pal Mëlyshit këtu, Zylyftar.
Ambasadori ynë në Itali merr në tel Hekuranin dhe i thotë të vij apo të mos vij Gjoni. Ky Gjoni ishte i ati i Pal Mëlyshit. Por punonjësi i Sigurimit i ambasadës sonë në Itali, nuk e morri mundimin të thotë që ky është i ati i Pal Mëlyshit, që ka qenë një nga eksponentët e reaksionit dhe armik i tërbuar i pushtetit tonë popullor. Dhe drejtori i Drejtorisë së Tretë në Ministri nuk shqetësohet fare. Hekurani e morri për një Gjon tjetër dhe i tha të vijë. Tani për t’ju mbrojtur ju, po edhe se e ndjeu përgjegjësinë, Hekurani tha e bëra unë. Ambasadori nuk duhej të merrte në telefon ministrin dhe të pyeste të vijë apo të mos vijë filani në Shqipëri. Por as Hekurani nuk kishte të drejtë ta merrte ambasadorin në telefon e t’i thoshte jepi vizën filanit. Kështu është rregulli. Mirëpo, pikërisht se nuk zbatohen rregullat, ndodhin gjëra të tilla. Për këtë rast nuk u morr ndonjë masë ndaj punonjësit të Sigurimit në Romë dhe drejtorit të Drejtorisë së Tretë.
Ja, këto kam parasysh unë shoku Zylyftar, kur them se ka familjaritet në organet e punëve të brendshme. Për rastin që përmenda, rregulli u shkel si nga shoku Hekuran, ashtu dhe nga ministria. Prandaj t’i zbatojmë rregullat dhe normat që kemi vendosur. Ky është problemi themelor.
SHOKU HEKURAN ISAI: Për zbatimin e rregullave, ju keni plotësisht të drejtë shoku Ramiz. Nuk mund të pretendojmë që nuk ka familjaritet dhe liberalizëm në organet e punëve të brendshme dhe të Sigurimit. Familjariteti dhe liberalizmi shfaqen, në radhë të parë në shkeljen e rregullave dhe të rregulloreve të disiplinës, që nga hallka ushtar, dhe deri te kuadrot e komandës. Po të zbatohen rregullat dhe normat nga komanda e kuadrot eprorë dhe po të ketë një kontroll efektiv nga ana jonë, si ministri, nuk mund të abuzojë ushtari, nuk mund të tolerojë as komanda e kufirit, e as Sigurimit. Mirëpo efektiviteti i kontrollit lë për të dëshiruar, ndaj dhe ndodhin ngjarje të rënda, që na kushtojnë në çdo drejtim.
SHOKU RAMIZ ALIA: Mirë, Hekuran! Çmendim kanë shokët?
SHOKU RITA MARKO: Ngjarja në anijen “Dukati”, është shumë e rëndë dhe ngarkon me përgjegjësi Komitetin e Partisë në rrethin e Durrësit dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme. Dy arratisjet që ndodhën vjet në Shkodër, në Vermosh dhe në Hanin e Hotit, dhe ngjarjet që ndodhën këtë vit në Portin e Durrësit, në anijen “16 Shkurti” të Ravenës dhe në atë të “Dukatit”, janë të lidhura me çështjen e Popajve. Këto për mendimin tim, i hapin shumë probleme partisë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Kanë hapur një problem të jashtëm politik.
SHOKU RITA MARKO: Ngjarjet që kanë ndodhur në këto situata, janë një veprimtari e organizuar e armikut kundër vendit tonë. Por shokët e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ato të rrethit të Durrësit, nuk e kanë patur si duhet parasysh këtë gjë.
Tani u hap dhe një kanal tjetër, na arratisen edhe me anë të anijeve. Ka rrezik të arratisen edhe me anë të makinave të eksportit.
SHOKU RAMIZ ALIA: Dhe me anë të aeroplanëve.
SHOKU RITA MARKO: Nga të gjitha këto që kanë ndodhur, del se elementi armik në pikën kufitare, sidomos në disa qendra të tilla, ka aftësi, terren dhe mundësi të organizohet. Ai është organizuar jo vetëm në grupe të vogla, por edhe në grupe të mëdha. Por me sa duket, ne nuk e njohim situatën në këtë drejtim. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016