Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e tridhjetegjashtë
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Njoha atje, nga të gjitha kategoritë; profesionistë brilant, intelektualë të shkëlqyer, pedagogë të të gjitha fushave, mjekë, linguistë, inxhinierë, agronomë, muzikantë, gazetarë, artistë, poetë, shkrimtarë, sportistë, piktorë; me një fjalë, mendje të ndritura të formuara në shkollat më prestigjioze të perëndimit dhe lindjes, që për nga përgatitja teoriko-shkencore, do t’iu bënin nder edhe akademive më prestigjioze të shteteve më të përparuara të botës. Njoha individë të ndershëm e të thjeshtë; punëtor qytetesh apo fshatarë e barinj të pashkolluar, që s’dinin pse gjendeshin në burg dhe as e kuptonin ç’ishte politika.
Njoha malësorë, që kishin përfunduar “armiq të popullit e partisë”, thjeshtë se në vazhdën e traditës dhe besës së maleve, iu kishin dhënë bukë e strehë, gjithë atyre që ua kishin kërkuar, pa i ndarë në komunistë apo antikomunistë; njoha minoritare nga të gjitha pakicat; grekë, shule, goranë e vrakaçorë, që ndonëse s’dinin asnjë fjalë shqip dhe s’kishin zbritur asnjëherë në qytete, përjashto rastin kur i kish marrë “gjashtëdhjetenënçi” me hekura në duar, ishin pagëzuar politikanë; njoha vllehër që dinin të flisnin vetëm për dhentë dhe për jetën në stane; njoha të huaj, gjermanë, italianë, rusë të bardhë, serbë, malazias, bullgarë, grekë, madje dhe amerikanë e një australian, të ardhur në Shqipëri si refugjatë politikë apo turistë dhe iu dhanë strehim në hotelet-qeli të burgjeve politikë, si agjentë të spiunazheve të vendeve nga vinin.
S’po zë në gojë disa qindra kosovarë, të ardhur në vendin amë, mbas reprezaljeve dhe luftës nga regjimi i Titos, sepse këta s’po i fus te të huajt, ndonëse komunizmi i konsideroi të tillë. Ata kërkuan shpëtim te sivëllezërit e gjakut dhe këta ua shpërblyen besimin, duke i degdisur pjesën dërrmuese në internime, kënetave të Myzeqesë, të tjerët në burgjet politike dhe kush mbetej, e përdorën si monedhë shkëmbimi, në pazare me autoritetet e U.D.B.-së. Për çamët s’po flas sepse, i konsideronin njësh me ne të tjerët, në mos më zi. S’po përmend as eksponentët dhe intelektualët, përfaqësues të komuniteteve fetare, sepse këta i kishin shpallur heretikë dhe si të tillë i luftuan dhe i zhdukën fizikisht që në dyzetekatrën, duke i eliminuar si armiq potencialë të supozuar, kundër komunizmit. Njoha dhjetëra jevgj, po i konsideroja të stabilizuar dhe i klasifikoja pjesë përbërëse të popullit tonë.
Çudia më e madhe, ajo që më la pa gojë e më bëri të mbaj frymën, ish rasti kur takova të vetmin arixhi autentik, të burgosurin politik Refat Hamitin, që bëri rreth njëzet vjet. Po të më kish tundur dikush tjetër kartën e arixhinjve politikanë, s’do ta kisha besuar kurrë, biles do ta akuzoja se abuzonte me anti-komunizmin dhe kërkonte me çdo kusht të përbalte regjimin, ani pse ai pllaquritej në llucë. Mirëpo kur fati më plasi ballazi dhe kur fola gojazi me Refatin, atëherë u binda për poshtërsitë që ish i aftë të bënte ai sistem, si një murtajë gllabëruese, që përlante e zhdukte pa dallim kë i dilte para.
Në vrullin paranojako-çmendurak të luftës klasore, kërkuan dhe qëmtuan armiq imagjinarë edhe ndër grupet më paqësorë që shtynin jetën me cërgat e tyre lëvizëse, duke u endur buzë lumenjve; sajuan reaksionarë e kulakë edhe ndër arixhinjtë endacakë. Më vonë kur me Refatin u bëmë miq, më shtyu kureshtja për të mësuar konceptin e tij, për luftën alogjike kundër individëve përfaqësues të komuniteteve të veçantë, si dhe të vilja mendimin nga një pjesëtar direkt i këtij komuniteti. Ndaj zhvillova bisedën e mëposhtme që po e paraqes në formë interviste.
