Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëzetë e një
Memorie.al publikon disa pjesë nga libri voluminoz autobiografik në dorëshkrim “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar” (kujtime nga xhehnemi) me autor, Kasem Hoxha me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim në SHBA-ve që nga viti 1985, kur ai u arratis nga Shqipëria, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. E gjithë historia e trishtë dhe e dhimbshme e Kaso Hoxhës, që nga jeta dhe puna e vështirë në fshatin e tij në skajin më jugor të vendit, pakënaqësia ndaj regjimit dhe poezitë e para me karakter politik, si ranë ato në dorë të Sigurimit të Shtetit dhe kush ishin të afërmit e tij që e spiunuan, arrestimi në zyrën e Kryetarit të Këshillit Popullor të fshatit Markat, nga Sigurimi i Shtetit më 21 qershor të vitit 1973, hetuesia në Degën e Punëve të Brendshme të Sarandës, gjyqi ndaj tij dhe dënimi me 10 vjet burg për “agjitacion e propagandë”, qëndrimi në “Kaushin” e Tiranës (Reparti 313), dhe të burgosurit që gjeti aty, dërgimi në Spaç e puna në atë kamp me policët e oficerët kriminelë dhe të “butë”, bashkëvuajtësit e përshkrimi i “portreteve” të tyre me anët pozitive dhe negative, lirimi nga burgu dhe kthimi në fshat, arratisja në Greqi dhe qëndrimi në kampin e Llavrosit, fitimi i azilit politik për në SHBA-ve, korrespodenca me organizatën Amnesty International, e degës së Londrës, informacionet me të dhënat që u dërgonte për të burgosurit e Spaçit dhe regjimit komunist në Shqipëri, e deri tek krijimi i familjes së re dhe jeta e puna në atë vend të largët me komunitetin çam të përçarë nga intrigat e njerëzve të Sigurimit të Shtetit nga Shqipëria që vepronin atje.
Pjesë nga libri në dorëshkrim, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, (kujtime nga xhehnemi) i autorit, Kasem Hoxha, dërguar prej tij ekskluzivisht për Memorie.al
Prolog
Lexues të dashur!
Mos ja vini veshin titullit që po ju paraqes, dua të them, se sikur mos të jeni të duruar për të lexuar këtë përmbledhje me kujtime, po të doni ta falni autorin, se stili i tij është i zbehtë, i pafrymëzuar përpara kësaj drame të madhe, të popullit tim, të kombit tim martir.
Personazhet e mi, nuk janë të krijuar nga fantazia ime, por janë njerëz të vërtetë, janë vëllezërit tuaj, baballarët tuaj, të afërmit tuaj. Ngjarjet nuk janë të trilluara, por reale e të jetuara.
Ju do të bindeni vetë, vetëm pasi të keni lexuar këtë përmbledhje me kujtime. Ju do gjeni diçka nga jeta juaj, diçka të vërtetë nga jeta e baballarëve tuaj, e nënave tuaja, e vëllezërve tuaj, se si vuajtën se si vdiqën.
Këtë përmbledhje kujtimesh, e shkrova për amanetin që më lanë shokët, që bota të mësojë të vërtetën, se si u torturuan, si vuajtën, si vdiqën, njerëz të pafajshëm, nëpër kampet dhe burgjet e xhelatit, Enver Hoxha!
Unë shkoj me shpresë se cilido lexues, shqiptar ose i huaj, nuk më mbetet hatëri, nga kritika, rrahja e mendimeve të kundërta, pasi është mënyra më e mirë për të gjetur të vërtetën. Titulli i librit, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, do t’i zëmëroj lexuesit, por në fund, do arrij në konkluzion se kam të drejtë, ta quaj “Epokën 45-vjeçare të regjimit komunist satanik të Enver Hoxhës”: Të shëmtuar.
Unë, mjerisht, për fatin e keq që pata, pashë dhe jetova dramën e madhe që ndodhi përpara syve të mi. Nuk jam as poet dhe as gojëtar, do më duhet punë e madhe që t’i shpëtoj gabimeve letrare në këtë libër historik, që mund të frymëzojë poetët dhe shkrimtarët e ardhshëm, mbi tragjedinë e kohës sonë, të kohës më të zezë të kombit tim!
