Nga Agim Musta
Pjesa e parë
Memorie.al / Në përvjetorin e katërt të ikjes nga jeta të historianit, studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Agim Musta, (24 Korrik 2019), ish – i burgosur politik, vajzat e tij Elizabeta dhe Suela, i dhanë të drejtën e eksluzivitetin për botim, medias online Memorie.al, të një prej botimeve më të spikatura të autorit, siç është ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’. Kjo vepër, mban të dhëna, dëshmi, fakte, statistika dhe argumente të shumta e të panjohura për publikun e gjerë, mbi krimet dhe terrorin komunist në Shqipëri, veçanërisht ndaj intelektualëve, në periudhën 1945-1991. Botimi për herët të parë të pjesëve të këtij libri, në platformën e njohur Memorie.al, është dhe realizimi i një prej amaneteve të historianit Agim Musta, i cili, që nga fillimi i vitit 1991 e deri sa ndërroi jetë, për afro tre dekada u angazhua me të gjitha fuqitë e tij, duke punuar për ngritjen e kujtesës kolektive, përmes botimeve me libra dhe publikimeve në shtypin e përditshëm. E gjithë ajo punë voluminoze e z. Agim Musta, e konkretizuar në disa libra, është një kontribut me vlera të mëdha, për zbardhjen e krimeve të regjimit komunistë të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Një pjesë e mirë e botimeve të z. Agim Musta, është e përkthyer dhe në anglisht. Duke falenderuar dy vajzat e të ndjerit Musta, që zgjodhën Memorie.al, për të përkujtuar babanë e tyre, nga sot, po fillojmë publikimin pjesë pjesë, të ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.
-Burgjet e shtetit komunist shqiptar-
(1945-1991)
A. Burgjet e mbyllura
Gjatë regjimit monarkik (1928-1939) në Shqipëri ekzistonin 5 burgje: Gjirokastër, Korçë, Durrës, Tiranë dhe Shkodër. Në fillim të viteve tridhjetë, në kështjellën e Gjirokastrës, u ndërtua burgu më i madh i Monarkisë, që u quajt “Burgu i Përgjithshëm i Mbretërisë Shqiptare”, me një kapacitet prej 400 vendesh. Pushtuesit italianë ndërtuan në Tiranë më 1940-ën, një burg ushtarak të sigurisë së lartë, i cili u quajt nga populli; “Burgu i Ri”. Ky burg, së bashku me qelitë, kishte një kapacitet deri në 300 vetë.
B. Burgjet e mbyllura
Duhet theksuar se gjatë pushtimit italian, në komandat e policisë dhe karabinierisë, në të dhjetë prefekturat e Shqipërisë, u ndërtua një numër i madh qelish, që përdoreshin për të ndaluarit për motive politike. Pushtuesit fashistë italianë, ndërtuan në Shqipëri edhe tre kampe internimi: në Porto-Palermo, Porto-Romano dhe në Katër Rrugët e Shijakut. Në këto kampe, u mbyllën element antifashistë dhe ushtarakë shqiptarë, që kishin dezertuar nga repartet ushtarake fashiste italiane.
Numri i të internuarve në këto kampe, arrinte rreth 2000 veta. Nga pushtuesit, u internuan në ishujt e Italisë: Sardenjë, Ventotene, Ustika dhe në burgjet e tjera italiane, 795 shqiptarë. Gjatë periudhës së pushtimit italian, 7 prill 1939 deri më 8 shtator 1943, u ekzekutuan për motive politike, 87 persona.
Gjatë pushtimit gjerman, shtator 1943 – nëntor 1944, në Shqipëri, kanë funksionuar burgjet ekzistuese dhe në qytetet kryesore të vendit, qelira pranë komandave të Feldgjindarmërisë, në Vlorë, Korçë, Tiranë dhe Shkodër.