Unë: – “Refat, nga je”?
Refati: – “Po ku ta di unë, i mjeri! Jo, jo, në fakt s’di ç’të them!? Kur më arrestuan, hetuesi më tha: ‘Je nga Përmeti’! Në gjyq, prokurori më tha: ‘Je nga Elbasani’! Kur erdha në kamp, komandanti më tha: ‘Je nga Tirana’! Ca profesorë këtu në burg, më kanë thënë: ‘Jeni nga India’! Hajde ta marrësh vesh, o të kam rixha”!
Unë: – “Ku ke lindur dhe kur”?
Ai: – “Ku kam lindur?! Se ku kam lindur, s’e di as babai im! Ama, me siguri në ndonjë shelqishte, buzë lumit! Përsa i përket datës, në çdo dosje, ma kanë ndërruar nja dhjetë herë. Ku ta di unë i gjori”!
Unë: – “Je i martuar dhe a ke fëmijë”?
Ai: – “T martuar, the!? Posi more, nja katër herë! Tri gra i kam këtu, një në Greqi! Sa për fëmijë, s’di të them saktë, po mendoj se do kenë kaluar nja gjashtëmbëdhjetë! Se sikur nga katër të kem bërë me çdo grua, aq del. Numrin sagllëm, të betohem, s’e di”!
Unë: – “Ku jetojnë gratë dhe fëmijët e tu”?
Ai: – “Ku ta dij, fat qyqari nga burgu, se ku rrokan gratë dhe fëmijët! Po, patjetër nëpër cerga rrinë, buzë ndonjë lumi. Një Zot e di”!
Unë: – “Refat, a të vjen njeri në takim”?
Refati: – “Or, po sa qe gjallë babai, më vinte çdo muaj! Kudo të gjendej, hopa mbi kalë dhe e kishe këtu! Kur vdiq ai, më vinte plaka edhe ajo me kuaj. Mbasi vdiq ajo, më vijnë në të rrallë, ndonjë nga gratë, kur iu bije rruga këtej pari”.
Unë: – “Refat, përse të kanë dënuar”?
Refati: – “Herën e parë si diversant e, agjent i Asfalias greke, më dënuan dymbëdhjetë vjet”.
Unë: – “Pse, të dytën herë e ke? Si ndodhi kjo”?
Ai” – “Or, po ça ndodhi re?! Asgjë o, nuk ndodhi! Ti e di, ne arixhinjtë endemi ngado. Merremi me kuaj, gomerë e mushka, arixhofkat po merren me shporta dhe sita, sot këtu e, nesër atje, përfundojmë ku s’e kemi menduar. Me këto jetojmë ne, or xhan i Fatit, kështu na ka jaratisur Zoti!
Mirëpo të thashë, kisha katër gra? Po. E pra, më duhej të vija të takoja edhe atë që jetonte në Greqi; ikja lumenjve dhe përrenjve, rrija dy tre javë atje, e lija me barrë dhe kthehesha nga kisha kaluar. Po edhe këtu, njëherë te njëra, njëherë te tjetra, e pastaj te tjetra, se duheshin mbajtur të gjitha. Kështu o të keqen, e shtyja jetën, cergë më cergë!
Isha i ngopur me këtë lloj jete. Ne arixhinjtë kënaqemi me pak, shpirt i Fatit! Pak bukë, pak mish, pak raki dhe qejf, ore qejf! Gjithë natën me këngë e aheng, pa, po shtriu me arixhofkat e lëri me barrë, e pill nga dy e nga tre kalamaj, vit për vit. Kështu e kemi mbajtur xhinsin ne, or xhan, se aq e ka ymrin arixhiu; dymbëdhjetë vjeç, dhëndër; njëzet, burrë; dyzet, plak dhe pesëdhjetë, në gropë! E more vesh, pse martohemi shumë herë, ne? Sepse gratë tona, mbeten vejusha që pesëmbëdhjetë vjeçe, me nga dy tre kalamaj pas; në të tridhjetat, janë bërë gjyshe dhe s’të vjen t’iu hedhësh as pështymën.
Kështu or të keqen, çaj sinorin, hyr e dil e dil e hyr, më shkonte mbrodh! Po, sekush nga të mitë më spiunoj për inat dhe ngeca në rrjetë si armik i popullit. Po i popullit arixhi, jo se jo!
