• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Monday, June 2, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Kujtime

“Ç’ka po t’lypet adresa, or tëj?! Hiç mos pyt për vendin, e di Partija ku i ngre burgjet dhe varret! Baj d’nimin që t’kan dhanë e mos bëzaj! More vesht’? – ulërinin policët dhe…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit të Spaçit

Denoncimet e B.p. “Shkëmbi”, burgu i Burrelit, ’83: /“Gjet Kadeli, Daut Gumeni, Kapllan Resuli, Bebi Konomi, Luan Burimi, Skënder Shatku, etj., flasin kundër udhëheqësit të partisë, duke thënë…”
“Me Xhavit Murrizin, mezi e nxorëm Barba Jorgjin nga gropa e ujërave të zeza, por më pas ai vdiq dhe e varrosën aty afër nevojtores…”/ Historia e dhimbshme e minoritarit grek në kampin e Repsit, në ’69-ën
“Ç’ka po t’lypet adresa, or tëj?! Hiç mos pyt për vendin, e di Partija ku i ngre burgjet dhe varret! Baj d’nimin që t’kan dhanë e mos bëzaj! More vesht’? – ulërinin policët dhe…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit të Spaçit
“Kosta R., nga Bistrica, që pretendonte se po bënte një studim shkencor për krimbat, i bëri letër Kryesisë së Kuvendit Popullor, që t’i shtynin datën e lirimit edhe ca vite…”/ Historia e pabesueshme në kampin e Repsit
“Mësuesit e mi në Reps, ishin intelektualë dhe antikomunistë të spikatur, si; Marko Popoviç, Hamdi Haska, Hodo Sokoli, Agim Musta dhe Vangjel Kule, të cilët…”/ Dëshmia e rrallë, e ish-të dënuarit politik
“Kur dy policët roje, dëgjuan alfabetin ‘mors’; Këtu komanda e Flotës së VI-të Amerikane, po ju presim për të marrë Tiranën…, në burg u dha alarmi dhe…”/ Historia tragjikomike në kampin e Kripores së Vlorës

Nga Shkëlqim Abazi

Pjesa e tridhjetenëntë

                                                                            S P A Ç I

                                                                   Varri i të gjallëve

Gjithashtu mund të lexoni

“Sheh Mersinit prej Bicajve të Lumës, çuditi gjithë burgun, pasi i kishte tregu mjekut Elez Troshani, që ai do vdiste mbas një jave dhe në të vërtetë, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët, nuk i hodhën aty afër, – siç do të dëshronte ndonji i uritun, por në gropën e W.C. – së, ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmia e Ahmet Bushatit, për tmerret e Bedenit

  Tiranë, 2018

                                                       (Kujtime të miat dhe të të tjerëve)

Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.

                                                        Vijon nga numri i kaluar

“Në një klauzolë kanë paraparë edhe një sy gjumë në shullë, për të ruajtur forcat se helbete, ka lënë nusen të re”!

“Dakord, pakt i bukur”! – mora kandarin, më falni, lopatën dhe nisa peshimin për vagonin e dytë. Nxorëm të dytin, të tretin, të katërtin, gjersa pastruam krejt frontin. Në kthim të rrugës së fundit zgjuam Tomçen, që gërhiste rrëzë një shqope mbi hyrjen e galerisë, si sy ciklopi.

“E trembe”? – shpotiti Osmani.

“Nxora reumatizmin e beharit”!

“S’kisha dëgjuar për reumatizëm behari”! – ndërhyra unë.

“Në vrimat e piritit, ujërat anapolla, byrazer, beharit ftohesh, dimrit nxehesh”! – qeshi Tomçja.

“Domethënë në një krah të hyn, në tjetrin të del”! – qeshi “Studenti”.

“Apo zbaton akordin dhe pikat e paktit”? – e shpotita unë.

“Ore, e paske mësuar këtë muhabet, që ditën e parë”!? – shprehu habinë Tomçja.

“Kush s’ka dijeni në Spaç, për paktin tuaj”? – e nxita.

“Ehh, lashë nusen të re or mik, sa u martova, më rrasën këtu; pastaj e kam nënën sakate dhe duan ndonjë ndihmë”! – me këtë të fundit, desh të mbulonte të parën.

“Bëra shaka, s’kisha synim të të fyeja, apo të lëndoja”! – i kërkova ndjesë.

