Nga Vehbi Bajrami
Pjesa e parë
Memorie.al / Më 13 prill 2022 ndërroi jetë biznesmeni dhe veprimtari i njohur i komunitetit shqiptar, Zef Balaj. Ai ishte për disa dekada pjesëmarrës në të gjitha ngjarjet më të rëndësishme të komunitetit tonë. Mbështetës i vendosur i “Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane”, i Federatës “Vatra” i Kishës Katolike Shqiptare në New York si dhe i gazetës “Illyria”. Me këtë rast po ribotojmë këtë pjesë kushtuar atij dhe familjes së tij në librin “Shqiptarët e Amerikës”, me autor Vehbi Bajramin, botuesi i gazetës “Illyria”, në New York. Fotografitë në bardhezi janë pjesë e librit dhuruar nga vetë i ndjeri.
NEW YORK
Nëse skenaristët tanë kërkojnë tema për të realizuar filma të suksesshëm nga jeta reale e njerëzve, le të dëgjojnë rrëfimet e shqiptarëve që u arratisën nga Shqipëria në kohën e komunizmit. Secili prej tyre mbart në vetvete diçka të veçantë. Ato janë copëza të një mozaiku të thyer jetësor. Vetëm ata që i kanë përjetuar e dinë se çdo të thotë të lësh njerëz e pasuri në vendin tënd e të mësysh rrugën e largët pa e ditur se ç’të pret: shpëtimi apo plumbi.
Skenaristë, regjisorë e gazetarë që dini të shkruani, dëgjoni me vëmendje rrëfimet e mërgimtarëve tanë! Ato janë të denja për t’i bërë filma, për t’i përmbledhur në kornizat e librave e faqeve të gazetave. Mos lini të vdesë këtë histori kaq të dhimbshme të pjesës fatkeqe të popullit tonë të shpërndarë anembanë rruzullit tokësor!
Prindërit e Linës, Çun e Drane Kuraj, u arratisën nga Fierza më 1951. Edhe ata i ndoqi bahti i keq. Jetonin në një zonë të cilën “kaçakët”, siç i thërrisnin ata që nuk i bindeshin regjimit në fuqi, e kishin zgjedhur si vendstrehim e i bënin sfidë pushtetit. Edhe Çuni e të afërmit e tij qenë të inkuadruar në këtë lëvizje të armatosur kundër regjimit. Në fillim të viteve ‘50-të, forcat e rezistencës komuniste kishin filluar të dobësohen.
Aleatët e tyre, të ashtuquajturit “diversantë” që hynin e dilnin në Shqipëri nga shtetet fqinje për të përmbysur regjimin me ndihmën e forcave të jashtme, që nuk u treguan aspak të sinqerta në këtë mision, edhe ata po dështonin në misionin e tyre. Të gjithë po bindeshin përditë se regjimi i Enver Hoxhës nuk ishte aq i lehtë për t’u përmbysur. Banorët e zonave të Veriut të Shqipërisë, shpresat e tyre të thyera, për një jetë të lirë, vazhdonin t’i kërkonin diku tjetër.
Drini ka qenë pengesa kryesore për të gjithë ata që merrnin rrugën e arratisjes përtej kufirit. Ai qe më i vështirë për t’u kaluar edhe se vetë kufiri ku mund të gjeje vdekjen nga plumbat e rojeve kufitare. Nuk e kanë thënë kot të vjetrit: ruaju nga uji e nga zjarri. Mbi atë lumë nuk kishte asnjë urë për të kaluar në bregun tjetër. Sa jetë u mori ai fshatarëve që nuk dinin not? Sa vetave u kalli tmerrin kur i binin ujit me not e nuk ishin të sigurtë, se a do të mbërrinin në bregun tjetër?
Në këtë zonë, shumë kohë më parë, dikush kishte shpikur një metodë për të kaluar lumin. Krijoi një lloj barke me purtekë e me errshiqë prej lëkurës së dhisë, e cila pas therjes së kafshës, me një mjeshtëri të posaçme, shkoqitej nga trupi i saj, pa e prerë në asnjë pjesë dhe e tillë fryhej me ajër. Errshiqa ngjitej me disa purtekë dhe ajo mbante peshën e njerëzve e të plaçkave mbi lumë.