Zotërinj lexues, ju uroj të gjithëve të keni liri dhe paqe…!
Kaso Hoxha.
Llavrio, Greqi 1985
Ai më njohu me vajzën e tij, Katerina, e cila më vonë u bë bashkëshortja ime. Me të vërtetë njeri i shtrenjtë, me të cilën sollëm në jetë tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë.
Fshatarët e mi, siç thamë më lart, u informuan për arratisjen time nga Shqipëria, nëpërmjet shtypit grek dhe të gjithë mundoheshin të më merrnin në telefon, por unë nuk isha në kamp. Ata u shqetësuan, pasi e dinin se agjentët e Tiranës, mund të bënin ç’ishte e mundur, për të më shtënë në dorë!
Në Llavrio, mësova se bashkëfshatarët e mi në SHBA-ve, ishin të përçarë!
Qindra letra vërshuan në adresën time në kampin e Llavrios, nga bashkëfshatarët e mi në mërgim. Mua nuk më mjaftonte koha t’u përgjigjesha! Të gjithë më uronin mirëseardhjen në “botën e lirë”. Ishte kënaqësi e veçantë për mua, por njëkohësisht mërzitesha për ato që kisha mësuar nga agjenti i regjimit komunist të Enver Hoxhës, K. A., i cili ndodhej me mua në kampin-burg të Spaçit.
Unë dija që ata ishin të përçarë dhe jetonin me shamata e urrejtje me njëri-tjetrin. (Kjo është më se e vërtetë dhe në këtë libër, po botoj edhe të gjitha fotokopjet e letrave që ata më dërgonin). Selfua nuk fliste me Bilal Xhaferrin, Rexhepi nuk fliste me krushkun e tij, Veizin, Skënder Shuaipi nuk fliste me Bajram Shuaipin, e shumë mëri të tjera ndërmjet tyre, që agjentët e Tiranës i’a kishin arritur më së miri qëllimit.
Ishte kjo arsyeja që më vonë, më shtyu që unë t’i braktisë të gjithë pa u thënë “lamtumirë”.
Intervista në ambasadën amerikane në Athinë për të marrë azilin politik
Zyra e një Shoqërie Bamirëse Katolike në Athinë që ndihmonte refugjatët për emigrim, më njoftoi të paraqitesha për intervistë në Ambasadën Amerikane, më datën 20 tetor 1985 në orën 10 të mëngjesit. E prita me padurim këtë ditë që do të vendoste fatin tim.
Ambasada Amerikane nuk ishte shumë larg nga Manastiri ku isha strehuar dhe u paraqita herët në mëngjes tek porta e godinës së saj. Një turmë njerëzish më tepër se 100 vetë, prisnin të hapej porta e hekurt në orën 9.00. Polici që mbronte ambasadën, njoftonte herë mbas here, se nuk lejohej të kishe çantë me vete ose sende të cilat ishin të ndaluara. Kjo bëhej më tepër për të evituar ndonjë rast terrorist. Amerika urrehej në Greqi dhe gjithashtu edhe nga vendet Islamike. Terroristët islamikë kishin kryer shumë akte terrori kundër interesave amerikane dhe akti terrorist i Bejrutit ku vdiqën më shumë se 200 ushtar të Marinës Amerikane, ishte arsyeja që aty njerëzit i nënshtroheshin një kontrolli të imët.
Hyra brenda dhe u paraqita me letrën e hyrjes tek sporteli i Zyrës së Informacionit. Punonjësi, pasi e lexoi letrën, më tha të prisja deri sa të thirrej emri im. U ula në një karige në sallonin e madh të pritjes. Brenda, kjo ndërtesë që përfaqësonte Amerikën, shkëlqente dhe çdo gjë në dukje aq e përkryer, që nga stili, arkitektura dhe dekoracioni me një luks që unë shihja për herë të parë në jetë.
U thirr emri im. Një polic priste te dera të më shoqëronte. Ai më tha në greqisht të hyja në një ashensor. Pas pak, ashensori u ndal, u hap dera dhe polici më ftoi ta ndiqja në një sallon të gjerë plot dritë. Trokiti në një derë ku shkruhej: “Mr. Monteagle Stears”. Derën e hapi një grua e veshur me salltanete, e cila me sa dukej, ishte sekretaria e ambasadorit. Një burrë i mbajtur mire që i shkëlqente lëkura nga shëndeti, u ngrit në këmbë dhe prezantoi veten e tij duke më dhënë dorën dhe uruar mirëseardhjen.
