Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e tridhjete tre
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
“Pasha Zo..in idealin, u kanë vu festen pas kresë, or tëj”! – tjetri, p-sh-tiu.
“Ene thiu rrnon ma pastën, or mëjk”! – psh-iu, pshë-u, pja-u.
“Ptu-hh, kërma”! – psh-iu, pshë-u.
“U hangshin shtazët e pyllit”! – psh-iu, pja-u.
Mbaroi arsenali i anatemave dhe u shtuan teshtimat, psh-iu, pshë-u, pja-u, ndonjë që se shprehu urrejtjen me gojë, e shpalosi me pështyma dhe këlbaza: “Ptu-hh. P-sh-ëh, psh-iu, pshë-u, pja-u”.
“Qelbësina”!
Çelo Arrëza, i ndjekur nga kryetar Mediu dhe shpura e oficerëve shalëgjatë, ia behën nga dera e zyrës teknike dhe mënjanë-mënjanë të mos thëthinin aromën e qelbur të djersës së burgut, zunë hijen e portës në krye të shkallëve, pranë Xhelal beut dhe Hilë Pashkut (Keqit) që iu bënin roje nderi.
I Madhi dukej në dyzen dhe nurqeshur:
“Po këta mo, ç’m’i ke”? – lozi aktorin, si të gjendej para një rekuizite teatrale. – “ia paske bërë fora, o Frrok, lesh dynjanë”! – dhe gajasi ga-ga-ga.
“Njita janë të pabindun”! – shpjegoi komandanti i policisë. – “Kurse t’qerët ishin ba pa qeth si studentët, or shoq”! – dhe Frroku u skuq flakë.
“Të lumtë, kështu të do Partia, o Frrok”! – e përgëzoi Çelua dhe iu kthye të lidhurve: – “Xhelal bej, mos të ka pjerdhur goja ndonjë mufkë, që të paskan vënë roje nderi”? – iu drejtua të puthiturit në të djathtë.
“Me ç’duket zotërisë sate, s’i mjaftuan ata që kish pas, e shtuan një pe jugu, një pe veriu”! – ia pati Xhelali.
“Ty Xhelal bej, s’të rri buçja rehat”!
“Pse mo, vetëm për bukë e paskemi të shkretën”?!
“Ç’kanë bërë këta, o Frok”? – iu kthye komandantit nga Rrësheni, që u katandis si kaposh pendërënë.
“Nji ky a tall me Partëjn, ky qetri…”!
“Kush mo, Xhelali”?! – e ndërpreu Çelo Arrëza.
“Nji ky mustakmiu! Duket a anmik i betuem, aj…”!
“Zgjidheni”! – urdhëroi i Madhi. – “Ai ashtu ka për të vdekur, o Frok”! Xhevdet shalëgjati e çliroi dhe i tundi gjermankat:
“Këtu i ke prapë”!
“Aferim, s’e mos di tjetër ti”! – Xhelali mori teposhtë shkallët, duke shtriqur krahët e mpirë.
“Po ti Hilë, s’i bëre ndonjë xhingël këtij, mo”?! – u kthye Hilë Keqit.
“Aj ishte i armatosun”! – kaposhi pa pendë, tundi sqeparin në erë.
“Ç’armë është kjo, a derëbardhë! Po ai me këtë, na i ka mbushur zyrat me ojna, mo”! – dhe iu kthye gjatoshit. – “Zgjidhe o Xhevdet, se na la pa korniza Froku”!
Kaposhi s’u ndie, i Madhi buzëqeshi babaxhançe.
Sa herë shkelte në kamp i Madhi, s’ndihej kakërima. Ai i binte sheshit nga njëri skaj në tjetrin, zinte pikat dominuese, si strategët fushëbetejën, këqyrte fjetoret, tarracat, godinat e të tjera, jepte urdhrat e direktivat e momentit dhe largohej.
Kur rastisnin greva urie, vinte i shoqëruar me operativin, thërriste në raport oficerin e rojës, policët e shërbimit, kryetarin e Zyrës Teknike, sipas rastit edhe mjekun, përgjegjësin e kapanonit, brigadierin, berberin, kuzhinierët, domosdo edhe grevistin, si protagonist të ngjarjes dhe bënte drejtësi.
Natyrisht drejtësia e Çelos, s’bazohej në ligj, apo rregullore, po ç’i shkrepte truri. Bari megalloman, gjithçka e zgjidhte sipas rradakes dhe do zbatohej detyrimisht, pikë për pike, siç porosiste ai. Si zakon, me të s’e gjeje të drejtën, ama kur ish me të mira Çelua, qëllonte edhe të fitoje.