Por manovrimi i kësaj barke kish sekretin e vet. Jo çdokush mund ta drejtonte. Valët e lumit mund të të tërhiqnin në drejtimin që rridhte, sidomos pas shirave kur ato rrëmbenin gjithçka që gjenin përpara. Barka duhej me mjeshtëri për t’u lundruar në drejtim të bregut tjetër me gjoks, duke u dhënë këmbëve me tërë forcat, për ta mposhtur fuqinë e ujit.
Ka pasur njerëz që janë marrë vetëm me kalimin e fshatarëve përtej Drinit. Më i njohur ndër ta ka qenë Çun Kuraj. Ai u bë shpëtimtar i tërë atyre njerëzve që iknin për të kaluar kufirin. Pasi e kishte kryer këtë punë për shumë vjet me radhë duke i kaluar të gjithë pa një therë në këmbë, Çunin fshatarët e thërrisnin “vozar”, që është baras me një kapiten të sotëm të anijes moderne.
Dikur kishte ardhur koha që ai ta bënte këtë punë edhe për vete. Si shumë të tjerë, edhe ai ishte futur në listat e njerëzve që i nxirrnin probleme regjimit komunist në fuqi. Kur mori vesh nga një mik i vet se e priste arrestimi, u bë gati shpejt e shpejt dhe u arratis me të shoqen Dranen dhe vajzën, Linën 7 muajshe. Djalin tre vjeç, Gjeloshin nuk e mori me vete, për t’i bindur pleqtë, prindërit dhe tre të afërm të tjerë, edhe ata të moshuar, se nuk po ikte përgjithmonë, por do të kthehej sërish dhe ja, si peng po u linte djalin e vogël.
Ai si dhe të gjithë ata që u arratisën, mendonin vërtet se Shqipëria do të çlirohej shumë shpejt nga komunizmi dhe ata pastaj do të ktheheshin sërish në vendin e tyre. Askush nuk e mendonte se një regjim i tillë do të mbijetonte për kaq vjet. E Sigurimi i Shtetit, si ai më! Me të marrë vesh se Çuni u arratis, përhapi një thashetheme që e besuan të gjithë: vajza e vogël Lina qenkësh mbytur në lumë!
Dhe kush e kishte bërë këtë vepër? Vetë Çuni, njoftonte Sigurimi Shtetit. “O Zot, si mund të ndodhë një gjë e tillë”? – pëshpërisnin të afërmit e Çunit e banorët e tjerë të rrethit. “Babai të hedhë në lumë vajzën e vet? Kjo s’ka bërë vaki me askënd e s’ka se si të ketë ndodhur edhe me Çunin! Mos e kanë hedhur fëmijën në lumë vetë forcat e Sigurimit”? – pyeti dikush. Sido që të qe, lajmi mori dhenë dhe nuk doli njeri që ta përgënjeshtronte. Prindërit e Çunit, tepër të pikëlluar, ngarendën të parët drejt Drinit.
Tri javë rresht ata kërkuan në thellësitë e lumit e në bregun e tij se mos e gjenin trupin e vajzës së vogël. Të vërtetën e mësuan vonë, atëherë kur tashmë ishin dërmuar shpirtërisht si pas një morti. Çun Kuraj pasi banoi disa vjet në Kosovë, mërgoi në Belgjikë ku jeton tash 50 vjet. Djali i tij Gjeloshi, që mbeti në Shqipëri, bëri më se 16 vjet burg e internim, meqë kishte prindërit të arratisur.
Familjet që ikën nga Shqipëria në Botën e Lirë, lidhën miqësi, martesa e kumari të reja. Dikush u martua në kamp, dikush pasi doli nga ai dhe, u vendos në Amerikë apo në ndonjë vend tjetër të Perëndimit. Si të lidheshin të rinjtë me njëri – tjetrin? Mërgimtarët u shpërndanë nëpër gjithë rruzullin tokësor deri edhe në Australi. Mirëpo, largësia shpesh nuk ka qenë pengesë që të rinjtë të lidheshin me njëri tjetrin, duke u shërbyer dikush si ndërmjetës.