“S’ta marr për keq, sepse jemi tanët, ama në burg, lipset edhe ndonjë hile pa zarar”.

Fiksoi martelin mbi aks, i futi barominën, vidhosi zorrën dhe nisi shpimin e birave. Oshtima na shurdhoi veshët, teksa ajri i komprimuar, shfreu pluhurin duman. Mes tymit ngritëm trupat c drunjtë, fiksuam cupilat, hodhëm kapelat, mbushëm tavanin dhe anët me bujashka, plasëm veglat në kazan dhe shpejtuam të dilnim, për t’iu gëzuar ndonjë rrezeje të vonë.

Ndihesha i kapitur sa këmbët penguan njëra-tjetrën, teksa stomakun ma gërreu uria, apo nuk di ç’farë, tymi i karbitit më shkaktoi gromësira, ndërsa avujt e acidit më përcëlluan sytë dhe fytin. Në sipërfaqe, iu drejtuam rrëkesë bri vrimës si sy ciklopi, ku rridhte një curril uji, me nuanca bloze. Mallkim, u lamë me zgjyrë!

Kushedi sa vite do kisha shtyrë në “Vrimën e Polifemit”, sikur pas gjashtë muajsh, të mos ndodhte një aksident, që më mbërtheu dy javë në infermieri dhe dy të tjera, në shtrat. Me Tomçen dhe Osmanin shkoja bajagi mirë, dhe do dëshiroja të zgjasnim gjer ditën e lirimit, po mos të na kishin veçuar (ata i trembeshin nga grupazhet).

Osmanin e mbyllën tridhjetë ditë në qeli, kur e nxorën, e emëruan në një tjetër brigadë, në të njëjtën zonë, ndërsa Tomçen, e zhytën në një vrimë edhe më të zezë, po në zonën e dytë, në rrafshin e dytë, në brigadën e dytë, ku nga shembjet e përditshme dhe rrjedhat që s’kishin shoqe të dytë, qenë bërë të dytë, edhe ata që punonin atje. Me Osmanin dhe Ahmetin u bëmë miq, në kohën e lirë shkëmbenin libra e mendime.

Në fundvitet tetëdhjetë dhe krye-vitet nëntëdhjetë, dëgjova të përmendej një Avdi, gjykatës i egër komunist. Më vetinë në memorialët e Osmanit, ditën e njohjes:

“Tjetër, mbase do dëgjosh për Avdinj, që do bëjnë karrierë, po të garantoj, i përkasin copës së thyer, që s ‘do bashkëngjitet kurrë, por edhe në u ngjittë s’do funksionojë; do t’i ngjasë qenies së përçudnuar, gjysma njeri, gjysma gjarpër, ku gjarpri do helmojë pjesën që mëkon njeriu dhe pasojat do jenë fatale, do hidhërojnë organizmin, gjer në asgjësim”!

Dhe kish pasur të drejtë, gjysma e gjarprit, hidhte vrer mbi pjesën e shëndoshë, po gjithsesi, s’arriti ta helmonte…! Sa kohë punova në atë zone, s’mu hoq skrroma nga shtrati. Lëkura e errët, më kujtoi shakanë e Ramadan Lipes, ditën që më caktuan atje:

“Me porosi të Komitetit Qendror të Partisë Punës Shqipërisë dhe personalisht të shokut Enver, që i ka xhan jevgjit, këtë herë të bardhët, do t’i rrasin në vrimat e piritit, të nxihen një çiçkë ce mbetën duke na sharë zhapën”!

Piriti na pocaqisi, sa s’e lau dot as sapuni erë qelbur i Rrogozhinës, as soda kaustike, (mbase mund t’i bënte derman, argjila jeshile e Kapinovës dhe gjethet e lofatës, në fshatin e largët të Meleq Hasës; po hajt t’i gjeje, argjila dhe lofatat kishin mbetur atje, po xha Meleqi, s’dihej ku kish mërguar).

Në vrimat skëterrë, s’na mbeti rrobë në trup. Ato u shpuan bira-bira, sa do tmerronin edhe dordolecët! Acidi sulfurik rridhte mbi krye dhe na rrëzoi lëkurën dromca, na shkërmoqi ata pak dhëmbë, që iu shpëtuan çizmeve të hetuesve, duke na katandisur në qenie mbllaçitëse.