Numri i të burgosurve në këtë periudhë, ra në 1000 veta, mbasi Gestapua gjermane, depërtoi në kampin e Prishtinës, 350 ish-të burgosur, 102 prej të cilëve në tetor të vitit 1944 u pushkatuan. Nga pushtuesit nazistë, gjatë asaj periudhe u depërtuan për në kampet naziste të Gjermanisë, mbi 1600 veta, shumica e tyre, qytetarë nga Vlora dhe Durrësi. Pjesa më e madhe e këtyre fatkeqëve, u dogjën në krematoriumet e Aushvicit, Majdanikut dhe Dakaut.
Me vendosjen e diktaturës komuniste në Shqipëri, vetëm gjatë periudhës së viteve 1945-1948, u arrestuan për motive politike, rreth 10.000 veta. Ata ishin pjesëmarrës në organizatat politike të ‘Ballit Kombëtar’, ‘Legalitetit’, bashkëpunëtorë të qeverive kuislinge, pjesëtarë dhe përkrahës të forcave luftarake të bajraktarëve të veriut, klerikë, tregtarë të tatuar, të pasur, që iu kërkohej me dhunë dorëzimi i arit dhe i bizhuterive të trashëguara, ish-partizanë dezertorë, njerëz të ndryshëm, që shfaqnin mendime kundër pushtetit në fuqi, etj.
Mes tyre kishte nga të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare. Meqenëse burgjet dhe qelitë ekzistuese u mbushën plot e përplot, në të gjitha qendrat e rëndësishme urbane, u ngritën dhe shumë burgje të tjera. Në Shkodër, gjatë periudhës 1945-1949, u shndërruan në burgje, 12 kisha dhe shkolla; në Peshkopi dhe Kukës, u shndërruan në burgje kazermat ushtarake; në Gjirokastër u kthye në burg fabrika e miellit, kurse në disa qytete, si në Vlorë, Elbasan, Berat dhe Korçë, shumë banesa private, u kthyen në burgje.
- Burgu i Gjirokastrës
Burgu i Gjirokastrës, u ndërtua në fillim të viteve tridhjetë, në mesin e kështjellës. Vetë kështjella është përdorur si burg dhe vend ekzekutimi, qysh në kohën e zenebishtëve, venecianëve, osmanëve, deri dhe në fillim të shekullit XX-të. Ajo së bashku me burgun e ndërtuar në mes të saj, ka një pamje mahnitëse, që rrallë haset në vendet e tjera të Ballkanit.
Burgu dhe kështjella, i ngjajnë një kryqëzori madhështor, në mes të oqeanit. Në qendër të burgut, është salla e madhe me 7 dritare, ose 7 penxheret, që e kishin pamjen mbi tregun e qytetit. Në Gjirokastër “7 penxheret”, u bënë sinonim i burgut. Përveç sallës së madhe me kapacitet 120 vende, burgu kishte dhe dy degëzime, me dhoma të vogla për 4-6 persona.
Njëkohësisht, burgu kishte dhe një aneks me 3-4 dhoma për gratë. Nga ana e lindjes, ndodheshin 20 qeli të quajtura, sektori i Babicës. Gjatë viteve 1945-1946, u përshtatën dhe qeli në katet e nëndheshme, në errësirë të përjetshme. Ky burg, që kishte një kapacitet prej 400 vetash, në vitet e para të diktaturës komuniste, arriti të mbante mbi 1.200 veta. Deri më 1949, të burgosurve i’u jepej si ushqim, vetëm 400 gr. buki misri. Nga ushqimi i pakët dhe trajtimi i keq në burg, gjatë kësaj periudhe 3-vjeçare, kanë vdekur mbi 120 veta, midis të cilëve intelektualët e shquar, si kolonel Selaudin Mborja etj.
Edhe nga burgu i Gjirokastrës, megjithëse i sigurisë lartë, ka pasur tentativa arratisjeje, disa prej të cilave kanë përfunduar me sukses. Ky burg u mbyll në vitin 1954 dhe mjedise të veçanta të tij, u shndërruan në Muzeun Kombëtar të Armëve, disa të tjerë u përshtatën për frigorifer.