Kur u rrit Lina e Çun Kurajt që jetonte në Belgjikë, lidhi fatin e jetës me Zef Balajn që kishte emigruar në Amerikë. Ajo më tregon disa fotografi nga ceremonia e dasmës në Bruksel. Një grup bashkatdhetarësh e përcjellin çiftin e ri pasi ka lidhur kurorë në komunë dhe ka marrë bekimin e priftit në Kishën “St. Alice”.
Dasma u bë më 6 shtator 1969. Ajo zgjati nga ora 10 para dite, deri në orën 3 e 30 minuta pas dite dhe vazhdoi në Amerikë, po atë ditë në mbrëmje. Çifti i ri mori aeroplanin menjëherë pas ceremonisë. Por, duke qenë se koha evropiane është disa orë para asaj amerikane, ata arritën në Amerikë pikërisht në kohën kur po i prisnin dasmorët. Ky mund të jetë një rast i denjë për t’u shënuar në librin e Ginisit: një dasmë shqiptare ndodhi në të njëjtën ditë, në dy kontinente.
Zef e Lina Balaj kujtojnë e bisedojnë shpesh për të kaluarën. Historia e mërgimit të tyre është gati e njëjtë. Balajt nga Mziu i Pukës dhe Kurajt nga Fierza, lanë vendin për motive të njejta e në të njejtën kohë. Nuk kishin rrugë tjetër. Ose të iknin, ose të përfundonin në burg. Ato nuk qenë larg njëra tjetrës dhe bashkëpunuan për t’i bërë rezistencë regjimit të Enver Hoxhës.
Pas ardhjes në pushtet të komunistëve, filloi mobilizimi, moshë e pa moshë, i “vullnetarëve me zor”, siç i quan Zefi, për t’i shërbyer pushtetit. Vëllai i dytë i tij, Pjetri, kur ishte 16 vjeç, u detyrua të shkonte “vullnetar” për të zëvendësuar vëllain e madh Gjeloshin, i cili duhej të kujdesej për shtëpinë. Pas disa muajsh, pushteti e mori me shërbim edhe vëllain e madh. Të dy ata u veshën ushtarë. Në atë kohë, shtëpinë e tyre në Mzi e mbuloi morti.
Babai i tyre, Gjoni, shtylla e familjes, ndërroi jetë. Shtatë fëmijët mbetën nën kujdesin e nënës. Nuk kaloi shumë kohë dhe shtëpia e tyre u dogj e gjithçka filloi mprapsht: skamja trokiti në derën e balajve. Gjeloshi menjëherë pas lirimit nga ushtria, filloi të rregullonte shtëpinë njëkatëshe, duke ngritur edhe një kat mbi të. Në këtë kohë, ai lidh fatin me Lule Martinën. Gjeloshi e Pjetri vazhduan të mbajnë lidhjet me forcat e rezistencës.
Vëllezërit Balaj duke parë rrezikun se do të arrestoheshin, kishin vendosur të linin vendin në një moment të përshtatshëm. Dhe, siç do të lexoni më poshtë, arratisja u bë e paevitueshme. Pjetrin e kishin kërkuar të paraqitej në Degën e Sigurimit të Shtetit, në Pukë. Ai ishte informuar prej disa miqve të besueshëm se do të arrestohej, sepse ai dhe familja e tij po bashkëpunonin me forcat antikomuniste e, po strehonin ato. Ikja u bë e domosdoshme.
Dhe ata u arratisën në mesnatën e 30 qershorit 1951, kur Balajt po kremtonin Festën e Shën Palit dhe Shën Pjetrit, një festë fetare e fisit Kabashi, të cilit i përkasin ata. Balajt e festonin edhe si festë të veten me miq, bija e dashamirë. Kjo festë si zakonisht kremtohej tri ditë me radhë. Natën e festës, Pjetri shkoi në fshatin Iballe për ta sjellë motrën, Lushën, në festë. Ata u vonuan dhe arritën vonë në fshatin Mzi që shtrihet pranë Drinit, ndërmjet Kukësit dhe Fierzës. Aty u ndaluan nga patrullat e ushtrisë. Të dy palët e njohën njëri tjetrin, meqenëse edhe Pjetri ishte me uniformë të rojeve të pyjeve.