Unë ju përgjigja në anglisht me fjalët: “Faleminderit dhe është kënaqësi të takohem me ju”. Ai u impresionua që unë i’u përgjigja në anglisht, por unë i thashë se anglishtja ime është e dobët dhe ai qeshi duke më siguruar se unë do ta mësoja shumë shpejt. Më pyeti për eksperiencën e hidhur që kisha kaluar në Shqipëri dhe unë i tregova në përgjithësi për regjimin komunist të Enver Hoxhës, e në dorë kisha një deng me gazeta greke, ku flisnin për jetën time dhe të popullit shqiptar.
I kërkova brenda mundësive të më jepte strehim politik, pasi e shikoja se agjentët e Tiranës mund të më likuidonin fizikisht. Ambasadori e dëgjoi me vëmendje rrëfimin tim dhe në fund, më inkurajoi që këtë histori ta publikoja në shtypin Amerikan. Mr. Stearns, pa hezituar firmosi vizën time.
U ndava duke e falenderuar përzemërsisht dhe menjëherë mora në telefon të afërmit e mi, Selfon dhe Rexhepin, për t’u dhënë lajmin se mora vizën. Ata gëzuan shumë dhe më siguruan se do të flisnin me Zyrën e Emigracionit, për të paguar çmimin e biletës së avionit. Pas një jave zyra më njoftoi se 31 tetor ora 8.00 e mëngjesit, të paraqitem në Aeroportin e Athinës.
Udhëtim drejt Amerikës, mos vallë isha në ëndërr?!
Menjëherë shkova në Janinë e Thesproti, për t’u lënë lamtumirën miqve të mi që e bënë të mundur të rroj për të parë këto ditë të mira në jetën time gjithë vuajtje. Ata u mallëngjyen dhe njëkohësisht të gëzuar që unë ikja larg. U premtova se do të kthehesha përsëri dhe s’mund t’i harroja lehtë ata njerëz veshur me rroba të zeza, që më sollën përsëri në jetë!
U ktheva në Athinë dy ditë para se të ikja për Amerikë. Në orën 7.00 të mëngjesit, u paraqita në aeroportin e Athinës. Punonjës të zyrës të Emigracionit më dhanë biletën e udhëtimit. Avioni Olympic “Boeing 747”, shkonte direkt në New York dhe prej andej do të merrja një avion tjetër për në Chicago.
Në orën 10. 00 u hap dera dhe një autobus i madh që priste jashtë, pasi u mbush me njerëz na çoi tek avioni. Nuk i besoja vetes, mos vallë isha në ëndërr?! Mendoja: më tepër se 350 pasagjer e mbushën këtë avion gjigand, ndër kohë që vrisja mendjen se si mund të ngrihej në re një mal i tërë?! Piloti bëri prezantimin dhe na uroi rrugë të mbarë, në gjuhën greke dhe anglisht.
Personeli i shërbimit, dy vajza të bukura, demonstronin çfar të bënim në rast urgjence. Vendi im ishte pranë dritares. Motorët u ndezën dhe avioni dridhej i tëri me një zhurmë shurdhonjse. Piloti njoftoi të vinim rripat e sigurimit për ngritje. Avioni u nis, veshët më dhembnin, vura re nga dritarja ime poshtë qytetin e madh që zbardhte ndën këmbët e mia dhe më pas çdo gjë humbi pas perdes së bardhë të reve. Përsëri mendoja: Unë Kasua i futur në dy mijë metra thellë në tokë, tani jam dhjetë mijë metra lart në qiell!
Në avion, drejt Amerikës!
E pabesueshme “Lavdi Zotit”!
Na shërbyen drekë dhe darkë. Dielli nuk lëvizte nga vendi, megjithëse kishim kaluar shumë orë! Koha kalonte shpejt, në një ekran të madh ç’faqeshin filma të ndryshëm artistik. Pas 10 orë udhëtimi, piloti njoftoi të bëheshim gati për zbritje. Avioni ulej ngadalë dhe unë sodisja natyrën e kontinentit Amerikan. Përshtypje më bëri gjelbërimi i madh, rrugët dhe ndërtesat në simetri të përkryer. Koha ishte me qiell të pastër dhe avioni u ul në pistë, e pasi bëri disa kthesa, qëndroi në derën e terminalit.