Në vrimat e piritit edhe hekuri humbte trajtë. Aletet s’e kishin të gjatë; lopata katandisej garuzhdë, brenda muajit; kazani i vagonit, zgjaste e shumta dy muaj, por edhe shtrati me rrotat kaba, s’e mbushte vitin; shinat dhe tubat e ajrimit, i blumiste acidi sulfurik, si t’i kishin shkalafitur me çataj dinozaurët.

Gjithsesi të dënuarit duronin…, duronin dhe rezistonin! Rezistonin dhe rezistonin. Por deri kur?

                              Auto-Burgu!

                     (Karroja e Xhikes, pa Xhiken)

I kishin vënë shumë nofka: “Rrangallë”, “Araba”, “Karroca e mishit të gjallë:. Ndërsa sipas krahinave, i thoshin: në Shkodër, “Sharabajka e Dylit”, në Korçë, “Karrocka e Goles”, në Berat, “Karrua e Xhikes”, etj.

Dikush e kish pagëzuar; “arkivol trallitës”, një tjetër; “kasa e djallit”, të tjerë; “xhehenem-hane”, të tjerë ende; “arka e Noes me rrota”, apo mitografët; “anije kozmike për në Had”. Por kish nga ata, që e ledhatonin me emërtime sqimatare: “divan-hane”, “e bukura e lalës”, “odëza e parajsës”, etj. Ama të shumtët i thoshin ashiqare: “auto-burg”. Një shpikje tmerri, mbuluar nga misteri!

Rrangalla dopio llamarinë, u bë binom i Shqipërisë-burg, sa s’mund t’i mendoje veç e veç. Kur përmendje burgun, imagjinata përftonte rrangallën, që i binte kryq e tërthor ferrit Shqipëri, nga njëri rreth në tjetrin dhe kur shihje auto-burgun, përfytyroje ferrin, bodrumet e errët, që prisnin të të gllabëronin në rropullitë e pangishme.

Ai s’ishte ndonjë shpikje madhore, si të themi “kapsulë kozmike” që realizonte shkëputjen ndërplanetare, por një novacion ordiner; mbi shasinë e një “Zisi” të shkalafitur, kishin salduar një kthinë metalike, me përmasa tri-katër metër gjatësi, një e gjashtëdhjetë gjerësi dhe dy e njëzet, lartësi, me një skutë të ngucur në pjesën e parme, për ngujimin e togës se shoqërimit, nga pas hapej një dopio derë, mbi dy çiçive kuitëse, kllaposej nga jashtë me lloz e me kyç, kurse në tavan, kishin sajuar një tip kamareje, të siguruar me dyfish skarë hekurash të trashë, sa nyelli i dorës, mbi të cilën kishin salduar një kapak, që lejonte ajrin, por pengonte syrin, të këqyrte nga brenda-jashtë dhe anasjelltas.

Kujt i ra radha të udhëtonte, qoftë dhe një herë brenda atij pusi lëvizës, s’ka për t’iu fshirë nga kujtesa, gjer ditën e xhanit. Mund të harrohen të gjitha travajat, egrasia e mureve të qelisë, uria gërryese, dhimbjet pa skaj dhe torturat pa cak, sharjet, fyerjet, ulërimat e hetuesve sadistë, kryqëzimet me tela bari pas shtyllave në “Golgotë”, ftohtësia dhe nxehtësia e birucave, zinxhirët, tubi me xhufka, zorra me rërë, huri prej shkoze apo gështenje, kaskat e vdekjes, dhëmbë e dhëmballë të shkërmoqur nga kundrat me gozhdë, rreshtimet pafund në acarin dimëror, nën llohë, borë e rrebesh, në vapë e zheg; mund të harrohet Burreli, Spaçi, Qafë-Bari, etj., etj.; po kurrsesi i nëmuri auto-burg.

Në të të rrasnin si të zinte dekika, kllaposur me gjermanka e me batanije mbi kokë, nga terri të zhysnin në errësirë e të plasnin mbi dyshemenë dopjo llamarinë. Por ai s’nisej pa u mbushur deng, herë-herë, kapica njerëzore tejkalonte disa fish kapacitetin mbajtës, sa mjeranët kapërtheheshin si karavidhet mbi shpinat e shoqi-shoqit, rënkonin, gulçonin, mallkonin, urinonin, villnin, dhisnin gjithë ç’kishin, pa ai parë fytyrën të ngjashmit në krahë.