Kështu, kokëtuli që kujtonte se dinte gjithçka, hiqej baba i të gjithëve, por një at arkaik, që bënte diellin, shiun, ditën, natën, dhe kur ish “babai” me xhinde, mjerë kush i dilte kryq, e priste ndëshkimi shembullor. Në rrethet komuniste, njihej si xhebrahil shpirtrash.
Gjatë luftës kishte qenë pjesë e njësiteve ndëshkimore dhe si i tillë, kish dhënë prova besimi, duke eliminuar pas shpine dhjetëra “armiq” të Partisë dhe personalë të Enverit. Atentatori profesionist, s’ua kish zgjatur as të afërmve, kur e kërkonte Partia, iu kish futur plumbin pas kresë, madje kish budallallëk të mburrej me bëmat, pa e brejtur ndërgjegjja.
Këto “merita” superiorët ia konvertuan me postin e komandantit të përjetshëm në burgjet politike, siç veprohet në Itali, me individët e shquar për kontribute në shërbim të kombit, që i emërojnë Senator të Përjetshëm. Çelos i rëndonte gjoksi nga urdhrat dhe dekoratat, sa nga pesha e tyre, ecte kryepas. Ishte ndër të paktët, që s’i kish mbetur medalje pa marrë, ndaj mes homologëve, hiqej me të madh, kurse me të dënuarit, bënte djallin edhe engjëllin, po më shpesh djallin.
Kur tërbohej ai, birucat mbusheshin citë, s’mbetej shtyllë pa një të kryqëzuar përfund, valonte kopaçja ditë-natë, s’kishte raporte mjekësore, s’kishte takime me familjet, s’kishte korrespondencë, s’kishte libra; të gjithë mallkonin përbindëshin dhe fatin që ua nxori kryq, madje edhe vetë ushtarakët e nëmnin.
Kur zbutej disi Çelua, mund të shpresoje edhe ndonjë të “mirë”, por ishte me hënë, Në një moment indulgjence, u shtuan argëtimet në kamp; sheshin qendror e shndërruan në fushë volejbolli, vunë ca tavolina pingpongu, sollën skakiera shahu, shtuan ndonjë vegël muzikore, u normalizua një farë soji korrespondenca dhe takimet me të afërmit.
Këto veti-vese të paqëndrueshme, bëheshin shkak sherri mes policëve, ku lindte një konkurrencë e fshehtë, sepse secili përpiqej ta imitonte, që t’i binte në sy e të fitonte simpatinë e tij. Beteja për supermaci, i shndërroi oficerët në marioneta çudibërëse, sepse gjithkush rrekej t’i ngjante bariut, qoftë në mënyrën e të ecurit, në sjellje, në shprehje, po veçanërisht në mendimin ala Çelo dhe perfeksiononin gjestet, për t’u dukur më trendi në sytë e Tij dhe tanët, aq sa na buzëqeshnin si babaxhanë, në momente gazmendi të të Madhit, porse kur kapte apogjeun pezmi i Njëshit, egërsia kthehej në mazokizëm, sa rrallë qëllonte të mëshironin kënd; natyrisht, përputhnin gjestet me gjendjen shpirtërore të idhullit të tyre.
Shpesh rivalitetet dhe inatet e kalonin rrethin e ushtarakëve të karrierës dhe mbërrinin gjer te ne; ndonjëherë edhe përfituam nga kjo konkurrencë, po më shpesh humbëm. Humbëm sepse, s’na llogarisnin njerëz, por thjesht zvarranikë apo, sende këmbimi dhe instrumente hegjemonie, në shërbim të kryeneçësisë karrieriste. Ndodhte që ambicia të degjeneronte në antipati krahinore dhe ngaqë drejtuesit e Drejtorisë Qendrore të Burgjeve e, pothuaj tërë zinxhiri i oficerëve madhorë, dominohej nga toskë, jugorët ngadhënjenin dhe mjerë veriorët që iu dilnin ballë.
Aq e vërtetë është kjo, se sa u përmbysën vlerat, oficerët veriorë sajonin hile, për të magjepsur ikonën, e imitonin dhe silleshin si jugorë, ndaj mbetën nën urdhra, vetëm policët që i përdorën si dajak.
Skena si ajo që u shtjellua para syve tanë, ishin përsëritur edhe herë tjetër, porse rastet mëshirues ishin sporadike, sepse dhuna mbetej konstante dhe terrori s’u shua kurrë, kurba ulej dhe ngrihej, në varësi të valëve të luftës klasore. Kur në gjirin e shoqërisë lufta merrte hov, në burgje ashpërsohej dhuna; dhe e kundërta, detanta mes dy goditjeve ulte disi tempin, për të përgatitur ndeshjen e radhës, edhe më dëmprurëse. Loja i ngjiste një armëpushimi mes dy ushtrive ndërluftuese, që i shfrytëzojnë momentet e qetësisë relative, për të rifreskuar o ndeshur më egërsisht.