- Burgu i Tepelenës
Mbas pushtimit të Çekosllovakisë nga trupat sovjetike dhe të Traktatit të Varshavës më 1968, diktatori Enver Hoxha, duke menduar se një ndërhyrje e tillë mund të ndodhte dhe në Shqipëri, urdhëroi që të ndërtohej një burg i sigurisë së lartë, ku të izoloheshin ish-kuadrot e larta të Partisë – shtet, të cilësuar armiq të partisë e të popullit dhe të dënuar nga diktatura. Vendi ku do të ndërtohej burgu, u zgjodh gryka e Bënçës, një vend shumë i izoluar, 5 km. larg qytetit të Tepelenës.
Burgu ishte i rrethuar me mur guri 6 metër të lartë dhe sipër tij, ishin vendosur tela me gjemba. Në katin e sipërm ishin zyrat e komandës dhe fjetoret e rojeve, kurse në 7 dhomat e katit të parë, ishin vendosur të burgosurit e izoluar në tre grupe. Në janar të vitit 1971 në këtë burg, sollën të burgosurit e parë.
Midis tyre ndodheshin ish-kuadro të lartë të Partisë-shtet si: Bedri Spahiu, ish-anëtar i Byrosë Politike, Koço Tashko ish-ambasador fuqiplotë i Shqipërisë në Moskë dhe kryetar i Komisionit të Revizionimit të Partisë, Maqo Çomo, ish-ministër i Bujqësisë, Gjin Marku, ish-gjeneral e të tjerë. Të burgosurit protestuan shumë herë për izolimin hermetik dhe për rregulloren e jashtëzakonshme që përdorej në këtë burg.
Në fund të vitit 1972, pa pritur dhe pa kujtuar, burg i Tepelenës u mbyll. U fol se shkaku i mbylljes së tij ishte ndërtimi në një vend të papërshtatshëm dhe të pambrojtur nga ndonjë sulm diversionist.
- Burgu i Vlorës
Burgu i Vlorës, para pushtimit italian, ndodhej në një godinë private të përshtatur për burg. Ai kishte një kapacitet 150-200 veta. Të dënuarit, që vuanin dënimin në të, ishin ordinerë. Të arrestuarit për motive politike në Vlorë, si në rastin e grupit anti-monarkist të vitit 1932, i dërgonin në burgun e Durrësit. Gjatë pushtimit fashist, në qelitë e burgut të Vlorës, pati rreth 100 të dënuar, për motive politike. Me vendosjen e pushtetit komunist, në këtë burg vuanin dënimin për motive politike, rreth 500 veta. Për të përballuar gjendjen, më 1954 u ndërtua edhe një burg tjetër.
Burgu i ri, me kapacitet 400 veta, funksionoi deri në vitin 1962. Nga torturat dhe ekzekutimet në burgjet e Vlorës, kanë gjetur vdekjen mbi 80 të burgosur, midis tyre intelektualët e njohur: Bego Gjonzeneli, Qazim Kokoshi, Abdulla Mema, e të tjerë. Mbas vitit 1962, të burgosurit politikë të Vlorës, u dërguan pjesërisht në burgun e Burrelit dhe në kampet-burgje me punë të detyruar.
- Burgu i Beratit
Burgu i qytetit të Beratit, është ndërtuar që në kohën e sundimit otoman. Pas vendosjes së diktaturës komuniste, kur lufta e klasave u thellua dhe të arrestuarit u shtuan edhe në gytetin e Beratit, kthyen në burgje, hotel “Tomorri” dhe një shtëpi private, afër urës së Goricës. Gjatë viteve 1945-1948, në burgjet e Beratit, ka pasur rreth 1.500 të burgosur për motive politike.
Në këto burgje, nga torturat dhe ekzekutimet, kanë gjetur vdekjen rreth 156 veta. Midis tyre, ka patur intelektuale dhe patriotë të shquar, si: Abaz Omari, Ali Kuçi, Kamber Ruli e shumë të tjerë. Burgjet e Beratit, u mbyllën në vitin 1952, kur të dënuarit që gjendeshin në to, u dërguan për ndërtimin e aeroportit në Urën Vajgurore dhe në kampe të tjera, me punë të detyruar.