Në arkë bashkudhëtonin të gjallë e të vdekur nga ferri në ferr, shpesh në përtej-ferr. Ai shtërzonte ç’mbante në shpellë, si çibani që e shtrydh, por i mbetet shtrati brenda dhe vazhdon të mbledhë e të rrjedhë njëlloj si më parë. Vinte allaten, gëlltiste mall njerëzor dhe rikthehej nga kish ardhur, për t’u rimbushur sërish e sërish, që të shtërzonte dhe të thëthinte prapë e prapë.

Nuk kishte sërë të përcaktuar, vinte dhe ikte pa pra, sepse askush s’i kërkonte hesap; nga erdhi, kur iku, sa çoi gjallë, sa vdekur, bile s’do guxonin ngaqë përfaqësonte memecërinë, vuvërinë, varrin. S’i njihej saktësisht ora, dita apo java, muaji apo viti, kur shfaqej virani, shtërzonte, ndërzehej dhe rikthehej nga pat ardhur.

Ai punonte tinëz, mbushej në fshehtësi, zbrazej në fshehtësi, mandej rimbushej dhe ri zbrazej në fshehtësi. Dilte nga nata dhe zhytej në natë, ndonëse veprimet i kryente ditën për diell dhe me ligj, i ndalohej lëvizja natën. Pra ishte vetë nata, përfaqësonte misterin dhe simbolizonte tmerrin! Ani pse “mallin” që shpërndante, e quanin të rëndësisë së veçantë, s’kishte ndonjë itinerar të caktuar. Shoqërues e shofer, bënin të paditurin, s’flisnin për destinacionin, edhe kur e dinin. Ai shkonte dhe vinte gjithkah dhe askund!

Mund të përfundonte njëherësh në të 23 burgjet apo, në secilin nga të 48 kampet e internimit, që funksiononin në Shqipërinë-burg, apo në të gjithë pa mbërritur kund, apo drejt e në varret pa emër. Kush do t’i kërkonte hesap?! Askujt s’i interesonte ç’ka mbartte, as vendin ku i çonte, mjaft të transportonte kufoma të gjalla, apo të vdekura, nga burgu në varr e, në ferr!

“Kudo qoftë burgu, asht burg dhe varri, varr”!

“Doja ta dija për kërshëri”?

“Ç’ka po t’lypet adresa, or tëj?! Hiç mos pyet për vendin, e di Partëja ku i ngre burgjet dhe… varret”! – ulërinin policët, sa herë interesoheshe ku do të syrgjynosnin.

“Më keni sjellë kot, jam i pafajshëm”! – protestoje ti.

“Baj d’nimin që t’ka dhanë Partëja e, mos bëzaj! More vesht? Mora, thuj”! – përgjigja më e butë, ishte shtrëngimi i prangave në zero.

Të gjithë heshtnin. Kush mësonte më tepër, ia faturonte harresës. Heshtja u bë kod dhe kodi detyrim.

“Ke pa ndonjë send, or shoq”? – provokonin provokatorët.

“Jo besa, kurgja”! – përgjigjej pragmatisti.

“Ç’ka ke ndi”? – shtyhej më tej spiuni.

“Asgja, për besë”! – hallexhiu largohej kryeulur, pa këqyrur pas. Kodin sekret, e dëgjoje gjithkund.

“Ma mirë mos me pa e, mos me ndi kurrgja, sepse ene ngarkesën, e çojnë përtej amnezisë”! këshillonin të urtët dhe ashtu vepronin.

Amnezia zaptoi kombin. Harresa kolektive zhdavariste nocionin burg, i zhvishte vetitë materiale dhe i jepte përmasa abstrakte, me kufij te pa formësuar; ndërkohë shkartiste mendimin dhe platiste trurin. Tmerri nga e pritshmja, u kthye në frikë dhe frika në panik.

Të gjithë përgjonin hijen e gogolit “burg”, por ai s’figuronte kund. Sepse s’kishte harta të tilla, ndaj perceptonin në nënvetëdije koordinatat dhe luteshin: “larg menderes sime”, dhe dorëzuan të afërmin, pa e brejtur ndërgjegjja.