Hurin e ke provuar vetë në hetuesi, kështu s’kam ç’të llafos për këtë. Pra, hu e dajak, e pyetje; jo nga ke hyrë e, jo nga ke dalë, jo kë ke takuar e jo kë s’ke takuar dhe në fund, dymbëdhjetë vjet burg”.
Unë: – “Po të dytën herë, si ndodhi”?
Ai: – “Ore, pyetje e ke këtë, ti?! Po si do ndodhte, more? Si me gjithë të tjerët, që sa dalin, i lenë një vit dhe i rrasin prapë”!
Unë: – “Jo, të pyeta se ti je, si të thuash, … shëtitës”! – doja ta zbusja emërtimin arixhi, po ai ishte mjaftë i zgjuar, e kapi ngurrimin tim dhe pa e zgjatur më mori fjalën nga goja.
Ai: – “Ore, po thuaje copë, je arixhi pa adresë! Mirë e ke ti or xhan, po ku duan t’ja dinë këta, për adresa arixhiu, kurbati, gabeli, cigani apo, ça dreqin na quajnë tjetër. Kështu mendoja edhe unë kur më nxuarrnë, pas dhjetë vjet burg; hajde se arixhi jam, do iki lumë më lumë e cergë më cergë e do humb gjurmët. Po jo, kisha qenë i gabuar, or ta marrtë Fati! S’iu shpëtoke dot këtyre, po të futën në mengene! Edhe kush se, unë? Jo or shpirt, jo, isha i vetmi arixhi politikan!
O çun, Enveri s’la njeri pa goditur, vetëm raca jonë i kishte shpëtuar! Donte t’i fuste në strungë edhe arixhinjtë, se juve të tjerëve, ua kish vënë hundçen me kohë, siç bëjmë ne arinjtë. Ku do gjenin nishan më të mirë se mua, isha me nam ndër arixhinj, unë! Të bëje dhjetë vjet burg, me politikanë të ditur, sipas tyre duhej të isha i bredhur e i ditur! Pastaj, në çdo sebep unë zija qoshen, sepse si i pari, kisha zëvendësuar babanë në krye të fisit! Me goditjen time, i bënin sus gjithë arixhinjtë.
Xhinsi ynë, s’janë aq trima sa na pandehni ju; ne jemi qejflinj, të zgjuar, po dembelë me nam! S’na pëlqen puna fizike, ndaj bredhim sa aty këtu, të sigurojmë jetesën pa mund. Merru me gomerë, me kuaj e me mushka, bëj sita, shporta e kosha, bjeri defit, daulles e zurnasë, kërce arinjtë, kërce edhe vetë, ndonjëherë bëjmë edhe ndonjë hajni të vockël; kjo është jeta jonë, or të keqen!
Po, s’i vinte pas midesë Enver Hoxhës me tufë, kishim mbetur jashtë kularit dhe një shembull negativ për dembelët. Kështu, të trembnin arixhinjtë që të zinin vend e të mos bridhnin më tutje-tëhu, u duhej një kurban. Më gjetën mua, më arrestuan së dyti me akuzën për agjitacion e propagandë. Pa, t’i mblodhën arixhinjtë nga ishin dhe s’ishin, më bën një gjyq shembullor e më dhanë një dhjeçe tjetër dhe ja tek më ke këtu, si përfaqësuesin e komunitetit që i grabitën më të shenjtë gjë që ruante me fanatizëm, lirinë për t’u zhvendosur lumenjve dhe përrenjve, pa dëmtuar askënd! – përfundoi ai, ligjëratën e gjatë.
U ktheva në kapanon me peliçen krahëve dhe ngjita shkallaret e drunjta. Xha Sherefi lëvizi të më hapte vend. – “Paske vesh peliçe, or cull, kush ta ka fal”?! I tregova për trashëgiminë që më kishte lënë Emini, për njohjen me arixhiun dhe me Ethemin. – “Ka dit Emini kujt me ja lanë! Kurse Refati, asht gabel flori, asht profesor në sojin e vet! Ethemin e kena djal përsëmbari, ja vlen m’e pas shoq”! – e mbylli temën e trashëgimisë dhe të njohjeve të reja. I fryu drurit të bushit që kish në dorë e shtoi: – “Tash banu gadi se kem nji vizitë te dom Marku. Asht i sëmun, s’ka ken mirë me shndet qyshse ka dal prej birucet”! Brofa, nga tronditja ja këputa me kokë tavanin prej fibre. “Oh koka”! një bëlldungë m’u ngrit në anën e djathtë. Gjithë orët e paraditës kisha qenë i ngarkuar, ato shkuan shpejtë sa hap e mbyll sytë, s’më vajti fare mendja te domi, për më tepër s’dija gjë për sëmundjen.