“Pasi ju jeni i besuari i Partisë dhe i veshur me uniformë, – i tha oficeri i ushtrisë Pjetrit, – do të vini me ne ndërsa motra duhet të shkojë në shtëpinë tuaj. Në asnjë mënyrë të mos guxojë e të tregojë se me kë është takuar. Atyre në shtëpisë le t’u thotë se Pjetri është me shërbim dhe nuk mund të vijë sonte. Ne kemi informacione se një shtëpi në Mzi, po strehon forca armiqësore dhe ato, me sa dimë ne, do të vijnë sonte aty”.
Pjetri në atë çast mendoi për shtëpinë e një fqinji, e cila kishte miqësi me familjen e Kol Bibë Mirakajt.
Rreth mesnatës oficeri nis ushtrinë drejt shtëpisë që kërkonin. Kur i afrohen ndërtesës, oficeri i thotë Pjetrit: “Kjo është shtëpia”! Pjetri u gjend në një pozitë të vështirë: ajo ishte shtëpia e tij. Pas pak i thotë oficerit: “Unë kam një kërkesë të vogël. Ju thoni se në këtë shtëpi do të vijnë kaçakët dhe, nëse ata vijnë, do t’i vrasim. Mirëpo, nëse ata nuk vijnë sonte, unë kërkoj me këmbëngulje që nesër në mbrëmje, të shkojmë e të rrethojmë shtëpinë e atij që iu ka drejtuar këtu. Kjo është shtëpia ime”. Oficeri i shpërndau ushtarët nëpër pozicione, e më pas i drejtohet sërish Pjetrit: “Ju duhet të rrini me mua”.
Të dy po rrinin nën një pemë. Disa orë pas mesnatës, Pjetri, për ta thyer heshtjen, i drejtohet oficerit: “Kam një mendim. Derisa po rrimë këtu kot, a mund të shkoj brenda të marr ca raki e mish të pjekur fërliku. Është i shijshëm”. “Shko e mos u vono”, i tha oficeri. Me të hyrë në dhomë Pjetri u kërkoi falje mysafirëve që nuk mund të ishte bashkë me ta, për shkak se e kishin caktuar me shërbim, por u premtoi se ditën tjetër do të rrinte. Në atë moment Pjetri mori një lajm tronditës nga vëllai, Gjeloshi. Ky i fundit ishte marrë vesh me “kaçakët” që ata të vinin atë natë në shtëpi, për të marrë ushqime.
“Shtëpia është e rrethuar me ushtarë”, ia ktheu Pjetri. “Për këtë më ka informuar motra”, – i tha Gjeloshi. Aty për aty vëllezërit ranë dakord që nëse do të shpëtonin gjallë nga ky rrethim, të takoheshin te Bjeshkët e Dardhës. Pjetri kthehet te oficeri me mish e me raki. Ai kishte vendosur që në momentin kur do të dëgjonte krismën e pushkës, të vriste oficerin. Orët kaluan e rakia e mishi u sosën.
Pjetri i propozoi sërish oficerit, të hynte në shtëpi. Oficeri ra dakord. Kur Pjetri hyri brenda për të dytën herë, e gjeti vëllanë Gjeloshin të gëzuar. “Ç’ka ndodhur”, pyeti ai. “Po hamë, pimë e po bëjmë qejf”, – ia ktheu ai dhe iu afrua në vesh Pejtrit: “Ata që duhej të vinin, erdhën. Folëm me ta dhe u larguan prapë, kur u thashë se ishim të rrethuar”.
Pjetri u kthye te oficeri. Vazhduan të hanë e pinë. Nuk vonoi shumë e doli drita. Më në fund oficeri i bashkoi ushtarët dhe u largua. Pjetrin e la të lirë, duke e urdhëruar që të rrinte shtëpi se do t’i duhej prapë. Pjetri e Gjeloshi vendosën që të arratisen natën tjetër. Dhe ashtu bënë. S’kish rrugë tjetër. Organet e pushtetit po rrinin në fshat në pritje për të pritur momentin kur do të kryenin arrestimet e tyre. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