- Burgu i Korçës
Në kohën e pushtimit otoman, të burgosurit e qarkut të Korçës, dërgoheshin për vuajtjen e dënimit, në burgun e Manastirit (Bitoli i sotëm). Burgu i Korçës u ndërtua në vitin 1916, gjatë pushtimit francez. Të burgosurit me dënime të rënda, francezët i çonin në burgun e Selanikut dhe në Guajanën franceze.
Burgu u modifikua gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut dhe kishte një kapacitet për 150-200 vende. Gjatë viteve 1945- 1947, në këtë burg u shtuan jashtë mase të dënuarit për motive politike dhe numri i tyre arriti në rreth 800 veta.
Nga kushtet e rënda higjeno-sanitare, në këtë burg shumë vetë u sëmurën dhe disa prej tyre humbën jetën. Për të përballuar gjendjen tepër të rënduar, në vitin 1946, u shndërruan në burgje: Mitropolia e Korçës dhe disa godina private. Në këto godina, u adaptuan mbi 100 qeli. Me krijimin e kampeve-burgje me punë të detyruar, burgu i Korçës, në vitin 1961, u mbyll përfundimisht.
Në funksionim mbetën vetëm qelitë e hetuesisë. Në këtë burg kanë gjetur vdekjen shumë atdhetarë dhe intelektualë të shquar, si; Faslli Frashëri, Nafiz Babani, Xhevat Starova, Maliq Dushari, etj. Vlen për tu theksuar, se nga burgu i Korçës më 1949, disa të burgosur të dënuar me vdekje, “arratisen” së bashku me gardianët dhe policët. Një pjesë e tyre u kapën dhe u ekzekutuan, kurse të tjerët, të udhëhequr nga Ali Starova, mundën të arratisen jashtë shtetit.
- Burgu i Elbasanit
Burgu i Elbasnit, ndodhej në një shtëpi private të përshtatur për burg, brenda mureve të lagjes “Kala” të këtij qyteti. Burgu, kishte një kapacitet deri në 150 veta. Godina ishte shumë e vogël dhe gjithë lagështi. Rrezet e diellit nuk hynin kurrë, në këtë godinë vuajtjesh. Me vendosjen e diktaturës komuniste, në burgun e Elbasanit, numri i të dënuarve për motive politike, arriti në rreth 300 veta.
Kushtet e banimit në ato higjenike në ambientet e këtij burgu, ishin shumë më të këqija se në burgjet e tjera të Republikës. Shumë të burgosur vdiqën dhe u varrosën fshehurazi natën, në bregun e Zaranikës. Midis tyre, ishte dhe nxënësi i shkollës Pedagogjike të Elbasanit, 16-vjeçari, Behaudin Basha. Më 1950, të burgosurit politikë të këtij burgu, u transferuan në burgjet e tjera. Burgu i Elbasanit, u mbyll përfundimisht në vitin 1951.
- Burgu i Durrësit
Në fillim të viteve ’20-et, një shtëpi private, në “Lagjen e Jevgjve”, ishte adaptuar për burg në qytetin e Durrësit. Kapaciteti i tij ishte për rreth 120 veta. Në kohën e Monarkisë, në këtë burg kanë kryer hetuesinë dhe kanë vuajtur pjesërisht dënimin, komplotistët e grupit të Vlorës të vitit 1932 dhe pjesëmarrësit e kryengritjes së Fierit, të vitit 1935.
Mbas vendosjes së diktaturës komuniste, burgu i Durrësit u popullua me rreth 300 të burgosur, për motive politike. Në këtë burg, kanë gjetur vdekjen shumë atdhetarë, intelektualë dhe klerikë të nderuar, si: Mustafa Varoshi, Vincens Prenushi e të tjerë. Burgu i Durrësit, u mbyll në fillim të viteve ’50-të dhe të dënuarit që ndodheshin në të, u dërguan në kampe me punë të detyruar.
- Burgu i Vjetër i Tiranës
Burgu i Vjetër i Tiranës, u ndërtua në vitin 1932. Është ndërtesë dykatëshe dhe ka dy oborre, në dy pjesët anësore. Para pushtimit italian, ai ishte burg për të dënuarit ordiner dhe në rast të rralla, në të ka pasur edhe të dënuar për motive politike. Fillimisht, Burgu i Tiranës kishte një kapacitet për 200 vetë. Në pjesën perëndimore të burgut, ishte një ndërtesë aneks, që përdorej për gratë e dënuara.
