Dashnor Kaloçi
pjesa e parë
Memorie.al publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë ku ndodhet diskutimi i Enver Hoxhës i mbajtur në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së më datën 23 shkurt të vitit 1973, ku ishin të thirrur edhe kuadrot kryesorë të forumit më të lartë të organizatës së Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, të kryesuar nga Agim Mero, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, që Enveri urdhëroi të thirrej me urgjencë në atë mbledhje. Fjala e plotë e Enver Hoxhës në atë mbledhje ku ai për herë të parë morri në analizë të gjitha “problemet e rinisë” si dhe “edukimin e saj”, me artin, kulturën, letërsinë, kinematografinë, librat, bibliotekat, vatrat dhe shtëpitë e kulturës, aksionet, zboret, punën vullnetare, etj. Si dhe problemet që kishin dalë dhe shfaqeshin tek disa të rinj, me modën, shfaqjet e huaja, ndikimet moderniste, etj.
“Unë besoj që s’ka shtëpi kulture, ku të mos ketë vegla të ndryshme muzikore, shumë nga të cilat janë prodhuar brenda, janë sjellë edhe nga jashtë dhe që të gjitha së bashku kanë ndihmuar shumë për argëtimin dhe edukimin e rinisë. Në këtë fushë, ka një zhvillim të madh, një përparim i madh është bërë kudo. Rinia i ka këto mjete në duart e saj, gjë që e shohim në Estrada e në festivale. Kjo është një kënaqësi e madhe, atëherë përse ta nënvleftësojmë? Që duhen edhe më tepër, s’ka dyshim që po, dhe për këtë duhen bërë përpjekje, por të na errësohet çështja e të thuhet se çobanët që rrinë në verë në malet e Lenies e të Gramozit nuk paskan një radio ose atje nuk vete filmi, kjo është të flasësh në erë. Çdo çoban mund të blejë fare mirë një radio me bateri, po të dojë, se në treg ka dhe ditë-puna e tij është më e madhe nga e të tjerëve dhe jo të pritet që çdo gjë ta bëjë shteti. Shokë të rinisë, ju kërkoni klube të shumta të veçanta për rininë në qytete dhe kjo, kudo ku të ketë mundësi, le të bëhet, por nga sa di unë edhe nga këto janë ndërtuar, janë pajisur me gjithçka, bile edhe me bilardo, po pastaj janë mbyllur sepse u larguan nga qëllimi për të cilin u ngritën”.
Diskutimi i Enver Hoxhës në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, më 23 shkurt 1973
Ju, shokë të rinisë, që ju kemi thirrur këtu keni gjë tjetër të re për t’i shtuar raportit që na keni dërguar? Po Agim Meroja, është këtu? Të thirret të vijë, se mban edhe ai përgjegjësi për punën e rinisë. Mund të na flisni pak më konkretisht, duke përmendur edhe emra se kush ka ndikuar negativisht, kush ka mbajtur qëndrim liberal ndaj direktivave të Partisë për çështjen e edukimit të rinisë, dhe që, sipas mendimit tuaj, ka sjellë si rezultat atë që disa të rinj të mos sillen e të mos jetojnë në bazë të normave të moralit tonë proletar, pra kanë rënë në liberalizëm? Kur themi, disa të rinj, nuk kemi parasysh gjithë rininë. Ka disa që thonë se “këto shfaqje janë disa karakteristika të moshës”, “janë periodike”, “që do të zhduken me kalimin e kohës”, etj., etj. Cilat, vjedhjet e xhepave, mosndjekja e mësimeve në rregull, marrja e notave negative, kalimi me zor i klasës nëpër shkolla etj.
Këto janë karakteristikat e moshës së rinisë?! A janë trajtuar mirë ideologjikisht problemet dhe a janë nxjerrë burimet e shkaqet nga të cilat rrjedhin këto akte e qëndrime liberale? Shkaqet e këtyre qëndrimeve janë kopjim e imitim nga bota e jashtme, shtrembërim i vijës së Partisë, apo çfarë? Mirë se njëri që vodhi diçka, u përjashtua nga shkolla apo nga organizata e rinisë, po kundër disa mendimeve e pikëpamjeve filozofike antimarksiste, që sillen nga jashtë dhe që depërtojnë e fliten edhe në universitet, jo në katedrat, por nga disa, nëpër qoshe, bëhet luftë apo jo? Nëse jo, përse nuk bëhet kjo luftë? Kush janë këta që qenkan kaq të zotë sa të mbrojnë teoritë dekadente të huaja dhe të tjerët, që hiqen se mësojnë ditë e natë marksizëm-leninizmin, nuk janë në gjendje t’i demaskojnë e t’i hedhin në plehra këto teori, bashkë me njerëzit që i predikojnë haptazi ose në mënyrë të fshehtë? Ka njerëz, për shembull, në organizatat e rinisë, që mbrojnë Pikason ose piktorë të tjerë dekadentë? Nuk ka. A njihen këto çështje në organizatë?