– “U vrave, or cull”? – “Xha Sheref, këtë duhej të më kishe thënë të parën”! – e qortova – “Nji tash u kujtova, më njoftoi Vaska! Hajd cull, t’shkojmë” dhe iu drejtuam kapanonit të krahut të majtë, atje ku rrinte Dom Marku. Përfund rreshtit të parë, mbi një jatak kashte, dergjej Domi gjysëm shtrirë. Sa më pa, u rrek të çohej por s’po mundej. Dy persona pranë tij, e ndaluan. – “Më lini burra, shiqoni më ka ardhë miku! Po si je, or Çim djali”?- ai u përpoq të formonte një buzëqeshte, por buzët e zbehta i dridheshin dhe s’iu bindën, dukej shumë më i zbehtë se në birucë. I shtriva dorën dhe u ula përfund shtratit: – “Si ke qenë, Dom Mark”? – e pyeta. – “S’kam ken fort mir, o bir”! – ma ktheu me buzët që i dridheshin.
– “Mos more plevitë në qeli”? – “Jo or burr, i plevitos jam ken me vakt. Por njitash s’kam ma mosh dhe m’la takati”! – “A je vizituar”? – “Po, tash sa duel doktor Naimi, kje ktu e i bani nji gjylpan”! – u hodh një nga të pranishmit. – “Ulu njitu, o Sheref”, – Dom Marku mblodhi këmbët e shtrira dhe liroj një pjesë të shtratit. – “Du me fol me ty”! Xha Sherefi u tulat me të keq, në atë pak hapësirë që u krijua te fundi i shtratit. – “Qëndro i fortë Dom Mark, tash po t’kalon”! – “Po or burr, ç’ka ka me ba, ta po kalon! T’kam thirr me t’porosit, m’u kujdes për djalin, qe besa s’shtyhet dimri n’qeli”! – “Besa, njiashtu a!” – e mbështeti xha Sherefi. – “Kur kjesh n’izolim, kam mendu gjat me gjet nji zgjidhje, tash duhet me i dhan dum. S’e dij taman, ç’mendim keni ju tjerët, un vet kam mendu që ky të nis shkollimin”. – “S’asht mend i keq! – e mbështeti sërish xha Sherefi”.
– “E pra, kam fol me do shok t’mit e, kena ra dakord me fillu sa ma parë”, – mezi mbushej me frymë, gjoksi i hovte dhe ulej shpejt, ndiheshin ca gërr-fërre të forta. – “Po pasha Allahin, ke të drejtë! Njitash e muer rrugën”! – “Po, duhet me msue”! – pohoi xha Esherefi me ironinë e pandashme. Prifti u koll, pastaj pas një pauze të shkurtër, ia nisi: – “Në kry, ka me fillue gjuhë shqype, me Hodo Sokolin, me Hilmi Lekën filozofi. Para nji sahati kan ken ktu, kam fol vet me të dy. Me Ilia Iljadhin, ka me msue frëngishten, me Agim Mustën, ka me studiue historinë, mandej për tjerat, me t’pa e me t’bame. Gjithashtu kam fol ene me Patër Zefin e me At Vaskën, e pra, ene ata e mbështesin kët ide. Librat ja kena gjet, veç duhet m’u ul e me ju sjell me rrajë studimit. A më ndive, o djal”? – m’u soll mua.
Pastaj heshti, dihati ca minuta, dukej azma e mundonte dhe i jepte spazma. M’u dhimbs, për mos ta lënë të sforcohej më tepër, iu përgjigja pa e zgjatur: – “Të falenderoj për përkujdesjen, padyshim, do filloj qysh nesër! Madje do përpiqem të jem nxënës i rregullt dhe i zellshëm”! – i shtova këto fjalë që t’i bëja qejfin. – “Bravo djal, ma hoqe sikletin! Tash du m’u qetsue nji fije”! – dhe mbështeti kokën eshtake mbi jastëk e mbylli sytë, fytyra e venitur kish marrë ngjyrën e dyllit. Pa bzanë u çuam, iu dhamë dorën dy të pranishmëve, që s’arrita ta merrja vesh në ishin fqinjë, apo i shërbenin Domit, sidoqoftë i falenderova për devotshmërinë, me të cilën iu gjendën priftit. Tani veç halleve të tjera, i vura garamet kokës, edhe shkollën. – “Hajd mec, shpejt ke shtrati, m’u ba gati për shkollë”! – më shpotiti xha Sherefi, kur po dilnim nga dera dhe shtoi: – “Kena punë t’mdha njitash”! – s’e kuptova në ironizonte, apo e kishte seriozisht. S’i merrej vesh gjuha atij robi!