Gjatë pushtimit fashist, në Burgun e vjetër të Tiranës, kishte mbi 200 të ndaluar dhe të dënuar për motive politike. Në oborrin e këtij burgu, është ekzekutuar me varje në litar më 1941, atentatori i Perandorit të Italisë, trimi nga Piqerasi i Sarandës, Vasil Laçi, si dhe luftëtarë të tjerë antifashistë.
Me vendosjen e diktaturës komuniste, në Burgun e Vjetër të Tiranës u grumbulluan mbi 1000 të burgosur, të dënuar për krime politike. Për të përballuar gjendjen jashtēzakonisht të rëndë, në vitin 1946, mbrapa godinës së burgut, u ndërtuan 50 qeli, të ashtuquajtura; “Birucat e Koçit”.
Nga të dënuarit e këtij burgu janë pushkatuar dhe kanë vdekur nga torturat, disa qindra vetë, intelektualë dhe patriotë të shquar, si: Aqif Përmeti, Kol Tromara, Bahri Omari, Patër Anton Harapi, Lef Nosi, Shasivar Islami, Baba Kamberi, Abdyl Sharra, Kujtim Beqiri, Sabahete Kasimati, Reshit Merlika, Tahsim Bishqemi, Gustav Mirdash, Zel Kadarja, Javer Hurshiti, Sami Qeribashi, Riza Alizoti, Ali Kavaja, Qenan Dibra, Koli Rodhe, Thoma Orllogai, Shefqei Beja, Sheh Karbunara, Pertef Karagjozi, Enver Sazani, Irfan Majuni, Agathokli Xhitomi, Riza Dani, Syrja Selfo, Faik Shehu, Hilmi Hysi, Jani Koljaka, Kostaq Stefa, Mahmut Maçi, e sa e sa të tjerë, shumë prej të cilëve, nuk iu gjendën as eshtrat dhe as varret.
Në vitet e mëvonshme, kur u hapën kampet me punë të detyruar, Burgu i Vjetër i Tiranës u kthye në një burg transit dhe atje mbaheshin personat e dënuar, që ishin të kaluar nga mosha dhe që vuanin nga sëmundje të pashërueshme. Birucat e këtij burgu, si ato të hershmet edhe ato të ndërtuara më 1946, mbetën në funksionim, deri më 4 korrik 1991, kur u liruan dhe të burgosurit e fundit të dënuar për motive politike.
- Burgu i Ri i Tiranës
Burgu i Ri i Tiranës, u ndërtua nga pushtuesit italianë në vitin 1940. Gjysmën e tij, e përbënin qelitë dhe dhomat e hetuesisë. Në pjesën tjetër, ndodheshin dhomat për të burgosurit, që iu ishte dhënë dënimi. Para burgut, ndodhej oborri i rrethuar me mure betoni shumë të larta. Gjatë periudhës së viteve 1940-1941, në këtë burg, mbaheshin vetëm të burgosurit ushtarakë.
Për këtë arsye, në ato vite ky burg është quajtur dhe Burgu Ushtarak i Tiranës. Gjatë viteve 1942 dhe 1943, në të kishte edhe mjaft të burgosur për motive politike. Më 1943, një grup komunistësh me në krye Koçi Xoxen, të dënuar në këtë burg, mundën të dilnin prej tij, nëpërmjet një tuneli. Për këtë aksion të tyre, ata patën ndihmën e gardianëve të brendshëm të burgut.
Mbas vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri, ky burg u popullua jashtë mase dhe një pjesë e ambienteve të tij, u përdor si spital-burg. Nga ky burg janë çuar për ekzekutim shumë oficerë të Mbretërisë Shqiptare.