Ndihet nevoja për t’i sqaruar nga ana teorike dhe për të mbështetur drejtësinë e pikëpamjeve marksiste-leniniste të Partisë, apo vetëm thuhet që duhet të ngrihen probleme të tilla dhe në të vërtetë nuk ngrihen fare? Këto probleme duhet të jenë të qarta, e jo të na thuhet këtu me dy fjalë: “ngrihen”, “ngrihen pak ose s’ngrihen fare”. Këto çështje thuhen në mbledhje e shkruhen nëpër gazeta, por trajtohen cekët e në mënyrë të përgjithshme dhe, si rrjedhim, dalin disa njerëz që në fakt propagandojnë dhe vënë në jetë teoritë borgjeze në art, në kulturë etj. Kur organizohen diskutime, a ngrihen shokët e Partisë ose të rinisë, që kanë eksperiencë dhe përgatitje politike e ideologjike, për t’i orientuar këto diskutime për vlerat ideore të veprave kulturore, artistike etj? Këtu nuk e kam fjalën për gabimet gramatikore ose për ndërtimin e veprës në kuptimin që kjo ide të shprehej në fund e ajo në krye, por për të sqaruar anën politike të çështjes që trajtohet, duke thënë fjala vjen: “Këtu problemi nuk është shkruar drejt politikisht; kjo ide është e shtrembër nga pikëpamja ideologjike”, etj.
A kanë përdorur Partia dhe rinia forma të tilla pune? Unë nuk e kuptoj pse të mungojë guximi te kjo rini kaq trime, për të hedhur poshtë një vepër që nuk vlen, të këtij apo atij shkrimtari, kur kësaj rinie nuk i ka munguar guximi për të vajtur në luftë e për t’u vrarë me armiqtë. Këto shfaqje të huaja, për të cilat flitet këtu, siç janë disa pjesë teatrale, muzikore, disa këngë etj., nuk i ka bërë punëtoria e uzinës, por i kanë bërë të tjerët. Sipas mendimit të rinisë, janë bërë me qëllim apo pa qëllim gabimet në këto krijime letrare e artistike? Disa të rinj, siç thoni ju, nuk e kanë pasur atë zotësi politiko-ideologjike që t’i kapin shpejt dhe t’u kundërvihen përnjëherësh shfaqjeve të huaja. Por, kur i kanë vënë re në ndonjë rast, a janë thelluar për të parë nëse idetë janë shprehur me qëllim? Si mendoni ju, duhet të organizohej ndaj këtyre shfaqjeve e ndikimeve të huaja një rezistencë efikase që ato të hidheshin në plehra? Pasi shokët iu përgjigjën pyetjeve të bëra dhe diskutuan rreth problemeve që u shtruan, shoku Enver Hoxha vazhdoi: Më duket se problemi vihet shtrembër që në fillim. Sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë në vend që t’i bëhet, në radhë të parë, një pasqyrë konkrete, qoftë edhe e shkurtër por e qartë, për problemet politike, ideologjike, morale dhe organizative të rinisë, si u pritën prej saj vendimet e Kongresit, si po vihen në jetë këto vendime etj., që nga fillimi dhe deri në mbarim, këtu kalohet në kërkesa ndaj organeve të Partisë, atyre shtetërore dhe institucioneve kulturore.
Unë nuk them të mos bëhen kërkesa, por këto të mos jenë të njëanshme, jo vetëm nga çështja se këtu nuk po na flitni për organizatën e rinisë, por edhe në kërkesat sikur të qëndrohet, këtu s’duhet të ketë njëanësi. Është e lejueshme të kërkoni, por, sigurisht, do të kërkohet edhe nga ju. Në qoftë se ju e thoni në mënyrë aq kategorike shprehjen “sikur nuk kuptohen shqetësimet e rinisë, kërkesat, interesat dhe problemet e saj” (gjë që unë nuk e gjej as të drejtë dhe as reale), atëherë vihet pyetja: A e vlerësoni ju drejt interesimin e madh që tregojnë Partia dhe pushteti për rininë? A i çmoni ju drejt mjetet e mëdha materiale që janë vënë në dispozicion të edukimit të rinisë në të gjitha sferat? A i çmoni dhe a i shfrytëzoni ju këto si duhet? A i vlerësoni këto brenda zhvillimit të përgjithshëm të vendit dhe nevojave të këtij zhvillimi? Mua më duket se për t’iu përgjigjur të gjitha këtyre pyetjeve, duhet reflektuar më parë dhe, po të reflektohet, nuk mund dhe nuk duhet të dilni në atë konkluzion që keni dalë.