Hymë në kapanonin tonë. Mbi shtrat, dy të panjohur ja kishin shtruar muhabetit me Vaskën. Kur po u kacaviresha shkallareve të drunjta, Vaska më bëri shenjë të ndaloja dhe më nisi t’u bëja nga një kafe. Vajta në kuzhinën private, vura mbi vatër një sapllake alumini, me një cop tel të spërdredhur si bisht. I hodha sheqer e kafe, sipas masave që më kishin mësuar pleqtë. Natyrisht s’bëhej fjalë për ndonjë kafe puro, por një surrogato kafeje dhe elbi, apo grurë i pjekur. Kisha parë shpesh pleqtë të nxirmin nga toka rrënjë çikore dhe mbasi i thanin, i piqnin në qebap e i bluanin, për t’i përdorur mandej në vend të kafesë. Pra, kafe të vërtetë, jo në burg s’gjeje, po edhe jashtë, ishte e vështirë. Sidoqoftë, e zjeva atë mishelë dhe me sapllake në dorë, u ktheva te jataku. Atje, ja zgjata xha Esherefi që e zbrazi në nja dy filxhanë bisht-thyer dhe në dy gota alumini, nga ato që i përdornin si masë vaji, në dyqanet ushqimore.
U ula në një cep. – “Gëzuar, shyqyr që doli shëndoshë”! – uruan të panjohurit. – “Me të mbarë, shkollën”! – m’u kthyen mua. Mbeta i vuvët, s’po e kuptoja ç’lidhje kishin këta me shkollën time. Pastaj, kaq shpejt të ish përhapur haberi! “Eh, radio – burgu, radio – burgu”! i dhashë karar. Megjithatë iu ktheva urimin me një “falemnderit” dhe prita ku do delnin. – “Ky është Ilia Iljadhi, kurse ky tjetri, Namik Zeneli”, – m’i prezantoi Vaska. – “Me Ilian do bësh frëngjisht, ndërsa Namiku është enciklopedi e gjallë”,- shtoi. Vura re Namikun, që një shputë dore e mbante mbledhur nën mëngë, si të paralizuar. Ilia kish një trastë mbi gjunjë, e hapi dhe nxori ca libra, që i stivosi mbi jatak. – “Sa për fillim, të mjaftojnë! Këtu ke një metodë frëngjisht, një gramatikë dhe një fjalor të Vedatit, si nisje, boll janë, më vonë do hallosemi”! – shoqëroi me fjalë çdo libër që paloste.
Ish hera e parë, që zija me dorë një libër frëngjisht. Në shkollë kisha bërë rusisht, po meqë komunizmi me doktrinën idiote marksiste-leniniste, na e kishte prurë në majë të hundës, na ish mërzitur edhe rusishtja; e njësonim atë gjuhë, me Leninin e Stalinin dhe e urrenim, po aq sa ata. Në vitet e burgut e më pas, ma solli rasti të studioja rusishten me profesorë të shkëlqyer, studentë brilant që kishin mbaruar me medalje ari në universitetet e Moskës dhe San Petërburgut, poetë e prozatorë, gazetarë e përkthyes të niveleve të larta, artistë e kineastë. Poetët dhe përkthyesit Jorgo Bllaci e Pano Taçi, letrarët dhe gazetarët; Robert Vullkani, Fadil Kokomani, Vangjel Lezho, Qani Çollaku, artistë e kineaste, si; Lukë Kaçaj, Viktor Stratobërdha e tjerë, por siç thashë më lartë, urrejtja për komunizmin na kishte verbuar aq shumë, sa edhe gjuhën e bukur të Tolstoit, Dostojevskit, Lermontovit, Eseninit, etj., e njësonim me të.