Unë duhet të ndërroja avion për në Chicago, por më parë do të kalonim në postobllokun ku bëhej kontrolli i pasaportave. Unë nuk kisha idenë se çfar kohe ishte në Amerikë, orën që kisha në dorë, tregonte 8 e mbrëmjes në Greqi. Avioni për në Chicago nisej në orën 3 pas mesditës dhe më duhej të shkoja në një derë tjetër. Pyeta një emigrant polak që edhe ai shkonte në Chicago, se çfar ore ishte në Amerikë! Ai shikoi një ekran të madh që varej në mur dhe më tha se është drekë, ora 12.00. U qetësova, pasi kisha kohë për të gjetur terminalin për në Chicago.
Oficerët e Emigracionit më vulosën pasaportën ku kisha vizën dhe më lanë të lirë. Më morri ca kohë të gjeja terminalin nga do të nisesha. Me të mbërritur, nuk vonoi dhe filloi të bëhej hyrja për në avion, i cili ishte shumë më i vogël. Kishte vetëm një korridor në mes dhe vendi im edhe këtë herë ishte pranë dritares. Më pëlqeu, pasi kisha dëshirë për të parë.
Pas dy orësh, avioni arriti në Aeroportin e “O’Hare” Chicago. Nuk dija se më priste Rexhepi me Selfon dhe shkoja pas turmës së njerëzve që nxitonin të dilnin jashtë. E kisha humbur fare dhe nuk dija se si funksiononin telefonat publik që kishte në çdo qoshe.
Një djalë, besoj rreth 18 vjeç, rrinte në qoshe të korridorit duke vënë re me vëmendje pasagjerët e porsaardhur. Nuk di si ta shpjegoj, se çfar e shtyu këtë djalë të më pyes në gjuhën shqipe:
-“Më fal, mos je Kasua”, tha djali që nuk e njoha dhe u skuq në fytyrë, duke menduar mos ishte gabim.
Unë qëndrova:
-”Po, unë jam, Ti kush je”, dhe zgjata dorën për ta përshëndetur, duke menduar se mos ishte ndonjë punonjës i organizatës bamirëse. Djali mu hodh në qafë dhe më puthi me shumë mall:
-“Unë jam Isufi, djali i Zeqo Kolës, dajkos tënd”, m’u përgjigj i mallëngjyer.
-”Mirë se na erdhe”.
-“Kërkova leje nga sigurimi të vija sa më afër, pasi unë e dija që do ta kishe të vështirë të dilje jashtë”, vazhdoi Isufi, dhe më rrëmbeu nga dora një çantë të vogël për të më ndihmuar. E pyeta për dajkon dhe gjithë të afërmit, si ishin me shëndet. Isufi m’u përgjigj shkurt pyetjeve të mia, me një shqipe të zhdërvjellë që më pëlqeu aq shumë.
-“Ka ardhur dhe Selfua me Rexhepin, ata presin tek dera kryesore”, shtoi Isufi
Takimi me dy kushërinjtë e mi në aeroport, Selfon dhe Rexhepin
Tek po dilnim nga terminali, në sallonin e madh ku prisnin shumë njerëz të afërmit e tyre, njoha Selfon, megjithëse kishin kaluar më tepër se 15 vjet. Në krah të tij rrinte një burrë tjetër me mustaqe, flokë thinjur, gjysmë pa flokë.
Momente tepër emocionale!
-“Mirë se na erdhe kushëri”, në një gojë më uruan që të dy. U përqafuam mes gëzimit dhe lotëve, lot malli.
Isufi u largua dhe më tha se do të vinte një ditë tjetër të më merrte që të takohesha me dajkon dhe pjestarët e tjerë të familjes.
Hipa në “Mercedez”-in e Rexhepit dhe pas 20 minutash, arritëm te shtëpia e tij në veri të Chicago’s.
Shumë njerëz të afërm prisnin ardhjen time, unë nuk i njihja.
Difua, gruaja e Rexhepit, kishte përgatitur darkën, një tavolinë e madhe shtruar me gjithë të mirat. Rexhepi i ftoi të gjithë mysafirët të uleshin, për të ngritur një dolli për mua që dola gjallë në botën e lirë, pas gjithë atyre vuajtjeve të pa menduara!