Humori i policëve në burgje, ndryshonte me orë. Si barometër shërbenin lëvdatat apo kritikat nga lart; kur “pllani” realizohej, kur s’ndodhnin ngjarje të jashtëzakonshme si: vrasje jashtë telave, arratisje nga kampi, revolta me motive politike, e të tjera të kësaj natyre, lëvdatat rridhnin lumë, mbi gjokse u shndrinin urdhra dhe dekorata, teksa në kuleta iu tingëllonin ca monedha më shumë, për rrjedhojë iu qeshej nuri dhe binte paksa dhuna.
Përkundrazi, kur bënin vaki ndodhi të paparashikuara, represioni kapte pikun, valonte huri, dhjetëra mjeranë do rënkonin pas shtyllave, dhjetëra të tjerë do përfundonin në birucat e kampit, madje do ri arrestonin edhe disa dhjetëra, që i nisnin për ri dënim në birucat e Degës së Brendshme Rrëshen; fytyrat e policëve sterronin, gojët kyçeshin, hapeshin vetëm për të skërmitur dhëmbët, për të vjellë vrer e ulërima, sharje e fyerje që do linin me turp edhe llumin e shoqërisë.
Por majin e 1971 (njëmijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e njëshit), fryma liberale dhe grandomania etatiste, kapi apogjeun, xhelatët shkërbyen engjëllin. Dy vjet më pas, ato fytyra gazmore do nxinin të vrerosura dhe do t’i mbulonin gjembat e rrethimit me cifla truri të mpiksur, do mbillnin dhunën, terrorin, vdekjen…!
Këshilla “atërore”!
“Të dënuar”! – ushtoi tenori Çelo. – “Në kontrollin e sotëm konstatuam, se ka ende mes jush individë, që s’duan të rehabilitohen. Kupton ti? Kemi gjetur sende të ndaluara, që mund t’i përdornit për qëllime subversive, libra në gjuhë të huaja, fletore me shënime të dyshimta, vegla muzikore imperialiste, ca femra dadace dhe shkarravina të tjera. Kupton ti?
Po ç’paskeni qenë, xhanëm! Prapë me rusishten, frëngçen, anglishten, italiançen e tjera? Mos humbni kohën me gjuhët kapitalist-revizioniste, mo! Doni gjuhë të huaja, mësoni mo, kush u ka penguar? Kupton ti? Keni kinezçen mo, gjuhën e marksist-leninistit të madh kryetarit Mao, koreançen e Kim-ir-senit, vjetnamezçen e Ho-Shi-Minit…”!
“Po sikur të na dalin tradhtarë si Titua dhe Krushovi, na rroftë gjuha”! – ndërhyri “Marroku”.
“Pusho, ti kastravec”! – kërcënoi Xhevdet Balla dhe i tundi gishtin.
“Keni kubançen e Fidel Kas…”, por dikush i pëshpëriti në vesh; “Lëre-lëre fare, më duket se po vete me revizionistët edhe ky mjekroshi”.
“Kemi edhe gjuhët e Marksit, të Engelsit, të Leninit e Stalinit”! – u hodh Qani Çollaku.
“Tamam, ato mësoni mo”!
Po sërish diç i pëshpëritën dhe Çelua u hodh përpjetë.
“Jo mo, jo, lërini fare, se në këto gjuhë, kanë folur Hitleri, Çurçilli e Rosvelti dhe tani po na llapin si tepër Niksoni me Xhonsonin dhe ajo kukulla, demek mbretëresha e Anglisë, por flasin edhe Brezhnjevi me Kosiginin dhe gjithë tufa e revizionistëve. Kupton ti”?
Heshti pak, u mbush me firomë, drejtoi jakën mbi qafën e dhjamur, kroi zërin dhe rinisi:
“Ç’ju duhet qitara, violina, mandolina, xhezi, saksi dhe tromba mo? Ato janë alete dekadente dhe kanë prishur moralin…! Kupton ti?
“Me ato instrumente është kënduar himni i internacionales, ‘Marsejeza’, marshet revolucionare, me ato ka kompozuar Mozarti, Bethoveni, Verdi, Çajkovski, etj.”! – s’iu ndenj Ali “Trombës”.