Pra, u ndjeva i kënaqur që më zgjodhën frëngjishten. Hapa kopertinat, iu hodha një sy të shpejt, ishin të vjetër, po të mirëmbajtur, plotë shënime anash faqeve. I mbylla sakaq e ndoqa muhabetet e të moshuarve. Ata lëvronin thjeshtë temat e ditës; si për shëndetin, për problemet që na hapnin spiunët me përgjimet e tyre të pista, për hallet e çdoditshme: si ushqimi i mangët, mungesa e ilaçeve për trajtimin shëndetësor, për kusuret që hiqnin familjet tona, të na ndiqnin prapa, për peripecitë që duhej të përballnin të vinin deri te ne, në mungesë të mjeteve të transportit, e tjera të kësaj natyre. Mbas rreth një ore, u ngritën të iknin. Kur zbritën shkallët e drunjta e morën korridorit, vura re Ilian, që mezi çapitej. Çalonte shumë, pas çdo hapi anonte majtas, kurse Namiku edhe pse s’kuptohej të çalonte, në çdo çap, anonte djathtas.
Përbënin një çift qesharak këta dy burra! Në çdo hap, gati sa s’përplaseshin në supet e njëri-tjetrin. Sa hidhnin këmbët, koka e Ilias gati godiste në supin e Namikut dhe koka e tjetrit, i bënte hije mbi supe. Po tabloja bëhej edhe më groteske, kur vëreje disproporcion trupor, Namiku i gjatë dhe i thatë, Ilia i shkurtër e pak rondokop. Me zor e mbajta të qeshurën, sepse m’u kujtua një karikaturë e ngjashme me këta të dy, me diçiturën; “Don Kishoti dhe Sanço Panço, në udhëtim për ndreqjen e botës”.
Natyrisht, ky vizatim në revistën humoristike, s’kish lidhje me rastin konkret, sepse më poshtë vazhdonte: “…imperializmi amerikan e social-imperializmi sovjetik, kërkojnë të mashtrojnë popujt e të nënshtrojnë proletariatin botëror, por Udhëheqësit e lavdishëm, mësuesit e mëdhenj shoku Mao Ce Dun dhe shoku Enver, ua çorën dhe do t’ua çjerrin maskën në vazhdimësi, imperialisto- revizionistëve dhe gjithë lakenjve të çdo ngjyre, kudo qofshin ata! Lavdi marksizëm-leninizmit ngadhënjimtar dhe fitore proletariatit!”.
Edhe pse s’e thashë me zë, me mënd i emërtova: Namikun Don Kishot, si më i gjati dhe tjetrin, Sanço Panço. Me disa përgatitje për të nesërmen, që s’e dija çdo më sillte, u mbyll edhe kjo ditë.
Në mëngjes, zgjimi u bë si përherë më pesë. Nisën varavingot banjo, çezma, kazani i supës, veshje për punë dhe vrap e në udhëzën që të nxirrte në kantier. Si gjithë të tjerë, i kreva këto ecejake mekanikisht, po kur vajta për rreshtim, s’dija ku të inkuadrohesha, në brigadën e “tekahytëve”, apo diku gjetkë?! S’më kish informuar askush. Sidoqoftë u rreshtova me ish – kolegët e mi, por m’u qas brigadier Velkoja dhe për mos të dëgjuar të tjerët, më foli lehtë në vesh: – “Nuk ma dhanë emrin tënd, më vjen keq, s’di s’i do veprohet me ty. Po s’prish punë, deri te kantjeri, eja me ne”!
Zakonisht kur një i dënuar delte nga izolimi, rikthehej në brigadën ku kishte qenë efektiv, por në rastin tim, bëhej fjalë për punë paksa të privilegjuar dhe s’dija ç’vendime do kishin marrë komanda e kampit, në bashkëpunim me zyrën teknike. Kështu, dola me të tjerët. Mirëpo pa mbërritur ende në rrëzë të “Golgotës”, një korrozi priste mbështetur pas shtyllës. – “Ti je Shkëlqim Abazi”? – m’u drejtua e, pa pritur përgjigje, shtoi: – “Të kanë caktuar në brigadën time. Hajde, pas meje”!
Ishte korroziu, që më kish vështruar rreptë ditën e mbërritjes në Reps. Menjëherë m’u ndërmend fytyra e tij. Po s’bëzana, e ndoqa prapa. Pa këmbyer asnjë fjalë, morëm të përpjetën, atje ku kryheshin punimet për zbarkimin e dherave, për zgjerimin e sheshin të depozitimit të mineralit. Frantoja e copëtimit, çohej nga poshtë drejt shpatit, në lartësinë njëzetenëntë metra dhe sipër, delte njësh me tarracën. Këtu më kishin caktuar të punoja. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016