Në raportin që na keni paraqitur, disa herë kam hasur në përdorimin nga ana juaj të termit “shqetësimet e rinisë”. Nuk e kuptoj dot për çfarë shqetësimesh bëni fjalë? Ç’janë këto brenga që brejnë zemrën e rinisë sonë? Në qoftë se ju e përdorni këtë term sa për ta përdorur, bëni gabim. Në qoftë se e mendoni atë seriozisht, atëherë le të diskutojmë seriozisht, pse është me rëndësi të sqaroheni edhe ju, edhe ne. Unë mendoj se rinia jonë është më e lumtura dhe më e gëzuara në botë. Çdo gjë në vendin tonë bëhet e ndërtohet për rininë, ajo rron në një vend socialist të lirë nga çdo pikëpamje dhe edukohet në mënyrë të shëndoshë, ajo rron në një vend demokratik, ku gëzon të gjitha të drejtat, po ka natyrisht edhe detyra. Që kur lind fëmija në vendin tonë prindërit e të afërmit ajo i ka në punë, jeta ekonomike e familjeve te ne është përmirësuar shumë. Përveç kësaj, për fëmijët shteti bën çmos (dhe s’ka bërë pak), ai ka ngritur kudo për ta çerdhe, kopshte, shtëpi pushimi, spitale. Fëmijët në Shqipëri sot rriten të ushqyer mirë, vishen, mbathen, venë në shkollë. Shkollat e të gjitha niveleve janë të çelura për të tërë dhe falas. Kur sëmuren fëmijët, shërimi si për të gjithë edhe për ta bëhet, gjithashtu, falas. Të rinjve e të rejave të shumë familjeve, të cilët shkojnë në shkollat e mesme e në universitet, shteti u jep bursë. Kur ata dalin në punë, marrin rroga të mira, qiratë te ne janë fare të lira, sigurimet shoqërore shtetërore po si te ne.
Me miliona e miliona kopje librash janë botuar e vazhdojnë të botohen. Përveç organeve qendrore të shtypit, gazeta ka gati kudo, në çdo rreth, në qytete, në fshatra ka shtëpi kulture, në uzina e në fabrika ka biblioteka etj. Teatro, kinema, estrada profesioniste dhe amatore janë ngritur me shumicë në të gjitha anët. Gati çdo qytet ka nga një stadium të madh, në mos dy, pa folur pastaj për mijëra fusha sportive më të vogla. I tërë vendi është shumë piktoresk, nga më të bukurit në botë, të rejat e të rinjtë tanë mund të shkojnë dhe shkojnë kudo. Ata mësojnë, punojnë, jetojnë, bëjnë turizëm dhe asnjë pengesë nuk ka për ta, pse mbarë populli ynë, Partia dhe pushteti e çmojnë lart rininë tonë, e cila e meriton këtë plotësisht. Atëherë vihet pyetja: Çfarë shqetësimesh e brejnë rininë tonë? Jo, shokë të rinisë, realiteti nuk është kështu si thoni ju. Që duhet të bëhen akoma shumë e më shumë, kjo është e drejtë. Që ka edhe disa njerëz që nuk kujdesen ose nuk i kuptojnë si duhet këto çështje edhe kjo është e vërtetë. Ka pastaj edhe nga ata për të cilët qaheni ju në raport, por, nga ana tjetër, edhe ju vetë duhet të shihni më mirë në sy të metat tuaja.
Le të marrim çështjen e frontit të kulturës në edukimin e rinisë. As këtë problem ju nuk e shikoni shumë drejt, bile e ngushtoni këndin e shikimit të kulturës që është një fushë e gjerë. Këtë gjerësi ju e harroni dhe frontin e kulturës për edukimin e rinisë e reduktoni, duke thënë se “në një sërë rrethesh nuk përgatitet asnjë premierë teatrale me probleme të rinisë”, se “s’është bërë asnjë film artistik për rininë”, “botimet letrare janë të pakta dhe të një niveli të ulët”, “botime shkencore për rininë s’ka”. Ta shtrosh kështu problemin, do të thotë ta shtrosh cekët dhe pse të mos e themi më hapur, shokë udhëheqës të rinisë, të krijohet përshtypja sikur fajin e kanë të tjerë dhe jo ju që bëni raportin ose që jeni drejtuesit kryesorë të organizatës së rinisë. Fronti kulturor për edukimin e rinisë nuk qëndron në përgatitjen e një ose dy filmave, të një ose dy premierave që nuk janë bërë. Që të bëhen këto (dhe është e drejtë të bëhen jo kaq, po edhe më shumë), duhet të luftojmë që të gjithë, duke mos harruar as ju; por çështja e frontit të kulturës nuk qëndron vetëm në këto që thashë, pse janë një pjesë shumë e vogël e punës së këtij fronti të madh e kompleks.