“Epo mirë mo, u bini, kush tha mos t’u bini, kompozoni, kush u tha jo, po mbështetuni në taban mo, te allatkat tona, te daullja, defi, qemania, llahutka! Kupton ti”?
Heshti edhe njëherë, këqyri babaxhançe si Zeusi nga maja e Olimpit dhe vazhdoi ligjërimin:
“E morët vesh mo, kupton ti? Partia dëshiron të rehabilitoheni, ne ju mbështesim të bëheni të dobishëm për familjet dhe shoqërinë socialiste, ama kush s’do të përmirësohet, s’i kemi hak, do ta bëjmë me daja… Kupton ti”?
“Gjene me hu, o komandant? O-bo-bo nëne, kurrizi”! – kërceu “Marroku”, si ta pickonte gjarpri.
“Do pushosh ti, o kastravec apo.., po të hëngri shpina, ta kruajmë ne”! – e kërcënoi Xhevdeti.
“Rastësisht mes jush, gjenden ca priftërinj katolikë dhe ca hoxhallarë, ca shkrimtarucë dhe ca hahengxhinj kabaresh, ca shkarravitës dhe kalemxhinj, që duan të prishin edhe të tjerët. Kupton ti? S’do t’i lemë ne mo, të na ndotin atmosferën! Në u pastë marrë koka erë, do t’ua presim fare, mo!
Pa, le, bëkan edhe propagandë! Kupton ti? Or, për ça e kemi komisarin, shokun Shahin, ne? Për atë punë është, t’iu kthjelloj trutë me dritën e mësimeve të marksizëm-leninizmit dhe të shokut Enver. T’i dalë shkuma, sa t’iu bëj të dobishëm, për Shqipërinë Socialiste dhe për… Kupton ti”?
“Kuptuam”!
“E morët vesh nashti”?
“Falënderojmë Partinë, që kujdeset për të na bërë… spiunë”!
“Amin”!
“Pusho ti lolo, se për ideal të Partisë do të të…”!
“Po pastaj”?
“Pastaj… e di vetë ti”!
“Si s’e ditkam”!
“Meqë jemi duke llafosur, hajt flasim edhe për ca gjëra me leverdi reciproke”. – kur Çelua u shpreh kësisoj, pritëm mos komunikonte ndonjë urdhër, apo vendim, siç ndodhte rëndom, në raste të tilla. Në ankthin e pritjes nisën gumëzhimat:
“Fol bre komandant, nxirrja kokën muhabetit”!
“Duket ia hodhëm Xhelal bej, Partia po mendon edhe për ne”! – ia pati Esat Kala.
“E di, s’e zë gjumi të gjorën për hallet tona”! – ia ktheu Xhelal beu. – “Sidomos për këtë, ce e ka nipnë e Abazit”! – thumboi Tomorin.
“Sipas të gjitha gjasave këtë herë, do ta nisin me bejlerët e rënë nga vakti, për ne të tjerët, pret koha”! – i dha reston Tomori.
“Një mendje ma thotë, se do ketë ndonjë udhëzim të posaçëm, për ata që i kanë dënuar nën vërsë! Partia e ka barkun të gjerë, or mik”! – kukurisi Zakja dhe më shkeli syrin.
“Pushoni të dënuar”!
“Partia e ka zemër të madhe, mendon për ju dhe për familjet tuaja…! Kupton ti”?! – gjëmoi Çelua.
“Ua-ah, vërtet, si s’e paskemi kuptuar më parë xhanëm”! – u shtang xha Kamia nga Lazarati.
“Pusho ti, shushko”! – sërish Xhevdeti.
“Në frymën e orientimeve të Partisë dhe të shokut Enver, mendojmë të bëjmë një organizim të ri”!
“Më tu lumtë bre burrë, ç’m’u bëre hakun cave”? – Qemal Merua më shkeli syrin, duke shënjuar Esatin.
“O-u-a, e dimë ku do përfundojmë, o buçko”! – ia ktheu i shënjestruari me të qeshur.
“Kush jep shenja rehabilitimi, do shpërblehet, e kundërta, do ndëshkohet” – dhe Çelua vijoi: – “Ama sot, s’kemi nijet të dënojmë ndonjë, as ta lidhim pas shtyllës, as në birucë. Edhe këta që shkelën rregullat, e patë që dhashë urdhër t’i lironin menjëherë”.
“Pa dyshim, Partia është tepër indulgjente”! – vërejti doktor Astriti.
“Aq sa s’nginjet me na! Deshta me than, me dashnin për na”! – ia priti Shyqi.
“Ore, do pushoni ju apo…”! – sërish Xhevdet shaloku.