Meqë s’ekzistonte konvencioni vend dhe kohë, s’lipsej ndonjë instrument i posaçëm për referenca, as busull, as kalendar, as orë, as datë, as muaj, as vit, as shekull, po veç numra të shtrirë mbi espasën gri dhe shifra abstrakte, që mbuluan botën e të gjallëve me savan nate, bash si terri mbi oqean. Koha kapërthehej si mirazh i përmbysur nën savan, teksa rrugët rënkonin nën peshën e auto-burgut, që përthithte klithmat e viktimave dhe garantonte jetëgjatësinë e diktatorëve.

Tortura e aplikuar së pari, mbi zjarrëvjedhësin Promete, pasi Zeusi e lidhi pas shkëmbit në Tartar dhe i ndërseu qiftet t’i çukitnin mëlçinë; pasoi te Sizifi në ngjitje-zbritjet e përjetshme, me gurin në shpinë, vijoi me Krishtin dhe simbolin e kryqit në Kalvar, me hurin me majë, me rrotën shqyese, me shtyllën e turpit, me këmishën e forcës dhe turrën e druve të Mesjetës, gjer te gijotina kokë prerëse e revolucionit francez dhe më pas, me krematoriumet hitleriane e, dhomat e gazit që lemerisën botën.

Gjithsesi, këto kërkonin lëndën e parë që gjithaq lypte mjete transporti. Ndaj sajuan karrot, galerat, arabatë, gjer te trenat e vdekjes, që i tej mbushën me hebrenj skajeve të Evropës dhe i depërtuan mijëra kilometër, për t’i djegur të gjallë ndër stacionet hekurudhore. Bota demokratike e damkosi holokaustin dhe krimet ndaj njerëzimit. Por komunistët e përsosën trashëgiminë esse-se, veç sajesave vdekëtare, sollën modelin e auto-burgut nga stepat Ruse dhe bënë kërdinë.

I mbushën cit me të pafajshëm dhe i çuan në gulagët shfarosës. Sërish një holokaust djabolik, ani pse s’quhej Mathauzen, Dahau, Aushvic, Majdanek e, të tjerë emra, të shndërruar në simbole tmerri. S’ndryshon gjë fakti që emra më pak të bujshëm, si: Spaç, Burrel, Maliq, Beden, Thumanë, Qaf-Bar, etj., etj., i lenë në turp të mësipërmit për kohështrirje më të gjatë dhe bota bëri qorrin. Ata nderën një perde të padepërtueshme për syrin perëndimor dhe u kujdesën të qepnin gojët, të shtuponin veshët, të mballosnin sytë, të prisnin kryet gjithkujt që mund të fliste, shihte, apo dëgjonte nga brenda dhe të tjerët i tmerroi me gogolin auto-burg.

Me këtë sajesë alla-komuniste, konsoliduan pushtetin e ngritur mbi krim, tmerruan popullin me lëngatë pa fund, mblodhën dhjetëra mijëra gra e burra fatkeq dhe i rrasën pa dallim, në rropullitë e vampirit auto-burg. Së pari më hipën në të pa mbushur të shtatëmbëdhjetat. Pas një gjyqi fares, më dënuan pa avokat, me një ligj të paligjshëm, ndonëse përdorën vjegës nenet e kodit penal, që nëse do ishte barasvlershëm, duhet të kish ndëshkuar të parët, ata që e përpiluan dhe zbatuan, por kjo i përket një teme që po e anashkaloj.

Pra, pothuaj fëmijë, më lidhën dhe më rrasën në honin ogurzi që të shtinte dridhmat, me emrin e lemerishëm. Kjo karakatinë llamarine, do linte pasoja në kujtesën djaloshare, për vite e vite, e vite…!

                                     Legjendat urbane

Brezi im, u nanuris në djepin e legjendave dhe drejtësisë së luftës ndaj krimit dhe kriminelëve. Te galerat dhe guroret primitive, shihnim vendin ideal ku duhej të vuanin përjetësisht delikuentët. Natyrisht ndjenja e urrejtjes për krime të pashembullt, si: atëvrasje, mëmë-vrasje, vëllavrasje, inceste, e tjera të kësaj natyre, e përligjte rreptësinë dhe ashpërsinë e ndëshkimit, si një kundërvënie e merituar ndaj pjesës së kalbur të shoqërisë, me parime morale.