Fronti i madh i kulturës për rininë tonë është shkolla, ku merret dituri, ku mësohet shkenca, filozofia dhe kur të rinjtë e të rejat dalin nga bankat e shkollës, futen në bankat e punës që quhen torno, tokë, blegtori, në luftën për jetën. I gjithë ky front i gjerë aktiviteti për të prodhuar të mira materiale është njëkohësisht një front i madh kulture. Të dy këto fronte janë të hapëta nga të dyja anët e kanateve për rininë, e cila merr pjesë gjallërisht në fillim si nxënëse, më vonë edhe si edukuese dhe krijuese. Prandaj organizata e rinisë duhet t’u vërë rëndësi më të madhe këtyre dy fronteve të kulturës për edukimin e masës së rinisë, pse këto janë kryesoret. Ne kemi suksese të mëdha në këto dy fronte. Rinia jonë, në përgjithësi, mëson, edukohet dhe punon mirë. Por mund dhe duhet të punojë e të mësojë edhe më mirë, pse i janë krijuar të gjitha mundësitë. Them se ajo duhet të punojë e të mësojë më mirë, se në këto drejtime duken mjaft boshllëqe të karakterit subjektiv, boshllëqe që s’mund t’u ngarkohen vetëm të rinjve, por edhe mësuesve e pedagogëve, komunistëve dhe udhëheqësve të rinisë, drejtuesve të organeve ekonomike dhe shtetërore.
Sigurisht luftohet kundër këtyre të metave dhe bëhen përmirësime të vazhdueshme, por, pa nënvleftësuar përgjegjësinë e të tjerëve, që Partia dhe Qeveria i këshillon dhe i qorton vazhdimisht të korrigjohen, unë dua të theksoj se vetë organizata e rinisë, kudo që ekziston si organizatë dhe udhëheqja e saj nga lart e deri në bazë, frontit të madh e vendimtar të kulturës për edukimin e rinisë, ashtu siç e përmenda më lart nuk po i vë rëndësinë e duhur dhe bën një punë formale, rutinë, bile ka raste që nuk bën fare. Jo një herë, po shumë herë më ka qëlluar të bisedoj me nxënës të shkollave të mesme të arsimit të përgjithshëm dhe me studentë, edhe nga ata më të mirët e shumë të mirët dhe kam vënë re se nuk njohin lëvizjet e rëndësishme shoqërore e historike të epokave të ndryshme të historisë, se nuk kanë asnjë fije njohurie, të paktën nga janë, mbi disa shkrimtarë e filozofë që kanë bërë epokë në mendimin njerëzor.
Mund të pranohet një gjë e tillë si normale? Sigurisht faj kanë pedagogët për këtë, por nxënësit dhe studentët tanë vallë nuk janë fajtorë? Po organizata e rinisë ç’po bën që nuk i edukon këta të rinj të plotësojnë kulturën e tyre, qoftë në shkollë, qoftë jashtë shkollës? Ç’rëndësi ka nëse u bë apo nuk u bë një shfaqje teatrale ose një film më shumë, kur i riu ose e reja që ka mbaruar shkollën e mesme e të lartë, jo vetëm nuk merr mundimin të lexojë pjesë letrare, komedi apo drama me famë botërore, por nuk di as kush janë disa autorë të tillë si Shekspiri, Molieri e të tjerë si këta? Shokët e rinisë mund të thonë, “ja, mbledhje po bëjmë”. Bëni mbledhje, shokë, po mua më thonë se ka me qindra studentë që marrin nota pesa dhe ka shumë që përjashtohen se nuk mësojnë, se sillen keq etj. Kjo, shokë, është shqetësuese për Partinë dhe shqetësimi është me baza. Për mungesa të kësaj natyre duhet të shqetësoheni ju dhe jo për shqetësimet imagjinare ose të sëmura të disa të rinjve. Pse na ngjasin një sërë qëndrimesh e sjelljesh të papëlqyera në shoqërinë tonë të pastër? /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016