“Partia mëton t’iu ndihmojë, që të futcni në rrugën e duhur, dhuna mbetet mjeti i fundit…”!
“Urra-a-a, rroftë.. dhuna”! – kërceu “Marroku” entuziast.
“A përnjimen, ah”?!
“Po, ore”!
“Do pushoni ju apo…”!
Derti për të gjetur termat e duhura, i shkaktoi shtatë palë djersë qyqarit komandant, iu qull këmisha, sa u kthye, nga e gjelbër, në të zezë. Bariu i dhive ngelej amator, në të gjitha, përjashto vetinë, për të marrë kë të donte, pa iu dridhur qerpiku.
“Kartelisti dhe kryetari i Zyrës Teknike, do t’ju komunikojnë vendimet që morëm bashkërisht. Kupton ti? Nashti kalofshi mirë”! – përshëndeti, kthehu krahët dhe mori terma shkallët.
“Bëfsh qejf, o komandant”! – i tundi dorën “Marroku”.
“Mbylle se për idea…”! – kërcënoi Xhevdeti dhe humbi nën llamarinën e derës, i ndjekur nga toga e Degës së Punëve të Brendshme, Rrëshen.
Organizim apo ndëshkim?
Vendin e të mëdhenjve në podium, e zunë kartelisti me një tufë policësh të rangut të ulët. Por ballafaqimi me shtatëqind shpirtra, i shkaktoi alergji oficerit të sapodiplomuar në shkollën e Sigurimit, sa binte në sy ashiqare inferioriteti para turmave, që e bëri të belbëzonte sa mezi kuptohej.
“S’po dëgjojmë, o zotëri”! – u ngrit një zë.
“Më fort”! – ia pati një tjetër.
“Tellalli, të vijë tellalli”! – urdhëroi një ushtarak.
Tashmë u zgjidh problemi, zëri i Malos gërrici lugun e përroit.
“Dëgjoni të dënuar, po lexojmë vetëm emrat e atyre që do lëvizin, të tjerët mbeten ku ishin”. Potere…!
“Pushoni, ’re”!
Heshtje dhe zgjatje veshësh. Kuqali lexonte, Malua gjëmonte:
“Ministria e Punëve të Brendshme. Reparti 303 Spaç.
Spaç, më 21.05.1971
Urdhër Nr..x…, datë 21. 05.1971.
Për dijeni: Sektorit të Kuadrit dhe Organizimit. Këtu.
Degës së Punëve të Brendshme, Rrëshen, Mirditë.
Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Kampeve të Riedukimit, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Popullore, Tiranë.
Në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr…x, datë…., …,1970, neni 5, pika 3, neni 7, pika 1 dhe 4, si dhe në zbatim të ligjit Nr. xyz…; ‘Për funksionimin e reparteve të vuajtjes së dënimit dhe të riedukimit të personave të ndëshkuar me heqje lirie nga Gjykatat Popullore’, në nenin…x, pika 3, germa d, paragrafi i II, gjithashtu me propozim të Këshillit të Riedukimit, të Drejtuesve të Zyrës Teknike, të Këshillit Inxhinier-Teknik, që funksionon pranë Ndërmarrjes Gjeologjike të Shfrytëzim-Minierave, Sektori Spaç, mbështetur dhe në propozimet e Punonjësit Operativ të Rep. 303, si dhe me miratim të Komandës së Kampit, me qëllim përmirësimin e punës dhe rritjen e rendimentit minerar,
URDHËROJ:
1- Të dënuarit më poshtë, do kalojnë në regjimin e brendshëm, në pritje të veprimeve të mëtejshme”.
“Pushoni”!
“Lërini llafet të dëgjojmë”!
Por të gjithë flisnin për hesap të vet.
“Pushoni ‘re”! – ulërima e Malos na çori veshët.
Filloi leximi:
Zef Ashta, Bardhyl Belishova, Koço Odria, Kapo Risilia, Ismail Vrioni, Haxhi Mekolli, Zeqir Vata, Qani Mulita, Piro.., Qemal Mero, Rakip Hadëri, Kapllan Resuli, Namik Hoxha, Miti…, Estref…, Ylvi…, Vat…, Spiro…, Feti Grëmi, Pavllo Popa, Tahir…, Ernest Troshani, Adem…, Engjëll Pulaha, Ceno Hekali, Nik Prela, lista u mbyll. Do kalonin në papunësi, gjashtë qindësh”.
Në fakt ishin të vjetër, të gjymtuar dhe pa shpresë riparimi, shpejt do t’i nisnin në Ballsh, në Burrel dhe ca do t’i priste shën Pjetri. Sërish shamatë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016