Qysh fëmijë, më qenë ngulitur në memorie tablo dhe imazhe të përftuara nga tregime apo filma me kriminelë. I përfytyroja këto qenie-lubi, të pranguar duar e këmbë me hallka të rënda dhe të ndryrë ndë koçi apo araba, të qarkuara me gjerdhe apo kafaz hekuri. Rrangallat e moçme, i imagjinoja përherë në udhëtim mbi rrotat që kërkëllinin me javë e me muaj, duke transportuar galerianë nën shi, në borë, në zheg dhe nën vëzhgimin e rreptë të gardianëve të armatosur gjer në dhëmbë. Këta mostra pasagjerë, i përfytyroja noçka përgjakur nga gjylet që iu vareshin majë zinxhirëve ndër këmbë, duke u zvarritur nën shikimet kureshtare të qytetarëve paqësorë, që i përcillnin me përbuzje dhe pështyma, për në vendin e vuajtjes së dënimit tim.

Më ish kristalizuar ideja, se ndëshkimi ndaj species antihumane, duhej ishte edhe më i ashpër, që të shkulej krimi dhe e keqja me rrënjë, që shoqëria të ndihej e qetë, të bëhej më e sigurt dhe më njerëzore. Legjendat urbane më kishin mëkuar mendimin, se e mira dhe e keqja, ndesheshin përjetësisht, paçka se kuçedra me shtatë krerë zotëronte fuqi mbinatyrore, gjithsesi fundin e shihja fatlum; e keqja do mposhtet, dragoi do fitonte; “Davidi” do zhdukte “Goliathin” dhe njerëzimi do vijonte progresin.

I besoja këto dokrra, sepse psikoza libreske më kish errur arsyen, kur dëgjoja fjalën “burg”, më faniteshin kriminelët nën hekura. Por s’e imagjinoja kurrë, të përfundonte atje një individ paqësor precedent dhe pa asnjë premisë kriminale. Memorie.al

                                                               Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari Historik 14 Tetor 2024

Next Post

“Ekzekutimi i të dënuarit me vdekje, kryhej me armë zjarri, nga një person, ose me varje në litar, ndërsa me toga pushkatimi, bëhej në raste të rralla...”/ Si kryhej një vendim gjykate me vdekje, në komunizëm?

Artikuj të ngjashëm

“Gjon Ljarja, më tregonte për Pjerin Kçirën; ditën e fundit, erdhen te qelia e tij, shefi i Sigurimit, Rasim Dedja dhe Ali Xhunga, të cilët i komunikuen, se lutja për falje jete…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Sheh Mersinit prej Bicajve të Lumës, çuditi gjithë burgun, pasi i kishte tregu mjekut Elez Troshani, që ai do vdiste mbas një jave dhe në të vërtetë, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
“Edhe pse Ollga Schweizer, në ‘44-ën shpëtoi nga pushkatimi gjermanëve 100 burra, komunistët e internuan dhe ia burgosën…”/ Historia tragjike e danezes, që u dashurua me firmëtarin e pavarsisë
Kujtime

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët, nuk i hodhën aty afër, – siç do të dëshronte ndonji i uritun, por në gropën e W.C. – së, ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmia e Ahmet Bushatit, për tmerret e Bedenit

May 30, 2025
“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstrem mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstrem mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik
Kujtime

“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik

May 30, 2025
“Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhsha ndër vite andrrat ma të bukura për jetën, e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik
Kujtime

“Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhsha ndër vite andrrat ma të bukura për jetën, e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik

May 30, 2025
“Tragjedia e trimëria e Kazazëve dhe familjeve shkodrane nën terrorin komunist, hakmarrja e heshtur mbi Dedjakupejt, Bushatllijt dhe Çobajt…”/ Historia e rrallë e fisnikëve të humbur të Shkodrës
Kujtime

“Zefi, i rritun jetim, se i ishte djeg shpia bashk me prindit, del partizan te batalioni ‘Perlat Rexhepi’, por ra në burg, ku rrahu një polic dhe kur i dhanë 25 vjet, kërkoi me vdekje, pasi…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
Next Post
“Studiuesit e rinj, duhet ta çlirojnë historiografinë nga termat ‘tradhtarë të atdheut’, e paçavure të tjera të këtij lloji, që arbitrariteti komunist, projektoi…”/ Refleksione nga ish-i burgosuri politik

“Ekzekutimi i të dënuarit me vdekje, kryhej me armë zjarri, nga një person, ose me varje në litar, ndërsa me toga pushkatimi, bëhej në raste të rralla...”/ Si kryhej një vendim gjykate me vdekje, në komunizëm?

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!