Vlen të theksohet se një grup oficerësh me në krye majorin Murat Basha, kur u morën për pushkatim, filluan të këndonin Himnin e Flamurit, pa iu dridhur qerpikët e syrit. Një akt tjetër trimërie në këtë burg, ka bërë i riu nga Libohova, Muharrem Bejleri. Mbasi shpërtheu birucën ku ishte mbyllur, mundi të rrëmbejë një armë në dhomën e policëve dhe u përpoq të arratisej, por u diktua dhe filloi të qëllohej mbi të, nga të gjitha truprojat e burgut.
Muharremi, u pozicionua në oborrin e burgut, duke iu përgjigjur zjarrit me zjarr. Alarmi pushtoi Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Me dhjetëra kuadro të larta vrapuan të alarmuar drejt burgut.
Urdhri i tyre ishte i prerë, për asgjësimin e të arratisurit. Mbas një orë lufte të pabarabartë, Muharremi u vra nga bomba të hedhura nga çatia e burgut. Trimëria e tij, mbeti në analet gojore të burgjeve për shumë vite. Në këtë burg, kanë kryer hetuesinë speciale, kuadrot e larta të Partisë – shtet: Beqir Balluku, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Petrit Dume, Hito Çako, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela, e të tjerë.
- Burgu ferr i Burrelit
Burgu i Burrelit, filloi të ndërtohet në fillim të vitit 1938 nga Mbretëria Shqiptare, por mbeti i pa përfunduar, për shkak të pushtimit italian më 7 prill të vitit 1939. Italianët e kthyen burgun e Burrelit, në stalla kuajsh. Mbas vendosjes së diktaturës komuniste, përfundoi meremetimin e tij dhe në vitin 1946, të burgosurit e parë, u dërguan aty nga të gjitha burgjet e Shqipërisë.
Në këtë burg u dërguan intelektualë të diplomuar në Universitetet e Evropës, klerikë antikomunistë dhe atdhetarë nacionalistë të dënuar me dënime të rënda. Burgu i Burrelit, ka formën e një paralelepipedi me lartësi 4 metra mbi sipërfaqen e tokës, me gjerësi 6 metra dhe gjatësi 100 metra. Ka 10 dhoma dhe në mes të burgut, ndodhen 30 biruca, të cilat i ndan një korridor.
Burgu dhe oborri i tij, rrethohet me një mur betoni 4 metra të lartë dhe sipër tij është vendosur një tel i dendur me gjemba. Nga jashtë shikohet vetëm muri rrethues dhe asgjë tjetër. Për këtë arsye, në popull qarkullonte fjala, se burgu i Burrelit ishte i nëndheshëm. Kapaciteti i burgut ishte për 400 veta, por në të u sollën 600 të burgosur.
Gjatë periudhës së viteve 1946-1949, të burgosurit aty ushqeheshin vetëm me 400 gram bukë misri në ditë; ata nuk lejoheshin të takoheshin me familjet dhe nuk iu jepej asnjë ndihmë mjekësore. Motua që përsëritej çdo ditë nga oficerët dhe gardianët e burgut ishte: “Këtu i thonë Burrel, (e hyn e nuk del).
Midis viteve 1946-1949, në këtë burg kanë gjetur vdekjen rreth 300 të burgosur, të cilët i kanë varrosur në një gropë të përbashkët, mbrapa burgut, afër një qershie. Në këtë periudhë, drejtor i burgut ishte togeri Vangjel Rrëmbeci, njeri besnik i Ministrit të Punëve të Brendshme, Koçi Xoxes, i cili e kishte autorizuar këtë sadist, për të shfarosur elitën e inteligjencës shqiptare. Me urdhër të tij u mbyllën në qeli derisa vdiqën, ish- kryeministri Koço Kota, oficeri Atif Golja dhe mësuesi Spiro Grameno.
Në vitin 1953, një grup oficerësh të lartë K.G.B-së sovjetike, vizitoi burgun e Burrelit. Ata mbetën të mahnitur nga gjendja e llahtarshme, në të cilën ndodheshin të dënuarit. Një ish-i dënuar, Muharrem Xhakoni, që njihte gjuhën ruse, mori guximin dhe iu drejtua me këto fjalë oficerëve rusë: “Zotërinj! Nën këto lecka e zhele, fshihen diplomat e Universiteteve më të mira të Evropës”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016