Unë rrëfeva gjithë historinë e fshatit Markat, që ata donin të dëgjonin se si vdiqën ata që vdiqën dhe se si rrojnë ata që rrojnë.
Mundë të ishte ora 2-3 e mëngjesit të ditës tjetër. Unë isha i lodhur nga udhëtimi i gjatë, ndërsa mysafirët që erdhën për të më uruar, nuk ngopeshin së dëgjuari se çfarë po ndodhte në Shqipëri!
Ditën tjetër u zgjova vonë, pasi më zuri një gjum i rëndë! Sejfullai erdhi dhe më mori me “Kadillak”-un e tij të vjetër ngjyrë kafe, një veturë e madhe dhe e rëndë, e më çoi në apartamentin e tij ku banonte. Një apartament i vogël me një dhomë gjumi. Selfua më tregoi krevatin që kishte bërë për mua, të cilin e kishte vendosur në qoshe të dhomës së ndenjes. Ai më këshilloi se: nuk duhej të rrija për një kohë të gjatë tek Rexhepi, sepse ai kishte familje të madhe, 2 djem të pa martuar, dhe 2 vajza që shkonin në shkollë akoma.
-“Po, vëlla është e arsyeshme, unë do rri me ty deri sa të gjej një punë”, i them Selfos. Tani duke qenë vetëm për vetëm me Selfon, e pyes për Bilalin, si i ka punët dhe si është gjendja shoqërore e fshatarve dhe miqve të tjerë emigrant shqiptar, sepse sipas K. A., një agjent i Tiranës, i cili siç thamë më lart ishte në Amerikë për një kohë të gjatë me mision të caktuar, për të futur përçarjen në organizatën e “Lidhjes Çame”, më kishte thënë se Markaqotët rrojnë në shamatë e urrejtje me njëri tjetrin!
“Këshillat” e kushëririt tim, Selfos
-“Më parë dëgjo këshillat e vëllait”, filloi të flas Selfua:
-”Unë kam një eksperiencë tepër të hidhur këtu në mërgim. Unë sakrifikova familjen time, i braktisa për të shpëtuar Bilalin, Bilali është një shokë e një mut-muti. Na ka futur të gjithëve në telashe të mëdha, rrojmë me frikë të madhe, prandaj dëgjo këtu vëllanë:
- Hiq dorë nga botimet e ndonjë materiali me karakter antikomunist, anti Enver Hoxhës!
- Mos fol në vende publike për jetën në Shqipëri
- Rri larg nga Bilal Xhaferi… !
- Me një fjalë hiq dorë nga politika!
Mua më erdhi një njeri nga Tirana, më gjeti këtu në park, ku shisja pije freskuese, të lutem këto që bisedojmë, mos i bisedo me ndonjë tjetër as me Rexhepin, Rexhepi është një dallahur që flet nga Muço Manarajt, mba vesh vëllanë: dua të të them se ky njeri më tha:
-”Selfo ne e kemi familjen tënde në dorë, nëqoftëse do vazhdosh këtë veprimtari armiqësore ndaj qeverisë Shqiptare do i futim të tre djemt e tu në burg, ke vetëm dy rrugë me Bilalin ose me familjen tënde!”…
Kështu me sa kuptova, Selfua braktisi Bilalin për hir të familjes së tij, ndoshta në mënyrë indirekte u shërbente agjentëve të Tiranës?! Selfua m’u rrëfye për të gjitha çfar kishin ndodhur gjatë viteve në mërgim. Mbeta shumë i disiluzionuar nga qëndrimi i Selfos. Njerëz të tillë unë lashë në Shqipëri. Pasi e hetova mirë situatën dhe ambientin që më rrethonte, arrita në konkluzionin se: Selfua dhe miqtë e tij mund të më shiste, ashtu siç shiti Bilalin, dhe unë e dija këtë nga rrëfimet e Kipe Avdiut!
Isha pothuaj një javë që jetoja në Chicago dhe nuk kisha dëgjuar nga Bilali, një njeri që unë e admiroja shumë të kaluarën edhe tani që disa patriotë si Selfua, kërkonin të hidhnin baltë mbi emrin e tij!/Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016